Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Rama: “Male të Pastra”, traditë e përvitshme për pastrimin e 10 parqeve kombëtare

TIRANË, 28 gusht/ATSH/ Nisma “Male të Pastra” angazhoi qindra vullnetarë në aksione pastrimi në parqet kombëtare të Dajtit, Tomorit, Llogorasë, Qafështamës, Zagorisë, Prespës, Shebenikut, Korab-Koritnikut si dhe në Alpet Shqiptare.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale momente nga aksioni i pastrimit në Parkun e Qafështamës.

“Momente të një ndër nismave të bukura siç është ‘Male të Pastra’, e kthyer tashmë në traditë të përvitshme nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura dhe qindra vullnetarë të dedikuar për pastrimin e 10 parqeve kombëtare e natyrore në Shqipëri”, u shpreh Rama.

Nisma “Male të Pastra” u organizua këtë vit në 26 gusht. Kjo nismë synon sensibilizimin për ruajtjen e ekosistemeve malore dhe mbajtjen pastër të tyre.

Me këtë rast, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura ka ndërmarrë një seri aksionesh pastrimi në zonat e mbrojtura, si parqet kombëtare apo natyrore.

/m.m/j.p/

The post Rama: “Male të Pastra”, traditë e përvitshme për pastrimin e 10 parqeve kombëtare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Sula: Rikuperimi i trupave të të zhdukurve të komunizmit, mundësi për të bërë paqe me të shkuarën

TIRANË, 28 gusht/ATSH/ Autoriteti i Dosjeve, në bashkëpunim me Universitetin “Luigj Gurakuqi” Shkodër, mbajti sot, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur (30 gusht),  simpoziumin me temë: “Kufiri i Shpresës dhe i Vdekjes, 1944–1991. Shkodra përballë së kaluarës.”

Pjesëmarrës në këtë aktivitet ishin kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, ambasadori i Bashkimit Europian Silvio Gonzato si dhe ambasadori i OSBE-së, Michel Tarran, dy institucione që prej vitit 2017 bashkëpunojnë ngushtë me Autoritetin për trajtimin e çështjes së personave të zhdukur gjatë regjimit komunist në Shqipëri.

Të pranishëm ishin gjithashtu deputetja Greta Bardeli, përfaqësues të institucioneve publike, përfaqësues të komuniteteve fetare, të afërm të viktimave dhe të mbijetuar.

Ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato, u shpreh se ballafaqimi me të shkuarën është një domosdoshmëri, jo një opsion.

“Përballja me vrasjet në kufi dhe fenomenin e zhdukjes është çështje dinjiteti njerëzor. Demokracia është e fortë vetëm kur drejtësia tranzitore zbatohet. Qyteti i Shkodrës duhet të kthehet në një vend kujtese, me muze dhe hapësira përkujtimore”, shtoi ai.

Gonzato përcolli edhe shqetësimin e shumë ish-të përndjekurve që ende presin kompensimet, duke theksuar se ky proces nuk mund të shtyhet pafund. Ambasadori përmendi gjithashtu bashkëpunimin me ICMP për hartimin e protokolleve të kërkimit të personave të zhdukur.

Kryetarja e Autoritetit, Gentiana Sula, pranoi vonesat në ecurinë e procesit për rikuperimin e trupave të të zhdukurve gjatë regjimit komunist.

“Deri tani janë bërë hapa administrativë, por qetësia për familjet që ende nuk kanë një varr për të afërmin do të vijë vetëm kur të nisin gërmimet e para. Një Shqipëri që i gjen bijtë e vet është një Shqipëri më e mirë. Të vdekurit dhe ata që kanë vuajtur kërkojnë llogaridhënie historike; për të gjallët, kjo është një mundësi për të bërë paqe me të shkuarën; dhe për të rinjtë, për të mbyllur plagët që u janë trashëguar brez pas brezi”, tha ajo.

Rektori i Universitetit, Tonin Gjuraj, theksoi rolin e studimit shkencor. “Detyra jonë është të hulumtojmë mbi dokumentet, të analizojmë dëshmitë dhe ta kthejmë këtë njohje në pjesë të ndërgjegjes kombëtare e të edukimit universitar. Kujtesa nuk duhet të mbetet e ngujuar në dhimbje, por të kthehet në një proces të vazhdueshëm kërkimi, mësimi dhe reflektimi. Harrimi është një formë e dytë e vdekjes dhe ne nuk duhet ta lejojmë atë”, shtoi ai.

Në vijim, u prezantua edhe projekti artistik për ngritjen e Memorialit “Muri i Gjakut” në Shkodër, ide e deputetes Greta Bardeli, që do të shërbejë si hapësirë reflektimi dhe nderimi për viktimat e komunizmit.

Simpoziumi vijoi me prezantimet e 13 studiuesve nga trupa akademike e Universitetit të Shkodrës, institucione të tjera shkencore dhe studiues të pavarur. Kumtesat adresuan temat: si vrasjet në kufi dhe dhimbja e familjeve, mungesa e drejtësisë dhe rikthimi i së vërtetës historike, qëndresa e grave malësore përballë terrorit ,mekanizmat e kontrollit dhe dhunës shtetërore, arratisjet e intelektualëve dhe klerit, trauma ndërbreznore dhe pasojat e saj.

Në hyrje të simpoziumit, AIDSSH organizoi një ekspozitë me dokumente arkivore të krijuara nga Dega e Punëve të Brendshme, e cila hedh dritë mbi mënyrën se si regjimi ngriti një rrjet kontrolli, frike dhe ndëshkimi mbi qytetarët.

Në mbi 6 mijë faqe dokumentesh të ekspozuara dëshmohen fatet e mijëra individëve, institucioneve dhe vetë qytetit të Shkodrës, që për dekada u mbajt nën një kontroll të hekurt.

Nga dokumentet dhe dëshmitë u evidentuan kalimet e ndaluara në kufirin verior (Liqeni i Shkodrës, Buna, Hani i Hotit), ku për dekada u zhvilluan tragjedi njerëzore: qindra burra, gra dhe të rinj humbën jetën; të tjerë u arrestuan, u internuan apo u zhdukën pa gjurmë.

