Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 11 July 2025Main stream

Forcat e Armatosura u bashkohen zjarrfikësve në Lurë, zjarri ende jashtë kontrollit

By: user 8
11 July 2025 at 17:50

Forcat e Armatosura i bashkohen grupeve në Lurë për fikjen e zjarrit. Situata nga zjarri në Parkun Kombëtarë të Lurës vijon të jetë e vështirë. Era e fortë dhe terreni i thepisur nuk i ka lejuar grupet që janë në terren prej ditësh për izolimin e vatrës së zjarrit e cila vijon të jetë aktive prej disa ditësh.

Sipas informacioneve të marra nga terreni rezulton se zjarri është aktiv në një vatër ndihmuar nga era ka marrë përmasa. Ai është zhvilluar në një territor të thepisur me bimësi të rralla, ah, pishë dhe barishte.

Në operacion janë përfshirë, 6 forca të MZSH, 16 forca të ADZM, 5 forca të njësisë administrative Lurë, 12 forca vullnetare, 30 efektiv të Forcave tonë të Armatosura.

Ende nuk ka një përllogaritje të saktë të sipërfaqes së përshkuar nga zjarrit, ndërsa paraprakisht mësohet se janë disa hektar të djegur dhe të përshkuar.

Në terren po punohet me intensitet nga forcat operacionale për ta vënë nën kontroll vatrën e zjarrit por nuk po arrihet për shkak të terrenit të vështirë dhe erës së fortë.

The post Forcat e Armatosura u bashkohen zjarrfikësve në Lurë, zjarri ende jashtë kontrollit appeared first on Lapsi.al.

Mbledhja me kryebashkiakët/ Rama bën për ujë të ftohtë Pjerin Ndreun

By: user 8
11 July 2025 at 16:34

Në takimin me kryebashkiakët në Durrës, Edi Rama nuk i ka kursyer kritikat ndaj tyre dhe në shënjestër vuri edhe Pjerin Ndreun.

Me ton kritik, por pa harruar batutat, Rama i tha se kreut të Bashkisë së Lezhës se nënkryetarët e ti duken shumë të lodhur dhe shumë të rraskapitur.

Për këtë arsye, kryeministri i kërkoi rifreskim të nënkryetarëve, duke i thënë se është në “nderin” e tij ta bëjë këtë gjë.

“Në nderin tënd është ti shkarkosh të gjithë. Te nënkryetarët bëni mirë të bëni një rifreskim të madh dhe ju vetë e ndjeni se mezi po i mbani në krah”, i tha Rama Pjerin Ndreut.

Edi Rama: Meqë ra fjala dhe nënkryetarët është mirë të ndryshojnë sepse i shoh shumë të lodhur, shumë shumë të lodhur, i shoh të rraskapitur, se ju qeshni qeshni se kuptoni se juve s’ndryshoni dot por edhe dy vjet keni, si të doni. I shoh shumë të lodhur Pjerin nënkryetarët e tu. S’ të lë unë të ikësh ty… Në nderin tënd është ti shkarkosh të gjithë. Te nënkryetarët bëni mirë të bëni një rifreskim të madh dhe ju vetë e ndjeni se mezi po i mbani në krah.

The post Mbledhja me kryebashkiakët/ Rama bën për ujë të ftohtë Pjerin Ndreun appeared first on Lapsi.al.

30-vjet Srebrenica, në Beograd shfaqen fotot e Rakto Mlladiç

By: user 8
11 July 2025 at 16:06

Një incident ndodhi në Beograd ndërsa organizata “Gratë në të Zeza” mbajti një aktivitet përkujtimor në Beograd për 30-vjetorin e gjenocidit në Srebrenicë.

Organizata zhvilloi një manifestim me moton “Asnjëherë nuk do të harrojmë gjenocidin në Srebrenicë”.

U realizua një veprim simbolik me 30 pasqyra që simbolizonin ballafaqimin me të kaluarën. Aktivistet qëndruan pranë statujës së princit Mihailo, duke mbajtur numrin 8372, që përfaqëson viktimat. Por, aty afër, tre kundërshtarë mohuan gjenocidin me megafon dhe mbanin simbole nacionaliste.

Njëri prej tyre kishte veshur një këmishë me fotografinë e Ratko Mladiçit, kasapit të Bosnjes dhe valëviste flamur të Republikës Serbe. U kujtua se shpallja e njëanshme e Republikës Serbe ishte hyrje në luftën e Bosnjës dhe u shpall jo kushtetuese.

Lexo më tej: 30 vjet më pas/ Paqja e pamundur mes muslimanëve dhe serbëve në Srebrenicë 

“Gratë në të Zeza” kërkuan që Serbia të pranojë zyrtarisht gjenocidin në Srebrenicë. Ata kërkuan ndalimin ligjor të mohimit të krimeve dhe heqjen e muraleve që lavdërojnë kriminelët e luftës. Gjithashtu, kërkuan që 11 korriku të shpallet Ditë Përkujtimore e Gjenocidit të Srebrenicës.

