Manastirliu: Universiteti “Aleksandër Moisiu” Durrës, pikë referimi për arsimin e lartë
TIRANË, 30 korrik /ATSH/ Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu zhvilloi sot një diskutim në EduLab, me rektorin e Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës, prof. dr. Shkëlqim Fortuzi dhe tri studente të ciklit master.
Ministrja Manastirliu tha se Universiteti “Aleksandër Moisiu” i Durrësit po kthehet në një pikë referimi për arsimin e lartë, duke u fokusuar në përgatitjen e të rinjve për tregun e punës dhe në ndërtimin e urave të qëndrueshme të bashkëpunimit mes studentëve dhe sipërmarrjes”.
Manastirliu u ndal edhe te një prej programeve të hapura në bashkëpunim me Universitetin “La Sapienza” të Romës, ndërsa foli edhe për risitë që sjell ky vit akademik me hapjen e programeve të reja bachelor dhe master në fushat e biznesit, turizmit dhe teknologjisë digjitale, në bashkëpunim me universitete prestigjioze evropiane.
“Universiteti “Aleksandër Moisiu” është një universitet ku studentët kanë ardhur në rritje, ndërsa interesi është shtuar. Edhe ju jeni adaptuar duke riorganizuar me programet e reja falë një bashkëpunimi me Universitetin “La Sapienza” në Romë”, u shpreh Manastirliu.
Gjithashtu, rektori i këtij universiteti, prof. dr. Shkëlqim Fortuzi tha se institucioni arsimor që ai drejton është fokusuar që studentët t’i afrojë sa më shumë me tregun e punës.
“Një mundësi e shkëlqyer për studentët, jo vetëm që një pjesë të studimeve të tyre të ciklit master ta zhvillojnë në “La Sapienza”, por çdo ditë e më shumë ne kemi programe të përbashkëta studimi me universitete evropiane. Po punojmë fort që të nxisim mobilitetet nëpërmjet programeve Erasmus+, për të motivuar stafin akademik, kërkuesit shkencorë, studentët tanë për të qenë pjesë e programeve Horizont Evropa”, vijoi Manastirliu.
Tri studentet e ciklit master pranë këtij universiteti, ndanë gjithashtu vlerësimet e tyre duke e konsideruar një risi qasjen e diplomave të dyfishta në Universitetin “Aleksandër Moisiu”, ndërsa thanë se një pjesë të studimeve të tyre i kanë zhvilluar në “La Sapienza” në Romë.
/e.i/r.e/
The post Manastirliu: Universiteti “Aleksandër Moisiu” Durrës, pikë referimi për arsimin e lartë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.