Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 27 August 2025Abc News

Inspektorët bërthamorë kthehen në Iran, por rivendosja e sanksioneve duket e pashmangshme

By: Rovena
27 August 2025 at 14:45

Gati dy muaj pasi Teherani ndërpreu bashkëpunimin me Agjencinë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA), mbikëqyrësi bërthamor i OKB-së ka dërguar sërish inspektorë në Iran, pikërisht në kohën kur vendi po përballet me mundësinë e rikthimit të sanksioneve të mëdha ndërkombëtare.

Irani i pezulloi inspektimet në korrik, duke cituar bombardimet amerikane dhe izraelite ndaj objekteve kyç në qershor. Por, rikthimi i inspektorëve është kryesisht simbolik.

Tani për tani, misioni i IAEA-së i konfirmuar nga drejtori i përgjithshëm Rafael Grossi, ka karakter përgatitor, dhe përqendrohet në “modalitetet praktike” për rikthimin e vëzhgimit në disa objekte të shpërndara, disa prej të cilave u dëmtuan rëndë nga sulmet.

Pa qasje dhe bashkëpunim më të madh, është e pamundur të shtyhet rikthimi i sanksioneve të OKB-së, të cilat fuqitë evropiane synojnë t’i rikthejnë në fund të muajit.

Edhe nëse Irani lejon vizitat në disa objekte, hyrja në lokacione të ndjeshme si Fordo, Natanz dhe Isfahan të gjitha të goditura nga bombardimet amerikane mund të mbetet e ndaluar, gjë që kufizon aftësinë e IAEA-së për ta verifikuar veprimtarinë bërthamore të Iranit.

Një pengesë edhe më e madhe është rezerva e uraniumit të pasuruar e Iranit. Rreth 400 kilogramë uranium i pasuruar pranë nivelit për armë mbetet i zbuluar, duke ngritur alarm në kryeqytetet perëndimore.

Treshja evropiane Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania e kanë bërë të qartë se lehtësimi i sanksioneve varet nga tri kushte: rikthimi i plotë i inspektimeve, raportimi transparent i rezervave të uraniumit dhe angazhimi i besueshëm në diplomaci me Uashingtonin.

Këtë të fundit, Irani e ka kundërshtuar në mënyrë të përsëritur, përfshirë edhe fundjavën e kaluar, duke mos dashur të zhvillojë bisedime të drejtpërdrejta me Shtetet e Bashkuara.

Behnam Taleblu, drejtor i lartë i programit për Iranin në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive me bazë në Uashington, i tha Radios Farda të Radios Evropa e Lirë se është “shumë e pamundur” që evropianët ta shtyjnë rikthimin e sanksioneve.

“E vetmja mënyrë që kjo të ndodhë është nëse inspektorët rifillojnë plotësisht vëzhgimin dhe nëse ka vullnet real politik në Teheran për diplomaci. Në atë rast, sanksionet mund të shtyheshin për tre deri në gjashtë muaj… Por, e shoh shumë të pamundur”, tha ai.

Gjendjen e përkeqëson edhe mosbesimi i thellë i Iranit ndaj IAEA-së, të cilën e akuzon për anshmëri politike dhe për dështim në dënimin e veprimeve ushtarake të Izraelit dhe SHBA-së.

Media të linjës së ashpër kanë shkuar edhe më larg. Gazeta Kayhan madje ka bërë thirrje që Grossi të “gjykohet dhe të ekzekutohet”, nëse shkel në tokën Iran./REL

Dhjetëra anije drejt Gazës për ndihma humanitare

By: Rovena
27 August 2025 at 14:33

Një flotë ndërkombëtare e quajtur Global Sumud, e përbërë nga dhjetëra varka dhe aktivistë nga 44 vende, po përgatitet të niset drejt Rripit të Gazës me qëllimin për të dorëzuar ndihma humanitare dhe për të ushtruar presion mbi komunitetin ndërkombëtar, pas më shumë se 20 muajsh pasivitet përballë krizës humanitare në këtë territor.

Nisjet e para janë planifikuar për më 31 gusht nga Spanja dhe Genova, nëse kushtet e motit e lejojnë. Më 4 shtator do të bashkohen edhe anije të tjera nga Sicilia, Tunizia dhe Greqia, të gjitha me destinacion përfundimtar Gazën. Flotilja është e përbërë nga mjete të vogla lundrimi, me jo më shumë se dhjetë persona në secilën, për të shmangur çdo keqinterpretim të natyrës së misionit.

Në bord do të jenë aktivistë të njohur ndërkombëtarisht, përfshirë sërish Greta Thunberg, pavarësisht se më parë është ndaluar në ujëra ndërkombëtare dhe është dëbuar me ndalim 100-vjeçar për të hyrë në Izrael. Ajo do të niset nga Barcelona, së bashku me aktivistët Thiago Avila dhe Yasemin Acar.

