Normal view

“Besa jonë s’ka lidhje me sorrat dhe korbat”, Rama u përgjigjet kritikëve: Fjala ime ishte për mësimet që mora nga flamingot

26 July 2026 at 13:35

Më vijnë në rrugë të ndryshme përmes whatsapit, nga miq a të panjohur, muhabete* sorrash e korbash pas fjalës sime për Bulevardin e Flamingove. Një prej tyre, që e kam dëgjuar edhe me audion origjinale nga poshtë dritares së zyrës, do një koment:

Përsërisin që s’duan “dialog”, s’ka “negociata”, s’japin “besë” po duan vetëm dorëheqjen time! Keqkuptim i madh.

Asnjë prej tyre s’më ka dhënë votë, me asnjë prej tyre s’kam kontratë dhe për asnjë prej tyre e as për të tërë ata bashkë s’më ka shkuar asnjëherë ndërmend të prish kontratën me 800 mijë shqiptarë, ndër të cilët edhe plot flamingo!

Fjala ime ishte për mësimet që mora nga flamingot dhe i drejtohej atyre, jo puplave të zeza që mblidhen çdo natë në bulevard pas shtegtimit të flamingove.

Në atë fjalë sorrat e korbat ishin pjesë, sepse janë ana e errët e protestës, po jo se kanë pjesë në ato mësime apo në detyrimet e nxjerra prej atyre mësimeve.

Kështu që sorrat dhe korbat as mos lodhen hiç së refuzuari BESËN sepse BESA jonë s’ka asnjë lidhje me ta, as mos rreshtin së ardhuri poshtë penxheres time me kërkesën për dorëheqje deri në vitin 2029 po të duan! Sepse liria është e njëjtë edhe për ta dhe demokracia funksionon njësoj për të gjithë.

Ndërsa kontrata ime me shqiptarët nuk varet në asnjë pikë të vetme nga ata po është pronë e të gjithë atyre me të cilët e kam nënshkruar, si edhe gur themeli i jetës demokratike”, shkruan Rama.

 

Rama: Dënojmë sulmin në Berlin. Kryeministri: Nuk mund të ketë tolerancë për urrejtje, dhunë apo ekstremizëm në asnjë formë

26 July 2026 at 13:28

Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur në Paradën e Krenarisë në Berlin, ku një furgon u fut në turmë duke lënë 1 viktimë dhe 16 të plagosur.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama u shpreh se Shqipëria shpreh solidaritetin më të sinqertë me Gjermaninë dhe popullin gjerman.

Sipas kreut të qeverisë, Nuk mund të ketë asnjë tolerancë për urrejtjen, dhunën apo ekstremizmin, në çfarëdolloj forme që ato shfaqen.

“Jam thellësisht i tronditur nga lajmi tragjik që vjen nga Berlini. Në emër të Qeverisë së Shqipërisë, shpreh solidaritetin tonë më të sinqertë me Gjermaninë dhe popullin gjerman. Nuk mund të ketë asnjë tolerancë për urrejtjen, dhunën apo ekstremizmin, në çfarëdolloj forme që ato shfaqen. Ato kërcënojnë jo vetëm sigurinë e qytetarëve tanë, por edhe vetë vlerat mbi të cilat qëndrojnë demokracitë tona. Duhet të qëndrojmë të bashkuar kundër tyre, me vendosmëri dhe pa asnjë hezitim. Në këto çaste të vështira jam me familjen e viktimës dhe u uroj shërim të plotë e sa më të shpejtë të gjithë të plagosurve. Shqipëria qëndron pranë Gjermanisë”, shkruan Rama.

 

I am deeply saddened by the tragic news coming from Berlin.

On behalf of the Government of Albania, I extend our heartfelt solidarity to Germany and the German people.

There can be no tolerance for hatred, violence, or extremism in any form. They threaten not only the safety of…

— Edi Rama (@ediramaal) July 26, 2026

Blinte produkte dhe paguante me kartëmonedha të falsifikuara/ Arrestohet 24-vjeçari në Durrës

26 July 2026 at 13:23

Durrës

Finalizohet operacioni policor i koduar “Përdorimi”.