The post 30-vjet Srebrenica, në Beograd shfaqen fotot e Rakto Mlladiç appeared first on Lapsi.al.

“Të fortit” i sekuestrohen pesë pasuri me vlerë 875 mijë euro

By: user 8
11 July 2025 at 15:57

Pasuri me vlerë 875 000 euro i janë sekuestruar 32-vjeçarit Paris Prenga në Tiranë, i dënuar me burg për vrasje me paramendim dhe pjesëmarrje në grup kriminal për trafikim të lëndëve narkotike.

Policia e Tiranës njofton se pasuritë e sekuestruara janë 2 garazhe, 1 apartament, 1 sipërfaqe truall dhe 1 subjekt tregtar, që ishin të regjistruara në emër të 32-vjeçarit ose të familjarëve të tij.

Kujtojmë se Paris Prenga është dënuar me 19 vite burgim për atentatin ne tentativë ndaj Artion Bylykut, kunati i Domart Konjarit. Ky i fundit njihet si kundërshtari i Devi Kasmit. Kasmi u vra në janar të 2018.

The post “Të fortit” i sekuestrohen pesë pasuri me vlerë 875 mijë euro appeared first on Lapsi.al.

Zjarri në Dimal shkrumbon hektarë me ullinj

By: user 8
11 July 2025 at 15:52

Njē zjarr ka rënë sot në fshatin Malas Gropë, në Njësinë Administrative Kutalli në Dimal. Zjarri ka nisur fillimisht në ferrat dhe barishtet në anë të rrugës së fshati, por i favorizuar nga era dhe temperaturat e larta, zjarri ka përparuar me shpjetësi drejt kodrave me ullinj.

Drejt zjarrit janë nisur 2 mjete zjarrëfikëse nga Berati,1 mjet zjarrëfikës nga Kuçova,1 mjet zjarrëfikës nga Dimali dhe 3 mjete zjarrëfikëse nga Fieri e Lushnja. 25 zjarrëfikës në total janë duke luftuar me flakët në Dimal, me mjete rrethanore pasi drejt kodrave me ullishte nuk ka rrugë makinash për të mundësuar futjen e mjeteve zjarrëfikëse drejt zonës së zjarrit, ndërkohë që në ndihmë të zjarrëfikësve kanë shkuar edhe banorët e zonës.

Zjarri ka shkrumbuar mjaft hektar me ullinj, ndërkohë që është shmangur përhapja e zjarrit drejt banesave të zonës. Ende ka vatra të nxehta në zonë,të cilat po mbahen nën vëzhgim,ndërkohë që ende nuk dihet sesa hektar ullinj janë djegur dhe nëse zjarri ka qënë i qëllimshëm apo jo.

The post Zjarri në Dimal shkrumbon hektarë me ullinj appeared first on Lapsi.al.

Njohja e pensioneve para ’93: Kush përfiton dhe si aplikohet

By: user 8
11 July 2025 at 15:47

Qeveria shqiptare ka hedhur hapin e radhës drejt njohjes dhe vlerësimit të kontributit të qytetarëve, që kanë punuar ndër vite në institucionet shtetërore dhe ndërmarrjet bujqësore të periudhës komuniste.

Me miratimin e rregullores së re “Për zbatimin e ligjit nr. 7/2025” me urdhër të ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, kërkohet t’u jepet fund një herë e mirë padrejtësive të kahershme, duke rikthyer dinjitetin dhe të drejtën e mohuar për shumë individë, të cilët pavarësisht viteve të punës, kanë mbetur për dekada jashtë skemës së pensioneve. Në shumë raste, vitet e punës janë dokumentuar jo saktë, regjistrat gjenden të paplotë ose janë djegur gjatë trazirave të ‘97-ës. Ligji do të lehtësojë njohjen e periudhave të sigurimit, duke zgjidhur problemet me dokumentacionin e vjetër dhe duke shmangur pengesat administrative.

PËRFITUESIT

Në qendër të këtij vendimi janë ish-punonjësit e institucioneve shtetërore, të ish-ndërmarrjeve shtetërore, ndërmarrjeve bujqësore dhe ish-kooperativave bujqësore, të cilët për arsye të ndryshme, kryesisht të mungesës së dokumentacionit apo të parregullsive administrative gjatë viteve të tranzicionit, nuk kanë mundur të përfshihen në sistemin e sigurimeve shoqërore dhe si rrjedhojë nuk kanë përfituar pensionin e pleqërisë, ose përfitime të tjera sociale.

