Pretendimi: Ky produkt i rekomanduar nga Ylli Merja ripërtërin shikimin
Verdikti: E pavërtetë, skemë mashtrimi
—————————————————–
Një faqe interneti e dizenjuar për të ngjarë si një portal i mirëfilltë lajmesh pretendon se “një profesor i njohur nga Shqipëria do t’ju tregojë se si arritjet moderne mjekësore mundësojnë rikthimin e shikimit në vetëm një muaj pa dalë nga shtëpia dhe si të ktheni shikimin e qartë përgjithmonë, duke shmangur verbërinë.”
Megjithatë, çfarëdo që të klikosh në këtë faqe, do të të dërgojë tek produkti i reklamuar nga artikulli. Kjo pjesë e dizenjos së faqes tregon se ajo shënjestron sidomos përdoruesit që nuk janë shumë familjarë me teknologjinë.
Artikulli reklamë, për t’i dhënë më shumë besueshmëri vetes, është i ndërtuar si një intervistë me farmacistin shqiptar Ylli Merja.
Megjithatë, një kërkim i thjeshtë me fjalë kyçe zbulon se Merja nuk ka folur ndokund për këtë produkt.
E tërë intervista, ashtu si dhe faqja, është e stisur me qëllim shitjen e një produkt që pretendohet se rikthen shikimin për vetëm 3900 lekë.
Çuditërisht, faqja nuk liston përbërësit e produktit, por thekson vetëm se ato janë natyralë.
Përdorimi i mediave online për të shitur produkte të caktuara për shëndetin është kthyer në një shqetësim serioz. Në një sërë artikujsh, Faktoje ka treguar se si portalet po përpiqen të mashtrojnë qytetarët, duke përdorur mjekë të rremë, me qëllim që ta bëjnë sa më të besueshëm për lexuesit online.
Më 23 korrik, rrjetet sociale të qeverisë shqiptare u përmbytën nga një valë entuziazmi zyrtar. Ministri i Jashtëm Igli Hasani shpalli një arritje historike: Shqipëria, sipas tij, kishte “hapur të gjithë kapitujt e negociatave” me Bashkimin Europian.
Në një video të publikuar nga Kryeministria, qytetarët u informuan se hapja e “grupkapitullit 5”, që përfshin bujqësinë dhe kohezionin, do të sjellë modernizim të sektorit, ndihmë për fermerët dhe standarde më të larta të sigurisë ushqimore. Kryetarja e Kuvendit shkoi më tej, duke deklaruar se ky zhvillim “përmbyll çeljen e të gjithë kapitujve të negociatave”.
Por, kur premtimet e politikës përballen me faktet, realiteti shpesh del të jetë më i ndërlikuar.
Çfarë thotë Bashkimi Europian?
Në përgjigje të një kërkese zyrtare për informacion nga “Faktoje”, Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë ofroi një panoramë të qartë të progresit të Shqipërisë në procesin e negociatave.
Shqipëria deri tani ka hapur negociatat e anëtarësimit për katër grupe kapitujsh.
Deri më tani, sipas Delegacionit, janë hapur vetëm katër nga gjashtë grupkapitujt e parashikuar në metodologjinë e re të zgjerimit:
Grup-kapitulli 3: Rritje konkurruese dhe përfshirëse – hapur në maj 2025
Ndërsa grupi Grup-kapitulli 4 (Agjenda e gjelbër dhe lidhshmëria e qëndrueshme) dhe Grup-kapitulli 5 (Burimet, bujqësia dhe kohezioni) mbeten ende të pahapura.
Dakordësia s’është hapje
Mospërputhjet mes deklaratave të zyrtarëve të lartë shqiptar dhe delegacionit europian në Tiranë duket se vijnë për shkak të interpretimit të një akti diplomatik. Dakordësia e vendeve anëtare të BE-së për të ftuar Shqipërinë të paraqesë pozicionin negociues për Cluster-in 5. Ky është një hap i rëndësishëm, por jo i barazvlefshëm me hapjen formale të grupkapitullit, thekson Blerjana Bino nga qendra SciDev për Faktoje.
“Hapja formale dhe zyrtare ndodh vetëm pas dorëzimit të Pozicionit Negociues [dokument ku qeveria sqaron qartë ku qëndron aktualisht vendi në lidhje me kriteret e kërkuara nga BE-ja, cilat reforma janë ndërmarrë deri tani, cilat do të ndërmerren në të ardhmen dhe si planifikon Shqipëria të plotësojë standardet e BE], vlerësimit pozitiv nga Komisioni Evropian dhe miratimit unanim nga Këshilli i BE-së në një Konferencë Ndërqeveritare” – Blerjana Bino, SciDev.
Sipas metodologjisë së zgjerimit, një grupkapitull konsiderohet i hapur vetëm pas përfundimit të Konferencës Ndërqeveritare, për të cilin nuk ka ende një datë. Deri atëherë, hapja është vetëm një projekt politik në pritje.
Kronologji politike vs. kronologji zyrtare
Tendenca e qeverisë për të përshpejtuar kronologjinë e progresit europian të vendit nuk është e re. Në një vend ku integrimi europian është kauzë e mbështetur gjerësisht nga publiku, retorika optimiste politike ofron një valë të shpejtë miratimi popullor – edhe kur nuk mbështetet nga faktet.
Megjithatë, për të qenë të saktë dhe të përgjegjshëm ndaj qytetarëve, dallimi mes dakordësisë për nisjen e negociatave dhe hapjes formale të kapitujve nuk është thjesht një detaj teknik – është një tregues i maturisë institucionale dhe saktësisë në komunikim.
Transparenca dhe qartësia e komunikimit publik mbi statusin real të negociatave është kyç për informimin e qytetarëve mbi kompleksitetin e procesit dhe shmangien e keqkuptimeve, pritshmërive jorealiste dhe mosbesimit ndaj procesit, thekson Blerjana Bino.
Faktoje kontaktoi edhe Ministrinë e Jashtme e cila në përgjigje të kërkesës për informacion konfirmoi se Shqipëria ka hapur deri tani katër nga gjashtë grupkapitujt e negociatave për antarësim me Bashkimin Europian.
Përfundimi: Po, progres ka. Por jo të gjithë grup-kapitujt janë hapur.
Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm përpara në procesin e integrimit europian dhe ka hapur zyrtarisht katër nga gjashtë grupkapitujt duke iu afruar synimit për të mbyllur hapjen e të gjithë grup-kapitujve brenda vitit 2025, premtim ky i dhënë gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Por, deklaratat e zyrtarëve të lartë që pretendojnë se “të gjithë kapitujt janë hapur” janë të pasakta dhe çorientuese.
Në mungesë të një Konference Ndërqeveritare për grup-kapitujt 4 dhe 5, procesi mbetet i papërfunduar. E vërteta është se Shqipëria është afër, por ende jo në përfundim të hapjes së të gjithë grup-kapitujve. Dhe Integrimi europian, ashtu si demokracia, është një proces që kërkon më shumë se vetëm entuziazëm – kërkon transparencë dhe përmbajtje. Ndaj nisur nga këto të dhëna, deklaratën e ministrit të jashtëm Igli Hasani se Shqipëria hapi negociatat për grup-kapitullin e fundit të negociatave me BE-ne do e kategorizojmë të pavërtetë.
Pretendimi: Videoja tregon balenat e bardha që kanë dalë në breg pas cunamit në Rusi të datës 29 Korrik 2025
Përfundimi: Jashtë konteksti
Një video e publikuar në rrjete sociale që tregon katër balena të bardha (beluga) të bllokuara në breg të detit, ndërsa dy persona përpiqen t’i ndihmojnë duke i lagur me ujë, është shpërndarë në 31 korrik me përshkrimin: “Balenat dalin në breg në Japoni pas tërmetit të fuqishëm në Rusi që shkaktoi cunami…”
Pretendimi ngjall besueshmëri – veçanërisht pasi më 29 korrik 2025, Rusia u godit vërtet nga një tërmet i fuqishëm i ndjekur nga një cunami që arriti valë deri në 3-4 metra. Por videoja që po shpërndahet nuk ka asnjë lidhje me këtë ngjarje.
Faktoje bëri një kërkimme motorin e kërkimit Google lens mbi pamjet e videos, dhe gjeti se ato janë publikuar për herë të parë më gusht 2023, pra thuajse dy vite përpara se tërmeti të ndodhte. Një version më i gjatë i videos është ngarkuar në YouTube më 16 gusht 2023, dhe është shpërndarë nga disa media ndërkombëtare dhe portale lokale ruse.
Kërkimi me fjalë kyçe çoi në raportimin e medias Newsweek, që konfirmon se pamjet janë regjistruar në Lindjen e Largët të Rusisë, pranë grykëderdhjes së lumit Tigil, ku pesë balena të bardha – katër të rritura dhe një këlysh – mbetën të bllokuara në breg. Ato u shpëtuan nga peshkatarë lokalë që i mbajtën të lagura dhe i ushqyen me peshk deri sa u kthye vala.
Rusia u godit nga një tërmet i fortë më 29 korrik, me epiqendër në afërsi të rajonit të Kamçatkas. Autoritetet njoftuan për një cunami me valë deri në 4 metra, që preku disa zona të bregdetit Paqësor. Disa banorë u evakuuan, dhe dëmet materiale janë ende në vlerësim. Deri tani nuk ka raportime zyrtare që lidhin ndonjë fenomen të ngjashëm me baticat ose sjelljen e balenave në ato zona.
Videoja që shfaq balenat beluga në breg është autentike, por nuk ka asnjë lidhje me tërmetin dhe cunamin e korrikut 2025. Ajo i përket një ngjarjeje të vitit 2023 dhe është ripërdorur në kontekst të gabuar.
David McAllister nuk ka njoftuar asnjë mision faktmbledhës të Parlamentit Europian për Shqipërinë. Deklarata e ish-kryeministrit Berisha, sipas të cilës, Komisioni i Jashtëm i PE do të dërgonte një mision për zgjedhjet, rezulton e pavërtetë. Zyra e Parlamentit Europian konfirmon për Faktoje.al se bëhet fjalë vetëm për një vizitë të mundshme në vitin 2026, jo për një mision të planifikuar këtë vit.
Esmeralda Topi
Dy muaj më parë, ish-kryeministri Sali Berisha, deklaroi nga Brukseli se kryetari i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian, David McAllister, kishte paralajmëruar dërgimin e një misioni faktmbledhës në Shqipëri nga ky komision, duke e cilësuar këtë si “një mbështetje të madhe për përpjekjet e shqiptarëve për demokraci”
“Unë e përshëndes këtë vendim të kryetarit të Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian si një mbështetje e madhe për përpjekjet e shqiptarëve për demokraci… Në qoftë se në harkun kohor të 24 orëve, njoftohen dy misione faktmbledhëse, kjo tregon se Shqipëria tashmë është një emergjencë…”,deklaroi Berisha gjatë një interviste televizive nga Brukseli.
Deklarata e Berishës për një mision të Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian erdhi menjëherë pas lajmit se Partia Popullore Europiane (PPE) kishte njoftuar dërgimin e një misioni faktmbledhës në Shqipëri. Në këtë kontekst, Berisha ndodhej në Bruksel pikërisht për të kërkuar mbështetje nga partitë simotra europiane, duke i informuar për atë që ai e konsideron si “farsë elektorale” në zgjedhjet e fundit në vend.
Fakt
Faktoje kontaktoi me zyrën e shtypit të Parlamentit Europian për të sqaruar nëse është njoftuar zyrtarisht një mision faktmbledhës nga Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Europian (AFET), ashtu siç u pretendua.
Përgjigjja zyrtare nga zëdhënësja e Parlamentit Europian e rrëzoi këtë pretendim.
“Zoti McAllister nuk ka njoftuar një mision të tillë. Ai tha se Komisioni për Punët e Jashtme (AFET) duhet të vizitojë Shqipërinë vitin e ardhshëm. Për këtë vit, planifikimi është bërë tashmë. Megjithatë, ndryshime mund të ndodhin gjithmonë”, shkruan zëdhënësja për Faktoje.al.
Pra, bëhet fjalë për një vizitë të mundshme në vitin 2026, jo për një mision faktmbledhës të paralajmëruar për 2025-n, siç u interpretua në deklaratën e Berishës dhe në pasqyrimin mediatik që pasoi.
Më tej edhe media të ndryshmeonline e pasqyruan lajmin duke e bërë fakt të kryer misionin faktmbledhës nga Parlamenti Europian.
