TIRANË, 24 shkurt/ATSH/ Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj prezantoi sot raportin vjetor të këtij institucioni për vitin 2024, ku theksoi se gjatë dy viteve të fundit ka pasur rritje të numrit të kërkesave dhe të vendimeve të marra nga Gjykata Kushtetuese.
Gjatë një konference për shtyp, Zaçaj u shpreh se nga 201 vendime në total në vitin 2021, Gjykata Kushtetuese ka marrë 408 vendime në total në vitin 2024.
Gjykata Kushtetuese, sipas saj, “ndryshoi qasjen e saj në disa aspekte, duke synuar të sigurojë jo vetëm aksesin e qytetarit përmes ankimit kushtetues individual, i cili rezulton të ketë një rritje prej 16% nga viti i kaluar, por edhe të zgjerojë hapësirën e mbrojtjes së tij kushtetuese”.
Pavarësisht ngarkesës së lartë, Zaçaj theksoi se Gjykata u kujdes për respektimin e afateve procedurale të shqyrtimit gjyqësor, duke synuar cilësinë e vendimmarrjes së saj.
Në këtë drejtim ajo theksoi se gjatë vitit 2024 ishin për shqyrtim gjithsej 520 kërkesa (427 kërkesa të reja dhe 93 të mbartura nga viti 2023), nga të cilat Gjykata shqyrtoi 408 kërkesa me vendime të arsyetuara. Aktualisht, numri total i kërkesave të mbartura, të cilat janë brenda afateve procedurale të shqyrtimit janë 104, nga të cilat 28 janë në shqyrtim në seancë plenare dhe 77 janë në fazën e shqyrtimit paraprak.
Zaçaj theksoi se Gjykata ka vendosur pranimin e kërkesës apo pranimin e pjesshëm në 55 çështje dhe rrëzimin e kërkesës në 31 çështje.
Sipas mënyrës së votimit, Gjykata ka dhënë 42 vendime njëzëri me votë unanime dhe 42 me shumicë votash. Vetëm në 2 vendime Gjykata ka vendosur rrëzimin për mosarritje të shumicës apo pamjaftueshmëri votash për një qëndrim.
Po ashtu, Zaçaj informoi se Gjykata Kushtetuese nuk ka aktualisht stok çështjesh të prapambetura jashtë afateve procedurale.
Duke folur për punën e Gjykatës Kushtetuese, Zaçaj nënvizoi se në kapitullin për Shqipërinë të raportit “Sundimi i ligjit 2024” të Komisionit Evropian, Gjykata Kushtetuese ka marrë vlerësime pozitive, duke u konsideruar si efektive në ruajtjen e kontrollit dhe balancës mes organeve të pushteteve.
Në fjalën e saj, Zaçaj renditi disa vendime të rëndësishme të marra gjatë vitit 2024 si në kuadër të së drejtës së pronës ashtu edhe lidhur me normën tatimore për të vetëpunësuarit që furnizojnë shërbime profesionale, e cila sipas saj “ishte jo proporcionale”.
Vendime të tjera të rëndësishme, sipas kryetares së Gjykatës Kushtetuese ishin edhe ato për dispozitat e ligjit për studentët e mjekësisë, të cilat ishin jokushtetuese në drejtim të së drejtës për arsimim dhe punësim.
“Gjatë vitit 2024, për herë të parë, Gjykata shqyrtoi të drejtën për informim për gjendjen e mjedisit, sipas nenit 56 të Kushtetutës dhe Konventës së Aarhusit, në çështjen për ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës, duke vënë theksin në rëndësinë që ka gjatë procesit të konsultimit publik dëgjimi i opinionit të komunitetit të zonës me statusin e publikut të ndikuar”, theksoi Zaçaj.
Po në drejtim të të drejtave themelore, Zaçaj nënvizoi se “Gjykata shqyrtoi respektimin e së drejtës së votës nga dispozitat e Kodit Zgjedhor në drejtim të garantimit të votimit parapëlqyes”.
“Vendosja e kandidatëve nga ana e partisë në komponentin e listës me renditje të fiksuar ose në atë që i nënshtrohet votimit parapëlqyes u vlerësua se nuk e cenon të drejtën e votës as në aspektin e së drejtës së subjekteve zgjedhore për t’u zgjedhur dhe për të marrë pjesë në procesin e formimit të vullnetit politik, as në aspektin e së drejtës së shtetasve për të zgjedhur”, shtoi ajo.
Me mjaft rëndësi, sipas kryetares së Gjykatës Kushtetuese ka qenë vendimi i kontrollit paraprak (përpara ratifikimit) të Protokollit të Migracionit me Italinë, ku Gjykata zhvilloi dhe interpretoi konceptin kushtetues të territorit në aspektin fizik dhe atë juridiksional.
Në përfundim të shqyrtimit të çështjes Gjykata lejoi ratifikimin e Protokollit nga Kuvendi, pasi arriti në përfundimin se ai nuk ndryshon apo cakton kufij të rinj territorialë të Shqipërisë, nuk krijon të drejta dhe liri themelore të reja kushtetuese, nuk sjell kufizime shtesë në ato ekzistuese dhe se shteti shqiptar vazhdon të ushtrojë juridiksionin e tij pavarësisht juridiksionit të shtetit italian i cili shtrihet mbi çështje të azilit.