Rregullorja përcakton qartë procedurat për njohjen e këtyre periudhave si vite sigurimi në sistemin e sigurimeve shoqërore. Ajo parashikon kritere të detajuara që duhet të plotësojnë kërkuesit, si dhe dokumentacionin e nevojshëm për të vërtetuar periudhën e punësimit dhe lidhjen e tyre me institucionet përkatëse. Në fokus është jo vetëm saktësia ligjore, por edhe lehtësimi i barrës dokumentare, duke pranuar edhe forma alternative të provës si deklarata noteriale, dëshmi nga dëshmitarë, certifikata familjare, vërtetime nga arkivat apo institucionet vendore. Një nga risitë e kësaj rregulloreje është mundësia që aplikimi të bëhet në mënyrë të thjeshtuar përmes platformës digjitale “e-Albania”, duke shmangur burokracitë dhe vonesat që për shumë vite kanë bllokuar qindra kërkesa në sistemin e sigurimeve.

Aplikuesit, pas dorëzimit të dokumenteve, do të shqyrtohen nga strukturat përkatëse të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, i cili do të ketë detyrimin të japë vendimin përfundimtar për njohjen ose jo të periudhës së kërkuar. Përfitues të drejtpërdrejtë të kësaj nisme janë individë që kanë qenë të angazhuar në punë gjatë periudhave të funksionimit të kooperativave bujqësore, ndërmarrjeve shtetërore industriale apo bujqësore, ku puna shpesh kryhej pa një kontratë të rregullt pune, por ishte pjesë e kontributit kolektiv dhe detyrimit qytetar të kohës. Në shumë raste, këta persona kanë punuar për vite me radhë në sistemin bujqësor apo industrial të organizuar nga shteti, por nuk kanë qenë të regjistruar si të siguruar, gjë që sot pengon përfitimin e pensionit.

RASTE PËRJASHTIMORE

Ndërkohë, rregullorja parashikon dhe kufizime të qarta për të shmangur abuzimet. Kështu, përjashtohen nga përfitimi personat që janë dënuar me vendim gjykate për vepra penale që nuk lidhen me bindjet politike, si dhe ata që nuk kanë pasur një lidhje të vërtetueshme me vendbanimin dhe vendpunimin gjatë periudhës për të cilën kërkojnë njohje. Ky akt nënligjor vjen si një plotësim i shumë kërkesave dhe shqetësimeve të ngritura nga qytetarët, organizatat e pensionistëve dhe shoqëria civile ndër vite, duke qenë një nga hapësirat më të rëndësishme të rivlerësimit të kontributit historik të shtresave të neglizhuara në tranzicionin shqiptar.

Në thelb, ai sjell jo vetëm një përmirësim në mirëqenien ekonomike të mijëra familjeve, por edhe një formë e vonuar drejtësie sociale dhe respekti institucional për punën që është bërë në kushte të vështira dhe në periudha kur ndihmat sociale dhe siguria e punës ishin të kufizuara. Pritet që zbatimi i kësaj rregulloreje të sjellë një valë të re aplikimesh në muajt në vijim, me Institutin e Sigurimeve Shoqërore, që ka marrë masa për të përballuar fluksin dhe për të ofruar asistencë teknike dhe ligjore për aplikantët në nevojë. Njëkohësisht, qytetarët që kanë çështje të hapura në gjykatë për të njëjtën periudhë, kanë të drejtë të kërkojnë rikthimin e dosjes për shqyrtim administrativ sipas rregullores së re, duke kursyer kohë dhe kosto procedurale.

Me këtë vendim, shteti shqiptar u kthen një borxh të gjatë moral dhe social qindra mijëra qytetarëve të tij – një shenjë që puna e bërë, edhe pse në rrethana të tjera politike e ekonomike, nuk harrohet dhe meriton të vlerësohet. Duhet nënvizuar se ligji nuk ka fuqi prapavepruese. Referuar deklaratave nga përfaqësuesit e Institutit të Sigurimeve Shoqërore, përfitues do të jenë vetëm ata që dalin rishtazi në pension dhe jo të tjerë, të cilët e kanë kërkuar të drejtën e tyre në rrugë administrative apo gjyqësore. Ndërkohë që edhe ata individë që janë në proces ankimimi administrativ apo gjyqësor kanë të drejtë të shmangin këto procedura, pasi janë objekt përfitimi të ligjit.

KATEGORITË QË PËRFITOJNË NGA ZBATIMI I LIGJIT JANË:

Ata që kanë plotësuar moshën për pension pas hyrjes në fuqi të ligjit.
Persona që ende nuk kanë marrë pension, edhe pse kanë mbushur moshën.
Aplikantë, të cilëve u është refuzuar pensioni për mungesë periudhe sigurimi.
Përfitues të pensionit, të cilëve nuk u janë njohur disa vite pune dhe kanë bërë ankim.
Persona që janë në proces gjyqësor për vërtetimin e periudhave të punësimit.
NJIHEN VITET E PUNËS

Deri më datë 01.10.1993 – Në institucionet dhe ish-ndërmarrjet shtetërore.
Deri më datë 17.10.1992 – Në ish-ndërmarrjet bujqësore.
Deri më datë 19.07.1991 – Në ish-kooperativat bujqësore
/Panorama

The post Njohja e pensioneve para ’93: Kush përfiton dhe si aplikohet appeared first on Lapsi.al.

