Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Rama ndan pamje të rrugës panoramike Shëngjin-Velipojë

TIRANË, 25 gusht /ATSH/ Rruga Shëngjin-Velipojë është kthyer tashmë një nga akset më panoramike të vendit, me potencial për zhvillimin e turizmit.

Përmes rubrikës “Beautiful Albania”, Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje panoramike me perëndimin e diellit nga rruga e re, e cila lidh dy zonat bregdetare, Shëngjinin dhe Velipojën.

Nga porti i Shëngjinit rruga i ngjitet shpatit me një lartësi 100-120 metra mbi nivelin e detit dhe ruan të paprekur plazhin e Shëngjinit, Ranën e Hedhun dhe plazhet e tjera të zonës. Më pas lidhet me infrastrukturën e Velipojës. Kjo rrugë lidh dy qendrat kryesore turistike bregdetare.

Përmirësimi i infrastrukturës rrugore ekzistuese si dhe ndërtimi i rrugëve të reja, që lidhin më shpejt qytetet me zonat turistike bregdetare, janë prioritete të punës së qeverisë.

/e.i//r.e/

The post Rama ndan pamje të rrugës panoramike Shëngjin-Velipojë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MM: 6 vatra zjarri të shuara dhe 4 të tjera aktive

TIRANË, 25 gusht /ATSH/ Ministria e Mbrojtjes informoi mbrëmjen e sotme për situatën e zjarreve në vend.

Sipas Qendrës Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile (QKOEC) në AKMC, prej orës 09:00, deri në orën 16:30, datë 25.08.2025, janë raportuar 10 vatra zjarri nga të cilat 6 janë shuar dhe 4 të tjera janë aktive.

Në Pishë-Poro të Vlorës, zjarri i rënë në një terren ranor në fshatin Delisuf të njësisë administrative Novoselë është favorizuar nga era dhe ka marrë një shtrirje të madhe në drejtim të fshatit Pishë-Poro.

Terreni ranor nuk mundëson operimin me mjete zjarrfikëse edhe pse 3 automjete zjarrfikëse me 12 efektivë, 4 forca AdZM dhe 10 forca bashkiake ndodhen në zonë.

Në mbështetje të forcave në terren kanë fluturuar nga Baza e Kuçovës katër helikopterë, dy të Forcës Ajrore shqiptare dhe dy të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Vatrat e tjera aktive janë ato në Parkun Natyror Gërmenj, njësia administrative Leskovik të bashkisë Kolonjë, ku zjarri është riaktivizuar ditën e sotme në afërsi të piramidës 15. Në terren janë të angazhuar forcat zjarrfikëse nga MZSH Kolonjë.

Në fshatin Pezë-Helmës, njësia administrative Pezë, bashkia Tiranë, vazhdon të jetë aktiv zjarri në disa vatra në një terren pa rrugëkalime dhe me bimësi të dendur që nuk mundëson ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse. Në terren ndodhen në gatishmëri të pandërprerë 24 orë zjarrfikësit lokalë, kryesisht pranë disa banesave që ndodhen më afër zonës, por larg vetë vatrës së zjarrit.

Në fshatin Bogovë, njësia administrative Bogovë, bashkia Skrapar, është aktivizuar një vatër zjarri në një hangar ku më pas është shpërndarë në një sipërfaqe pyjore me pishë. Në vendngjarje po operojnë 3 grupe shërbimi nga MZSH Skrapar. Situata raportohet nën kontroll dhe nuk paraqet rrezik për banesat.

Vatrat e izoluara plotësisht raportohen: Në fshatin Krenze, njësia administrative Shtiqën, bashkia Kukës; Në fshatin Reç, njësia administrative Shkrel, bashkia Malësi e Madhe; Në fshatin Bisht-Kamëz, njësia administrative Katund i Ri, bashkia Durrës; Në fshatin Ishull-Shëngjin, njësia administrative Shëngjin, bashkia Lezhë; Në Lagjen 18, Rajoni Nr. 1, bashkia Korçë; Në zonën e Shkozës, njësia administrative Nr. 1, bashkia Tiranë.

/e.i//r.e/

The post MM: 6 vatra zjarri të shuara dhe 4 të tjera aktive appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Drejtori i QSUNT-së, Spaho takon nga afër pacientët në spitalin ditor, njësia që trajton mbi 100 persona në ditë

TIRANË, 25 gusht /ATSH/ Drejtori i përgjithshëm i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Florenc Spaho zhvilloi sot një vizitë në ambientet e spitalit ditor.

Spaho u takua dhe bashkëbisedoi me qytetarët duke u njohur me problematikat e tyre si dhe shërbimet që marrin pranë spitalit ditor.

Në vijim të vizitave pranë çdo shërbimi në QSUNT që pas marrjes së detyrës, Spaho i ka kërkuar stafit shëndetësor trajtimin me dinjitet të pacientëve dhe mos krijimi i radhëve në shërbim.

Njësia e trajtimit ditor në QSUNT ka ulur fluksin e qytetarëve të cilët më herët qëndronin në pritje me kartela shtrimi në spital.

Te kjo njësi marrin trajtim mbi 100 persona në ditë, duke përfshirë shërbime si dermatologji, hematologji, dializë, alergologji, toksikologji etj.

Me një sipërfaqe prej 3500 metrash katrorë, me  kapacitet prej 60 shtretërish dhe mbi 50 mjekë, spitali ditor ofron shërbim për rreth 65.000 pacientë, që kanë nevojë për shërbime si dializë, toksikologji, alergologji, dermatologji, reumatologji dhe hematologji.

Ambientet e reja të njësive të trajtimit ditor janë të pajisura me teknologjinë më bashkëkohore, infrastrukturë lehtësuese dhe komode me mjedise pritjeje të ridimensionuara, që lehtësojnë qarkullimin e pacientëve, si dhe të familjarëve që i shoqërojnë ata gjatë marrjes së shërbimeve mjekësore, duke shmangur fluksin në spitalin qendror.

Drejtori i përgjithshëm i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Florenc Spaho në ambi...
1 nga 3

/e.i//r.e/

The post Drejtori i QSUNT-së, Spaho takon nga afër pacientët në spitalin ditor, njësia që trajton mbi 100 persona në ditë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kumbaro: Mirëmbajtja e hapësirave të përbashkëta, detyrim qytetar dhe mënyrë jetese

TIRANË, 25 gusht /ATSH/ Prej datës 15 qershor ka nisur operacioni “Plazhe të pastra”, përmes të cilit Agjencia Kombëtare e Bregdetit mbështet tetë bashki bregdetare në pastrimin e plazheve.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro u shpreh sot në një postim në rrjetet sociale, se “pastrimi i plazheve është sfida e përditshme dhe e përnatshme e ekipeve të bashkive, operatorëve të Agjencisë Kombëtare të Bregdetit”.