Përfundim
Deri më sot, nuk ka asnjë njoftim zyrtar nga Komisioni i Jashtëm i PE për një mision fakmbledhës për zgjedhjet në Shqipëri gjatë këtij viti. Zoti McAllister ka përmendur vetëm një vizitë të mundshme vitin e ardhshëm. Ndaj, nisur nga verifikimi i kryer deklaratën e ish-kryeministrit Sali Berisha rreth një misioni faktmbledhës të Parlamentit Europian e katëgorizojmë të pavërtetë.
Pretendimi: Videoja tregon kontrollet që policia bën në transportin publik në Berlin
Përfundimi: Jashtë konteksti
Një video e shpërndarë në rrjetet sociale tregon një situatë të tensionuar brenda një treni në Gjermani, ku udhëtarët duken duke ngritur duart në ajër, ndërsa policia e armatosur rëndë hyn në vagon.
Përshkrimi i videos që qarkullon në gjuhën shqipe është: “Berlin – kontrolle në transportin publik”, duke lënë të kuptohet se kjo është një praktikë e zakonshme apo e përsëritur e autoriteteve në mjetet e transportit publik në Berlin.
Me një kërkim në rrjet përmes Google Reverse Image Search, Faktoje arriti të verifikojë burimin dhe kontekstin e videos përmes mediave gjermane dhe gjeti se ky në fakt nuk ishte një kontroll rutinë, por një aksion special policor i zhvilluar më 4 korrik 2025 në stacionin Wannsee të linjës S-Bahn në Berlin, pas një denoncimi për një person të armatosur në tren.
Sipas raportimit të mediave gjermane, një dëshmitar kishte njoftuar policinë se kishte parë një person me armë në një nga vagonët e linjës S7 që udhëtonte drejt Potsdamit. Pas kësaj, policia federale dhe ajo e landit ndërhynë me forca të shumta dhe armë automatike për të siguruar trenin dhe për të arrestuar të dyshuarin. Në videon e plotë të publikuar nga mediat dallohet momenti kur pasagjerët evakuohen në panik dhe disa ngrejnë duart në shenjë bindjeje ndaj urdhrave të policisë.
Pas ndërhyrjes, rezultoi se alarmi ishte i rremë. I dyshuari ishte një person i veshur për një festival dhe arma që mbante ishte një lodër që ngjante shumë me një armë të vërtetë. Ai u ndalua, por më pas u lirua, dhe autoritetet po shqyrtojnë nëse do të ngrihen akuza për shkelje të ligjit mbi armët apo ndonjë kundërvajtje tjetër. Pretendimi se videoja paraqet një kontroll të zakonshëm të transportit publik në Berlin është i pavërtetë dhe i nxjerrë jashtë kontekstit. Shpërndarja e kësaj videoje me përshkrime të pasakta mund të kontribuojë në dezinformim dhe nxitje të panevojshme të frikës.
Raportimet mediatike në Kosovë për një tragjedi në liqenin e Ujmanit morën trajta qesharake kur vëmendja u spostua jo më tek ngjarja e rëndë e një të riu që humbi jetën në liqen, por tek propaganda e qeverisë Kurti dhe më pas akuzat e pabaza për modifikim të fotografive.
Një publikim në rrjetin social Facebook nga Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, i cili njoftonte ndërhyrjen e njësive të specializuara të zhytjes dhe kërkim shpëtimit të Forcave të Sigurisë së Kosovës për kërkimin e trupit të një 33 vjeçari shqiptar të mbytur në liqenin e Ujmanit në Zubin Potok, u përdor për shkëmbim akuzash propagandistike dhe për karrema klikimesh.
Lëvizja Vetëvendosje publikoi në rrjetin social Facebook njoftimin e ministrit Maqedonci, duke e titulluar “FSK për herë të parë si ushtri në veri të vendit”. Kjo ngjalli reagime të shumta në Kosovë, duke e akuzuar Vetëvendosjen për propagandë të panevojshme, pas dëshmive nga ish- punonjës të FSK-së që kujtuan një operacion të ngjajshëm të vitit 2015.
Por ishte një tjetër detaj që krijoi tymnajë dhe dezinformim në media. Në imazhet e përzgjedhura nga ministri Maqedonci për t’u shpërndarë në rrjetin social Facebook, dukeshin vetëm makinat e FSK, jo ato të KFOR që i shoqëronin në këtë operacion në zonën me shumicë serbe.
Shpejt në rrjet u shpërnda edhe një imazh tjetër tejet i ngjashëm me atë të shpërndarë nga Maqedonci. Por ky imazh i dytë tregon në pamje edhe makina të KFOR-it.
*Imazhi i shpërndarë nga ministri Maqedonci*Imazhi i shpërndarë si “provë” që fotoja e ministrit Maqedonci është manipuluar
Kaq mjaftoi për të nisur akuza për manipulim të imazheve me qëllim propagandën nga qeveria e Kosovës. Sipas kërkimit të Faktoje rezulton se akuza për manipulim të imazhit është publikuar fillimisht nga gazetari Lirim Mehmetaj.
Por do të kishte mjaftuar një kërkim në rrjet për të gjetur burimin e këtyre fotografive për të kuptuar se në fakt nuk bëhet fjalë për modifikim të imazheve.
Media në Kosovë Kallxo publikoi në rrjetin e saj social Facebook një album me fotografi në orën 8:40 min të datës 29 Korrik ku qartësisht duken të dy imazhet e mësipërme.
Madje kjo verifikohet më tej edhe nga videoja e shpërndarë nga Kallxo, ku plani i parë është pikërisht imazhi i shpërndarë nga ministri i mbrojtjes Maqedonci.
*Imazh i shkëputur nga video e shpërndarë nga gazetarët e Kallxo.com
Verifikimi nëse ministri i ka manipuluar dhe modifikuar vërtetë imazhet apo jo nuk ka qenë qëllimi kryesor i mediave që shpërndanë këtë pretendim. Ndaj, keqinformimi – i nxitur nga etja për të “zbardhur” një gënjeshtër qeveritare propagandistike – u përhap me shpejtësi në media.
Vërtetësia e dy imazheve u konfirmua sërisht nga vetë gazetari i Kallxo, Artan Hamiti në një video ku shpjegonte se ishte ai autori i të dy imazheve dhe se asnjë prej tyre nuk është i manipuluar. Pavarësisht kësaj, mediat që shpërndanë lajmin dezinformues vijojnë të mbajnë në rrjet lajmin e tyre të pandryshuar.
E ndërsa lëvizja Vetëvendosje e përdori rastin për të ndërtuar narrativë triumfaliste mbi praninë e FSK në Veri, kjo ishte lehtësisht e mbështetur nga faktet dhe dëshmitë e ish-pjesëtarëve të FSK-së. Reagime lidhur me këtë pati edhe nga përfaqësitë e Gjermanisë dhe Francës në Kosovë, të cilat kërkuan mospolitizimin, respektin dhe mirënjohjen e merituar për forcat e KFOR duke përshëndetur mediat të cilat e pasqyruan qartë rolin e tyre në operacionin për gjetjen e trupit të të riut të mbytur në Ujman.
Përzgjedhja e imazheve nga ministri Maqedonci – që dukshëm kërkonte të mbështeste këtë narrativë të Vetëvendosjes – u bë subjekt për përhapje të informacioneve të pavërteta dhe keqinformuese duke errësuar edhe më shumë pamjen, në vend që të ndriçonte të vërtetën. Në fund të fundit, propagandës i duhet kujdesi po aq sa kritikës – përndryshe, lexuesit humbasin mundësinë për tu informuar me fakte.
Bashkimi Evropian thekson rëndësinë e një procesi gjithëpërfshirës dhe transparent për paketën e projekt-amendamenteve të Kodit të ri Penal duke përfshirë institucionet e drejtësisë, aktorët e sundimit të ligjit dhe shoqërinë civile.
REAGIMI
Në përgjigje të një kërkese zyrtare për informacion nga “Faktoje”, Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë thotë se, “rishikimi i përgjithshëm i Kodit Penal është një proces i rëndësishëm dhe kompleks, me një ndikim të mundshëm afatgjatë në shoqëri dhe në sistemin e drejtësisë”.
Për pasojë, zyra e delegacionit të BE-së në Tiranë, sqaron “rëndësinë e garantimit të një konsultimi gjithëpërfshirës dhe të plotë me të gjitha institucionet kryesore të drejtësisë dhe aktorët e sundimit të ligjit, si dhe me shoqërinë civile për të garantuar cilësinë më të lartë të legjislacionit që do të rezultojë”.
Delegacioni i BE-së thotë se, ka marrë njoftim mbi prezantimin e projekt-amendamenteve të Kodit Penal, si rezultat i punës së një grupi ekspertësh të ngarkuar nga qeveria.
Në të njëjtën kohë, BE-ja sqaron se nuk ka qenë pjesë e grupit të ekspertëve dhe për pasojë ende nuk ka një qëndrim mbi këto projekt-amendamente.
Megjithatë, delegacioni i BE-së nënvizon faktin se, si pjesë e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Shqipëria, në periudhën afatshkurtër, inkurajohet “që t’i japë përparësi atyre ndryshimeve legjislative që janë të nevojshme për të përmbushur standardet e përkohshme të përcaktuara në Qëndrimin e Përbashkët të BE-së për Grup-kapitullin 1 (Themeloret)”.
BE-ja gjithashtu shprehet e gatshme të ofrojë ndihmë teknike në këtë drejtim.
SPAK
Në të njëjtën ditë, përmes një takimi informal që kryetari i SPAK, Altin Dumani, zhvilloi me gazetarët, rezultoi se Prokuroria Speciale nuk ka qenë pjesë e grupit të punës për hartimin e Kodit të ri Penal. Dumani u shpreh se debati për Kodin fillimisht duhej bërë nëse kishte nevojë për ndërhyrje në Kodin aktual Penal apo për një Kod të ri Penal?!.
Dumani nuk komentoi draftin e ri, sa kohë që, sipas tij, paketa e propozimeve nuk kishte mbërritur ende në SPAK.
Një ditë më parë edhe Prokurori i Përgjithshëm, Olsi Çela, tha se institucioni që përfaqëson nuk është thirrur për të dhënë mendim.
Kodi i ri, ideja që në 2020
Në shkurt të vitit 2020, ish-ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj prezantoi nismën për ndryshimet në Kodin Penal. U përzgjodh një grup pune me në krye Arben Rakipin, ndërsa u tha se do të merreshin propozime edhe nga grupe interesi, si prokuroritë, dhoma e avokatisë, gjyqësori dhe Komiteti i Helsinkit.
Pesë vite më vonë, me thuajse të njëjtat qëndrime, ministri aktual i Drejtësisë Ulsi Manja tha se “Kodi aktual nuk i përgjigjet më sfidave të kohës dhe se zbatimi i tij paraqet vështirësi reale për gjyqtarët, prokurorët dhe avokatët. Riformatimi konceptual dhe strukturor është jo vetëm i domosdoshëm, por në rrethanat ku jemi është edhe i pashmangshëm”
Më 30 qershor 2024, në një vizitë të zhvilluar në Theth, kryeministri Edi Rama, përballë burrave të fshatit (mes tyre edhe të rinj), u tha se ndërtimet e tyre pa leje mbi tokat e familjes nuk ishin tipikisht ndërtime të bëra për t’ju shmangur ligjit, por nisur nga nevoja.
Ai pranoi gjithashtu se shtrëngimi i legjislacionit për zonat e mbrojtura e kishte pamundësuar ndërtimin me leje, dhe se shumë banorë kishin ndërtuar për të zhvilluar turizmin familjar, duke u premtuar për pasojë faljen e gjobave.
Në të njëjtin vit, sipas të dhënave që IMT e Shkodrës ka përcjellë për Faktoje.al numri i ndërtimeve pa leje ishte 16.
Më herët në vitin 2023 (zgjedhjet lokale) ishin evidentuar 26 raste të kundraligjshme ndërsa në vitin 2022 vetëm 13 ndërtime të paligjshme.
Një vit më pas
Shifrat e vitit 2025 që IMT e Shkodrës ka përcjellë për Faktoje.al tregojnë një tjetër realitet nga vitet e mëparshme.
”Për vitin 2025 deri në dt. 12.07.2025 Korrik janë konstatuar 50 raste ndërtimesh të kundërligjshme për të cilat janë ezauruar të gjitha proçedurat ligjore duke marrë masa administrative dhe duke i referuar pranë Prokurorisë se Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër. Është vijuar duke u ndërmarrë aksione për prishjen e objekteve, të cilat për mungese të logjistikës specifike dhe për shkak te kësaj zone nuk janë realizuar. Pas kërkesës për mbështetje IKMT-së Tiranë në dt.04.07.2025 u ndërhy për realizimin e tyre në dt. 07.07.2025 e ditët në vijim”, thuhet në përgjigjen e IMT.
