Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Manja në burgun e Fierit: 15 autoambulanca të reja në sistemin penitenciar

TIRANË, 22 korrik/ATSH/ Flotës moderne të automjeteve në sistemin penitenciar i janë shtuar 15 autoambulanca të reja.

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja i shoqëruar nga drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Klevis Qose inspektoi Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale Fier.

Kreu i Burgjeve Qosja tha se “flota e re e ambulancave është financuar 50%  nga fondi i drejtorisë së përgjithshme të burgjeve dhe 50% nga asetet e sekuestruara dhe SPAK. Të gjitha ambulancat janë me kabinete të plotë mjekësor për ndihmën e parë mjekësore që mund t’i jepet çdo të dënuari dhe paraburgosuri”.

Sipas tij, flota e burgjeve ka qenë e amortizuar, ku ishin trashëguar vetëm 3 autoambulanca të vitit 2020-2021.

“Aktualisht kemi 15 autoambulanca të reja, të pajisura me teknologjinë më të avancuar, që i shtohen flotës moderne të automjeteve në sistemin penitenciar”, tha Qosja.

Ai bëri të ditur se Agjencia e Aseteve të Sekuestruara ka mbështetur me 8 autoambulanca të reja dhe 7 nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.

“Autoambulancat e reja do të shpërndahen në Fier, Shkodër, Korçë, burgun 313, spitalin e Burgjeve. Institucioni i Shën Kollit, ku trajtohen të burgosurit me sëmundje të shëndetit mendor do të pajiset me një nga autoambulancat e 2020-2021. Janë marrë të gjitha masat që autoambulancat të kenë mjekë, infermierë, si dhe shoferë, të cilët do të marrin në dorëzim autoambulancat dhe do të shërbejnë në çdo institucion sipas shpërndarjeve të autoambulancave”, tha Qosja.

Ministri Manja pa nga afër edhe përfundimin e rikonstruksionit të palestrës dhe fjetoreve për Policinë e Burgjeve në Fier duke e cilësuar “një tjetër hap konkret drejt një sistemi më efikas, më të sigurt dhe më njerëzor”.

/k.s/j.p/

The post Manja në burgun e Fierit: 15 autoambulanca të reja në sistemin penitenciar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Masa të reja ligjore për shpërdorimin e ujit të pijshëm

TIRANË, 22 korrik/ATSH/ Kryeministri Edi Rama informoi sot për marrjen e masave të reja ligjore për shpërdorimin e ujit të pijshëm.

Në një postim në rrjetet sociale kryeministri Edi Rama ndau një tjetër rast të bllokimit të hapësirës publike nga një gomisteri.

“Pikërisht! Nuk mund të ketë shërbim gomisterie në mes të rrugës, kufiri i biznesit mbaron aty ku fillon kufiri i jetës së komunitetit”, tha Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se “ndërkohë që do të merren masa të reja ligjore për shpërdorimin e ujit të pijshëm me zorrë për larje turlilloj”.

Gjatë muajit korrik në të gjithë vendin ka nisur aksioni për lirimin e hapësirave publike të zëna padrejtësisht nga bizneset dhe qytetarët.

/k.s/j.p/

The post Rama: Masa të reja ligjore për shpërdorimin e ujit të pijshëm appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Universiteti Bujqësor i Tiranës do të jetë antena e BOKU-t në rajon

TIRANË, 22 korrik/ATSH/ Nëntë programet që UBT ofron duke nisur nga ky vit sipas modelit BOKU janë një ofertë e shkëlqyer për të rinjtë, që nesër do t’i duhen Shqipërisë në BE për shumë nga punët e lidhura me mjedisin, ushqimin, ujërat, etj.

Kryeministri Edi Rama u shpreh sot gjatë ceremonisë së nisjes së programeve, se “ajo që është arritur në Universitetin Bujqësor është diçka që mua më bind se UBT dhe Universiteti BOKU i Vjenës do të jenë një, dhe UBT do të jetë antena e BOKU-t në rajonin tonë”.

“E filluam këtë aventurë që kur rektori tha se ne nuk kemi si e mbajmë këtë universitet nëse nuk e ulim poshtë atë mesataren nga 6 ta çojmë 5 nga gjysmë të vdekur ta marrim të vdekur. Unë i thashë kjo është një mbijetesë për të gënjyer veten se kjo do të çojë në rrënimin përfundimtar. Ndërkohë që ne duhet të synojmë diçka krejt tjetër duhet të synojmë ta bëjmë UB trendi dhe ta kthejmë në universitetin që vajzat e djemtë e këtij vendi të shikojnë të ardhmen”, tha Rama.

“Për këtë na duhet të lidhemi me një universitet europian dhe kështu shkuam në shkallët e BOKU-t që është një universitet i themeluar në vitin 1872 dhe parafolësi nuk ishte një konsulent i huaj që ka ardhur këtu me lekët e Bankës Botërore për të treguar nga lidhet gomari, por është ish- rektori i Universitetit BOKU, por që kur ne e takuam ishte në detyrë. Unë isha i pari kryeministër që hipja shkallët e atij universiteti që nga 1872 dhe natyrisht rektori ishte pak i trembur dhe s’kishte faj se çfarë nuk kishte dëgjuar për Shqipërinë dhe shqiptarët dhe po i vinte personalisht shefi i madh i mafies shqiptare në derë”, vijoi Kryeministri.

“Aty filluam diskutimin e parë rektori njeri civil, i mirësjellshëm nuk mund të mos na priste, por unë e ndieja që na shikonte me një çudi të përzier me frikë. Megjithatë ja ku jemi sot. Falë këtij burri që rasti e solli të tërhiqej nga aktiviteti akademik në këtë periudhë dhe të na bashkohej me shumë bujari në këtë përpjekje tonën kështu kemi jo vetëm një konsulent, por një bashkëudhëtar që i di të gjitha ato për të cilat ne kemi nevojë dhe falë Bardhit Sallakut, ne arritëm që të kemi një reformë që ka bërë diçka radikale. Ka spostuar të gjithë procesin e bërjes së kurrikulave nga duart e shefave të departamenteve dhe atyre që e kanë kontrolluar këtë proces për të mirë e për të keq ose për të dyja bashkë në duart e një komisioni të ndershëm dhe të vetë studentëve”, nënvizoi Rama.

Kryeministri Rama tha se “gjëja që duhet ta kenë parasysh të gjithë për juristë nuk ka nevojë Shqipëria ka plot dhe i teprojnë mund t’i japë edhe Ballkanit dhe t’i eksportojë në kontinentet e tjera”.

