“Listë e zezë për ndërtuesit abuzues”, Rama: Ndërtimet pas 2020-ës nuk legalizohen
TIRANË, 21 korrik/ATSH/ Kryeministri Edi Rama në takimin me deputetët e zgjedhur të Tiranës në zgjedhjet e 11 majit dhe drejtuesit e strukturave të bashkisë Tiranë u ndal tek ndërtimet pa leje, duke theksuar se “asgjë e ndërtuar pas vitit 2020 nuk do të legalizohet”.
“Jemi duke diskutuar për një sërë ndërhyrjesh shumë të domosdoshme, sipas nesh, por edhe shpresojmë me një impakt të nevojshëm dhe të shumëpritur edhe nga njerëzit. Së pari, kemi diskutuar për të ashtuquajturin ‘proces legalizimi’, që është një terminologji abuzive e përdorur nga individë, subjekte që për qëllim fitimi fillojnë zaptime të hapësirës publike apo edhe të pronës së tjetrit dhe pastaj bëjnë vetëdeklarimin, që praktikisht i fut si individë në proces legalizimi. Ndërkohë që procesi i legalizimit me ligj është mbyllur në 2020-n, në kuptimin që asgjë e ndërtuar pas vitit 2020 nuk legalizohet”, theksoi Rama.
Kryeministri Rama u shpreh se “natyrisht që është lejuar të bëhen vetëdeklarimi në vijimësi për ti dhënë mundësi individëve, familjeve, që të bëjnë vetëdeklarimin në kushtet kur mund të mos e kenë bërë në afat. Por jo ndërto pas 2020-s, vetëdeklaro dhe kur ka nevojë për të bërë ndërhyrje bashkia, qeveria apo agjenci të ndryshme për interes publik, thonë ‘jemi në proces’. Këtë do ta adresojmë, së pari, duke i deklaruar të pavlefshme të gjitha vetëdeklarimet për godinat apo ngrehinat me qëllim fitimi. Nuk jemi këtu për të diskutuar shtëpitë e familjeve që kanë ndërtuar një shtëpi për të futur kokën, por jemi këtu për të diskutuar gjithë këtë mashtrim të madh përpara të cilit, për fat të keq, janë mbyllur sytë në një pjesë të madhe të territorit”.
Rama tha se interesi publik do të prevalojë në të gjitha rastet kur do të duhet të bëhet një ndërhyrje dhe askush nuk mund të nxjerrë para një copë letër e të thotë ‘jam në proces’. Nuk do të humbet asnjë minutë, por do të kërkohet që Agjencia e Kadastrës të bëjë skualifikimin, siç ndodh edhe sot.
Rama u ndal edhe tek ndërtuesit që ai i cilësoi “problematikë”.
“Kemi diskutuar dhe do të miratohet me ligj krijimi i një “liste të zezë” të ndërtuesve dhe investitorëve që abuzojnë me territorin dhe shkelin lejet e ndërtimit. Kush hyn në listën e zezë do të humbasë të drejtën të marrë leje ndërtimi dhe do të penalizohet nëse përfshihet në industrinë e ndërtimit, për një numër të caktuar vitesh që do të vendoset”, nënvizoi Rama.
Rama tha se “nga ana tjetër do të marrim masat për një kategori ndërtuesish shumë problematikë, që i njeh gjithë dynjaja, si ata mashtruesat tek zona ku ishim me ministrin e Drejtësisë Ulsi Manja, që nuk i linin banorët të futeshin në pallat, apo fatkeqësisht edhe të tjerë, si ata që i lënë blerësit e apartamenteve të tyre në rrugë pa dokumente hipotekore, apo duke bërë shitje të dyfishta të apartamenteve”.
Kryeministri Rama tha se “masat për këtë kategori do të jenë drastike. U bëj thirrje ta zgjidhin këtë problematikë sa pa dalë ky akt normativ, se pastaj do të gjejnë një bela që do ta kenë shumë të vështirë, dhe ne na intereson që të zgjidhet problemi dhe njerëzit të marrin atë që u takon”.
/k.s//r.e/
The post “Listë e zezë për ndërtuesit abuzues”, Rama: Ndërtimet pas 2020-ës nuk legalizohen appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.