Flota ka marrë mbështetje të gjerë nga vende të Azisë Juglindore, si Indonezia, Pakistani, Maldivet, Sri Lanka, Bangladeshi, Tajlanda dhe Filipinet, që kanë përgatitur delegacionet e tyre. Në bordin e anijeve do të jenë gjithashtu parlamentarë, gazetarë, juristë dhe mjekë, duke i dhënë misionit një përmasë të fuqishme ndërkombëtare.

Organizatorët theksojnë se misioni është paqësor dhe jo i dhunshëm, por shprehin shqetësim për mundësinë e një reagimi të ashpër nga Izraeli, siç ndodhi në vitin 2010, kur komando izraelite sulmuan anijen turke Mavi Marmara, duke vrarë 10 aktivistë.

Në Itali, veçanërisht në Genova, është nisur një fushatë e madhe për mbledhjen e ndihmave humanitare, me synimin për të grumbulluar të paktën 45 tonë ushqime dhe barna emergjence. Organizatorët janë të bindur se jo vetëm do ta arrijnë këtë objektiv, por edhe do ta tejkalojnë.

Emri i flotës, “Sumud”, që në arabisht do të thotë “qëndresë” ose “rezistencë”, simbolizon frymën e vendosmërisë së këtij misioni për t’u përballur me padrejtësitë dhe për të treguar solidaritet me popullin palestinez./abcnews.al

Nis Europiani i Basketbollit/ Turneu i koshit do të startojë këtë të mërkurë në katër vende

By: xhir jeta
27 August 2025 at 14:19

Tre vjet më parë përfundoi kështu. Spanja, deri atëherë një superfuqi e basketbollit botëror, fitoi titullin në Kampionatin Europian në 2022, duke mundur Francën 88-76.

Nuk ka kaluar shumë kohë, por situata ka ndryshuar tërësisht, dhe “Furitë e Kuqe” nuk pritet që të jenë në gjendje ta mbrojnë kurorën. Do të jetë Serbia, favoritja për titull në Eurobasketin që nis sot në Estoni, Greqi, Slloveni e pikërisht Spanjë.

Skuadra ballkanase, që fitoi medaljen e bronzit në Lojrat Olimpike në Paris vitin e kaluar pasi u mund në gjysmëfinale nga “Drim Tim” amerikan, ka përbërjen dhe përvojën për t’ia dalë.

Trajneri I vjetër, Svetislav Peshiç, do të drejtojë yje si Nikola Jokiç, kapitenin Bogdanoviç, Miçiç, Joviç, Petrushev apo Vukçeviç. Nëse do t’ia dalë, do të ishte hera e parë si Serbi, sepse në 1995, 1997 e 2001 ka fituar si Jugosllavi.

Nuk mund të nënvleftësohet Franca, nënkampione olimpike në fuqi, edhe pse “gjelave” u mungon ylli kryesor, Viktor Uembaniama i dëmtuar. Gjermania gjithashtu është një pretendente e fortë, madje “teutonët” cilësohen si pretendentët numër 2 për titullin, e pas tyre janë Franca e Greqia.

Një duel në distancë, apo ndoshta edhe ballë për ballë, do të jetë ai mes dy më të mirëve të Europës në këtë moment, yjeve të NBA-së si Jokiç i Serbisë dhe Luka Donçiç i Sllovenisë, edhe pse skuadra tjetër ballkanase ka mungesa dhe nuk pritet të pretendojë këtë herë./abcnews.al

Rrezikuan të mbyteshin në det/ Shpëtohen tre persona në Himarë

By: Rovena
27 August 2025 at 14:13

Policia Kufitare shpëton tre persona që rrezikuan të mbyteshin në det pasi skafi i tyre pësoi defekt gjatë lundrimit. Mbrëmjen e djeshme, pas njoftimit të marrë nga Salla Operative e DRKM Vlorë, shërbimet e Policisë Kufitare organizuan menjëherë punën për t’i shkuar në ndihmë një mjeti lundrues skaf në zonën Grame-Brisanit.

Pas kërkimeve, u bë i mundur lokalizimi i skafit që kishte pësuar defekt teknik dhe po përmbytej. Në bord ndodheshin 3 shtetas, të cilët u morën dhe u shoqëruan me mjetin lundrues të Policisë Kufitare, drejt bregut, në gjendje të mirë shëndetësore.

Falë reagimit të menjëhershëm dhe profesionalizmit të shërbimeve të Policisë Kufitare, u sigurua shpëtimi i këtyre 3 shtetasve, të cilët i falënderuan shërbimet e Policisë, për ndihmën që iu dhanë.

