Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 12 August 2025Agjencia Telegrafike Shqiptare

BERLIN – Konsultime Merz-Trump-Zelensky për qëndrimin e unifikuar ndaj Putinit

11 August 2025 at 23:03

BERLIN, 11 gusht /ATSH-DPA/ – Kancelari gjerman, Friedrich Merz planifikon të konsultohet me presidentin e SHBA-së, Donald Trump, presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe udhëheqësit evropianë në lidhje me luftën në Ukrainë, deklaroi qeveria gjermane.

Një zëdhënës i qeverisë deklaroi se ”mes tyre është planifikuar një video-konferencë”.

Diskutimi do të zhvillohet para takimit të Trump me presidentin rus Vladimir Putin në Alaska të premten në lidhje me përfundimin e luftës në Ukrainë.

”Para konsultimeve me Trump dhe zëvendëspresidentin e SHBA-së J.D. Vance, është planifikuar një takim virtual midis Merzit, Zelenskyt dhe udhëheqësve të Francës, Mbretërisë së Bashkuar, Italisë, Polonisë dhe Finlandës”, theksoi zëdhënësi.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte priten gjithashtu të marrin pjesë në video-konferencë. /os/

The post BERLIN – Konsultime Merz-Trump-Zelensky për qëndrimin e unifikuar ndaj Putinit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 11 August 2025Agjencia Telegrafike Shqiptare

FRANCË – Kandilët e detit ”mbyllin” centralin më të madh bërthamor të Evropës Perëndimore

11 August 2025 at 22:39

PARIS, 11 gusht /ATSH-AFP/ – Centrali bërthamor ”Gravelines”, më i madhi në Evropën Perëndimore, është mbyllur plotësisht sot për shkak të një pranie masive të kandilëve të detit në stacionet e pompimit për ujin e përdorur për të ftohur reaktorët e tij, një incident shumë i rrallë ky.

”Njësitë e prodhimit II, III, IV dhe VI u mbyllën automatikisht midis natës së të dielës dhe mëngjesit të së hënës për shkak të kësaj pranie masive dhe të paparashikueshme të kandilëve të detit në fuçitë e filtrit të stacioneve të pompimit”, njoftoi EDF në faqen e saj të internetit.

Sipas Elvire Antajan, një studiuese në Institutin Francez të Kërkimeve për Shfrytëzimin e Detit (IFREMER), disa mijëra kandilë deti hynë në portin e Dunkirkut, ku centrali pompon ujin e tij ftohës.

”Kjo nuk pati ndikim në sigurinë e objekteve, sigurinë e personelit ose mjedisin”, siguroi operatori, duke theksuar se stacionet e pompimit ndodhen në pjesën jobërthamore të centralit.

Prandaj, centrali është mbyllur përkohësisht plotësisht, pasi dy njësitë e tjera të prodhimit, njësitë I dhe V aktualisht janë duke u mirëmbajtur.

”Incidenti ndërpreu prodhimin e energjisë elektrike, por nuk ndikoi në ftohjen e pajisjeve që sigurojnë sigurinë e reaktorit”, theksoi Autoriteti Francez i Sigurisë Bërthamore dhe Mbrojtjes nga Rrezatimi (ASNR).

“Ky rrezik është i njohur dhe centrali ‘Gravelines’ ka procedura në vend për t’u marrë me një fluks të organizmave detarë (kandil deti, alga) që mund të bllokojnë sistemet e tij të filtrimit”, shtoi ASNR.

I vendosur në brigjet e Detit të Veriut, ”Gravelines” është centrali bërthamor më i madh në Evropën Perëndimore, për sa i përket numrit të reaktorëve dhe kapacitetit të tij të prodhimit (gjashtë reaktorë me ujë të presionuar, secili me një kapacitet prej 900 megavatësh).

Vendi është gjithashtu planifikuar të strehojë dy reaktorë të gjeneratës së re (EPR2), secili me një kapacitet prej 1 600 MW, deri në vitin 2040./  a.jor.

The post FRANCË – Kandilët e detit ”mbyllin” centralin më të madh bërthamor të Evropës Perëndimore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Macron: Në Gaza nevojitet një mision i mandatuar nga OKB

11 August 2025 at 22:29

NJU JORK, 11 gusht /ATSH-AFP/ – Presidenti francez, Emmanuel Macron përsëriti propozimin e tij për një “mision stabilizimi të mandatuar nga OKB-ja” për të siguruar Rripin e Gazës, duke denoncuar “një katastrofë që pritet të ndodhë” dhe një ”nxitim të menjëhershëm drejt luftës së përhershme”, pas njoftimeve të një plani izraelit për të pushtuar Qytetin e Gazës.

”Njoftimi nga autoritetet izraelite për një zgjerim të operacioneve të tyre në qytetin e Gazës dhe kampet Mawasi dhe për një ripushtim nga ana e Izraelit përbën një katastrofë që pritet të ndodhë me një ashpërsi të paparë dhe një nxitim të menjëhershëm drejt luftës së përhershme”, deklaroi presidenti francez.

”Pengjet izraelitë dhe popullsia e Gazës nuk do të vazhdojnë të jenë viktimat e para të kësaj strategjie”, shtoi ai.

Presidenti francez reagoi për herë të parë ndaj planit të qeverisë së Benjamin Netanyahut për të marrë kontrollin e qytetit të Gazës dhe për të goditur bastionet e fundit të Hamasit, një plan që ka tërhequr kritika të forta në të gjithë botën.

Kryeministri izraelit, nga ana e tij, pretendon se ky opsion është “mënyra më e mirë për t’i dhënë fund luftës” kundër Hamasit në Gaza./  /os/

The post FOKUS – Macron: Në Gaza nevojitet një mision i mandatuar nga OKB appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Në Gjirokastër është rikthyer “Iso mbi kalldrëm”

11 August 2025 at 22:28

TIRANË, 11 gusht /ATSH/ Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga qyteti i Gjirokastrës, i cili është një ndër destinacionet më të preferuara nga turistët në vend.

Në këtë qytet po zhvillohet festivali i isopolifonisë “Iso mbi kalldrëm” me të madhin e këngës polifonike Arjan Shehu dhe grupi “Ergjëria” që çelën të parën e mbrëmjeve për shumë grupe të tjera.