Në këtë simpozium u përkujtuan edhe viktimat e fundit të vrara në kufi në vitin 1990, mes tyre: Elez Kraja (29 vjeç), Dhurata Sokoli (24 vjeçe), Vat Beci (25 vjeç), Nini Hoti (25 vjeç), Pëllumb Pellumbi (17 vjeç), Osman Xhakolli (23 vjeç) dhe tragjikisht Anisa Gruda, vetëm 5 vjeçe, e vrarë në Shirokë, ndërsa arratisej me familjen e saj.

Ky simpozium e vendos Shkodrën në qendër të kujtesës historike, duke i dhënë një zë viktimave dhe një thirrje shoqërisë, të mos harrojmë dhe të mos përsërisim kurrë më krimet e së shkuarës.

/m.m/j.p/

The post Sula: Rikuperimi i trupave të të zhdukurve të komunizmit, mundësi për të bërë paqe me të shkuarën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

IKMT prish 41 objekte të paligjshme në Kepin e Rodonit

TIRANË, 28 gusht/ATSH/ Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit po vijon aksionin për shembjen e objekteve pa leje në zonën e Kepit të Rodonit në Durrës.

Gjatë ditës së sotme janë prishur 19 ndërtime të paligjshme, duke çuar në 41 objekte të shembura.

IKMT njofton se puna në terren po vazhdon në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, për pastrimin e plotë të territorit dhe mbrojtjen e vijës bregdetare.

Aksioni i prishjes së ndërtimeve pa leje përgjatë gjithë vijës bregdetare po vijon me synimin e rikthimit të hapësirave publike dhe mbrojtjen e territorit.

IKMT shpreh angazhimin për të vepruar me transparencë, duke siguruar që hapësirat publike t’u rikthehen qytetarëve.

/m.m/j.p/

The post IKMT prish 41 objekte të paligjshme në Kepin e Rodonit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ngrehinë pa leje mes dy pallateve, Rama: Gjykatësi Ligoraq s’mbajti anën e komunitetit të zënë në kurth

TIRANË, 28 gusht/ATSH/ Kryeministri Edi Rama reagoi sërish sot për një tjetër vendim të marrë nga gjykata në favor të një ndërtimi pa leje në Tiranë.

Në një reagim në rrjetet sociale, Rama u shpreh se gjyqtari Ligoraq Toshi “nuk e ka parë të udhës që të mbajë anën e komunitetit të zënë në kurth nga ky ndërtim pa leje”.

Kryeministri theksoi se edhe ky gjykatës do t’i bashkohet dosjes që Ministria e Drejtësisë do t’i përcjellë organeve të kontrollit e të vetëqeverisjes së gjyqësorit, ndërsa kërkoi që ankimimeve në këto organe t’u bashkohen edhe qytetarët e dëmtuar.

Rama iu përgjigj edhe atyre që e konsiderojnë këtë “presion mbi gjyqësorin”, ndërsa siguroi se “nuk do të heshtim më, as do të ndalemi së adresuari rastet e shpërdorimit në organet përkatëse të cilat Kushtetuta e ligji i ngarkojnë edhe me mbrojtjen e interesave të popullit e të shtetit”.

Po ashtu Rama konfirmoi qëndrimin  e palëkundur në mbështetje të drejtësisë dhe institucioneve të saj, në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe lirive e të drejtave të njerëzve.

Më poshtë reagimi i plotë i kryeministrit Rama: 

Gjykatësi Ligoraq vendosi në pak minuta pa praninë e palëve, që të mos hapet kalimi i mbyllur nga kjo ngrehinë pa leje me kupolë xhami mes dy pallateve, nën të cilën shtrihet një dyqan ku bëhet tregti në kurriz të komunitetit.

Gjykatësi Ligoraq nuk e ka parë të udhës që të mbajë anën e komunitetit të zënë në kurth nga ky ndërtim pa leje dhe me siguri as nuk e ka menduar që mos o Zot, në rast zjarri ky dyqan kthehet në barrikadë vrastare, e pakapërcyeshme edhe për banorët edhe për zjarrfikësit.

Gjykatësi Ligoraq i bashkohet kësisoj prokurores Gjeli, gjykatësve Balliu e Demiri, në dosjen që Ministria e Drejtësisë do t’i përcjellë organeve të kontrollit e të vetëqeverisjes së gjyqësorit, ndërkohë që ne do të kërkojmë që ankimimeve në këto organe t’u bashkohen edhe qytetarët e dëmtuar nga këto masa sigurie absurde, në dëm të komunitetit, mjedisit dhe rendit ligjor.

Post Scriptum. Atyre që komentojnë apo bëjnë deklarata publike për gjasme presion nga ana ime mbi gjyqësorin, u them se për të mbrojtur interesin publik, të drejtën e komunitetit dhe të drejtat e liritë e njerëzve nga shpërdoruesit e detyrës në radhët e gjyqësorit, ne as do të heshtim më, as do të ndalemi së adresuari rastet e shpërdorimit në organet përkatëse të cilat Kushtetuta e ligji i ngarkojnë edhe me mbrojtjen e interesave të popullit e të shtetit, nga prokurorë e gjykatës të paaftë, të papërgjegjshëm, të dyja bashkë apo edhe më keq, pa atdhe fare.

Por askush të mos ngatërrojë qëndrimin ndaj këtyre individëve, me qëndrimin tonë të palëkundur në mbështetje të drejtësisë dhe institucioneve të saj, në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe lirive e të drejtave të njerëzve”.

/m.m/

The post Ngrehinë pa leje mes dy pallateve, Rama: Gjykatësi Ligoraq s’mbajti anën e komunitetit të zënë në kurth appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Përmirësim inkurajues i pastrimit të territorit, ende disa zona problematike

TIRANË, 28 gusht/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama në prezantimin e Reformës së Trajtimit të Integruar të Mbetjeve, gjatë ditës së sotme solli fillimisht në vëmendje situatën e menaxhimit të mbetjeve dhe pastrimit të territorit gjatë këtij sezoni turistik.

