LONDËR, 24 korrik /ATSH- DPA/ – Rreth 221 deputetë britanikë nga parti të ndryshme politike janë bashkuar për t’i bërë thirrje qeverisë britanike të njohë shtetin palestinez.
Deputetët i kërkojnë qeverisë të ndërmarrë këtë hap përpara një konference të Organizatës së Kombeve të Bashkuara që do të mbahet javën e ardhshme në Nju Jork.
Kjo vjen pas njoftimit të Francës mbrëmë se do të njohë zyrtarisht Palestinën në një samit të OKB-së në shtator.
Në letrën e deputetëve, të koordinuar nga Sarah Champion, kryetare laburiste e Komitetit të Zhvillimit Ndërkombëtar, thuhet se “presim që rezultati i konferencës të jetë që qeveria e Britanisë se Madhe të sqarojë se kur dhe si do ta realizojë angazhimin e saj të kahershëm për zgjidhjen me dy shtete, por dhe se si do të bashkëpunojë me partnerët ndërkombëtarë për ta bërë këtë realitet”.
Letra është nënshkruar nga parlamentarë të Partisë Laburiste, Konservatorëve, Liberal Demokratëve, SNP-së, të Gjelbërve, Plaid Cymru, SDLP-së dhe deputetë të pavarur.
Ndër firmëtarët kryesorë janë kryetarët laburistë të komiteteve të përzgjedhura Liam Byrne, Emily Thornberry dhe Ruth Cadbury, lideri i Lib Dem Sir Ed Davey, si dhe ish-ministri konservator Kit Malthouse.
Deputetja e Rotherham-it (Laburiste), Sarah Champion, pranoi se “njohja e Palestinës nuk do ta përfundojë dhimbjen në Gaza apo zgjerimin e shpejtë të vendbanimeve dhe dhunës së kolonëve në Bregun Perëndimor”.
Por ajo theksoi se kjo do të ishte një “hap i rëndësishëm drejt një zgjidhjeje me dy shtete për t’i dhënë fund luftës”.
“Njohja do të dërgonte një mesazh simbolik të fuqishëm se ne mbështesim të drejtat e popullit palestinez, se ata nuk janë vetëm dhe se duhet të ruajnë shpresën për një rrugë që çon drejt paqes dhe sigurisë së qëndrueshme si për popullin izraelit ashtu edhe për atë palestinez.”, tha ajo.
Ministrat janë përballur me thirrje në rritje për të njohur menjëherë shtetin palestinez, në mes të zemërimit global për popullsinë e uritur në Gaza.
Kryeministri Keir Starmer tha sonte se një veprim i tillë duhet të jetë pjesë e një “rruge” drejt paqes në Lindjen e Mesme, për të cilën ai dhe aleatët e tij po punojnë.
“Kjo rrugë do të përcaktojë hapat konkretë për ta shndërruar armëpushimin e dëshpëruar në një paqe të qëndrueshme,” tha ai.
“Njohja e shtetit palestinez duhet të jetë një nga këto hapa. Jam i qartë për këtë. Por duhet të jetë pjesë e një plani më të gjerë që çon përfundimisht në një zgjidhje me dy shtete dhe siguri të përhershme për palestinezët dhe izraelitët”, shtoi Starmer
Kryeministri tha gjithashtu se pamjet “tronditëse nga Gaza janë të pandërprera.”. “Vazhdimi i mbajtjes së pengjeve, uria dhe mohimi i ndihmës humanitare për popullin palestinez, dhuna në rritje nga grupet ekstreme të kolonëve dhe përshkallëzimi i tepruar ushtarak i Izraelit në Gaza janë të gjitha të pajustifikueshme”.
Në një deklaratë të përbashkët të publikuar sot me liderët e Francës dhe Gjermanisë, kryeministri i bëri thirrje “të gjitha palëve të ndalojnë konfliktin duke arritur një armëpushim të menjëhershëm”.
Starmer, presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman Friedrich Merz gjithashtu i kërkuan Izraelit të ndalojë kufizimin e ndihmave për në Gaza.
Organizatat bamirëse që veprojnë në Gaza kanë paralajmëruar se bllokada izraelite dhe ofensiva e vazhdueshme ushtarake po e çojnë popullsinë drejt urisë ekstreme, duke thënë se edhe punonjësit e tyre dhe palestinezët “po tretën dita-ditës”.
Izraeli thotë se lejon mjaftueshëm ndihma humanitare në territor dhe fajëson agjencitë e OKB-së për dështimet në shpërndarje, të cilat vetë agjencitë i justifikojnë me kufizimet izraelite dhe prishjen e sigurisë.
Teksa u nis sot për në Skoci, presidenti amerikan Donald Trump e minimizoi njoftimin e Macron-it për njohjen e Palestinës, duke thënë se “ajo që thotë ai nuk ka rëndësi”, u tha ai gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.
Starmer pritet të takohet me presidentin amerikan gjatë vizitës së tij pesë-ditore private në Skoci.
Bisedimet e paqes të udhëhequra nga SHBA-ja në Katar u ndërprenë dje, pasi i dërguari special i Uashingtonit, Steve Witkoff, akuzoi Hamasin për “mungesë dëshire për të arritur një armëpushim”.
Marrëveshja e diskutuar pritet të përfshijë një armëpushim 60-ditor, gjatë të cilit Hamasi do të lironte 10 pengje dhe eshtrat e 18 të tjerëve në këmbim të palestinezëve të burgosur nga Izraeli.
Ndihmat humanitare do të shtoheshin, dhe të dy palët do të zhvillonin negociata për një armëpushim të përhershëm.
Lufta e Izraelit në Gaza ka shkaktuar vrasjen e mbi 59 000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, e cila nuk bën dallim mes militantëve dhe civilëve. /Ad.Ab./
The post FOKUS – 221 deputetë kërkojnë që Britania të njohë shtetin palestinez appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.