Marrëveshje të reja tregtare. Sanksione të përbashkëta kundër Izraelit. Marrëveshje ushtarake.
Aleatët më të ngushtë të Amerikës, gjithnjë e më shumë po përqëndrohen tek njëri-tjetri sipas interesave të tyre për t’i thelluar më tej lidhjet, ndërsa administrata Trump po i sfidon me tarifa dhe masa të tjera që po përmbysin tregtinë, diplomacinë dhe mbrojtjen.
Të shqetësuar nga transformimi i prioriteteve të SHBA-së nën Presidentin Trump, disa nga partnerët tradicionalë të Amerikës në skenën botërore kanë kaluar muajt e trazuar që nga inaugurimi i z. Trump në janar duke u përqendruar në ndërtimin e marrëdhënieve të tyre të drejtpërdrejta, duke stërvitur muskujt diplomatikë dhe duke i lënë mënjanë Shtetet e Bashkuara.
Kjo dinamikë në zhvillim përfshin vende si Britania, Franca, Kanadaja dhe Japonia – shpesh të konsideruara nga ekspertët e marrëdhënieve ndërkombëtare si “fuqitë e mesme” për t’i dalluar ato nga fuqitë e mëdha që janë Shtetet e Bashkuara apo Kina.
“Këto janë demokraci të industrializuara, aleatë të Shteteve të Bashkuara, që mbështesin rregulla dhe institucione shumëpalëshe”, shpjegon Roland Paris, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe drejtor i Shkollës Pasuniversitare të Çështjeve Publike dhe Ndërkombëtare në Universitetin e Otavës.
“E teksa rendi ndërkombëtar është shpërbërë dhe Shtetet e Bashkuara kanë treguar se janë më pak të gatshme ta mbështesin atë, ajo që kemi parë është një transformim i rolit të fuqive të mesme”, shtoi ai.
Ky rol, tha Profesor Paris, karakterizohet nga ndjekja e “nismave oportuniste dhe të interesit vetjak që janë ende bashkëpunuese”, duke përfshirë një mori marrëveshjesh më të vogla mbi tregtinë dhe mbrojtjen që përfshijnë vendet evropiane dhe Kanadanë.
Përpjekjet e këtyre vendeve për t’u grupuar ndërsa Shtetet e Bashkuara rikalibrojnë rolin e tyre global dhe mënyrën se si i trajtojnë aleatët e hershëm do të shfaqen gjatë ditëve të ardhshme, ndërsa udhëheqësit e Grupit të 7 vendeve të industrializuara takohen në Alberta, Kanada, për samitin e tyre vjetor.
Qeveria kanadeze, e cila kryeson Grupin e 7 këtë vit, ka ftuar gjithashtu udhëheqësit e disa fuqive të tjera të rëndësishme nga bota në zhvillim, duke përfshirë Indinë, Brazilin dhe Meksikën.
Një pamje e Maleve Shkëmbore në Kanada. Vendi Kananaskis në Alberta, Kanada, ku udhëheqësit e Grupit të 7 vendeve të industrializuara do të takohen duke filluar nga e diela. Kredia…Todd Korol/CP, nëpërmjet Reuters
Organizatorët po planifikojnë takime dypalëshe, më të vogla dhe pa Shtetet e Bashkuara. Do të jetë eventi, ku për herë të parë që kur Z. Trump mori detyrën, ai do të përballet me një grup të madh aleatësh tradicionalë të SHBA-së, të cilët janë sulmuar nga administrata e tij përmes tarifave ose vendime të tjera konfliktuale. (Në rastin e Kanadasë, përveç tarifave, Z. Trump ka kërcënuar gjithashtu sovranitetin e vendit.)
Si rezultat, ekspertët i shohin Shtetet e Bashkuara si gjithnjë e më të veçuara, madje të izoluara, nga struktura që vetë kanë ndërtuar dhe kryesuar gjatë dekadave të fundit.
“Mos vallë duhet të flasim, në një farë mënyre, për një G6 plus një?” tha Jacob Funk Kirkegaard, një bashkëpunëtor me Institutin Peterson për Ekonomi Ndërkombëtare me qendër në Bruksel.
“Në këtë situatë, ku institucionet tradicionale, thelbësore perëndimore politike dhe ushtarake po i nënshtrohen neglizhencës ose përbuzjes nga administrata Trump, Bashkimi Evropian, por edhe Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja, Japonia, do të kërkojnë të forcojnë kanale të tjera”, shtoi ai.
Kjo, në fakt, ka ndodhur intensivisht.
Vendet evropiane dhe Kanadaja kanë qenë veçanërisht aktive në kërkimin e mënyrave të reja dhe më të thella për të bashkëpunuar.