Zaçaj u ndal te marrëveshja për Administrimin e Parkut të Butrintit, ku Gjykata Kushtetuese arriti në përfundimin se modeli i administrimit indirekt nuk prek rolin parësor të shtetit në mbrojtjen dhe konservimin e pasurive kulturore dhe natyrore.
“Gjykata përfshiu në juridiksionin kushtetues edhe kontrollin e Rregullores së Kuvendit, ku vendosi në balancë parimin e autonomisë parlamentare dhe atë të demokracisë përfaqësuese, për pasojë duke u ndalur vetëm në ashpërsinë e masave disiplinore të cilat mund të kenë pasoja në ushtrimin e mandatit përfaqësues nga deputetët dhe në përfundim gjeti disa shkelje”, tha ajo.
Kushtetutshmëria e ligjit për ngritjen dhe funksionimin e komisioneve hetimore parlamentare u mor po ashtu në shqyrtim nga Gjykata Kushtetuese, e cila analizoi të drejtën kushtetuese të pakicës parlamentare si në drejtim të ngritjes së komisionit hetimor ashtu edhe të ushtrimit efektiv të saj përmes hetimit parlamentar.
Po përgjatë vitit 2024 Gjykata ritheksoi edhe detyrimin kushtetues për zbatimin, nga të gjitha organet shtetërore, të vendimeve të saj.
“Mbi këtë parim kushtetues ajo zgjidhi mosmarrëveshjen e kompetencës mes pakicës parlamentare dhe Kuvendit, të lindur për shkak të moszbatimit nga ky i fundit të vendimit të Gjykatës për dërgimin e çështjes së deklarimit të papajtueshmërisë së mandatit të një deputeteje. Gjykata i dha kuptim edhe parimit të mandatit të lirë të deputetit kur thirret në votim, duke theksuar se ai nuk kuptohet si një liri absolute, e pakufizuar dhe se nuk mund të shtrihet në çështje që kanë të bëjnë me zbatimin e vendimeve të kësaj Gjykate”, shtoi Zaçaj.
Vendimet përfundimtare grupohen në këtë mënyrë:
7 vendime u përkasin kërkesave të paraqitura nga një grup deputetësh.
1 vendim i përket kërkesës së paraqitur nga gjykatat e juridiksionit të zakonshëm (kontroll incidental).
1 vendim i përket kërkesës së paraqitur nga partitë politike.
5 vendime u përkasin kërkesave të paraqitura nga organizatat.
2 vendime u përkasin kërkesave të paraqitura nga Kryetari i Gjykatës Kushtetuese.
70 vendime u përkasin kërkesave të paraqitura nga individët.
1 vendim me objekt papajtueshmërinë e marrëveshjes ndërkombëtare me Kushtetutën;
12 vendime me objekt papajtueshmërinë e akteve normative me Kushtetutën.
2 vendime me objekt konflikt kompetencash;
54 vendime me objekt kundërshtimin e vendimeve të gjykatave të juridiksionit të zakonshëm, në kuadër të procesit të rregullt.
2 vendime me objekt shfuqizimin e vendimeve gjyqësore së bashku me papajtueshmërinë e akteve normative me Kushtetutën.
2 vendime me objekt deklarim mbarim mandati të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese.
12 vendime me objekt konstatimin e cenimit të së drejtës për proces të rregullt si rezultat i mosgjykimit brenda një afati të arsyeshëm.
1 vendim me objekt korrigjim vendimi të Gjykatës Kushtetuese.
Sipas dispozitivit, vendimet përfundimtare grupohen në këtë mënyrë:
Për 55 vendime Gjykata ka vendosur pranimin e kërkesës/pranimin e pjesshëm.
Për 31 vendime Gjykata ka vendosur rrëzimin e kërkesës.
Sipas mënyrës së votimit kemi këto të dhëna:
42 vendime janë marrë njëzëri.
42 vendime janë marrë me shumicën e votave.
2 vendime janë rrëzuar për shkak të mungesës së shumicës për vendimmarrje.
Vendimet e moskalimit të grupuara sipas subjekteve që vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese janë:
2 vendime për kërkesa të paraqitura nga gjykatat e juridiksionit të zakonshëm (kontroll incidental).
1 vendim për kërkesë të paraqitur nga Këshilli i Ministrave.
3 vendime për kërkesa të paraqitura nga organizatat.
316 vendime për kërkesa të paraqitura nga individët/ankime kushtetuese individuale.
Duke bërë një krahasim të kërkesave dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese në periudhën 2021-2024 rezulton se:
Në vitin 2021 – 147 kërkesa; 201 vendime në total nga të cilat 41 janë përfundimtare.
Në vitin 2022 – 291 kërkesa; 238 vendime në total nga të cilat 43 vendime përfundimtare.
Në vitin 2023 – 367 kërkesa; 353 vendime në total nga të cilat 70 përfundimtare.
Në vitin 2024 – 427 kërkesa; 408 vendime në total nga të cilat 86 përfundimtare.
/m.m/j.p/
Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, foto: Florian Abazaj
The post Raporti vjetor i Gjykatës Kushtetuese, Zaçaj: Vendime të arsyetuara për 408 kërkesa appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.