“Në Gjirokastër ku këndon çdo rrugicë e  mbajnë iso dhe gurët, është rikthyer “Iso mbi kalldrëm” me të madhin e këngës polifonike Arjan Shehu dhe grupi “Ergjëria” që çelën të parën e mbrëmjeve për shumë grupe të tjera”, shkruan Rama në rrjetet sociale.

“Ju presim në Gjirokastër, gjatë gjithë gushtit për t’iu bashkuar isos sonë, pasuri e çmuar e qytetit të gurtë me shpirt të ergjendtë”, thekson kreu i qeverisë.

Edhe këtë gusht, ashtu si çdo verë u rikthye në Gjirokastër “Iso mbi kalldrëm”, ku morën pjesë grupe folklorike të qytetit ndërsa organizimi i dha gjallëri qytetit.

Aktiviteti tërhoqi vizitorë të shumtë, përfshirë edhe turistë të huaj, të cilët bëhen kuriozë për këngën me iso.

Ky organizim do të vijojë gjatë gjithë gushtit dhe do të marrin pjesë grupe folklorike nga të gjitha njësitë administrative të Gjirokastrës.

/gj.m/r.e/

The post Rama: Në Gjirokastër është rikthyer “Iso mbi kalldrëm” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Orët inteligjente nuk mund të matin me saktësi nivelet e stresit

11 August 2025 at 22:09

AMSTERDAM, 11 gusht /ATSH-AA/ – Një studim i zhvilluar në Holandë zbuloi se orët inteligjente nuk mund të zbulojnë me saktësi nivelet e stresit.

Në një studim të Universitetit “Leiden” thuhet se 800 të rinj u monitoruan për tre muaj me orët inteligjente të modelit “Garmin Vivosmart 4”.

Pjesëmarrësve iu kërkua të raportonin stresin, lodhjen dhe gjendjen e gjumit katër herë në ditë.

Sipas kësaj, u konstatua se kishte një korrelacion “pothuajse zero” midis niveleve të stresit të matura nga orët dhe përgjigjeve të vetë-raportuara të pjesëmarrësve. Për një të katërtën e pjesëmarrësve, kur ata raportuan se ndiheshin të stresuar ose jo, orët inteligjente treguan të kundërtën.

Studimi zbuloi se matjet e lodhjes ishin pak më të sakta sesa matjet e stresit, ndërsa kohëzgjatja e gjumit ishte më e lidhur me nivelin e pushimit që ndienin pjesëmarrësit. Megjithatë, u theksua se të dhënat e gjumit pasqyrojnë vetëm kohëzgjatjen e gjumit dhe nuk ofrojnë informacion të drejtpërdrejtë në lidhje me cilësinë e gjumit.

“Matja e rrahjeve të zemrës nuk mjafton për të përcaktuar gjendjen tuaj emocionale. Rrahjet e zemrës mund të rriten edhe me lumturi, emocione si dhe me ankth”, tha docenti Eiko Fried nga Departamenti i Psikologjisë Klinike.

Ai thekson se rezultatet e studimit ngrenë pyetje të rëndësishme lidhur me gjetjet e të dhënave të pajisjeve mbi gjendjet mendore, duke paralajmëruar që ”kini kujdes dhe mos jetoni sipas orës suaj inteligjente. Këto janë produkte të konsumit, jo pajisje mjekësore”.

Studimi u publikua në revistën “Journal of Psychopathology and Clinical Science”./  /os/

The post FOKUS – Orët inteligjente nuk mund të matin me saktësi nivelet e stresit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Nga 30 vatra, pesë janë më kritike, Vengu: Dyshojmë se shumica janë të qëllimshme

TIRANË, 11 gusht /ATSH/ Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu tha sot se nga 30 vatra aktive në të gjithë vendin, 5 janë më kritiket. Në një intervistë për mediet, Vengu nënvizoi se po vijon puna për shuarjen nga toka e ajri, ashtu edhe për hetimin e zjarrvënieve të dyshuara të qëllimshme.

Nga Poliçani ku po ndiqte situatën në terren, Vengu theksoi se pjesa më e madhe e vatrave janë të qëllimshme, por ka edhe nga ato që riaktivizohen si pasojë e pamundësisë për t’i kontrolluar të gjithë zonat e zjarrit pas shuarjes.

“Kemi rrezikun maksimal në shkallë edhe për shkak të kushteve meteorologjike, temperaturave të larta, por edhe faktorit njerëzor. Sot kishim më shumë vatra aktive sesa të shuara. Sot kemi 30 vatra, ku 5 kanë rrezikshmëri të lartë dhe po i monitorojmë. Po ndërhyjmë nga ajri – si në zonën e Finiqit – si nga ajri me mjete fluturuese, por edhe nga terreni. Situata është dinamike ku ka pasur flakë që kanë kaluar te zona e Syrit të Kaltër, por jemi optimistë pasi forcat ndodhen në terren dhe në mëngjes do bëjmë bilancin. Tjetër emergjencë kishim në Tepelenë, në Lekël, fatmirësisht pa dëme në njerëz dhe banesa. Këtu jemi në Poliçan, ku ka vatra zjarri, shumica fiken nga toka dhe ajri. Jemi me 9 mjete të Forcave të Armatosura përfshirë, shpresojmë se do kemi situatë më të qetë gjatë mbrëmjes, por kërkohet vigjilencë maksimale”, tha Vengu.

Vengu tha më tej se dy nga vatrat më problematike të orëve të fundit dhe që dyshohen të qëllimshme janë edhe ato në Kavajë-Rrogozhinë dhe në Zall-Herr të Tiranës, shumë pranë reparteve të ushtrisë. Ministri tha se për të dyja dyshohet të jetë nga njerëzit, pasi nuk kanë historik të mëparshëm.

“Kemi pasur vatra komplekse në Rrogozhinë dhe Kavajë, me zjarre masive. Dyshimet tona janë për zjarre të qëllimshme, sepse nuk kanë histori zjarresh ato zona. Në këto momente po bëhet një betejë e fortë në Zall-Herr, për koincidencë ose jo, mes dy reparteve ushtarake dhe speciale, shpërtheu një zjarr në orët e pasdites, i pakuptimtë edhe nga pikëpamja e historikut, teksa po përpiqemi me strukturat, zjarrfikësit dhe Bashkinë Kamëz për t’i shuar”, tha ai.

