Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Konstituimi i Kuvendit të Kosovës, Gjykata Kushtetuese: Zgjedhja e kryeparlamentarit me votim të hapur

PRISHTINË, 8 gusht /ATSH/ Gjykata Kushtetuese e Kosovës tha se deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet të zgjedhin kreun e ri të organit ligjvënës përmes votimit të hapur. Konstituimi i Kuvendit duhet të përmbyllet brenda 30-ditësh.

Partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje deri më tani ka propozuar vetëm Albulena Haxhiun për postin e të parës së Kuvendit, teksa edhe pas aktgjykimit paraprak të Kushtetueses, kishte argumentuar se ajo mund të zgjidhej përmes votimit të fshehtë.

Në aktgjykimin e shpallur më 8 gusht, Kushtetuesja tha se kryesuesi i seancës, Avni Dehari, nuk ka vepruar në bazë të aktgjykimit të mëhershëm të kësaj gjykate të 26 qershorit, duke shtuar se të gjitha seancat e mbajtura nga 27 qershori deri më 26 korrik “të shpallen të pavlefshme”.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka urdhëruar kryesuesin e seancës konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës të vazhdojë me pikën 3 të rendit të ditës së seancës konstituive, të miratuar më 8 prill 2025, dhe të “ftojë përfaqësuesin e grupit më të madh parlamentar për të propozuar kandidatin/en për kryetar/e të Kuvendit të Republikës së Kosovës, i/e cili/cila zgjedhet përmes votimit të hapur, votimi i cili mund të realizohet vetëm deri në tre herë për kandidatin/en e njëjtë”.

Po ashtu ka urdhëruar që gjatë procedurës së zgjedhjes së kryetarit/es dhe nënkryetarëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës të jenë të gjithë deputetët e zgjedhur të pranishëm dhe të votojnë.

Deputetët e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit kishin shpërfillur një vendim të Kushtetueses, i cili u dha afat deri më 26 qershor të konstituonin organin ligjvënës. Pas kësaj, Gjykata vendosi masë të përkohshme, deri në shqyrtimin e lëndëve të dërguara nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), lëndë për të cilat shpalli aktvendimin të premten, më 8 gusht.

Nga 15 prilli deri më 26 korrik, deputetët mbajtën 54 vazhdime të seancës, por dështuan që ta konstituonin organin ligjvënës.

Nga 1 maji, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, e ndryshoi rendin e ditës, duke shmangur votimin e hapur dhe duke kërkuar formimin e një komisioni që do të mbikëqyrte votimin e fshehtë për kryeparlamentar.

Kjo formë e votimit u kundërshtua nga PDK-ja, LDK-ja, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lista Serbe, që refuzuan të propozonin anëtar për këtë komision.

Gjatë seancave para 1 majit – kur votimi ishte i hapur – e propozuara e LVV-së për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu, në disa votime nuk kishte arritur që të merrte 61 votat e nevojshme.

Haxhiu është cilësuar nga PDK-ja dhe AAK-ja si “figurë përçarëse”, ndërkaq LDK-ja ka deklaruar se nuk voton për asnjë kandidat të LVV-së për postin e kryetarit të Kuvendit. /REL/

The post Konstituimi i Kuvendit të Kosovës, Gjykata Kushtetuese: Zgjedhja e kryeparlamentarit me votim të hapur appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ngërçi me konstituimin në Kosovë/ Kushtetuesja: Kuvendi duhet të zgjedhë kreun e ri përmes votimit të hapur

✇Albeu
By: V K

Gjykata Kushtetuese e Kosovës, tha se deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet të zgjedhin kreun e ri të organit ligjvënës përmes votimit të hapur.

Konstituimi i Kuvendit, duhet të permbyllet brenda 30-ditësh. Në aktgjykimin e shpallur më 8 gusht, Kushtetuesja tha se kryesuesi i seancës, Avni Dehari, nuk ka vepruar në bazë të aktgjykimit të mëhershëm të kësaj gjykate të 26 qershorit, duke shtuar se të gjitha seancat e mbajtura nga 27 qershori deri më 26 korrik “të shpallen të pavlefshme”.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës, ka urdhëruar kryesuesin e seancës konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës të vazhdojë me pikën 3 të rendit të ditës së seancës lonstituive, të miratuar më 8 prill 2025, dhe të “ftojë përfaqësuesin e grupit më të madh parlamentar për të propozuar kandidatin/en për kryetar/e të Kuvendit të Republikës së Kosovës, i/e cili/cila zgjedhet përmes votimit të hapur, votimi i cili mund të realizohet vetëm deri në tre herë për kandidatin/en e njëjtë”.

Gjithashtu, ka urdhëruar që gjatë procedurës së zgjedhjes së kryetarit/es dhe nënkryetarëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të jenë të gjithë deputetët e zgjedhur të pranishëm dhe të votojnë.

Pas shpalljes së aktgjykimit, deputetja e LDK-së, Hymete Bajrami, tha se aktgjykimin e sotëm, Kushtetuesja vërtetoi se udhëheqësi i LVV-së, njëherësh kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e ka “detyruar Deharin të shkelë Kushtetutën”.

“I njëjti kandidat nuk mund të votohet më shumë se tri herë – Albin Kurti më nuk mund ta bllokojë Kosovën për emrin e Albulena Haxhiut sepse shteti i është më i rëndësishëm se gjithçka tjetër”, shkroi ajo në Facebook.

Deputetët e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit kishin shpërfillur një vendim të Kushtetueses, e cila u dha afat deri më 26 qershor të konstituonin organin ligjvënës.

Pas kësaj, Gjykata vendosi masë të përkohshme, deri në shqyrtimin e lëndëve të dërguara nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, lëndë për të cilat shpalli aktvendimin të premten, më 8 gusht.