Pavarësisht përpjekjeve të shërbimeve të Policisë Kufitare për ta tërhequr dhe për ta nxjerrë skafin në breg, ai u fundos në det. Policia Kufitare mbetet e angazhuar 24/7 në shërbim të qytetarëve dhe turistëve. Ftojmë çdo qytetar që, në rast nevoje apo emergjence në det, të telefonojë menjëherë në 112.

Inter fiton falë shqiptarit/ Portieri i Kombëtares U19, Alan Taho, hero për zikalterit

By: xhir jeta
27 August 2025 at 14:11

Në fushë hyri si kampion, edhe pse nuk pati meritë në atë trofe. Portieri i Shqipërisë U19, Alen Taho, ishte titullar për ekipin e Shpresave të Interit në finalen e Superkupës ndaj Kaljarit, fituar pas penalltive.

Gardiani kuqezi u bë protagonist, edhe pse fillimi I finales ishte katastrofal për të. Gaboi duke bërë që ekipi të pësonte gol që në nisje, por gjithsesi kjo goditje nuk e shkatërroi.

Edhe pse pati fat, ruajti qetësinë ndërsa Interi reagoi. Moskoni barazoi në 29’, por në 37’ erdhi goli i dytë i sardëve, për të cilin Taho këtë herë nuk është se pati faj.

Në 82’, Labeli barazoi për zikaltërit në 2-2, dhe tek gjuajtjet e penalltive, shqiptari ishte vendimtar. Ai priti penalltinë e parë të ishullorëve, duke bërë që Interi I trajnerit Benito Karbone të fitonte 5-3, pasi nuk gaboi asnjë gjuajtje.

Ky ishte trofeu I parë për portierin e Shqipërisë U19, ndërsa sapo ka nisur karrierën tek Shpresat zikaltër. Festa ishte e madhe në Arenën Çivika “Xhani Brera” në Milano, dhe besohet se Taho do të arrijë në elitën italiane dhe do të jetë portieri I ardhshëm I kombëtares shqiptare./abcnews.al

Meta: Kryemadhi, përgjegjëse për akuzat/ Avokati: Ish-presidenti nuk pranojë gjykim të shkurtuar

By: Rovena
27 August 2025 at 14:03

10 muaj në qeli, por Ilir Meta është i sigurt në pafajësi. Presidenti i PL nuk do të pranojë gjykim të shkurtuar, për të ulur disa vite burg, në rast të një dënimi për akuzat e ngritura nga SPAK.

“Nuk do të pranojmë gjykim të shkurtuar, s’është në interesin tonë. Do të zhvillohet gjyq i zakonshëm.”

Avokati Cakrani sqaroi se Meta do të jetë i vetëm përballë dëshmitarëve në gjyq, pasi dhe me ish-bashkëshorten e tij s’ka asnjë kthim pas.

“Ilir Meta do të jetë në sallë përballë dëshmitarëve, do i shohë në sy. Do i shihni dhe çfarë dëshmitarët do të dëshmojnë kundër Metës, që të dëgjojë dhe SPAK. Meta nuk mban përgjegjësi për ish-bashkëshorten dhe kushërinjtë e saj. Karta ka qenë e saj, Meta nuk ka patur asnjë dijeni.”

Ndërkohë që Meta siguroi se nuk ka dëshmitarë për të intimuduar, me gojën e Tedi Blushit nuk e kurseu të parin, Endrit Braimllarin.
“Nuk ka asnjë dëshmitar sot pjesë e PL që të fajësojë Metën. Ata janë pengje të Ramës dhe Altin Dumanit. Njëri hyri në SPAK si dëshmitar, e doli me teser të PS. Pra është dëshmitar i intimiduar nga Dumani.”

Tashmë që e siguroi falë Berishës një grup parlamentar, Blushi paralajmëroi se do e sjellë Metën nga qelia në Kuvend.

“Unë ju garantoj se zëri i Ilir Metës do të jetë në parlamentin e ri, dhe pse jo fizikisht.”/abcnews.al

Asani e bën “sefte” në Iran/ Aktivizohet menjëherë tek Esteghlal në Ligën vendase

By: xhir jeta
27 August 2025 at 14:03

U mendua se mund të ishte edhe titullar, por nuk ndodhi kështu. Gjithsesi, lajmet e mediave iraniane ishin të vërteta, se trajneri i Esteglalit, Sa Pinto, do ta aktivizonte pa vonesë Jasir Asanin.

Vetëm tri-katër ditë pas mbërritjes në Teheran, lojtari i kombëtares shqiptare debutoi në futbollin e vendit të madh aziatik, madje prania e tij u ndje. Esteglal po humbiste me shifrat 3-1 në pjesën e parë në ndeshjen e kampionatit, ndonëse po luante në shtëpi ndaj Zob Ahanit.