Kryeministri u shpreh se “sërish, si në çdo sezon u përballëm me sfidën e madhe të përballimit të rritjes shumë domethënëse të sasisë të mbetjeve, për shkak të numrit të shtuar të vizitorëve e turistëve”.

“Sidoqoftë dua të them se kemi parë edhe këtë vit përmirësim të ndjeshëm në pjesën dërrmuese të territoreve, të ndikuara nga rritja e volumit të vizitorëve e turistëve dhe nga rritja e madhe e volumit të mbetjeve”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh se “patjetër që ka pasur disa probleme, por edhe këtë vit duke filluar nga Bashkia e Lezhës e cila vazhdon të prijë me forcën e shembullit në pastërti, duke vazhduar me Shkodrën, Durrësin, Himarën e më tutje, gjërat kanë shkuar më mirë se sa vitin e shkuar”.

Në këtë drejtim, kryeministri nënvizoi se ka një përmirësim inkurajues, por nga ana tjetër problem mbetet mungesa e uniformitetit në këtë drejtim, pasi ka përgjatë vijës bregdetare disa zona problematike.

“Ndërkohë ne duhet të vazhdojmë me një ritëm edhe më të lartë për sa i përket reformave edhe masave ligjore edhe në funksion të ambicies e të objektivit prioritar kombëtar për anëtarësimin në Bashkimin Europian në fund të kësaj dekade, por duke filluar nga mbyllja e negociatave për anëtarësim në fund të vitit 2027, sikundër është rënë dakord në parim me Komisionin Europian”, tha Rama. /j.p/

 

The post Rama: Përmirësim inkurajues i pastrimit të territorit, ende disa zona problematike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Operator Kombëtar i Trajtimit të Mbetjeve, kapitulli më sfidues i negociatave

TIRANË, 28 gusht/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama paralajmëroi sot krijimin e Operatorit Kombëtar të Trajtimit të Mbetjeve, ku do të jetë i përqendruar i gjithë procesi i  trajtimit të mbetjeve.

Kjo agjenci do të krijohet në kuadër të paketës së re të menaxhimit të integruar të mbetjeve.

Në prezantimin e Reformës së Trajtimit të Integruar të Mbetjeve, Rama u shpreh se krijimi i këtij operatori parashikohet në projektligjin e ri për menaxhimin e integruar të mbetjeve.

“Një agjenci, institucion, ndërmarrje e re, e cila do të jetë në dispozicion të gjithë Republikës, të pushtetit vendor, qytetarëve dhe të këtij misioni për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian”, tha Rama.

Sipas tij, i gjithë procesi i trajtimit të mbetjeve do të përqendrohet te ky operator.

“Grumbullimi dhe trajtimi i mbetjeve nuk do të jetë më një proces i administruar nga bashkitë, por do të jetë një proces i administruar nga ky operator kombëtar në bashkëpunim me të gjitha hallkat e tjera të qeverisjes dhe në raport me të cilin bashkitë do të jenë klientë njësoj siç janë klientë të operatorëve të tjerë për të tjera shërbime”, theksoi Rama.

Rama kërkoi që të gjithë pa përjashtim në të gjitha nivelet dhe të gjithë territorin që kanë një funksion publik si të zgjedhur apo nëpunës të këtij shteti të lidhur me të gjitha çështjet e mjedisit, të vetëdijësohen se ky është kapitulli më sfidues i negociatave dhe ky është aspekti më sfidues i anëtarësimit tonë në BE.

“E them me keqardhje që ndërkohë që kemi vënë re me kënaqësi një përmirësim të mëtejshëm të gjithë proceseve të pastrimit, nuk vëmë re as ndonjë vetëdijësim më domethënës nga ana e qytetarëve në raport me mbajtjen pastër të territorit dhe nuk vëmë re për fat të keq përmirësime domethënëse as në trajtimin e mbetjeve”, shtoi kryeministri.

1 nga 5

/j.p/

The post Rama: Operator Kombëtar i Trajtimit të Mbetjeve, kapitulli më sfidues i negociatave appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Konsultim publik për projektligjin, rregulla të reja për kontrollet për sigurinë ushqimore

TIRANË, 27 gusht/ATSH/ Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka hedhur për konsultim publik projektligjin “Për kontrollet zyrtare”.

MBZHR fton qytetarë, ekspertë të fushës, shoqata dhe përfaqësues të tjerë të publikut të interesuar për të kontribuar përgjatë procesit të konsultimit publik.

Në këtë drejtim, MBZHR siguron se qëllimi i këtij ligji është të garantojë një nivel të lartë të mbrojtjes së shëndetit të njerëzve, kafshëve dhe bimëve në Republikën e Shqipërisë, përmes përcaktimit të rregullave të përgjithshme dhe të veçanta.

Po ashtu synohet vendosja e parimeve dhe kërkesave për kontrollet dhe aktivitetet zyrtare, si dhe rregullimi i përgjegjësive, financimit dhe procedurave për kryerjen e kontrolleve zyrtare.

Projektligji përcakton në mënyrë të detajuar mënyrën e re të kontrollit të sigurisë ushqimore, nga produktet bimore e deri te nënproduktet shtazore, me qëllim “ushqime më të sigurta” për konsumatorët por edhe për kafshët.

“Institucioni i Kontrollit Zyrtar” do të mbikëqyrë subjektet që operojnë në vend, me një shtrirje të gjerë, nga bujqësia në blegtori. “Institucioni i Kontrollit Kufitar” do të funksionojë vetëm në pikat kufitare. Ndërsa institucioni i “Aktiviteteve të tjera” do të mbulojë aspektet e mbetura, në fushën e sigurisë ushqimore.