Nga 15 prilli deri më 26 korrik, deputetët mbajtën 54 vazhdime të seancës, por dështuan që ta konstituonin organin ligjvënës.

Nga 1 maji, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, e ndryshoi rendin e ditës, duke shmangur votimin e hapur dhe duke kërkuar formimin e një komisioni që do të mbikëqyrte votimin e fshehtë për kryeparlamentar.

Kjo formë e votimit u kundërshtua nga PDK-ja, LDK-ja, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lista Serbe, që refuzuan të propozonin anëtar për këtë komision.

Gjatë seancave para 1 majit – kur votimi ishte i hapur – e propozuara e LVV-së për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu, në disa votime nuk kishte arritur që të merrte 61 votat e nevojshme.

Haxhiu është cilësuar nga PDK-ja dhe AAK-ja si “figurë përçarëse”, ndërkaq LDK-ja ka deklaruar se nuk voton për asnjë kandidat të LVV-së për postin e kryetarit të Kuvendit./ REL

The post Ngërçi me konstituimin në Kosovë/ Kushtetuesja: Kuvendi duhet të zgjedhë kreun e ri përmes votimit të hapur appeared first on Albeu.com.

Kurti: Do ta respektojmë vendimin e Kushtetueses

PRISHTINË, 6 gusht /ATSH/ Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të mërkurën se partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, do ta pranojë vendimin e ardhshëm të gjykatës më të lartë të vendit në lidhje me konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës pritet të vendosë më së largu deri më 8 gusht lidhur me çështjen e konstituimit të Kuvendit të Kosovës.

“Mendoj që duhet të presim edhe fare pak ditë, do të na njoftojnë se çfarë kanë menduar se do të ndodh pas 30 ditëve. S’e di cila do të jetë zgjidhja, natyrisht, por ne kemi thënë se e respektojmë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese. Është dëm I madh që Kosova nuk ka Kuvend”, tha Kurti për gazetarë gjatë një vizite në një klinikë të QKUK-së.

Në fund të muajit të kaluar, Kushtetuesja i urdhëroi deputetët të mos marrin asnjë vendim dhe veprim deri më 8 gusht, në lidhje me bërjen e Kuvendit, derisa po shqyrton dy lëndë.

Kosova është zhytur në një krizë politike si pasojë e mosthemelit të institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Deputetët kanë dështuar në 54 përpjekje që nga 15 prilli për ta bërë Kuvendin e ri – hap i domosdoshëm për formimin e Qeverisë së re – pasi asnjëra parti nuk e fitoi shumicën për të qeverisur e vetme.

Vetëvendosje e Kurtit i fitoi 48 ulëse dhe partitë e tjera parlamentare nuk kanë pranuar ta votojnë kandidaten e partisë fituese për kryetare të Kuvendit, për emërimin e së cilës nevojiten të paktën 61 vota.

Në prag të vendimit të Kushtetueses, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, të martën e tërhoqi kërkesën drejtuar në korrik Kushtetueses për të kërkuar sqarim se çfarë do të ndodhte nëse Kuvendi i Kosovës nuk do të konstituohej deri më 26 korrik – afati i përcaktuar nga gjykata më herët përmes një aktgjykimi.

Ajo tha se arsyeja e tërheqjes së kërkesës së saj është gjyqtari serb në Gjykatën Kushtetuese, Radomir Llaban. /REL/

The post Kurti: Do ta respektojmë vendimin e Kushtetueses appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Osmani tërheq kërkesën e saj drejtuar Kushtetueses

PRISHTINË, 5 gusht /ATSH/ Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur sot se ka tërhequr kërkesën e saj drejtuar Gjykatës Kushtetuese më 22 korrik 2025, në lidhje me pasojat juridike për moskonstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Ajo në konferencë për media të martën tha se këtë e ka bërë për shkak se gjyqtari raportues për lëndën e saj është caktuar Radomir Laban.

E para e vendit tha se i njëjti paraqet rrezik për sigurinë kombëtare të Kosovës.

/KosovaPress/

The post Osmani tërheq kërkesën e saj drejtuar Kushtetueses appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vendimi i Kushtetueses për Zonat e Mbrojtura, Zhupa: Do t’i drejtohemi Strasburgut

TIRANË, 1 gusht/ATSH/- Deputetja e PD-së, Ina Zhupa ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila la në fuqi ligjin për zonat e mbrojtura, duke rrëzuar kërkesën e opozitës për shpalljen e tij antikushtetues.

Zhupa, e cila ka qenë nismëtarja e ankimimit shprehet në një postim në rrjetet sociale se “dredhitë e Gjykatës Kushtetuese për të larë duart nga shkatërrimi që pret zonat e mbrojtura në Shqipëri nuk na ndalojnë”.

Ajo bën të ditur se do t’i drejtohen Gjykatës së Strasburgut për të gjetur të drejtën e mohuar nga drejtësia shqiptare.

“Ndarja 4 me 4, ku 4 gjyqtarët pranojnë që ka shkelje kushtetuese dhe 4 gjyqtarë mendojnë se nuk ka, çon në rrëzimin e kërkesën dhe pse nuk ndajnë dot nëse është apo jo antikushtetues. Kjo barazi është përdor dhe në raste të tjera si dredhi për të vendosur pa vendosur, për të ruajtur status quo e qeverisë duke bërë sehir. Kjo praktikë dënohet nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg ku në çështjen Marini kundër Shqipërisë, 2007 shprehet se “ del në përfundimin se parashikimi për ndarjen e votave në mënyrë të barabartë nuk i shërben sigurisë juridike dhe mund të privojë ankuesin nga e drejta efektive për një vendim përfundimtar për kërkesën e tij drejtuar Gjykatës Kushtetuese”. Nuk mund të fshihen pas ligjit, ku s’ka asnjë arsye juridike dhe morale se përse katërshja që mendon se nuk ka shkelje duhet të prevaloj mbi katërshen që argumenton se ka shkelje?!”, shprehet Zhupa.

