Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Duka mesazh për nisjen e kampionatit: Mbështetje për rritjen e klubeve në çdo aspekt

TIRANË, 22 gusht /ATSH/ Edicioni i 87-të i kampionatit shqiptar të futbollit, ngre sot, më 22 gusht, siparin e sezonit të ri, 2025-2026, me duelin mes Egnatias dhe Vllaznisë.

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, me anë të një mesazhi në rrjetet sociale, i uroi suksese dhjetë klubeve pjesëmarrëse, duke e cilësuar sezonin e ri si një kapitull të mbushur me sfida dhe emocione.

Duka nënvizoi rëndësinë e profesionalizmit dhe respektit në fushë. Gjithashtu, ai theksoi se FSHF do të vijojë t’u japë mbështetje maksimale klubeve për zhvillimin e talenteve dhe përmirësimin e infrastrukturës.

Presidenti Duka pati edhe një mesazh të veçantë për tifozët, të cilët i ftoi të jenë forca kryesore e atmosferës në stadiume, gjithmonë në frymën e Fair-Play.

“Sot hapet një kapitull i ri i futbollit shqiptar me nisjen e edicionit të 87-të të Kategorisë “Abissnet Superiore 2025-2026”. Çdo fillim sezoni është një moment shprese dhe ambicieje, ku ekipet, trajnerët, lojtarët dhe tifozët hyjnë në një udhëtim të ri, të mbushur me plot sfida dhe emocione.

Së pari, dëshiroj t’u uroj të gjitha skuadrave pjesëmarrëse një sezon të suksesshëm, të mbushur me rivalitet sportiv, profesionalizëm dhe respekt në fushën e lojës. Jam i bindur se çdo klub do të japë maksimumin për të arritur objektivat e tij dhe për të kontribuar në rritjen e futbollit tonë.

FSHF mbetet e vendosur të mbështesë rritjen e klubeve në çdo aspekt, duke i inkurajuar ato të investojnë në zhvillimin e talenteve, në përmirësimin e infrastrukturës dhe në rritjen e profesionalizmit. Jam krenar për përparimin që ka bërë futbolli ynë në vitet e fundit, por jam po aq i bindur se rruga përpara kërkon edhe më shumë punë, bashkëpunim dhe vizion.

Gjithashtu, dua të shpreh mirënjohje për çdo futbollist, trajner, arbitër dhe punonjës që kontribuon në organizimin dhe mbarëvajtjen e këtij kampionati. Secili prej jush është pjesë e mozaikut të futbollit shqiptar dhe çdo përpjekje individuale shndërrohet në një arritje kolektive.

Një mesazh i veçantë shkon për tifozët, që janë zemra e futbollit. Ju ftoj të vazhdoni ta bëni të jashtëzakonshme atmosferën në stadiume, por gjithmonë duke respektuar vlerat dhe frymën e Fair-Play. Është përgjegjësi e përbashkët të tregojmë se futbolli shqiptar di të promovojë kulturë sporti dhe krenari kombëtare.

Përpara kemi një sezon të ri që premton rivalitet, emocione dhe histori të reja. Jam i bindur se, me përkushtim dhe pasion, do të përjetojmë së bashku një kampionat të denjë për traditën dhe të ardhmen e futbollit shqiptar.

Në emër të Federatës Shqiptare të Futbollit, ju uroj një sezon të mbushur me suksese dhe momente të paharrueshme. Le të nisë spektakli i futbollit shqiptar”, ka shkruar Duka.

/gj.m//a.f/

The post Duka mesazh për nisjen e kampionatit: Mbështetje për rritjen e klubeve në çdo aspekt appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

IKMT nis prishjen e 27 objekteve në Vlorë

TIRANË, 22 gusht /ATSH/ Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) ka nisur sot prishjen e objekteve që pengojnë zbatimin e projektit rrugor “Lidhja e Rrugës Transballkanike me Portin Detar, Vlorë”.

IKMT bën të ditur se, në kuadër të këtij projekti, është planifikuar prishja e 27 objekteve 1–2 katëshe.

IKMT thekson se, poseduesit janë trajtuar me procedurën e shpronësimit për interes publik.

/gj.m//a.f/

The post IKMT nis prishjen e 27 objekteve në Vlorë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama ndan foto nga Shkodra e mbushur me turistë

TIRANË, 22 gusht /ATSH/ Shkodra është shndërruar në një nga qytetet më të preferuara nga turistët në këtë sezon veror.

Kryeministri Edi Rama ndau sot foto nga qyteti verior, ku turistë të shumtë kanë preferuar të kalojnë pushimet e tyre.

Në pedonalen e famshme të Shkodrës, qindra turistë shijojnë ndërtesat historike dhe lokaleve plot jetë, duke shijuar atmosferën unike që ky qytet ofron.

Shumë vizitorë zgjedhin biçikletën si mënyrën më të bukur për të përjetuar Shkodrën. Çiftet dhe grupet e miqve shëtisin lirshëm nëpër rrugë e sheshe, duke shijuar natyrën e qytetit.

Shkodra ofron një pasuri të madhe atraksionesh për vizitorët që nga Kalaja e Rozafës, Muzeu Historik i Shkodrës, Muzeu i Fotografisë “Marubi”, Liqeni i Shkodrës Zona e Shirokës dhe Zogajt si dhe zonat malore si Thethi një nga perlat e Alpeve Shqiptare.

/gj.m//a.f/

The post Rama ndan foto nga Shkodra e mbushur me turistë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shqipëria pajiset me automjete të blinduara LMV2, MM për ATSH: Pjesë e paketës së parë të ndihmës nga BE

TIRANË, 22 gusht /ATSH/ Ushtria shqiptare do të pajiset për herë të parë me automjete të lehta shumëfunksionale ‘LMV2’, të prodhuara nga Iveco Defence Vehicles, divizioni ushtarak i kompanisë italiane Iveco.

“Një moment i ri historik për LMV2: Forcat e Armatosura Shqiptare do të pajisen me automjetet tona…”, shkruan ne postimin e saj në Linkedin, Iveco Defence Vehicles.

Njoftimi i saj po ashtu shpjegon se blerja e automjeteve ushtarake do të financohet nga Bashkimi Evropian përmes Fondit Evropian për Paqen, ndërsa zbatimi është marrë përsipër nga Agjencia italiane e Industrive të Mbrojtjes.

“Një moment i ri për LMV2: Forcat e Armatosura Shqiptare do të pajisen me automjete LMV2, në një program të rëndësishëm të financuar nga Bashkimi Evropian në kuadër të Fondit Evropian për Paqen dhe të zbatuar nga Agjencia Industriale e Mbrojtjes së Italisë.

