Rama: Universiteti Bujqësor i Tiranës do të jetë antena e BOKU-t në rajon
TIRANË, 22 korrik/ATSH/ Nëntë programet që UBT ofron duke nisur nga ky vit sipas modelit BOKU janë një ofertë e shkëlqyer për të rinjtë, që nesër do t’i duhen Shqipërisë në BE për shumë nga punët e lidhura me mjedisin, ushqimin, ujërat, etj.
Kryeministri Edi Rama u shpreh sot gjatë ceremonisë së nisjes së programeve, se “ajo që është arritur në Universitetin Bujqësor është diçka që mua më bind se UBT dhe Universiteti BOKU i Vjenës do të jenë një, dhe UBT do të jetë antena e BOKU-t në rajonin tonë”.
“E filluam këtë aventurë që kur rektori tha se ne nuk kemi si e mbajmë këtë universitet nëse nuk e ulim poshtë atë mesataren nga 6 ta çojmë 5 nga gjysmë të vdekur ta marrim të vdekur. Unë i thashë kjo është një mbijetesë për të gënjyer veten se kjo do të çojë në rrënimin përfundimtar. Ndërkohë që ne duhet të synojmë diçka krejt tjetër duhet të synojmë ta bëjmë UB trendi dhe ta kthejmë në universitetin që vajzat e djemtë e këtij vendi të shikojnë të ardhmen”, tha Rama.
“Për këtë na duhet të lidhemi me një universitet europian dhe kështu shkuam në shkallët e BOKU-t që është një universitet i themeluar në vitin 1872 dhe parafolësi nuk ishte një konsulent i huaj që ka ardhur këtu me lekët e Bankës Botërore për të treguar nga lidhet gomari, por është ish- rektori i Universitetit BOKU, por që kur ne e takuam ishte në detyrë. Unë isha i pari kryeministër që hipja shkallët e atij universiteti që nga 1872 dhe natyrisht rektori ishte pak i trembur dhe s’kishte faj se çfarë nuk kishte dëgjuar për Shqipërinë dhe shqiptarët dhe po i vinte personalisht shefi i madh i mafies shqiptare në derë”, vijoi Kryeministri.
“Aty filluam diskutimin e parë rektori njeri civil, i mirësjellshëm nuk mund të mos na priste, por unë e ndieja që na shikonte me një çudi të përzier me frikë. Megjithatë ja ku jemi sot. Falë këtij burri që rasti e solli të tërhiqej nga aktiviteti akademik në këtë periudhë dhe të na bashkohej me shumë bujari në këtë përpjekje tonën kështu kemi jo vetëm një konsulent, por një bashkëudhëtar që i di të gjitha ato për të cilat ne kemi nevojë dhe falë Bardhit Sallakut, ne arritëm që të kemi një reformë që ka bërë diçka radikale. Ka spostuar të gjithë procesin e bërjes së kurrikulave nga duart e shefave të departamenteve dhe atyre që e kanë kontrolluar këtë proces për të mirë e për të keq ose për të dyja bashkë në duart e një komisioni të ndershëm dhe të vetë studentëve”, nënvizoi Rama.
Kryeministri Rama tha se “gjëja që duhet ta kenë parasysh të gjithë për juristë nuk ka nevojë Shqipëria ka plot dhe i teprojnë mund t’i japë edhe Ballkanit dhe t’i eksportojë në kontinentet e tjera”.
“Por Shqipëria që së shpejti anëtarësohet në BE ka nevojë për ata që përgatiti UBT sepse Shqipëria si Europa e njësoj bota, po përballet me ndryshimet klimaterike me degradimin e mjedisit, me rritjen e temperaturave, me motin ekstrem, me humbjen ekosistemeve që ndikojnë bujqësinë, furnizimin me ujë, biodiversitetin dhe këto janë ato që janë të pandashme nga jeta jonë mbi këtë planet dhe janë të pandashme nga rrugëtimi dhe qenia jonë në BE”, tha Rama.
/k.s/j.p/
The post Rama: Universiteti Bujqësor i Tiranës do të jetë antena e BOKU-t në rajon appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.