Vengu shpjegoi edhe ndihmën e dhënë nga vendet partnere nëpërmjet Mekanizmit Europian të Mbrojtjes.

“Mekanizmi Europian ekziston pikërisht për këto situata. Ne jemi të angazhuar me të dhe sot kemi pasur mbështetje me 2 avionë grekë në Finiq që na kanë ndihmuar. Kemi 2 helikopterë nga Çekia dhe Sllovakia në Poliçan, Tepelenë. Kemi një Canadair që veproi në Tiranë dhe më gjerë. Kemi një lajm pozitiv, se kanë mbërritur edhe 2 helikopterët nga Emiratet Arabe dhe do nisin punën nesër. Jemi në kushtet që këto mjete t’i shfrytëzojmë në 5 pikat më nevralgjike ditën e nesërme. Eksperienca tregon se 90% të rasteve është faktori njerëzor që kryesisht është i qëllimshëm. Si në Poliçan për shembull, kur ne fiknim disa vatra dhe ato riaktivizoheshin diku më larg dhe kështu me radhë”, u shpreh ministri.

Gjithashtu Vengu foli edhe shkakun pse riaktivizohen një pjesë e zjarreve.

“Një pjesë e zjarreve riaktivizohen për shkak se nuk dominohen dot nga forcat, pasi ka trungje me prush që e riaktivizojnë, por ka dhe shumë të tjera që janë të qëllimshme. Forcat do të jenë në terren për monitorimin, por edhe për të punuar e ndaluar zjarret e qëllimshme. Kemi kërkuar edhe vijimin e hetimeve për këto raste”, përfundoi Vengu.

/m.q/r.e/

The post Nga 30 vatra, pesë janë më kritike, Vengu: Dyshojmë se shumica janë të qëllimshme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BRUKSEL – Tajani: Siguria jonë është në rrezik, BE duhet të marrë pjesë në negociata

11 August 2025 at 22:00

BRUKSEL, 11 gusht /ATSH-ANSA/ – Siguria e Evropës është në rrezik dhe ne duhet të marrim pjesë në negociatat midis Rusisë dhe Ukrainës, deklaroi ministri Jashtëm italian, Antonio Tajani në takimin e jashtëzakonshëm të ministrave të Jashtëm të BE-së përpara takimit midis Vladimir Putin dhe Donald Trump.

“Kontaktet midis udhëheqësve para takimit në Alaska po lëvizin në këtë drejtim”, shtoi ai.

Për Tajanin, “uniteti evropian është “thelbësor, ashtu si edhe ruajtja e një koordinimi të fortë me aleatët tanë amerikanë”.

“Ne mbështesim përpjekjet e presidentit Trump dhe shohim njëfarë progresi. Shpresojmë që një marrëveshje të arrihet sa më shpejt të jetë e mundur, por e dimë se nuk do të jetë e lehtë”, shtoi ai./  /os/

The post BRUKSEL – Tajani: Siguria jonë është në rrezik, BE duhet të marrë pjesë në negociata appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – OKB dënon sulmin izraelit që vrau gazetarët e ”Al Jazeera”-s

11 August 2025 at 21:57

NJU JORK, 11 gusht /ATSH/ – Zyra e OKB-së për të Drejtat e Njeriut ka dënuar një sulm të synuar izraelit që vrau gjashtë gazetarë në Gaza, duke e quajtur atë një shkelje të rëndë të ligjit ndërkombëtar, sipas BBC.

Pesë gazetarë të ”Al Jazeera”-s, përfshirë korrespondentin Anas al-Sharif, u vranë në një sulm ajror izraelit të dielën.

Ushtria izraelite tha se kishte në shënjestër Sharifin, duke pretenduar se ai kishte “shërbyer si kreu i një qelize terroriste në Hamas” – diçka që Sharif e mohoi.

“Izraeli duhet të respektojë dhe mbrojë të gjithë civilët, përfshirë gazetarët”, tha zyra e OKB-së për të Drejtat e Njeriut në një postim në X.

“Ne bëjmë thirrje për akses të menjëhershëm, të sigurt dhe të papenguar në Gaza për të gjithë gazetarët”, theksoi ajo.

Muajin e kaluar, BBC dhe tre agjenci të tjera lajmesh – Reuters, AP dhe AFP – lëshuan një deklaratë të përbashkët duke shprehur “shqetësim të dëshpëruar” për gazetarët në Rripin e Gazës, të cilët thonë se janë gjithnjë e më të paaftë të ushqejnë veten dhe familjet e tyre.

Qeveria izraelite nuk lejon që organizatat ndërkombëtare të lajmeve, përfshirë BBC-në, të hyjnë në Gaza dhe të raportojnë lirisht, kështu që shumë media mbështeten te gazetarët me bazë në Gaza për mbulim.

Agjencia humanitare e OKB-së tha të premten se sasia e ndihmës që hyn në Gaza vazhdon të jetë “shumë nën minimumin e kërkuar për të përmbushur nevojat e mëdha të njerëzve”.

Muajin e kaluar, ekspertët globalë të sigurisë ushqimore të mbështetur nga OKB paralajmëruan se “aktualisht po zhvillohet skenari më i keq i urisë”.

Izraeli ka vazhduar të mohojë se ka uri në Gaza dhe ka akuzuar agjencitë e OKB-së se nuk po marrin ndihmën në kufij dhe nuk e dorëzojnë atë.

Agjencia humanitare e OKB-së ka thënë se vazhdon të hasë pengesa dhe vonesa ndërsa përpiqet të mbledhë ndihma nga zonat kufitare të kontrolluara nga Izraeli./ a.jor.

The post FOKUS – OKB dënon sulmin izraelit që vrau gazetarët e ”Al Jazeera”-s appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

HAPËSIRË – Meteoriti që ra në SHBA më i vjetër se Toka

11 August 2025 at 21:33

XHORXHIA, 11 gusht /ATSH-AA/ – Një meteorit që goditi një shtëpi në SHBA në qershor zbulohet të jetë më i vjetër se Toka.

Universiteti Shtetëror i Xhorxhias përfundoi analizën e meteoritit që goditi një shtëpi në SHBA më 26 qershor dhe shpoi çatinë e shtëpisë.

Sipas një deklarate në faqen e internetit të universitetit, meteoriti u përcaktua të jetë formuar afërsisht 4,56 miliardë vjet më parë.