Kjo dërgesë përfaqëson furnizimin e parë të IDV me LMV për Shqipërinë, duke konfirmuar më tej këtë automjet si një nga platformat tona më të besueshme dhe më të përhapura gjerësisht në nivel global, të përzgjedhur nga mbi 15 vende për mbrojtjen, shpejtësinë dhe përshtatshmërinë e tij me misionin’, thuhet në një njoftimin e bërë nga kompania italiane.

Ministria e Mbrojtjes bëri të ditur për ATSH-në se, “Bashkimi Evropian, nëpërmjet Instrumentit Evropian të Paqes (European Peace Facility), i krijuar në mars 2021 dhe që synon forcimin e kapaciteteve të mbrojtjes së vendeve partnere si dhe rritjen e sigurisë rajonale e globale, ka mbështetur Shqipërinë me dy paketa ndihmash me një vlerë totale prej 28 milionë eurosh.

Projektet e miratuara do të mbështesin modernizimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Paketa e parë e ndihmës, e miratuar në korrik 2024, parashikon pajisjen me mjete të lehta të blinduara (rreth 20 të tilla) me një vlerë prej 13 milionë eurosh.

Ndërsa paketa e dytë, e miratuar së fundmi, në vlerën e 15 milionë eurove, do të pajisë FARSh me mjete transporti dhe inxhinierike shumëfunksionale, me përdorim të dyfishtë si për mbështetjen e operacioneve të BE-së, ashtu edhe për përballimin e emergjencave civile në vend dhe rajon. I gjithë ky proces, nga pikëpamja buxhetore, prokuruese dhe proceduriale, drejtohet dhe ndiqet nga strukturat e BE-së.

Ndihma e re pasqyron përparimin e marrëdhënieve strategjike BE–Shqipëri, të konsoliduara pas nënshkrimit të Partneritetit për Siguri dhe Mbrojtje në dhjetor 2024 dhe nisjes së Dialogut të parë për Sigurinë dhe Mbrojtjen në prill 2025. Ajo vlerëson gjithashtu rolin e Shqipërisë si një partner i ngushtë dhe i qëndrueshëm i BE-së në politikën e jashtme dhe të sigurisë, si kontribuuese në operacionet e BE-së dhe njëkohësisht si aleate e NATO-s.

Sipas ecurisë dhe implementimit të projekteve, media dhe publiku do të mbahen të informuar. Parashikohet që mjetet e para të mbërrijnë në vendin tonë gjatë vitit 2026”.

LMV2 përfaqëson gjeneratën e fundit të modelit të suksesshëm LMV, tashmë i përdorur gjerësisht nga ushtritë e NATO-s.

Ky version sjell mbrojtje të rritur balistike dhe kundër minave, një motor të fuqishëm 220 kuaj fuqi me transmision automatik me 8 shpejtësi, si dhe sisteme të përmirësuara të amortizatorëve dhe rrotave, për t’iu përshtatur terreneve të vështira.

Kabina modulare ofron konfigurime të shumta, nga transporti i trupave deri te përdorimet si ambulancë ose qendër komandimi. Përveç kësaj, LMV2 është i pajisur me teknologji moderne komunikimi, navigimi dhe menaxhimi të betejës, duke siguruar një kombinim të lëvizshmërisë së lartë dhe mbrojtjes së avancuar.

Ky model, tashmë i testuar në misione ndërkombëtare përfshirë Afganistanin, ka zëvendësuar LMV-në e parë në ushtritë e disa vendeve evropiane si Italia, Mbretëria e Bashkuar dhe Norvegjia. Përmirësimet e tij garantojnë mbijetesë më të madhe për ekuipazhin dhe përshtatshmëri të lartë ndaj skenarëve të ndryshëm operativë.

Për Shqipërinë, LMV2 përfaqëson një hap cilësor në modernizimin e kapaciteteve ushtarake, veçanërisht krahasuar me flotën aktuale të automjeteve, si Humvee amerikan apo mjetet e pakta MRAP.

Ky zhvillim e vendos vendin në të njëjtin hap me fqinjët, si Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, që tashmë kanë investuar në platforma moderne të ngjashme.

Në aspektin strategjik, furnizimi me LMV2 jo vetëm që rrit gatishmërinë dhe aftësitë operacionale të Forcave të Armatosura, por gjithashtu forcon partneritetin e Shqipërisë me NATO-n, BE-në dhe Italinë, duke kontribuar në sigurinë dhe stabilitetin e rajonit të Ballkanit.

/gj.m//a.f/

The post Shqipëria pajiset me automjete të blinduara LMV2, MM për ATSH: Pjesë e paketës së parë të ndihmës nga BE appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Pacienti 59-vjeçar rifitoi shikimin pas një ndërhyrjeje delikate në Spitalin Rajonal të Vlorës

TIRANË, 22 gusht /ATSH/ Në Spitalin Rajonal të Vlorës u realizua me sukses një ndërhyrje delikate tek një pacient 59-vjeçar, i cili kishte humbur shikimin nga komplikacionet e diabetit.

Kryeministri Edi Rama ndau sot rastin e ndërhyrjes së suksesshme, teksa e konsideroi Spitalin Rajonal të Vlorës një qendër ekselence rajonale për shërbimet e okulistikës.

Pas trajtimit, pacienti 59-vjeçar rifitoi ndjeshëm pamjen dhe shpresën për një jetë më të pavarur.

“Në Spitalin Rajonal të Vlorës, një qendër ekselence rajonale për shërbimet e okulistikës, së fundmi u realizua me sukses një ndërhyrje delikate tek një pacient 59-vjeçar, i cili kishte humbur shikimin nga komplikacionet e diabetit e pas trajtimit, rifitoi ndjeshëm pamjen”, shkroi Rama në një postim në rrjetet sociale.

Rama theksoi se, ky rezultat bëhet më domethënës falë investimeve në kabinetin e ri të okulistikës, të pajisur me teknologji moderne dhe paketat e rimbursuara të vitrektomisë, që garantojnë trajtime falas, pa nevojë për referim në spitale të tjera.

Kreu i qeverisë shprehu mirënjohje për ekipin mjekësor: Dr. Kemal Ylsek, Dr. Edmond Isufaj, Dr. Dilaver Haskaj, Dr. Engjëll Lazaj, Dr. Odela Risilia dhe infermierja Kleoniqi Mustafaraj.