Pyetja që lind është se: A mund të shihet kjo rritje (tre herë më shumë) e ndërtimeve pa leje (vetëm për një vit) jashtë kontekstit të deklaratës së një viti më parë nga kryeministri Edi Rama?
Rrëfimi i banores
Për disa banorë fjalët e kryeministrit u panë si garanci e dhënë me gojë, apo siç preferojnë vetë banorët e Thethit si “fjalë e besës” për të ndërtuar mbi tokat e tyre edhe pse asnjë premtim nuk ishte e reflektuar në ligj.
Më 11 korrik, katër ditë pasi kishte filluar prishja e ndërtimeve, një banore e Thethit rrëfen se si ndërtoi mbi tokën e familjes pas thirrjes së kryeministrit:
“Vjet (2024) erdhi Edi Rama e tha: ‘Mblidhi djemtë ku i ke e ku si ke e mi sill këtu në Shqipni të lënë emigracionin e të vijnë e të investojnë’. Erdhi djali e nisi e investoi vetëm kur më ka ardh policia, unë kam met pa mend. I thashë: ‘Mua më ka thënë Edi Rama’. Më tha: ‘Ke ndërtuar pa leje’. I thashë: ‘Kam ndërtu në tokë teme, e në tok të katragjyshit të burrit tim. I thashe as kam ndërtu tek Rana e Hedhun dhe as kam ndërtu trotuareve të Tiranës. Kam ndërtu në tokë time’. Kjo e para. Dhe e dyta vetë shteti më tha: ‘Ndërtoni dhe jetoni’. Kështu humbim shpresën e të rinjve. Ku është shpresa e të rinjve? Ku është Edi Rama tash?!”, ngriti supet banorja e Thethit.
Rrëfimi i saj nuk ishte një rast i veçuar për të kuptuar se si ishte përcjellë mesazhi i kryeministrit.
Famullitari Dom Vlash Palaj dënoi sjelljen e autoriteteve që, sipas tij, i kishin mashtruar dhe braktisur banorët: “Një konflikt i madh atje në Theth, më vjen shumë keq për ato njerëzit e shkretë sepse i joshën, i rrejtën, i blenë, i shfrytëzuan, i vjelën për nga ana monetare, dhe në fund i hodhën, i tradhtuan, i dogjën, i shkatërruan, do t’i gjobisin e do t’i burgosin”
Votat
Fenomeni i premtimit të faljes se gjobave dhe nxitjes për të ndërtuar në tokë të tyre u reflektua edhe në vota.
Sipas të dhënave zyrtare të KQZ-së, PS-ja fitoi në Theth 388 vota, 171 partia e afërt me të, PSD, kundrejt 259 votave që mori PD
“…Kam marrë pashaportizimin kët vit në Tiranë dhe e kam sjellë në Theth me i dhan votën Edi Ramës. Mua mu thafshin krahët, mu thafshin dy duart si e kam fut atë votë në atë vend. Po ca më shtini me e fut. Po si me i dhënë votën atij more?! A e shih cfarë më bani. Edhe tri shpija të tjera mi ka prish atje lart. Katër shtëpia më kanë prish…”, vijoi ofshamën banorja e Thethit.
Nga premtimi tek mungesa e ligjit
Kryeministri Edi Rama premtoi një vit më parë (qershor 2024) për banorët e Thethit një paketë ligjore për malet, që në thelb do t’u mundësonte emigrantëve të investonin në vendlindje, edhe pa qenë pronarë me letra, në një marrëdhënie të re me shtetin, me qira simbolike 1 euro.
Por premtimi i Ramës pa reflektime ligjore zgjati 6 muaj. Në janar të këtij viti qeveria miratoi projektligjin për paketën e maleve. Në mars (2025) Kuvendi e miratoi me procedure të përshpejtuar. Vetëm në fund të muajit qershor bashkitë u vunë në lëvizje përmes një udhëzimi të brendshëm se si duhet të zbatohet ligji.
Kjo periudhë kohore, pa fushatë informuese, i çoi banorët të lëviznin mbi një terren të rrëshqitshëm, duke u reflektuar edhe në shifra. Në fund, përgjegjësia mbeti vetëm mbi ta…
Nga Sebi Alla– Dy muaj pas përfundimit të zgjedhjeve të Përgjithshme Parlamentare dhe një morie të madhe akuzash dhe ankesash nga partitë opozitare, Prokuroria Speciale SPAK vijon hetimet për 39 procedime penale për krime zgjedhore, ndërsa për katër prej tyre kanë përfunduar hetimet, duke e çuar në 43 numrin total të dosjeve të hapura. SPAK tha për Faktoje se vetëm dy janë procedime për akuzën e përdorimit të funksionit publik për qëllime politike. “Një procedim është regjistruar sipas nenit 328/a (përdorimi i funksionit publik për qëllime politike) dhe një procedim është regjistruar për të dy nenet, respektivisht nenit 328/a (përdorimi i funksionit publik për qëllime politike dhe nenit 248 (shpërdorimi i detyrës)” thotë SPAK. Ndërsa në lidhje me hetimet e mundshme pas rinumërimit të kutive të votimit në Qarkun Fier, ku u konstatua devijim i konsiderueshëm votash drejt kandidatëve të listave të hapura, shprehet se: “SPAK nuk ka regjistruar procedim penal kryesisht për këtë çështje deri më tani”.
Dy procedime për një “mal” problemesh
Përdorimi i administratës publike për qëllime elektorale ishte edhe një nga shqetësimet kryesore që ngrihet në raportet e OSBE-ODIHR. “Keqpërdorimi i burimeve shtetërore dhe fushata brenda institucioneve publike është i ndaluar, por shqetësimet vazhdojnë për presionin ndaj nëpunësve civilë, ndikimin e padrejtë mbi votuesit dhe keqpërdorimin e aseteve publike”, konstatonte raporti përgjatë fushatës. Ndërsa pas përfundimit të procesit, në përmbledhje të problematikave, OSBE-ODIHR theksoi: “Presioni ndaj nëpunësve civilë, përdorimi i burimeve shtetërore, falja e gjobave dhe skemat elektorale në momentet e fundit u raportuan gjerësisht nga vëzhguesit dhe përbëjnë një avantazh të padrejtë për partinë në pushtet”. Po ashtu edhe partitë opozitare, veçanërisht PD akuzoi dhe denoncoi disa raste të përdorimit të administratës dhe aseteve shtetërore në fushatë. Megjithatë, por për këtë akuzë ka vetëm dy procedime penale të pranuara nga Prokuroria Speciale (SPAK).
Administratë në fushatë
Hetimet nga SPAK janë ende në fazën paraprake dhe nuk ka një vendimmarrje sesi do të procedohet. Në nenin 328/a thuhet: “Detyrimi i shtetasve nën varësi administrative, kundër vullnetit të tyre apo nën kanosjen e përdorimit të masave administrative, për të marrë pjesë në veprimtari zgjedhore të një subjekti zgjedhor përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në gjashtë muaj. Detyrimi apo organizimi për të marrë pjesë në veprimtari elektorale të një subjekti zgjedhor i nxënësve të arsimit parauniversitar nga punonjës që kryejnë një detyrë shtetërore në arsimin publik, ose detyrë a funksion në arsimin jopublik, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me burgim nga tre muaj gjer në një vit”.
SPAK nuk bën me dije se kush janë dy rastet specifike dhe në cilin qark të përdorimit të administratës publike përgjatë fushatës për të cilin ka ngritur edhe akuzat.
Policisë iu pranuan më shumë
“Gjatë periudhës së raportimit, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka administruar 193 materiale kallëzuese që lidhen me dyshimet për krime zgjedhore. 43 prej tyre janë regjistruar si procedime/hetime penale, pra kanë kaluar në fazën e hetimit”, thuhet për Faktoje.al në qëndrimin zyrtar të SPAK. Ajo që konstatohet është se në total ka pasur 193 referime për dyshimin e krimeve zgjedhore në SPAK, por 150 janë refuzuar të regjistrohen dhe vetëm 43 janë pranuar dhe nisur procedimi penal. Nga 43 dosje të hapura, peshën më të madhe të denoncimeve e mban Policia e Shtetit, me 22 procedime, ndërsa 9 kanë nisur kryesisht nga vetë SPAK dhe pjesa tjetër është e shpërndarë nga shtetas të ndryshëm ose të referuar nga prokuroritë e rretheve. SPAK ka pranuar dhe nisur hetime për vetëm katër kallëzime të bëra nga subjektet politike, garuese në zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Akuza që dominon ka të bëjë me korrupsionin aktiv. “35 procedime janë regjistruar për veprën penale të nenit 328 (korrupsionit aktiv në zgjedhje)”, thotë SPAK.
Përfundimi
Vetë kreu i SPAK Altin Dumani prezantoi tre muaj parë zgjedhjeve “Task Forcën” për parandalimin dhe ndëshkimin e krimeve zgjedhore. Në 12 qarqe të vendit funksionoi një zyrë drejtuese me prokurorë të SPAK të cilët bashkërendonin punën me oficerë të BKH-së. Pavarësisht akuzave, denoncimeve të shumta dhe raporteve ndërkombëtare të monitorimit të zgjedhjeve deri më tani ka vetëm katër të arrestuar dhe proceduar për krime zgjedhore, dy në Kukës, një në Fier dhe një në Lushnje. Ndonëse për një pjesë të dosjeve hetimet vijojnë, rezultatet mund të cilësohen të ngadalta në krahasim me pritshmëritë, por edhe denoncimeve të publikuara.
Në një vend ku zjarret kanë shkatërruar qindra mijëra hektarë tokë në dekadën e fundit, premtimet politike për përforcimin e flotës ajrore me avionë zjarrfikës nuk janë çështje retorike, por çështje jetike. Megjithatë premtimi i bërë nga kryeministri Edi Rama gjatë fushatës elektorale të vitit 2025, se Shqipëria do të kishte dy avionë zjarrfikës të gatshëm për sezonin veror, rezulton i pambajtur.
“Flota jonë ajrore do të ketë në dispozicion duke filluar nga kjo verë, janë bërë marrëveshjet, dy avionë zjarrfikës në gatishmëri për ne pa pritur që të vijnë nga një vend apo nga një vend tjetër” ,tha kryeministri gjatë fushatës elektorale në 29 Mars 2025.
Vera erdhi, zjarret nisën, por Shqipëria ende nuk ka asnjë avion zjarrfikës.
Një kërkesë për informacion që Faktoje i drejtoi Ministrisë së Mbrojtjes konfirmon zyrtarisht se, ndryshe nga sa u premtua, Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë nuk disponojnë asnjë avion zjarrfikës. Në përgjigjen e kthyer zyrtarisht, ministria njofton thjesht:
“Ju informojmë se Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë (FARSH) aktualisht nuk disponojnë avionë zjarrfikës.”
E në fakt për zjarret aktive në vend avionët zjarrfikës erdhën nga vendet e Bashkimit Europian në kuadër të programit EU Solidarity.
Gjatë ditëve të fundit flakët kanë përfshirë zona të ndryshme të Shqipërisë si Delvina, Bulqiza, Borshi, Lukova, Kanina, Berati dhe Pusteci. Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes civile njoftoi më 28 Korrik se “gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar 34 vatra zjarri nga të cilat 17 janë ende aktive, 6 janë nën monitorim dhe 11 janë shuar”.
Mungesa e avionëve zjarrfikës është denoncuar edhe nga kreu i institutit për Bashkitë e Shqipërisë, Agron Haxhimali, sipas të cilit Shqipëria është i vetmi vend në rajon që nuk disponon asnjë avion apo helikopter të dedikuar për shuarjen e zjarreve nga ajri.
Premtimi i ricikluar për avionë zjarrfikës
Premtimi për avionë zjarrfikës nuk është i ri për qeverinë socialiste. Ai është një riciklim i deklaratave të mëparshme.
Në janar të vitit 2023, ministri i atëhershëm i Mbrojtjes, Niko Peleshi, njoftoi publikisht se Shqipëria po përgatiste dokumentacionin për blerjen e dy avionëve shumëfunksionalë, të përshtatshëm për ndërhyrje në raste zjarresh dhe për mbështetje agrokulturore.
“Janë disa mjete më modeste në kosto, më të manovrueshme dhe më të përshtatshme për situatat tona të zjarreve,” u shpreh ministri Peleshi asokohe.