Tensione në Theth/ Goditen me molotov fadromat e IKMT, policia në ndjekje të autorëve

By: user 8
11 July 2025 at 15:40

Tensionet në Theth vijojnë të përshkallëzohen ndërsa Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) po çon përpara aksionin për shembjen e ndërtimeve pa leje.

Raportohet se ditën e sotme disa persona të paidentifikuar kanë qëlluar me molotov fadroma të IKMT‑së si edhe urën kryesore të lagjes “Gjelaj”.

Menjëherë pas incidentit, forcat e rendit rrethuan zonën dhe kanë nisur kërkimet për autorët e dyshuar.

Po ashtu raportohet se forca nga FNSH janë nisur drejt Thethit nga kryeqyteti për të ndihmuar autoritetet.

The post Tensione në Theth/ Goditen me molotov fadromat e IKMT, policia në ndjekje të autorëve appeared first on Lapsi.al.

Mbytet turistja ukrainase në Vlorë, në gjendje të rëndë vajza e saj

By: user 8
11 July 2025 at 15:23

Një turiste ukrainase ka humbur jetën në Vlorë ndërsa vajza e saj ndodhet në gjendeje të rëndë. Gruaja dhe vajza e saj ishin futur në det për tu larë ku rrezikonin mbytjen, por ishin qytetarët aty që i nxorrën nga uji.

Fatkeqësisht 43 vjeçarja humbi jetën. Ajo u dërgua pa shenja jete në spitalin e Vlorës. Ndërkohë vajza e saj ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.

Sipas rrëfimeve të qytetarit që u fut në det për të shpëtuar turistët, si dhe pushuesve të tjerë, ambulanca erdhi të paktën gjysmë orë me vonesë për shkak të trafikut të rënduar në zonën e Lungomares. Raportohet se plazhi privat ku po pushonin dy tyristet nuk kishte roje bregdetare.

The post Mbytet turistja ukrainase në Vlorë, në gjendje të rëndë vajza e saj appeared first on Lapsi.al.

NY Times: Gaza? Lufta e Netanyahut…

By: user 8
11 July 2025 at 14:34

Pse ka zgjatur kaq shumë lufta në Gaza? Në një profil investigativ madhor të publikuar këtë mëngjes, Times Magazine shpjegon se Benjamin Netanyahu e ka zgjatur atë pjesërisht për arsye personale politike. Shefi i zyrës së “New York Times” në Jeruzalem, Patrick Kingsley, së bashku me kolegët Ronen Bergman dhe Natan Odenheimer, kaluan gjashtë muaj duke intervistuar mbi 110 persona dhe duke shqyrtuar dhjetëra dokumente ushtarake dhe qeveritare.

Gazeta bisedoi me Patrick (i cili këtë verë do të largohet nga detyra e tij pas katër vitesh e gjysmë në atë që shumë e quajnë puna më e vështirë në gazetari) rreth Netanyahut, luftës dhe mënyrës se si arritën të bindin kaq shumë njerëz të ndajnë sekrete.

Sot është dita e 643-të që nga sulmet e 7 tetorit. Askush nuk e kishte imagjinuar që lufta do të zgjaste kaq shumë. Pse vazhdon ende? 

Argumenti strategjik ishte se (kjo kohë) do t’i jepte Izraelit një shans më të mirë jo vetëm për të mposhtur Hamasin, por edhe aleatët rajonalë të Hamasit, Hezbollahun dhe Iranin. Pavarësisht nëse besoni ose jo këtë justifikim, raportimi ynë tregon qartë se Netanyahu shpeshherë është motivuar nga interesat e tij personale, dhe jo vetëm nga ato kombëtare.

Ka pasur pika kyçe kur Netanyahu ka zgjedhur të vazhdojë luftën për të mos e rrëzuar qeverinë e tij të koalicionit. Nga frika e një reagimi të brendshëm, Netanyahu refuzoi gjithashtu të hartonte një plan të qartë për Gazën pas luftës, duke çuar në një strategji të paqartë ushtarake që shkaktoi dhjetëra mijëra viktima, një dëm të madh për reputacionin ndërkombëtar të Izraelit, dhe gjithsesi lejoi Hamasin të mbijetojë.

Artikulli hapet me një skenë të jashtëzakonshme në një mbledhje të kabinetit në prill 2024. Një armëpushim ishte në tryezë pothuajse. Çfarë ndodhi? 