Spitali Rajonal i Vlorës, me një ekip të përkushtuar mjekësh dhe infermierësh, ofron shërbim dhe kujdes mjekësor jo vetëm për qytetarët vlonjatë, por edhe për pushuesit vendas dhe turistët e huaj që zgjedhin këtë qytet për të kaluar pushimet verore.

/gj.m//a.f/

The post Rama: Pacienti 59-vjeçar rifitoi shikimin pas një ndërhyrjeje delikate në Spitalin Rajonal të Vlorës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha rrëfen kujtimet me Rugovën: Krijoi unitetin që Kosova nuk e ka pasur kurrë për projektin e pavarësisë

TIRANË, 22 gusht /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mori pjesë sot në promovimin e librit ‘Dr. Ibrahim Rugova, Arkitekti i Pavarësisë së Kosovës’.

Berisha rrëfu në fjalën e tij kujtimet me Rugovën, duke u shprehur se, Rugova arriti të krijojë një unitet që Kosova nuk e ka pasur kurrë për projektin e pavarësisë.

“Presidenti Ibrahim Rugova është një nga figurat më të ndritura të historisë tonë kombëtare të të gjithë kohërave. Dhe natyrisht të flasësh për veprimtarinë e Ibrahim Rugovës, duhet të zgjedhësh planin në të cilin do e trajtosh atë”, tha Berisha.

“Në rrafshin filozofik, Ibrahim Rugova është shtetari i habive të mëdha. Ky pasardhës i një familje atdhetare, i një familje qëndrestare, zgjodhi në krye të radhës jo pushkën, por gandizmin. Zgjedhje të cilën nuk e kishte bërë ndonjëherë ndonjë shqiptar në histori. Zgjedhje të cilën ndoshta në Ballkan jo e jo, por edhe në Europë nuk ishte regjistruar. Dhe me këtë zgjedhje, Ibrahim Rugova zgjodhi çelësin e artë për të hapur çdo derë. Por edhe mendjet e atyre që e donin dhe nuk e donin. E atyre që e besonin në projektin e tij dhe e kundërshtonin projektin e tij”, theksoi Berisha.

Berisha tha se, “Rugova arriti të krijojë një unitetit që Kosova kurrë nuk e ka pasur. Dhe ky ishte një unitet në projektin e tij, në projektin e pavarësisë së Kosovës, Kosovës së lirë dhe të pavarur. Rugova, në këtë projekt, kaloi nga një kancelari në një tjetër, nga një institucion në një tjetër, por me civilitetin dhe gandizmin e tij, ai do vlerësohej nga Parlamenti Europian me çmimin e madh të Saharov. Kjo ishte një mbështetje e jashtëzakonshme për popullin e Kosovës dhe personalitetin e Ibrahim Rugovës”.

“Një njeri i civilizuar me një kulturë të gjerë, që fliste shumë më pak për politikë se sa për universin kulturor. Ibrahim Rugova bënte për vete të gjithë bashkëbiseduesit, përveçse tek politikanët që nuk binin dakord me projektin e pavarësisë së Kosovës, çka për atë nuk përbënte asnjë lloj obligimi për t’u tërhequr, sepse e ka përshkruar në mënyrën më të shkëlqyer Madlen Ollbrajt, kur thotë se Dhomën Ovale, i thotë presidenti Klinton, që donte ta ndihmonte: Ibrahim, tani atë pavarësinë e kam të pamundur, por kërko diçka tjetër dhe unë jam i gatshëm ta realizoj. Ibrahimi rri, mendon dhe mendon dhe thotë: president, vetëm pavarësia zgjidh problemin. Klintoni qeshi”, rrëfeu Berisha.

Berisha u shpreh se, “Rugova ishte një gjeni i kombit shqiptar, një gjeni i papërsëritshëm, siç është Skënderbeu në beteja dhe strategjinë e tij. Siç është Nënë Tereza në forcën e jashtëzakonshme të moralit dhe parimeve që besonte. Siç është Ismail Kadare në veprat e veta. Ibrahim Rugova është në politikë. Ndaj dhe duhet të përulem me nderimin më të madh para veprës dhe kujtimit të tij’.

Berisha gjithashtu dënoi mbajtjen në magazina prej 5 vitesh të shtatores së Ibrahim Rugovës

“Dënoj me forcën më të madhe mbajtjen në magazina prej 5 vitesh të shtatores së Ibrahim Rugovës nga narkoregjimi i Tiranës”, tha Berisha.

/gj.m//a.f/

 

The post Berisha rrëfen kujtimet me Rugovën: Krijoi unitetin që Kosova nuk e ka pasur kurrë për projektin e pavarësisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Gjyqtari Demiri bllokoi çlirimin e një ‘toke të xanun”, s’do tolerojmë asnjë që pengon programe në interes të publikut

TIRANË, 22 gusht /ATSH/ Kryeministri Edi Rama reagoi sot lidhur me vendimet e gjykatësit Klarent Demiri, i cili ka penguar ekzekutimin e vendimeve të çlirimit të hapësirave publike të zëna.

“Çfarë duhet të ketë ngrënë gjykatësi Klarent Demiri kur ka marrë vendimin për të penguar ekzekutimin e vendimit të çlirimit të kësaj “toke të xanun”? Dhe nuk ka marrë një, po dy vendime të tilla, duke u shquar si i vetmi gjykatës deri tani që i ka rënë ndesh haptaz interesit publik, interesit të komuniteteve për çlirimin e hapësirave të tyre publike dhe zbatimit të programit të qeverisë në dobi të qyteteve e në funksion të Shqipërisë 2030 në BE”, shkroi Rama në një postim në rrjetet sociale.

Kreu i qeverisë theksoi se, qeveria nuk do të tolerojë përfaqësues të pushtetit të pavarur gjyqësor, që pavarësinë e tij do ta keqpërdorë për të cenuar pavarësinë e pushtetit ekzekutiv.

“Një gjë është pak po e sigurtë: Ne nuk do ta tolerojmë më as në heshtje, as duarlidhur asnjë përfaqësues të pushtetit të pavarur gjyqësor, që pavarësinë e tij do ta keqpërdorë për të cenuar pavarësinë e pushtetit ekzekutiv, duke penguar përmes shpërdorimit arbitrar të detyrës së vet zbatimin e programeve, projekteve apo vendimeve në interes të publikut”, nënvizoi Rama.

Kryeministri u shpreh se edhe për këtë gjykatës qeveria do t’i drejtohet organeve të pavarura të qeverisjes e të kontrollit të gjyqësorit.

