Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Portieri i Kombëtares, Elhan Kastrati kalon tek Eintracht Braunschweig

TIRANË, 9 gusht /ATSH/ Portieri i Kombëtares, Elhan Kastrati është një lojtar i ri i Eintracht Braunschweig.

28-vjeçari firmosi për 2 sezone me ekipin e Bundesliga 2 në Gjermani.

Portieri i Kombëtares u largua pas 5 vitesh nga Cittadella dhe një përvoje akoma më të gjatë në Itali ku numëron 168 ndeshje në Serie B.

Për drejtorin e Eintracht Braunschweig, Benjamin Kessel, Elhan Kastrati është në kulmin e karrierës së tij dhe përveç cilësive sportive atë e dallojnë edhe aspekti piskologjik dhe ambicia.

Edhe vetë Kastrati u shpreh i kënaqur për zgjedhjen e tij, pasi do të luajë në një ekip me traditë.

Eintracht Braunschweig është përforcuar për të qenë në konkurrues, pasi sezonin e kaluar i shpëtoi rënies një kategori më poshtë vetëm në ndeshjet play off.

/gj.m/

The post Portieri i Kombëtares, Elhan Kastrati kalon tek Eintracht Braunschweig appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MM: Operacione nga ajri për shuarjen e flakëve në Finiq dhe Mirditë

TIRANË, 9 gusht /ATSH/ Ministria e Mbrojtjes informoi sot lidhur me situatën në vatrat aktive të zjarreve në vend.

MM bëri të ditur se, në  Finiq, flakët në fshatin Livinë janë vendosur nën kontroll dhe aktualisht nuk paraqesin rrezik për banesat. Operacionet për shuarjen e zjarrit po zhvillohen nga ajri me helikopterin Black Hawk dhe avionin kroat Canadair, ashtu edhe nga toka.

Mjetet zjarrfikëse dhe forcat tokësore janë pozicionuar përreth fshatit, në gatishmëri për të ndërhyrë në çdo moment, thekson MM, teksa shton se, autoritetet mbeten në gatishmëri të plotë për të shmangur çdo rrezik të mundshëm për komunitetin.

Në Mirditë, thekson MM, operacionet për shuarjen e zjarreve vijojnë me mbështetjen e mjeteve ajrore. Deri tani, avioni “Canadair” nga Italia ka realizuar 7 hedhje mbi vatrat e zjarrit, duke lëshuar rreth 50 mijë litra ujë në terren.

MM nënvizon se, ndërhyrja nga ajri po kombinohet me punën e forcave tokësore dhe mjeteve zjarrfikëse, të cilat po operojnë për izolimin dhe shuarjen e plotë të flakëve.

/gj.m/

The post MM: Operacione nga ajri për shuarjen e flakëve në Finiq dhe Mirditë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Plazhi i Livadhit në Himarë, një nga perlat e bregdetit të jugut

TIRANË, 9 gusht  /ATSH/ Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau sot pamje nga plazhi i Livadhit në Himarë, një nga perlat e turizmit në jug të vendit.

Ky plazh ndodhet poshtë Kalasë së Himarës, duke ofruar një kombinim të mrekullueshëm të historisë dhe natyrës.

Plazhi i Livadhit është i njohur për ujin e tij të kristaltë dhe shkëmbinjtë e lartë që e rrethojnë dhe ka një shtrirje prej rreth 1.2 kilometra dhe një gjerësi prej 100 metrash, me rërë të pastër dhe të mineralizuar..

Ujërat e tij të kthjelltë ofrojnë mundësi të shkëlqyera për notim dhe zhytje, ndërsa shkëmbinjtë e lartë janë perfekt për ata që duan të provojnë hedhjet nga lartësitë.

Infrastrukturat moderne dhe shërbimet e ofruara e bëjnë plazhin e Livadhit një vend të përshtatshëm për familje, çifte dhe udhëtarë të vetëm.

Rruga për në plazhin e Livadhit ofron pamje spektakolare të bregdetit dhe peizazhit natyror përreth ku pushuesit dhe vizitorët mund të vëzhgojnë grykën e Vishës, burimet e ndërtuara të ujit dhe disa kisha mesjetare ortodokse shqiptare, që e bëjnë udhëtimin edhe më të veçantë dhe të pasur me histori.

Qetësia dhe bukuria që të ofron plazhi i Livadhit, a kanë kthyer në një destinacion të preferuar për shumë turistë që kërkojnë një përvojë autentike në bregdetin shqiptar.