Pyetjet që ngrihen nga kjo mospërputhje mes deklaratave politike dhe realitetit janë disa. Sa ka kushtuar dështimi për të pajisur vendin me avionë zjarrfikës në kohë? Sa sipërfaqe mund të ishte shpëtuar? Sa jetë njerëzish dhe burimesh janë vënë në rrezik për shkak të mungesës së logjistikës ajrore?
Në mungesë të transparencës, publiku nuk ka mundësi të gjykojë nëse vonesat janë për arsye financiare, burokratike apo thjesht për mungesë vullneti politik. Asnjë informacion për tendera, kontrata apo faza të prokurimit nuk është bërë publik deri më sot.
Nisur nga të dhënat, premtimi i bërë gjatë fushatës zgjedhore për vendosjen e dy avionëve zjarrfikës në dispozicion të flotës ajrore shqiptare konsiderohet i pambajtur.
Nga Mimoza Picari – Në Shqipëri sëmundjet jo të transmetueshme, ose siç njihen ndryshe sëmundjet kronike, po njohin rritje të vazhdueshme, ndërsa ekspertë të shëndetit publik konstatojnë mangësi në kujdesin e shëndetit parësor, hallka fillestare ku ndodh parandalimi dhe monitorimi i tyre. Përveç financimeve të ulëta, vihet re edhe një rol i dobët i mjekut të familjes në adresimin e këtyre sëmundjeve, sipas specialistëve. Rritja e sëmundjeve tumorale me gati 20% në dekadën e fundit, apo shtimi i rasteve me diabet me 6 mijë në vit, vetëm dy prej grupit të gjerë të sëmundjeve jo të transmetueshme, tregon sipas tyre rëndësinë e rritjes së investimeve në sektorin e shëndetësisë. E megjithatë ISHP i konfirmoi Faktoje.al se mbajtja nën kontroll e vdekjeve tregon shtim të përpjekjeve në trajtimin e këtyre sëmundjeve.
Raportet
Në Shqipëri, sipas OBSH sëmundjet jo të transmetueshme janë shkaku i 90% të vdekjeve. Ekspertët vlerësojnë se këto sëmundje janë në rritje të vazhdueshme të nxitura nga plakja e popullsisë me ritme të shpejta, ndjekur nga mënyra e jetesës dhe dobësitë në sistemin shëndetësor.
Sipas INSTAT, mosha mesatare ka arritur në 44.3 vjeç nga 33 që ishte mbi një dekadë më parë. Disa elementë të stilit të jetesës, argumentojnë specialistët, si duhanpirja, përdorimi i alkoolit, obeziteti dhe rënia e riprodhimit po shtojnë grupe të mëdha sëmundjesh jo të transmetueshme, si ato të aparatit të qarkullimit të gjakut (sëmundjet e zemrës dhe ato të enëve të trurit) dhe ato tumorale që zënë rreth 68% të vdekjeve në vend, përkatësisht 53 dhe 15%.
Shifrat
Të dhënat që japin një pasqyrë më të saktë për rritjen e vazhdueshme të sëmundjeve jo të transmetueshme, pra jo infektive, janë ato të shtrimeve në spital. Sipas statistikave të Ministrisë së Shëndetësisë këto dy grupe sëmundjesh përbëjnë rreth 27% të gjithë shtrimeve në spitale. Në strategjitë e shëndetit vlerësohet se sëmundjet jo të transmetueshme po shtohen në mënyrë të vazhdueshme. Disa tregues janë rritja e sëmundjeve tumorale me gati 20% nga viti 2015- 2023, 6 mijë raste të reja me diabet apo dhe rritja e numrit të vizitave në shëndetin parësor sipas INSTAT me 9.6% në vitin 2023, krahasuar me vitin paraardhës.
Arsyet
Ekspertët argumentojnë se me këtë panoramë që paraqet kjo fushë e shëndetit publik nevojitet forcimi i parandalimit primar, dhe të komplikacioneve në hallkat e shëndetit parësor, përmes mjekëve të familjes atyre specialistë si porta e parë, dhe më pas forcimi i shërbimeve në spitalet rajonale dhe terciare.
“Ne kemi numrin më të ulët të mjekëve për banorë. Kjo e vendos Shqipërinë në një nivel me vendet afrikane dhe ato të varfra në Azinë Juglindore” – Erion Dasho, ekspert i shëndetit publik
“Fatkeqësisht nuk e shoh këtë të ndodhë në Shqipëri. Mjeku i familjes prej vitesh është shndërruar në një shkrues të thjeshtë recetash. Ka gjithmonë e më pak kohë për t’u marrë me pacientin dhe nuk ka pajisjet e duhura për të bërë të mundur një trajtim të hershëm të sëmundjeve kronike dhe një parandalim të komplikacioneve. Ne kemi numrin më të ulët të mjekëve për banorë. Kjo e vendos Shqipërinë në një nivel me vendet afrikane dhe ato të varfra në Azinë Juglindore. Ky është një alarm sepse nga mungesa e burimeve njerëzore nuk vuajnë vetëm spitalet, por në radhë të parë vuajnë qendrat shëndetësore dhe ambulancat”, thotë për Faktoje.al Erion Dasho, ekspert i shëndetit publik.
Autoritetet zyrtare kanë hartuar disa strategji gjatë viteve të fundit për sëmundjet jo të transmetueshme. Shefi i departamentit të sëmundjeve kronike në Institutin e Shëndetit Publik Alban Ylli i tha Faktoje. al se ka një shtim të përpjekjeve për parandalimin e tyre, në sistemin shëndetësor parësor. Ai thotë se janë mbajtur nën kontroll vdekjet e standardizuara, pra duke hequr efektin e moshës, të cilat qëndrojnë thuajse në shifra të njëjta prej 5 vitesh.
“Qytetarët kanë filluar ta vendosin shëndetësinë tek prioritetet e tyre, krahasuar me 20 apo 25 vite më parë. Nga ana tjetër dhe sistemi shëndetësor ka filluar të përmirësohet. Ka më shumë se ç’të ofrojë si në kujdesin e shëndetit parësor, p.sh. Check-up që shpesh herë e kritikojnë për arsye politike. Tashmë tek mjeku i familjes mund të bëhen shumë teste, dhe ky mjek ofron më shumë se më parë. Mund të ofrohen shërbime, mund të merret trajtimi aty, të mbahet pacienti nën kontroll pa shkuar në spital. Ka rezultate në kapjen e hershme të sëmundjeve kronike. Pra në disa nivele të sistemit shëndetësor nga parësori deri tek terciari ofrohen më shumë shërbime”, konfirmon Z. Ylli.
Ai thotë se qytetarët shqiptarë duhet të ndërgjegjësohen edhe për stilin e jetesës, pasi rritja e disa sëmundjeve jo të transmetueshme ndikohet në mënyrë të drejtpërdrejtë nga duhanpirja, alkooli apo konsumimi i ushqimeve të përpunuara. E megjithatë eksperti i shëndetit publik në ISHP Alban Ylli, mendon se ka vend për përmirësime në sistemin shëndetësor.
“Mendojmë se kemi vizionin e duhur për t’u marrë me këto sëmundje, por jo për të gjitha gjërat bëhet aq sa duhet. Ka shumë mungesa në sistemin shëndetësor. Sistemi shëndetësor shqiptar, në opinionin tim, ofron shërbim të mirë në kushte emergjencash, por në terma sistematik ne çedojmë shumë”, vijon Z. Ylli.
Monitorimi
“Buxheti i shëndetësisë në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto është relativisht i ndryshueshëm. Targeti është që në 2030 të jetë 5.2%” – Nevila Xhindi, eksperte
Një monitorim i strategjisë kombëtare të shëndetit publik 2021-2030, nga organizata joqeveritare “Together For Live” në gusht të vitit 2024, me mbështetjen e delegacionit të BE, nënvizoi disa çështje. Një prej tyre lidhet me buxhetin e alokuar për shëndetin parësor në raport më atë në tërësi për shëndetësinë. Ky dokument zbulon se ai ka pësuar rënie të vazhdueshme nga viti 2020 deri në vitin 2023 nga 11.4% në 9.1%, ndërsa është rritur për herë të parë pas shumë vitesh në vitin 2024 në 11.8%. Por krahasuar me 4 vite më parë, rritja ishte e lehtë me vetëm 0.4%. Ekspertja që ka kryer monitorimin e strategjisë për tre vitet e para, Nevila Xhindi konfirmoi për Fakotje.al dhe një tjetër element.
“Nëse përqindja e shpenzimeve të qeverisë për sistemin e shëndetësisë ishte 10% si vlerë bazë, pra në vitin që nis monitorimi, dhe targeti i saj është 12 % në vitin 2030, papritur në vitin 2023 bie në 9.6%. Nga ana tjetër dhe buxheti i shëndetësisë në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto është relativisht i ndryshueshëm. Targeti është që në 2030 të jetë 5.2%. Është ambicioze, por aktualisht varion nga 2.8%-3% të PBB”, thotë Znj. Xhindi.
Reformat
Eksperti i Institutit të Shëndetit Publik Alban Ylli, thotë se investimet në shëndetësi duhet të rriten, ndërsa siç shprehet ai ka nevojë dhe për një riformatim të mjekëve të familjes dhe një shpërndarje më të drejtë të tyre në raport me popullsinë. Por një prej çështjeve më shqetësuese sot mbetet rritja e sëmundjeve tumorale. Kritikët shohin me skepticizëm disa çështje, sidomos kur bëhet fjalë për konceptin multidisiplinar në spitalet rajonale dhe terciare.
“Trajtimi i të sëmurëve me sëmundje tumorale, jo vetëm që nuk kryhet sipas sistemit dhe trajtimit multidisiplinar, i cili ndodh në të gjitha vendet e zhvilluara, por kemi mangësi dhe defekte edhe në elementë të veçantë të trajtimit, që është e paimagjinueshme. Kjo nuk duhet të ndodhë në një vend europian. Pra, që të kesh mangësi në kemioterapi, të kesh preparate të radioterapisë që qëndrojnë të prishura për ditë të tëra dhe ka raste edhe me javë të tëra. Apo si ajo pajisja e brakiterapisë që për vite të tëra nuk u vendos në punë. Të gjitha këto tregojnë, që ne nuk kemi arritur ta fusim në Shqipëri konceptin e trajtimit multidisiplinar që është kaq i domosdoshëm për trajtimin e komplikacioneve të sëmundjeve kronike”, argumenton Erion Dasho, ekspert i shëndetit publik.
Ndërgjegjësimi
Nga ana tjetër Z. Ylli sjell disa argumente që lidhen me mbajtjen nën kontroll të vdekjeve nga sëmundjet kronike.
“…Sistemi duhet të vazhdojë të investojë, sepse ne jemi vendi me investimet me të ulëta në raport me PBB, dhe nuk mund ta zgjidhim vetëm me stilin e jetesës, çështjen e sëmundjeve kronike” – Alban Ylli, Shefi i departamentit të dëmundjeve kronike në ISHP
“Njerëzit do vazhdojnë të ankohen. Unë personalisht jam i bindur, dhe e kam vënë re se ti mund të ofrosh dyfishin e parave, mund ta rrisësh financimin e medikamenteve dhe mund të kesh sërish shumë ankesa, sepse kostot e trajtimit të kancereve në rastin konkret janë aq të larta, sa duhet ta kuptojë shoqëria shqiptare që investimi në këtë fushë duhet të vazhdojë të jetë i madh. Por duhet të merremi edhe me kontrollin e stilit të jetesës. Më pak duhanpirje më pak kancere në mushkri dhe sëmundje ishemike në zemër. Por sistemi duhet të vazhdojë të investojë, sepse ne jemi vendi me investimet me të ulëta në raport me PBB, dhe nuk mund ta zgjidhim vetëm me stilin e jetesës, çështjen e sëmundjeve kronike. Kemi fakte që përmes kapjes së hershme ne mbajmë nën kontroll vdekshmërinë. Ne po na rriten sëmundjet jo të transmetueshme, por po mbajmë nën kontroll vdekjet dhe kjo tregon menaxhim më të mirë në sistemin shëndetësor. Ka më shumë kancere, por vdekshmëria nuk po rritet. Për sëmundjet kardiovaskulare, shtrimet në spital janë vendosur nën kontroll, ndërkohë që vdekshmëria e standardizuar, pra duke hequr efektin e moshës, po ulet për shumicën e sëmundjeve kronike”, argumenton Z. Ylli
Reagimi
Ministria e Shëndetësisë nuk iu përgjigj kërkesës së Faktoje.al për një intervistë në lidhje me politikat e ndjekura për sëmundjet jo të transmetueshme, buxhetet e alokuara dhe vizionin për të ardhmen, por nga ana tjetër ekspertët sugjerojnë se disa elementë duhen korrigjuar në kujdesin e shëndetit parësor, si porta ku parandalimi ka shumë rëndësi.