“Por Shqipëria që së shpejti anëtarësohet në BE ka nevojë për ata që përgatiti UBT sepse Shqipëria si Europa e njësoj bota, po përballet me ndryshimet klimaterike me degradimin  e mjedisit, me rritjen e temperaturave, me motin ekstrem, me humbjen ekosistemeve që ndikojnë bujqësinë, furnizimin me ujë, biodiversitetin dhe këto janë ato që janë të pandashme nga jeta jonë mbi këtë planet dhe janë të pandashme nga rrugëtimi dhe qenia jonë në BE”, tha Rama.

/k.s/j.p/

 

 

The post Rama: Universiteti Bujqësor i Tiranës do të jetë antena e BOKU-t në rajon appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

9 programe të reja, Manastirliu: Pedagogët e BOKU-t , pjesë e procesit akademik në Universitetin Bujqësor

TIRANË, 22 korrik/ATSH/ Universiteti Bujqësor i Tiranës ka prezantuar sot ofertën e re akademike, të përafruara me programet e BOKU (University of Natural Resources and Life Sciences) të Vjenës, duke nisur një proces transformues të UBT, me standardet më të mira europiane.

Në këtë aktivitet merrnin pjesë Kryeministri Edi Rama, Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu, Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillit Rural Anila Denaj, Rektori i UBT Fatbardh Sallaku, maturantë, pedagogë e prindër.

Universiteti Bujqësor i Tiranës hap këtë vit akademik 9 programe të reja studimi që janë arritur falë një analize të thelluar dhe bashkëpunimi intensiv me një nga universitetet më prestigjioze të Europës në fushën e shkencave të jetës, BOKU i Vjenës.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu, në fjalën e saj tha se kjo është faza e parë e reformimit të UBT, e cila përfshin ristrukturimin e ofertës akademike, riorganizimin e programeve dhe rritjen e kapaciteteve kërkimore dhe mësimore në këtë universitet.

“Në një vit është punuar ngushtësisht mes UBT dhe BOKU të Vjenës, për të transformuar rrënjësisht ofertën akademike dhe sot ofron 9 programe të reja, në përputhje me standardet e BOKU, një universitet lider në fushën e shkencave të jetës në Europë”, tha Manastirliu.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit nënvizoi se duke filluar nga ky vit akademik, procesi akademik në këto degë do të zhvillohet së bashku me profesorët e BOKU, duke ftuar maturantët të zgjedhin UBT.

“Pedagogët e BOKU do të jenë pjesë e procesit akademik në UBT, duke filluar nga ky vit. Nga ana tjetër, studentet do të jenë pjesë e mobilitetit mes dy universiteteve, pra mund të shkojnë të zhvillojnë një cikël studimi në Vjenë. Në UBT nuk do të gjeni thjesht kurrikulën e standardizuar dhe laboratorët moderne, por do të keni mundësi të keni një kampus të vërtetë studentor. Në fund, çfarë do të fitoni? Do të keni një diplomë, e cila do të jetë pasaporta juaj akademike dhe profesionale europiane. Ndaj ju si maturantë duhet të ndiqni UBT”, tha Manastirliu, teksa vuri theksin edhe tek rritja e kapaciteteve dhe investimeve për zhvillimin e kërkimit shkencor në këtë universitet.

Programet e reja bachelor që do të ofrohen për vitin e ri akademik nga UBT janë: Menaxhim Biznesi; Ekonomiks; Teknologji Informacioni në Bujqësi dhe Mjedis; Shkenca Bujqësore dhe Siguri Ushqimi; Inxhinieri Mjedisi dhe Uji; Dizajn i Interierit dhe Inxhinieri Druri; Inxhinieri Pyjore; Ushqim dhe Shkencat e të Ushqyerit; Teknologji Ushqimore.

UBT do të shndërrohet në një qendër ekselence jo vetëm për arsimin, por edhe për kërkimin shkencor, me synim tërheqjen jo vetëm të studentëve shqiptarë, por edhe atyre ndërkombëtarë.

Kjo reformë, e mbështetur nga MAS dhe qeveria shqiptare, është modeli për modernizimin e arsimit të lartë publik në Shqipëri.

/k.s/j.p/

The post 9 programe të reja, Manastirliu: Pedagogët e BOKU-t , pjesë e procesit akademik në Universitetin Bujqësor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Universiteti Bujqësor ka qenë pikë referimi, po degjeneroi në rrënojë

TIRANË, 22 korrik/ATSH/ Universiteti Bujqësor i Tiranës, tanimë gati me programet e Universitetit BOKU të Vjenës dhe me synimin që UBT 2030 të bëhet antena rajonale e BOKU-t, një universitet lider me një traditë të hershme në fushën e shkencave të jetës në Europë.

Në fjalën e tij në aktivitetin për programet e reja të studimit në UBT sipas modelit të universitetit BOKU të Vjenës,  Rama tha se “është shumë e rëndësishme që të përpiqemi të informojmë sa më shumë maturantët dhe maturantet që ka një zhvillim të ri në Tiranë, zhvillim të ri të paprecedent”.

Rama u shpreh se “asnjë universitet shqiptar në Shqipëri nuk ka bërë këtë që po bën Universiteti Bujqësor dhe në asnjë universitet në Shqipëri nuk mund të gjesh sot për sot këtë perspektivë që ka hapur kjo reformë reale europiane rrënjësore në këtë universitet”.

“Universiteti Bujqësor për hir të së vërtetës ka kaluar dy faza në historinë e vet, ka pasur një fazë në historinë e tij ku Universiteti Bujqësor ishte një qendër ekselence reale në kushte të vështira dhe mjete të kufizuara, por ishte pikë referimi dhe kjo ishte koha para përmbysjes së regjimit ku Universiteti Bujqësor ishte edhe burimi më i rëndësishëm i dijes për atë zhvillim dhe ato nevoja të bujqësisë dhe fshatit që kishte atëherë  nevoja vendi”, theksoi Rama.

Ama, vijoi Rama, pedagogët e UB-së ishin akademikë dhe ishin dijetarë të jashtëzakonshëm, është e pamohueshme kjo.

“Pastaj UB pati një fazë e tjetër që ishte faza e rrënimit, braktisjes dhe e degjenerimit publik të tij , ku përveç burimeve njerëzore brenda mureve të universitetit të trashëguara asgjë tjetër nuk mbeti aty. Rektori përsëriti disa herë një telefonatë a thua se ishte një zë profetik nga mali, por në fakt ajo telefonatë ishte pasi së bashku me rektorin ne bëmë një ndërhyrje të rëndë dhe të turpshme nga nevoja të çlirimit të universitetit nga pushtues që e kishin marrë të gjithë territorin e universitetit për historitë e tyre që nga qoftet deri tek shitja e të brendshmeve”, theksoi Rama.