Pas muajsh zvarritjeje, Netanyahu ishte zbutur në pozicionin e tij negociues, duke e rritur mundësinë e një marrëveshjeje për armëpushim dhe lirimin e pengjeve. Stafi i tij ishte duke u përgatitur për ta paraqitur këtë pozicion të ri para ministrave të qeverisë. Por një minister i së djathtës ekstreme kërcënoi se do të rrëzonte qeverinë nëse marrëveshja do të miratohej. Netanyahu zgjodhi të vazhdojë luftën në vend që të lejonte rënien e qeverisë.

Kur e mbuloja Netanyahun një dekadë më parë, vlerësimi i përgjithshëm ishte se ai ishte i kujdesshëm ndaj rrezikut, që i linte konfliktet të zjenin në sfond më mirë sesa të futej në luftë të plotë, si ato që kemi parë këto dy vitet e fundit. Çfarë ka ndryshuar? 

Në njëfarë kuptimi, ai është ende i njëjti Netanyahu që njihje, ende mban shumë opsione hapur dhe i shmanget vendimeve kyçe deri në momentin e fundit. Këtë e pamë në shtyrjen për muaj të tërë të përplasjes së drejtpërdrejtë me Hezbollahun dhe Iranin vitin e kaluar. Por gradualisht, ai ka marrë më shumë rreziqe. Në fund, zgjodhi të pushtonte Libanin, të vriste udhëheqësinë e Hezbollahut, të pushtonte Sirinë dhe të bombardonte Iranin në mënyrë të hapur.

Këto zgjedhje janë pjesërisht pasqyrim i një ndryshimi në psikikën izraelite. Për kritikët e Izraelit, sulmi i Hamasit ishte një reagim i pashmangshëm ndaj bllokadës së Gazës dhe pushtimit të Bregut Perëndimor. Por për shumë izraelitë, sulmi ndodhi si pasojë e ngurrimit të Izraelit, dështimit për të goditur në mënyrë parandaluese kërcënimin që përfaqësonte Hamasi.

Një koleg i yni shkroi kohët e fundit se Izraeli, gjatë dy viteve të fundit, ka arritur të mposhtë armiqtë e tij, por gjithashtu ka larguar aleatët e vet. Çfarë tregon kjo për të ardhmen e tij? 

Në termat diplomatikë, Izraeli ndodhet me një këmbë në dy realitete paralele. Në të parën, pozita globale e Izraelit është më e ulëta në dekada. Në të dytën, Izraeli po i afrohet përparimeve historike me armiqtë e tij të vjetër, duke sfiduar logjikën se lufta në Gaza e ka izoluar atë në mënyrë të pakthyeshme. Edhe pse reputacioni i Izraelit po përkeqësohet në shoqëritë amerikane dhe arabe, diplomatët izraelitë janë njëkohësisht të angazhuar në bisedime të fshehta me zyrtarë në Siri, të cilat mund të forcojnë pozicionin e Izraelit në Lindjen e Mesme. Është një situatë e çuditshme dhe e ndërlikuar.

Netanyahu është 75 vjeç dhe kryeministri me mandatin më të gjatë në historinë e Izraelit, duke shërbyer gati 18 vjet në tri periudha të ndryshme. Megjithatë, nuk ka asnjë shenjë se ai është gati të tërhiqet

Disa nga vëzhguesit më të vjetër të Netanyahut mendojnë se ai mund të tërhiqet vetëm nëse arrin të vendosë marrëdhënie formale me Arabinë Saudite dhe shtete të tjera arabe. Nëse këtë e shoqëron me sulmet ndaj Iranit, ai mund të ketë siguruar mjaft fitore ushtarake dhe diplomatike për të rehabilituar trashëgiminë e tij politike brenda vendit, edhe nëse reputacioni i tij ndërkombëtar mbetet i shkatërruar.

Por për vite me radhë, Netanyahu ka refuzuar të japë dorëheqjen, pavarësisht se është nën akuzë për korrupsion (akuza që ai i mohon). Ai nuk ka dhënë asnjëherë përshtypjen se do të largohet vetë nga skena

Sjellë në shqip nga ©LAPSI.AL 

The post NY Times: Gaza? Lufta e Netanyahut… appeared first on Lapsi.al.

Before yesterdayMain stream

Përplasja e re/ Pse mandati i ‘Shqipëria Bëhet’ mund të mbetet në duart e Celibashit

By: user 8
10 July 2025 at 20:18

Mandati i vetëm i koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet” në Tiranë pas zgjedhjeve të 11 majit është vënë në pikëpyetje për shkak të një situate të papritur me një nga kandidatët në listën e mbyllur.

Në qendër të këtij ngërçi të krijuar sëfundmi ndodhet Zeqir Kordhoni, i cili sipas Euronews është i afërt familjarisht me Endri Shabanin, dhe është i 9-ti në listën e mbyllur të Tiranës.