Ministrja Kumbaro tha se falë angazhimit vullnetar të qytetarëve dhe turistëve model po jepet shembulli se si duhen trajtuar hapësirat publike.

Kumbaro u ndal edhe tek ata “që bërtasin “për të pasur plazhe publike”, të cilat këtë vit ishin më shumë se asnjëherë, por sërish plot biznese dhe qytetarë-pushues nuk e kuptojnë që të mirëmbash hapësirat e përbashkëta nuk është zgjedhje personale, por detyrim qytetar dhe mënyrë jetese”.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit u ka shprehur mirënjohjen ekipeve të pastrimit të cilët sipas Kumbaros, “ditë-natë, prej nisjes së Operacionit “Plazhe të Pastra” për të katërtin vit radhazi, kanë qenë në krye të detyrës, për të pastruar dhe mirëmbajtur hapësirat”.

Dyfishimi i hapësirave publike ka shtuar përgjegjësitë e institucioneve vendore për mbarëvajtjen e sezonit turistik.

Po ashtu, bashkitë e qyteteve bregdetare i kanë pajisur të gjitha këto hapësira me sinjalistikën e duhur në terren.

Nga aksioni “Plazhe të pastra”, i projektuar në tetë bashki të vendit
1 nga 8

/e.i//r.e/

The post Kumbaro: Mirëmbajtja e hapësirave të përbashkëta, detyrim qytetar dhe mënyrë jetese appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Qendra shëndetësore verore në kalanë e Beratit, Koçiu: 800 vizita mjekësore për banorët dhe vizitorët

TIRANË, 25 gusht /ATSH/ Për herë të parë në Shqipëri, hartës së qendrave shëndetësore verore të hapura nga veriu në jug të vendit u shtohen edhe tri qendra shëndetësore të pozicionuara në zonat turistike me interes të lartë fetar dhe kulturor, si kisha e Shna Ndout në Laç, kalaja e Gjirokastrës dhe kalaja e Beratit.

Në kalanë e Beratit, qendra shëndetësore verore është pozicionuar në zemër të trashëgimisë kulturore, duke ofruar shërbim dhe kujdes mjekësor jo vetëm për banorët e zonës, por edhe për turistët e shumtë që vizitojnë kalanë gjatë verës.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu tha se “që prej nisjes së sezonit, kjo qendër ka ofruar kujdes të pandërprerë për banorët dhe vizitorët, me mbi 800 vizita mjekësore të kryera deri më sot”.

“Në çdo qendër shëndetësore verore në vend, po garantohet shërbim i shpejtë, cilësor, pranë pushuesve vendas e të huaj që kanë zgjedhur Shqipërinë si destinacionin e tyre veror”, u shpreh Koçiu.

MSHMS edhe këtë vit ka marrë masa për të garantuar një sezon turistik të sigurt dhe të shëndetshëm për pushuesit dhe turistët e huaj të cilët kanë zgjedhur për të kaluar pushimet në vendin tonë.

Gjatë sezonit turistik veror janë në funksion të plotë 36 qendra shëndetësore në të gjithë vendin, nga veriu në jug. Ato garantojnë shërbim mjekësor 24 orë në ditë, 7 ditë në javë, për të gjithë pushuesit, vendas apo të huaj.

/e.i//r.e/

The post Qendra shëndetësore verore në kalanë e Beratit, Koçiu: 800 vizita mjekësore për banorët dhe vizitorët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Artikulli i NYT, Rama: Shqipëria, një destinacion turistik në rritje

TIRANË, 25 gusht /ATSH/ Prestigjiozja amerikane, “The New York Times”, i ka kushtuar një artikull vendit tonë duke u ndalur në disa prej potencialeve më të rëndësishme turistike të Shqipërisë.

Kryeministri Edi Rama, ndau sot në rrjetet sociale artikullin e publikuar në “The New York Times”, që e cilëson Shqipërinë si një destinacion turistik në rritje.

Rama shprehet se “artikulli veçon Parkun Kombëtar të Butrintit, plazhet e Ksamilit dhe qytetet bregdetare si Dhërmiu, Borshi e Saranda si destinacionet me të bukura për pushuesit”.

Po ashtu, sipas Kryeministrit, “The New York Times” ndalet edhe në qytete historike si Berati me trashëgiminë e tij mijëravjeçare dhe Gjirokastra si qyteti i gurtë, i mbrojtur nga UNESCO.

Në artikullin e publikuar në “The New York Times”, cilësohet se “Shqipëria është kthyer nga një shtet dikur i izoluar, në një destinacion turistik gjithmonë e në rritje, duke ofruar mundësi të shumta për turistët dhe me çmime të favorshme”.

Plazhe mahnitëse, natyrë e paprekur, vende historike të pazakonta dhe çmime të ulëta e kanë kthyer këtë ish-shtet eremit në një nga destinacionet më të reja të Evropës, shkruan Valeriya Safronova për prestigjiozen amerikane ”New York Times”.

Në artikullin e “The New York Times”, autorja Safronova shkruan se “në jug të Shqipërisë, praktikisht shumë afër nga ishulli grek i Korfuzit, qyteti i Butrintit ka qëndruar për mijëra vjet. Rrënojat e tij janë një ëndërr për dashamirët e historisë. Një teatër në natyrë, një pagëzimore bizantine dhe një ujësjellës romak. Dhelpra, skifterë dhe shqiponja enden në parkun kombëtar prej 93 kilometrash katrorë që përfshin thesaret arkeologjike të Butrintit”.

“Shqipëria është lloj destinacioni, ku një udhëtar mund ta nisë ditën me një shëtitje nëpër antikitet dhe ta mbyllë me një kërcim mbi rërë.Kjo mund të jetë një arsye madhore pse kaq shumë njerëz po vijnë këtu”, vijon artikulli.

Vitin e kaluar, thuhet në artikull, “11,7 milionë vizitorë hynë në Shqipëri nga 10 milionë një vit më parë dhe ata jo vetëm që shkuan në plazhe dhe vende historike, por gjithashtu eksploruan malet dhe liqenet në veri, si dhe Parkun Kombëtar të Lumit të Egër Vjosë, rekomanduar si një nga 52 vendet për t’u vizituar në vitin 2023”.