Blinte produkte dhe paguante me kartëmonedha të falsifikuara, kapet dhe arrestohet në flagrancë 24-vjeçari.

Sekuestrohen 13 kartëmonedha me prerje 20 euro, të dyshuara të falsifikuara.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Durrës, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë dhe nën drejtimin e Prokurorisë, pas kallëzimit të bërë se një shtetas kishte mashtruar në një pikë karburanti duke përdorur kartëmonedha euro të dyshuara të falsifikuara për të paguar karburantin e automjetit, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Përdorimi”.

Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore u bë i mundur identifikimi, lokalizimi, kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit M. Rr., 24 vjeç.

Nga hetimet dyshohet se ky shtetas, në një pikë karburanti në fshatin Sinaballaj, Rrogozhinë, ka furnizuar automjetin me karburant dhe ka kryer pagesën me 3 kartëmonedha me prerje 20 euro, të dyshuara të falsifikuara.

Gjatë kontrollit fizik, në portofolin e tij u gjetën edhe 10 kartëmonedha të tjera me prerje 20 euro, të dyshuara të falsifikuara, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Në total u sekuestruan 13 kartëmonedha me prerje 20 euro, të dyshuara të falsifikuara.

Vijojnë veprimet hetimore, nën drejtimin e Prokurorisë, për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Plagosja e të riut me armë në Kurbin/ Zbardhet ngjarja, shpallet në kërkim një 47-vjeçar

26 July 2026 at 13:17

Policia ka zbardhur ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e së shtunës në fshatin Gjorm të Kurbinit, ku mbeti i plagosur në këmbë me armë zjarri 22-vjeçari Veron Pasha.

Në kërkim është shpallur 47-vjeçari Klodjan Ndoj, i dyshuar si autori i ngjarjes, i cili pas plagosjes u largua nga vendi i ngjarjes duke marrë, nën kërcënimin e armës, edhe automjetin e 22-vjeçarit.

Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 2 gëzhoja.

Punohet intensivisht për kapjen e autorit dhe gjetjen e automjetit të 22-vjeçarit.

Ndërkohë, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.

Ndoj akuzohet për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, “Vjedhja me armë” dhe “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”./abcnews.al

Kampioni i botës me flamurin shqiptar/ Joshua hodhi mbi shpinë simbolin kombëtar shqiptar pas duelit

26 July 2026 at 13:05

Diçka vërtet e bukur ndodhi në fund.

Ndërsa Entoni Xhoshua u përshëndosh me Kristian Prengën, në përfundim të sfidës së tyre të boksit, anglezi vendosi të tregonte aspektin e tij njerëzor dhe me mjaft respekt.

Dy herë kampioni I botës, I cili e dha intervistën pas fitores me djalin e tij të vogël në krah, dhe me flamurin ukrainas në shpatulla, bëri edhe një veprim tjetër.

Siç shihet nga videot e hedhura në Instagram dhe TikTok, Xhoshua 36-vjeçar kërkoi në sallë flamurin shqiptar, dhe po ashtu atë britanik.

I hodhi të dy mbi supe, pra simbolin e tij kombëtar, dhe simbolin kombëtar të rivalit të tij, Prengës.

Padyshim që për këtë ka fituar shumë duartrokitje, shumë vlerësime dhe pëlqime në rrjetet sociale.

Sa I takon respektit, të mos harrojmë se anglezi e bëri shenjën e shqiponjës së bashku me mirditorin në prezantimin përpara ndeshjes ditën e premte.

Ndoshta vetë Prenga e ka bindur për këtë mesazh, dhe ish-kampioni I dyfishtë I botës ka pranuar me kënaqësi.

Në ring, Xhoshua pësoi dy nokdaune, diçka që nuk I ndodh shpesh në karrierë, pra shqiptari nga Mirdita e tregoi forcën e tij, ndonëse rezistoi vetëm dy raunde./abcnews.al

Hedh ko kampionin dhe humb/ Mbyllet në dy raunde aventura e guximshme e boksierit tonë

26 July 2026 at 13:01

Nuk dihet se cilit prej tyre i rrihte zemra më shumë.

Kristian Prenga ishte në ringun e Xhedas në Arabinë Saudite, për ndeshjen ku e ku më të madhe të karrierës së tij si boksier profesionist.