Asani hyri pas pushimit dhe ndihmoi skuadrën që të reagonte. Ai mori pjesë në aksionin e golit të dytë shënuar në minutën e 49-të nga Alireza Kushki, që ishte gjithashtu autor i rrjetës së parë në barazimin e përkohshëm 1-1.

Më pas, ylli kuqezi pati edhe mundësi të shënonte vetë, por gaboi përpara portierit. Gjithsesi, debutimi mund të cilësohet pozitiv, dhe mediat në Iran shkruajnë se ardhja e një lojtari si Asani, dhe nga një ligë e fortë si ajo e Koresë së Jugut, do të ndihmojë Esteglalin, por edhe rritjen e nivelit të kampionatit iranian.

Në fund, në minutën e katërt shtesë, ekipi I shqiptarit barazoi falë rrjetës së zgjuar nga Ramin Rezaiean, duke marrë të paktën një pikë nga një ndeshje që po e humbiste. Esteglal ka 4 pikë pas dy javëve të para, dhe shpreson të fitojë titullin e parë që nga viti 2022./abcnews.al

Broja, gati për Kombëtaren/ Sulmuesi kuqezi luan si titullar me Burnley, asist në Kupë

By: xhir jeta
27 August 2025 at 13:59

Nuk e shihte fushën që nga prilli. Emocionet padyshim që ishin të mëdha për Armando Brojën, ndërsa bënte debutimin tek Bërnli, dhe luante futboll pas 129 ditësh.

Edhe pse i mësuar me mungesat e gjata, sërish vuajtja e pritjes mbetej e madhe, por për fat sulmuesi kuqezi pati nje debutim shume te mire, duke qene protagonist ne ndeshjen e Kupes se Liges.

Ylli i kombetares shqiptare ishte titullar dhe sherbeu pasimin per golin e avantazhit shenuar ndaj Derbi Kauntit nga Ramsej që ne minuten e katert. Broja ishte ne fushe për 68 minuta ne duelin e luajtur në shtëpi, dhe shpresohet qe te mos kete më tej probleme fizike e te kthehet ne formen e dikurshme.

Bërnlei e bleu këtë verë kartonin e tij nga Çelsi per 23 milione euro. Trajneri Skot Parker deklaroi se lojtarët e rinj që hynë në fushë, si Broja apo Ramsej, patën një mundësi të mirë për të treguar veten pasi u kthyen nga dëmtimet dhe debutuan, dhe se ai ishte i kënaqur prej tyre.

Asistin e fundit, Armando e pati dhënë në 9 mars të 2024-ës, pra një vit e gjysmë më parë në Premier Ligë, kur mbante veshur fanelën e Fulhamit, ndërsa golin e fundit zyrtar e ka shënuar në 2 tetor 2023, pra gati dy vjet të shkuara me Çelsin gjithashtu në kampionatin anglez. Shpresohet që ta gjejë rrugën e rrjetës sa më shpejt edhe në Bërnli./abcnews.al

“Lojtar i vjetër, nuk njeh zgjedhjet”, Bejko: Qëllimi i Berishës, të disfunksionalizojë parlamentin

By: Rovena
27 August 2025 at 13:30

Analisti Roland Bejko, i ftuar në emisionin “News Line” në ABC News, ka komentuar zhvillimet e fundit politike duke u ndalur te lëvizjet strategjike të Sali Berishës. Sipas tij, ish-kryeministri po shfrytëzon hapësirat ligjore për të krijuar sa më shumë grupe parlamentare që do ta përfaqësojnë në Kuvend, një veprim që e cilëson si pragmatist dhe të menduar mirë.

Bejko thotë se kjo “shumicë artificiale” në Parlament do të përdoret nga Berisha si instrument në përballjen me drejtësinë, duke synuar edhe bllokimin e punës parlamentare. Në të njëjtën kohë, analisti thekson se kryeministri Rama, duke pasur një mazhorancë absolute, ka luksin për të ndërmarrë politika radikale gjatë mandatit të tij të katërt.

“Berisha ka bërë një lëvizje pragmatiste, në hapësirat që ka krijuar ligji, sepse Berishës i nevojitet që të përfaqësohet në Parlament me sa më shumë zëra. Nga njëra anë është një lëvizje e zgjuar e Berishës sepse do të ketë më shumë grupe parlamentare që do të përfaqësohen nga ai. Berisha do të përfitojë nga shumësia e grupeve, në përballjet e tij me drejtësinë. Do që të maksimizojë, në një vizion optik, numrin që ka. Berisha është një lojtar i vjetër.