Foto nga artikulli për Shqipërinë i publikuar në “The New York Times”
1 nga 6

/e.i//r.e/

The post Artikulli i NYT, Rama: Shqipëria, një destinacion turistik në rritje appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Presidenti i Ukrainës dekoron Spiropalin me çmimin “Urdhri i Princeshës Ollga i Klasit të Parë”

TIRANË, 24 gusht /ATSH/ Kryetari i Parlamentit të Ukrainës, Stefanchuk, në një postim në rrjetet sociale njoftoi se sot, në Ditën e Pavarësisë së Ukrainës, Presidenti Zelenksi ka dekoruar 14 kryeparlamentarë, deputetë, senatorë e kongresmenë të ShBA dhe vendeve europiane, mes tyre Kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, për mbështetjen ndaj Ukrainës dhe bashkëpunimin me Parlamentin e këtij vendi.

Kryeparlamentares Spiropali iu akordua Çmimi i Lartë Shtetëror “Urdhri i Princeshës Ollga, i Klasit të Parë”.

“Faleminderit secilit prej jush, miqtë tanë të dashur, anëtarë të familjes së madhe parlamentare, për çmimet e merituara që u janë dhënë nga Presidenti Zelenski, në emër të popullit ukrainas”, shkruan kryeparlamentari ukrainas Ruslan Stefanchuk.

/e.i/j.p/

The post Presidenti i Ukrainës dekoron Spiropalin me çmimin “Urdhri i Princeshës Ollga i Klasit të Parë” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Cirku Kombëtar shfaqje në Zvicër, Rama: Energji dhe diversitet kulturor

TIRANË, 24 gusht /ATSH/ Artistët e Cirkut Kombëtar kanë performuar për herë të parë në Wetzikon të Zyrihut në një performancë mbresëlënëse në kuadër të festivalit “Farbifestival” duke dhuruar emocione, pasuri kulturore dhe argëtim për të gjitha moshat.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale foto nga ky aktivitet, ndërsa u shpreh se “trupa jonë magjike pushtoi për tre netë skenën e Faerbifestival në Wetzikon–Zyrih, duke sjellë ngjyra, energji dhe diversitet kulturor për publikun”.

Mbrëmjet u moderuan nga Shqipe Sylejmani dhe Marguerite Meyer, ndërsa në sallë kishte përfaqësues të Ambasadës së Shqipërisë dhe Konsullatës së Kosovës.

Kalendari i aktiviteteve kulturore të Cirkut Kombëtar, pritet të pasurohet me më shumë evente ndërkombëtare, krahas turneve në qytetet e Shqipërisë.

Artistët e Cirkut Kombëtar në Wetzikon të Zyrihu-t në një performancë në kuadër të Festivalit “...
1 nga 14

/e.i/j.p/

The post Cirku Kombëtar shfaqje në Zvicër, Rama: Energji dhe diversitet kulturor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rrezikoi të mbytej, shpëtohet turisti francez në Gjirin e Gjipesë

TIRANË, 24 gusht /ATSH/ Një turist francez është shpëtuar pasditen e sotme pranë shkëmbinjve në Gjirin e Gjipesë, pasi rrezikonte të mbytej.

Sipas medieve, kanë qënë pushuesit ata që kanë lajmëruar Policinë Kufitare, e cila u nis nga Dhërmiu dhe arriti në kohë për të shpëtuar 38-vjeçarin nga Franca.

Turisti i identifikuar si Hassabou Elias, me shtetësi franceze, kishte pësuar probleme me shpinën dhe nuk mund të lëvizte pjesën e poshtme të trupit, duke mos qenë në gjendje të notonte.

Mediat cilësojnë, se 38-vjeçari u shpëtua në kohë, pasi u transportua drejt bregut dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën, në gjendje të mirë shëndetësore.

/e.i/j.p

The post Rrezikoi të mbytej, shpëtohet turisti francez në Gjirin e Gjipesë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Perëndim në liqenin e Shkodrës, Rama ndan pamjet

TIRANË, 24 gusht /ATSH/ Liqeni i Shkodrës është një ndër atraksionet më të pëlqyera të turizmit në vend, si një ofertë argëtimi për pushuesit vendas dhe ata të huaj.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga perëndimi i diellit mbi liqenin e Shkodrës, i cili njëherësh është i pëlqyer edhe për sportet ujore.

Liqeni i Shkodrës është më i madhi në gadishullin e Ballkanit dhe shtrihet në kufirin ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi. Ai cilësohet si një nga qendrat turistike më të rëndësishme të rajonit.

Ky liqen është gjithashtu një nga zonat më të pasura në Evropë për biodiversitetin, me larmishmëri peshqish dhe shpendësh ujorë. Në Censin Ndërkombëtar të Shpendëve Ujorë për vitin 2025, Liqeni i Shkodrës u rendit në vendin e dytë me 23 899 individë, për numrin e specieve.

Fauna e liqenit është e shumëllojshme dhe e pasur me 45 lloje peshqish e 270 lloje shpendësh. Këto shpendë përbëjnë 87% të gjithë Ornitofaunës të Shqipërisë.

Një perlë e kësaj pasurie është pa dyshim pelikani, zogu më i madh në Europë. Pika më e thellë e liqenit është rreth 45 metra. Në skajin juglindor shtrihet qyteti i Shkodrës, nga i cili ka marrë edhe emrin.

/e.i/j.p/

The post Perëndim në liqenin e Shkodrës, Rama ndan pamjet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Balluku në festën e Sh’Mrajas në Lurë: Ekspozohen traditat dhe kultura e zonës

TIRANË, 24 gusht /ATSH/ Festa e Sh’Mrajas po kthehet në një traditë të përvitshme në kalendarin e aktiviteteve që organizohen në Lurë.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku mori pjesë në festën e Sh’Mrajas mes banorëve e vizitorëve që nuk mungojnë në Lurë.

Në një postim në rrjetet sociale, Balluku u shpreh se kjo është një festë që i bashkon të gjithë, ku ekspozohen me krenari traditat dhe kultura e pasur e zonës.

“Kisha e fshatit, që mban emrin Sh’Mraja, është një tjetër thesar jo vetëm i Lurës. Kënaqësi që u riktheva sërish për ta vizituar”, tha Balluku.

Kisha e Shën Mërisë, e cila ruan brenda saj rrënoja të kishës së vjetër 630-vjeçare, është një pasuri e Lurës. E restauruar së fundmi, kjo kishë është edhe një destinacion turistik për vizitorët në Lurë.