 

1 nga 3

/gj.m/

The post Plazhi i Livadhit në Himarë, një nga perlat e bregdetit të jugut appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vllaznia zyrtarizon Sherif Kallakun

TIRANË, 9 gusht  /ATSH/  Vllaznia vazhdon me përforcimet në merkato. Klubi shkodran prezantoi këtë të premte afrimin e Sherif Kallakut, i cili ka firmosur për dy sezone.

Mesfushori rikthehet në Superiore, si një dëshirë e madhe e trajnerit Edi Martini i cili e ka drejtuar edhe në të kaluarën.

Kallaku e njeh mirë kampionatin pasi në të kaluarën ka shkëlqyer me Teutën, ndërsa ka luajtur edhe për Tiranën dhe Partizanin.

“KF Vllaznia ka kënaqësinë të njoftojë arritjen e marrëveshjes me futbollistin Sherif Kallaku për të qenë pjesë e skuadrës tonë deri në vitin 2027. Lojtari ndërkohë pasditen e sotme ka zhvilluar edhe seancën e parë stërvitore me ekipin duke u vënë menjëherë në dispozicion të stafit teknik. Mirë se erdhe në familjen kuqeblu Sherif”, shkruan klubi shkodran.

1 nga 5

/gj.m/

The post Vllaznia zyrtarizon Sherif Kallakun appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Broja firmos për 5 vite me Burnley në Premier League: Ndjesi fantastike

TIRANË, 9 gusht  /ATSH/  Armando Broja është sulmuesi më i ri i Burnley në Premier League.

Futbollisti i Kombëtares la Chelsean pas 16 vitesh në atë klub, kur u bashkua si një fëmijë, për të firmosur një kontratë pesë vjeçare me Burnley.

Pas firmës në kontratë dhe prezantimit, 23-vjeçari Broja foli për faqen zyrtare të klubit.

Ai tha se e sheh këtë si një mundësi të mirë për të treguar aftësitë e tij, për vetë objektivat e Burnleyt dhe për të mbajtur peshën e sulmit në një ekip ku do ketë minuta në fushë.

I pyetur sesi ndjehet që sapo ka firmosur një kontratë 5-vjeçare, Broja shprehet se, “është ndjesi fantastike. Jam padyshim shumë, shumë i lumtur që ndodhem këtu. Mezi pres të filloj, t’i takoj të gjithë lojtarët, të gjithë, ambientet stërvitore janë të pabesueshme. Pra, mezi pres të jem në fushë dhe para tifozëve”.

Broja dha edhe një mesazh për tifozët e tij të rinj, të cilët janë entuziazmuar nga mbërritja e tij.

“Unë thjesht dua t’i falënderoj të gjithë tifozët për mbështetjen, jam i entuziazmuar që ndodhem këtu. Pres me padurim t’i entuziazmoj edhe unë”, tha Broja.

/gj.m/

The post Broja firmos për 5 vite me Burnley në Premier League: Ndjesi fantastike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vengu dhe Dredha: Punime intensive për rehabilitimin e rrjetit të kanalizimeve në Vlorë, finalizimi brenda gushtit

TIRANË, 9 gusht  /ATSH/  Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ishte sot në Vlorë, ku së bashku me kryebashkiakun, Ermal Dredha inspektuan punimet ku puna vazhdon për rehabilitimin e plotë të rrjetit të kanalizimeve të qytetit me forcat xheniere, të cilat janë kudo në mbështetje të bashkive dhe në shërbim të komuniteteve.

“Jemi në zonën e kanalit të ujërave të larta të Skiavit që ndërlidh zonën e ish-fabrikës së çimentos me zonën e Lungomares. Prej disa ditësh kemi një ndërhyrje rehabilituese në këtë kanal. Të angazhuara në terren janë forcat e bashkisë së Vlorës, xhenio, reparti i Forcave të Armatosura që është gjithmonë në mbështetje me logjistikën përkatëse dhe patjetër dhe ujësjellës-kanalizimet e Vlorës që do të mbeten të angazhuara deri sa të kemi një pastrim të plotë të këtij kanali që nga pikënisja e tij dhe deri poshtë”, tha Vengu.

Ndërkohë, shtoi ministri, “po realizojmë një projekt të ri rehabilitues në bashkëpunim me Agjencinë e Zhvillimit të Territorit në mënyrë që nga njëra anë të kemi infrastrukturë të re më cilësore, të sigurojmë pastërtinë e ujërave, sepse ky është një kanal që duhet të ketë ujëra të bardha, ujëra shiu, që mund të filtrohen dhe cilësia e tyre duhet kontrolluar dhe jo të kemi derdhje inertesh, apo bllokime. Ndaj dhe do vijojmë këto ditë që ta pastrojmë infrastrukturën”.