Deputetja e PD-së shton se “është fatkeqësi për vendin që lënë në fuqi një ligj antikushtetues dhe dështim për Gjykatën Kushtetuese. Turpi i ngelet gjykatës, ne rrëzohemi pa u rrëzuar me dredhi që nuk respektojnë as standardet europiane”.

“Pavarësisht kësaj dua të falenderoj edhe organizatat mjedisore për pjesëmarrje në çdo pjesë të procesit dhe që kanë pajisur me materiale gjykatën mbi standardet europiane të mbrojtura dhe nga konventat që bën pjesë Shqipëria. Gjithashtu falenderoj për punën e tyre dy avokatët e nderuar Marash Logu dhe Franci Nuri. Zonat e mbrojtura do mbrohen, sepse i mbron kushtetuta dhe se ja kemi detyrim brezave të ardhshëm për ti lënë një Shqipëri më të mirë se sot dhe jo të betonizuar dhe të shkatërruar nga babëzia e klientëve të pushtetit”, përfundon reagimin e saj deputetja Zhupa.

The post Vendimi i Kushtetueses për Zonat e Mbrojtura, Zhupa: Do t’i drejtohemi Strasburgut appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kushtetuesja rrëzoi këkesën për ligjin për zonat e mbrojtura, Zhupa: Në Strasburg për mbrojtjen e vendit

✇Albeu
By: M C

Deputetja demokrate Ina Zhupa, e cila ka ndjekur nga fillimi cështjen e zonave të mbrojtura ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për lënien në fuqi të ligjit për zonat e mbrojtura. Zhupa shprehet se dredhitë për të larë duart nga shkatërrimi që pret zonat e mbrojtura në Shqipëri nuk i ndalojnë.

Ajo thekson se do të vijohet në Strasburg për të gjetur të drejtën e mohuar nga drejtësia shqiptare. Zhupa thotë se zonat e mbrojtura do mbrohen, sepse i mbron kushtetuta dhe se është detyrim ndaj brezave të ardhshëm për t’i lënë një Shqipëri më të mirë se sot dhe jo të betonizuar dhe të shkatërruar nga babëzia e klientëve të pushtetit.

Reagimi i plotë:

Dredhitë e Gjykatës Kushtetuese për të larë duart nga shkatërrimi që pret zonat e mbrojtura në Shqipëri nuk na ndalojnë!

Në Strasburg për mbrojtjen e vendit! Nga sot nuk kemi më zona të mbrojtura!

Ndarja 4 me 4, ku 4 gjyqtarët pranojnë që ka shkelje kushtetuese dhe 4 gjyqtarë mendojnë se nuk ka, con në rrëzimin e kërkesën dhe pse nuk ndajnë dot nëse është apo jo antikushtetues. Kjo barazi është përdor dhe në raste të tjera si dredhi për të vendosur pa vendosur, për të ruajtur status quo e qeverisë duke bërë sehir.

Kjo praktikë dënohet nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg ku në çështjen Marini kundër Shqipërise, 2007 shprehet se “ del në përfundimin se parashikimi për ndarjen e votave në mënyrë të barabartë nuk i shërben sigurisë juridike dhe mund të privojë ankuesin nga e drejta efektive për një vendim përfundimtar për kërkesën e tij drejtuar Gjykatës Kushtetuese”. Nuk mund të fshihen pas ligjit, ku ska asnjë arsye juridike dhe morale se përse katërshja që mendon se nuk ka shkelje duhet të prevaloj mbi katërshen që argumenton se ka shkelje?!

Për sa më lart do shkohet në Strasburg për të gjetur të drejtën e mohuar nga drejtësia shqiptare.

Është fatkeqësi për vendin që lënë në fuqi një ligj antikushtetues dhe dështim për Gjykatën Kushtetuese. Turpi i ngelet gjykatës, ne rrëzohemi pa u rrëzuar me dredhi që nuk respektojnë as standartet europiane.

Pavarësisht kësaj dua të falenderoj edhe organizatat mjedisore për pjesmarrje në çdo pjesë të procesit dhe që kanë pajisur me materiale gjykatën mbi standartet europiane të mbrojtura dhe nga konventat që bën pjesë Shqipëria. Gjithashtu falenderoj për punën e tyre dy avokatët e nderuar Marash Logu dhe Franci Nuri.

Zonat e mbrojtura do mbrohen, sepse i mbron kushtetuta dhe se ja kemi detyrim brezave të ardhshëm për ti lënë një Shqipëri më të mirë se sot dhe jo të betonizuar dhe të shkatërruar nga babëzia e klientëve të pushtetit.

The post Kushtetuesja rrëzoi këkesën për ligjin për zonat e mbrojtura, Zhupa: Në Strasburg për mbrojtjen e vendit appeared first on Albeu.com.

Zonat e mbrojtura, Kushtetuesja rrëzon kërkesën nga PD: U hodhën poshtë për mungesë argumentesh

Këtë të enjte Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e një të pestës së deputetëve të opozitës për shfuqizimin e ligjit nr. 21/2024, i cili sjell ndryshime në ligjin “Për Zonat e Mbrojtura”. Deputetët kërkonin shfuqizimin e ligjit si antikushtetues dhe pezullimin e tij deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës. Gjatë shqyrtimit të çështjes, Gjykata rrëzoi një sërë pretendimesh të paraqitura nga…

Source

Kushtetuesja “frenon” SPAK! Sekuestro e telefonave pa vendim gjykate, pranohet pjesërisht kërkesa e qytetares: Iu cenua e drejta

✇Albeu
By: M C

Onejda Ymeraj ju cënua e liria dhe fshehtësia e korrespodencës dhe e drejta për mbrojtjen e të dhënave personale me këqyrjen e komunikimeve të postës elektronike dhe aplikacioneve on line që nuk duhet të bëheshin nga SPAK, por me vendim gjyqësor.