Sh’Mraja është festa që bën bashkë të gjithë, banorë e vizitorë, në një atmosferë festive, me tingujt e muzikës tradicionale e veshjet karakteristike të zonës.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku në festën e Sh’Mrajas në Lurë
1 nga 9

/e.i/j.p/

The post Balluku në festën e Sh’Mrajas në Lurë: Ekspozohen traditat dhe kultura e zonës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dita e Pavarësisë së Ukrainës, Spiropali: Përpjekjet për një paqe të ndershme duhet të përfshijnë gjithkënd

TIRANË, 24 gusht /ATSH/ Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, mori pjesë dhe përshëndeti në veprimtarinë me rastin e Ditës së Pavarësisë së Ukrainës, organizuar sot nga Ambasada e Ukrainës në Shqipëri, në sallën qendrore të aeroportit “Nënë Tereza”.

Në këtë ceremoni merrnin pjesë personalitete shtetërore, ambasadorë dhe përfaqësues të Trupit Diplomatik, përfaqësues të komuniteteve fetare, medias etj.

Në ceremoni përshëndetën edhe Ambasadori i Ukrainës në Shqipëri, Volodymyr Shkurov si edhe autoritete të aeroportit “Nënë Tereza”.

Kryetarja Spiropali, e shoqëruar nga Ambasadori Shkurov dhe përfaqësues të Trupit Diplomatik, vizituan ekspozitën kushtuar pasojave të luftës në Ukrainë.

Fjala e plotë e Kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali: 

“I nderuar z. Ambasador Shkurov, i dashur Volodomyr,

Të nderuar ambasadorë dhe përfaqësues të trupit diplomatik;

Zonja e zotërinj,

Në këtë gjysmë dekadën e fundit bota ka ndryshuar në mënyrë të pabesueshme.

Çdo mëngjes, në Tiranë apo në Washington, në Paris apo në Berlin, në Romë, Bruksel apo në çdo skaj tjetër të botës, lajmet në televizione apo postimet e pafundme në rrjetet sociale, dëshmojnë për miliona fëmijë që njohin më mirë marshimin therës të raketave sesa tingujt e gjuhës amtare, për miliona të moshuar, që në vend të këmbanave të krishtlindjeve apo thirrjen për lutje ndaj Zotit, njohin zhurmën e dronëve që marrin jetë.

Ka luftë edhe aty ku duket se ka paqe.

Ka dhembje edhe aty ku koha duket rrjedh normalisht dhe kufijtë konvencionalë ngjajnë të mbyllur ndaj të zezës.

Në një mënyrë apo në një tjetër, e gjithë bota është në luftë. Dhe lufta, njëlloj si Perëndia e vjetër romake Janusi, ka më shumë se një fytyrë, më shumë se një pamje, më shumë se një shfaqje.

Njëlloj si në vitet e pandemisë së Covid-it, askush nuk ka imunitet, askush nuk është i përjashtuar nga frika e tmerri, humbja dhe disfata.

Dhe askund tjetër, më shumë se në Ukrainë, nuk është shfaqur aq brutalisht dhe egërsisht lufta më të gjitha fytyrat e saj.

Dhe ndoshta asnjë ditë tjetër më shumë sesa sot, nuk është simbol i asaj që po ngjet në Ukrainë prej më shumë se tre vjetësh, sesa dita e pavarësisë së saj.

Një ditë që më shumë sesa një bilanc 34-vjeçar për rrugëtimin e një kombi, është arsyeja se pse në qiellin e Ukrainës shëtit vdekja e importuar nga fqinji agresor, më i madh, por jo më i fortë, pafytyrësisht mizor dhe i padrejtë.

Lufta në Ukrainë është mësimi tronditës se askush nuk është imun nga e keqja, se ajo shfaqet në dhjetra forma edhe aty ku duket se ka vetëm paqe.

Ndryshojnë vetëm simptomat; aty ka raketa, gjetkë ka çmime më të shtrenjta, aty ka dronë, diku ka më pak vende pune, më pak shkolla, më pak kujdes mjekësor dhe shumë më shumë ankth, tension e pasiguri.

Ndaj edhe përpjekjet për një paqe të drejtë e të ndershme për luftën në Ukrainë, duhet të përfshijnë gjithkënd dhe duhet të bashkojnë gjithkënd, kryesisht në boshtin Washington-Bruksel, si mundësia e vetme për të ndërtuar një arkitekturë të re sigurie, tashmë që ajo e hershmja e ekuilibrit mes dy blloqeve të kundërta ideologjikisht ka përfunduar kohë mē parë, dhe e reja, me një qendër të vetme force e pushteti që garantonte paqe, po sfidohet dhe po vihet gjithmonë e më shumë në dyshim.

Duke synuar të kurohet shkaku dhe jo të mjekohet pasoja.

Të nderuar miq,

Liria, pavarësia, sovraniteti dhe i një vendi nuk kanë qenë dhe nuk do të jenë ende për kohë të papërcaktuar të garantuara, për gjithmonë. Ato nuk janë të mirëqena dhe mund të kërcënohen nga shumë faktorë që duket se shpiken nga hiçi. Herë nga leximi i keq i historisë së shkuar, e herë nga dëshira për të shkruar ndryshe historinë.

Paqja ka shumë armiq dhe armiqësia me paqen ngjan si fatalitet i botës njerëzore.

Në emër të saj, të lirisë dhe të drejtës së çdo kombi për të jetuar në liri, 34 vjet më parë, në 24 gusht 1991, parlamenti i Ukrainës riktheu pavarësinë e Ukrainës nga gërmadhat e ish-Bashkimit Sovjetik.

Për tre dekada, populli i Ukrainës përjetoi një tranzicion të gjatë drejt demokracisë, pak a shumë si të gjithë vendet e tjera të ish-Lindjes komuniste. Si edhe vendi ynë. Liri që shfaqej edhe me fytyrën e anarkisë, me shpresa dhe zhgënjime, me fitore dhe disfata, me suksese e dështime, me ecje përpara, por dhe fraktura prapakthyese.

Por asgjë nga këto, nuk mund të barazohet me agresionin e nisur që në 2014-ën me aneksimin e Krimesë dhe më pas, me agresionin në shkallë të gjerë të shkurtit 2022, kur një ish-perandori, me forcën e avionëve, raketave e tankeve, kërkoi të rikthejë autoritetin e saj prej perandorie, duke shkelur një vend të lirë.

Duke dhënë kështu fillimin e një sage lufte të jashtëzakonshme të Davidit me Goliathin modern.