“Edhe për gjykatës Demirin do t’i drejtohemi organeve të pavarura të qeverisjes e të kontrollit të gjyqësorit, njësoj si për prokurore Gjelin dhe për gjykatës Balliun, duke vazhduar të shpresojmë se këto organe jetike për mirëqeverisjen e gjyqësorit do të dalin nga zona e komfortit ku janë rehatuar, ndërkohë që Reforma në Drejtësi kërkon në radhë të parë përkushtimin, profesionalizmin e kurajën e tyre”, theksoi Rama.

/gj.m//a.f/

The post Rama: Gjyqtari Demiri bllokoi çlirimin e një ‘toke të xanun”, s’do tolerojmë asnjë që pengon programe në interes të publikut appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dinamo City humbet 3-0 ndaj Jagiellonia në ndeshjen e parë play-off në UEFA Conference League

TIRANË, 22 gusht /ATSH/ Dinamo City zhvilloi ndeshjen e parë të play-off-it në UEFA Conference League ndaj Jagiellonia, duke u mundur me rezultatin 3-0 në stadiumin “Stadion Miejski w Białymstoku”.

Trajneri Ilir Daja e nisi takimin me këtë formacion titullar: Teqja (GK), Loran, Aliji, Meksi, Tiago Nani; Karamba, Vila, Beqja, B. Berisha, Bregu, Berisha.

Skuadra polake kaloi në avantazh në minutën e 12-të me Jesus Imaz, ndërsa në minutën e 34-të Afimico Pululu shënoi golin e dytë. Në fillim të pjesës së dytë, Norbert Wojtuszek realizoi golin e tretë dhe vulosi fitoren 3-0 të Jagiellonia.

Ndeshja e kthimit mes Dinamo City dhe Jagiellonia do të luhet më 28 gusht, në stadiumin “Air Albania”, në orën 20:45.

1 nga 3

/gj.m//a.f/

The post Dinamo City humbet 3-0 ndaj Jagiellonia në ndeshjen e parë play-off në UEFA Conference League appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Koçiu ndan rastin e 29-vjeçares që u bë nënë kujdestare e dy fëmijëve: Forcojmë më tej sistemin e kujdesit alternativ

TIRANË, 22 gusht /ATSH/ Arianna, e rikthyer nga SHBA, në moshën 29-vjeçare vendosi të bëhet nënë kujdestare e dy fëmijëve nga shtëpia e fëmijës në Korçë.

Së bashku me bashkëshortin, Tomas, ata hapën jo vetëm shtëpinë, por edhe zemrën e tyre.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ndau këtë rast në rrjetet sociale duke u shprehur se “kjo histori është dëshmi e fuqisë së dashurisë dhe kujdesit familjar”.

“Po punojmë për një kuadër të ri ligjor, të përafruar me standardet e BE-së dhe Konventën e OKB-së për të drejtat e fëmijëve, për të forcuar më tej sistemin e kujdesit alternativ dhe për të reformuar institucionet rezidenciale të përkujdesit në shërbime me qendër familjen”.  nënvizon Koçiu.

Ministrja thekson se “synimi ynë është që çdo fëmijë të rritet në një familje, me dashuri, siguri dhe mundësi për një të ardhme më të mirë”.

Arianna shprehet se prej 7 muajsh ka qenë prind kujdestar. “Kam kujdestari për dy fëmijë. Unë në fakt e kam kërkuar vetë në bashki për këtë lloj programi”, thekson Arianna.

Koordinatorja e Qendrës së Shërbimeve Mbështetëse për Fëmijën dhe Familjen në Korçë, Mamica Shishi thekson se “një nga shërbimet që Shërbimet Mbështetjes për Fëmijët dhe Familjen ofron, është dhe identifikimi dhe fuqizimi i familjeve kujdestare. Pas një fushatës që sensibilizuar se që ne kemi realizuar në qytetin e Korçës, na është ofruar familja e Tomit dhe Ariannës”.

Drejtuese e Shërbimeve Sociale në Korçë, Marjana Jorgji shprehet se “çdo fëmijë meriton dashuri, siguri, një vend që ta quaj shtëpi”.

” Bëhu ti ndryshimi në jetën e një fëmije, sepse dashuria ndërton familje”, apelon ajo.

/gj.m//a.f/

The post Koçiu ndan rastin e 29-vjeçares që u bë nënë kujdestare e dy fëmijëve: Forcojmë më tej sistemin e kujdesit alternativ appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lirimi i hapësirave publike, Rama: Nuk është aksion, po faza e parë e një transformimi të ri

TIRANË, 21 gusht /ATSH/ Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se lirimi i hapësirave publike nuk është aksion, po faza e parë e një transformimi të ri.

Rama ndau sot pamje nga lirimi i hapësirave publike në të gjithë vendin.

“Nuk është aksion, po faza e parë e një transformimi të ri, për Tiranën e për të tjera qytete më të pastër, më të gjelbër, po edhe me njësi shërbimi më bashkëpunuese e më miqësore me komunitetin”, shkroi Rama në një postim në rrjetet sociale.

Lirimi i hapësirave publike nga subjektet që kanë zaptuar trotuaret dhe ambientet e dedikuara për komunitetin dhe qytetarët, vazhdon në të gjithë vendin prej muajit korrik.

Në këtë kuadër, Rama ka paralajmëruar se po hartohet edhe Rregullorja Kombëtare në të cilën do të përcaktohen me ligj hapësirat që mund të shfrytëzojë biznesi.

Lirimi i hapësirave publike është i domosdoshëm për rritjen e cilësisë së shërbimeve, por edhe funksionalitetit të çdo biznesi dhe sipërmarrjeje në përputhje me standardet kombëtare të mikpritjes dhe shërbimit jo vetëm në zonat turistike, por në çdo cep të Shqipërisë.

Lirimi i hapësirave publike ka nisur në fillim të muajit korrik dhe do të vijojë të jetë në fokus të angazhimit të pushtetit vendor dhe qendror në mbrojtje të cilësisë së jetës në komunitet.

/gj.m/r.e//a.f/

The post Lirimi i hapësirave publike, Rama: Nuk është aksion, po faza e parë e një transformimi të ri appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Plani i Rritjes i BE për Ballkanin Perëndimor, tre projektet e para të Shqipërisë 32 milionë euro

TIRANË, 21 gusht /ATSH/ Bashkimi Europian ka miratuar një paketë mbështetjeje prej 87,7 milionë eurosh në kuadër të Planit të Rritjes, për projektet e para që do të financohen përmes Kornizës së investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF). Nga faza e parë e financimit Shqipëria përfiton 32 milionë euro për tre projekte.