Sipas kësaj, meteoriti është afërsisht 20 milionë vjet më i vjetër se Toka.

Hulumtuesi i Universitetit të Xhorxhias, Scott Harris tha se “ky meteorit, i cili hyri në atmosferë, kishte histori të gjatë përpara se të godiste shtëpinë”.

Pronarët e shtëpisë ku goditi meteori thanë se ende po gjejnë mbetje të meteoritit përreth zonës./  /os/

The post HAPËSIRË – Meteoriti që ra në SHBA më i vjetër se Toka appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

TEL AVIV – Grupet për lirinë e medias dënojnë vrasjen izraelite të stafit të ”Al Jazeera”-s

11 August 2025 at 20:55

TEL AVIV, 11 gusht /ATSH-DPA/ – Grupet ndërkombëtare për lirinë e shtypit shprehën zemërim për vrasjen e gjithsej gjashtë punonjësve të medias në një sulm ajror izraelit në Rripin e Gazës.

Korrespondenti i ”Al Jazeera”-s, Anas al-Sharif, një nga gazetarët më të mirë të stacionit që mbulonte luftën 22-mujore, dhe katër kolegë të tij u vranë të dielën në një sulm ajror izraelit që goditi një tendë ku strehoheshin gazetarët në qytetin e Gazës.

Sipas organizatës ”Reporterë pa Kufij”, një gazetar i pavarur u vra gjithashtu, duke e çuar numrin e përgjithshëm të viktimave në gjashtë.

Ushtria izraelite konfirmoi vdekjen e al-Sharif, duke thënë se ai ishte shënjestër sepse nuk ishte gazetar, por udhëheqës i një “qelize terroriste” të Hamasit në Gaza.

Transmetuesi tha se ushtria nuk kishte ofruar asnjë dokument të verifikuar nga burime të pavarura ndërkombëtare për të mbështetur pretendimin.

Ushtria izraelite pretendon se ai ishte përgjegjës për kryerjen e sulmeve me raketa ndaj civilëve dhe ushtarëve izraelitë.

”Shtatë persona në total u vranë në sulm”, tha rrjeti, përfshirë ”al-Sharif, korrespondent i Al Jazeera-s Mohammed Qreiqeh, operatorët e kamerave Ibrahim Zaher, Mohammed Noufal dhe Moamen Aliwa dhe dy individë të tjerë”.

Shoqata Gjermane e Gazetarëve (DJV) tha se ”edhe nëse mund të provohet se al-Sharif punonte për Hamasin, kjo nuk e justifikon sulmin ajror në tendën që përdorej nga punonjës të shumtë të medias”.

Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ) vuri në dyshim pretendimin e Izraelit se al-Sharif ishte një zyrtar i Hamasit.

“Izraeli ka një model të gjatë dhe të dokumentuar të akuzimit të gazetarëve si terroristë pa ofruar asnjë provë të besueshme”, tha organizata në një deklaratë të lëshuar në selinë e saj në Nju Jork.

CPJ thotë se të paktën 192 gazetarë dhe punonjës të medias janë vrarë që nga fillimi i konfliktit në Gaza.

Shoqata e Shtypit të Jashtëm të Izraelit tha se “gjatë 22 muajve të fundit, ushtria izraelite i ka etiketuar vazhdimisht gazetarët palestinezë si militantë, shpesh pa prova të verifikueshme, duke i shndërruar ata në shënjestra”.

“Ne i bëjmë thirrje Izraelit të ndërpresë sulmet ndaj gazetarëve në Gaza dhe t’u lejojë gazetarëve të hyjnë dhe të raportojnë lirisht”, tha organizata në një deklaratë./ /os/

The post TEL AVIV – Grupet për lirinë e medias dënojnë vrasjen izraelite të stafit të ”Al Jazeera”-s appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vlorë, ndalohet 43-vjeçari i dyshuar për zjarrvënie, nën hetim edhe dy të tjerë

TIRANË, 11 gusht /ATSH/ Policia e Vlorës ka ndaluar një 43-vjeçar dhe ka proceduar penalisht dy të tjerë për tre raste zjarrvënie në këtë qark, përkatësisht në Lukovë, Bolenë dhe Tragjas.

Policia njoftoi sot se “specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Himarë bënë ndalimin për veprat penale “Shkatërrimi nga pakujdesia me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor” dhe “Shkatërrimi i pronës nga pakujdesia”, për shtetasin B. A., 43 vjeç, banues në fshatin Lukovë”.

Sipas policisë nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas, më datë 10.08.2025, në vendin e quajtur “Lapardha”, pasi ka konsumuar cigare, e ka hedhur në tokë dhe nga pakujdesia ka shkaktuar zjarr, ku si pasojë e përhapjes së flakëve janë djegur 30 rrënjë ullinj, si edhe një sipërfaqe toke me shkurre dhe ferra.

Gjithashtu është vënë nën hetim një 34-vjeçar, i dyshuar për djegien e një sipërfaqeje toke me shkurre, bimësi dhe pisha.

“Po nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Himarë, pas veprimeve hetimore, u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimin penal për veprën penale “Shkatërrimi nga pakujdesia me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor”, për shtetasin E. T., 34 vjeç, banues në fshatin Bolenë.

“Ky shtetas dyshohet se më datë 09.08.2025, në afërsi të varrezave të fshatit, ka ndezur zjarr për pastrimin e kullotës që kishte në përdorim dhe si pasojë e përhapjes së flakëve është djegur një sipërfaqe me shkurre, ferra dhe disa pisha”, njoftoi Policia.

Po ashtu është proceduar penalisht një 58-vjeçar, i dyshuar për djegien e një sipërfaqeje toke me bimësi.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Orikum referuan materialet në Prokurori dhe nisën procedimin penal për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, për shtetasin G. Gj., 58 vjeç, banues në fshatin Tragjas. Ky shtetas dyshohet se është autori i zjarrvënies së datës 08.08.2025, në fshatin Tragjas, ku u dogj një sipërfaqe me bimësi”, njoftoi Policia.

Materialet procedurale për këto raste i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

/m.q/r.e/

The post Vlorë, ndalohet 43-vjeçari i dyshuar për zjarrvënie, nën hetim edhe dy të tjerë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ministria e Mbrojtjes: Gjatë orëve të fundit 30 vatra zjarri aktive

TIRANË, 11 gusht /ATSH/ Ministria e Mbrojtjes njoftoi sot në lidhje me situatën nga zjarret në vend. Gjatë orëve të fundit të sipas Ministrisë së Mbrojtjes janë evidentuar 30 vatra zjarri.