Qindra mijëra jetë njerëzore të humbura, miliona jetë të frakturuara dhe gjithë bota e përfshirë në një luftë totale morale mes viktimës dhe agresorit.

Në këtë ndeshje epike, Shqipëria ka qenë ndër vendet e para që ka mbështetur fort dhe në mënyrë të palëkundur luftën e drejtë të Ukrainës, për mbrojtjen e lirisë, sovranitetit dhe integritetit të saj territorial.

Duke nisur me Rezolutën e miratuar në Kuvend më 8 mars 2022, tek Samiti “Evropë Juglindore-Ukrainë” në Odesa, në 11 qershor të këtij viti, nga bashkëpenëmbajtja e Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së e deri tek përditshmëria e secilës ditë në këto tre vjet e gjysmë, Shqipëria ka dëshmuar mbështetjen e fuqishme, të palëkundur dhe të vendosur ndaj Ukrainës.

Shqipëria është palë bashkë me vendet e tjera demokratike në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, ka afruar mbështetje diplomatike, financiare e ushtarake, ka qenë një zë i vendosur në samitin e Platformës së Krimesë dhe veprimtaritë ndërkombëtare për paqen, rimëkëmbjen dhe rindërtimin e Ukrainës.

Ka organizuar në Tiranë Samitin e Vendeve të Evropës Juglindore për Ukrainën. Ka shprehur solidaritet të plotë me vizitat e shpeshta në Kiev të delegacioneve të Kuvendit e Qeverisë, përfshirë Kryeministrin Rama.

Shqipëria do të vijojë të jetë një mbështetëse e vendosur dhe konkrete për Ukrainën edhe nëpërmjet bashkëpunimit afatgjatë, në bazë të Marrëveshjes Strategjike 10-vjeçare, nënshkruar më 21 janar 2025, në Davos, e cila parashikon rritjen e bashkëpunimit në siguri e mbrojtje, inteligjencë e informacion, siguri kibernetike, në industrinë e mbrojtjes dhe rimëkëmbjen e Kharkivit, në mbështetjen për rindërtim, luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve e dezinformimit.

Shqipëria mbështet të gjitha përpjekjet dhe kontributin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Presidentit Trump për dhënien fund luftës dhe arritjen e paqes mes Rusisë dhe Ukrainës, si edhe kontributin e udhëheqësve të shteteve europiane dhe të NATO-s për mbështetjen e këtyre përpjekjeve. Dhe konsideron se në këtë tunel të gjatë e të errët, vullneti i Washingtonit, e vendeve të BE-së, janë drita e vetme në fund të tij.

Sepse duke mbështetur Ukrainën, ne mbështesim triumfin e Lirisë mbi tiraninë.

Duke mbështetur Ukrainën, ne mbështesim dhe garantojmë të ardhmen e rendit ndërkombëtar.

Sepse pa paqen e drejtë në Ukrainë, nuk mund të ketë paqe në Europë dhe në botë.

Sepse duke mbrojtur Ukrainën, mbrojmë demokracinë në vendet tona.

Sepse duke mbrojtur Ukrainën, afrojmë shansin e vetëm e unik për paqe edhe në vatrat e tjera të zjarrit që marrin jetë të pafajshme fëmijësh, grash e të moshuarish edhe kudo tjetër, aty ku lufta shfaqet me shumë fytyra, si Janusi i hershëm romak.

Gëzuar Festën e Pavarësisë!

Slava Ukraini!”

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali në veprimtarinë me rastin e Ditës së Pavarësisë së Ukra...
1 nga 8

/e.i/

The post Dita e Pavarësisë së Ukrainës, Spiropali: Përpjekjet për një paqe të ndershme duhet të përfshijnë gjithkënd appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ndarja nga jeta e Artur Zhejit, ish-ambasadori Arvizu: Ti me të vërtetë dëgjoje

TIRANË, 24 gusht /ATSH/ Ish-ambasadori amerikan në Tiranë, Alexander Arvizu, reagoi sot me një mesazh ngushëllimi pas ndarjes nga jeta të gazetarit dhe publicistit Artur Zheji.

Në një postim në rrjetet sociale, Arvizu shpreh dhimbjen për humbjen e një figure që, sipas tij, kishte aftësinë e rrallë për të dëgjuar me vëmendje dhe për të kuptuar thellë zhvillimet në shoqëri.

“‘Zheji i Madh’, ti dije të dëgjoje. U prehsh në paqe,” u shpreh Arvizu në postim.

Gazetari, analisti dhe ish-drejtori i përgjithshëm i ATSH-së, Artur Zheji u nda dje nga jeta në moshën 64-vjeçare. Ai ndërroi jetë në qytetin e Sarandës, ku ndodhej për pushime së bashku me familjen.

Zheji njihej si një nga figurat e spikatura në gazetari dhe publicistikë.

Me një karrierë të gjatë në media, Zheji u bë një nga zërat dhe penat më të spikatur të gazetarisë dhe debatit publik në Shqipëri. Ai ka shërbyer në funksione drejtuese në disa media, në Radio Televizionin Shqiptar dhe Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH).

Mesazhi i plotë:

I dashur Artur,

Së pari, i jam mirënjohës mikut tonë të përbashkët që më dha një zë në këtë moment të ndjeshëm, pasi nuk mund të jem në Shqipëri për t’u ndarë me ty personalisht.

Gjatë këtyre dy ditëve ditëve të fundit kam parë qindra—madje mijëra—lamtumira të përzemërta nga njerëz që të kanë njohur dhe dashur. Atyre me siguri do t’u mungosh. Ka pasur kaq shumë mesazhe prekëse, shpesh të përmbledhura në një fjalë të vetme: Ngushëllime. RIP. Lamtumirë.

Edhe unë ndiej trishtim. Kanë kaluar disa vite që kur u takuam për herë të fundit, bashkë me disa miq të dashur shqiptarë. Të tre ju ishit/jeni gazetarë profesionistë. Njerëz të mirë.

Më mungon Gazeta Mapo. E di që ti arrite shumë gjëra të tjera në jetën dhe karrierën tënde, por ajo ishte një gazetë e mirë—që ia vlen të kujtohet.

Gjatë katër viteve kur isha mysafir në vendin tuaj, takova kaq shumë shqiptarë të jashtëzakonshëm. Me disa prej tyre vazhdoj të jem ende në kontakt, edhe pas më shumë se dhjetë vitesh që u largova. Miqësitë që fitova dhe kujtimet që mora me vete do të zgjasin gjithë jetën.