Ky është thelbi i vendimit të gjykatës kushtetuese që i dha pjesërisht të drejtë qytetares të cilës në shkurt 2024 ju sekuestrua telefoni mbasi ishte thirrur për tu pyetur si person që ka dijeni në hetimet ndaj Arben Ahmetaj. Pjesa tjetër e të drejtës ju dha edhe SPAK nga gjyqtarët kushtues që konstatojnë se ka pasur ndërhyrje me sekuestrimin e telefonit por kjo ndërhyrje është bërë me ligj dhe për interes publik.

Kushtetuesja foli edhe për pretendimin e Onejda Ymerit se i ishte cënuar e drejta e pronës private me bllokimin e telefonit nga hetuesit e SPAK pa kaluar përmes gjykatës, duke vlerësuar se kërkuesja nuk ka paraqitur argumente të mjaftueshme ndaj kjo kërkesë nuk mund të merret në shqyrtim. Ky vendim i kushtetueses prek mënyrën se si veprohet për këqyrjet elektronike dhe sekuestro e telefonave për të cilët nënkuptohet edhe sekuestrimi i korrespodencës së përdoruesit që sipas gjykatës kushtetuese duhet kryer sipas standardeve ndërkombëtare.

Në tre vjet SPAK ka sekuestruar 978 telefona, shumica në kushtet e flagrancës dhe pa vendim gjykate. Në rastin Ymeraj gjykata urdhëron se pavarësisht sekuestrimit të pajisjes apo vetë korrespodencës në kushtet e urgjencës gjykata thekson ndjekjen e garancive si edhe për rastin e sekuestrimit të të dhënave personale.

Gruaja u thirr në shkurt 2024 për t’u pyetur për llogari të procedimit penal në ngarkim të ish-zv kryeministrit Arben Ahmetaj.

“Ditën e thirrjes unë paraqita për të dhënë deklarimet”, shkruante në padi Ymeraj “për aq sa kisha dijeni dhe në të njëjtën ditë OPGJ më kërkuan tu dorëzoja telefonin personal”.

“Ndonëse kërkova të konsultohesha me avokatin, kërkesa u refuzua”, tha ajo.

Ymerit ju vendos në dispozicion procesverbali i datës 26 shkurt 2024 ku ishte vendosur nga SPAK sekuestrimi i aparatit telefonik, të cilin ajo e kundërshtoi në gjykatë edhe me pretendimin se ky bllokim telefoni e kishte penguar në punën e saj përsa kishte të shënuar numrat e telefoni, e-mailet dhe të dhëna të tjera.

The post Kushtetuesja “frenon” SPAK! Sekuestro e telefonave pa vendim gjykate, pranohet pjesërisht kërkesa e qytetares: Iu cenua e drejta appeared first on Albeu.com.

Sot afati i fundit për konstituimin e Kuvendit të Kosovës

PRISHTINË, 26 korrik /ATSH/ Deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës do t’iu drejtohen sërish sot ulëseve të tyre në përpjekjen e radhës, e pesëdhjetë e treta, për të konstituuar Legjislaturën e nëntë, të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.

Vazhdimi i radhës mbahet nga ora katërmbëdhjetë, për herë të parë në më pak se 48 orë pasi Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme ndaj seancave të Kuvendit, që nga e diela e 27 korrikut, deri më 8 gusht.

Kuvendi sipas kësaj mase të përkohshme do t’i konsumojë ditët e mbetura të afatit 30 -ditor, por nuk do të mund të marrin asnjë vendim tjetër deri më 8 gusht. Kjo masë ndërlidhet me kërkesat e parashtruara nga PDK dhe LDK.

Lëvizjes Vetëvendosje, si fituese e shumicës së votave në zgjedhjet e 9 shkurtit, i takon pozita e kryeparlamentarit, mirëpo partitë tjera politike, ose nuk pajtohen për emrin e propozuar për këtë pozitë, Albulena Haxhiu, ose për mënyrën e ndryshimit të votimit për të, nga të hapur në të fshehtë.

Lëvizja Vetëvendosje, Guxo e Alternativa në seancat e deritanishme kanë dështuar të sigurojnë votat për kryetar të Kuvendit.

Pas dështimit të tentativës së 52-të të premten, diplomatët perëndimorë, të pranishëm në seancë, shprehën shqetësim për krizën institucionale.

/KosovaPress/

The post Sot afati i fundit për konstituimin e Kuvendit të Kosovës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Osmani kërkon sqarime nga Kushtetuesja se çfarë ndodh nëse Kuvendi nuk konstituohet brenda afatit

PRISHTINË, 22 korrik /ATSH/ Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi sot në një konferencë për media, se i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar sqarim se çfarë ndodh nëse Kuvendi i Kosovës nuk konstituohet deri më 26 korrik – afati i përcaktuar nga gjykata më herët përmes një aktgjykimi. Ajo po ashtu ka kërkuar një masë të përkohshme sa i përket afatit.

“Kërkesa jonë sot, në esencë, është kërkesë për sqarim të pasojave juridike të moskonstituimit të Kuvendit brenda afatit kushtetues prej 30 ditësh”, tha Osmani në një konferencë për media.

Osmani kujtoi se në atkgjykimin paraprak të Kushtetueses lidhur me moskonstituimin e organit ligjvënës pas zgjedhjeve të shkurtit nuk janë sqaruar pasojat juridike.