Kryeministri vuri në dukje se ishte dramatike të hyjë në atë universitet për të shkuar në klasë, duhet të kaloje nëpërmjet një pazari ndërtimesh të paligjshme dhe aktivitetesh tregtare.

“Natyrisht edhe për faktin që shumëkush mendoi se koha e fshatit mbaroi edhe erdhi koha e qytetit, koha e tokës mbaroi edhe erdhi koha e tavolinës së klubit, koha e prodhimit të ushqimit mbaroi dhe erdhi koha e sanduiçeve me salçiçe frigoriferi etj,. natyrisht mbaroi edhe koha e autokombajnave dhe erdhi koha e mercedezëve të vjedhur dhe të gjithë i kthyen kurrizin UB, i cili u bë një rifuxho për ata nxënës që nuk kishin miq për të kapërcyer shkallët e korrupsionit përmes të cilave hyje në universitete prestigjioze, ku të gjithë hynin për t’u bërë juristë kështu dhe ne krijuam popullatën më të madhe të juristëve për metër katror”, tha Rama. /k.s/j.p/

The post Rama: Universiteti Bujqësor ka qenë pikë referimi, po degjeneroi në rrënojë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Sezoni turistik, Rama ndan peizazhin magjepsës nga Velipoja

TIRANË, 22 korrik/ATSH/ Plazhi i Velipojës me një shtrirje prej mbi 14 km edhe këtë sezon turistik është ndër më të frekuentuarit nga pushuesit vendas dhe të huaj.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale pamje nga plazhi i Velipojës i mbushur me pushues duke e cilësuar peizazh magjepsës.

Shtimi i plazheve publike dhe menaxhimi më i mirë i hapësirës bregdetare edhe këtë vit kanë sjellë rritje të numrit të pushuesve që frekuentojnë këtë plazh.

Velipoja njihet për ndërthurjen me hijeshi të detit, lumit, delta me ishuj, kodrat, pylli, laguna e fusha, që tërheqin çdo vit e më shumë pushues.

Bashkia e Shkodrës këtë sezon veror ka përmirësuar shërbimin e pastrimit dhe menaxhimit të hapësirave publike duke ofruar kushte të përshtatshme për çdo pushues që frekuenton Velipojën, me një tarifë prej vetëm 400 lekësh për një çadër dhe dy shezlongë.

Velipoja njihet po ashtu për ndërthurjen me hijeshi të detit, lumit, delta me ishuj, kodrat, pylli, laguna e fusha, që tërheqin çdo vit e më shumë pushues. Shumë prej tyre janë të përvitshëm në sezonin veror në Velipojë, të tjerë vijnë për herë të parë për t’u rikthyer vit pas viti.

 

1 nga 3

/k.s/

The post Sezoni turistik, Rama ndan peizazhin magjepsës nga Velipoja appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rritet gatishmëria për zjarret, Vengu: Monitorim i pandërprerë i terrenit në çdo bashki

TIRANË, 22 korrik/ATSH/Komiteti i Mbrojtjes Civile ka marrë një sërë masash për të përballuar situatën ndaj zjarreve.

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu tha sot se  bashku me zëvendëskryeministren njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ministrin e Brendshëm Ervin Hoxha dhe ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu mblodhën Komitetin e Mbrojtjes Civile për të mobilizuar të gjithë trupën dhe zinxhirin e reagimit të emergjencave civile në nivel kombëtar.

‘Në kushtet kur parashikohen temperatura të larta përgjatë gjithë javës, dhe ndërkohë që përpjekjet vijojnë në shumë fronte nga veriu në jug të vendit, ndamë planin e masave me të gjithë titullarët e institucioneve të përfshira në mekanizmin e mbrojtjes civile, prefektët e qarqeve dhe kryetarët e Bashkive më të ekspozuara ndaj zjarreve”, theksoi Vengu.

Vengu bëri të ditur se do të ketë rritje të nivelit të gatishmërisë së trupave vendore në dispozicion të prefektëve; rritje e vigjilencës dhe monitorim i pandërprerë i terrenit në çdo bashki për raportim të menjëhershëm; pozicionim i forcave në zonat me risk për të shkurtuar kohën e reagimit.

Ministri vëngu informoi se ndërhyrja nga ajri do të vijojë me përparësi në zonat e banuara dhe zonat e mbrojtura.

Gjithashtu, shtoi Vengu, do ët ketë bashkërendim me mekanizmin Evropian të Mbrojtjes Civile për kapacitete shtesë.

Komiteti i Mbrojtjes Civile është autoriteti më i lartë i përhershëm që bashkërendon veprimtaritë dhe masat ndërinstitucionale të strukturave dhe të gjitha subjekteve të përfshira në mbrojtjen civile, duke përfshirë Forcat e Armatosura, Policinë e Shtetit, Urgjencën Kombëtare, Shërbimet Pyjore, Zonat e Mbrojtura, Autoritetet e Transportit; Meteorologjinë etj.

/k.s/

The post Rritet gatishmëria për zjarret, Vengu: Monitorim i pandërprerë i terrenit në çdo bashki appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kishin vështirësi të dilnin në breg të liqenit nga era e fortë, Policia ndihmon dy turistë holandezë në Pogradec

TIRANË, 21 korrik/ATSH/ Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare u shkuan në ndihmë dy shtetasve holandezë (babë e bir), që kishin dalë në liqenin e Pogradecit me një mjet lundrues kanoe.

Sipas Policisë, rreth orës 18:15, shërbimet e Njësisë Policore Detare, gjatë patrullimit në liqenin e Ohrit, rreth 500 metra larg bregut, konstatuan një mjet lundrues kanoe me dy persona, të cilët, për shkak të erës së fortë dhe dallgëve që kishte liqeni, e kishin të vështirë të dilnin në breg.

Menjëherë, shërbimet e Njësisë Policore Detare u afruan për t’u dhënë ndihmë dhe siguruan kthimin e tyre në breg pa probleme.

Shtetasit holandezë falënderuan shërbimet e Policisë për reagimin e menjëhershëm dhe profesionalizmin e treguar.

Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare janë të angazhuara maksimalisht në shërbim të qytetarëve, vizitorëve dhe turistëve, dhe në këtë kuadër ftojnë qytetarët që, në rast nevoje, të telefonojnë në numrin pa pagesë 112.

/k.s//r.e/

The post Kishin vështirësi të dilnin në breg të liqenit nga era e fortë, Policia ndihmon dy turistë holandezë në Pogradec appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Zënia e territorit brenda një hapësire të komunitetit, konsiderohet vepër penale

TIRANË, 21 korrik/ATSH/ Kryeministri Edi Rama tha sot se “përpjekja jonë do të jetë që të ndërtojmë një frymë dhe një rend komunitar në të gjitha qytetet tona, në Tiranë, në Vlorë, në Durrës dhe kudo qoftë”.