Projekti i parë është “Digjitalizimi i sistemit të transmetimit të energjisë”, i cili përfshin 40 nënstacione të tensionit të lartë në gjithë vendin, duke rritur kështu  kapacitetin e rrjetit dhe duke ulur humbjet. Vlera e projektit arrin në 95,3 milionë euro, ku BE kontribuon me 10,5 milionë euro. Afati i përfundimit është viti 2030.

Projekti i dytë është rikonstruksioni i Hidrocentralit të Fierzës. investimi synon të zgjasë jetën e hidrocentralit edhe 30 vite, duke rritur efikasitetin me 4% dhe prodhimin me 10%. Faza e dytë e projektit mbështetet nga fondet e Planit të Rritjes me 13,6 milionë euro, në një investim total prej 64,2 milionë euro. Afati i përfundimit të punimeve edhe për këtë projekt është viti 2030.

Projekti i dytë është linja e re Rrashbull-Tiranë dhe Unaza e Tiranës. Ndërtimi i linjës së transmetimit 400/220 kV synon zgjerimin e rrjetit për të përballuar kërkesën në rritje në kryeqytet. Investimi kap vlerën 61.1 milionë euro, ndërsa BE kontribuon me 8 milionë euro. Projekti pritet të përfundojë këtë vit.

Plani i Rritjes i Bashkimit Europian për Ballkanin Perëndimor i ka projektet e para në fushën e energjisë së pastër pothuajse në të gjitha vendet e rajonit. Shqipëria është ndër përfitueset më të mëdha.

Shqipëria në këtë fazë ka tre projekte madhore, që arrijnë vlerën mbi 220 milionë euro, ku BE kontribuon me 33 milionë euro.

Vlera e projekteve në Mal të Zi në fazën e parë të Planit të Rritjes është rreth 54 milionë euro, ku BE kontribuon me më pak se 10 milionë.

Serbia është vendi me projektet më të orientuara drejt diversifikimit të energjisë (hidro + diellore). Të dy projektet kanë vlerë 186 milionë euro dhe BE kontribuon me rreth 41 mln euro.

/Monitor/

The post Plani i Rritjes i BE për Ballkanin Perëndimor, tre projektet e para të Shqipërisë 32 milionë euro appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama ndan rrëfimet e pushuesve në plazhet e jugut: Janë fantastike, mikpritja dhe ushqimet gjithashtu

TIRANË, 21 gusht /ATSH/ Kryeministri Edi Rama ndau sot rrëfimet e pushuesve që kanë zgjedhur plazhet e jugut të Shqipërisë në këtë gusht.

“Bregdeti i Himarës, Dhërmiut dhe Borshit, ku plazhet janë fantastike, mikpritja gjithashtu, por më emocionuese akoma janë rrëfimet e vetë pushuesve shqiptarë e nga vende të ndryshme të botës për përvojat në rivierën tonë”, shkruan Rama.

“Mirë shumë. Jemi duke u kënaqur. Uji na ka qëlluar shumë i bukur këtu. Po e shijojmë shumë, është shumë i shëndetshëm dhe po shohim që shumë njerëz po vijnë gjithë kohën. Jemi të kënaqur, edhe moti është super”, u shpreh një pushuese nga Kosova.

Një tjetër pushues tha se vjen për të katërtin vit radhazi. “Është viti i katërt radhazi që po vij në Dhërmi. Për herë të parë kur kam ardhur këtu, jam dashuruar me Dhërmiun edhe më pëlqen shumë, sidomos ushqimi, deti, plazhi, e të gjitha”, tha ai.

Një turist i huaj u shpreh se po ia kalon shumë mirë. “Deti është i mahnitshëm, rëra është e bukur, njerëzit janë të bukur, absolutisht na pëlqen”, tha ai.

Një shqiptar që jeton prej 20 vitesh në Angli u shpreh se, po kalon shumë bukur. “Siç e shikoni, koha është shumë e bukur, me diell, temperatura është shumë e mirë, ushqimi është shumë i mirë. Njerëzit janë shumë të sjellshëm. Unë kam lindur këtu në Shqipëri, por jetoj në Angli, kam njëzet vjet që jetoj dhe vij për pushime këtu i kaloj në Shqipëri”, tha ai.

Një turist nga Australia, u shpreh se, “këtu më pëlqen absolutisht. Plazhi është i mahnitshëm, tepër i bukur, ushqimi është i mirë, pijet të mira. Do t’ia rekomandoja kujtdo”, tha ai.

Ndërsa një turiste polake u shpreh se atmosfera është fantastike. “Jemi me familjen. Kohë e bukur, plazh i bukur”, tha ajo.

“Duket shumë bukur. Ka banorë të dashur, dyqane të bukura dhe restorante të mira. E dua Shqipërinë të gjithin, si vend është i bukur. Njerëzit janë shumë të sjellshëm. Gjithçka është e bukur”, tha një tjetër turist i huaj.

Një turist italian, i ardhur nga Milano, tha se, “vendi na ka pëlqyer shumë, deti është i mrekullueshëm, është një vend shumë natyral, nuk e kishim imagjinuar. Kërkuam në internet për të ardhur këtu. Kemi parë shumë, por Himara është vendi që preferojmë”.

“Ky është një plazh fenomenal, një plazh i mrekullueshëm, një ushqim i mrekullueshëm, një mjedis i mrekullueshëm. Po kalojmë shumë mirë. Kam një mendim shumë të mirë, sepse erdha të zbuloj tiparet e vendit tuaj të bukur, dhe ato janë shumë, shumë të bukura”, tha një tjetër turiste e huaj.

Ndërsa një çift turistësh nga Polonia vlerësuan mjaft bukuritë e Shqipërisë.

“Shumë bukur, keni male të bukura, diell të bukur, vend simpatik. Kam udhëtuar shumë, por e sugjeroj këtë vend për ta parë”, thanë ata.

Një turist nga SHBA vlerësoi Rivierën shqiptare.

“Bukur të shikosh Rivierën shqiptare, vend fantastik për të ardhur me pushime, vend i bukur. Vijmë nga Shtetet e Bashkuara, kemi udhëtuar në të gjithë Shqipërinë, duke parë të gjitha bukuritë, tingujt e ndryshëm dhe po kënaqemi me të gjithë njerëzit”, tha ai.