Ai e ka strategjinë e gjatë, në ADN-në e tij ai ka luftën. Berisha do të mundohet që ta nxjerrë nga funksioni parlamentin, për të bllokuar punën, komisionet e shumë të tjera. Parlamenti nuk ka për të qenë një institucion serioz. Berisha kërkon që të rregullojë raportin me historinë. Rama e ka luksin ka një mazhorancë absolute, që të bëjë sukses në mandatin e katërt duhet që të bëjë politika radikale. Rama ka krijuar inxhinierinë e votës”, tha analisti Bejko./abcnews.al

Lokalet i kishin kthyer në “fole” të lojërave të fatit/ Procedohen penalisht 4 persona, në kërkim 2 të tjerë

By: Rovena
27 August 2025 at 12:49

Zbulohen 2 ambiente të përshtatura për organizimin dhe ushtrimin e veprimtarisë së paligjshme të lojërave të fatit. Policia sekuestroi 34 njësi kompjuterike, 10 laptopë dhe 2 celularë. Ndërkohë janë proceduar penalisht 4 persona dhe janë shpallur në kërkim 2 të tjerë.

“Strukturat e DVP Tiranë, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërive në fushën e lojërave të fatit, në kuadër të operacionit policor të koduar “Jackpot”, kanë organizuar kontrolle në lokale dhe në ambiente të ndryshme të cilat mund të vihen në dispozicion për organizimin e lotarive të palejuara. Gjatë kontrolleve, u konstatua se 2 ambiente, në Mjull Bathore dhe në Vaqarr, ishin përshtatur për organizimin dhe ushtrimin e veprimtarisë së paligjshme të lojërave të fatit.

Në vijim të veprimeve për këto dy raste, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit B. D., 65 vjeç, R. L., 33 vjeç, L. M., 63 vjeç dhe G. Ch., 43 vjeç (shtetas kinez), si dhe u shpallën në kërkim 2 shtetas kinezë Ë. Zh dhe Y. L. Punohet për kapjen e tyre”, njofton policia.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Rusët avancojnë në lindje të Ukrainës/ Ushtria ruse hyn në Dnipropetrovsk, ndërsa priten negociata Kiev-Moskë

27 August 2025 at 12:35

Rusët kanë hyrë në Dnipropetrovsk dhe po përpiqen të avancojnë më tej. Ushtria Ukrainase ka pranuar për here të parë se forcat ushtarake të Vladimir Putin kanë avancuar në Rajonine e Donetskut duke hyrë tashmë në rajonin lindor industrial.

Moska ka pretenduar disa herë përgjatë muajve të verës se forcat e saj ushtarake kanë nisur pushtimin e kësaj zone. Deepstate, një projekt ukrainas që monitoron në kohë reale përparimin ushtarak në front tha se dy fshatra të Dnipro petrovsk ishin nën kontrollin Rus. Megjithatë Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura Ukrainase mohoi këtë pretendim duke thënë se luftimet po vijojnë në mënyrë intensive dhe se njëri prej fshatrave është ende nën kontrollin e tyre.

Rajoni i Dnipropetrovskut, me më shumë se tre milionë banorë para luftës, është qendra e dytë më e madhe industriale e Ukrainës pas Donbasit. Edhe pse Rusia nuk ka shpallur aneksimin e tij, qyteti kryesor Dnipro dhe zona përreth janë goditur disa herë nga sulmet.

Ky zhvillim vjen ndërkohë që përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës po dobësohen, pavarësisht takimeve të presidentit amerikan Donald Trump me Vladimir Putinin në Alaska dhe më pas me Volodymyr Zelenskyn në Washington. Shpresa për një samit mes dy liderëve ka rënë, meqë Moska thotë se “asnjë agjendë nuk është gati”. Steve Witkoff, I derguari I SHBA për Lindjen e Mesme  tha këtë të martë për Fox News se përgjatë kësaj jave do të takohej me zyrtarë Ukrainas në Nju Jork ndërsa shtoi se Washingtoni flet me zyrtarët ruse çdo ditë.

Ndërsa Rusia vijon avancimin në frontin e betejës Ukraina njoftoi një lehtësim të rregullave të udhëtimit për meshkujt, pavarësisht problemeve të Kievit për shkak të mungesës së ushtarëve. Meshkujt nga mosha 18 deri në 22 vjeç do të lejohet të dalin nga vendi dhe të ritkthehen në mënyrë të lire, pasi nuk janë subjekt I mobilizimit ushtarak i cili nis nga mosha 25 vjec.Kryeministrja Yulia Svyrydenko tha se ky ndryshim synon të forcojë lidhjet e të rinjve me vendin e tyre, ndërkohë që 5.6 miliona burra Ukrainas kane zgjedhur te largohen nga vendi per tiu shmangur keshtu shkuarjes ne lufte. / abcnews.al /

Ndikim në statusin e Groenlandës, Danimarka thërret diplomatin më të lartë amerikan

By: Rovena
27 August 2025 at 12:35

Ministri i Jashtëm i Danimarkës ka thirrur diplomatin më të lartë amerikan në Kopenhagë, pas një raporti se qytetarë amerikanë kanë kryer operacione të fshehta në Groenlandë.