Duke folur lidhur me zënien e një territori brenda një hapësire të një komuniteti me pretendimin se “është prona ime”, Rama tha se “kjo konsiderohet vepër penale. Pra, në rast se dikush me pretendimin se ka pronën e vet vendos një tra për të marrë para nga njerëzit që jetojnë aty, se është prona e vet në mes të pallateve, kjo është vepër penale”.

“Ashtu sikundër, çdolloj okupimi tjetër, çdolloj zënie tjetër e rrugës, çdolloj bllokimi që i shkaktohet njerëzve në jetën e tyre të përditshme, me idenë që kjo është prona ime, është vepër penale. Është diçka që e kemi konsultuar me të gjitha legjislacionet dhe nuk ndodh në një qytet me rend ligjor që dikush në emër të pronës së vet të bëjë çfarë të dojë, kur nuk është në pyll, por është në qytet, dhe nga ana tjetër kemi adresuar me ligjin e fundit për bashkëpronësinë një element shumë të rëndësishëm që prej kohësh nuk është adresuar dhe prandaj ka prodhuar dhe probleme, elementin e bashkëpronësisë së truallit përreth një godine”, nënvizoi Rama.

Pra, vijoi Kryeministri, nëse një grup pronarësh bëjnë marrëveshje me një ndërtues për të ndërtuar një pallat dhe ai pallat ndërtohet në një përqindje të atij territori që është prona, se nuk ndërtohet me vijën e pronës, por ndërtohet sipas logjikës së të gjithë bllokut të banimit, gjithçka tjetër që nuk përfshihet në trupin e pallatit nuk është më prona e pronarëve që ishin në fillim, kur bënë marrëveshjen, por njësoj siç janë shkallët e brendshme, siç është tarraca, siç është çdo mjedis i përbashkët është pronë e përbashkët, e të gjithëve.

“Dhe në këtë pikë lind nevoja që të marrë një masë ligjore për të prapakthyer të gjitha llojet e dokumenteve që rezultojnë në shkelje të këtij parimi dhe në shkelje të pronësisë së të gjithë këtyre komuniteteve. Nuk mundet dot dikush me një dokument të prodhuar më parë, të thotë ‘unë jam këtu dhe kam këtë lokalin bashkë me këtë çatinë’, ndërkohë që aty është në fakt në një pronë nga e cila e ka humbur të drejtën, se ndërkohë ka marrë të drejta të tjera nga pallati që është ndërtuar”, theksoi Rama.

Kryeministri Rama tha se “e fundit që kam në këtë pikë, është prona ka karakter individual, por ka dhe karakter social, kur është fjala në një hapësirë ku jeton shoqëria, nuk jeton Robinson Kruzo dhe për këtë arsye gjithë përpjekja jonë do të jetë që të ndërtojmë një frymë dhe një rend komunitar në të gjitha qytetet tona, në Tiranë, në Vlorë, në Durrës dhe kudo qoftë. Dhe të gjithë ata, të cilët do t’i bien ndesh, jo qeverisë, as bashkisë, ne jemi më dobëtit në këtë anë, por do t’i bien ndesh të drejtës së fortë dhe të patundshme të komunitetit dhe të familjeve që kanë vendosur të jetojnë në një pellg komunitar së bashku, – do të përballen me forcën më të ashpër të mundshme të ligjit dhe të shtetit”.

“E vërteta është që një pjesë jo e vogël, dhe mund të korrigjoni, e ka kuptuar dhe është përfshirë vetë në çmontimet e këtyre ngrehinave, një pjesë jo e vogël dhe i falënderoj. Patjetër, që ne nuk jemi këtu për ‘të fshirë’ nga dheu i Tiranës dhe i qyteteve të tjera biznesin, nuk jemi këtu për të dëmtuar askënd, nuk jemi këtu për ta kthyer Tiranën në Teheran. Ky është kryeqyteti i Mesdheut, ky vend është mesdhetar, qëndrimi i njerëzve jashtë, karriget, tavolinat janë gjëja më normale. Por jo në rrugën ku ecin njerëzit dhe ku ecin nënat me fëmijë, prandaj duhet të ketë një ndarje racionale të hapësirës së trotuarve, pjesa më e madhe e trotuarit është e këmbësorëve. Pjesa dërrmuese e hapësirave brenda pallateve është e komuniteteve. Nuk mund të ketë brenda pallateve, situata ku gjithë sheshi, siç ishte një rast i pabesueshëm, gjithë sheshi brenda pallateve ishte i mbuluar me çati, dhe njerëzit për të shkuar nëpër shtëpi hynin nëpër disa korridore midis lokaleve prej hekuri dhe prej xhami”, tha Rama.

/k.s//r.e/

The post Rama: Zënia e territorit brenda një hapësire të komunitetit, konsiderohet vepër penale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Rregullore e re për administrimin e hapësirës publike, përgjegjësi penale për inspektorët e mbrojtjes së territorit

TIRANË, 21 korrik/ATSH/ “Do të përfundojmë edhe një rregullore të administrimit të hapësirës publike, bazuar në një dokument, të bashkisë së Tiranës, që do të rishikohet dhe do të adoptohet për t’u kthyer në një rregullore kombëtare të administrimit të hapësirës publike”.

Kështu deklaroi sot kryeministri Edi Rama, në një takim me deputetët e zgjedhur të Tiranës në zgjedhjet e 11 majit dhe drejtuesit e strukturave të bashkisë Tiranë.

“Kjo rregullore do t’i japë një drejtim të përgjithshëm të gjithëve, pra qoftë administratorëve të qytetit, qoftë edhe atyre që e përdorin qytetin, qoftë inspektorëve, qoftë edhe atyre që kanë njësitë e shërbimit, qoftë punonjësve e policisë, qoftë edhe qytetarëve, dhe pa diskutim, në këto masa do të vendoset edhe përgjegjësia penale e inspektorëve të mbrojtjes së territorit, e policëve bashkiakë dhe e policëve të shtetit, e punonjësve të Policisë së Shtetit dhe shefave të komisariateve, për çdo lloj ndërtimi pa leje që nuk iu ka rënë në sy, sepse e përsëris, është e pakuptimtë që të vendosësh përgjegjësinë penale për një ngjarje, por ama kur bëhet fjalë për zhvillime që ndodhin me javë, me muaj, në sytë e të gjithëve dhe askush nuk i denoncon, atëherë, këtu është bashkëfajësi”, nënvizoi Rama.

Kryeministri Rama tha se njerëz që përfaqësojnë shtetin “nuk mund dot të luajnë me dy porta në këtë farë feje”.