Sipas saj, qëllimi është që të sqarohet situata e moskonstituimit brenda afati, por edhe se si ushtrohen kompetencat e secilit institucion kushtetues, në mungesë të konstituimit të një prej shtyllave kryesore të parimit të ndarjes së pushteteve, që është Kuvendi.

Po ashtu, “duhet të sqarohet se çfarë ndodh nëse Kuvendi konstituohet pas 26 korrikut”, tha ajo, duke shtuar se me këtë kërkesë po synohet të parandalohen dëmet që do të mund të shkaktoheshin.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës më 26 qershor ka detyruar deputetët që ta konstituojnë organin ligjvënës deri më 26 korrik.

Osmani tha se në kërkesën e dërguar në Kushtetuese, që ka të bëjë me zgjidhjen e konfliktit të kompetencave, ka paraqitur edhe kërkesën për masë të përkohshme për pezullimin e afatit 30-ditor të Kushtetutës.

“Kërkesa për masë të përkohshme është mundësi që të shmanget futja e institucioneve në një bllokadë pa fund, dhe hyrja në një situatë ku institucionet do të mund të konstituoheshin në një mënyrë jokzushtetuese dhe do të ishin të pasafatshme”, tha e para e shtetit.

Ajo shtoi se një pezullim i afatit do të parandalonte shkeljen e Kushtetutës nga deputetët, konstituimin e Kuvendit pas afatit, që do të ishte jokushtetues dhe mundësinë e zgjedhjes së një qeverie, e cila po ashtu do të ishte në kundërshtim me aktin më të lartë ligjor.

Presidenca do ta tërheqë kërkesën nëse deputetët deri para kalimit të afatit të 26 korrikut arrijnë ndonjë marrëveshje për konstituimin e Kuvendit, sqaroi Osmani.

Më 21 korrik, deputetët për herë të 50-të dështuan të konstituonin Kuvendin e Kosovës, pasi partitë që mandatin e kaluar ishin në opozitë po kundërshtojnë ndryshimin e mënyrës së votimit për kryeparlamentar nga i hapur në të mbyllur.

Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e kanë cilësuar si figurë përçarëse të propozuarën e LVV-së për kryeparlamentare, Albulena Haxhiun. Ndërkaq, Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se nuk do të votojë asnjë të propozuar nga LVV-ja për kryeparlamentar.

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se partia e tij ka gatishmëri për të bashkëqeverisur me Nismën Socialdemokrate të Fatmir Limajt, parti së cilës tha se i ka bërë ofertë konkrete.

Kreu i LVV-së, partisë fituese të zgjedhjeve të shkurtit, tha se shpreson që bisedimet me partinë e Limajt të finalizohen gjatë kësaj jave.

“Këtë fundjavë do ta kemi lajmin për marrëveshjen e arritur ose mungesën e saj”, tha ai. /REL/

The post Osmani kërkon sqarime nga Kushtetuesja se çfarë ndodh nëse Kuvendi nuk konstituohet brenda afatit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Osmani: Do t’i drejtohem Kushtetueses nëse Kuvendi nuk konstituohet në fundjavë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka paralajmëruar se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese në javën e ardhshme, nëse Kuvendi i Kosovës nuk do të konstituohet edhe në fundjavë. Ajo i ka bërë këto deklarata në një konferencë të mbajtur me gazetarë, pas kthimit nga vizitat në Shtetet e Bashkuara dhe Letoni, dhe në ditën kur […]

The post Osmani: Do t’i drejtohem Kushtetueses nëse Kuvendi nuk konstituohet në fundjavë appeared first on BoldNews.al.

Osmani: Nëse Kuvendi nuk konstituohet brenda afatit, do kërkoj sqarim për pasojat

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka paralajmëruar se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar sqarime lidhur me pasojat juridike të moskonstituimit të Kuvendit brenda afatit 30-ditor të përcaktuar nga Kushtetuesja.

Deklaratat e Osmanit erdhën pas ceremonisë së diplomimit të kadetëve, ku ajo foli për procesin e stërzgjatur të konstituimit të legjislaturës së nëntë të Kuvendit. Presidentja tha se ka zhvilluar takime me partitë politike dhe do të vazhdojë konsultimet edhe sot, por shtoi se bllokada për çështjen e llojit të votimit është “shumë jo racionale”.

Osmani: “Kur diçka është e detyrueshme në aspektin kushtetues, moskryerja e këtij detyrimi nuk kalon pa pasoja. Do të ketë pasoja juridike.”

Sipas saj, aktgjykimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese mbi votimin e fshehtë ka krijuar hapësirë për interpretime të ndryshme, ndaj ka kërkuar një vlerësim nga ekipi i saj ligjor. Osmani shtoi se votimi i fshehtë nuk përjashtohet si mundësi, por për këtë kërkohet konsensus ndërmjet deputetëve.

Osmani paralajmëron: “Nëse Kuvendi nuk konstituohet shumë shpejt, do t’i drejtohem Gjykatës Kushtetuese me kërkesë për sqarim se çfarë ndodh pas 30 ditësh.”

Presidentja e konsideroi moskonstituimin e Kuvendit si një nga shkeljet më të rënda të rendit kushtetues, duke theksuar se mosfunksionimi i organit përfaqësues cenon ushtrimin e sovranitetit nga populli.

Deputetët pritet të mblidhen sërish nesër për herë të 42-të, në një tjetër tentativë për konstituimin e Kuvendit.

LEXONI GJITHASHTU:

The post Osmani: Nëse Kuvendi nuk konstituohet brenda afatit, do kërkoj sqarim për pasojat appeared first on Euronews Albania.