Projektligji i ri parashikon që kontrollet të kryhen vetëm me bazë risku. “IPKZ kryen rregullisht kontrolle zyrtare në të gjithë operatorët, mbi bazë të riskut dhe me frekuencën të përshtatshme, duke marrë parasysh risqet e identifikuara që lidhen me kafshët dhe mallrat; aktivitetet nën kontrollin e operatorëve; vendndodhjen e aktiviteteve ose veprimtarisë të operatorëve; përdorimin e produkteve, proceseve, materialeve ose substancave që mund të ndikojnë në sigurinë e ushqimit, integritetin dhe cilësinë e ushqimit, ose sigurinë e ushqimit për kafshë, shëndetin ose mirëqenien e kafshëve, shëndetin e bimëve ose, në rastin e OMGJ-ve dhe produkteve për mbrojtjen e bimëve, që mund të kenë gjithashtu një ndikim negativ në mjedis”, thuhet në projektligj.

Për të bërë kontrolle në subjekte, projektligji parashikon se duhet të ketë rreziqe të identifikuara më parë sa i takon cenimit të sigurisë ushqimore, të ketë informacione për mundësinë e mashtrimit të konsumatorëve, si dhe duke u bazuar në historikun e të dhënave të operatorëve në lidhje me rezultatet e kontrolleve zyrtare të kryera ndaj tyre.

“Kontrollet zyrtare kryhen pa njoftim paraprak, përveç rasteve kur njoftimi paraprak është i nevojshëm dhe i justifikuar. Në kontrollet zyrtare me kërkesë të operatorit, autoriteti kompetent mund të vendosë nëse kontrolli zyrtar kryhet me ose pa njoftim paraprak”, thuhet në projektligj.

Kontrollet duhet të bëhen para se produktet të hidhen në treg, apo në rastin e bagëtive parashikohen analiza përpara se të shkojë në thertore. Po kështu saktësohet se pjesë e kontrolleve do të jenë edhe produktet që vijnë nga importi apo ato që eksportohen në pikat e kontrollit kufitar, këto të fundit do të miratohen me urdhër nga ministri i Bujqësisë.

Por, kontrollet për sigurinë ushqimore nuk do të jenë vetëm në dorë të shtetit. Projektligji i ri ka krijuar hapësirë për të kontraktuar edhe operatorë privatë, në mbikëqyrjen e sigurisë së ushqimeve, nga bimët deri tek kafshët.

“Trupë e deleguar” nënkupton një person juridik të veçantë të cilit autoritetet kompetente i kanë caktuar detyra të caktuara të kontrollit zyrtar ose detyra të caktuara që lidhen me aktivitete të tjera zyrtare”, thuhet më tej në projektligj.

Këto subjekte private, që do të jenë të ngarkuara me kontrollin e bizneseve bujqësore apo blegtorale duhet që të raportojnë sa herë t’u kërkohet tek autoritetet kompetente për rezultatet e kontrolleve zyrtare.

Projektligji parashikon gjoba për bizneset që abuzojnë me sigurinë ushqimore të bimëve dhe kafshëve, që shkojnë nga 100 mijë lekë deri në 2 milionë lekë (ose rreth 20 mijë euro), në rastin kur subjekti operon i paregjistruar.

Në përfundim të procesit të konsultimit publik, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural do të përmbledhë të gjitha sugjerimet dhe komentet dhe do të japë arsyet për mënyrën se si ato janë reflektuar ose jo në projekt-akt.

Konsultimi publik ka nisur në datën 19 gusht dhe do të zgjasë deri më 16 shtator 2025.

/m.m/j.p/

The post Konsultim publik për projektligjin, rregulla të reja për kontrollet për sigurinë ushqimore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

IKMT vijon prishjen e ndërtimeve pa leje në Kepin e Rodonit

TIRANË, 27 gusht/ATSH/ Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) po vijon prishjen e ndërtimeve pa leje përgjatë vijës bregdetare të Kepit të Rodonit, në Durrës.

Në aksionin e nisur prej disa ditësh, IKMT ka shembur disa objekte të paligjshme duke vijuar aksionin për pastrimin nga ndërtimet pa leje të zonës së mbrojtur.

Në fillim të këtij aksioni në zonën e Kepit të Rodonit ishin evidentuar 66 ndërtime pa leje, ndërkohë që puna në terren po vazhdon.

Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) po vijon aksionin e prishjes së ndërtimeve pa leje përgjatë gjithë vijës bregdetare, me synim rikthimin e hapësirave publike dhe mbrojtjen e territorit.

IKMT shpreh angazhimin për të vepruar me transparencë, duke siguruar që hapësirat publike t’u rikthehen qytetarëve./m.m/j.p/

The post IKMT vijon prishjen e ndërtimeve pa leje në Kepin e Rodonit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Rritje e sigurisë rrugore në prag të vitit të ri shkollor

TIRANË, 27 gusht/ATSH/ Rritja e parametrave të sigurisë rrugore pranë shkollave si dhe sensibilizimi për respektimin e rregullave të qarkullimit rrugor mbeten në fokus të autoriteteve shtetërore.

Për këtë arsye, në prag të fillimit të vitit të ri shkollor po plotësohet sinjalistika rrugore sidomos në rrugët pranë shkollave.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale foto të rrugëve pranë institucioneve arsimore, ku po kryhen ndërhyrjet e nevojshme për plotësimin e sinjalistikës rrugore.

“Në prag të fillimit të vitit të ri shkollor, paralelisht me përgatitjet e tjera të materialeve mësimore po bëhen edhe ndërhyrjet e nevojshme për rritjen e sigurisë rrugore, (vijat e bardha, semaforë, mbikalime etj.) pranë të gjitha shkollave që janë anës rrugës dhe ku fëmijët kalojnë çdo ditë për të ndjekur orët mësimore”, u shpreh Rama.

Policia Rrugore ka simuluar në vijimësi situata rrugore me nxënësit për t’i edukuar mbi sjelljen e sigurt në rrugë‍ dhe për mënyrën e reagimit në raste emergjente.

Aktivitetet synojnë ndërgjegjësimin dhe sensibilizimin e nxënësve për rëndësinë e respektimit të rregullave të qarkullimit me qëllim parandalimin e aksidenteve.