Gjithsesi, edhe gjigandi që kishte përballë, Entoni Xhoshua, dy herë më parë kampion i botës, ndodhej në buzë të greminës.

Një humbje prej britanikut tjetër, Dybua, dhe një aksident i tmerrshëm automobilistik në dhjetor, ku humbën jetën dy miq të tij, kishin shkaktuar tronditje të tmerrshme.

Një humbje ndaj Prengës me shumë mundësi do të thoshte fund i karrierës pa të drejtë apelimi.

Edhe drama në Arenë ishte e denjë për sfidën, që dukej e krijuar nga skenari I ndonjë filmi.

Boksieri shqiptar prodhoi raundin e parë më të mrekullueshëm të gjithë jetës së tij sportive, duke e hedhur nokdaun ish-kampionin e dyfishtë të botës.

Dy herë arbitri numëroi për Xhoshuan, ndërsa në tribunë ishte edhe kampioni i botës i peshave të rënda, Oleksandr Usik, mik i tij, që ishte i shqetësuar.

Gjithsesi, anglezi e mori veten në pushim dhe u kthye ai i vërteti.

Diferenca në klas dihej që ishte e madhe, pavarësisht zemrës së madhe të Prengës.

Siç ndodh në këtë kategori të boksit profesionist, mjafton një kombinim grushtash, një ulje vëmendjeje për një fraksion sekondi, që të marrë fund gjithçka.

Xhoshua fitoi me nokaut në 27 sekonda përpara se të mbyllej raundi I dytë.

Më pas, ai tha se mbijetua nga kujtimi I dy shokëve të vdekur në aksident, ndërsa në radhë është sfida e madhe ndaj patriotit të tij, Tajson Fjuri, edhe ai ish-kampion I botës.

Kontrata është nënshkruar dhe shpresohet që lufta të mbahet, edhe pse ka qenë iluzive që nga viti 2016./abcnews.al

Zhvillonin lojëra fati në lokal/ Divjakë, vihen në pranga dy persona (EMRAT)

26 July 2026 at 12:53

Dy persona Altin Çoku 52 vjeç dhe Edmir Çela 35 vjeç u arrestuan në kuadër të operacionit “Game Over” në Divjakë.

Në lokalin në pronësi të Çokut, në fshatin Karavasta e Re, Divjakë, dyshohet se organizoheshin lojëra fati nëpërmjet kompjuterëve dhe aparateve celularë.

Ndërsa Çela ishte kamarier në këtë lokal. Gjatë kontrollit të ushtruar në aparatin celular të tij u konstatuan faqe të ngjashme me ato të basteve sportive.

Nga verifikimet e kryera rezultoi gjithashtu se Çela ishte i punësuar në mënyrë të paligjshme, pa qenë i regjistruar pranë organeve kompetente.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 5 njësi kompjuterike, 1 DVR, 1 laptop dhe 5 aparate celularë./abcnews.al

Voskopoja, “strehë” nga vapa/ Natyra, klima dhe bujtinat tërheqin pushues vendas e të huaj

26 July 2026 at 12:35

Në kulmin e sezonit veror, fshati turistik i Voskopojës është mbushur me pushues që kanë zgjedhur freskinë e malit për t’iu larguar temperaturave të larta të qyteteve.    Vizitorët janë kryesisht nga Tirana, Elbasani dhe qytete të tjera të Shqipërisë së Mesme, ku termometri ka shënuar vlera të larta.

“Do të rrimë një javë. Jemi arratisur nga vapa e Elbasanit. Pikërisht temperaturat e larta ishin arsyeja që zgjodhëm Voskopojën.”

“Na pëlqen shumë Voskopoja. Sidomos ne që kemi probleme me astmën, na bën shumë mirë. Kam tre-katër vite që vij çdo verë. Jemi akomoduar në një bujtinë, ushqimi është bio dhe ditën e kalojmë duke shëtitur në natyrë.”

“Është një vend i bukur. Ajri është i pastër, klima shumë e mirë, ushqimet bio dhe njerëzit tepër mikpritës.”