Vatrat e zjarrit janë aktive në qarqet Vlorë, Lezhë, Dibër, Berat, Tiranë, Durrës, Gjirokastër, Elbasan, Shkodër dhe Kukës.

Qarku Vlorë

Bashkia Finiq – Zjarri ka kaluar në fshatin Krane, njësia administrative Mesopotam. Kjo vatër është përballë Syrit të Kaltër. Në këtë zonë janë problematikë fshatrat Krane, Krongj dhe Leshnicë e poshtme. Në terren po operojnë 3 mjete zjarrfikëse me 12 efektivë të MZSH Finiq, të ndihmuar nga FA me 4 mjete zjarrfikëse dhe 30 fefektivë të FA, 1 grup FNSH. Në këtë zonë ka operuar edhe Helikopteri i Forcës Ajrore të FA si dhe 2 avionë grekë PZL, 1 helikopter çek dhe 1 sllovak.

Parku “Rëzom” – maja e Lucës, njësia Vergo – Terren i thyer, e pamundur ndërhyrja me mjete tokësore. Në vendngjarje punonjës të AdZM.

Bashkia Himarë – fshatrat Bolenë dhe Tërbaç – Zjarri në pyll me pisha. Në terren: 3 mjete zjarrfikëse, 10 efektivë MZSH Himarë e Vlorë, forca vullnetare dhe 20 efektivë të FA.

Fshati Lukovë – Të angazhuar në operacion 3 mjete zjarrfikëse me 11 efektivë MZSH Himarë e Sarandë, avioni “Canadair” kroat, 1 mjet zjarrfikës me 3 efektivë MZSH Fier.

Fshati Ninat, bashkia Konispol – Zjarri me drejtim nga fshati Bistricë. Në terren 2 mjete dhe 19 punonjës.

Qarku Lezhë

Fshati Malaj i Epërm, bashkia Mirditë – Zjarri izoluar, në monitorim nga 6 efektivë MZSH, 6 forca pyjore, 17 forca bashkiake, 2 vullnetarë.

Fshati Kolsh, bashkia Lezhë – Zjarr në sipërfaqe pyjore, 2 mjete zjarrfikëse Lezhë dhe 1 nga Mirdita.

Qarku Dibër

Mali i Allushit, bashkia Klos – Zjarri është nën kontroll, digjen trungje brenda vatrës. Po punohet nga 6 efektivë MZSH dhe 1 mjet zjarrfikës.

Mali i Kovashicës, bashkia Bulqizë – Vatra në monitorim nga 2 mjete zjarrfikëse me 7 efektivë MZSH.

Fshati Kabe, bashkia Dibër.Vatra e zjarrit po zhvillohet në sipërfaqe me shkurre, ferra, barishte dhe bimësi të ulët, në kah të fshatit. Në terren janë angazhuar 1 mjet zjarrfikës dhe 6 efektivë zjarrfikës.

Qarku Berat

Vijon zjarri në bashkinë Poliçan, jashtë territorit të Uzinës Mekanike. Zjarri ka kaluar mbi ujësjellësin, pranë një grupi banesash dhe pranë qytetit tek Azili i të Moshuarve. Situata është përkeqësuar në fshatin Plirëz, Poliçan dhe po evakuohen banorët. Në vendngjarje po punojnë MZSH Poliçan 3 mjete, 15 efektivë dhe 2 mjete, 10 efektivë Berat, 60 forca të ushtrisë si dhe forcat e ndërhyrjes së shpejtë të policisë. Në mbështetje të situatës është edhe helikopteri i Forcës Ajrore.

Fshati Rehovë, bashkia Poliçan – Zjarr pranë banesave, një banesë dykatëshe ka marrë flakë. Po kryhet evakuim.

Fshati Backë, bashkia Skrapar – Po punohet për shmangien e rrezikut për banesat.

Qarku Tiranë

Mali i Bërzhitës, bashkia Tiranë, po punohet për shuarjen e zjarrit.

Fshati Stërbeg, bashkia Rrogozhinë – Forcave zjarrfikëse vendore u janë bashkuar edhe përforcime nga Peqini.

Fshati Okshtun, bashkia Rrogozhinë – Zjarri në sipërfaqe me shkurre e ferra është vënë nën kontroll. Po punohet për shuarjen e plotë të vatrës.

Fshati Peqinaj, bashkia Kavajë – Avioni “Canadair” kroat në operim.

Fshati Hajdaraj, bashkia Kavajë – Drejt shuarjes, angazhuar 1 mjet dhe 7 forca.

Zona Arbanë, bashkia Tiranë. Zjarri ka marrë përmasa, por aktualisht, në terren po veprojnë 20 forca zjarrfikëse me 6 mjete, të mbështetura nga 8 forca të APR-së, 8 forca të Policisë Bashkiake si dhe 5 forca të Policisë së Shtetit. Në këtë vatër zjarri ka shkuar edhe një helikopter “Canadair” kroat.

Qarku Durrës

Mali i Krujës, bashkia Krujë, pati riaktivizim të zjarrit në pyll pishe, 15 forca operacionale dhe mbështetje nga policia gjatë aksionit për shuarjen e vatrës.

Fshati Barkanesh, bashkia Krujë. Terreni vështirëson punën.

Qarku Gjirokastër

Rreziku nga zjarri ka kaluar në fshatin Lekël të Tepelenës, pa shkaktuar pasoja për banorët apo banesat e tyre.

Zjarri vijon të jetë aktiv në dy drejtime: poshtë fshatit, në drejtim të fshatit Hormovë, si dhe lart, në faqen e malit të Golikut.

Forcat zjarrfikëse dhe Forcat e Armatosura janë të angazhuara në terren dhe po punojnë me intensitet për izolimin e vatrës së zjarrit.

Qarku Elbasan

Në fshatrat Mukaj dhe Sojnik, Bashkia Gramsh. Në terren MZSH Gramsh dhe 25 efektivë të FA.

Qyteti Cërrik – Është arritur të izolohet zjarri në shkurre. Po mbahet në monitorim nga 20 efektivë e 2 mjete zjarrfikëse.