/m.m/

The post Rama: Rritje e sigurisë rrugore në prag të vitit të ri shkollor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ishte larguar nga familja, Policia e Lezhës gjen të miturën në Shëngjin

TIRANË, 27 gusht/ATSH/ Punonjësit e Policisë së Rendit në Shëngjin u angazhuan sot në gjetjen e një vajze 7-vjeçare që ishte larguar nga prindërit, në plazhin e Shëngjinit.

Salla Operative e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë u njoftua nga një familje pushuesish nga Kosova, se vajza e tyre e mitur ishte larguar dhe nuk po e gjenin dot.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë së Rendit në zonën e plazhit në Shëngjin u angazhuan në kërkime intensive në terren.

Falë reagimit të shpejtë dhe profesional, punonjësit e Policisë bënë të mundur lokalizimin e vajzës, e cila gëzonte shëndet të plotë, dhe ia dorëzuan familjes.

Prindërit e vajzës kanë falënderuar shërbimet e Policisë për reagimin e shpejtë dhe profesional, që bëri të mundur gjetjen e të miturës.

Policia e Shtetit u bën apel pushuesve që të tregojnë kujdes për fëmijët.

/m.m/j.p/

The post Ishte larguar nga familja, Policia e Lezhës gjen të miturën në Shëngjin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Disa gjyqtarë vendime në favor të zjarrvënësve, i nxjerrim përpara përgjegjësisë publike dhe institucionale

TIRANË, 27 gusht/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama reagoi sot ndaj gjyqtarëve që marrin vendime në favor të zjarrvënësve.

Gjatë ceremonisë së Mirënjohjes Kombëtare ku u ndanë medalje dhe shpërblime për të gjitha forcat e angazhuara në operacionet e shpëtimit ndaj zjarreve, Rama u shpreh se “duart e mendjeve kriminale, fatkeqësisht gjejnë jo rrallë aleatë në radhët e gjykatësve të këtij vendi”.

“Kronika e zjarreve mund të vazhdojë të rrëfehet gjatë, aq më tepër që ende nuk ka përfunduar së shkruari dhe rreth 10 mijë forca mbeten të gatshme kundër përbindëshit të flakëve që rritet çdo vit fatkeqësisht duke u ushqyer rreth e rrotull Mesdheut, sidomos në temperaturat në kapërcime të vazhdueshme historike, por që mbin nga duart e mendjeve kriminale të cilat fatkeqësisht gjejnë jo rrallë aleatë në radhët e gjykatëseve të këtij vendi”, theksoi Rama.

Kryeministri theksoi se i ka kërkuar Ministrit të Drejtësisë t’ia përcjellë organeve të qeverisjes së gjyqësorit këto raste, të cilat nuk janë shumë por janë mjaft për të vënë duart në kokë.

“Teksa mijëra njerëz me uniformë në këtë vend derdhin pa kursim energjitë e tyre në një përkushtim që shkon deri në vetëmohim, shpesh në një luftë sfilitëse me zjarret dhe megjithatë mijëra hektarë pasuri pyjore e krijuar në qindra vjet përpihet nga goja e përbindshme e flakëve, disa persona, të cilëve nuk u dihen emrat, nuk u njihet fytyra, me një ndjeshmëri njerëzore zero, me një integritet moral dhe profesional zero me xhufkë, me ajër të kondicionuar mbuluar me tyrben e zezë të gjykatësit, i përqeshin të gjitha sakrificat dhe i shkelin me të katër këmbët e tyre të gjitha interesat e vendit dhe publikut duke dhënë vendime të ‘ububushme’ jo në mbrojtje të republikës, por në favor të zjarrvënësve”, tha Rama.

Kryeministri siguroi se “as nuk do të heshtim dhe as nuk do të lëmë gur të shtratit ligjor të kësaj republike pa luajtur, për të vendosur përpara përgjegjësisë publike dhe institucionale çdo prokuror apo gjykatës që do të sulmojë haptazi shtetin dhe interesin publik, në proceset gjyqësore me zjarrvënës, me zaptues apo me gllabërues të të mirave dhe të pasurive publike të këtij vendi”.

Ashtu sikundër, Rama tha se “nuk do të kursejmë çdo mbështetje institucionale për prokurorët dhe gjykatësit që i shërbejnë misionit historik kombëtar të Shqipërisë 2030 në BE, duke luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe duke qëndruar drejt në mbrojtje të interesit publik dhe lirive dhe të drejtave të njerëzve të këtij vendi”. /j.p/

The post Rama: Disa gjyqtarë vendime në favor të zjarrvënësve, i nxjerrim përpara përgjegjësisë publike dhe institucionale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mirënjohje Kombëtare për trupat që u përballën me zjarret, Rama: Momente heroike që nderojnë shtetin shqiptar

TIRANË, 27 gusht/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama vlerësoi sot reagimin e të gjithë trupave të angazhuara në përballje me situatën e shkaktuar nga zjarret në vendin tonë.

Rama po merr pjesë në ceremoninë e Mirënjohjes Kombëtare të organizuar për dhënien e medaljeve dhe shpërblimeve për të gjithë forcat e angazhuara në operacionet e shpëtimit ndaj zjarreve.

Kryeministri tha se përulet me respekt për të gjithë ata që bënë betejë me zjarret.

“Jemi këtu për t’u përulur me respekt përpara jush dhe të gjithëve atyre që ju këtu përfaqësoni. Beteja e zjarrit që përfshiu territore të konsiderueshme të vendit në dy muajt e fundit ishte një kronikë e gjatë ethesh, plagësh, dhimbjesh. Një kronikë dramatike por me nota stërmundimi, përkushtimi dhe momente kulmore edhe heroizmi njerëzor që i bëjnë nder uniformave tuaja dhe falë jush nderojnë shtetin shqiptar, lartësojnë republikën tonë”, tha mes të tjerash Rama.

Kryeministri theksoi se situata ishte e tillë ku zjarret dolën jashtë kontrollit dhe i kanoseshin thuajse në mënyrë të dëshpëruara qendrave të banuara.