Sipas transmetuesit publik danez DR, burime të cituara kanë thënë se qëllimi ishte të depërtohej në shoqërinë atje dhe të promovohej shkëputja e saj nga Danimarka për t’iu bashkuar SHBA-ve, megjithëse nuk është sqaruar për kë punonin këta persona.

Shërbimi i inteligjencës daneze ka paralajmëruar se Groenlanda po bëhet objektiv i “llojeve të ndryshme të fushatave të ndikimit”.

Ministri i Jashtëm Lars Løkke Rasmussen deklaroi se “çdo përpjekje për të ndërhyrë në punët e brendshme të Mbretërisë [së Danimarkës] do të jetë, sigurisht, e papranueshme” dhe se, për këtë arsye, është thirrur i ngarkuari me punë i SHBA-ve”.

Presidenti amerikan Donald Trump ka shprehur disa herë dëshirën për të aneksuar Groenlandën, një pjesë autonome e Mbretërisë së Danimarkës, ndërsa zëvendëspresidenti JD Vance ka akuzuar Kopenhagën për mosinvestim të mjaftueshëm në territor.

Gjatë një vizite në Groenlandë disa muaj më parë, kryeministrja daneze Mette Frederiksen paralajmëroi SHBA-në se “nuk mund të aneksoni një vend tjetër”.

Në një deklaratë për BBC-në, Rasmussen tha se qeveria është “në dijeni që aktorë të huaj vazhdojnë të tregojnë interes për Groenlandën dhe pozitën e saj në Mbretërinë e Danimarkës” dhe se “nuk do të ishte befasuese nëse do të përjetonim përpjekje të jashtme për të ndikuar në të ardhmen e Mbretërisë në të ardhmen e afërt”.

Danimarka është anëtare e NATO-s dhe Bashkimit Evropian dhe i ka konsideruar prej kohësh SHBA-të si një nga aleatët më të ngushtë, ndërsa danezët janë tronditur nga vendosmëria e Trump-it për të kontrolluar territorin gjysmë-autonom. Presidenti amerikan ka thënë këtë vit se nuk e përjashton mundësinë e marrjes së tij me forcë.

Shërbimi danez i sigurisë dhe inteligjencës PET ka vlerësuar se fushatat e ndikimit synojnë të “krijojnë përçarje në marrëdhëniet mes Danimarkës dhe Groenlandën”, duke shfrytëzuar “mosmarrëveshje ekzistuese ose të sajuara”, qoftë përmes “agjentëve tradicionalë të ndikimit fizik apo përmes dezinformimit”. PET ka shtuar se ka forcuar praninë e tij në Groenlandë dhe bashkëpunimin me autoritetet vendase.

Aktualisht, SHBA-të nuk kanë ambasador në Kopenhagë, ndaj Rasmussen ka thirrur Mark Stroh, i cili si i ngarkuar me punë është diplomati më i lartë në kryeqytetin danez.

Rasmussen e ka thirrur tashmë ambasadorin amerikan në Danimarkë edhe më herët këtë vit, pas një raporti të veçantë në maj që sugjeronte se agjencitë amerikane të spiunazhit ishin udhëzuar të përqendronin përpjekjet e tyre në Groenlandë.

Raporti i DR-së të mërkurën dha detaje për një vizitë të një amerikani në kryeqytetin e Groenlandës, Nuuk, ku ai kërkonte të hartonte një listë të groenlandezëve që mbështesnin përpjekjet amerikane për të marrë ishullin. Qëllimi, sipas DR-së, ishte rekrutimi i tyre për një lëvizje shkëputjeje.

Raporti i mëparshëm i majit nga Wall Street Journal përmendte gjithashtu mbledhjen e informacionit mbi lëvizjen për pavarësinë e Groenlandës, si dhe qëndrimet ndaj shfrytëzimit të mineraleve nga amerikanët.

Në atë kohë, Drejtoresha e Inteligjencës Kombëtare të SHBA-së, Tulsi Gabbard, nuk e mohoi raportin, por akuzoi Wall Street Journal për “shkelje të ligjit dhe minimin e sigurisë dhe demokracisë së vendit tonë”.