Fshati Hotolisht, bashkia Librazhd. Forcat po punojnë me intensitet për të shmagur  rrezikun për banesat.

Qarku Shkodër

Zona Koderboks, bashkia Shkodër. Monitorim nga forcat e pyjores dhe zjarrfikësit.

Fshati Stajkë, bashkia Vau Dejës. Era favorizon flakët, 1 mjet zjarrfikës në terren.

Qyteti Pukë – Situata në kontroll. Në terren janë 2 mjete zjarrfikëse dhe forca policore.

Fshati Xath, bashkia Fushë-Arrëz. Situata është e vështirë dhe zjarri ka marrë përmasa. Po evakuohen banorët.

Qarku Kukës

Fshati Gegaj, bashkia Tropojë – Pa rrezik për banesat. Të angazhuara janë 7 forca MZSH, 15 pyjore, 1 emergjenca civile, 18 forca bashkiake, policë dhe 20 vullnetarë.

Mjete ajrore që kanë operuar sot: 1 “Canadair” (Kroacia), 2 avionë PZL (Greqi), 1 “Black Hawk” (Republika Çeke), 1 “Black Hawk” (Sllovakia), 2 “Black Hawk” (Forcat e Armatosura të Shqipërisë).

Pritet të operojnë edhe 2 “Black Hawk” nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

/m.q/r.e/

The post Ministria e Mbrojtjes: Gjatë orëve të fundit 30 vatra zjarri aktive appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama ndan foto nga liqeni i Tiranës

TIRANË, 11 gusht /ATSH/ Parku i liqenit të Tiranës vazhdon të mbetet një nga zonat më të frekuentuara nga qytetarët, duke ofruar një peizazh magjepsës në çdo stinë të vitit.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga perëndimi i diellit, i cili ka “përflakur” liqenin e Tiranës.

Parku i madh i liqenit të Tiranës përfaqëson masivin më të madh të gjelbërimit në Tiranë dhe përmbush nevojat e popullsisë për pushim, argëtim, sport dhe aktivitet fizik në natyrë për të gjitha grup-moshat.

Sipërfaqja e parkut të madh përbëhet nga një masiv kodrinor me shpate me pjerrësi të vogël. Në pjesën jugore formohet pasqyra ujore e liqenit artificial, që me shtrirjen e tij krijon gjire e gadishuj të vegjël shumë piktoreskë.

Parku i madh i liqenit filloi të ndërtohet në vitet ’50-të. Në vitin 1955 u krijua liqeni artificial nga ujërat përreth, si dhe u ndërtua me punë vullnetare një digë 400 m e gjatë, e cila i pengon ujërat të vërshojnë drejt Tiranës.

Në vitin 1957-1958 filloi mbjellja e bimësisë dekorative, si dhe ndërtimi i infrastrukturës së parkut.

/m.q/r.e/

The post Rama ndan foto nga liqeni i Tiranës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KIEV – Zelensky: Putin po luan për të fituar kohë

11 August 2025 at 20:15

KIEV, 11 gusht /ATSH-DPA/ – Përpara samitit SHBA-Rusi mbi Ukrainën në Alaska, të premten, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka akuzuar Moskën se po luan për të fituar kohë.

“Fola me kryeministrin e Kanadasë, Mark Carney. Jam mirënjohës për mbështetjen e Kanadasë për Ukrainën dhe popullin tonë”, shkroi Zelensky në X.

“Ndava pikëpamjen e Ukrainës mbi qëllimet dhe planet e vërteta të Rusisë. Ne e shohim në të njëjtën mënyrë dhe është e qartë se rusët thjesht po duan të blejnë kohë, jo t’i japin fund luftës”, theksoi ai.

“Situata në fushën e betejës dhe sulmet e liga të Rusisë ndaj infrastrukturës civile dhe njerëzve të zakonshëm e vërtetojnë qartë këtë”, shtoi presidenti ukrainas.

“Ne ramë dakord që asnjë vendim në lidhje me të ardhmen e Ukrainës dhe sigurinë e popullit tonë nuk mund të merret pa pjesëmarrjen e Ukrainës. Ashtu siç nuk mund të ketë vendime pa garanci të qarta sigurie. Derisa të arrihet kjo, sanksionet kundër Rusisë duhet të mbeten në fuqi dhe të forcohen vazhdimisht”, tha ai.

Në një bisedë tjetër me presidentin lituanez Gitanas Nauseda, Zelensky raportoi se të dyja palët ranë dakord që së pari duhet të ketë një armëpushim përpara se të fillojë kërkimi i një zgjidhjeje diplomatike për t’i dhënë fund luftës.

“Ne ndajmë të njëjtin qëndrim: së pari, duhet të ketë një armëpushim dhe më pas kërkimi i një zgjidhjeje diplomatike që do të bëjë të mundur përfundimin e luftës me një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme. Pa garanci të qarta sigurie, çdo marrëveshje tjetër do t’i jepte Rusisë vetëm mundësinë për të rivendosur forcat e saj”, shtoi ai.

Zelensky theksoi edhe një herë se asnjë vendim për të ardhmen e vendit dhe sigurinë e ukrainasve nuk mund të merret pa pjesëmarrjen e Ukrainës./  a.jor.

The post KIEV – Zelensky: Putin po luan për të fituar kohë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MM: Rreziku nga zjarri ka kaluar në fshatin Lekël të Tepelenës, pa shkaktuar pasoja

11 August 2025 at 19:58

TIRANË, 12 gusht/ATSH/ Ministria e Mbrojtjes njoftoi sot lidhur me situatën e zjarrit në Tepelenë.

MM thekson se, rreziku nga zjarri ka kaluar në fshatin Lekël të Tepelenës, pa shkaktuar pasoja për banorët apo banesat e tyre.

Zjarri vijon të jetë aktiv në dy drejtime: poshtë fshatit, në drejtim të fshatit Hormovë, si dhe lart, në faqen e malit të Golikut, shton MM.

Gjithashtu, ministria nënvizon se, forcat zjarrfikëse dhe Forcat e Armatosura janë të angazhuara në terren dhe po punojnë me intensitet për izolimin e vatrës së zjarrit.