Kryebashkiaku Dredha tha se, “është bërë një punë shumë e mirë. Me ndërhyrjen që bëmë, qoftë edhe me ndihmën që kanë dhënë kompani private, patjetër nga diskutimi dhe nga kërkesa që ka ardhur dhe nga Agjencia e Zhvillimit të Territorit, në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes, drejtorinë e Ujësjellës Kanalizime dhe bashkinë Vlorë”.

Dredha theksoi se, “është bërë një punë shumë e kënaqshme, por siҫ e shohim edhe vetë ka akoma disa pjesë që ne duhet të ndërhyjmë. Ka mbulesa betoni monolite që normalisht ka një angazhim tjetër sa i përket edhe mjeteve që duhet të përdorim. Dhe them se shumë shpejt  duke i hequr të gjitha këto pengesa do të bëhet një pastrim i përgjithshëm për të kalaur tek projekti që thatë pak më parë”.

“Kemi projektues të huaj që ka ardhur dhe e ka parë dhe merret posaҫërisht me pjesën e kanalizimeve dhe kanaleve për ta ridimensionuar dhe për ta rregulluar gjithë këtë pjesë. Dhe shpresojmë të bëhet sa më shpejt që të vijë në funksion të gjithë territorit këtu, pra komunitetit, edhe për ta rimodeluar edhe pjesën anësore të të dyja anëve të kanalit duke pasur parasysh edhe objektet që janë këtu që janë ndërtuar ndër vite, që mund të jenë patjetër pa leje, disa kanë qenë në proces legalizimi apo janë legalizuar. Por aty ku cenohet ky projekt do të bëjmë maksimumin që t’i zhbëjmë sepse në fund të ditës nuk duhet të merremi me një apo dy banorë që posedojnë një objekt, por me gjithë komunitetin që është shumicë”, theksoi Dredha.

Ministri Vengu shtoi se “gushti patjetër duhet të na gjejë me finalizimin e ndërhyrjes këtu”.

“Së bashku me kryetarin kemi biseduar për ta vijuar në 3 akset e rëndësishme në Vlorë. Ta vazhdojmë tek kanali i Naumkës dhe ta vazhdojmë dhe ke kanali tjetër që ҫon direkt në hidrovor, duke ditur që bashkia aktualisht ka edhe mundësinë që të financojë në rehabilitimin tërësor të hidrovorit të Vlorës, një hidrovor tejet i amortizuar, prej më shumë se 60 vitesh tashmë. Ndërkohë kemi një zonë që është në zhvillim e sipër dhe ka aktivitet turistik gjithëvjetor dhe duhet që kjo pjesë e infrastrukturës fundore t’i përgjigjet këtij realiteti të ri”, deklaroi Vengu.

/gj.m/

The post Vengu dhe Dredha: Punime intensive për rehabilitimin e rrjetit të kanalizimeve në Vlorë, finalizimi brenda gushtit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vengu: Në Finiq dhe Mallakastër intensifikohet puna për shuarjen e vatrave të zjarrit

TIRANË, 8 gusht /ATSH/ Në Finiq dhe Mallakastër është intensifikuar puna nga toka dhe ajri për të frenuar përhapjen e vatrave të zjarrit dhe në mbrojtje të zonave të banuara.

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu ndau sot pamje nga operacioni për shuarjen e flakëve në këto dy vatra.

Vengu u shpreh se, në Finiq, ku intensiteti i erës ndikoi në riaktivizim dhe përhapje të vatrave gjatë natës, 120 forcave operacionale në terren u janë bashkuar që prej orëve të mëngjesit dy avionët suedezë të siguruar nga Mekanizmi Europian i Mbrojtjes Civile dhe një helikopter i Forcës Ajrore.

Falë ndërhyrjes së kombinuar nga toka dhe ajri janë mbrojtur banesat dhe është krijuar perimetër sigurie në Dhivër dhe Janicat.

Të gjitha përpjekjet tashmë të angazhuara në frenimin e vatrave dhe mbrojtjen e banesave në perimetrin Navaricë – Memoraq dhe Rumanxë, dhe vigjilencë të shtuar në zonën e Leshnicës, thekson Vengu.

Në Mallakastër, ku situata është përmirësuar gjatë orëve të fundit, momentalisht po veprojnë 25 forca nga Forcat e Armatosura të Shqipërisë, 25 forca nga MZSH dhe 24 forca nga bashkitë Mallakastër dhe Patos.