Bashkimi Evropian dhe Britania mbajtën një samit në maj që u cilësua si një rivendosje e marrëdhënieve pas daljes së Britanisë nga blloku në vitin 2020. Ata arritën një marrëveshje që përfshinte një zgjatim të të drejtave të peshkimit për vendet e BE-së në ujërat britanike, më shumë akses në tregjet evropiane për shitësit britanikë të mishit dhe një marrëveshje të madhe për mbrojtjen dhe sigurinë.
Kanadaja dhe Britania gjithashtu kanë bërë presion për të rritur bashkëpunimin ushtarak me Bashkimin Evropian, që prezanton një program huadhënieje prej 150 miliardë eurosh, rreth 171 miliardë dollarësh, për të rritur investimet në mbrojtje. Të dy vendet kanë nënshkruar partneritete sigurie dhe mbrojtjeje me Bashkimin Evropian, të cilat janë një parakusht për të marrë pjesë plotësisht në program si furnizues ushtarak.
Situata me Shtetet e Bashkuara “e detyron Bashkimin Europian t’i shtojë përpjekjet për negociatat e saj politike dhe tregtare me vendet e tjera”, tha Ignacio García Bercero, studiues i një organizate kërkimore në Bruksel, dhe ish-negociator i lartë tregtar në Komisionin Evropian.
Shtimi i ndërveprimit midis këtyre kombeve nuk kufizohet vetëm tek tregtia. Ato po punojnë së bashku edhe në çështje diplomatike ku mbështetja amerikane është lëkundur.
Këtë javë, Britania, Kanadaja, Australia, Zelanda e Re dhe Norvegjia vendosën së bashku një ndalim udhëtimi dhe ngrinë asetet financiare të dy ministrave të kabinetit të ekstremit të djathtë izraelit në një veprim të rrallë të koordinuar nga fuqitë perëndimore mbi zhvillimin e luftës në Gaza.
Në maj, Britania, Franca dhe Kanadaja kishin lëshuar gjithashtu një deklaratë të ashpër mbi Izraelin, duke kritikuar situatën humanitare në Gaza.
Hovi për bashkëpunim më të madh nuk është kufizuar vetëm në kombet tradicionalisht aleate. Bashkimi Evropian, për shembull, ka punuar për të zgjeruar marrëveshjet e tij tregtare me ekonomitë në të gjithë botën, nga India në vendet e Amerikës së Jugut.
“Ne negociojmë”, tha Maros Sefcovic, komisioneri i tregtisë i BE-së, në një postim të kohëve të fundit në mediat sociale, në atë që është bërë një refren i rregullt për bllokun. “Ne nuk izolojmë.”
Megjithatë, udhëheqësit në mbarë botën mbeten të bindur se Shtetet e Bashkuara – me ekonominë e tyre të jashtëzakonshme dhe teknologjitë e zhvilluara ushtarake – nuk mund të përjashtohen lehtë nga sistemi tregtar dhe mbrojtës. Në vend të kësaj, ata po punojnë për të diversifikuar në mënyrë që të jenë më pak të varur nga Shtetet e Bashkuara.
“Këto lloj iniciativash janë pjesërisht investime për të përqafuar sisteme të reja që do të jenë me ne për një kohë shumë të gjatë”, tha Profesor Paris.
“Mendoj se në planin afatshkurtër, nuk është e lehtë të ulet rreziku në marrëdhënien e Kanadasë me Shtetet e Bashkuara, dhe nuk mendoj se ka ndonjë interes për të zvogëluar tregtinë tonë me Shtetet e Bashkuara”, shtoi ai.
Qëllimi, në fund të fundit, nuk ishte të zëvendësoheshin Shtetet e Bashkuara si partner, por të bëhej marrëdhënia me Amerikën më pak e rrezikshme.
Kjo është veçanërisht e vërtetë për Kanadanë, e cila është aq e lidhur përgjithmonë dhe thellësisht me Shtetet e Bashkuara sa do të ishte në thelb e pamundur për të, që ta braktiste atë marrëdhënie për të kaluar tërësisht në lidhje më të ngushta me Evropën.
Në fund të fundit, armiqësia në rritje e administratës Trump ndaj partnerëve të saj tradicionalë tregtarë dhe ushtarakë mund të prodhojë një ndryshim të qëndrueshëm midis aleatëve të hershëm, duke përjashtuar ekonominë më të madhe dhe më të fuqishme në botë.
“Këto janë vende që ndajnë qëllimin gjithëpërfshirës politik për çështje ndërkombëtare të parashikueshme dhe të bazuara në rregulla – padyshim një qëllim që nuk ndahet më nga administrata Trump”, tha z. Kirkegaard.
“Amerika e para do të thotë Amerika e para”, shtoi ai, “edhe sikur kjo të nënkuptojë një Amerikë më të vetmuar”./New York Times përshtati Lapsi.al
The post Efekti Trump/ Si po afrohen aleatët e SHBA në krahët e njëri-tjetrit appeared first on Lapsi.al.