“Prandaj, duhet të marrin përgjegjësinë e tyre dhe ta mbulojnë territorin sipas përgjegjësisë që kanë dhe thjesht dhe vetëm të informojnë. Natyrisht, që Policia e Shtetit nuk ka detyrë të merret me kontrollin e lejeve të ndërtimit, por do ta ketë të detyruar të marrë përsipër dhe të informohet ka apo nuk ka leje ndërtimi, pastaj a po e zbaton, a s’po zbaton lejen si duhet, a po e respekton, apo s’po respekton rregullat e kantierit – kjo është një çështje e policisë bashkiake, është një çështje e Inspektoratit Mbrojtës të Territorit, dhe është dhe një çështje e atyre që bëjnë aktkontrollet”, theksoi Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “aktkontrollet nga ana e bashkisë, që janë të gjithë për të shkuar për ndjekje penale për hir të vërtetës, sepse firmosin aktkontrolle sipas qejfit të ndërtuesve, dhe edhe për këtë masat e reja do të penalizojnë çdokënd që merr përsipër të hedhin një firmë për një hapësirë që nuk figuron në lejen e ndërtimit, apo për një volum që është në shkelje të lejes së ndërtimit”.

/k.s//r.e/

The post Rama: Rregullore e re për administrimin e hapësirës publike, përgjegjësi penale për inspektorët e mbrojtjes së territorit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Do të krijohet Agjencia e Planifikimit dhe Zhvillimit, ndihmë bashkive për menaxhimin e territorit

TIRANË, 21 korrik/ATSH/ Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se do të krijohet Agjencia Kombatare e Planifikimit dhe Zhvillimit, e cila do të ndihmojë çdo bashki të menaxhojë si duhet territorin.

“Do të procedojmë në vijim paralelisht me krijimin e Agjencisë Kombëtare të Planifikimit dhe Zhvillimit, si një agjenci me shtrirje në territor dhe me përfaqësi në çdo rajon. Që do të thotë, që të gjitha bashkitë do ta kenë më të lehtë nga pikëpamja profesionale e burimeve njerëzore, e asistencës teknike, për sa i përket planifikimit dhe zhvillimit të territorit, gjë që do të lehtësojë një pjesë të madhe të bashkive të vogla ku është shumë e vështirë për të patur arkitektë, inxhinierë, që të qëndrojnë në ato territore ku edhe kërkesat për lejet e ndërtimit apo projektet nuk janë të mëdha”, tha Rama, në takimin me deputetët e zgjedhur të Tiranës në zgjedhjet e 11 majit dhe drejtuesit e strukturave të bashkisë Tiranë.

Nga ana tjetër, vijoi Kryeministri, do të krijohet një bazë krejt e re ndërveprimi mes komunitetit, investitorëve, zhvilluesve, pushtetit vendor dhe shtetit në tërësi.

“Kjo është e domosdoshme, pasi do të na japë mundësinë që të kemi burime njerëzore shumë më cilësore në territor si dhe që edhe gjithë ai volum pune që përqendrohet, kur vjen puna e planifikimit apo lejeve të zhvillimit me rëndësi të veçantë në Tiranë, të decentralizohet në territor me departamente urbanistike që u shërbejnë bashkive dhe janë pjesë e rrjetit të agjencisë kombëtare”, tha Rama.

/k.s//r.e/

The post Rama: Do të krijohet Agjencia e Planifikimit dhe Zhvillimit, ndihmë bashkive për menaxhimin e territorit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Do të konfiskohen objektet e braktisura prej ’90-s dhe ato që shkelin lejen e ndërtimit mbi masën 2%

TIRANË, 21 korrik/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se do të konfiskohen për interes publik të gjitha objektet e braktisura në Shqipëri, të cilat janë të tilla që prej viteve ‘90.

Në takimin e zhvilluar me deputetët e zgjedhur të Tiranës në zgjedhjet e 11 majit dhe drejtuesit e strukturave të bashkisë Tiranë, Rama tha se “do të marrim një tjetër masë për të konfiskuar në interes të publikut të gjitha ndërtimet e braktisura dhe të gjitha ngrehinat e braktisura nëpër Shqipëri që nga vitet ’90, që qëndrojnë si karakatinë dhe që kanë edhe problematika të natyrës mjedisore dhe të shëndetit të njerëzve”.

“Do të sqarojmë përfundimisht edhe aspektin me të cilin kanë luajtur shumë njerëz të sistemit të drejtësisë, që kanë mbajtur anën e shkelësve të ligjit në ndërtime, kur vjen puna te shkelja e lejes së ndërtimit me mbi 2% të kufijve të lejes. 2% është një përqindje krejtësisht e arsyeshme që përdoret edhe në vende të tjera të botës, sepse mund të këtë devijime të natyrës teknike, por kur ky 2% kapërcehet, atëherë kjo do të provokojë sekuestrimin e menjëhershëm të të gjithë ndërtimit, jo të një pjese”, nënvizoi Rama, duke shtuar se nuk mund të ketë paligjshmëri të pjesshme.

Rama tha se “paligjshmëria është e plotë, sepse shkelja në ndërtim dhe ndërtimi i kateve shtesë, ndërtimi i volumeve shtesë për qëllim fitimi nuk bëhen në një moment bëhen me muaj dhe me vite dhe janë një shkelje në vazhdimësi me vetëdije të plotë të ligjit. Kjo do të sjellë kalimin menjëherë të asaj prone në duart e shtetit, i cili do të mbrojë blerësit aty ku do të ketë blerës dhe nga tjetër do të përdorë të gjithë pjesën tjetër për interes publik për strehim të njerëzve dhe për njerëzit në nevojë”.

Kryeministri Rama u shpreh se “kemi edhe një problem të madh, që është i patolerueshëm, që toleruar për një kohë të gjatë nga të gjitha bashkitë, që është ai i kantiereve të ndërtimeve në vend, kantiere që nuk kanë asnjë lloj respekti as për të tjerët rreth e rrotull as për mjedisin, as për hapësirën, as për sigurinë. Kantiere që nuk janë kantiere. Rrethime që nuk janë rrethime, ndotje e patolerueshme. Për këtë arsye do të bëhet edhe një ndërhyrje kuptimplote edhe në raport me kantieret e ndërtimit, për të bërë të qartë se çfarë kriteresh duhet të përmbushë një kantier ndërtimi. Ndërkohë që ka edhe një “sport tjetër”, sidomos në Tiranë dhe zonat bregdetare, ku ata ndërtues apo zhvillues që marrin një leje, por ende pa e marrë dokumentin në dorë, kuturisen të fillojnë të hapin gropa, me demek që po hapin kantiere. Edhe për këtë masat do të jenë drastike”.