Në këtë zonë po vepron aktualisht dhe në avion “Canadair” i Forcës Ajrore kroate.

Ndërkohë, shton ministri, në lartësitë e Bërzhitës, ku dyshohet për zjarrëvënie të qëllimshme, forcat e MZSH Tiranë ndodhen në terren dhe momentalisht nuk ka asnjë rrezik për banesat.

Vengu nënvizon se, situata në rang vendi mbetet dinamike ndërkohë që presim rritje të temperaturave në ditët në vijim.

Ministri i Mbrojtjes u bën thirrje banorëve të zbatojnë udhëzimet e autoriteteve në terren.

“Ligji do të veprojë me forcën maksimale ndaj çdo zjarrvënësi”, thekson ai.

/gj.m/r.e/

The post Vengu: Në Finiq dhe Mallakastër intensifikohet puna për shuarjen e vatrave të zjarrit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Fushat e reja të futbollit në Përrenjas, përfundon sistemi i drenazhimit, gati shtrimi i tapetit

TIRANË, 8 gusht /ATSH/ Punimet për ndërtimin e dy fushave të reja të futbollit në qytetin e Përrenjasit, sipas marrëveshjes ndërmjet FSHF dhe Bashkisë Prrenjas, po vazhdojnë me ritme të shpejta.

FSHF bën të ditur se, aktualisht, është përfunduar instalimi i sistemit të drenazhimit dhe në ditët në vijim do të nisë shtrimi i tapetit artificial.

Me ndërtimin e dy fushave të reja në qytetin e Përrenjasit, një fushë me përmasa olimpike dhe një minifushë, fëmijët do të kenë mundësi të stërviten dhe të luajnë futboll në kushte të përshtatshme.

1 nga 2

/gj.m/r.e/

The post Fushat e reja të futbollit në Përrenjas, përfundon sistemi i drenazhimit, gati shtrimi i tapetit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shqipëria U-17 kundër Italisë, trajneri Tafaj fton 22 futbollistë për dy miqësoret

TIRANË, 8 gusht /ATSH/ Pas miqësoreve të ekipit kombëtar U-19 kundër Italisë, tashmë është radha e kuqezinjve U-17 të përballen me bashkëmoshatarët axurrë.

Trajneri Fatjon Tafaj do të debutojë në pankinën e kombëtares U-17 me dy ndeshjet miqësore që do të zhvillohen në Coverciano të Italisë, më 11 dhe 13 gusht. Për këto sfida, tekniku shqiptar ka grumbulluar 22 lojtarë, 3 prej të cilëve portierë, 9 mbrojtës, 5 mesfushorë dhe 5 sulmues.

Skuadra është rinovuar me emra të rinj, ndryshe nga kualifikueset dhe finalet e fundit të Europianit për këtë grup-moshë.

Të gjithë lojtarët janë të vitlindjes 2009 dhe vijnë si nga klubet shqiptare, ashtu edhe nga akademitë e klubeve të njohura europiane si Inter, Tottenham, Fiorentina, Bologna, Empoli etj.

Kuqezinjtë do të nisin grumbullimin nesër direkt në Itali, ku do të zhvillojnë edhe përgatitjet për dy sfidat kundër Italisë.

Sfidat kundër axurrëve janë një test i mirë në kuadër të përgatitjeve për kualifikueset e ardhshme të Kampionatit Europian për këtë grupmoshë, ku Shqipëria bën pjesë në Grupin 8, së bashku me Kroacinë, Holandën dhe Kazakistanin.

/gj.m/r.e/

The post Shqipëria U-17 kundër Italisë, trajneri Tafaj fton 22 futbollistë për dy miqësoret appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AKMC: 19 vatra zjarri të evidentuara, 3 ende aktive

TIRANË, 8 gusht /ATSH/ Gjatë orëve të fundit janë evidentuar 19 vatra zjarri, nga të cilat 3 mbeten ende aktive.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile bëri të ditur sot se sa i përket vatrave aktive, në malin mbi fshatin Dhivër, bashkia Finiq vazhdon zjarri në një sipërfaqe pyjore në lartësi, ndërsa në terren po operojnë 10 mjete të shërbimit zjarrfikës të Finiqit, Sarandës, Delvinës, Konispolit, Gjirokastrës, Himarës dhe rreth 120 forca operacionale të mbështetura nga ajri si dhe nga efektivë të Forcave të Armatosura.