“Teknologjia sot po luan një rol të jashtëzakonshëm në ofrimin e kujdesit shëndetësor. Aktiviteti i mjekut të familjes në gjithë vendet e zhvilluara po mbështetet nga programe, deri tek ato të inteligjencës artificiale ndërkohë ka dekada që aplikacionet dixhitale janë bërë pjesë e përditshmërisë së punës së mjekut të familjes, nga kartela elektronike deri tek aplikacionet që menaxhohet dhe monitorohet në distancë shëndeti i pacientit. Ndërkohë për sa i takon mjekut të familjes në Shqipëri, burimet pakësohen dhe kjo është një situatë e papranueshme dhe që duhet korrigjuar sa më shpejt”, sugjeron Z. Dasho.
Rekomandimet
Sëmundjet jo të transmetueshme kanë një trend global rritje. Ekspertët mendojnë se sfidat për parandalimin dhe trajtimin e tyre janë të mëdha në sisteme shëndetësore si ai në Shqipëri, i cili shfaq disa dobësi në ofrimin e shërbimeve si në kujdesin parësor ashtu dhe në spitalet rajonale dhe ato terciare. Njohës të fushës së shëndetësisë nxisin një riformatim të këtij sistemi që synon uljen e numrit të sëmundjeve jo të transmetueshme ashtu dhe vdekshmërinë prej tyre.
Ky artikull u realizua me mbështetjen e Fondacionit “Friedrich Ebert”në Tiranë
Nga Sebi Alla Kodi i ri Penal tashmë është një hap larg miratimit, por më parë duhet të kalojë nga “paradhoma” e Brukselit për të marrë një miratim. Ky ka qenë premtimi i Ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja, në prezantim e Kodit të ri Penal, një Kod që nisi si ide, e madje u tha se u ngritën edhe grupe pune që në vitin 2019, por u finalizua në mesin e kësaj vere. Në dy pikat ku priten ndryshime thelbësore është lirimi parakohe me kusht i të dënuarve përjetë dhe “zhvlerësimi” i nenit të “shpërdorimit të detyrës”, nga zyrtarë publik, duke e kaluar gati si kundravajtje penale. “Kodi aktual nuk i përgjigjet më sfidave të kohës dhe zbatimi i tij paraqet vështirësi reale për gjyqtarët, prokurorët dhe avokatët. Riformatimi konceptual dhe strukturor është jo vetëm i domosdoshëm, por në rrethanat ku jemi është edhe i pashmangshëm”, tha ministri Manja.
Ekspertët
Ai gjithashtu këtë Kod të ri nuk e cilëson si produkt qeverie, por nga grupe ekspertësh nën drejtimin e Arben Rakipit, aktualisht kreu i Shkollës së Magjistraturës. “…Autorësia do të mbetet në pronësi të grupit të punës në çdo fazë të konsultimit publik. Më pas drafti do të marrë vulën e certifikimit në Bruksel dhe vetëm atëherë ministria e Drejtësisë dhe qeveria do të vijojë me procedurat e miratimit parlamentar me shumicë të cilësuar”, theksoi Manja.
Ndryshimet
Por çfarë parashikon Kodi i ri Penal dhe a është si qëllim zbutja e masave të sigurisë apo dënimeve për akuzën e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës dhe gjithashtu një pikë e diskutuar shumë edhe lirimi me kusht i të dënuarve me burgim të përjetshëm për krime të rënda?
Liri për të dënuarit përjetë?
Nga fundi i deklaratës së tij, Arben Rakipi, ndërsa vlerësoi punën e bërë dhe nevojën sipas tij të ndryshimeve në Kodin Penal, përmendi edhe një pikë e cila lë shteg për shumë diskutime. “Ne kemi pasur në ligj disa pengesa që lidhen me lirimin parakohe me kusht sa lidhet me burgimin e përjetshëm. Ne dolëm në përfundimin që “Po”, mund të aplikojmë lirimin parakohe me kusht për dënimin me burgim të përjetshëm. Është një propozim shumë i guximshëm, debati ka qenë i fortë” tha Rakipi. Faktoje.al duke iu referuar të dhënave zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve zbuloi se aktualisht në burgjet e vendit janë 200 të dënuar përjetë, pjesa më e madhe e tyre të vendosur në Burgun e Sigurisë së Lartë në Peqin, 114 të dënuar. Nëse në Kodin e ri miratohet kjo nismë, atëherë çdo të dënuari përjetë i lind e drejta që t’i drejtohet gjykatës për lirimin e parakohshëm me kusht. Edhe pse kriteret pritet të specifikohen, ideja e lirimit të të dënuarve përjetë që kanë marrë vendim të formës së prerë për këtë masë ka hapur debate të forta. Edhe pse janë 200 të dënuar me masën ekstreme që parashikon dënimi penal, disa prej tyre janë emra të njohur të botës së krimit, ose bandave të konsideruara kriminale nga të gjithë shkallët e gjyqësorit, madje edhe nga Gjykata e Starsburgut…. “Këtu mpleksen shumë gjëra, një pjesë së cilës janë viktima, procesi i edukimit, paqja sociale, shkalla e kriminalitetit në vend. Nisur nga besimi që edhe personalisht kam, që njerëzit ndryshojnë përmirësohen, nëse kushtet me të cilët vendosen edhe puna me ta është e efektshme”, tha Rakipi ndërsa justifikoi përfshirjen e këtij propozimi në Kodin e ri Penal.
Detyra e shpërdoruar
Në një reagim për Faktoje.al, avokati Ermal Hamataj shprehet se për ndryshimet në Kodin e Ri Penal fillimisht u thirrën grupe interesi, përfaqësues të prokurorive, dhomës së avokatëve, apo edhe të Komitetit të Helsinkit, por sipas tij jo të gjitha propozimet u morën në konsideratë. Një nga pikat ku priten ndryshime në Kodin e ri Penal është akuza e shpërdorimit të detyrës, e referuar përkatësisht në nenin 248 të Kodit Penal aktual. “Kryerja ose moskryerja me dashje e veprimeve a mosveprimeve në kundërshtim me ligjin, që përbën mospërmbushje të rregullt të detyrës, nga personi që ushtron funksione publike, kur i kanë sjellë atij ose personave të tjerë përfitime materiale ose jomateriale të padrejta a kanë dëmtuar interesat e ligjshëm të shtetit, të shtetasve dhe të personave të tjerë juridikë, nëse nuk përbën vepër tjetër penale, dënohet me burgim deri në shtatë vjet”
Ndryshimet
Me ndryshimet e reja, ky nen pritet të ketë ndryshime thelbësore. “Neni që i referohet shpërdorimit të detyrës është në pragun e kundravajtjes penale. Duke ecur me këtë ndryshim, mund të shuhet si dënim penal me burgim”, tha avokati Hamataj. Në piketat e përcaktuara për ndërhyrjet në Kod të publikuara dje nga Ministria e Drejtësisë thuhet: “Shtimi i llojeve të dënimeve alternative të dënimit me burgim për vepra penale të lehta, si dhe i dënimeve plotësuese”. Pikërisht ky citim mund të kalojë veprën e “shpërdorimit të detyrës” si vepër të lehtë penale. “Kemi për herë të parë të parashikuar institutin e lajthimit (gabimit) në faktin që përbën vepër penale, si dhe listimi i pasojave të tjera që buron nga kryerja e veprës penale” citohet në një nga pikat e Kodit të ri. Pikërisht koncepti “lajthim” mund të interpretohet për zyrtarët e lartë publik në kryerjen e një veprimi ose mosveprimi që ka sjellë për pasojë shpërdorimin e detyrës.
Të miturit nevojë për Kodin e ri
Një e mirë në Kodin e ri cilësohet në masë është rishikimi i dënimeve për të miturit, duke aplikuar forma të dënimeve alternative, pa masë represive siç është burgu. “Prioritizohet rehabilitimi dhe riintegrimi i të miturve të përfshirë në krim, duke harmonizuar në këtë mënyrë qëllimet dhe përcaktimet me Kodin e Drejtësisë Penale për të Mitur, dhe ligjet e tjera për mbrojtjen e të drejtave të fëmijës”, thuhet në kod. Po ashtu një pikë mjaft e rëndësishme e cila aktualisht mban qindra të mitur dhe të rinj në burgje lidhet edhe me trafikimin apo përdorimin e lëndëve narkotike, duke mos bërë ndarjen specifike për sasinë dhe llojin e lëndëve narkotike. “Përcaktimi i përgjegjësisë penale për mbajtjen e lëndëve narkotike sipas sasisë dhe llojit të lëndës”, citohet një tjetër pikë në draftin e Kodit të ri Penal.
Kodi i ri në sesionin e ri…!
Mëdyshjet për qëllimet e ndryshimeve në Kodin Penal janë ende, ndonëse drafti i paraqitur ka vendosur vetëm piketat ku do ndërhyhet, miratimi i tij duket më pranë, pasi të kalojë për “konsultim publik”. Për të kryer ndryshimet në Kodin Penal ose Civil, nevojiten 84 vota. Aktualisht PS ka 83 vota, ndërsa aleatja e saj jo zyrtare PSD, e deklaruar publikisht pro nismave të qeverisë, ka tre vota. Ideja për ndryshimet në Kodin e ri Penal nisën që në vitin 2019, me të njëjtët ekspertë, përfshi edhe drejtuesin Arben Rakipi, por vetëm në muajt e fundit është finalizuar. Nëse kodi i ri do të kalonte për miratim në Parlament në mandatin e kaluar, ai rrezikohej që të rrëzohej, pasi PS nuk kishte votat e mjaftueshme për të kapur shumicën e cilësuar (84 vota). Nevojiteshin votat e opozitës, e cila nuk kishte dhënë dakordësi paraprake për këto ndryshime në Kodin Penal. Tashmë gjithçka është mjaft më e lehtë për mazhorancën e cila ka votat e duhura për të miratuar Kodin e ri Penal.
Pretendimi: HAARP qëndron pas përmbytjeve të Korrikut 2025 në Turqi dhe tërmetit të Qershorit 2025 në Kolumbi
Verdikti: E paprovuar
————————————————————–
Në rrjetet konspiracioniste vijon të qarkullojë pretendimi se projekti studimor HAARP është një armë që kontrollon motin dhe shkakton një sërë fatkeqësish natyrore.
Së fundmi, atij po i vishet përgjegjësia për përmbytjet në Turqi në Korrik 2025 dhe tërmetin në Kolumbi në Qershor 2025.
Shira të rrëmbyeshëm më 19 korrik 2025 shkaktuan përmbytje në Ankara, Turqi. Fatmirësisht, nuk raportohen viktima.
Më 8 qershor 2025, një tërmet 6.3 ballë goditi Departamentin e Cundinamarca në Kolombi. Si pasojë, 31 persona mbetën të lënduar. Fatmirësisht, nuk pati humbje jete.
Siç “Faktoje” ka shpjeguar më parë, HAARP është një projekt i përbashkët i Forcave Ajrore Amerikane dhe Marinës Amerikane i kijuar në vitin 1993, i cili i ka kaluar më vonë Universitetit të Alaskës Fairbanks (UAF) në vitin 2015.
Karakteristika e tij kryesore është një transmetues me frekuencë të lartë që përdoret për të studiuar jonosferën, pjesë e atmosferës së sipërme të tokës. Duke analizuar se si valët e radios ndërveprojnë me elektronet në jonosferë, studiuesit në HAARP janë në gjendje të studiojnë fenomene, të tilla si efektet e aurora borealis, ose dritat veriore, në sistemet radio dhe komunikimet e avionëve në lartësi të mëdha.
Që në krijimin e tij, HAARP ka qenë në shënjestrën e teorive konspirative. Fakti që puna studimore që kryen HAARP nuk është lehtësisht e kuptueshme nga publiku i gjerë, bën që këtij projekti t’i vishen fuqi mbinatyrore duke e etiketuar si shkaktar i përmbytjeve, uraganeve, thatësirave, tërmeteve, stuhive, ndërprerjeve të energjisë, rrëzimit të avionëve, sëmundjeve. Në 2016, dy burra nga Georgia, ShBA, u arrestuan me një arsenal masiv armësh. Ata kishin në plan të shkatërronin HAARP sepse besonin se instituti kërkimor manipulonte motin, kontrollonte mendjet e njerëzve, madje edhe rrëmbente shpirtra.