Ky i fundit i ka dërguar Ilir Celibashit një letër ku insinuon se partia ka dërguar në KQZ një letër dorëheqje në emrin e tij.

“I nderuar Z. Celibashi,

Unë, Zeqir Kordhoni jam deputet i partisë “Nisma Shqipëria Behet”. 

Kam mësuar se partia “‘Shqipëria Bëhet” ka dërguar një letër dorëheqje në emrin tim. Dua të kërkoj një kopje të kësaj letre.” – shkruan Zeqir Kordhoni (letra poshtë).

Nisur nga çka shkruar në këtë letër, Kordhoni nënkupton se nuk ka qenë ai firmëtari i dorëheqjes së tij.

Sipas deklaratave në media, më 11 maj, koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet” ka dorëzuar dorëheqjet e të gjithë kandidatëve të listës së mbyllur, përfshirë Kordhonin. Megjithatë, dorëheqjet nuk janë aprovuar ende.

Nëse KQZ do të njohë dorëheqjet e kandidatëve të listës së mbyllur si të vlefshme, mandati do t’i kalojë Adriatik Lapajt, kandidatit më të votuar të listës së hapur në Tiranë. Por nëse qoftë edhe një prej 12 kandidatëve të listës së mbyllur refuzon të heqë dorë, Lapaj mund të mbetet jashtë parlamentit. Shkurtimisht, nëse Kordhoni realisht nuk e ka firmosur dorëheqjen dhe refuzon të dorëhiqet, kjo mund të ndalojë kalimin e mandatit te Lapaj.

Ishin të dy, edhe Zeqir Kordhoni edhe Adriatik Lapaj që dhanë nga një prononcim për Report Tv.

“Po na sjell shumë andralla Adriatiku, një herë do hyj e një herë nuk do hyj. Por unë nuk jam i bindur se cfarë do bëj. Duhet që Adriatiku të ulet ballë për ballë me mua dhe ta sqarojmë këtë histori. Kam punuar 72 orë me të pa shkuar në shtëpi e jam edhe invalid. Kam firmosur shumë gjëra në atë kohë dhe nuk e kam të qartë nëse kam firmosur dorëheqjen” – tha Zeqir Kordhoni, duke e forcuar pretendimin e letrës së mësipërme se nuk ka firmosur dorëheqjen nga mandati.

Lapaj iu përgjigj: “Nuk rrezikohet mandati im. Zoti Kordhoni është shumë poshtë listës, nuk ekziston ajo. Ai është pjesë e listës së Shabanit. Unë jam në mirëbesim në këtë rast, nëse dikush e trajton ndryshe, do marri përgjigjen si shërbëtor i shtetit. Me zotin Shabani nuk kemi probleme. Nuk më kthejnë dot pas, as me shantazhe, as me kërcënime e ndërhyrje. Në koalicionin tonë gjithçka shkon mirë, nuk ka krisje.” 

Pra, aktualisht ka paqartësi brenda koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet”.

Nëse situata zgjidhet së brendshmi dhe Kordhoni të tërhiqet, atëherë KQZ-së do ti duhet të marrë një vendim më pak. Por nëse Kordhoni këmbëngul se dorëheqja e tij është e pavlefshme, atëherë topi mbetet në fushën e Ilirjan Celibashit. A do të respektohet vullneti i qytetarëve që votuan për kandidatët e listës së hapur, sipas skemës vullnetare që aplikoi “Nisma Shqipëria Bëhet”? Apo Kordhonit nuk do ti njihet dorëheqja, që pretendon se është fiktive, dhe do të zbatohet kodi zgjedhor, duke bërë që Kordhoni të shtyjë Lapajn jashtë Kuvendit, për ushtruar katër vite detyrën e deputetit të Tiranës.

©Lapsi.al 

The post Përplasja e re/ Pse mandati i ‘Shqipëria Bëhet’ mund të mbetet në duart e Celibashit appeared first on Lapsi.al.

Dinamika e një vrasjeje të sofistikuar: Dy Range Rovera për të rrëmbyer Renis Dobrën

By: user 8
10 July 2025 at 18:02

Detaje të reja kanë dalë lidhur me rrëmbimin dhe vrasjen e Renis Dobrës, i cili u gjet i pajetë mëngjesin e djeshëm, 9 korrik, në liqenin e Shkopetit.

Dy makina Range Rover dyshohet se kanë ardhur nga Rrësheni për t’i bërë pritë dhe për të rrëmbyer 23-vjeçarin Renis Dobra.

Ndërsa një makinë tjetër, e ardhur nga Miloti, pa u futur në rrugën Milot-Burrel, ka kontrolluar rrugën 12 km nëse ka lëvizje. Mësohet se për këtë ngjarje, pritet të shoqërohen 10 persona, sipas News 24.