Biseda telefonike fundos kryeministren e Tajlandës, pezullohet nga Kushtetuesja

Gjykata Kushtetuese e Tajlandës ka pezulluar nga detyra kryeministren Paetongtarn Shinaëatra, në pritje të shqyrtimit të një padie që kërkon shkarkimin e saj për shkak të një bisede telefonike të publikuar me ish-kryeministrin e Kamboxhias, Hun Sen. Biseda ka shkaktuar zemërim të madh publik dhe trazira politike në Tajlandë.

Në audion e bërë publike, Paetongtarn dëgjohet duke iu referuar ish-kryeministrit të Kamboxhias “xhaxha” dhe duke kritikuar një komandant të lartë të ushtrisë tajlandeze. Komenti ka ngjallur reagime të ashpra, veçanërisht nga radhët e konservatorëve, të cilët e akuzojnë atë për minimin e autoritetit ushtarak dhe nënshtrim ndaj një lideri të huaj.

Gjykata votoi me rezultatin 7-2 në favor të pezullimit të saj përkohshëm, ndërkohë që i ka lënë 15 ditë kohë për të paraqitur mbrojtjen. Deri në një vendim përfundimtar, vendin e saj në qeveri do ta mbulojë zëvendëskryeministrja si udhëheqëse e përkohshme e qeverisë. Megjithatë, Paetongtarn mbetet anëtare e kabinetit si ministre e Kulturës, pas një riorganizimi të miratuar pak orë përpara vendimit të pezullimit.

Paetongtarn ka kërkuar ndjesë publike për telefonatën, duke theksuar se qëllimi i saj ishte “më shumë se 100% në shërbim të vendit”. Sipas saj, biseda kishte për qëllim zbutjen e tensioneve kufitare me Kamboxhian, pas vrasjes së një ushtari kamboxhian në fund të majit – një incident që ka rikthyer në vëmendje një mosmarrëveshje të vjetër territoriale.

“Nuk kisha asnjë qëllim të keq. Mendoja vetëm si të shmangja kaosin dhe humbjen e jetëve,” u shpreh ajo në një deklaratë publike.

Nëse shkarkohet përfundimisht, Paetongtarn do të jetë kryeministrja e dytë nga partia Pheu Thai që humbet postin brenda një viti. Paraardhësi i saj, Srettha Thavisin, u shkarkua në gusht të vitit të kaluar nga e njëjta gjykatë, për emërimin e një ish-avokati të dënuar në kabinet.

Paetongtarn, vajza e ish-kryeministrit të rrëzuar Thaksin Shinaëatra, është udhëheqësja më e re në historinë e vendit dhe gruaja e dytë që arrin postin e kryeministres, pas tezes së saj, Yingluck Shinaëatra.

Pavarësisht se Pheu Thai erdhi në pushtet nëpërmjet një marrëveshjeje politike me forcat konservatore dhe ushtrinë, tensionet e brendshme janë rritur. Një nga aleatët konservatorë të koalicionit e braktisi atë dy javë më parë, duke e lënë qeverinë me një shumicë të brishtë.

Ndërkohë, edhe babai i saj, Thaksin Shinaëatra, përballet me probleme ligjore. Ai është në gjyq për fyerje ndaj monarkisë, për shkak të një interviste të dhënë në vitin 2015. Thaksin, që u kthye në vend vitin e kaluar pas 15 vitesh në mërgim, konsiderohet ende si figura qendrore që qëndron pas forcës politike të bijës.

Gjykata Kushtetuese e Tajlandës është kritikuar vazhdimisht për rolin e saj politik. Që nga viti 2006, ajo ka shpërbërë 34 parti politike, përfshirë partinë reformiste “Move Forëard”, e cila fitoi shumicën e votave në zgjedhjet e vitit 2023, por u bllokua për formimin e qeverisë.

Ndërkohë që Tajlanda përballet me pasiguri politike dhe një ekonomi të dobësuar, sondazhet tregojnë se mbështetja për Paetongtarn ka rënë ndjeshëm – nga 30.9% në mars në vetëm 9.2% në fundjavën e kaluar.

LEXONI GJITHASHTU:

The post Biseda telefonike fundos kryeministren e Tajlandës, pezullohet nga Kushtetuesja appeared first on Euronews Albania.

Kushtetuesja përcaktoi 30 ditë afat, tentativa për konstituimin e Kuvendit të Kosovës

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sërish sot, në përpjekjen e 38-të me radhë për ta konstituar legjislaturën e nëntë të këtij institucioni, pas disa seancash të dështuara.

Seanca e fundit e mbajtur të mërkurën ishte vazhdim i asaj të ndërprerë më 23 qershor. Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, bëri thirrje që subjektet parlamentare që ende nuk kishin propozuar anëtarë për Komisionin Zgjedhor, i cili ka për detyrë organizimin e votimit të fshehtë për kryetarin e Kuvendit, ta bënin këtë. Megjithatë, ato nuk paraqitën kandidatura.

Pavarësisht mungesës së propozimeve të reja, Dehari hodhi në votim përbërjen e komisionit bazuar në emrat e propozuar më herët. Nga 92 deputetë të pranishëm, 52 votuan pro, pa vota kundër apo abstenime.

Pas këtij hapi, Dehari njoftoi për ndërprerjen e seancës dhe caktoi rifillimin e saj për sot, e premte, më 27 qershor, në orën 11:00.

Ndërkohë, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka publikuar një aktgjykim ku thekson se seanca konstituive e kësaj legjislature duhet të përfundojë brenda 30 ditëve nga fillimi i saj. Gjykata konstatoi gjithashtu se zhvillimi i seancës që nga nisja e saj më 15 prill dhe vazhdimet e deritanishme nuk kanë qenë në përputhje me Kushtetutën, duke përfshirë edhe kalimin e votimit për kryetar Kuvendi nga i hapur në të mbyllur.

Kjo situatë ka nxitur shqetësime për krizën institucionale dhe paralizën funksionale të Kuvendit, me palët politike që ende nuk kanë arritur një marrëveshje për ta përmbyllur këtë proces.