/gj.m/r.e/

The post MM: Rreziku nga zjarri ka kaluar në fshatin Lekël të Tepelenës, pa shkaktuar pasoja appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Dashuri që ushqen, fuqi që rrit”: Murale për gjidhënien në zemër të Prishtinës

PRISHTINË, 11 gusht /ATSH/ Aksioni për Nëna dhe Fëmijë (AMC) dhe Drejtoria e Shëndetësisë e Komunës së Prishtinës e kanë përuruar të hënën një murale në kryeqytetin e Kosovës, që ka të bëjë me rëndësinë e gjidhënies.

Murali është punuar nga Ermira Murati, e njohur si “Orange Girl” para Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë.

“Nuk është vetëm një mural, është një akt ose njëkohësisht është një homazh i forcës, sfidës, i dashurisë që vetëm nëna dinë me e dhënë këtë më së miri”, ka thënë Murati.

Murali është quajtur, “Gjidhënia: Dashuri që ushqen, fuqi që rrit!”

Organizatorët kanë thënë se në kuadër të Javës Botërore të Gjidhënies, që shënohet në periudhën 1-7 gusht, janë zhvilluar edhe shumë aktivitete tjera.

“Edhe pse gjidhënia është instinkt, është gjithashtu një aftësi që mësohet”, ka thënë drejtoresha ekzekutive e AMC-së, Rina Demiri Spahija.

Ajo ka bërë thirrje që shoqëria t’i mbështesë nënat në të mësuarit dhe vazhdimin e këtij procesi.

Sipas një ankete të cituar nga organizatorët, e vitit 2020, shkalla e ushqyerjes së foshnjave vetëm me gji në gjashtë muaj e parë të jetës ka rënë në 29 për qind në Kosovë, nga 40 për qind sa ka qenë në periudhën 2013-2014.

“Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, gjidhënia është ndër mënyrat më efektive për të siguruar shëndetin dhe mbijetesën e fëmijëve”, është thënë në ceremoni.

Po sipas të dhënave të OBSH-së, gratë që ushqejnë foshnjat me gji kanë rrezik më të ulët nga kanceri i gjirit dhe vezoreve.

Aksioni për Nëna dhe Fëmijë ka thënë se është duke punuar me Ministrinë e Drejtësisë, Agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Fëmijë (UNICEF) dhe Qeverinë e Luksemburgut për t’i edukuar nënat e reja mbi rëndësinë e gjidhënies përmes klasave për prindërim.

Sipas OBSH-së, qumështi i gjirit i mbron foshnjat nga sëmundje të ndryshme dhe promovon zhvillimin e shëndetshëm. /REL/

The post “Dashuri që ushqen, fuqi që rrit”: Murale për gjidhënien në zemër të Prishtinës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Trump: Pres një takim konstruktiv me Putinin

11 August 2025 at 19:41

UASHINGTON, 11 gusht /ATSH-AFP/ – Presidenti amerikan, Donald Trump tha sot se pret një takim konstruktiv me Vladimir Putinin gjatë samitit të tyre, të planifikuar për të premten në Alaska, për të diskutuar një rezolutë për luftën në Ukrainë.

“Do të flas me Vladimir Putinin dhe do t’i them se duhet t’i japësh fund kësaj lufte'”, tha Donald Trump në një konferencë për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, duke shtuar se “do të donte të shihte një armëpushim shumë, shumë shpejt”.

Donald Trump tha gjithashtu se do të telefononte Volodymyr Zelenskyn dhe udhëheqës të tjerë evropianë pas takimit në Alaska.

“Takimi tjetër do të jetë Zelensky-Putin ose Zelensky-Putin dhe unë. Do të jem atje nëse kanë nevojë për mua”, shtoi ai.

Presidenti amerikan shprehu gjithashtu “shqetësim” për refuzimin e homologut të tij ukrainas për t’i lëshuar territor Rusisë si pjesë e një marrëveshjeje që do t’i jepte fund konfliktit./ /os/

The post SHBA – Trump: Pres një takim konstruktiv me Putinin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Korriku i këtij viti, muaji më i nxehtë ndonjëherë në Kosovë

PRISHTINË, 11 gusht /ATSH/ Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë të ditur të hënën se në muajin korrik është regjistruar temperatura rekord – mbi 40 gradë Celsius.

“Vlerat maksimale prej 42.4°C në Klinë dhe 42.3°C në Han të Elezit janë të pashembullta në historinë klimatike të vendit dhe tregojnë një devijim të madh nga mesatarja shumëvjeçare për këtë muaj”, ka thënë Instituti përmes një postimi në Facebook, duke treguar se mesatarja e korrikut në Kosovë shkonte mes 30-35 gradë Celsius.

Para korrikut të vitit 2025, temperatura më e lartë ndonjëherë ishte regjistruar në Prizren më 1987 – 40.8 gradë Celsius.

Sipas Institutit, shifrat e korrikut të këtij viti janë konfirmim i paralajmërimeve shkencore për përshpejtimin e ndryshimeve klimatike.

“Rritja e temperaturave ekstreme është një nga pasojat më të drejtpërdrejta të ngrohjes globale. Modelet klimatike dhe raportet ndërkombëtare (p.sh., IPCC) parashikojnë se Evropa Juglindore, përfshirë Ballkanin, do të përballet me më shumë valë të të nxehtit, thatësira të gjata dhe reshje të rralla por intensive. Korriku 2025 përkon me këtë tendencë, duke reflektuar një klimë gjithnjë e më të paqëndrueshme dhe të ngarkuar me energji termike”, është thënë në postimin në Facebook.

Instituti ka përmendur edhe pasojat e temperaturave të larta, duke thënë se ato ndikojnë në rritje të sëmundjeve me të nxehtin – goditje termike, probleme kardiovaskulare – më pas në stres për bimësinë, kafshët dhe ekosistemet ujore, si dhe në dëme ekonomike, për shkak të dëmeve në bujqësi dhe rritjes së konsumit të energjisë për ftohje dhe rrezik për infrastrukturën.

“Ngjarjet klimatike të korrikut 2025 përbëjnë një sinjal të qartë për domosdoshmërinë e veprimit të menjëhershëm dhe të koordinuar për përshtatje ndaj ndryshimeve klimatike. Institucionet përgjegjëse duhet të fuqizojnë monitorimin meteorologjik, planifikimin urban, sistemet e paralajmërimit të hershëm dhe politikat mjedisore për të minimizuar rreziqet në të ardhmen”.

Ky njoftim vjen teksa Kosova po përballet me dhjetëra zjarre aktive, si pasojë e temperaturave të nxehta.