Në fshatin Lofkënd, bashkia Mallakastër, zjarri ka përfshirë një sipërfaqe me pisha, ndërsa në terren janë dislokuar 11 automjete zjarrfikëse, ndër të cilat 2 të FA si dhe 130 forca nga të gjitha strukturat operacionale, me mbështetje edhe nga ajri, të cilët po punojnë edhe sot për izolimin e plotë të tij.

Në fshatin Vjollcë, bashkia Mirditë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe pyjore me pyll pishe dhe shkurre. Është punuar deri në orët e vona nga shërbimi vendor i MZSH, shërbimi pyjor dhe vullnetarë të zonës, pa mundur ta izolojnë vatrën. Rrezik për banesat nuk ka.

Në operacionet për shuarjen e zjarreve janë angazhuar: 48 automjete zjarrfikëse dhe 445 forca operacionale, 9 automjete të rënda, të ndihmuar nga FA me 73 forca ushtarake, 8 automjete zjarrfikëse me ekuipazh dhe mbështetje nga ajri, si dhe dy avionë suedezë të aktivizuar në kuadër të Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile bën të ditur se mbetet në gatishmëri të plotë për koordinimin e mëtejshëm të forcave në terren dhe mbështetjen e çdo strukture me qëllim mbrojtjen e qytetarëve dhe pasurisë së përbashkët. AKMC u drejtohet sërish banorëve që të tregojnë kujdes të shtuar dhe të raportojnë çdo vatër të mundshme.

1 nga 5

/gj.m/r.e/

The post AKMC: 19 vatra zjarri të evidentuara, 3 ende aktive appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Europa League, “Drita” përmbyset 3-2 nga FCSB në Bukuresht

TIRANË, 7 gusht /ATSH/ “Drita” nuk arriti ta mbrojë avantazhin e dy golave në sfidën e parë të raundit të tretë të Europa League kundër FCSB-së në Bukuresht, duke u mposhtur me rezultatin 3-2, në një ndeshje dramatike që ndryshoi krejtësisht rrjedhë në pjesën e dytë.

Skuadra nga Gjilani e nisi shkëlqyeshëm takimin, duke befasuar vendasit me dy gola të shpejtë nga Veton Tusha dhe Arb Manaj, që i dhanë një epërsi të madhe dhe entuziazëm për një rezultat historik.

Megjithatë, FCSB reagoi pas pushimit, duke shënuar tre gola dhe përmbysur gjithçka në favor të tyre para tifozëve të vet.

Pavarësisht humbjes, shpresat e Dritës për një kualifikim historik në fazën ‘play-off’ të Europa League mbeten të hapura.

Gjilanasit do të kërkojnë përmbysjen e madhe në ndeshjen e kthimit, që do të zhvillohet javën e ardhshme në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ në Prishtinë.

/gj.m/r.e/

The post Europa League, “Drita” përmbyset 3-2 nga FCSB në Bukuresht appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Conference League – “Ballkani” i Orges Shehit fiton 1-0 kundër “Shamrock Rovers”

TIRANË, 7 gusht /ATSH/ “Ballkani” ka hedhur një hap të rëndësishëm drejt fazës ‘play-off’ të Conference League, duke mposhtur të enjten “Shamrock Rovers” me rezultatin minimal 1-0, në ndeshjen e parë të zhvilluar në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ në Prishtinë.

Skuadra e drejtuar nga Orges Shehi dominoi takimin nga minuta e parë, duke krijuar disa raste të rrezikshme.

Arbër Potoku provoi të zhbllokonte rezultatin në minutën e 15-të, por portieri mik ndërhyri në kohë. Tre minuta më pas, ishte radha e Sunday Adetunjit të rrezikonte, por sërish portieri irlandez reagoi me sukses.

Presioni i Ballkanit nuk u ndal as në pjesën e dytë. Në minutën e 54-t, Adetunji gjeti rrjetën me një lëvizje inteligjente në zonë, duke shënuar golin që në fund rezultoi vendimtar.

Pas golit, ekipi nga Kosova kërkoi edhe një të dytë. Almir Kryeziu dhe sërish Adetunji patën raste për të thelluar epërsinë, por portieri i Shamrock Rovers mbajti gjallë shpresat e skuadrës së tij për ndeshjen e kthimit.

Me këtë rezultat, Ballkani siguron një avantazh të rëndësishëm para sfidës së kthimit javën e ardhshme në Irlandë, ku do të kërkojë të mbyllë me sukses një tjetër kapitull evropian.