Ndalohet autoboti me karburant kontrabandë/ Fier, arrestohen dy persona, në kërkim një tjetër

27 August 2025 at 12:19

Policia e Fierit ka vënë në pranga dy persona dhe ka shpallur një të tretë në kërkim për tregtim kontrabandë të hidrokarbureve.

Në aksin rrugor Fier-Mbrostar, punonjësit e policisë kanë ndaluar drejtuesin e autobotit, një 49 vjeçar Blertian Dulaj i cili po transportonte lëndë hidrokarbure, të pashoqëruar me dokumentacionin përkatës.

Sipas hetimeve paraprake, karburanti kontrabandë ishte në pronësi të një 58 vjeçari Mario Margilaj dhe do të magazinohej në ambientet e një shtetasi tjetër, banues në Fier.

Në prangat e policisë ranë drejtuesi i autobotit dhe poseduesi i sasisë së karburantit, ndërkohë në kërkim është shpallur pronari i magazinës ku do të ‘fshihej’ lënda.

Autoboti dhe lënda hidrokarbure u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

/abcnews.al /

Skafi ‘pa motor’ bllokohet në det gjatë natës/ Himarë, Policia Kufitare shpëton tre turistët

27 August 2025 at 12:14

Naten e kaluar Kapiteneria e Portit Vlore, ne bashkepunim me QNOD-ne dhe Policine Kufitare Vlore ka kryer operacionin e shpetimit te nje mjeti lundrues tip skaf me flamur Shqiptar me 3 persona ne bord i cili ishte nisur nga Himara nje nate me perpara per destinacion Durrës ku kishte pesuar avari ne motor dhe ishte duke futur uje ne motor ne afersi te gjirit te Grames

Drejtuesi i mjetit lundrues mbasi i ka ndodhur difekti ka kontaktuar me Kapitenerine e Portit Vlore dhe ka kerkuar asistence teknike dhe  rimorkimin e mjetit lundrues pasi ishte ne kushte “pa motor” dhe nuk mund te lundronte me.

Me pas mjeti lundrues eshte rimorkiuar per ne portin e Himares, ku sipas burimeve mjeti lundrues ka pesuar vetem deme materiale.

Personat qe ndodheshin ne bord jane ne gjendje te mire shendetesore. / abcnews.al /

Kriset qeveria e Albin Kurtit/ Liburn Aliu jep dorëheqjen pas zgjedhjes së Dimal Bashës kryeparlamentar

By: xhir jeta
27 August 2025 at 12:04

Ministri i Infrastrukutës, Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në Kosovë, Liburn Aliu ka dhënë dorëheqje sot nga detyra. Në një postim në Facebook, ai ka deklaruar se dorëheqja e tij vjen pasi Dimal Basha, është zgjedhur dje si kryetar i Kuvendit të Kosovës.

Aliu ka thënë se sot ia ka dorëzuar letrën e dorëheqjes Albin Kurtit, kryeministrit në detyrë, i njëjti pohoi se dje vetëm se e kishte njoftuar të parin e ekzekutivit për vendimin e tij.

“Dua t’ju njoftoj që sapo e dorezova te Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, letrën e dorëheqjes sime nga detyra e Ministrit në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. Dorëheqja ime vjen pas zgjedhjes së djeshme të kryetarit te Kuvendit të Republikës së Kosovës. Dje, pas votimit te kryetarit të Kuvendit, e kam njoftuar Kryeministrin Kurti për vendimin tim”.

“Konsideroj që zgjedhja e djeshme e Kryetarit të Kuvendit, institucionit më të lartë, ku vendosen ligjet dhe jep llogari qeveria, nuk është në frymën e në lartësihë e atij ideali për Republikën që ka qenë dhe mbetet arsye angazhimi për mua”, tha Aliu.

VIDEO/ Riaktivizohet vatra e zjarrit në pyllin e Poros

By: Rovena
27 August 2025 at 11:56

Edhe pse gjatë gjithë natës vatrat e zjarrit në pyllin e Poros, pranë hidrovorit, janë mbajtur nën monitorim, rreth orës 11:30 të kësaj të mërkure flakët janë riaktivizuar sërish.

Gazetari i ABC News, Elton Nika raporton se në terren ndodhen forca të shumta zjarrfikëse, si dhe 40 trupa të Forcave të Armatosura që po asistojnë në monitorimin dhe shuarjen e zjarrit.

Deri më tani, flakët kanë qëndruar të ndezura për gati 48 orë, duke shkrumbuar një sipërfaqe të konsiderueshme të pyllit me pisha. Shefi i zjarrfikësve Luan Kapaj shprehet  për situatën dhe monitorimin, pasi nga momenti në moment mund të ketë riaktivizim të vatrave për shkak të erës.