“Helikopterët Black Hawk furnizohen me ujë në liqene plotësisht të maskuar nga tymi. Mbi fshatin Kalasë tymi shndërrohej në një vorbull tornadoje që kërcënon të mpijë deri në paralizë vetë sistemin e fluturimit. As zogjtë nuk dilnin dot nga ai kazan zjarri dhe fluturonin bashkë me helikopterët, një pasojë që për mjetet fluturuese mund të ishte edhe fatale. Në Delvinë flakët që zbrisnin duke kërcënuar lagjet e vjetra dukeshin si regjimente demonësh që asnjë gjë nuk dukej se i zmbrapste pa i lënë të përpinin gjithçka, përfshirë edhe njerëzit”, shtoi Rama duke përshkuar situatën.

Ndërkohë, kryeministri vlerësoi se “trupat e ushtrisë dhe ato zjarrfikëse ndërmerrnin çdo iniciativë të mundshme dhe të imagjinueshme duke rrezikuar jetën me përkushtim të mahnitshëm për të shpëtuar qytetin”.

Rama përcolli edhe përjetimet e një oficeri policie, i cili sfidoi drejtpërdrejt vdekjen për të shpëtuar jo jetën e tij por jetën e të tjerëve.

“Na thanë zjarrfikësit që banorët nuk pranojnë të evakuohen. Mes tyre ishte edhe një fëmijë 10 vjeç. Mora në krah edhe një grua të moshuar, pastaj një çift të moshuarish që nuk pranonin të iknin. Gjeta një kovë të vogël me ujë, laga bluzën që të mos asfiksohem. I çoj lokacionin kolegëve, telefonat mu bllokuan nga nxehtësia. U ula dhe mendova, ishte moment tejet i vështirë. Mendova fëmijët, familjen. Kam vrapuar 100 metra për të gjetur zjarrfikësen ku e lashë dhe nuk e gjeta. Kishte shumë tym e blozë, e kam rënë pa ndjenja”, ndau Rama përjetimet e njërit prej oficerëve të policisë që u përball me flakët për të shpëtuar jetë njerëzore.

Ndërkohë, Rama theksoi se dhjetëra kilometra më larg, shumë më në veri në fshatin Plan i Bardhë në Mat, në një situatë ku i madh dhe i vogël ka humbur toruan dhe shpesh nga paniku më shumë se nga vetë flakët rrezikohet edhe jeta e të tjerëve zjarrfikësit me trimëri evakuojnë, shpëtojnë jetë të tëra, pa çarë kokën për tymin, intoksikimin, përcëllimin, etjen rraskapitjen. /j.p/

The post Mirënjohje Kombëtare për trupat që u përballën me zjarret, Rama: Momente heroike që nderojnë shtetin shqiptar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Manastirliu: Bazat e inteligjencës artificiale në kurrikulën shkollore


TIRANË, 27 gusht/ATSH/ Ky vit i ri shkollor do të sjellë një tjetër risi në arsim, ku për herë të parë nxënësit e klasës së katërt do të mësojnë bazat e inteligjencës artificiale, me kurrikulën e re të TIK, teksa vijojnë investimet për zgjerimin e rrjetit të laboratorëve inteligjentë në shkolla.

Ministrja e Arsimit dhe e Sportit, Ogerta Manastirliu ishte sot në shkollën “Isa Boletini”, në  Paskuqan, ku po vijon edhe shpërndarja e librave falas, një lehtësi për familjet në prag të fillimit të vitit të ri shkollor.

Ministrja Manastirliu u shpreh se në total janë rreth 236 mijë nxënës, të cilët mbështeten çdo vit përmes programit “Tekste falas”.

“Jemi duke punuar për shpërndarjen e teksteve falas për të gjitha nivelet e arsimit bazë por edhe për gjimnazet, ku janë rreth 12 500 nxënës të gjimnazeve. Në total janë rreth 236 mijë nxënës të cilët mbështeten përmes programit ‘Tekste falas’ çdo vit”, tha ajo.

Ministrja theksoi se përgjatë vitit 2026 do të ketë më shumë se 600 shkolla që do të pajisen me laboratorë smart, kjo me synim zhvillimin e aftësive digjitale te fëmijët.

“Prej tre vitesh ne kemi nisur një program të TIK që nga klasa e parë, por me zhvillimet teknologjike ne kemi mundur që përgjatë vitit që lamë pas, por edhe duke vijuar në këtë vit të kemi një ndjekje në kohë reale të arritjeve të nxënësve që mësojnë kodimin. Kemi mësuar rreth 35 mijë fëmijë si të kodojnë, por nga ana tjetër kemi miratuar edhe kurrikulën e re për klasat e katërta, e cila për herë të parë do të sjelli bazat e njohurive për inteligjencën artificiale”, tha Manastirliu.

(vijon)

/j.p/

 

 

The post Manastirliu: Bazat e inteligjencës artificiale në kurrikulën shkollore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mjeti lundrues pësoi defekt në Gjirin e Kakomesë, Kapiteneria e Portit Sarandë në ndihmë të turistëve

TIRANË, 26 gusht/ATSH/ Kapiteneria e Portit Sarandë iu përgjigj pasditen e sotme një kërkese për ndihmë nga një grup turistësh shqiptarë dhe të huaj, pasi mjeti i tyre lundrues pësoi defekt në motor, në Gjirin e Kakomesë.

Menjëherë u nis mjeti lundrues i Kapitenerisë, i cili bëri rimorkimin e mjetit drejt Gjirit të Limionit, duke siguruar mbërritjen e tyre të sigurt.

Kapiteneria e Portit Sarandë u bën thirrje të gjithë drejtuesve të mjeteve lundruese që të kryejnë kontrollet e nevojshme përpara nisjes, për të siguruar lundrime të qeta e të sigurta.

“Kapiteneria mbetet në dispozicion për çdo kërkesë apo nevojë të qytetarëve dhe turistëve”, thuhet në njoftimin për shtyp.