Ngjarja dhe hetimet

Babai i Renisit, pasi nuk ka mundur të lidhet me të birin për disa orë, ka shkuar në komisariat duke treguar se kishte humbur kontaktet me të. U tha se efektivët nisën menjëherë kërkimet, siç thuhet gjithnjë, por pa rezultat.

Dje u bë me dije se trupi i 23-vjeçarit Renis Dobra u gjet pranë liqenit të Shkopetit, në fshatin Madhesh të Matit. Automjeti me të cilin i riu kishte dalë nga shtëpia, dyshohet të ketë rënë në ujë, por ende nuk është gjetur.

Një grup i posaçëm hetimor në drejtimin e Prokurorisë po heton për një vrasje të mundshme, pasi në trupin e të ndjerit ka gjurmë të mbytjes me litar, pasi ka shenja të dukshme në qafë. Kështu dyshon polica, por do të jetë mjekësia ligjore, që do të hedhë dritë mbi mënyrën se si iu ka marrë jeta të riut. Mirëpo pas arritjes në konkluzionin se Renisi mund të jetë vrarë, policia ka bërë me dije se ka arritur të zbardhë një pjesë të mirë të dinamikës.

The post Dinamika e një vrasjeje të sofistikuar: Dy Range Rovera për të rrëmbyer Renis Dobrën appeared first on Lapsi.al.

Meta çon Gjykatën e Lartë në Kushtetuese, kërkon lirimin nga qelia

By: user 8
10 July 2025 at 17:50

Ilir Meta ka bërë rekurs në Gjykatën Kushtetuese vendimin e Gjykatës së Lartë që e la në burg.

Kreu i PL-së përmes avokatit Kujtim Cakrani, kërkon në Kushtetuese lirimin nga qelia.

Meta kërkon shfuqizimin e vendimit të Gjykatës së Lartë që e la në burg më 27 shkurt. Gjithashtu, ish-presidenti i Republikës kërkon edhe shfuqimin e vendimit të mëparshëm, atij të 19 nëntorit 2024, kur Apeli në GJKKO e la në burg.

Meta mbahet i izoluar në burgun 313 në Tiranë, prej 21 nëntorit 2024. Kreu i PL-së po hetohet për aferën CEZ/DIA, gjatë kohës kur bashkëqeveriste forca e tij LSI me Partinë Demokratike, si dhe për lobingjet në Uashington.

The post Meta çon Gjykatën e Lartë në Kushtetuese, kërkon lirimin nga qelia appeared first on Lapsi.al.

Surpriza e radhës/ Kompleks gjigant dhe disa kulla në Vlorë

By: user 8
10 July 2025 at 17:43

Qeveria shqiptare i ka dhënë dritën jeshile ndërtimit të një rezidence banesash dhe kullash në Vlorë me gati 90 mijë metra ndërtim, në një tokë plot 20 mijë e 500 metra katrorë, në vijën bregdetare të Vlorës. Kjo sipërfaqe, në një nga zonat më të rëndësishme turistike dhe urbane të vendit, duket se po shkon drejt zbatimit pa u bërë asnjë konsultim publik dhe pa u bërë transparente planet për qytetin.

Projekti është zbuluar për herë të parë më 9 korrik nga vetë studioja ndërkombëtare Oppenheim Architecture, që ka publikuar planet arkitekturore në faqen e saj zyrtare.

“Ndërsa Vlora, Shqipëri, vazhdon të zhvillohet përgjatë vijës së saj bregdetare në Adriatik, Oppenheim Architecture prezanton një shtresë të re në strukturën urbane të qytetit me një zhvillim në shkallë të gjerë. E vendosur në një kryqëzim mes qytetit të vjetër, Pyllit të Sodës dhe një marine të sapondërtuar, Zhvillimi Urban i Plazhit të Vlorës shtrihet në një sipërfaqe prej 20,465 metrash katrorë dhe shton 89,320 metra katrorë ndërtim të ri. Në zemër të tij ndodhet një promenadë qendrore për këmbësorë, që shtrihet nga bulevardi deri në plazh, e menduar si një shtyllë publike që lidh arkitekturën me peizazhin dhe jetën e përditshme me ritmet më të gjera të qytetit.” – sqaron studio Oppenheim.

Sipas përshkrimit të studios, projekti mbështetet mbi një model që frymëzohet nga fshatrat tradicionale shqiptare dhe synon të krijojë një jetë urbane aktive dhe të ngjashme me komunitetet e dikurshme.

Sipas studios Oppenheim, në qendër të kompleksit nuk janë vetëm ndërtesat e ulëta. Tre kulla do të ngrihen mbi strukturën ekzistuese urbane, duke dominuar zonën e re.