Sipas shkrimtarit të shkencës, Mick West, “mënyra për të përgënjeshtruar teoritë konspirative rreth HAARP është të përpiqesh t’i shpjegosh njerëzve ekzaktësisht çfarë HAARP bën. Shpjegoi se është thjesht një radiotransmetues që është në një vend në Alaska dhe mund të ndikojë vetëm në një sasi të vogël ajri mbi të. Shpjegoji se fuqia e përdorur nga ky radiotransmetues është shumë shumë e vogël krahasuar me çfarë do të duhesh për të bërë disa nga gjërat që po pretendohen.”
HAARP ka si objekt studimi dhe eksperimentimi jonosferën, pjesë e atmosferës së sipërme të tokës. Gati të gjithë fenomenet e motit ndodhin më poshtë jonosferës, në troposferë. Kështu, HAARP nuk ka si të ndikojë në fenomenet e motit.
Profesor Bruce Malamud nga King’s College në Londër tha se “nuk ka lidhje të besueshme apo të mundura mes HAARP dhe shkaktimin e tërmeteve të çfarëdo shkalle […] HAARP është një program kërkimor përkushtuar studimit të jonosferës, që është pjesë e atmosferës së sipërme të Tokës (rreth 48 deri në 965 km mbi nivelin e detit). Nuk ka një mekanizëm të njohur fizik me anë të të cilit HAARP mund të ketë shkaktuar tërmete, dhe çdo pretendim për ndonjë lidhje të tillë qëndron jashtë fushëveprimit të shkencave natyrore. Përkrahësit e ekzistencës së një lidhje të tillë, si konspiracionistët, duhet të shpërfillen dhe pretendimet e tyre duhet të trajtohen si lajme të rreme.”
Sa i përket fenomenit të “tërmeteve artificialë”, është e vërtetë se veprimtaria njerëzore mund të shkaktojë tërmete (zakonisht të shkallës së ulët) duke ndryshuar forcat e tensionit në koren e Tokës. Shkak për këtë është shpesh nxjerrja apo futja e lëngjeve nga/në thellësi të Tokës. Këto veprimtari, që janë pjesë e procedurave të shfrytëzimit të minierave dhe nxjerrjes së gazit dhe naftës, mund të bëhen shkas për tërmete duke ndikuar në presionin nëntokësor, si në diagramin e mëposhtëm.
“Faktoje” ka verifikuar dhe më parë pretendime të ngjashme mbi sistemin HAARP.
Pretendimi: Zonja e parë e ShBA Melania Trump është pasardhëse e carit rus Nikolla II Romanov
Verdikti: E paprovuar
———————————————————-
Në rrjete sociale po qarkullon pretendimi i pazakontë se zonja e parë e ShBA, Melania Trump, është pasardhëse e carit të fundit rus Nikolla Romanov.
Postimi i mësipërm pretendon se Melania Trump është mbesa e vajzës më të vogël të carit Nikolla II, Anastasia Romanov.
Pas Revolucionit Rus të vitit 1917, Nikolla II u rrëzua nga froni dhe më 17 korrik 1918, u vra së bashku me gruan, katër vajzat dhe djalin e tij nga mbështetësit e bolshevikëve. Kjo i dha fund dinastisë Romanov dhe Rusia nuk patur më carë që atëherë.
Menjëherë pas ekzekutimit, qarkulluan thashetheme se Anastasia kishte mbijetuar mrekullisht. Në 1920, një grua u shfaq në Berlin, më vonë e quajtur Anna Anderson. Disa besonin se gruaja mund të kishte qenë Anastasia. Megjithatë, testet e ADN që atëherë kanë përjashtuar mundësinë që kjo grua të ishte Anastasia.
Anastasia ishte 17 vjeç në kohën e ekzekutimit të saj. Ajo nuk ishte ende e martuar dhe nuk ka të dhëna për ndonjë fëmijë që mund të ketë pasur.
Sa i përket gjasave që që vajza e re t’i ketë mbijetuar ekzekutimit të familjes së saj, pas rënies së Bashkimit Sovjetik, trupat e Romanovëve u zhvarrosën në vitin 1991.
Fillimisht, në varr u gjetën vetëm eshtrat e carit, gruas së tij dhe tre fëmijëve (Olga, Tatiana dhe Maria ose Anastasia). Kjo ringjalli thashethemet se Anastasia me të vërtetë i kishte mbijetuar ekzekutimit.
Megjithatë, në 2007, dy trupa të tjerë u gjetën në një varr aty pranë, që më vonë u zbulua se ishin Alexei dhe vajza e katërt. Testet e ADN më vonë konfirmuan se këta ishin vërtet Romanovët.
Prindërit e Melania Trump kanë lindur në vitet 1944 dhe 1945. Postimi nuk specifikon nëse Anastasia Romanov pretendohet të jetë gjyshja e Melania Trump nga nëna apo nga babai. Megjithatë, duke qenë se ajo vdiq në 1918, vështirë se mund të ketë qenë nëna e ndonjërit prej prindërve të Melania. Gjyshja e Melania Trump nga nëna është Amalia Ulčnik (mbiemri i vajzërisë Gliha), sipas shtypit slloven. Gjyshja e saj nga babai është Antonija Ribi.
Artikulli pretendon se mjeku Ilir Alimehmeti sugjeron një preparat për trajtimin e parazitëve.
Faqja është ndërtuar për t’i përngjasuar një medie të mirëfilltë. Shkrimi është ndërtuar në formën e një interviste me mjekun e njohur.
Megjithatë, në brendësi të ‘artikullit’, të gjitha rrugët të çojnë tek një produkt, të cilin mund ta blejë dhe vetë lexuesi për vetëm 9,400 lekë, ose 4,700 lekë me ulje.
Artikulli pretendon se Ilir Alimehmeti është patolog në Spitalin e Parë Klinikë të Tiranës, por Alimehmeti është mjek epidemiolog klinik dhe jo patolog.
Vetë Alimehmeti ka njoftuar në Maj 2024 se intervista është e rremë, duke u bërë thirrje qytetarëve të mos bien pre e mashtrimeve.
“Tjetër mashtrim që përdor jo vetëm emrin tim, por edhe logon e medias Newsbomb. Ju lutem, mos bini pre e këtyre mashtrimeve të rëndomta që kanë për arsye vetëm shitjen e këtyre produkteve mashtruese. Nëse keni informacion për autorët, ju lutem t’i denonconi tek autoritetet,” apelonte mjeku.
Në dukje, Shqipëria qëndron larg rrjedhave të errëta të kapitalit rus. Në praktikë, ekspertët paralajmërojnë se ky mund të jetë vetëm një iluzion i rehatshëm. Ndonëse investimet ruse në territor janë minimale dhe të padukshme në sipërfaqe, struktura të cunguara mbikëqyrjeje, tregje të pambrojtura dhe një mjedis i lartë informaliteti krijojnë hapësira të rrezikshme për depërtimin e kapitalit të padëshiruar — përfshirë atë me origjinë nga Moska.
Nga Jona Plumbi
Në korrik 2025 komisioni i posaçëm parlamentar kundër dezinformimit dhe ndërhyrjeve të huaja miratoi stratëgjinë në bazë të të cilës do të zbatojë punën e tij. Kryetari i Komisionit, Erion Braçe, e quajti luftën ndaj dezinformimit dhe ndërhyrjes së huaj keqdashëse një prioritet kombëtar që kërkon vëmendje në nivelin më të lartë legjislativ. Ndërsa grupi i ekspertëve pranë këtij komisioni përgatiti disa propozime për mbrojtjen ndaj ndikimeve të huaja, ku përfshihet ngritja e një platforme bashkëpunimi ndërmjet bankave si dhe komunikimin mes institucioneve financiare.
Këtë shqetësim e kanë edhe ekspertët e ekonomisë me të cilët Faktoje bisedoi lidhur me rrezikun e mundshëm që i kanoset Shqipërisë për ndërhyrjen e parasë “së pisët” nga vende keqdashëse si Rusia. Edhe pse sot për sot Shqipëria duket se nuk është shumë e ekspozuar ndaj kapitalit rus, rreziku qëndron.
Në kërkim të gjurmëve të padukshme
“Shqipëria është më pak e ekspozuar ndaj kapitalit rus se vendet e tjera të rajonit,” thotë Ilir Brasha, ekspert ekonomie për Faktoje. Ai thekson se për momentin nuk ka të dhëna konkrete për investime direkte të fshehura nga Rusia. Një kërkim në databazën Open Corporates tregon vetëm 43 biznese me origjinë ruse të regjistruara në vend, dy prej të cilave themeluar në vitin 2023. Por kjo nuk do të thotë se gjithçka është në rregull.
“Problemi qëndron pikërisht tek mungesa e gjurmimit të përfituesve përfundimtarë të investimeve,” shpjegon Brasha. Paratë ruse mund të vijnë jo në mënyrë direkte, por përmes kompanive të ndërmjetme, juridiksioneve offshore, apo partnerëve që operojnë nga parajsa fiskale.
Eduart Gjokutaj shpjegon për Faktoje se sektorët më të rrezikuar për infiltrimin e kapitalit rus janë ndërtimi, tregu i pasurive të paluajtshme, energjia, minierat dhe turizmi rural. “Pikërisht aty ku ka informalitet të lartë dhe mbikëqyrje të dobët, aty mund të penetrojë kapitali i huaj me interesa të errëta,” analizon Gjokutaj.
Sipas tij tregu i pasurive të paluajtshme është tejet i pambrojtur dhe veçanërisht zonat turistike si Saranda, Vlora, Lezha, Shkodra apo Tirana shihen si mënyra idelae për të legalizuar fonde të dyshimta.
Arben Malaj, një nga ekspertët që dha propozime në komisionin për dezinformimin dhe ndërhyrjet e huaja në kuvendin e Shqipërisë, thekson edhe nevojën për të “skanuar” të gjithë ato biznese që në dukje e kanë një problem.
“Bizneset aktuale që janë në fushën e lojërave të fatit dhe në ndërtim aty ku ka, se nuk duhet t’i biem në qafë askujt kot, aty ku ka flamuj të kuq të ngritur, duhet të skanohen dhe ta mbrojmë ekonominë tonë nga paratë kriminale”, tha Malaj.
Pikat e dobëta të shtetit
Edhe pse Shqipëria ka përditësuar legjislacionin për të qenë në përputhje me direktivat e Bashkimit Europian, institucionet e saj mbeten të papërgatitura për të ndaluar kapitalin e kamufluar. Gjokutaj gjykon se Agjencia e Inteligjencës Financiare (AIF) funksionon me kapacitete të kufizuara dhe nuk disponon mjete të avancuara të analizës. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) ushtron mbikëqyrje kryesisht formale, ndërsa Drejtoria e Tatimeve nuk ka akses të plotë mbi të dhënat e transaksioneve ndërkombëtare.
Ekspertët vlerësojnë se në mungesë të një sistemi për verifikimin e përfituesve fundorë të kapitalit, gjurmimi bëhet gati i pamundur. Mekanizmi i vetëm që duhet të funksionojë për të identifikuar lidhjet me vendet e sanksionuara si Rusia, është ai i pronësisë përfundimtare – dhe ai mungon.
Njëkohësisht “Shqipëria nuk aplikon kontrolle të forta për kapitalin që vjen nga juridiksione offshore, si Qipro, Malta apo Ishujt Virgjër, ku fshihet shpesh pronësia”, vlerëson Gjokutaj.
Një tjetër portë që Shqipëria ka lënë hapur për ndërhyrje të tilla është Ligji për Investimet Strategjike, vlerëson Gjokutajt. Ligji ofron përjashtime dhe përfitime të mëdha, pa hetim të thelluar mbi origjinën e fondeve, duke krijuar hapësirë për kapitalin që kërkon të fshehë gjurmët e veta.
Sot, ndikimi rus në ekonominë shqiptare duket i vogël dhe periferik. Por ekspertët paralajmërojnë se Shqipëria nuk duhet të mashtrohet nga kjo qetësi relative.
“Kapitali është si uji – kërkon të rrjedhë aty ku ka më pak pengesa,” thotë Artan Gjergji, studiues i kapitalit dhe tregjeve financiare. Ai përmend faktin se shumë investime që shfaqen si evropiane apo nga Lindja e Mesme shpesh rezultojnë me struktura pronësie që çojnë tek kompani guackë offshore, ku identiteti i investitorëve është praktikisht i pakapshëm.
Kjo mund të përbëjë një kërcënim serioz nëse flukset financiare nga Rusia fillojnë të devijojnë nga shtetet më të kontrolluara drejt vendeve si Shqipëria, ku kontrolli është më i brishtë.
