TIRANË, 21 shkurt /ATSH/ Për herë ta parë Shqipëria merr pjesë në Lojërat Olimpike Speciale Botërore Dimërore, që do të mbahen në Torino nga data 7 deri më 16 mars 2025.
Vendi ynë, për herë të parë në historinë e sportit shqiptar, do të përfaqësohet me 6 atletë me aftësi të kufizuara intelektuale, në 3 disiplina sportive dimërore.
Atletët shqiptarë do të marrin pjesë në disiplinat: ski alpine, cross country skiing dhe snowshoeing.
Për këtë pjesëmarrje sot në Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD) në Kryeministri u mbajt një ceremoni e veçantë.

Në fjalën e saj në këtë ceremoni, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu tha se pjesëmarrja e sportistëve tanë në këtë aktivitet ndërkombëtar është një dëshmi e qartë e përpjekjeve të përbashkëta për të promovuar gjithëpërfshirjen në sport dhe për të ndërtuar një sistem që u jep mundësi të gjithë sportistëve, pa dallim.
“Sporti nuk njeh kufizime dhe çdo njeri, pavarësisht sfidave, mund të arrijë majat përmes përkushtimit dhe pasionit. Kjo duket qartazi nga 6 sportistët tanë, 3 vajza dhe 3 djem, që do të garojnë në tre disiplina. Ata janë një shembull frymëzues dhe dua t’i falënderoj për përkushtimin e tyre. Gjithashtu, një falënderim i veçantë shkon për trajnerët, federatën e skive për mbështetjen e tyre të pakursyer, si dhe për prindërit dhe partnerët financiarë që kanë bërë të mundur këtë rrugëtim”, u shpreh Manastirliu.
Ministrja Manastirliu theksoi gjithashtu rëndësinë e përfshirjes së personave me aftësi të kufizuara në sport dhe angazhimin e qeverisë për të krijuar struktura të qëndrueshme për ta:
“Jam vërtet krenare që, me punën e përbashkët të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe me bashkëpunimin fantastik me Komitetin Olimpik Shqiptar dhe të gjitha federatat olimpike dhe jo olimpike, kemi arritur në një moment të rëndësishëm, miratimin në Kuvendin e Shqipërisë të projektligjit për ndryshimet në Ligjin e Sportit. Ky projektligj është tashmë i miratuar nga qeveria shqiptare dhe do të mundësojë krijimin e Komitetit Paralimpik Shqiptar dhe të Lëvizjes Olimpike Speciale. Këto struktura do të institucionalizohen, duke garantuar jo vetëm qëndrueshmëri, por mbi të gjitha një mbështetje më të madhe për personat me aftësi speciale përmes sportit”, tha ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.

Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqipëri, Fidel Ylli, u shpreh se, sporti është imazh, sporti është turizëm, dhe kërkoi më shumë investime për sportin e skive.
“Ne mendojmë, si KOKSH që ka ardhur momenti që Shqipëria të investojë në resortet e skive, sepse janë turizëm, ku dikush do të vijë të bëjë pistën e skive, por biznesi privat do të vijë për të ndërtuar hotele dhe resorte që të jetë një përfitim edhe për Shqipërinë”, tha ai.
Ylli u shpreh se, për këtë KOKSH ka bërë edhe një Memorandum Bashkëpunimi me Austrinë. Ai theksoi se me palën austriake kanë shkuar në Alpet e Shqipërisë, në malet e Shkodrës, në Razëm, në Theth dhe, tha ai, “kemi përcaktuar një zonë dhe në fund të muajit shkurt ose në fillim të marsit kemi caktuar momentin për të shkuar dhe një herë për të instaluar një stacion që ne Shqipërinë të mund ta bëjmë me një pistë skish”.
Kreu i KOKSH theksoi se, “qeveria ka bërë një punë të mirë për qendrat olimpike, për stadiumet, për pallatet e sportit, për ligjin e sportit, për ligjin e gradave, por buxhetet e federatave kanë nevojë të dyfishohen, sepse kanë aktivitete pafund”.

Nënkryetari i bashkisë së Tiranës, Andi Seferi në fjalën e tij theksoi se, “ky është një moment feste, një moment që këto kampionë na bëjnë krenarë dhe do i përcjellim ashtu siç e meritojnë, por nga ana tjetër është edhe një moment që shënon dhe shënjon ecurinë e institucioneve tona”.
Seferi u shpreh se Bashkia Tiranë ka bërë dhe do të vazhdojë të bëjë gjithmonë e më tepër për sa i përket personave me aftësi speciale.
“Ne kemi filluar edhe pjesën e qendrës më të madhe në Ballkan për sa i përket rehabilitimit të fëmijëve autikë, por edhe asistencës sociale të fëmijëve me sindromën Down, e cila realisht do të jetë një mbështetje e madhe në ecurinë që do të kemi të gjithë bashkë si shoqëri, si institucione në ndihmë të kësaj kategorie”, tha Seferi.

Roland Hysi, Drejues Kombëtar i organizatës Special Olympics Albania, e cila është pjesë e Special Olympics, e njohur ndryshe si lëvizja më e madhe botërore sportive për personat me aftësi të kufizuara.
Hysi u shpreh se, miratimi projektligjit për Sportin dhe buxheti do të ndihmojnë në përmbushjen e detyrave kombëtare të Special Olympics Albania.
“Special Olympics Albania është e gatshme të bashkëpunojë me qeverinë dhe MAS për të implementuar një projekt, i cili është tejet ambicioz në arsim dhe quhet “Koalicioni global i gjithëpërfshirjes”, i implementuar në mbi 30 mijë shkolla, në rreth 150 vende në mbarë botën”, tha ai.
/r.e/
The post Shqipëria për herë të parë në Lojërat Olimpike Speciale Botërore Dimërore “Torino 2025” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.