Gjatë atyre viteve njoha shumë gazetarë dhe politikanë. Disa ishin miq të vërtetë, si ti. Shumë të tjerë ishin “të ashtuquajtur miq”, secili me agjendën e vet. Kjo është diçka që ndodh shpesh.

Në politikë, ashtu si në diplomaci, shpesh është e vështirë të shmangësh cinizmin. Ti gjete kohë për të më ndihmuar të kuptoja disa të vërteta të ftohta e të ashpra mbi jetën dhe politikën shqiptare—se si luhet loja. Sigurisht që bëra disa gabime, por ti u përpoqe të më bëje të kuptoja gjërat që më duheshin për ta kryer punën time më mirë.

Ajo që vlerësova më shumë ishte se ti me të vërtetë dëgjoje. Bëje përpjekje të sinqerta për të kuptuar pse unë po përpiqesha të thosha ose të bëja diçka, dhe e bëje këtë pa gjykim. Për këtë, jam thellësisht mirënjohës.

Nuk do ta harroj kurrë atë takim të fundit, kur të përshëndeta duke të thënë: “Zheji i Madh!” Qeshëm të dy—dhe ti e kuptove menjëherë se çfarë kisha parasysh.

Herën tjetër kur të vizitoj vendin e takimit tonë të fundit, do të mendoj për ty.

Deri atëherë, paqe dhe bekime për të gjithë ne.

Alex Arvizu

/e.i/j.p/

The post Ndarja nga jeta e Artur Zhejit, ish-ambasadori Arvizu: Ti me të vërtetë dëgjoje appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Nëndetësja 105 dikur simbol i Luftës së Ftohtë, sot platformë e një projekti tërheqës

TIRANË, 24 gusht /ATSH/ Vajzat dhe djemtë e Orkestrës Simfonike të Forcave të Armatosura, dhuruan emocione dhe spektakël me performancën e tyre në brigjet e Pashalimanit, duke e bërë eksperiencën e pushuesve vendas, por edhe turistëve të huaj më të paharrueshme.

Kryeministri Edi Rama, u shpreh sot në një postim në rrjetet sociale, se “nga Nëndetësja 105, dikur simbol i Luftës së Ftohtë dhe Realizmit Socialist, ndërsa sot platformë e një projekti tërheqës, falë talentit të vajzave e djemve të Orkestrës së Forcave të Armatosura, që risjellin meloditë e “Ritfolk” në brigjet e Pashalimanit”.

Në kuadër të sezonit turistik, brigjet e Pashalimanit ishin ndalesa e radhës e formacionit të OSFA-së.

Ky aktivitet përfaqëson një angazhim konkret të Forcave të Armatosura në mbështetje të jetës komunitare dhe nxitjes së turizmit kulturor në qytetet shqiptare.

Përmes këtij formacioni, Forcat e Armatosura kontribuojnë në gjallërimin e jetës sociale dhe kulturore, duke sjellë një produkt artistik të aksesueshëm për publikun vendas dhe vizitorët.

/e.i/j.p/

The post Rama: Nëndetësja 105 dikur simbol i Luftës së Ftohtë, sot platformë e një projekti tërheqës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dita e Shën Kozmait, ceremoni në kishën historike të manastirit në Vuno

TIRANË, 24 gusht /ATSH/ Besimtarët ortodoksë kremtojnë sot ditën e Shën Kozmait, një nga shenjtorët të cilit i janë kushtuar më shumë kisha e manastire në mbarë vendin.

Një ceremoni pelegrinazhi u mbajt edhe në kishën historike të manastirit të Shën Spiridhonit në Vuno të Himarës.

​Liturgjia Hyjnore festive u krye nga Hirësia e Tij, Mitropoliti i Apollonisë dhe Fierit dhe Mëkëmbës i Mitropolisë së Shenjtë të Gjirokastrës, Hirësi Nikolla. Bashkëmeshuan përgjegjësi i kishës së shenjtë, Atë Evthim Bixhili, si dhe priftërinjtë nga Himara, Atë Joan Merkuri dhe Atë Harallamb Gjoka.

Në njoftimin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, thuhet se ​“besimtarë nga Vunoi dhe zonat përreth, erdhën për të nderuar kujtimin e shenjtorit, mësimet e të cilit mbeten të pashlyeshme në kujtesën e të vjetërve dhe u përcillen brezave të rinj”.

Gjithashtu, në këtë pelegrinazh mori pjesë edhe kryetari i Bashkisë Himarë, Vangjel Tavo.

“Prania e sotme kryepriftërore dhe e pushtetit vendor, së bashku me lutjen e përbashkët, përbënë një kujtesë të fuqishme për identitetin ortodoks, historinë shekullore dhe praninë e vazhdueshme të Orthodhoksisë në rajonin e Himarës, si dhe për besimin e palëkundur të këtij populli ndaj traditave të tij”, thuhet në njoftim.

​Në predikimin e tij, Hirësia e Tij, Mitropoliti Nikolla, iu referua gjerësisht jetës dhe mësimeve të shën Kozmait, duke theksuar lidhjen e tij të drejtpërdrejtë me popullin, besimin dhe arsimin në këtë zonë. Ai nuk la pa përmendur ngjarjet e mrekullueshme që tradita lokale ruan dhe i lidh drejtpërdrejt me besimin tonë: që nga mrekullia me lëndën e drurit që u gjet në bregdet për ndërtimin e çatisë pas nxitjes së shenjtorit, deri te profecia e famshme që lidhet me qiparisin që mbin në mënyrë të mrekullueshme mbi kambanaren e gurtë.

​Historia e kësaj kishe, që daton në vitin 1778, është në vetvete një dëshmi besimi. Tradita thotë se shën Kozmai i nxiti banorët të ndërtonin kishën me gurët që kishin, duke i siguruar se Zoti do të kujdesej për lëndën e drurit. Dhe vërtet, një anije e mbytur solli në bregdet materialet e nevojshme, duke bërë të mundur përfundimin e veprës.

Dita e Shën Kozmait, ceremoni pelegrinazhi në kishën historike të manastirit të Shën Spiridhoni...
1 nga 10

/e.i/j.p/

The post Dita e Shën Kozmait, ceremoni në kishën historike të manastirit në Vuno appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ndarja nga jeta e Artur Zhejit, homazhet nesër në Universitetin e Arteve të Bukura

TIRANË, 24 gusht /ATSH/ Ditën e nesërme, në 25 gusht do të mbahen homazhet në nder të gazetarit dhe publicistit të njohur, Artur Zheji.

Homazhet do mbahen nga ora 10:00 deri në 12:00 në ambientet e Universitetit të Arteve të Bukura.