/gj.m//a.f//r.e/

The post Rama ndan rrëfimet e pushuesve në plazhet e jugut: Janë fantastike, mikpritja dhe ushqimet gjithashtu appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Projektligji “Për organizimin e administratës shtetërore”: Standarde evropiane në administratën publike shqiptare

TIRANË, 21 gusht /ATSH/ Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin ka publikuar për konsultim publik projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 90/2012 ‘Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore’”.

Ky projektligj ka për qëllim të përmirësojë organizimin, efikasitetin, funksionimin dhe llogaridhënien në institucionet e administratës shtetërore nën përgjegjësinë e Këshillit të Ministrave, me qëllim adresimin e problematikave ekzistuese dhe përshtatjen e funksionimit të administratës shtetërore me praktikat më të mira evropiane të organizimit institucional. Përmirësimet e këtij ligji vijnë si përgjigje ndaj një nevoje të artikuluar qartë për linjëzim të mëtejshëm me standardet e BE, sidomos në këtë fazë kur Shqipëria po avancon me ritme të shpejta në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Në shkurt 2024 OECD/SIGMA hartoi një raport voluminoz të titulluar “Administrata Publike në Shqipëri”, ku teksa evidenton që Shqipëria është lider rajonal në funksionimin e administratës publike në fushat e menaxhimit të financave publike, menaxhimit të shërbimit civil dhe burimeve njerëzore, si dhe të zhvillimit dhe koordinimit të politikave për reformën në administratën publike, parashtron dhe një sërë rekomandimesh për t’i adresuar.

Konkretisht, OECD/SIGMA shprehet se “Qeveria duhet të përcaktojë një tipologji të qartë të organeve të qeverisjes qendrore dhe të sigurojë zbatimin e saj të njëtrajtshëm; nëse është e nevojshme, duke riorganizuar organet ekzistuese për t’i përputhur me rregullat e reja dhe duke shmangur dublikimin e funksioneve të organeve të qeverisjes qendrore. Ministritë e linjës, duhet të vendosin mekanizma transparentë për planifikimin e punës dhe raportimin, si për ministritë, ashtu edhe për institucionet vartëse”.

Në përgjigje të nevojave të evidentuara për ndryshime, si dhe rekomandimeve të OECD/SIGMA, projektligji vjen me disa risi dhe ka në fokus një administratë në efiçente, më pak burokratike, me role dhe përgjegjësi të qarta institucionale. Projektligji është propozuar për të uniformizuar më tej punën në institucionet e administratës shtetërore, duke shmangur zgjidhjet e përkohshme që shpesh shkaktojnë probleme e sjellin fragmentim të përgjegjësisë, dhe vakume në sistemin e llogaridhënies.

Krijimi i sistemit të ri të mbikëqyrjes dhe llogaridhënies

Projektligji shënon një hap të rëndësishëm duke vendosur një sistem modern dhe të unifikuar mbikëqyrjeje dhe llogaridhënieje të zbatueshëm për të gjithë institucionet dhe agjencitë në varësi të kryeministrit dhe ministrave. Puna e institucioneve do të vlerësohet duke u bazuar te objektivat e matshëm dhe performanca reale vjetore. Ky sistem i ri ka si qëllim të garantojë një menaxhim më efikas dhe të orientuar drejt rezultateve përmes planeve vjetore të performancës, vetëvlerësim të performancës, dhe mbikëqyrjen e zbatimit të planit nga ministria përgjegjëse ose kryeministri.

Vendosen kritere për krijimin e institucioneve

Me qëllim rritjen e efiçencës institutionale, sipas këtij projektligji një institucion varësie mund të krijohet vetëm nëse ka një numër minimal punonjësish që e justifikon ekzistencën e tij. Gjithashtu, projektligji vendos kritere për krijimin e institucioneve në varësi të drejtpërdrejtë të Kryeministrit, duke parashikuar se mbeten në varësi të kryeministrit institucionet që shërbejnë dhe kontribuojnë në realizimin e funksionit kushtetues të Kryeministrit, si dhe institucionet e ngarkuara me funksione horizontale që nuk mund të kryhen nga ministritë e linjës. Sipas draftit, institucione të tjera në varësi të kryeministrit mund të krijohen vetëm nëse i përkasin një fushe të konsideruar si prioritare në programin politik qeveritar, dhe për sa kohë ajo fushë konsiderohet si e tillë.

Riorganizimi i institucioneve joministrore

Drafti i ri synon të thjeshtojë sistemin e institucioneve joministrore, duke propozuar dy lloje të trupave joministrore/ekzekutive: institucionet e varësisë dhe agjencitë autonome, të rikonceptuara, sipas rekomandimit të OECD/SIGMA. Në raport Shqipëria është vlerësuar me 0 nga 8 pikë në indikatorin që mat numrin e institucioneve me natyrë administrative që raportojnë në Kuvend, për shkak të numrit shumë të lartë të këtyre institucioneve që raportojë tek legjislativi. Sipas SIGMA (fq.71) “Autonomia e enteve rregullatore për funksionimin e përditshëm është e garantuar. Megjithatë, ato raportojnë në Kuvend, çka nuk është thelbësore, për ruajtjen e pavarësisë së tyre funksionale. Përkundrazi, distanca e tyre nga ekzekutivi mund të cënojë llogaridhënien institucionale për performancën e tyre të përgjithshme”.

Ripërcaktimi i roleve dhe përgjegjësive

Ndryshimet në ligj synojnë ndarjen dhe mirëpërcaktimin e roleve dhe përgjegjësive ndërmjet niveleve hierarkike, duke evituar përqëndrimin e tepërt të vendimmarrjes vetëm në nivelet e larta menaxheriale, si ministrat apo sekretarët e përgjithshëm. Projektligji parashikon që, pavarësisht se ruhet roli mbikqyrës i ministrit dhe sekretarit të përgjithshëm, vendimmarrja për çështje të përgjegjësisë nga pikëpamja përmbajtësore, sidomos për vendimmarrje të natyrës rutinore, mbetet tek drejtuesit të nivelit të mesëm, përveç rasteve kur ligji e lidh vendimmarrjen me një autoritet të një niveli më të lartë.

Ky projektligj është publikuar në portalin e konsultimit publik, në përputhje me rregullat e parashikuara nga legjislacioni në fuqi, për komente dhe sugjerime nga të gjithë aktorët e interesuar.

/gj.m//r.e//a.f/

The post Projektligji “Për organizimin e administratës shtetërore”: Standarde evropiane në administratën publike shqiptare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rritet interesi i të rinjve, Universiteti i Sporteve mbyll konkurset e pranimit

TIRANË, 21 gusht /ATSH/ Këtë të enjte u mbyll gara e konkurseve të pranimit të maturantëve në dy fakultetet kryesore të Universitetit të Sporteve të Tiranës (UST): Fakulteti i Shkencave të Lëvizjes dhe Fakulteti i Veprimtarisë Fizike dhe Rekreacionit.

