Koçiu: Shërbim shëndetësor në banesë për të sëmurët kronikë apo në pamundësi lëvizjeje
TIRANË, 25 korrik/ATSH/ Shërbimet e Kujdesit Shëndetësor në Banesë vijojnë të zgjerohen në të gjithë vendin, duke u ardhur në ndihmë kryesisht të moshuarve dhe pacientëve kronikë që e kanë të vështirë të paraqiten në qendrat shëndetësore.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu përcolli sot mesazhet e falënderimit të pacientëve që marrin këtë shërbim në banesë, por edhe të familjarëve të tyre që kanë shprehur vlerësimin për marrjen në kohë të këtij shërbimi.
Koçiu u shpreh se “fuqizimi i këtij modeli të kujdesit në komunitet nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale është kthyer në një realitet të prekshëm për mijëra qytetarë në të gjithë vendin, veçanërisht për ata që përballen me sëmundje kronike apo vështirësi në lëvizje“.
Ndërkaq, vajza e pacientes Razie Jaupaj në Patos thotë se shërbimi ka qenë maksimal në çdo moment si ditën dhe natën.
“Mamaja vuan nga azotemia, nga zemra, tensioni, hemoragjia në pjesët e brendshme dhe shërbimi në familje është një nga gjërat më të mira që MSHMS ka vendosur për këta pacientë. Shërbimi në shtëpi ka qenë maksimal në çdo moment, si ditën dhe natën“, tha ajo.
Gjithashtu, mjeku në Njësinë Administrative Dajç thotë se në këtë paketë shërbimi janë të përfshirë gjashtë pacientë.
“Në bazë të rregullores, ne bëjmë ndjekjen në banesë të këtyre të sëmurëve. Infermierja bën tre herë në javë vizitë te këto pacientë që i ka në ngarkim. Përveç vizitës, bën hedhjen në sistem të formularit të vizitës me të gjitha të dhënat sipas formularit. Aktualisht gjendja e këtyre acientë është stabël“, u shpreh mjeku.
Familjarët e këtyre pacientëve thonë se janë shumë të kënaqur nga përkushtimi i gjithë ekipit të mjekëve, që janë përgjigjur me të gjitha mjetet dhe mundësitë e tyre.
“Shërbimi në banesë jepet nga një ekip multidisiplinar mjekësh i përbërë nga infermierë, mjekët e familjes dhe punonjësi social“, tha mjekja pranë Qendrës Shëndetësore Nish-Tulla në Durrës.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ka theksuar se “ky program po shtrihet në 36 Njësitë Vendore të Kujdesit Shëndetësor dhe 356 qendra shëndetësore, duke mundësuar mbi 58,700 vizita dhe procedura vetëm gjatë vitit 2024, për rreth 5,200 pacientë“.
/e.i/j.p/
The post Koçiu: Shërbim shëndetësor në banesë për të sëmurët kronikë apo në pamundësi lëvizjeje appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.