/k.s//r.e/

The post Rama: Do të konfiskohen objektet e braktisura prej ’90-s dhe ato që shkelin lejen e ndërtimit mbi masën 2% appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Listë e zezë për ndërtuesit abuzues”, Rama: Ndërtimet pas 2020-ës nuk legalizohen

TIRANË, 21 korrik/ATSH/ Kryeministri Edi Rama në takimin me deputetët e zgjedhur të Tiranës në zgjedhjet e 11 majit dhe drejtuesit e strukturave të bashkisë Tiranë u ndal tek ndërtimet pa leje, duke theksuar se “asgjë e ndërtuar pas vitit 2020 nuk do të legalizohet”.

“Jemi duke diskutuar për një sërë ndërhyrjesh shumë të domosdoshme, sipas nesh, por edhe shpresojmë me një impakt të nevojshëm dhe të shumëpritur edhe nga njerëzit. Së pari, kemi diskutuar për të ashtuquajturin ‘proces legalizimi’, që është një terminologji abuzive e përdorur nga individë, subjekte që për qëllim fitimi fillojnë zaptime të hapësirës publike apo edhe të pronës së tjetrit dhe pastaj bëjnë vetëdeklarimin, që praktikisht i fut si individë në proces legalizimi. Ndërkohë që procesi i legalizimit me ligj është mbyllur në 2020-n, në kuptimin që asgjë e ndërtuar pas vitit 2020 nuk legalizohet”, theksoi Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se “natyrisht që është lejuar të bëhen vetëdeklarimi në vijimësi për ti dhënë mundësi individëve, familjeve, që të bëjnë vetëdeklarimin në kushtet kur mund të mos e kenë bërë në afat. Por jo ndërto pas 2020-s, vetëdeklaro dhe kur ka nevojë për të bërë ndërhyrje bashkia, qeveria apo agjenci të ndryshme për interes publik, thonë ‘jemi në proces’. Këtë do ta adresojmë, së pari, duke i deklaruar të pavlefshme të gjitha vetëdeklarimet për godinat apo ngrehinat me qëllim fitimi. Nuk jemi këtu për të diskutuar shtëpitë e familjeve që kanë ndërtuar një shtëpi për të futur kokën, por jemi këtu për të diskutuar gjithë këtë mashtrim të madh përpara të cilit, për fat të keq, janë mbyllur sytë në një pjesë të madhe të territorit”.

Rama tha se interesi publik do të prevalojë në të gjitha rastet kur do të duhet të bëhet një ndërhyrje dhe askush nuk mund të nxjerrë para një copë letër e të thotë ‘jam në proces’. Nuk do të humbet asnjë minutë, por do të kërkohet që Agjencia e Kadastrës të bëjë skualifikimin, siç ndodh edhe sot.

Rama u ndal edhe tek ndërtuesit që ai i cilësoi “problematikë”.

“Kemi diskutuar dhe do të miratohet me ligj krijimi i një “liste të zezë” të ndërtuesve dhe investitorëve që abuzojnë me territorin dhe shkelin lejet e ndërtimit. Kush hyn në listën e zezë do të humbasë të drejtën të marrë leje ndërtimi dhe do të penalizohet nëse përfshihet në industrinë e ndërtimit, për një numër të caktuar vitesh që do të vendoset”, nënvizoi Rama.

Rama tha se “nga ana tjetër do të marrim masat për një kategori ndërtuesish shumë problematikë, që i njeh gjithë dynjaja, si ata mashtruesat tek zona ku ishim me ministrin e Drejtësisë Ulsi Manja, që nuk i linin banorët të futeshin në pallat, apo fatkeqësisht edhe të tjerë, si ata që i lënë blerësit e apartamenteve të tyre në rrugë pa dokumente hipotekore, apo duke bërë shitje të dyfishta të apartamenteve”.

Kryeministri Rama tha se “masat për këtë kategori do të jenë drastike. U bëj thirrje ta zgjidhin këtë problematikë sa pa dalë ky akt normativ, se pastaj do të gjejnë një bela që do ta kenë shumë të vështirë, dhe ne na intereson që të zgjidhet problemi dhe njerëzit të marrin atë që u takon”.

/k.s//r.e/

The post “Listë e zezë për ndërtuesit abuzues”, Rama: Ndërtimet pas 2020-ës nuk legalizohen appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Reforma e territorit në dy faza, qeveria do të ndërhyjë me një numër aktesh normative

TIRANË, 21 korrik/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se reforma e territorit do të ketë dy faza.

Në fjalën e tij në një takim me deputetët e zgjedhur të Tiranës në zgjedhjet e 11 majit dhe drejtuesit e strukturave të bashkisë Tiranë, Rama tha se “një fazë do të jetë e menjëhershme, kur qeveria do të ndërhyjë në kushtet e kësaj emergjence me një numër aktesh dhe një akt normativ dhe që besoj do të jetë paralelisht me një akt tjetër për ujin e pijshëm dhe për mbetjet”.

“Pastaj do të ketë një fazë të dytë ku do të rishikohen në mënyrë përmbajtësore dhe të detajuar të gjitha ligjet që kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me territorin, duke filluar nga ligji për ndërtimin, që është një ligj shumë i vjetër dhe që është prekur në dy-tre raste, por  mbetet krejtësisht jashtë kohe”, theksoi Rama.

/k.s//r.e/

The post Rama: Reforma e territorit në dy faza, qeveria do të ndërhyjë me një numër aktesh normative appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: 1463 problematika të identifikuara në lidhje me territorin në Tiranë

TIRANË, 21 korrik/ATSH/ Kryeministri Edi Rama zhvilloi pasditen e sotme një takim me deputetët e zgjedhur të Tiranës në zgjedhjet e 11 majit dhe drejtuesit e strukturave të bashkisë Tiranë, ku theksoi se deri tani janë identifikuar 1463 çështje ku shumica dërrmuese e tyre janë të lidhura me zënien e hapësirës publike.

Rama tha se “kam përpara inventarin e problematikave të konstatuara në territor, mund të mos jetë shterues, por nëse thjesht dhe vetëm këto problematika do të adresohen si duhet është një garanci e padiskutueshme që do të sjellë një çlirim të madh një frymëmarrje të re të kryeqytetit dhe do të hapim perspektiva të reja për punët në vazhdim që së bashku me bashkinë e Tiranës do të bëjmë për të adresuar nevojën që në këto territore të ndërtohet hap pas hapi një mozaik i ri i një Rilindje Urbane 2.0.”

“Kjo përmbledhje ka 1463 çështje të identifikuara, shumica dërrmuese e tyre janë të lidhura me zënien e hapësirës publike dhe prekin praktikisht jetën e të gjitha komuniteteve që jetojnë në bashkinë e Tiranës”, theksoi Rama.