Vlerësimi i kandidatëve është bërë mbi bazën e konkurrimit praktik, i cili zë 70% të pikëve, dhe mesatares së shkollës së mesme me 30%.

Rektori i Universitetit të Sporteve, prof. dr. Agron Kasa, tha për RTSH se, interesimi i studentëve për degët e universitetit ka qenë i lartë dhe se çdo vit kuotat janë plotësuar, pa njohur krizë regjistrimesh.

“Kemi një rritje rreth 37% të studentëve që kanë konkurruar. Universiteti i Sportit vazhdon akoma të jetë në preferencat e studentëve që vijnë nga shkollat e mesme për herë të parë në universitet”, thotë Kasa.

Degët më të kërkuara në Universitetin e Sporteve mbeten “Mësues për edukimin fizik” dhe “Rekreacioni”, i cili përgatit guida turistike dhe trajnerë fitnesi.

“Studentët, kandidatët e rinj, janë bërë të mençur. E para, ata shkojnë në ato degë ku vendi i punës është thuajse i garantuar; dhe e dyta, është më i paguar”, shton Kasa.

Rektori theksoi gjithashtu që miti se “Universiteti i Sporteve është vetëm për meshkuj” është rrëzuar prej vitesh, pasi gjithnjë e më shumë vajza po konkurrojnë dhe regjistrohen në programet e ndryshme.

“Kemi pasur çdo vit një numër shumë të madh të vajzave dhe kjo na ka lumturuar tej mase”, shprehet rektori i UST-së.

Për vitin akademik 2025–2026, kuotat e studimit në ciklin Bachelor janë: Fakulteti i Shkencave të Lëvizjes – 195 kuota, për programin “Shkencat e Lëvizjes”. Fakulteti i Veprimtarisë Fizike dhe Rekreacionit – 195 kuota, për programin “Fushat e veprimtarisë fizike, shëndetit dhe të rekreacionit”. Fakulteti i Shkencave të Rehabilitimit – 130 kuota, për programin “Shkenca të rehabilitimit”

Me përfundimin e konkurseve, Universiteti i Sporteve të Tiranës pritet të shpallë fituesit, duke ruajtur traditën e plotësimit të kuotave dhe interesit të lartë për studimet në fushën e sportit dhe shëndetit. /RTSH/

The post Rritet interesi i të rinjve, Universiteti i Sporteve mbyll konkurset e pranimit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Asllani lë Interin, gati huazimi tek Torino

TIRANË, 21 gusht /ATSH/ Mesfushori i Kombëtares shqiptare, Kristjan Asllani ka përzgjedhur skuadrën e Torinos si klubin e tij të ardhshëm.

Asllani lë kështu zikaltërit e Interit, duke kaluar në një huazim 1,5 milionë euro, me të drejtë blerje për 12 milionë euro tek Torino.

Mesfushori shqiptar zgjodhi të ardhmen e tij, duke realizuar kushtin kryesor, atë të qëndrimit në Serie A italiane. Vullneti i lojtarit u plotësua nga Torino, me 23-vjeçarin që i ka thënë “Po” klubit torinez dhe marrëveshja është praktikisht e mbyllur.

Interi do të provojë të mbyllë sa më shpejt negociatat me klubin “granata”, për të evituar të papritura.

Më parë zikaltërit kishin arritur marrëveshjen me Betisin për shitjen e Asllanit, por mesfushori shqiptar nuk dëshironte të largohej nga Italia. Më pas ishte mesfushori ai që refuzoi transferimin te Bologna për 10 milionë euro, plus 40 përqind të vlerës në rast të rishitjes.

Problem në atë rast ishte rroga, me 300 mijë euro diferencë mes kërkesës dhe ofertës. Nga situata e krijuar përfitoi Torino, që do ta huazojë kuqeziun për 1,5 milionë euro dhe ka të drejtën e blerjes përfundimtare për 12 milionë euro.

Asllani zgjodhi projektin e Torinos, aty ku luan edhe Ardian Ismajli dhe zyrtarizimi është çështje orësh.

/gj.m//a.f/

The post Asllani lë Interin, gati huazimi tek Torino appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Azerbajxhani, partner i rëndësishëm për KOKSH dhe sportin shqiptar

TIRANË, 21 gusht /ATSH/ Azerbajxhani do të jetë një partner i rëndësishëm për Komitetin Olimpik Kombëtar dhe për sportin shqiptar.

Gjatë vizitës së tij në Baku të Azerbajxhanit, presidenti i KOKSH, Fidel Ylli, i shoqëruar nga presidenti i Federatës Europiane të Peshëngritjes, Astrit Hasani dhe anëtari i Bordit të KOKSH dhe presidenti i Federatës së Gjimnastikës, Leonard Lulaj, pati në sërë takimesh të rëndësishme me drejtuesit e federatave të Azerbajxhanit.

Ylli u prit në takime të veçanta nga sekretarja e përgjithshme e Federatës së Gjimnastikës, Fatima Shafizada, nga sekretari i përgjithshëm i Mundjes, Nasimi Musayev, si edhe nga zv/presidenti i Federatës së Xhudos, Rashad Rasullu.

Në këto takime të zhvilluara në qendrat sportive kombëtare, është diskutuar për një bashkëpunim më të ngushtë mes federatave respektive, në kualifikimin e trajnerëve, shkëmbime eksperiencash, si edhe mundësinë e kampeve stërvitore për ekipet dhe sportistët shqiptarë në Azerbajxhan.

Brenda këtij viti një delegacion i kryesuar nga ministri i Rinisë dhe Sporteve, Farid Gayibov, zv.presidenti i Komitetit Olimpik, Çingiz Huseynzade, si edhe edhe drejtuesit e federatave të mundjes, peshëngritjes, qitjes, gjimnastikës, boksit, taekwondo-së do të zhvillojnë një vizitë pune në Tiranë, ku do të firmoset edhe memorandumi i bashkëpunimit mes dy Komiteteve Olimpike.

/gj.m/r.e//a.f/

The post Azerbajxhani, partner i rëndësishëm për KOKSH dhe sportin shqiptar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ambiente tërësisht të transformuara për nxënësit e shkollës “Meleq Gosnishti” në Përmet

TIRANË, 21 gusht /ATSH/ Shkolla 9-vjeçare “Meleq Gosnishti” në Përmet, e transformuar tërësisht, do të hapë dyert në shtator për nxënësit e saj.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, njëherësh drejtuese politike e Partisë Socialiste në qarkun e Gjirokastrës, Mirela Kumbaro ndau sot në rrjetet sociale foto nga kjo shkollë.