Ndërkohë, pjesa tjetër e pyllit vijon të mbahet në vëzhgim të rreptë, pasi ekziston rreziku që flakët të kalojnë kanalin e hidrovorit dhe të përhapen në zonën tjetër të pyllit, e cila është e dendur dhe e vështirë për ndërhyrje./abcnews.al

“Ndihma nga jashtë s’është fenomen shqiptar”, Rama: Zjarret, kemi një kapital njerëzor që nuk e lë Shqipërinë në baltë

By: xhir jeta
27 August 2025 at 11:41

Rama: Na nevojitet, parandalim më të mencur, pastrim pyjesh, krijim koridoresh natyrore, më shumë dronë në përdorim me kamera termike. Dhe futjen e dronëve për mbjelljet e reja, një funksionim më i mirë falë investimeve që do bëjmë më tej të qendrave të kontrollit për reagim më të shpejtë.

Kërkohet edukim e ndërgjegjësim, gjë që kërkon që cdo shkollë të ndërgjegjësoje nxënësit dhe një solidaritet më i madh ndërkombëtar. Falë rrjetit të solidaritetit ia kemi dalë më së mirë të evitojmë më të keqen. Kroacia, Italia, Suedia, Greqia meritojnë një falenderim të posacëm.

Ardhja e mjeteve nga jashtë nuk është një fenomen shqiptar, apo e bën vetëm Shqipëria se nuk ka, i marrin edhe vende të tjera dhe reciprokisht këmbejnë mjetet.
Falenderim të vecantë për Emiratet e Bashkuara, që me shpejtësi dërguan helikopterë edhe avionë. Sot nderojmë Shqipërinë që tregoi se po, kemi të meta, kemi shumë për të investuar ne mjete inteligjente. Nuk mund të dilnim nga kjo verë pa plagë, por kemi një kapital njerëzor që nuk e lë Shqipërinë në baltë, Shqipëria tregon forcë të madhe propocionale, sa më e madhe sfida aq më e fortë ndjenja e përkushtimit.

Le ta përmirësojmë më tej punën së bashku duke futur më shumë teknologji, duke u përgatitur si me një ndeshje të radhës me një përbindëshm që sa vjen e do bëhet edhe më i egër. Rrisim mbështetjen financiare. Me përulësi i japim përgjigur pozitivisht propozimeve nga ministritë për medaljet, si një shenjë simbolike mirënjohje dhe mesazh për një trupë që meriton gjithë nderimin e posacëm. Respekt për të gjithë ju dhe sa herë më duhet të flas me njerëz me uniformë, shpreh mirënjohjen për familjet tuaja që e dinë më mirë se kushdo sa e vështirë është puna juaj dhe jetojnë me ndjesinë e rrezikut./abcnews.al

Beteja me zjarret/ Rama: Së shpejti do të kemi flotën tonë, me dy avionë zjarrfikës

By: Rovena
27 August 2025 at 11:36

Në një ceremoni të zhvilluar me rastin e Mirënjohjes Kombëtare për forcat e angazhuara në përballimin e zjarreve masive gjatë verës, kryeministri Edi Rama vlerësoi përkushtimin dhe profesionalizmin e shërbimeve emergjente shqiptare.

Ai theksoi se, ndërkohë që vendet e Mesdheut si Franca, Greqia, Italia, Portugalia dhe Turqia u përballën me dëme të mëdha dhe viktima për shkak të flakëve, Shqipëria arriti të reagojë me efikasitet falë angazhimit të forcave në terren dhe mbështetjes së partnerëve ndërkombëtarë.

Rama nënvizoi se avionët zjarrfikës janë ndihmës të rëndësishëm, por se forca kryesore mbetet ajo në tokë. Më tej kreu i qeverisë tha se së shpejti Shqipëria do të disponojë flotën e saj ajrore për përballimin e emergjencave natyrore.

“Ndërkohë që i gjithë Mesdheu ishte në flakë si asnjëherë më parë, në Francë, Portugali, Greqi e Itali. U dogjën qindra mijëra hektarë tokë, kurse Turqia numëroi dhe viktima. Parafytyroni që BE del nga kjo verë me mijëra hektarë tokë të bëra shkrumb e hi. Prandaj kur dëgjojmë që shajnë Shqipërinë, duhet të kenë parasysh që avionët nuk janë magjistarë, por ndihmës të cilët nuk na kanë munguar nga mbështetja e BE, ku Shqipëria bën pjesë me të drejta të plota. Avionët janë një krah i fuqishëm, ku ne do të kemi së shpejti flotën tonë, e cila do të jetë me dy avionë zjarrfikës. Por, kryesorja jonë është forca në tokë”, tha kryeministri Rama./abcnews.al

❌
❌