Kryeministri Rama tha se “dua të falënderoj Inspektoratin e Mbrojtjes së Territorit të Tiranës që po bën një punë intensive dhe po përpiqet ti adresojë problematikat në mënyrën e duhur. Volumi është tejet i madh dhe dua t’u them edhe qytetarëve që është shumë e qartë kanë krijuar një lloj pritshmërie dhe besimi dhe çojnë në mënyrë të vazhdueshme nga të katër anët ankesat e tyre”.

Kreu i qeverisë bëri të ditur se “të gjitha do të adresohen, por duhet të kenë parasysh që duan pak kohë edhe për faktin se në shumë raste kur duket sikur IKMT erdhi dhe nuk bëri gjë në fakt lihen procesverbale, njoftime, iu jepet mundësia atyre që duhet të largohen që të çmontojnë vetë, e kështu me radhë”.

Rama u shpreh se “ka filluar e njëjta gjë edhe një pjesë te qytetet e tjera, Durrës, Shkodër, që i kam parë edhe më afër edhe për shkak të detyrimit si deputet dhe për shkak të situatës që ngriti siparin e kësaj përpjekjeje, që u krijua me ndërtimet e paligjshme në Theth”.

“Për të mos u zgjatur me këtë pjesë dua vetëm t’ju informoj, sepse kemi një agjendë të ngjeshur, pasi kemi disa grupe pune. Është në radhë të parë ky grupi i madh i të gjithë deputetëve që janë rikthyer në territor dhe janë në komunikim me komunitetet dhe qytetarët. Përveç kësaj skuadre janë edhe disa të tjera dhe disa grupe pune: një grup që drejtohet nga Zëvendëskryeministrja në lidhje me analizën e shërbimeve në bashkinë e Tiranës, një grup që koordinohet nga Ministria e Financave lidhur me analizën e financave dhe një grup që koordinohet nga drejtuesja e Agjencisë së Zhvillimit të Territorit dhe drejtuesen e Agjencisë së Planifikimit Urban dhe nën drejtimin e Persidës që përfshin rreth 60 arkitektë lokalë dhe një numër të konsiderueshëm të huaj të cilat kanë filluar të punojnë për modelet e ndërhyrjeve të këtyre lagjeve dhe zonave ku njerëzit kanë nevojë për hapësirë. Nuk mjafton vetëm lirimi dhe pastrimi, por duhen edhe disa ndërhyrje të tjera që do të bëhen në bashkëpunim me bashkinë e Tiranës”, tha Rama.

/k.s//r.e/

The post Rama: 1463 problematika të identifikuara në lidhje me territorin në Tiranë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vengu viziton zjarrfikësit e lënduar në Dukat: Po marrin kujdesin e plotë shëndetësor

TIRANË, 21 korrik /ATSH/ Tre zjarrfikës të bashkisë Vlorë që patën probleme me frymëmarrjen gjatë aksionit për shuarjen e zjarrit në malin e Dukatit ndodhen në spitalin Rajonal të Vlorës ku po marrin kujdesin e plotë shëndetësor.

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu vizitoi në spital tre zjarrfikësit, Luanin, Dëfrimin dhe Andrean, të cilët ishin të angazhuar prej disa ditësh në përpjekjen për të kufizuar perimetrin e flakëve në zonën e Dukatit, ku operacioni vijon ende.

Në një prononcim për mediet, Vengu tha se “ka qenë një përpjekje e vështirë në një terren shumë të thepisur dhe prej disa ditësh në bashkëpunim me Forcat e Armatosura dhe  Shërbimin Zjarrfikës Vlorë gjenden në vijë të parë të kësaj përpjekje”.

Vengu sqaroi se “tre efektivët kanë ndjerë shqetësime në frymëmarrje kanë marrë ndihmën e menjëhershme ku janë transportuar nga FA dhe fillimisht në njësinë shëndetësore në Orikum, ku kanë marrë ndihmën e parë, dhe më pas janë transportuar në urgjencën e spitalit të Vlorës. Tashmë gjendja është e stabilizuar dhe kanë marrë ndihmën e nevojshme”.

Vengu bëri të ditur se këto ditë do të vijojnë të jenë të vështira sa i përket situatës së zjarreve, sidomos në zonat malore dhe pyjore.

“Kemi aktivizuar Mekanizmin Evropian të Mbrojtjes Civile në mënyrë që në orët dhe ditët në vijim të kemi mbështetje edhe nga vendet partnere. Do të jenë ditë me temperatura shumë të larta, me maksimumin të enjten e të premten sipas parashikimit të Shërbimit Meteorologjik Ushtarak ndaj në mbarë territorin jemi në gatishmëri në plotë. Në orët e mbrëmjes do të bëjmë një raport të situatës sai përket dislokimit të të gjitha forcave, në mënyrë që këto ditë ku parashikohet piku i temperaturave të larta të na gjejë në gatishmëri maksimale”, nënvizoi Vengu.

Ministri Vengu u shpreh se “të gjitha përpjekjet janë për të evituar kalimin e zjarrit në zonën e mbrojtur ndaj kemi kërkuar një mbështetje nga ajri nga Mekanizmi Europian i Mbrojtjes Civile për sjelljen e dy kanaderëve që të kemi përqendrim të forcave ajrore aleate dhe tonat dhe të kufizojmë perimetrin në maksimum”.

1 nga 3

/k.s//r.e/

The post Vengu viziton zjarrfikësit e lënduar në Dukat: Po marrin kujdesin e plotë shëndetësor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Bashkitë hapin thirrjet për prurje të reja, Rama: Aplikoni me kurajo dhe besim

TIRANË, 21 korrik/ATSH/ Një sërë bashkish në vend kanë hapur thirrjet publike për aplikime për prurje të reja në drejtimin e sektorëve të ndryshëm të veprimtarisë së tyre.

Kryeministri Edi Rama në një postim sot në rrjetet sociale bëri apel që qytetarët të aplikojnë me kurajo dhe besim.

“Bashkitë Durrës, Shkodër, Korçë, Dibër, Fier, Lushnjë, Elbasan dhe një sërë të tjerash kanë hapur tanimë thirrjet publike për aplikime për prurje të reja në drejtimin e sektorëve të ndryshëm të veprimtarisë së tyre. Aplikoni me kurajo dhe besim”, theksoi Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “Vlora që nisi e para po ecën me fazën e intervistave të të interesuarve, ndërkohë që në bashkëpunim me Institutin Tony Blair është konceptuar një strukturë e re organizative e bashkisë Tiranë, e cila do të adoptohet edhe në bashki të tjera, për të forcuar shtyllat bazë të mirëqeverisjes vendore”.

“Është koha që bashkitë të fuqizojnë kontributet e tyre për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian”, tha Rama.