1 nga 2

/m.m/r.e/

The post Mjeti lundrues pësoi defekt në Gjirin e Kakomesë, Kapiteneria e Portit Sarandë në ndihmë të turistëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha uron kryetarin e ri të Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha

TIRANË, 26 gusht/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha i uroi sot kryetarit të zgjedhur të Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha suksese në detyrë dhe Kuvendit të Kosovës punë të mbarë.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Berisha u shpreh se pas një procedure të zgjatur disa muaj Kosova në përputhje me procedurën zgjodhi kryetarin e Kuvendit të dalë nga zgjedhjet e shkurtit 2025.

“Pas një procedure të zgjatur disa muaj Kosova në përputhje me procedurën zgjodhi kryetarin e Kuvendit të dalë nga zgjedhjet e shkurtit 2025. Me këtë rast në emër të PD i uroj Kryetarit të zgjedhur Dimal Basha suksese në detyrë dhe Kuvendit të Kosovës punë të mbarë”, u shpreh Berisha.

Kuvendi i Kosovës zgjodhi deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha për kryetar të Kuvendit.

Në përpjekjen e 58-të për konstituimin e Kuvendit, propozimi i Vetëvendosjes u miratua me 73 vota pro, 30 kundër dhe 3 abstenime.

/m.m/r.e/

The post Berisha uron kryetarin e ri të Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MM: Tetë vatra zjarri të shuara, katër aktive dhe një në monitorim

TIRANË, 26 gusht/ATSH/ Ministria e Mbrojtjes bëri të ditur se ditën e sotme janë raportuar 12 vatra zjarri, nga të cilat 8 janë shuar, 4 janë aktive dhe 1 është në monitorim.

Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile (QKOEC) në AKMC bëri të ditur se ditën e djeshme rreth orës 15:00, në fshatin Delisuf, njësia administrative Novoselë, bashkia Vlorë, është aktivizuar një vatër zjarri në një sipërfaqe pyjore me pishë dhe bimësi të përzier.

Zjarri i favorizuar nga intensiteti i erës ka marrë një shtrirje të madhe duke depërtuar në pyllin e Pishë-Poros. Me gjithë punën e bërë nga forcat në terren dhe ndërhyrja nga ajri nga helikopterët e Forcës Ajrore dhe të Emirateve të Bashkuara Arabe, zjarri mbetet aktiv. Vatra e zjarrit gjatë natës ka zgjeruar perimetër në gjatësi dhe gjerësi.

Sot në terren janë të angazhuara 3 automjete MZSH dhe 20 efektivë BMEC, 3 automjete dhe 40 efektivë të Forcave të Armatosura, ⁠3 automjete dhe 18 efektivë nga MZSH Vlorë, ⁠6 forca nga AdZM, 23 forca bashkiake, 10 forca policore. Sot operuan sërish 2 helikopterët e Emirateve të Bashkuara Arabe dhe 2 helikopterët e Forcës Ajrore.

Të gjitha forcat po punojnë për të penguar kalimin e vatrës së zjarrit në kanalin e hidrovorit.

Po ashtu dje rreth orës 16:30, në fshatin Bogovë, njësia administrative Bogovë, bashkia Skrapar, është aktivizuar një vatër zjarri në një hangar ku më pas është shpërndarë në një sipërfaqe pyjore me pishë.

Ditën e sotme vijoi puna për shuarjen e zjarrit me 7 automjete zjarrfikëse më 22 efektivë nga MZSH-të, Skrapar, Berat, Poliçan, 5 forca nga Shërbimi Pyjor, 35 forca bashkiake dhe 30 trupa nga Forcat e Armatosura.

Sipërfaqja e përshkuar deri në këto momente është rreth 18 ha. Si rezultat i erës janë riaktivizuar disa vatra të vogla brenda asaj kryesore. Janë vetëm dy vatra të vogla brenda zonës së djegur me prezencë tymi, nuk ka rrezik për banesa.

Në Parkun Natyror Gërmenj, njësia administrative Leskovik, zjarri është riaktivizuar në afërsi të piramidës 15. Në terren gjatë ditës u angazhuan forcat zjarrfikëse nga MZSH Kolonjë të cilët punuan midis piramidave 14 dhe 15, në kufi me Greqinë. Ditën e sotme situata paraqitet më e normalizuar. Zona do të vazhdojë të mbahet në monitorim nga forcat MZSH Kolonjë.

Në fshatin Pezë-Helmës, njësia administrative Pezë, vazhdon të jetë aktiv zjarri në disa vatra në një terren pa rrugëkalime dhe me bimësi të dendur që nuk mundëson ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse. Në terren ndodhen 4 efektivë me 1 automjet zjarrfikës që po qëndrojnë në gatishmëri të pandërprerë 24 orë, kryesisht pranë disa banesave që ndodhen më afër zonës, por larg vatrës së zjarrit.

Ndërkohë është bërë izolimi i plotë dhe shuarja e zjarreve në: Fshatin Vrepckë (Shelegur), njësia administrative Qendër Leskovik, bashkia Kolonjë; Në rrugën “Bilal Troksi”, zona “Fushë Farkë”, njësia administrative Dajt, bashkia Tiranë; Në fshatin Stajke, njësia administrative Bushat, bashkia Vau – Dejës; Në fshatin Shtoi i Ri, njësia administrative Rrethina, bashkia Shkodër; Në fshatin Peshtan i Madh, njësia administrative Levan, bashkia Fier; Në autostradën Laç-Lezhë, njësia administrative Shënkoll, bashkia Lezhë; Në fshatin Shumbat, njësia administrative Sllovë, bashkia Dibër; Në fshatin Portgorcë, njësia administrative Maqellarë, bashkia Dibër.

/m.m/r.e/

The post MM: Tetë vatra zjarri të shuara, katër aktive dhe një në monitorim appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: “Buna Fest”, një festë e bukur që mblodhi turistët në Dajç


TIRANË, 26 gusht/ATSH/ Në fshatin Dajç të Shkodrës u organizua “Buna Fest”, një aktivitet kulturor që mblodhi vizitorë e turistë të shumtë.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga aktiviteti i organizuar në brigjet e Bunës, aty ku lumi bashkohet me liqenin e Shkodrës.