“E kalojmë shumë bukur në Voskopojë. Vijmë shpesh. Ushqimet janë bio, njerëzit janë mikpritës, klima është e mrekullueshme dhe ndërtimet karakteristike i japin këtij fshati një identitet që nuk e gjen askund tjetër.”

Përveç turistëve vendas, Voskopoja vazhdon të tërheqë edhe vizitorë të huaj, duke qenë pjesë e guidave turistike ndërkombëtare. Ata mbeten të impresionuar jo vetëm nga peizazhi, por edhe nga trashëgimia e pasur e kulturës bizantine, me kishat shekullore që e kanë bërë fshatin një nga destinacionet më të veçanta në Shqipëri.

“Është hera e parë që vijmë në Shqipëri dhe në Voskopojë. Më pëlqen shumë vendi juaj. Ka malin, detin, liqenet dhe natyrën. Do të qëndrojmë tetë ditë. Shqipëria ka shumë vende për të vizituar, por unë gjithmonë lë diçka pa parë, që të kem një arsye për t’u kthyer përsëri.”

Me klimën e freskët, natyrën e paprekur, gastronominë tradicionale dhe trashëgiminë e pasur kulturore, Voskopoja vijon të mbetet një nga destinacionet më të pëlqyera  të verës, si për turistët shqiptarë, ashtu edhe për vizitorët e huaj./abcnews.al

Dy zjarre në Vlorë/ Flakë në një biznes dhe në një kabinë elektrike, nuk ka të lënduar

26 July 2026 at 12:20

Dy vatra zjarri kanë ndodhur pothuajse në të njëjtën kohë në qytetin e Vlorës, duke detyruar forcat zjarrfikëse të ndajnë ekipet për të ndërhyrë paralelisht në të dyja ngjarjet.

Sipas informacioneve paraprake, zjarri i parë ka rënë në një “fast food”, ku dyshohet se flakët janë shkaktuar nga shpërthimi i një bombole gazi.

Si pasojë e zjarrit, u krijua një tym i dendur dhe u shkaktuan dëme materiale në ambientet e biznesit. Ndërhyrja e shpejtë e shërbimit zjarrfikës bëri të mundur izolimin dhe shuarjen e flakëve, duke vënë situatën nën kontroll.

Ndërkohë, një vatër e dytë zjarri përfshiu një kabinë elektrike pranë shkollës “Ali Demi”, ku flakët u përhapën me shpejtësi. Zjarrfikësit ndërhynë menjëherë, duke stakuar linjën elektrike dhe neutralizuar zjarrin, i cili mund të rrezikonte edhe banorët e pallatit aty pranë.

Fatmirësisht, nga të dyja ngjarjet nuk raportohet për persona të lënduar, por vetëm dëme materiale./abcnews.al

Turistët “pushtojnë” Tiranën/ Vizitorë nga Evropa në kryeqytetin shqiptar për pushimet verore

26 July 2026 at 12:13

Çdo ditë, vizitorë nga vende të ndryshme të botës zgjedhin të eksplorojnë kryeqytetin shqiptar, ku kryesojnë turistë nga vendet evropiane, të tërhequr nga historia, kultura dhe atmosfera e tij unike.

Ndalesat më të frekuentuara në qytet mbeten Sheshi Skënderbej, Xhamia e Et’hem Beut, Kulla e Sahatit, Mali i Dajtit, si edhe shumë atraksione të tjera që vazhdojnë të zgjojnë interesin e turistëve të huaj.

“Jam nga Tajlanda, por, jetoj në Zvicër. Këtu më duket shumë bukur. Kam qenë edhe në Maqedoninë e Veriut. Është pothuajse e ngjashme. Tirana nuk është aq e shpërndarë. Qyteti është lehtë për tu vizituar, kështu që mund të ecësh ngadalë në këmbë për ta përshkruar rreth e përqark. Më pëlqen edhe peizazhi malor, mali i Dajtit. Shumë i bukur. Këtu njerëzit janë shumë miqësorë, të ngrohtë. Ndalen e na përshëndesin, edhe pse unë nuk dijë shqip, vetëm dy fjalë kam mësuar; faleminderit, dhe të dua….”