/gj.m/r.e/

The post Conference League – “Ballkani” i Orges Shehit fiton 1-0 kundër “Shamrock Rovers” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vengu: 1634 aplikime për programet bachelor në AFA, shifra më e lartë ndonjëherë

TIRANË, 7 gusht /ATSH/ Akademia e Forcave të Armatosura po tërheq çdo vit e më shumë të rinj e të reja.

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu bëri të ditur sot se janë 1634 aplikime deri më tani për programet Bachelor për vitin akademik 2025-2026, shifra më e lartë ndonjëherë.

Vengu thekson se, regjistrimet hapen më 8, 11 dhe 12 gusht, pranë ambienteve të Akademisë së Forcave të Armatosura

“Akademia e Forcave të Armatosura po tërheq çdo vit e më shumë të rinj e të reja të përkushtuar për t’i shërbyer vendit me dije, disiplinë dhe ndershmëri. 1634 aplikime deri më tani për programet Bachelor për vitin akademik 2025-2026 – shifra më e lartë ndonjëherë! Regjistrimet hapen më 8, 11 dhe 12 Gusht, pranë ambienteve të Akademisë së Forcave të Armatosura. Nise sot rrugëtimin tënd drejt së ardhmes”, shkruan Vengu në rrjetet sociale.

/gj.m//a.f/

The post Vengu: 1634 aplikime për programet bachelor në AFA, shifra më e lartë ndonjëherë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ambasada e SHBA ndan deklaratën, Shqipëria dhe aleatët perëndimorë kundër kërcënimeve të Iranit

TIRANË, 7 gusht /ATSH/ Shqipëria, Belgjika, Danimarka, Gjermania, Finlanda, Franca, Kanadaja, Holanda, Austria, Suedia, Spanja, Çekia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara kanë dhënë një deklaratë të përbashkët mbi kërcënimet shtetërore nga shërbimet e inteligjencës iraniane.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ndau sot deklaratën e përbashkët duke cituar edhe zëdhënësen e Departamentit Amerikan të Shtetit, Tammy Bruce.

“Jemi të bashkuar me partnerët tanë europianë në kundërshtim të përpjekjeve të shërbimeve të inteligjencës iraniane për të vrarë, rrëmbyer dhe shqetësuar njerëzit në Europë dhe Amerikën e Veriut, në shkelje të qartë të sovranitetit tonë. Ne e dënojmë numrin në rritje të kërcënimeve ndaj shteteve dhe jemi të përkushtuar të punojmë së bashku për të parandaluar që këto veprime të ndodhin”, thekson zëdhënësja e Departamentit, Tammy Bruce.

“Shqipëria, Austria, Belgjika, Kanadaja, Republika Çeke, Danimarka, Finlanda, Franca, Gjermania, Holanda, Spanja, Suedia, Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA-të dënojnë numrin në rritje të kërcënimeve shtetërore nga shërbimet sekrete iraniane në territoret tona përkatëse.

Ne jemi të bashkuar në kundërshtimin tonë ndaj përpjekjeve të shërbimeve sekrete iraniane për të vrarë, rrëmbyer dhe intimiduar njerëz në Evropë dhe Amerikën e Veriut, në shkelje të qartë të sovranitetit tonë. Këto shërbime po bashkëpunojnë gjithnjë e më shumë me organizatat kriminale ndërkombëtare duke synuar gazetarët, disidentët, qytetarët hebrenj dhe zyrtarët aktualë dhe të mëparshëm në Evropë dhe Amerikën e Veriut. Kjo është e papranueshme.

Ne i konsiderojmë këto lloje sulmesh, pavarësisht nga objektivi, si shkelje të sovranitetit tonë. Ne jemi të përkushtuar të punojmë së bashku për të parandaluar që këto veprime të ndodhin dhe u bëjmë thirrje autoriteteve iraniane që menjëherë t’u japin fund aktiviteteve të tilla të paligjshme në territoret tona përkatëse”, thuhet në deklaratë.

/gj.m//a.f/

 

 

The post Ambasada e SHBA ndan deklaratën, Shqipëria dhe aleatët perëndimorë kundër kërcënimeve të Iranit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kreshnik Loka, përzgjidhet Zëvendës Sekretar i Përgjithshëm i RYCO

TIRANË, 7 gusht /ATSH/ Kreshnik Loka është përzgjedhur Zëvendës Sekretar i Përgjithshëm i RYCO (Zyra Rajonale e Bashkëpunimit Rinor).

Lajmin e dha ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, e cila theksoi se, Loka ka mbi 10 vite përvojë në fushën e politikave rinore, bashkëpunimit rajonal dhe ndërtimit të paqes.