Gazetari, analisti dhe ish-drejtori i përgjithshëm i ATSH-së, Artur Zheji u nda dje nga jeta në moshën 64-vjeçare. Ai ndërroi jetë në qytetin e Sarandës, ku ndodhej për pushime së bashku me familjen.

Zheji njihej si një nga figurat e spikatura në gazetari dhe publicistikë.

Me një karrierë të gjatë në media, Zheji u bë një nga zërat dhe penat më të spikatur të gazetarisë dhe debatit publik në Shqipëri. Ai ka shërbyer në funksione drejtuese në disa media, në Radio Televizionin Shqiptar dhe Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH).

Për vite me radhë, Zheji do të jepte kontributin e tij si analist, drejtues emisioni, por edhe si editorialist dhe komentues politik, duke lënë gjurmë në mendimin mediatik shqiptar.

I lindur më 29 gusht 1961, Artur Zheji ishte i biri i euriditit të njohur shqiptar Petro Zhejit dhe aktores së njohur shqiptare Besa Imamit.

Zheji u diplomua për regjisor në Institutin e Lartë të Arteve, ku spikati dhe la gjurmën e tij në dramaturgjinë shqiptare. Në skenën e Teatrit Kombëtar, u vendos në skenë drama e tij “Raimonda”, përgjatë kohës së diplomimit.

Pas diplomimit, Zheji u zhvendos në Itali ku qëndroi për rreth 10 vite. Aty, ai punoi në “Radio Radicale” si specialist i çështjeve të Evropës dhe Ballkanit, përgjatë kohës së luftës së Kosovës, duke u bërë kështu dhe një zë i rëndësishëm i shqiptarëve në arenën ndërkombëtare.

Që prej vitit 2017, ai ishte drejtues i emisionit politik dhe analitik 360 Gradë.

Humbja e tij e papritur ka tronditur jo vetëm familjen, por edhe kolegët dhe opinionin publik, të cilët e shihnin si një figurë me integritet dhe profesionalizëm të lartë. Vdekja e tij është një humbje e madhe për gazetarinë, analizën politike dhe median shqiptare në përgjithësi.

/e.i/j.p/

The post Ndarja nga jeta e Artur Zhejit, homazhet nesër në Universitetin e Arteve të Bukura appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Siguria Detare”, 26 mjete lundruese të bllokuara dhe 28 persona të shpëtuar

TIRANË, 24 gusht /ATSH/ Policia vijon operacionin “Siguria Detare”, me kontrolle të shtuara nga Ksamili, në Velipojë dhe në të gjithë hapësirën detare, liqenore dhe lumore të vendit.

Policia bën me dije se “nga Komani në Ksamil, si rezultat i monitorimeve dhe kontrolleve të kryera gjatë kësaj jave, janë kontrolluar 414 mjete lundruese, nga të cilat 26 janë bllokuar për shkelje të ndryshme”.

Si rezultat, janë kontrolluar 16 jet ski, 4 skafe, 3 gomone dhe 3 varka metalike me motor uji të instaluar.

“11 prej mjeteve lundruese janë konstatuar duke lundruar brenda perimetrit të sigurisë, duke rrezikuar jetën e pushuesve. Drejtuesit e tyre janë ndëshkuar me masë administrative prej 100 000 lekësh secili”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, Policia thekson se janë shpëtuar në det 28 shtetas (shqiptarë dhe të huaj), si dhe 9 mjete lundruese, falë ndërhyrjes së menjëhershme të Policisë Kufitare dhe Njësisë Policore Detare, nga Ksamili në Koman.

Policia Kufitare apelon për respektimin me rigorozitet të rregullave të përdorimit të mjeteve lundruese.

Policia e Shtetit fton qytetarët dhe pushuesit të denoncojnë çdo shkelje të rregullave të lundrimit apo të perimetrit të sigurisë në numrin pa pagesë 112, duke i garantuar reagim të menjëhershëm dhe masa konkrete ndaj çdo shkelësi.

/e.i/j.p/

The post “Siguria Detare”, 26 mjete lundruese të bllokuara dhe 28 persona të shpëtuar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Festivali “Nona”, në fokus edhe siguria rrugore për fëmijët

TIRANË, 9 gusht /ATSH/ Në qytetin e Përmetit nisi mbrëmjen e djeshme festa e gjysheve shqiptare.

I kthyer tashmë në një traditë të aktiviteteve kulturore dhe artistike në qytetin e trëndafilave, festivali “Nona” në sheshin e Përmetit bëri bashkë qindra qytetarë dhe turistë vendas e të huaj.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga festivali teksa u shpreh: “Festivali “Nona”, i cili tanimë është pjesë e kalendarit të traditave të bukura të Përmetit, ka ngritur mbrëmë siparin me një surprizë të këndshme, spektaklin e Sigurisë Rrugore për Fëmijët”.

Ky është edicioni i pestë i festivalit “Nona”, një aktivitet unik treditor, që e kthen Përmetin në një sofër të madhe te ngjashme me shtëpinë e gjysheve tona.

Festivali nisi paradite me vizita në shtëpitë e gjysheve përmetare, për të vijuar pasdite me çeljen e panairit “Nga duart e gjysheve”, ku u prezantuan gatime të ndryshme tradicionale.

Në mbrëmje, krahas aktivitetit suprizë kushtuar Sigurisë Rrugore për Fëmijët, performuan edhe artistë të njohur si Evgjeni Çulli, Mikel & Ervis Rrapaj,  Luljeta Ilia, Çiljeta Xhilaga, Anxhela Peristeri, G Bani si dhe aktorja e njohur Eva Alikaj.

Festivali “Nona” synon të sjellë dialog midis brezave në vend të hendekut në rritje midis të moshuarve dhe të rinjve në jetën e përditshme urbane.

Festivali do të vazhdojë edhe ditën e nesërme, 10 gusht, ku do të zhvillohen aktivitete të ndryshme kulturore.

/e.i//a.f/

The post Rama: Festivali “Nona”, në fokus edhe siguria rrugore për fëmijët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MEKI: Vendimet gjyqësore të formës së prerë detyrojnë lirimin e pronës së “KAYO” sh.a

TIRANË, 9 gusht /ATSH/ Policia e Shtetit ka kërkuar sot lirimin e godinës ku ushtron aktivitetin “Focus Media News”, pasi me vendim të Gjykatës kjo godinë do t’i kalojë shoqërisë shtetërore “Kayo” sh.a.

“Focus Media News”, grupi mediatik ku bën pjesë News 24, Balkanweb…etj, prerendon se ka një kontratë për godinën deri në vitin 2033.

Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ka reaguar sot ndaj pretendimeve të shoqërisë “Focus Media News” për zgjatjen e kontratës së qirasë deri në vitin 2033, duke theksuar se ato lidhen me një pasuri tjetër shtetërore, pa asnjë lidhje juridike apo faktike me pronën e kaluar shoqërisë shtetërore “KAYO” sh.a.

Sipas ministrisë, bëhet fjalë për dy prona dhe dy kontrata të ndryshme, ndërsa vendimet gjyqësore të formës së prerë detyrojnë lirimin e menjëhershëm të pronës së “KAYO” sh.a. në përputhje me ligjin.

Deklarata e plotë:

Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, në vijim të interesit të lartë publik dhe për sqarimin e opinionit mbi pretendimet e paraqitura nga Shoqëria “Fokus Media News” lidhur me të ashtuquajturën vazhdimësi të kontratës së qirasë deri në vitin 2033, bën me dije sa vijon:

Pretendimi i shoqërisë se kontrata e saj e qirasë ka afat deri në vitin 2033 lidhet me një pasuri tjetër shtetërore, e ndryshme dhe pa asnjë lidhje juridike apo faktike me pasurinë e kaluar shoqërisë shtetërore “KAYO” sh.a.

Pasuria në fjalë është gjithashtu në pronësi të shtetit dhe ndodhet në zonën kadastrale nr. 8170, pasuria nr. 10/304, me sipërfaqe trualli 13,922 m², pranë ish-“Uzinës së Pjesëve të Këmbimit të Automjeteve” në Shkozë. Për këtë pronë ekziston një tjeter kontratë qiraje e lidhur në vitin 2013 dhe e ndryshuar me aneks në vitin 2016 ndërmjet MFE, sot Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe Shoqërisë Panorama Group Sha. me kohëzgjatje deri në 2033.

Në dallim nga kjo, pasuria që i është kaluar shoqërisë “KAYO” sh.a. me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 158, datë 12.3.2025, ishte fillimisht e dhënë me qira në vitin 2002 për një afat deri në vitin 2022 dhe ka qenë objekt i vendimeve gjyqësore të formës së prerë, duke patur kundërpalë Shoqërinë “Focus Media Neës”.

Kontrata e qirasë e pretenduar si e vlefshme deri në vitin 2033 i referohet një pasurie tjetër, me numër dhe kufij të ndryshëm nga pasuria objekt i vendimeve gjyqësore dhe që nuk i është kaluar “KAYO” sh.a. Ky fakt konfirmohet nga dokumentacioni zyrtar i regjistrit kadastral dhe nga planet e rilevimit, të cilat tregojnë qartë se bëhet fjalë për njësi pronësore të ndryshme.

Çdo përpjekje për të paraqitur këto pasuri si të njëjta ose të lidhura, përfshirë referencat ndaj kontratave të tjera të qirasë, përveçse e pabazë është edhe një dizinformim nga ana e një media-je që duhet të tregojë të vërtetën. Asnjë interes material i pronarëve nuk e justifikon keqinformimin!

Pra janë dy gjëra e dy kontrata krejt të ndryshme dhe kjo e dyta nuk ka asnjë ndikim mbi vlefshmërinë, legjitimitetin apo ekzekutimin e vendimeve gjyqësore të formës së prerë që detyrojnë lirimin e menjëhershëm të pasurisë së kaluar nga Këshilli i Ministrave shoqërisë “KAYO” sh.a., për realizimin e objektit të saj të aktivitetit.

Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit rikonfirmon se veprimet për marrjen në posedim faktik të kësaj prone janë në përputhje të plotë me ligjin dhe me vendimet e gjykatave, si dhe se pasuria është e regjistruar qartësisht si njësi e veçantë pronësore, pa lidhje me asnjë pronë tjetër të dhënë me qira përmes kontratave të ndryshme.

MEKI mbetet e hapur për çdo sqarim e informacion në interes të informimit korrekt të opinionit publik dhe të gjithë të interesuarve.

/e.i//a.f/

The post MEKI: Vendimet gjyqësore të formës së prerë detyrojnë lirimin e pronës së “KAYO” sh.a appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Aksioni i IKMT-së në Vlorë, Rama: Pakoja e re e masave, mesazh i qartë për ata që shkelin ligjin

TIRANË, 9 gusht /ATSH/ Lirimi i hapësirave publike, një nismë që i paraprin vizionit të qeverisë për Rilindjen Urbane 2.0, po vijon në të gjitha bashkitë e vendit.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale, pamjet e një tjetër aksioni të IKMT-së në Vlorë, ku po shembet një objekt disakatësh, i pozicionuar buzë detit.

Rama tha se “kjo video është për ata që kanë merakun e gabuar se s’po ndëshkohen shkelësit e mëdhenj, si edhe për të ritheksuar faktin që kjo ngrehinë këtu nuk është as e para, e as e fundit që rrafshohet për paligjshmëri”.

Kryeministri Rama bëri me dije, se “të tjera procese sekuestrimesh po bëhen në Vlorë e jo vetëm, për shkelje brutale të lejeve të ndërtimit”.

Rama pohoi se “njëkohësisht pakoja e re e masave që do të miratojmë së shpejti do të jetë një mesazh i qartë për të gjithë, ata që shkelin ligjin duke lënduar mjedisin e përbashkët po edhe ata që mbyllin sytë përpara shkelësve”.

Lirimi i hapësirave publike nga subjektet që kanë zaptuar trotuaret dhe ambientet e dedikuara për komunitetin dhe qytetarët, vazhdon në të gjithë vendin.

Në këtë kuadër, Rama ka paralajmëruar se po hartohet edhe Rregullorja Kombëtare në të cilën do të përcaktohen me ligj hapësirat që mund të shfrytëzojë biznesi.

Lirimi i hapësirave publike është i domosdoshëm për rritjen e cilësisë së shërbimeve, por edhe funksionalitetit të çdo biznesi dhe sipërmarrjeje në përputhje me standardet kombëtare të mikpritjes dhe shërbimit jo vetëm në zonat turistike, por në çdo cep të Shqipërisë.

Ky aksion ka nisur në fillim të muajit korrik dhe do të vijojë të jetë në fokus të angazhimit të pushtetit vendor dhe qendror në mbrojtje të cilësisë së jetës në komunitet.

/e.i//a.f/

The post Aksioni i IKMT-së në Vlorë, Rama: Pakoja e re e masave, mesazh i qartë për ata që shkelin ligjin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