Ministria e Shëndetësisë në Kosovë u ka rekomanduar institucioneve publike dhe private që t’i zbatojnë masat për mbrojtjen e punëtorëve nga i nxehti i madh.

Kosova ka miratuar strategji për mjedisin dhe klimën, të cilat përfshijnë masa për të reduktuar ndotjen dhe për të promovuar zhvillimin e qëndrueshëm, mirëpo ambientalistët bëjnë thirrje të vazhdueshme për më shumë fokus në këtë sektor.

Sipas një studimi të kryer më herët gjatë vitit nga hulumtues prej Mbretërisë së Bashkuar, Danimarkës, Holandës dhe Zvicrës, është vërtetuar se ndryshimet klimatike pothuajse kanë trefishuar numrin e vdekjeve të lidhura me të nxehtin në qytetet e mëdha evropiane, gjatë valës së të nxehtit ekstrem, nga fundi i qershorit deri në fillimin e korrikut.

Shkencëtarët për klimën kanë thënë disa herë se disa dekada të nxjerrjes së gazrave serrë në atmosferë, kanë ndikuar në rritje të temperaturave globale.

Bota është ngrohur për 1.1 gradë Celsius në krahasim me epokën industriale, ndërsa shtetet synojnë që ta mbajë atë nën 1.5 gradë Celsius, për të shmangur katastrofa të mëdha natyrore. /REL/

The post Korriku i këtij viti, muaji më i nxehtë ndonjëherë në Kosovë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vatra në Fushë-Arrëz, kreu i zjarrfikësve, Cara: Situatë e vështirë, duhet ndërhyrje nga ajri, evakuam banorët

11 August 2025 at 19:18

TIRANË, 11 gusht/ATSH/ Situata në zonën e Fushë-Arrëzit, në qarkun e Shkodrës, mbetet kritike, pasi flakët po përparojnë të favorizuara nga era.

Drejtori i përgjithshëm i Zjarrfikëseve, Arben Cara, u shpreh në një prononcim për mediet se, aksioni vijon, por është e vështirë ndërhyrja nga toka për shkak të terrenit, prandaj kërkohet ndërhyrje nga ajri.

“Kemi të bëjmë me një situatë problematike në mbarë vendin. Këtu në fshatin Xath situata si pasojë e erërave ka dalë jashtë kontrollit. Policia ka kryer evakuimin e banorëve. Në këtë vatër kemi kërkuar dhe është e domosdoshme ndërhyrja nga ajri”, u shpreh ai.

Forca të shumta operojnë nga terreni, por flakët të ndihmuara nga era vijojnë të djegin sipërfaqe me pyje dhe të kërcënojnë banesat.

/gj.m/r.e/

The post Vatra në Fushë-Arrëz, kreu i zjarrfikësve, Cara: Situatë e vështirë, duhet ndërhyrje nga ajri, evakuam banorët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mazniku me fermerë në Elbasan: Skema e investimeve, mundësi reale për të rritur prodhimin dhe fitimin

11 August 2025 at 18:55

TIRANË, 11 gusht /ATSH/ Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku zhvilloi një takim me fermerë në Elbasan për nismën e qeverisë të mbështetjes ekonomike për bujqësinë.

Në takim, ku mori pjesë edhe kryetari i bashkisë së Elbasanit, Gledjan Llatja, u diskutua mbi skemën e investimeve që përfshin 50% grant, mundësi për kredi të butë me interes 2% dhe garanci sovrane deri në 70% të vlerës së kolateralit.

“Nga agroturizmi te ndërtimi i serrave, mbjelljet e reja e sistemet moderne të ujitjes, kjo është një mundësi reale për të rritur prodhimin dhe fitimin për të gjithë fermerët, duke aplikuar pranë AZHBR deri në datën 30 shtator”, theksoi ministri Mazniku.

Për të mbështetur zhvillimin bujqësor, Skema Kombëtare e Investimeve 2025 ofron një fond rekord prej 20 milionë eurosh, të cilat janë të strukturuara në nëntë masa mbështetëse, të cilat mund të përdoren nga fermerët dhe subjektet bujqësore për të zhvilluar plane investimi të personalizuara.

Kredia e butë e nisur prej janarit, me një normë interesi vetëm 2% dhe 70% kolateral nga shteti, gërshetohet me Skemën Kombëtare të Investimeve 2025 me 50% grant, duke krijuar një paketë të plotë financimi për sektorin bujqësor.

Aplikantët mund të përfitojnë nga disa masa mbështetjeje, duke i mundësuar kështu të krijojnë një plan të qëndrueshëm dhe tërësor për zhvillimin e fermave të tyre.

Ky program është i hapur për fermerët individualë, si dhe për shoqëritë me status fizik ose juridik, të cilët mund të aplikojnë për ndihmë financiare nëpërmjet Agropikave ose Agjencive Rajonale të Ekstensionit Bujqësor në zonën e tyre.

Skema Kombëtare e Investimeve 2025 ofron 9 masa mbështetëse: ndërtimin e serrave diellore të reja për prodhimin e perimeve, luleshtrydheve dhe rrushit të tavolinës; mbjellje të reja në pemë frutore, ullinj, agrume dhe vreshta; rrjeta antibreshër për pemët, agrumet dhe vreshtat ekzistuese; sistemet e ujitjes me pika në pemëtore dhe vreshta; ndërtimi i ambienteve për mbarështimin e blegtorisë dhe shpendëtarisë; mekanizimi dhe modernizimi i fermave bujqësore dhe blegtorale; pajisjet për përpunim dhe paketim për perime, fruta, rrush, verë, ullinj dhe vaj ulliri; investime në agroturizëm; koshat dhe rrjetat e peshkimit për akuakulturë.

Aplikimet janë të hapura nga data 30 korrik, deri më 30 shtator, dhe fermerët mund të marrin asistencë nga ekipi i Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për çdo pyetje ose nevojë për ndihmë.

Skema e Investimeve 2025 ofron mundësi të shkëlqyera për zhvillimin dhe modernizimin e sektorit bujqësor në Shqipëri, duke kontribuar në rritjen e eksporteve dhe përmirësimin e standardeve të prodhimit.

/gj.m/r.e/

The post Mazniku me fermerë në Elbasan: Skema e investimeve, mundësi reale për të rritur prodhimin dhe fitimin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