The post Kushtetuesja përcaktoi 30 ditë afat, tentativa për konstituimin e Kuvendit të Kosovës appeared first on Lapsi.al.

Gjykata e Lartë kërkon rihapjen e konkursit për anëtarin vakant të Kushtetueses

Gjykata e Lartë, si organi përgjegjës për emërimin e anëtarëve të Kushtetueses, i ka kërkuar Kuvendit të Shqipërisë që të rihapë konkursin për vendin vakant në Gjykatën Kushtetuese.

Hapja e konkursit kërkohet pas rënies nën tre të numrit të kandidatëve për vendin vakant në këtë institucion.

“Procesi i përzgjedhjes është pezulluar pasi numri i kandidatëve të përshtatshëm, pas verifikimit të kushteve ligjore nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, është nën minimumin e kërkuar prej tre personash.

Në përfundim, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka vendosur pezullimin e procedurës së verifikimit të kandidatëve dhe ka kërkuar nga Kuvendi të vlerësojë rifillimin e procesit të shpalljes për këtë vend vakant”, njofton KED.

Ky vendim lidhet me vakancën e krijuar pas përfundimit të mandatit të Holta Zaçaj, e cila mbante detyrën e kryetares së Gjykatës Kushtetuese që në mars të këtij viti.

The post Gjykata e Lartë kërkon rihapjen e konkursit për anëtarin vakant të Kushtetueses appeared first on Sot News | Lajme.

Gjykata e Lartë kërkon rihapjen e konkursit për anëtarin vakant të Kushtetueses

Gjykata e Lartë, si organi përgjegjës për emërimin e anëtarëve të Kushtetueses, i ka kërkuar Kuvendit të Shqipërisë që të rihapë konkursin për vendin vakant në Gjykatën Kushtetuese.

Hapja e konkursit kërkohet pas rënies nën tre të numrit të kandidatëve për vendin vakant në këtë institucion.

“Procesi i përzgjedhjes është pezulluar pasi numri i kandidatëve të përshtatshëm, pas verifikimit të kushteve ligjore nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, është nën minimumin e kërkuar prej tre personash.

Në përfundim, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka vendosur pezullimin e procedurës së verifikimit të kandidatëve dhe ka kërkuar nga Kuvendi të vlerësojë rifillimin e procesit të shpalljes për këtë vend vakant”, njofton KED.

Ky vendim lidhet me vakancën e krijuar pas përfundimit të mandatit të Holta Zaçaj, e cila mbante detyrën e kryetares së Gjykatës Kushtetuese që në mars të këtij viti.

LEXONI GJITHASHTU:

The post Gjykata e Lartë kërkon rihapjen e konkursit për anëtarin vakant të Kushtetueses appeared first on Euronews Albania.

Kushtetuesja: Skualifikimi i gjyqtarit Gerd Hoxha nga gara për në GJKKO, i ligjshëm

Gjykata Kushtetuese e ka konsideruar të ligjshëm skualifikimin e gjyqtarit Gerd Hoxha nga gara për në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Kushtetuesja e konsideron të ligjshëm rezultatin e Komisionit të Posaçëm të përbërë nga dy prokurorë të SPAK, një gjyqtar i GJKKO dhe dy hetues, të cilët në 24 korrik të 2024 e skualifikuan kandidatin Hoxha, i cili sot mban funksionin e zëvendëskryetarit të Gjykatës së Tiranës.

Kujtojmë se shkak për skualifikimin e tij nga gara u bë një fotografi me kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj, në ambasadën britanike. Gjyqtari Gerd Hoxha e konsideroi si antikushtetues vendimmarrjen e komisionit që është filtri i fundit përpara se kandidatët të shqyrtohen nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor.

Prokurori Ndini Tavani që u skualifikua për të marrë një vend në SPAK dhe Gjyqtari Gerd Hoxha e ngritën çështjen në Administrative e cila kërkoi interpretim në Kushtetuese të ligjit për organizimin dhe funksionimin e organeve të drejtësisë.

LEXONI GJITHASHTU:

The post Kushtetuesja: Skualifikimi i gjyqtarit Gerd Hoxha nga gara për në GJKKO, i ligjshëm appeared first on Euronews Albania.

Kushtetuesja e Kosovës shfuqizon Ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave

Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka shfuqizuar Ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM), pasi gjeti se disa nene të ligjit, nuk janë përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Lënda është dërguar nga Kushtetuese deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, por gjykata i ka bashkuar këto kërkesa në një rast të vetëm.

Ligji për KPM-në ishte miratuar më 11 korrik 2024 në Kuvendin e Kosovës, pa pjesëmarrjen e partive opozitare në votim.

Nënparagrafët që u gjetën se nuk janë në përputhje me ligjet kanë të bëjnë me zgjedhjen e anëtarëve të KPM-së, shkarkimin e kryetarit dhe anëtarëve të Komisionit, kompetencat e KPM-së, rregullimi i pronësisë së të ligjensuarve dhe disa pika të nenit që ka të bëjë me sanksionet dhe gjobat.

Parashtruesit e kërkesës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për KPM-në kanë argumentuar se ai është miratuar pa konsultime publike. Në vendimin e Kushtetueses u tha se nuk kërkohet vetëm plotësimi i aspekteve formale për konsultime publike, por që ato duhet të përfshijnë “debate përmbajtësore” lidhur me të gjitha aspektet e një nisme ligjore.

Sa i përket pjesëve të ligjit, që flisnin për shkarkimin e kryetarit dhe anëtarëve të KPM-së, Kushtetuesja gjeti se dy nënparagrafë, që ka të bëjë me kriterin për shkarkim sikurse “humbja e besimit” dhe ai i “cenimit të integritetit” apo “qëndrimeve të anshme”, bien ndesh me nenin 7 të Kushtetutës.