Kreshnik Loka ka qenë një nga zërat më të qëndrueshëm dhe vizionarë të angazhimit rinor në rajon.

Si Drejtues i Zyrës Vendore të RYCO në Tiranë që prej vitit 2017, ai ka menaxhuar një portofol grantesh me mbi 35 projekte rajonale rinore, ka bashkëorganizuar mbi 100 aktivitete me aktorë nga i gjithë Ballkani, ka garantuar fonde deri në 1.5 milion €, ka ndërtuar partneritete të qëndrueshme me aktorë kombëtarë, rajonalë dhe europianë, ka përfaqësuar RYCO-n në tryeza ndërkombëtare për rininë, paqen dhe pajtimin.

Përtej rolit të tij në RYCO, ai ka kontribuar si ekspert për organizata ndërkombëtare, dhe ka qenë një nga nismëtarët e themelimit të vetë RYCO-s, përfaqësues i qeverisë shqiptare në grupin punues që e krijoi.

Kreshnik Loka mban një Master në të Drejtat e Njeriut nga London School of Economics, si dhe Master dhe Bachelor në Jurisprudencë nga Universiteti i Tiranës.

“RYCO forcohet edhe më shumë si një strukturë e pavarur rajonale që dëgjon, përfaqëson dhe fuqizon të rinjtë, dhe me Kreshnikun në këtë rol kyç, drejtimi është i sigurt”, thekson mw tej Muzhaqi.

/gj.m//a.f/

The post Kreshnik Loka, përzgjidhet Zëvendës Sekretar i Përgjithshëm i RYCO appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Itodo Mandela largohet nga Dinamo City, transferohet në Ukrainë

TIRANË, 7 gusht /ATSH/ Dinamo ka konfirmuar zyrtarisht largimin e sulmuesit Itodo Mandela, i cili do të vazhdojë karrierën në kampionatin ukrainas, duke u bashkuar me skuadrën Metalist 1925.

Klubi ‘Blu’ ka bërë publike marrëveshjen përmes një postimi në rrjetet sociale, ku falënderon lojtarin për kontributin e tij gjatë sezonit të kaluar.

“Klubi i Dinamo City bën të ditur se ka arritur marrëveshjen për transferimin e lojtarit Peter Itodo Mandela në Ukrainë, tek skuadra e Metalist 1925. Presidenti Adrian Bardhi dhe klubi e falënderojnë sulmuesin për kontributin e dhënë me fanellën blu sezonin e kaluar, ku ai spikati me golat e tij. Gjithashtu, i urojmë lojtarit suksese me skuadrën e tij të re”, thuhet në njoftimin zyrtar të klubit.

Ky është largimi i radhës te Dinamo në këtë merkato vere, por jo i vetmi që pritet. Baton Zabërgja është gjithashtu në bisedime për një transferim drejt Ukrainës, edhe pse klubi ende nuk ka konfirmuar asgjë zyrtarisht.

Nga transferimi i Itodo Mandelës përfiton gjithashtu edhe Luzi 2008, klubi nga i cili Dinamo e kishte blerë sulmuesin.

Mandela spikati me fanellën e Luzit në Kategorinë e Parë deri në sezonin 2023-24, përpara se të transferohej te Dinamo ku la gjurmë me paraqitjet dhe golat e tij.

/gj.m//a.f/

 

The post Itodo Mandela largohet nga Dinamo City, transferohet në Ukrainë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Conference League- Egnatia dhe Dinamo luajnë sot në Slloveni dhe Kroaci

TIRANË, 7 gusht /ATSH/ Egnatia dhe Dinamo luajnë sonte sfidat e para në turin e tretë të UEFA Conference League.

Egnatia luan në transfertë kundër Olimpija Ljubljana, ndërsa në Split, Dinamo përballet me Hajdukun.

Në orën 20:00 në Slloveni, kampionët e Shqipërisë, Egnatia ka një detyrë jo të lehtë kundër kampionëve vendas. Edhe pse Olimpija ndërroi trajner vetëm disa ditë më parë, organika e rivalëve është për t’u respektuar. Pasi eliminuan Dinamon e Minskut një tur më parë, Egnatia do kërkojë të bëjë surprizën dhe të kërkojë historinë për të shkuar në play-off e këtij kompeticioni.

Në orën 21:00 në Kroaci, Hajduku i Splitit pret Dinamon. Djemtë e Ilir Dajës kanë përballë një rival historik dhe në letër kroatët janë më shumë se të favorizuar. Dinamo do kërkojë të bëjë pjesën e saj, paçka se pa Itodo Mandelën të shitur te Metalist në Ukrainë.