“‘Buna Fest’ një festë e bukur që mblodhi në Dajç të rinj e të reja, banorë të zonës dhe turistë”, u shpreh Rama krahas pamjeve.

Brigjet e Bunës në Dajç u kthyen në një skenë magjike me muzikë. Edhe fëmijët përjetuan një ditë plot argëtim me kanoe, paddle board apo edhe duke notuar në rrjedhën e lumit Buna.

Më i veçanti ishte panairi me produkte agroushqimore dhe artizanale. Po ashtu ranë në sy stendat e mbushura me lule e pemë dekorative.

Të pranishmit shijuan një mbrëmje ndryshe, ku argëtimi u ndërthur me traditën, duke përforcuar imazhin e lumit Buna si një thesar natyror që meriton të ruhet.

Organizuar nga Bashkia Shkodër në bashkëpunim me EKO Mendje dhe Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit “Buna Festa” ka për qëllim promovimin e resurseve të jashtëzakonshme të Dajçit, ku ndërthuret turizmi kulturor dhe natyror.

/m.m/r.e/

The post Rama: “Buna Fest”, një festë e bukur që mblodhi turistët në Dajç appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Male të Pastra”, Rama: Qindra vullnetarë pjesë e aksionit të pastrimit në 10 Parqe Kombëtare

TIRANË, 26 gusht/ATSH/ Nisma “Male të Pastra” është rikthyer sërish këtë vit, ku sot u zhvilluan aksione pastrimi në parqet kombëtare të Dajtit, Tomorit, Llogorasë, Qafështamës, Zagorisë, Prespës, Shebenikut, Korab-Koritnikut si dhe në Alpet Shqiptare.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale momente nga ky aksion pastrimi, i cili sipas tij, është kthyer në traditë në datën 26 gusht.

“Nisma ‘Male të Pastra’, me një organizim shembullor në 10 Parqe Kombëtare e Natyrore në të gjithë Shqipërinë nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, ku me qindra vullnetarë, institucione, organizata dhe plot të tjerë bëhen pjesë e aksioneve të pastrimit e ndërgjegjësimit”, u shpreh Rama.

Kryeministri vlerësoi punën e realizuar me përkushtim dhe dashuri për zonat e mbrojtura, “këto xhevahire të natyrës sonë, ku ekosistemet meritojnë të jenë të pastra dhe të shëndetshme”.

Aksioni i pastrimit “Male të Pastra” angazhoi qindra vullnetarë, të cilët larguan qindra kilogramë mbetje nga parqet kombëtare.

/m.m/r.e/

The post “Male të Pastra”, Rama: Qindra vullnetarë pjesë e aksionit të pastrimit në 10 Parqe Kombëtare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Male të Pastra”, Kumbaro: Hiqen 550 kg mbetje nga Parku i Llogorasë

TIRANË, 26 gusht /ATSH/ Në kuadër të aksionit “Male të Pastra” në Parkun Kombëtar të Llogorasë u pastruan 550 kg mbetje.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau sot momente nga ky aksion i zhvilluar nga stafi i Zonave të Mbrojtura në Vlorë.

“Nisma “Male të Pastra” i gjeti në Parkun Kombëtar të Llogarasë. 550 kg mbetje arritën të grumbulloheshin falë aksionit të ndërmarrë nga stafi i AdZM Vlorë, institucionet vendore, organizata dhe vullnetarë, të cilët iu bashkuan me shumë dëshirë kësaj nisme, edhe për të rikujtuar se sa herë që shijojmë pasuritë natyrore, të kujdesemi edhe për t’i lënë më të pastra nga sa i gjetëm”, u shpreh Kumbaro.

Nisma “Male të Pastra” është një aksion pastrimi që po zhvillohet sot i organizuar nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura në dhjetë parqe kombëtare e natyrore.

Kumbaro ndau po ashtu momente nga aksioni në rrethinat e Tiranës. Stafi i Administratës së Zonave të Mbrojtura Tiranë në bashkëpunim me Agjencinë e Parqeve dhe Rekreacionit, zhvilluan aksionin e pastrimit pranë një prej atraksioneve më të frekuentuara nga turistët, siç është Ujëvara e Përroit të Kecit në Shëngjergj.

Teksa eksploroni atraksionet natyrore, mos harroni të kujdeseni edhe për mbetjet””, ishte thirrja e ministres drejtuar vizitorëve.

Vitin e kaluar ky aksion pastrimi angazhoi qindra vullnetarë, të cilët larguan qindra kilogramë mbetje nga parqet kombëtare.

Këtë vit fushata do të shtrihet në Parqet Kombëtare të Dajtit, Tomorit, Llogorasë, Qafështamës, Zagorisë, Prespës, Shebenik, Korab-Koritnik si dhe në Alpet Shqiptare.

/m.m/r.e/

The post “Male të Pastra”, Kumbaro: Hiqen 550 kg mbetje nga Parku i Llogorasë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Komisioni Rregullator shpall të enjten rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të 11 majit

TIRANË, 26 gusht/ATSH/ Komisioni Rregullator do të mblidhet ditën e enjte, datë 28 gusht, për të shpallur rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, të datës 11 maj 2025.

Vendimi vjen pas kërkesës së Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, i cili përmes një shkrese kërkoi sot thirrjen e mbledhjes së Komisionit Rregullator për shpalljen e rezultatit të zgjedhjeve.

Gjatë mbledhjes së Komisionit Rregullator, e cila pritet të zhvillohet në 28 gusht, në orën 11:30, do të miratohet numri i votave, numri i mandateve dhe lista emërore e deputetëve për çdo subjekt zgjedhor, për çdo zonë zgjedhore.

Po ashtu, Komisioni Rregullator do të miratojë numrin e votave, numrin e mandateve dhe listën emërore të deputetëve për çdo subjekt zgjedhor në rang vendi.

Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Kolegjin Zgjedhor Gjyqësor pranë Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë, brenda 5 ditëve nga shpallja e tij.

/m.m/r.e/

The post Komisioni Rregullator shpall të enjten rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të 11 majit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