TIRANË, 13 gusht/ATSH/ Departamenti Amerikan i Shtetit publikoi raportin e ri për të drejtat e njeriut, ku për Shqipërinë theksohet se gjatë vitit 2024 ”nuk pati ndryshime të rëndësishme në situatën e të drejtave të njeriut”.
Raporti vlerëson se “qeveria ndërmori hapa të besueshëm për të identifikuar dhe ndëshkuar zyrtarët që kryen shkelje të të drejtave të njeriut”.
Lidhur me lirinë e shtypit, raporti nënvizon se “Kushtetuta parashikon lirinë e shprehjes, duke përfshirë edhe për anëtarët e shtypit dhe mediet e tjera, dhe qeveria zakonisht i respektonte këto të drejta, megjithëse shpifja ishte një vepër penale”.
“Në prill, parlamenti krijoi një komision ad hoc për dezinformimin dhe në takimet e tij fillestare komisioni ftoi anëtarët e organizatave të medias dhe organizatave joqeveritare (OJQ) të merrnin pjesë dhe të monitoronin punën e komisionit. Media dhe shoqëria civile i panë këto veprime si një hap pozitiv drejt mbrojtjes së lirisë së shprehjes”, thuhet në raport.
Në raport theksohet se “ligji dhe kushtetuta ndalonin arrestimin dhe paraburgimin arbitrar dhe parashikonin të drejtën e çdo personi për të kundërshtuar ligjshmërinë e arrestimit ose paraburgimit të tij në gjykatë dhe qeveria në përgjithësi i respektoi këto kërkesa”.
“Mungesa e gjyqtarëve dhe prokurorëve vonoi procedurat penale. Burimet e kufizuara materiale, mungesa e hapësirës, menaxhimi i dobët i kalendarit gjyqësor, stafi i pamjaftueshëm dhe mosparaqitja e avokatëve dhe dëshmitarëve gjithashtu e penguan sistemin gjyqësor të gjykonte çështjet në kohën e duhur. Sipas PBB-së, procesi i verifikimit të sistemit të drejtësisë e përkeqësoi situatën dhe çoi në vende të lira në gjykata dhe prokurori”, citon raporti.
Lidhur me marrëdhëniet e punës, raporti nënvizon se “ligji parashikonte një pagë minimale për të gjithë sektorët, dhe paga minimale kombëtare ishte më e lartë se pragu kombëtar i varfërisë”.
Për sa i përket mbrojtjes së refugjatëve, raporti vlerëson se “qeveria bashkëpunoi me Zyrën e Komisionerit të Lartë të OKB-së për Refugjatët (UNHCR) dhe organizata të tjera humanitare në ofrimin e mbrojtjes dhe ndihmës për refugjatët, refugjatët e kthyer ose azilkërkuesit, si dhe persona të tjerë të shqetësuar”.
Lidhur me situatën për të drejtat e njeriut raporti thotë se “nuk pati ndryshime të rëndësishme në situatën e të drejtave të njeriut në Shqipëri gjatë vitit”.
“Çështjet e rëndësishme të të drejtave të njeriut përfshinin raporte të besueshme për kufizime serioze të lirisë së shprehjes dhe lirisë së medias, duke përfshirë autocensurën e gazetarëve. Qeveria ndërmori hapa të besueshëm për të identifikuar dhe ndëshkuar zyrtarët që kryen shkelje të të drejtave të njeriut”, thuhet në raport.
Lidhur me lirinë e shtypit, raporti thekson se “qytetarët ishin të lirë të kritikonin hapur qeverinë, duke përfshirë mediet tradicionale dhe sociale, dhe ata e bënë këtë”.
/m.m/r.e//a.f/
The post Raporti i DASH për Shqipërinë: Qeveria, hapa të besueshëm për të ndëshkuar zyrtarët që kryen shkelje appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.