“Ne vijmë nga Holanda. Këtu është vërtet shumë bukur. Shumë bukur.  Njerëz miqësorë, ushqim i mirë, i përballueshëm për ne. Po, është vërtet një përvojë shumë e mirë deri më tani. Ne nuk kemi vizituar vetëm Tiranën, ishim në Durrës, Berat dhe tani do të shkojmë edhe në Krujë. Sheshi “Skëndërbej” është gjëja e parë që pamë, është mahnitëse. Vërtetë shumë mbreslënës.”

“Ne vijmë nga Franca. Është hera jonë e parë që vijmë në Tiranë. Mbërritëm dje, dhe nuk kemi vizituar shumë vende. Kaq sa kemi parë, është një vend i bukur.”

“Unë vij nga Estonia, sëbashku me motrën time. Kemi rreth 20 minuta që mbërritëm këtu, dhe nuk kemi parë asgjë ende. Por, Sheshi “Skëndërbej” është shumë i bukur.”

Përtej atraksioneve, ajo që mbetet më gjatë në kujtesën e vizitorëve është atmosfera mikërpitëse shqiptare dhe energjia që e karakterizon qytetin.

“Unë vij nga Zvicra. Tirana më duket shumë e bukur, më pëlqen shumë përzierja e ndërtesave të vjetra kulturore dhe arkitekturës së re shumë të bukur. Ushqimi është shumë i mirë dhe njerëzit janë vërtetë shumë të sjellshëm dhe mikpritës. Për Shqipërinë kam dëgjuar shumë, pasi në Zvicër aty ku unë jetoj  ka shumë shqiptarë, dhe të gjithë ma kanë sugjeruar që ta vizitoja një ditë.”/abcnews.al

Rumani, F-16 rrëzon dronin që kishte shkelur hapësirën ajrore

26 July 2026 at 11:53

Tensionet vijojnë të mbeten të larta në kufirin lindor të NATO-s, pasi Rumania njoftoi se një avion luftarak F-16 ka rrëzuar një tjetër dron që kishte hyrë pa autorizim në hapësirën ajrore të vendit.

Ky është incidenti i tretë i këtij lloji brenda tre ditësh, duke rritur shqetësimet në Bukuresht për përshkallëzimin e situatës në rajon, në kushtet kur lufta në Ukrainë vijon dhe kufiri rumun ndodhet pranë zonave të prekura nga sulmet ruse.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Rumanisë, droni u zbulua duke fluturuar në hapësirën ajrore rumune dhe u rrëzua të dielën në mëngjes nga një pilot i Forcave Ajrore Rumune, i cili drejtonte një avion luftarak F-16.

Autoritetet thanë se mjeti pa pilot u rrëzua mbi ujërat territoriale të Rumanisë, rreth 12 kilometra në verilindje të Sulinës.

“Pilotët tanë rrëzuan një dron të tretë që hyri në hapësirën ajrore rumune. Këtë mëngjes, në orën 10:13, një pilot rumun që fluturonte me një avion luftarak F-16 rrëzoi dronin që kishte shkelur hapësirën ajrore kombëtare”, njoftoi Ministria rumune e Mbrojtjes.

Autoritetet rumune vijojnë hetimet për identifikimin e origjinës së dronëve të rrëzuar ditët e fundit. Sipas prokurorëve që po analizojnë mbetjet e dronit të parë, i rrëzuar të premten, dyshohet se bëhet fjalë për një mjet të tipit Shahed, të përdorur nga Rusia në operacionet ushtarake në Ukrainë.

Furgoni përplasi turmën në Paradën e Krenarisë në Berlin/ Merz: Sulm ndaj shoqërisë sonë

26 July 2026 at 11:41

Kancelari gjerman ka folur për sulmin, duke thënë se incidenti ishte një “akt i neveritshëm”.

Friedrich Merz shkroi në X: “Qindra mijëra njerëz nga e gjithë bota po festonin në mënyrë paqësore në Ditën e Rrugës Christopher. Ata donin që ne të sillemi me njëri-tjetrin me mirësi dhe tolerancë. Ky është një sulm ndaj shoqërisë sonë”.

Merz tha se Gjermania ishte “mendjehapur dhe liridashëse” dhe do të “vazhdonte të mbështeste dhe mbronte këto vlera”.