“Shtatori po afron dhe nxënësit përmetarë të shkollës “Meleq Gosnishti” do të gjejnë ambiente tërësisht të transformuara, klasa moderne dhe kushte dinjitoze për ta dhe për mësuesit falë investimit të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Bashkisë Përmet”, shkroi Kumbaro.

Kjo shkollë, e ndodhur në një zonat më piktoreske të qytetit, do të jetë edhe një qendër komunitare, e cila mund të përdoret për aktivitete të ndryshme pas orarit mësimor.

Me buxhetin e vitit 2025 do të ndërtohen ose rikonstruktohen rreth 70-80 objekte arsimore të arsimit bazë, me rreth 1000-1200 klasa/laboratorë, ku do të përfitojnë rreth 20 000-25 000 nxënës dhe 1500-2000 punonjës mësimorë.

Në të gjithë vendin vijojnë përgatitjet që shkollat të jenë gati për vitin e ri shkollor 2025-2026.

/gj.m/r.e//a.f/

The post Ambiente tërësisht të transformuara për nxënësit e shkollës “Meleq Gosnishti” në Përmet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ambasada holandeze marrëveshje për fuqizimin e KLSH kundër pastrimit të parave

TIRANË, 21 gusht /ATSH/ Ambasada e Holandës në Shqipëri, si pjesë e programit “Matra” ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me Institutin për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM).

Ky projekt i ri do të përqendrohet në rolin e Institucionit të Auditimit të Lartë të Shqipërisë (KLSH), në përmirësimin e përpjekjeve kundër pastrimit të parave, bën të ditur ambasada holandeze.

Qëllimi i projektit është të rrisë mbikëqyrjen publike të sistemit të Shqipërisë kundër pastrimit të parave, duke e vendosur KLSH-në si një mbikëqyrës proaktiv dhe të pavarur që promovon transparencën, koordinimin dhe angazhimin nga shoqëria civile.

Përveç kësaj, projekti do t’i ofrojë KLSH-së një metodologji të specializuar të auditimit, duke mundësuar koordinim të bazuar në prova me partnerët ndërqeveritarë, shoqërinë civile dhe sektorin privat.

/gj.m//a.f//r.e/

The post Ambasada holandeze marrëveshje për fuqizimin e KLSH kundër pastrimit të parave appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zhupa: Të evidentohen dëmet nga zjarret në objektet e kultit

TIRANË, 21 gusht /ATSH/ Deputetja e Partisë Demokratike, kryetare e komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, Ina Zhupa deklaroi sot se, objektet e kultit, pjesë e trashëgimisë kulturore që u dogjën nga zjarret nuk mund të lihen në harresë dhe të dëmtuara”.

Zhupa u shpreh në një postim në rrjetet sociale se, “gjatë zjarreve të cilat sollën dëme të jashtëzakonshme u dogjën dhe 4 objekte kulti dhe pjesë e trashëgimisë kulturore historike shqiptare. Konkretisht: Kisha e Senicës në Delvinë. Kisha e Leftehorit në Delvinë. Teqeja e Shemberdhenjes në Gramsh dhe kisha në Lekel në Tepelenë”.

“Evidentimi i këtyre dëmeve nuk mund të jetë punë rutinore e bashkive, por është detyrë e MEKI, Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Ministri Blendi Gonxhe, përgjegjës dhe për kulturën, duhet pa vonesa të marr përgjegjësitë që i takojnë ministrisë së tij në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, dhe në bashkërendim me komunitetet fetare të ngrejë një grup ekspertësh, inxhinieresh, përfaqësues të komunitetit fetar që bëjnë një inspektim të plotë për të dokumentuar dëmet dhe për të përcaktuar masat e nevojshme për restaurim”, theksoi Zhupa.

Po ashtu, shtoi deputetja, “duhet të merren masa të menjëhershme për të parandaluar dëmtime të mëtejshme, si mbrojtja nga lagështira apo rënia e pjesëve të mbetura”.

Zhupa nënvizoi se, “shteti shqiptar duhet të sigurojë fonde të plota vetëm ose në bashkëpunim me donator për restaurimin e këtyre objekteve të kultit dhe trashëgimisë. Restaurimi duhet të bëhet nga specialistë të licencuar në fushën e monumenteve historike”.

“Kjo është kujdesje e domosdoshme për besimtarët, për identitetin kulturor shqiptar, për trashëgiminë, për turizmin kulturor dhe për vetë zonat e prekura të cilat duhet rikthehen siç kanë qenë”, shtoi Zhupa.

Deputetja theksoi se, “kjo do të jetë nga çështjet prioritare të kulturës për të cilat do të kërkoj dëgjesa si kryetare e komisionit parlamentar përgjegjës për kulturën”.

1 nga 3

/gj.m/r.e//a.f/

The post Zhupa: Të evidentohen dëmet nga zjarret në objektet e kultit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Superliga nis të premten me sfidën Vllaznia – Egnatia, java e parë mbyllet të dielën

TIRANË, 21 gusht /ATSH/ Java e parë e sezonit 2025-2026 të “Abissnet Superiore” do të nisë të premten dhe do të përfundojë të dielën.

Sfida hapëse e kampionatit, Vllaznia – Egnatia, do të zhvillohet të premten në stadiumin “Loro Boriçi”, në orën 20:00, ku do të organizohet edhe ceremonia zyrtare e hapjes së kampionatit.

Të shtunën janë programuar dy ndeshje të tjera. Bylis – Tirana do të luhet në orën 17:00, në stadiumin “Adush Muça” të Ballshit, ndërsa në mbrëmje, në orën 20:00, në stadiumin “Elbasan Arena”, do të zhvillohet takimi AF Elbasani – Flamurtari.

Java e parë do të mbyllet të dielën me sfidën Partizani – Vora, që do të luhet në orën 20:00, në stadiumin “Arena e Demave”.

Sakaq, ndeshja Teuta – Dinamo City është shtyrë për t’u zhvilluar më 5 shtator, në orën 17:00, në stadiumin “Niko Dovana”, për shkak të angazhimit të Dinamo City në fazën play-off të UEFA Conference League.

/gj.m/r.e//a.f/

The post Superliga nis të premten me sfidën Vllaznia – Egnatia, java e parë mbyllet të dielën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