Çfarë duhet bërë?
Shqipëria e ka shmangur ekspozimin e drejtpërdrejtë, pavarësisht përpjekjeve për hyrje të kapitalit kinez dhe rus në disa raste – përfshirë blerjen e Albpetrol nga Gazprom në vitin 2012 apo zotërimin e përkohshëm të Aeroportit “Nënë Tereza” nga një kompani kineze.
Ekspertët bien dakord për disa hapa urgjentë që duhet të ndërmarrë Shqipëria. Krijimi i një regjistri të detyrueshëm dhe publik të përfituesve përfundimtarë të çdo investimi të huaj është ai që i bën bashkë të gjithë ekspertët. Gjithashtu shkëmbimi në kohë reale i të dhënave mes institucioneve si AIF, Banka e Shqipërisë, AMF, DPT dhe SHISH është kyç në kndvështrimin e Eduart Gjokutajt.
Ligji për Investimet Strategjike – i miratuar si ligj i përkohshëm por që ka pësuar shtyrje të njëpasnjëshme të afatit për përfundimin e tij – duhet të vendosë filtra të fortë mbi origjinën e kapitalit. Themelimi i një task-force të përhershme për hetimin e flukseve financiare të dyshimta nga vendet e sanksionuara dhe forcimi i rolit të bankave në raportimin dhe analizimin e transfertave ndërkombëtare të dyshimta është një tjetër hap që duhet ndërmarrë sipas ekspertëve.
Përfundim
Ndërkohë që flukset financiare nga Rusia në dukje janë minimale në Shqipëri, ekspertët paralajmërojnë se nuk është çështja “nëse”, por “kur” do të tentohet një formë më agresive e depërtimit. Pa një arkitekturë mbrojtëse të mirëfilltë, Shqipëria rrezikon të shndërrohet në hallkën e dobët të sigurisë ekonomike në Ballkan.
Në një botë ku luftërat nuk bëhen më vetëm me armë, por me para, mosvëmendja ndaj kapitalit të padukshëm është një luks që Shqipëria nuk mund ta përballojë.
Pretendimi: Ish-presidenti Barack Obama ka pasur një listë vrasjesh
Verdikti: Mungon konteksti
Në Facebook po qarkullon pretendimi se ish-Presidenti amerikan Barack Obama ka krijuar një “liste vdekjesh”, pra një listë personash, të cilët kanë vdekur në mënyrë misterioze ose janë zhdukur përgjatë presidencës së tij. Postimi në fjalë nuk mbështetet mbi ndonjë provë, por bazohet në spekulime të pabaza, rastësi, dhe teori konspiracioni që janë hedhur poshtë vazhdimisht.
Ky postim citon një listë individësh që supozohet se kanë vdekur në rrethana “misterioze”, duke nënkuptuar Shtëpia e Bardhë i ka eliminuar ata për arsye politike, ose pasi këta persona dinin informacione që nuk duhet t’i njihte publike. Megjithatë, nuk ka asnjë provë të besueshme se Presidenti Obama ose administrata e tij kanë të bëjnë me këto vdekje.
Së pari, vdekjet e cituara kanë shkaqe të qarta dhe të dokumentuara publikisht. Për shembull, Andrew Breitbart vdiq nga një problem kardiake në vitin 2012, gjë që u konfirmua nga një autopsi e pavarur. Tom Clancy vdiq nga problemet me zemrën në moshën 66 vjeç, dhe gjyshja e Obamës, Madelyn Payne Dunham, ndërroi jetë nga kanceri para se ai të bëhej president.
Ky pretendim imiton një teori konspiracioni shumë të famshme rreth ish-Presidentit Bill Clinton, sipas të cilës Clinton dhe gruaja e tij Hillary Clinton, kanë vrarë fshehurazi kundërshtarët e tyre politikë, shpesh të paraqitur si vetëvrasje, duke arritur në total deri në 50 ose më shumë viktima të listuara. Siç u zbulua dhe me vonë, Linda Thompson, personi që kishte përpiluar listën kundër Clinton, pranoi para Kongresit amerikan se ajo nuk kishte anjë provë kundër çiftit dhe kishte shpikur shumë prej të dhënave.
Këto lloj teorish janë përhapur nga QAnon, një lëvizje e ekstremit të djathtë që pretendon se shumë politikanë janë pjesë e një komploti për të mbuluar krimet e njëri-tjetrit. Pjesëtarët e QAnon shpesh i shënjestrojnë udhëheqësit demokratë me pretendime të pabazuara për vrasje, trafikim ose sjellje satanike, dhe Obama ka qenë prej kohësh një nga figurat qendrore të këtyre sulmeve. Këto narrativa nuk bazohen në prova, por ato nxisin mosbesim kundër institucioneve demokratike.
Pretendimi: Udhëtimi në Hënë nuk ka ndodhur, por është filmuar në Hollywood
Verdikti: I pavërtetë
Në Facebook qarkullojnë shpesh postime dhe video, të cilat pretendojnë se shkelja e njeriut në Hënë në 20 korrik 1969 është nje teori konspiracioni dhe nuk ka ndodhur me të vërtetë. Së fundmi, një video me titra në spanjisht është publikuar nga një faqe shqipfolëse në rrjet. Në këtë video, tregohen pamje nga një shesh xhirimi ku po montohet një skenë për mbërritjen në Hënë, e ndjekur më pas nga imazhet e dy astronautëve duke ecur në hapësirë. Postuesi i kësaj videoje pretendon se kjo tregon që udhëtimi në Hënë nuk ka ndodhur, po është një trillim i krijuar nga studiot e Hollywood.
Në fakt, burime të tjera kanë konfirmuar se këto klipe janë zgjedhur qëllimisht për të mashtruar publikun. Siç e tregon verifikuesja e fakteve nga Belgjika, Knack.be, kjo video ka qarkulluar fillimisht në Telegram, ku persona të ndryshëm kanë pretenduar se regjizori i famshëm Stanley Kubrick kishte marrë pjesë në inskenimit e shkeljes së njeriut në Hënë. Në fakt, siç raporton Knack, pjesa e parë e videos (deri në minutin 1:25) nuk ka të bëjë fare me udhëtimin në Hënë, po vjen nga filmi First Man i vitit 2018, siç mund të shihet nga krahasimi midis klipit në Facebook dhe videos ku tregohet sesi filmi është prodhuar.
Pamje nga Facebook
Ndërkohë pjesa e dytë e klipit vjen nga një video e dy astronautëve amerikane përgjatë një vizite tjetër në Hënë, si pjesë e misionit të Apollo 16, në prillin e vitit 1972. Gjatë kësaj pjese të videos shohim fjalët “seems fake” (duket fallco) pasi astronautët rrëzohen ndërkohë që ecin. Megjithatë, kjo ndodh pasi forca e gravitetit në Hënë është vetëm 1.625 m/s² në krahasim me atë në tokë prej 10 m/s². Këtu bëhet fjalë për një diferencë prej tetë herësh me vlerën e Tokës, e cila ndikon tek lëvizja e trupit të astronautëve në sipërfaqen e Hënës.
Ky lloj klipi është pjesë e një grupi teorish konspiracioni shumë popullore në rrjet. Një hetim i Reuters në vitin 2021 tregon sesi këto video të rreme përdorën pamje nga filmat, së bashku me pamje reale nga udhëtime hapësinore për të hutuar publikun. Në rastin e shqyrtuar nga Reuters, një video e ngjashme me të mësipërme kishte përdorur klipe nga filmi 1979 Capricorn One për të pretenduar në mënyrë të rreme se udhëtimi në Hënë nuk ka ndodhur me të vërtetë.
Pretendimi: Nicole Schwab, vajza e ish kreut të Forumit Ekonomik Botëror (WEF) Klaus Schwab, ka rrëfyer se WEF planifikon të vrasë miliarda.
Verdikti: E pavërtetë
———————————————
Në rrjetet konspiracioniste po qarkullon pretendimi i pazakontë se Nicole Schwab, vajza e ish kreut të Forumit Ekonomik Botëror (WEF) Klaus Schwab, ka rrëfyer se WEF planifikon të vrasë miliarda.
Si zakonisht, postimi i mësipërm nuk përmban ndonjë referencë apo ndonjë burim për të mbështetur pretendimin e jashtëzakonshëm.
Postimi duket se i referohet një artikulli të botuar më 29 prill 2024 në portalin amerikan “The People’s Voice”, i njohur më parë si “News Punch”.
Ky i fundit është etiketuar si një portal burim lajmesh të rreme. Sipas një raporti të vitit 2017 nga Buzzfeed, “NewsPunch” ishte burimi i dytë më i madh i lajmeve të rreme që ishin shpërndarë në Facebook atë vit.
Forumi Ekonomik Botëror, në veçanti, është një nga objektivat e tij të preferuar, siç e ka treguar vazhdimisht Faktoje.
Sipas postimit në Facebook, Nicole Schwab dyshohet se zbuloi një plan të supozuar sekret nga WEF për të “vrarë miliarda njerëz”. Këto zbulime të supozuara erdhën si pjesë e një hetimi nga Gjykata Ndërkombëtare Penale (ICC), e cila pretendohet se dyshon Forumin Ekonomik Botëror për krime kundër njerëzimit.
Por kjo histori nuk ka kuptim. Asnjë nga njerëzit e akuzuar për krime kundër njerëzimit nga ICC, e cila gjykon individë, jo organizata, nuk është anëtar i WEF. As shtypi ndërkombëtar nuk ka raportuar ndonjë rast të tillë.
Më 22 prill 2025, ëall Street Journal zbuloi hapjen e një hetimi të pavarur ndaj Klaus Schwab nga Forumi Ekonomik Botëror.
Një ditë më parë, ekonomisti gjerman kishte njoftuar dorëheqjen e tij nga pozicionet e tij si president dhe anëtar i bordit të drejtorëve të organizatës, pa përmendur hetimin.
Ky hetim, i konfirmuar më vonë nga WEF për media të tjera, nisi pas akuzave për keqpërdorim financiar, të bëra në mënyrë anonime. Rasti përfshin gjithashtu Hilde Schwab, gruan e Klaus Schwab, e cila është gjithashtu aktive në Forumin e Davosit.
Çifti akuzohet për përdorimin e fondeve të organizatës për përfitime personale. Sipas ëall Street Journal, Schwab, i cili i mohon akuzat, dyshohet se i udhëzoi punonjësit të tërhiqnin “mijëra dollarë” nga llogaritë e WEF në emër të tij, të cilat dyshohet se i përdori për të paguar masazhet e hoteleve.
Megjithatë, ky është një hetim i brendshëm nga Forumi Ekonomik Botëror dhe jo një hetim ndërkombëtar për krime kundër njerëzimit, siç pretendohet në postimet e rrjeteve sociale.
Ngs Sebi Alla G.T, qëndroi për dy javë në Spitalin Psikiatrik në Tiranë me diagnozën “Tik kronik”, e diagnostikuar që në fëmijëri me kodin DSM-IV-TR (probleme të shëndetit mendor, kryesisht e lindur). Trajtimi me medikamente, disa spitalore dhe të tjera të blera në farmaci, ia përmirësuan ndjeshëm shëndetin. Familjarëve iu sugjerua nga mjeku psikiatër që të merrnin ilaçet katër lloje. Ashtu u bë dhe tre prej tyre ishin në listën e barnave të rimbursueshme. Gjashtë muaj më vonë, pacienti G.T shfaqi sinptoma të ngjashme si para shtrimit në spital. Zgjidhja relative për ta mbajtur disi të stabilizuar ishte që ilaçet e rekomanduara të bliheshin në farmaci, me një kosto që varionte deri në 8 mijë lekë të reja në muaj. Ky ishte vetëm një rast nga mijëra pacientë që vuajnë nga mungesa e cilësisë së ilaçeve dhe si “zgjidhje nga halli” është blerja e barnave në farmaci, jo për një periudhë kohe, por të përhershme.
foto ilustruese e nje farmacie ne Tirane Foto: Atdhe Mulla
Lista e gjatë
Me një tufë ilaçesh në duar, një mjek psikiatër i tha Faktoje.al se pjesa më e madhe e tyre kishin cilësi të ulët dhe kur përdoreshin për një kohë të gjatë (nga të sëmurët kronikë), efektshmëria ulej. Këtë rrëfim mjeku psikiatër që punon në një nga qendrat shëndetësore të shëndetit mendor, e bëri në kushtet e anonimatit, ndërsa përsëriti vazhdimisht se veçanërisht ilaçet e rimbursueshme (13 lloje, dy prodhim serb dhe tjera vendas), janë jo cilësore dhe shpesh ndodh që pacientët të diagnostikuar me probleme të shëndetit mendor të pësojnë kriza të theksuara, e madje deri në stadin e ndryshimit të diagnozës. Ngjashëm edhe me medikamentet spitalore, ç’ka çon në shtimin e ditëve të qëndrimeve në hospitalizim të pacientëve, por edhe një kurim më të ngadaltë në protokollet mjekësore.