Ai tha se do të kishte një hetim dhe ndjekje penale “me forcë të plotë”, duke shtuar se mendimet e tij ishin me ata që u prekën.

Dëgjuam gjithashtu nga ministri i brendshëm, Alexander Dobrindt, i cili tha se ishte i tronditur nga “ky sulm frikacak dhe i neveritshëm ndaj njerëzve që festonin në mënyrë paqësore”.

Tabloidi gjerman Bild raportoi se Dobrindt po kthehet gjithashtu në Berlin sot për të shqyrtuar situatën.

Pogradec/ Po riparonte një defekt, humb jetën elektriçisti 60-vjeçar (EMRI)

26 July 2026 at 11:22

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Pogradec, ku një elektriçist ka humbur jetën.

Sipas informacioneve paraprake, ka humbur jetën si pasojë e kontaktit me rrymën elektrike 60-vjeçari Agim Beqiri.

Ngjarja ka ndodhur në fshatin Zërvaskë. Dyshohet se 60-vjeçari po riparonte një linjë elektrike, ku kishte një defekt, dhe fatkeqësisht ka humbur jetën.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje për të bërë zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes./abcnews.al

Aksident në aksin Fier-Levan/ Përplasen tre automjete, vetëm dëme materiale

26 July 2026 at 10:54

Një aksident rrugor ndodhi në aksin e vjetër Fier–Levan, në vendin e njohur si Çezma e Levanit, ku tre automjete janë përplasur në një aksident zinxhir.

Përplasja ka shkaktuar vetëm dëme materiale.

Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë Rrugore, të cilat kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e aksidentit, si edhe po punojnë për normalizimin e qarkullimit rrugor./abcnews.al

Tragjedi në Detin e Kinës Jugore, fundoset anija vietnameze me 62 persona në bord

26 July 2026 at 10:47

Një operacion i gjerë kërkim-shpëtimi vijon në Detin e Kinës Jugore për gjetjen e 23 personave të zhdukur, pas mbytjes së një anijeje vietnameze me 62 persona në bord.

Sipas transmetuesit shtetëror kinez CCTV, deri tani 39 persona janë shpëtuar nga ekipet e emergjencës.

Autoritetet e provincës jugore kineze Hainan bënë të ditur se anija e mallrave “Khoi Nguyen 18” dërgoi një sinjal shqetësimi pranë zonës detare të Fiery Cross Reef.

Në operacionin e kërkim-shpëtimit janë angazhuar gjashtë anije kineze, një helikopter dhe një anije vietnameze, ndërsa vijojnë kërkimet për personat e mbetur të zhdukur.

Anija, e regjistruar në Vietnam, është rreth 70 metra e gjatë dhe ka një tonazh bruto prej 999 tonësh.

Zona ku ndodhi incidenti ndodhet pranë Ishujve Spratly, një rajon i diskutueshëm në Detin e Kinës Jugore, i përbërë nga ishuj të vegjël, shkëmbinj nënujorë dhe atole, i cili konsiderohet me rëndësi strategjike dhe i pasur me burime natyrore.

VIDEO/ Momenti kur droni ukrainas godet rafinerinë ruse të naftës në Tyumen

26 July 2026 at 10:29

Një dron ukrainas ka arritur që direkt të godasë rafinerinë ruse të naftës Tyumen.

Ky sulm konsiderohet si një sulm thellë brenda territorit të Rusisë, duke arritur të depërtojë në një thellësi prej 2,000 kilometrash.

Pamjet amatore shfaqin momentin kur droni bën një goditje direkte në rafinerinë e Tyumenit në perëndim të Siberisë.

Kjo rafineri ruse e naftës është një prej më të mëdhave në Rusi, që mund të përpunojë deri në 8 milionë ton metra në vit.

Ukrainasit kanë intensifikuar sulmet mbi rafineritë e naftës ruse dhe kjo ka bërë që autoritetet ruse të ndalin prodhimin e naftës e cila përdoret në masë të madhe për makinerinë e dërguar në Ukrainë për të kryer sulme mbi civilët.

