TIRANË, 9 gusht /ATSH/ Prestigjiozja franceze “Le Figaro” i ka kushtuar një artikull të veçantë Shqipërisë, duke e konsideruar si një “perlë të fshehur të Ballkanit””.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale shkrimin e realizuar nga gazeta e njohur franceze, bashkë me një fotoalbum me disa prej atraksioneve më të veçanta të vendit tonë.
Rama u shpreh se “gazeta prestigjioze franceze “Le Figaro” e rendit Shqipërinë në mesin e pesë destinacioneve kulturore më të rëndësishme në botë për udhëtime të organizuara, përkrah Washington DC, Salzburgut, Firences dhe Madhështive të Saksonisë”.
Sipas Kryeministrit Rama, “artikulli e përshkruan Shqipërinë si një “perlë të fshehur të Ballkanit”, duke ftuar lexuesit të zbulojnë pasuritë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s, nga Gjirokastra, Berati e Butrinti, në një udhëtim që ndërthur historinë, kulturën dhe natyrën”.
E përditshmja franceze “Le Figaro” e ka renditur Shqipërinë mes pesë destinacioneve kulturore më të mira për të vizituar në një udhëtim të organizuar.
Nga kryeqyteti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës te thesaret e Rilindjes Italiane, duke përfshirë Vendet e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në Shqipëri, këto destinacione ofrojnë një ndërthurje të peizazhit dhe kulturës.
Cilat janë destinacionet më të mira kulturore për udhëtime të organizuara?
1-Shqipëria dhe Thesaret e UNESCO-s
2-Një shëtitje në zemër të Uashington DC, Merilendit dhe Virxhinias
3-Salzburg: Mozarti dhe Shkëlqimet e Salzkammergut
4-Madhështitë e Saksonisë: Dresden dhe Leipzig, dy qytete të artit dhe historisë
5-Firence, toka e mjeshtrave: Ekspozita “Fra Angelico” dhe Thesaret e Rilindjes
“Le Figaro” e përshkruan Shqipërinë, si një perlë të vërtetë të fshehur të Ballkanit, joshëse me pasurinë e historisë së saj dhe diversitetin e peizazheve të saj.
Nga Tirana në Gjirokastër, nëpërmjet Beratit dhe Butrintit, ky udhëtim ju çon në gjurmët e qytetërimeve që kanë lënë gjurmë në këto toka: ilirët, grekët, romakët dhe osmanët.
Një vizitë në një vend ku autenticiteti kombinohet me shkëlqimin e vendeve të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.
Shqipërinë nuk do ta zbuloni vetëm përmes monumenteve të saj.
Ajo jeton në mikpritjen e popullit të saj, pasurinë e traditave të saj dhe shijet e gastronomisë së saj.
Shijoni një byrek krokant, dëgjoni polifonitë shqiptare të listuara në UNESCO dhe eksploroni tregjet e gjalla – ku ndërthuren aromat mesdhetare dhe ndikimet orientale.
Këto janë vetëm disa nga përvojat që e bëjnë këtë udhëtim të paharrueshëm.
Shëtitja nëpër rrugët e ngushta të Krujës, një performancë vallesh popullore apo zbulimi i vreshtave lokale janë të gjitha momente që dëshmojnë autenticitetin dhe ngrohtësinë e kësaj toke mikpritëse. /e.i/
/e.i//a.f/
The post Rama ndan shkrimin e “Le Figaro”: Shqipëria, perlë e fshehur e Ballkanit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.