Në fushë zbresin edhe dy klubet nga Kosova. Në orën 20:30 Ballkani pret në “Fadil Vokrri” irlandezët e Shamrock Rovers në ndeshjen e vlefshme për Conference League.

Ndërkohë në turin e tretë të Europa League, Drita e Gjilanit luan kundër Steauas në Bukuresht, po në orën 20:30.

/gj.m//a.f/

The post Conference League- Egnatia dhe Dinamo luajnë sot në Slloveni dhe Kroaci appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Ziraat Bank” merr miratimin paraprak për të operuar në Shqipëri

TIRANË, 6 gusht /ATSH/ Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë në mbledhjen e sotme vendosi të japë miratimin paraprak për licencimin e degës së bankës së huaj “Dega e Bankës Turkiye Cumhuriyeti Ziraat Bankasi A.S., Albania” për të ushtruar veprimtari bankare dhe financiare në Republikën e Shqipërisë.

“Ziraat Bank” është një bankë tregtare që operon në Republikën e Turqisë prej vitit 1863, me licencë të vlefshme bankare dhe leje operimi nën mbikëqyrjen e Agjencisë së Rregullimit dhe Mbikëqyrjes Bankare. Jashtë territorit të Turqisë, aktiviteti i saj shtrihet edhe në disa shtete të tjera, si: Mbretëria e Bashkuar, Bullgaria, Greqia, Kosova, Qiproja Veriore, etj.

Dega e bankës së huaj që ka marrë miratimin paraprak për licencë, brenda 12 muajve nga data e këtij vendimi, duhet të plotësojë të gjitha kushtet e parashikuara në ligjin “Për bankat në Republikën e Shqipërisë” dhe aktet nënligjore në zbatim të tij, në mënyrë që të pajiset me licencën për fillimin e veprimtarisë bankare në vendin tonë.

/r.e/

The post “Ziraat Bank” merr miratimin paraprak për të operuar në Shqipëri appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vllaznia afron sulmuesin Lirim Kastrati

TIRANË, 6 gusht /ATSH/ Klubi i Vllaznisë ka afruar sulmuesin 26-vjeçar, Lirim Kastrati.

Lojtari dikur cilësohej si e ardhmja e sulmit të Kosovës dhe ishte pjesë e skuadrave me emër si Dinamo Zagreb e Legia Varshavë që në moshë të re.

Ai u transferua te Vllaznia si lojtar i lirë, pasi mbylli kontratën me hungarezët e Videoton.

“KF Vllaznia ka kënaqësinë të njoftojë se që nga dita e sotme, Lirim Kastrati është zyrtarisht futbollist kuqeblu. Sulmuesi 26 vjeçar që ka luajtur 17 ndeshje me kombëtaren e Kosovës, pas eksperiencës me ekipe të tilla si Dinamo Zagreb, Legia Varshavë, Lokomotiva Zagreb, Fehervar e Videoton, tashmë do të jetë pjesë e skuadrës tonë. Kastrati ka firmosur me Vllazninë kontratë njëvjeçare, me të drejtë zgjatje edhe një vit tjetër. Mirë se erdhe në familjen kuqeblu Lirim!”, thekson “K.F Vllaznia” në një njoftim.

The post Vllaznia afron sulmuesin Lirim Kastrati appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ambasada e SHBA takime me deputetët e rinj të Kuvendit: Presim të punojmë me përfaqësuesit e të gjithë spektrit politik

TIRANË, 6 gusht /ATSH/ Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë njoftoi përmes një postimi në rrjetet sociale se përfaqësues të saj janë takuar së fundmi me anëtarë të sapozgjedhur të Kuvendit të Shqipërisë, në prag të fillimit të legjislaturës së re.

Sipas ambasadës, këto takime kishin për qëllim të kuptonin më mirë shqetësimet dhe prioritetet e komuniteteve që secili deputet përfaqëson.

“Së fundmi, personeli i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara u takua me anëtarë të sapozgjedhur të Kuvendit për të kuptuar shqetësimet e komuniteteve të tyre dhe përparësitë në prag të fillimit të mandatit”, bën të ditur Ambasada.

“Ne presim me kënaqësi të punojmë me përfaqësues të zgjedhur nga i gjithë spektri politik për të vijuar partneritetin tonë të ngushtë me Shqipërinë”, thekson Ambasada e SHBA.

/gj.m/r.e/

The post Ambasada e SHBA takime me deputetët e rinj të Kuvendit: Presim të punojmë me përfaqësuesit e të gjithë spektrit politik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