LEXONI GJITHASHTU:

The post Kushtetuesja e Kosovës shfuqizon Ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave appeared first on Euronews Albania.

“Qyno”, Kushtetuesja rrëzon SPAK/ Shfuqizon vendimet: Asgjësoni të dhënat e sekuestruara

TIRANË- Me një vendim unanim 8-0, Gjykata Kushtetuese vendosi asgjësimin e te gjitha te dhënave kompjuterike, te cilat i ishin sekuestruar dy vite me pare gazetarit Elton Qyno, nga SPAK

Trupa gjykuese rrezoi te gjitha shkallet e drejtësisë, nga Prokuroria e Posaçme tek Gjykata e Lartë, qe kishin lënë me herët ne fuqi sekuestron e këtyre te dhënave ne kuadër te hetimeve.

Sipas arsyetimit te Gjykatës, vendimet gjyqësore qe kanë lejuar sekuestrimin e të dhënave kompjuterike kanë ndërhyrë në lirinë e shprehjes së kërkuesit.

U vlerësua gjithashtu se gjykatat e zakonshme nuk kanë arsyetuar se pse marrja e të dhënave të nevojshme për hetimin mund të realizohej vetëm nëpërmjet identifikimit të burimit të gazetarit, si mjet i fundit si edhe përse nuk ekzistonin mjete të tjera alternative për të arritur të njëjtin qëllim. Po në këtë drejtim, gjykatat arsyetuan në lidhje me urgjencën në sekuestrimin e të dhënave kompjuterike të kërkuesit.

Kushtetuesja i dha gazetarit Qyno të drejtë edhe për shkelje në privatësinë e tij.

Sekuestro e materialeve të Qynos erdhën me urdhër të SPAK, pasi e akuzuan gazetarin se ka nxjerrë komunikime të SkyECC nga një prej fraksioneve të dosjes “Metamorfoza”, që sipas Prokurorisë së Posaçme përputheshin me komunikimet e Nuredin Dumanit me persona të tjerë.

Por për me tepër, të gjitha materialet që i janë sekuestruar gazetarit Qyno do asgjësohen dhe nuk do përdoren më si provë në proceset gjyqësore ndaj tij.

Vendimi rrëzon dy prokurorët e posaçëm, Ols Dado dhe Bledar Maksuti që përfaqësuan SPAK në Kushtetuese. Ndërkohë, prokurori i parë i SPAK që ka firmosur kontrollet është Behar Dibra./abcnews.al

“Kushtetuesja” rrëzon ankimimin Berishës për masën e arrestit shtëpiak

Gjykata Kushtetuese rrëzoi ankimimin e Sali Berishës i cili kërkonte të shpallej antikushtetuese masa e SPAK ndaj tij për arrestin shtëpiak.

Duhet theksuar se më herët është rrëzuar dhe kërkesa e tij mbi masën “detyrim paraqitje”.

Nga 27 nëntori 2024 Berisha është në liri por tashmë nën një masë të re sigurie si ajo për detyrim paraqitje ndërsa ankimimin e kishte bërë kur ishte i izoluar në banesë.

Berisha qëndroi në arrest shtëpie për çështjen e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani” për 333 ditë.

Kujtojmë se me datë 21 nëntor, Gjykata Kushtetuese interpretoi masat e sigurisë “detyrim paraqitjeje” dhe “ndalim i daljes jashtë shtetit” nuk pengojnë punën e deputetit dhe mund të vendosen pa autorizim nga Kuvendi.

Më datë 17.01.2025, Gjykata Kushtetuese shqyrtoi kërkesën e Sali Berishës për shfuqizimin e disa vendimeve të gjykatave të ndryshme, duke përfshirë vendimet e Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Gjykatës së Posaçme të Apelit dhe Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, të cilat ai i konsideronte të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Pas shqyrtimit të kërkesës, Gjykata Kushtetuese arriti në disa përfundime:

  1. Legjitimiteti i kërkuesit: Gjykata e gjeti Sali Berishën të legjitimuar për të kundërshtuar masën e sigurimit dhe procedurën e ndjekur nga Kuvendi për caktimin e masës së arrestit në shtëpi.
  2. Pavarësia dhe Paanshmëria: Gjykata nuk shqyrtoi pretendimet për pavarësinë dhe paanshmërinë e gjykatave të posaçme, pasi ato ishin gjykuar më parë dhe përbënin gjë të gjykuar.
  3. Siguria Juridike: Gjykata nuk mori në shqyrtim pretendimet për paqartësinë e dispozitave procedurale penale lidhur me ekzekutimin e masave të sigurimit, pasi kërkuesi nuk kishte shteruar mjetet juridike të mundshme.
  4. Procedura Parlamentare: Gjykata vlerësoi se pretendimi për procedurën e autorizimit të Kuvendit për caktimin e masës së arrestit në shtëpi nuk ishte i bazuar.
  5. Cenimi i Lirisë Personale: Gjykata shqyrtoi dy aspekte të pretendimeve për cenim të lirisë personale:
    • Aspekti procedural: Nuk u gjetën shkelje të parimeve të paanshmërisë dhe të drejtës së mbrojtjes.
    • Aspekti substancial: Masën e arrestit në shtëpi e konsideroi të përshtatshme dhe proporcionale.
  6. Vendimi përfundimtar: Gjykata Kushtetuese, për shkak të mosformimit të shumicës së nevojshme prej 5 gjyqtarësh, vendosi rrëzimin e kërkesës.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji për funksionimin e Gjykatës Kushtetuese.

LEXONI GJITHASHTU:

The post “Kushtetuesja” rrëzon ankimimin Berishës për masën e arrestit shtëpiak appeared first on Euronews Albania.

❌