Europa në luftë me flakët, 300 mijë të evakuuar në Francë dhe Spanjë/ Viktima e parë shënohet në Valencia

26 July 2026 at 10:03

Zjarrfikësit po përpiqen të shuajnë zjarret në jugperëndim të Francës, ndërsa erërat e forta i shtyjnë flakët drejt qytetit të Bordeaux, me një zyrtar që thotë se “janë larg kontrollit të zjarrit”.

Më shumë se 300,000 mijë njerëz në Francë dhe Spanjë kanë ikur nga zjarret që kanë shpërthyer prej ditësh, pasi erërat dhe temperaturat e larta pengojnë përpjekjet për t’i kontrolluar ato, shkruan BBC.

Në Spanjë, ku është shpallur gjendje e jashtëzakonshme, një ndryshim i kushteve të motit i ka ndihmuar zjarrfikësit jashtë Madridit.

Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez pranoi se do të ketë “kohë të ndërlikuara përpara”. Ndërkohë, autoritetet në València konfirmuan vdekjen e një burri në një zjarr.

Burri, që besohet të jetë rreth të 70-ave, u gjet i vdekur në makinën e tij nga zjarrfikësit ndërsa po shuanin një zjarr në përroin Salt de l’Aigua në Manises, sipas raportimeve të mediave lokale.

Në Francë, 55,000 të tjerë u urdhëruan të evakuoheshin vonë të shtunën, duke e çuar totalin në rreth 250,000 njerëz në rajonet jugperëndimore të Gironde dhe Landes.

Franca ka mobilizuar ushtrinë e saj për të ndihmuar në reagim dhe përforcime shtesë nga ushtria janë dërguar për të ndihmuar zjarrfikësit duke pastruar shkurret dhe duke krijuar zona kundër zjarrit.

Presidenti Emmanuel Macron tha se Franca do të “rindërtohej” dhe qeveria e tij do të “qëndronte aty për aq kohë sa të ishte e nevojshme”./abcnews.al

Zjarret/ Gjermania do të dërgojë avionë ushtarakë në Francë

26 July 2026 at 09:30

Gjermania do të dërgojë një avion ushtarak A400 për të ndihmuar Francën në përgjigjen ndaj zjarreve, njoftoi kancelari Friedrich Merz.

Ai tha se helikopterët dhe ekipet e shpëtimit ishin gjithashtu në rrugën e tyre drejt rajoneve franceze të prekura nga flakët.

Një numër anëtarësh të tjerë të BE-së i kanë ofruar tashmë mbështetje me automjete dhe personel Francës./abcnews.al

Berlin/ Furgoni përplas turmën në Paradën e Krenarisë, një viktimë dhe 16 të plagosur. Identifikohet autori

26 July 2026 at 09:05

Në fillim mbërriti një njoftim i pazakontë nga agjencitë: Parada e Krenarisë (Pride) në Berlin, një nga më të mëdhatë në Evropë, ishte ndërprerë papritur rreth orës 22:00 të mbrëmjes së djeshme për shkak të “një situate të vështirë”.

Mediat lokale, mes tyre edhe Tagesspiegel, raportuan se rreth orës 22:00 kishte ndodhur një sulm: një furgon i bardhë ishte përplasur me shpejtësi të madhe mbi turmën në zonën e Lennéstrasse, duke shkaktuar një viktimë, një grua, sipas policisë së Berlinit cituar nga Der Spiegel, si edhe 16 të plagosur, disa prej tyre në gjendje shumë të rëndë.

Mbi 40 zjarrfikës dhe dhjetëra ambulanca mbërritën në vendngjarje për t’u dhënë ndihmën e parë të plagosurve, ndërsa zona u rrethua dhe parku u izolua gradualisht nga forcat e sigurisë. Sipas dëshmitarëve të cituar nga gazeta Bild, autori braktisi furgonin pasi përplasi turmën dhe u përplas me një pemë. Po sipas dëshmive, ai kishte edhe një armë të ftohtë me të cilën goditi disa persona të tjerë përpara se të arratisej në këmbë.

Policia tha se i dyshuari Abdul B., 21 vjeç, i cili sipas autoriteteve njihet për lidhje me “rrethe islamiste”. Sipas agjencisë gjermane të lajmeve DPA, ai ishte liruar nga një qendër riedukimi për të rinj në maj të vitit 2026.

❌