1 nga 3

/k.s//r.e/

The post Bashkitë hapin thirrjet për prurje të reja, Rama: Aplikoni me kurajo dhe besim appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Teknika e avancuar Whipple, realizohet me sukses ndërhyrja te një paciente 33-vjeçare

TIRANË, 21 korrik/ATSH/ Një ndërhyrje u realizua me sukses në Spitalin Universitar të Traumës tek një paciente 33-vjeçare.

Kryeministri Edi Rama, në një postim në rrjetet sociale, tha se “një insulinomë 3 cm, tumor i rrallë në kokën e pankreasit, u diagnostikua dhe trajtua me sukses te një paciente 33-vjeçare, falë bashkëpunimit multidisiplinar dhe ndërhyrjes së specializuar kirurgjikale”.

Rama tha se “operacioni u krye me teknikën e avancuar Whipple (Duodeno-Cefalo-Pankreatektomi), duke ruajtur funksionin pankreatik dhe shmangur komplikacionet”.

Kreu i qeverisë shprehu mirënjohje për përkushtimin e ekipit: dr. Dritan Çela, dr. Valmira Abilaliaj, dr. Dorina Shtjefni, dr. Ervin Sulaj, si dhe infermieret Mirela Heti, Arta Prendi, Alma Shkalla, Adelina Hysa.

Në Spitalin Universitar të Traumës falë investimeve në teknologji vitet e fundit mjekët po realizojnë me sukses një sërë ndërhyrjesh delikate.

1 nga 2

/k.s//r.e/

The post Rama: Teknika e avancuar Whipple, realizohet me sukses ndërhyrja te një paciente 33-vjeçare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ndërhyrje restauruese dhe konservuese në kalanë e Gjon Boçarit

TIRANË, 21 korrik/ATSH/ Kalaja e Gjon Boçarit në Tragjas, Vlorë, Monument Kulture i Kategorisë së Parë do t’i nënshtrohet ndërhyrjeve restauruese dhe konservuese.

Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore bëri të ditur sot se kjo ndërhyrje do të realizohet për shkak të gjendjes së dëmtuar në disa segmente të kalasë.

“Kalaja e Gjon Boçarit do t’i nënshtrohet ndërhyrjeve restauruese dhe konservuese, për të ruajtur dhe valorizuar trashëgiminë e saj të çmuar”, theksoi IKTK në një postim në rrjetet sociale.

Kjo kala ka rëndësi të veçantë historike dhe arkitektonike.

E ndërtuar në shekullin XVI dhe e zgjeruar në shekullin XVII, kjo kala përfaqëson një shembull tipik të arkitekturës mbrojtëse të periudhës.

Ka një planimetri katërkëndëshe kënddrejtë (30 x 18 m), me dy kulla poligonale në qoshet veriore dhe lindore, të cilat kanë shërbyer për mbrojtje dhe vrojtim.

Lartësia e mureve, deri në shtegun e rojes, arrin 4 m, ndërsa parapeti i ruajtur vetëm si gjurmë, kishte një gjerësi prej 0,54 m. Në shtegun e rojës të çonin dy palë shkallë të ndërtuara brenda trashësisë së mureve veriperëndimore dhe juglindore. Kullat janë krejtësisht të hapura nga ana e brendshme e fortifikimit, duke qenë kështu më tepër një vazhdim i mureve rrethuese.

/k.s//r.e/

The post Ndërhyrje restauruese dhe konservuese në kalanë e Gjon Boçarit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Manastirliu në shkollën “Jonuz Çarçiu” në Elbasan: Standard i njëjtë i shkollave të reja në çdo cep të vendit

TIRANË, 17 korrik/ATSH/ Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu ka inspektuar punimet në kantierin e rikonstruksionit të shkollës 9-vjeçare “Jonuz Çarçiu” në fshatin Tregan të Elbasanit, një tjetër investim i rëndësishëm për të garantuar kushte bashkëkohore për nxënësit dhe mësuesit në zonat rurale.

Punimet po shkojnë drejt përfundimit dhe shkolla pritet të hapë dyert në fillim të vitit të ri shkollor 2025-2026, duke u shndërruar në një kompleks arsimor me ambiente moderne, laboratorë, palestër, terrene sportive dhe një kopsht për fëmijët.

Ministrja Manastirliu, duke ndalur në rëndësinë e këtij investimi për komunitetin e Treganit, u shpreh se “investimet që ne kemi bërë vit pas viti tashmë janë duke u finalizuar dhe po hapim kantiere të reja në infrastrukturën arsimore në të gjithë vendin. Këtu në Elbasan në Njësinë Administrative Tregan kemi një shkollë të re, shkolla ‘Jonuz Çarçiu’, një shkollë e cila do të mirëpresë rreth 200 fëmijë, duke përfshirë këtu një kompleks arsimor, pasi do të kemi edhe kopshtin për fëmijët dhe gjithashtu edhe shkollën me ambiente tërësisht të reja”.

Objekti është ndërtuar nga e para me standardet më të larta dhe përfshin edhe palestër të brendshme, ambientet ndihmëse dhe oborrin e transformuar për zhvillimin e aktiviteteve sportive, sociale dhe artistike.

“Shkolla është ndërtuar e re me standarde më të mira, e cila do të ketë jo vetëm klasat, laboratorët, por gjithashtu edhe palestrën dhe ambientet sportive dhe oborrin e shkollës në funksion të programeve të cilat ne tashmë i kemi në shkollat tona, sikurse është dhe programi Art dhe Zeje, sikurse është edhe shkolla Qendër Komunitare, që jo vetëm gjatë procesit mësimor, por edhe pasditeve nxënësit të vijnë në mjediset e shkollës për të vijuar procesin edukativ, por edhe atë argëtues, sportiv dhe rekreativ”, tha Manastirliu.

Ministrja Manastirliu vuri në dukje se investimet në arsim janë të lidhura drejtpërdrejt me cilësinë e mësimdhënies dhe përmirësimin e kushteve për mësuesit dhe nxënësit.

“Për ne investimi në infrastrukturën arsimore është thelbësor për cilësinë në arsim, për krijimin e kushteve më të mira të punës dhe gjithashtu për të arritur ato standarde që ne duam. Po investojmë edhe në shtatë shkolla, jo vetëm në Bashkinë e Elbasanit, por edhe në Bashkinë e Librazhdit, në Cërrik, në Belsh, në Prrenjas, për të realizuar pikërisht atë plan që ne po e zhvillojmë vit pas viti, që lidhet pikërisht me një arsim cilësor me standarde bashkëkohore për t’ju siguruar nxënësve tanë një arsim cilësor”, tha Manastirliu.

/k.s/j.p/

The post Manastirliu në shkollën “Jonuz Çarçiu” në Elbasan: Standard i njëjtë i shkollave të reja në çdo cep të vendit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