Emigrantët, Brukseli kundër Melonit/ Gjykata Europiane: Lista e vendeve të sigurta vlerësohet nga gjykatat
Gjykata e Drejtësisë së Bashkimit Europian vendosi kundër qeverisë italiane në lidhje me dërgimin e emigrantëve në qendrën e pritjes në Gjadër.
Në vendimin e saj Gjykata tha se janë gjykatat ato që kanë të drejtë të thonë fjalën e fundit në lidhje me përcaktimin e një vendi si vend i sigurt origjine apo jo. Vendimi erdhi pasi gjyqtarët nga disa gjykata italiane ishin drejtuar organit të drejtësisë së unionit me dy pyetje.
E para kishte të bënte me përcaktimin e një vendi të sigurt dhe në rastet kur ka kategori njerëzish ose zona në rrezik.
Pyetja e dytë kishte të bënte me përfshirjen në listë të vendeve ku evidentohen shkelje të të drejtave themelore, të garantuara nga Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut, ndaj një ose më shumë kategorive të njerëzve.
Gjykata Europiane tha në vendimin e saj se një shtet nuk mund të përfshijë në listën e vendeve të sigurta të origjinës vende që nuk ofrojnë mbrojtje të mjaftueshme për të gjithë popullsinë e tyre. Më tej gjykata përcakton se teksa qeveritë janë ato që mund të hartojnë listat, ato duhet te vlerësohen dhe nga gjykatat dhe duhet të jenë në përputhje me të gjitha kriteret e të drejtave të njeriut të përcaktuara nga BE.
Ky vendim u jep të drejtë gjyqtarëve italianë që anuluan ndalimet e disa emigrantëve nga vende që qeveria italiane i kishte vendosur në listën e sigurt.
Megjithatë gjykata specifikon se ky vendim është i vlefshëm deri në hyrjen në fuqi të rregullores së re të BE që pritet të gjejë zbatim nga viti i ardhshëm.
/abcnews.al/