Rimbursim, pa cilësi?!
Janë 1366 lloje barnash të përfshira në listën e rimbursimit dhe një pjesë e tyre shkon për kategorinë e sëmundjeve të shëndetit mendor, rimbursim i plotë, ose deri në masën 50 për qind. Megjithë gamën e gjerë të listës së barnave të rimbursueshme që ka ardhur në rritje nga viti në vit, cilësia e medikamenteve mbetet në dyshim, një shqetësim që ngrihet kryesisht nga mjekë dhe të afërm të pacientëve të diagnostikuar me probleme të shëndetit mendor.
Nga analizimi i listës së barnave të rimbursueshme konstatohet se emërtimet e medikamenteve janë cilësore, por emri tregtar (kompanitë prodhuese) nuk janë prodhues me markën e vendeve të BE-së, SHBA-ve, apo Kanadasë. Pjesa më e madhe e tyre janë prodhim vendas, më pas nga Turqia dhe Serbia.
“Nga viti 2013 me uljen e çmimit të medikamenteve në gati 50 %, detyrimisht u ul dhe cilësia e tyre, pasi kompani të mëdha farmaceutike nuk mund të suportonin dot një ulje të tillë. Medikamentet psikiatrike që ofrohen nga shteti nëpërmjet skemës së rimbursimit, fatkeqësisht kanë rezultuar jo efektive”, thotë për Faktoje.al, Dr. Taulant Pengili, Mjek psikiatër – Përgjegjës i Departamentit të Adiktologjisë pranë Spitalit Italian Salus, në Tiranë. Mjeku psikiatër dhe psikoterapist, Neli Demi, në një koment për Faktoje.al thotë gjithashtu se: “Fusha e farmaceutikës, por edhe marrëdhënia shtet-prodhues apo shtet-importues të medikamenteve ka nevojë për një reformë cilësore e cila vë në qendër interesin më të mirë të qytetarëve dhe jo të prodhuesve apo grosistëve monopol të medikamenteve”.
Faktoje.al i drejtoi pyetje konkrete edhe Ministrisë së Shëndetësisë lidhur me efektshmërinë e ilaçeve të rimbursueshme për shëndetin mendor, por deri në publikimin e këtij lajmi nuk morëm përgjigje.
Problematika
Ndërkohë, çështja e shëndetit mendor në Shqipëri mbetet problem serioz, sidomos në shtimin e pacientëve. “Dhe pse nuk ka një studim të mirëfilltë në lidhje me numrin e saktë të personave që vuajnë nga probleme të shëndetit mendor, mendohet që 1 në 5 persona kanë manifestuar të paktën një herë simptoma psikiatrike”, thotë për Faktoje.al, Dr. Taulant Pengili.
Foto ilustruese e nje prej farmacive ne Tirane Foto: Atdhe Mulla
Ankthi, problem tek moshat e reja
Qëndra Together for Life ka kryer disa studime në lidhje me ankthin dhe depresionin si dy nga çrregullimet mendore më të zakonshme në komunitet dhe shpesh përdoren si tregues për të matur trendin dhe shpërndarjen e shëndetit mendor. “Në Shqipëri ka pasur disa përpjekje për të monitoruar prevalencën e depresionit në grupe të ndryshme të popullsisë. Megjithatë, rezultatet e sondazheve apo anketave të ndryshme nuk janë të standardizuara apo të krahasueshme, duke e bërë të vështirë matjen e trendeve në kohë apo të dallimeve ndërmjet grupmoshave të ndryshme”, thotë raporti. Ndërsa mjeku psikiatër, Taulant Pengili, çrregullimet e ankthit i rendit si patologjitë më të shpeshta që trajtojnë mjekët psikiatër dhe psikologët. “Grupmosha më e prekur është ajo 15-30 vjeç por studimet e fundit tregojnë për një fillim më të hershëm, nga paraadoleshenca dhe deri në moshën e tretë”, thotë Pengili. Sipas tij, për shumë vite këto çrregullime trajtoheshin shpesh nga mjekët e familjes, por së fundmi është evidentuar që ankthi në pjesën më të madhe të rasteve nuk manifestohet në formën e tij klasike dhe trajtimi mbetet tagër i profesionistëve të shëndetit mendor.
Edhe OBSH në alarm
Në një raport të fundit të OBSH që merr në studim rajonin (Europën), theksohet se rreth 17 % e popullsisë jetojnë me një gjendje të shëndetit mendor. Edhe pse vendi ynë nuk përfshihet specifikisht në këtë studim, theksohet se në tërësi 1 në 6 persona në rajon jeton me një gjendje të shëndetit mendor; 1 në 3 persona me një gjendje të shëndetit mendor nuk merr trajtimin që u nevojitet dhe; 1 në 4 persona me psikozë nuk merr asnjë trajtim ose kujdes formal. Po sipas këtij raporti, mbi 150 000 njerëz vdesin nga vetëvrasja dhe vetëvrasja është shkaku kryesor i vdekjes tek të rinjtë e moshës 15-29 vjeç.
Shqipëria pa psikiatri rezidenciale
Në formën e evidentimit, diagnostikimit dhe trajtimit të të sëmurëve të shëndetit mendor Shqipëria mbetet pas. Fillimisht pacientët diagnostikohen dhe në raste agresiviteti, sjellje problematike me familjarë apo komunitet, mjekët përcaktojnë se një pacient e ka të nevojshëm shtrimin në një spital psikiatrik. Po si trajtohet më pas ky pacient me probleme të theksuara të shëndetit mendor? “Mendoj që monitorimi i gjendjes së pacientëve që lenë spitalet psikiatrike duhet të realizohet nga Qendrat Komunitare të Shëndetit Mendor, ndryshe të njohura si QKSHM. Shpeshherë, kjo bëhet e vështirë pasi pacientët nuk shkojnë rregullisht në këto qendra pas daljes nga spitali”, konstaton mjeku psikiatër Dr Taulant Pengili. “Si zgjidhje e këtij problemi është rritja e kapaciteteve të spitaleve psikiatrike dhe gjithashtu ngritja e disa strukturave psikiatrike rezidenciale për trajtimin e pacientëve pas daljes nga spitali, pasi një pjesë e mirë e tyre nuk qëndrojnë mjaftueshëm në spitale për shkak të mungesës së kapaciteteve”, konstaton Pengili. Sistemi shëndetësor në Shqipëri ka katër spitale psikiatrike, në Elbasan, Vlorë, QSUNT, Tiranë, dhe Shkodër me 600-650 shtretër në total.
Raporti
Në një raport të Avokatit të Popullit për vitin 2024 konstatohen problematika serioze në të katër spitalet psikiatrike në vend. “Kushte të papërshtatshme infrastrukturore: Spitalet psikiatrike në Vlorë, Elbasan, Shkodër dhe Tiranë vazhdojnë të përballen me mungesa të theksuara në kushtet strukturore për trajtimin dhe rikuperimin e pacientëve. Mungesa e aktiviteteve rikuperuese: Në disa institucione, si spitali “Xhavit Gjata” në Tiranë dhe “Sadik Dinçi” në Elbasan, mungojnë ambientet për zhvillimin e aftësive okupacionale dhe aktivitetet e rikuperimit”, thekson raporti, i cili vë në dukej gjithashtu edhe mungesën e stafit të kualifikuar mjekë-infermierë dhe personelit ndihmës.
Të jetosh me sëmundjen
Në kategorinë e diagnostikimit të pacientëve të shëndetit mendor, ndarja bëhet në dy grupe; të lindurit me probleme të tilla dhe pacientë të tjerë që kanë pësuar trauma të ndryshme psiko-fizike. Stigmatizimi, druajtja për të deklaruar problemet e shëndetit mendor që në shfaqjet e para cilësohen nga specialistët si një nga problemet që duhet të adresohet jo vetëm nga institucionet, por edhe vetë shoqëria. “Duhet të implementohen disa politika ndërgjegjësimi publik në lidhje me shëndetin mendor duke filluar nga Institucionet Arsimore dhe duke vazhduar në të gjitha ambientet e punës ku shpesh nuk ka prezencë të një specialisti të shëndetit mendor, gjë e cila e bën mjaft të vështirë adresimin dhe zgjidhjen e problemit”, thekson dr Taulant Pengili.
Diagnostikim dhe kemp, asgjë më shumë
foto ilustruese
Protokolli shtetëror për pacientë të shëndetit mendor mbetet i pandryshuar për të paktën 40 vite. Çdo pacient me probleme të shëndetit mendor i kapur në fazën e parë të jetës apo me kalimin e pak viteve, fillimisht kalon nga mjeku i familjes dhe nëse sheh anomali rekomandon një vizitë tek specialisti, mjeku psikiatër. Pas përcaktimit të diagnozës sugjerohet që për sëmundje të ndryshme personat të kalojnë në proces kempi, ku është komisioni që përcakton nëse individi duhet të përfitojë kemp dhe nëse po ka ose jo nevojë që sëmundshmëria dhe grada e saj nevojitet të ketë ose jo kujdestar.
Mesatarisht personat në kemp për shëndetin mendor trajtohen me 10500 lekë në muaj dhe po aq edhe kujdestarët e tyre, që në këto raste janë familjarë. Trajtimi shendetësor i mëpasëm shfaq probleme për pacientët që kalojnë një kohë të caktuar të shtruar në Spitalet Psikiatrike, zakonisht deri në tre javë dhe pasi konsiderohet nga mjekët pacient i kuruar për diagnozën e shtrimit dërgohen në familje dhe u sugjerohet që të mbajnë kontakte me qendrat shtetërore të shëndetit mendor. Kjo është hallka e fundit e cila nuk duhet të ishte e tillë, pasi nëse një pacient që është shtruar në spital shfaq sërish probleme agresiviteti, ose manifestim të theksuar çrregullimesh nuk pranohet për të shtruar, kjo edhe për shkak të mungesës së kapaciteve hospitalore.
Përgjigja
“Përgjigja më e mirë ndaj një problematike të tillë do të ishte plotësimi i një rrjeti shërbimesh parandaluese, trajtuese (ambulatore apo spitalore), rehabilituese dhe integruese si dhe rezidenciale. Zhvillimi i një anshëm i cilitdo nga këto shërbime, qofshin këto spitalore apo komunitare nuk do të ishte i mjaftueshëm për të mbuluar nevojat dhe problematikat e ndryshme të personave me probleme kronike të shëndetit mendor dhe familjarëve të tyre. Ky rrjet shërbimesh gjithashtu duhet të jetë i përhapur në mënyrë të përshtatshme në raport me popullsinë për të bërë të mundur akses të barabartë të popullatës në shërbime cilësore”, thotë mjeku psikiatër dhe psikoterapist, Neli Demi.
Shko në privat…!
Në raste të përparimit të sëmundjes dhe veçanërisht shtimit të agresivitetit bëhet edhe shtrimi për një kohë të caktuar në spitalet psikiatrike. Po më pas ku shkojnë pacientët? Spitalet zakonisht i mbajnë të sëmurët në një trajtim që shkon deri në tre javë dhe në raste më të rralla edhe më gjatë. Pas trajtimit spitalor dërgohen pranë familjes, por në periudha të ndryshme pavarësisht marrjes së ilaçeve pacientët kalojnë në agresivitet ndaj të tjerëve, apo edhe në vetëlëndim serioz. Spitalet psikiatrike i refuzojnë rastet e shtrimit për shkak të mungesës së kapaciteteve, por edhe faktit që një pacient që e kanë kuruar pak muaj më parë nuk mund ta rimarrin në trajtim. “Duhen qendra të mirëfillta rezidenciale shtetërore për trajtimin e pacientëve me probleme të theksuara të shëndetit mendor. Në shtet kjo nuk ofrohet”, thotë një tjetër psikiatër në kushte anonimati për Faktoje.al. Sipas tij, janë 4-5 qendra private që ofrojnë këtë shërbim, por me një kosto të lartë dhe e papërballueshme për shumë familje shqiptare pasi një trajtim i tillë në qendër varion në kosto nga 800-1300 euro në muaj.
Ky artikull u realizua me mbështetjen e Fondacionit “Friedrich Ebert”në Tiranë