“Tre kulla, të vendosura brenda strukturës së blloqeve, ngrihen mbi përmasën modeste të lagjes. Pozicionimi i tyre ruan korridoret pamore dhe hapësirat e hapura, ndërsa fasadat e tyre ndjekin të njëjtin gjuhë dizajni për të mbajtur koherencën arkitekturore.” – njofton Oppenheim Architecture, ndërsa zbulon se klienti për këtë projekt të përmasave gjigante është kompania Feniks Konstruksion Sh.P.K.

Kjo kompani, në pronësi të Ilir Shytit dhe Jaho Shtytit, ka në zotërim shoqërinë “Agrocon Albania”, dhe ka fituar në 20 nëntor 2017 statusin e “investitorit strategjik” për projektin “Agrocon”, ndërtim ferme bujqësore në Krutje të Lushnjes.

Përshkrimi i kompanisë tregon se ajo merret me disa biznese.

Ky projekt është një tjetër shembull i një politike të njëanshme të zhvillimit urban nga qeveria Rama. Asnjë transparencë, asnjë plan publik, asnjë konsultim me qytetarët për mënyrën si transformohet një hapësirë kaq e rëndësishme në një zonë me kulla dhe beton. Lapsi.al sjell këtë informacion që qeveria nuk e ka bërë publik, por që i rrjedh përmes firmave ndërkombëtare të arkitekturës.

Vlora në veçanti është kthyer në objektin e veprimeve më arbitrare të qeverisë. Mjafton të kujtojmë projektin për faljen e ishullit të Sazanit dhe zonës së Zvernecit për Jared Kushnerin, që shqiptarët e mësuan nga New York Times. Njësoj si sot, vendimet merren në errësirë, ndërsa publiku informohet nga jashtë vendit.

©Lapsi.al 

The post Surpriza e radhës/ Kompleks gjigant dhe disa kulla në Vlorë appeared first on Lapsi.al.

Tangoja Trump-Putin drejt katastrofës

By: user 8
10 July 2025 at 15:41

Marrëdhënia mes Presidentit Trump dhe Vladimir Putin është prishur. Është një kthesë e çuditshme, duke pasur parasysh sa mirë dukeshin gjërat për Rusinë pas zgjedhjes së Trump-it. Presidenti i ri dukej se e trajtonte Putinin me respekt, dhe Putini dukej gati të merrte shumicën e asaj që dëshironte në luftën kundër Ukrainës. Në vend të kësaj, Putini i luajti shumë keq letrat e tij. The New York Times shpjegon se si ai e ktheu një aleat të mundshëm të Shtëpisë së Bardhë në një skeptik.

Një fillim i ndritur

Trump premtoi gjatë fushatës që ta përfundonte shpejt luftën në Ukrainë. Kur mori detyrën, administrata e tij ishte skeptike ndaj aspiratave të Ukrainës për në NATO, gati për ta lënë Rusinë të kontrollonte territorin ukrainas që kishte marrë, e pa dëshirë për të shpenzuar shumë për mbrojtjen e Kievit dhe madje e hapur ndaj njohjes së aneksimit të Krimesë nga Moska në vitin 2014. Ishte një ofertë paqeje që arrinte shumë nga objektivat e luftës së Rusisë.

Më pas ndodhi vizita katastrofike e Volodymyr Zelensky në Zyrën Ovale në shkurt. Trump e përuli Zelenskyn si një mosmirënjohës drejtpërdrejt në televizion, duke ngulur këmbë: “Nuk i ke letrat në dorë tani.” Ai gjithashtu tha se Putini kishte qenë viktimë e një “gjuetie shtrigash” amerikane. SHBA filloi t’i bënte presion Ukrainës të nënshkruante një marrëveshje që dorëzonte pjesën më të madhe të pasurisë së saj minerare.

E gjithë kjo ndodhi në kohën perfekte për Rusinë. Ajo kishte humbur rreth një çerek milioni ushtarë në luftë. Ekonomia e saj ishte e dobët. Por me një president amerikan simpatizues, Putini ishte afër të shpallte fitoren.

Një e shtënë në këmbë 

Por Putini nuk ishte gati për të bërë paqe. Ashtu siç bëri kur pushtoi Ukrainën në vitin 2022, ai besonte se mund të merrte gjithçka që dëshironte. Në mendjemadhësinë e tij, ai hodhi poshtë në mënyrë të përsëritur përpjekjet e Trump për një armëpushim. Ai vazhdoi të bombardonte Ukrainën me sulme të tmerrshme me dronë.

Ndërkohë, ai shtyu ofensivën në fushën e betejës, duke u përpjekur të merrte më shumë tokë dhe të dobësonte qeverinë ukrainase. Ndërsa planet e tij të sakta mbeten të paqarta, disa zyrtarë amerikanë mendojnë se ai synon të pushtojë Khersonin, Odesën apo edhe Kievin, qytete të mëdha ukrainase. Zyrtarët amerikanë mendojnë se kjo ambicie është e çmendur.

Trump e ndoqi të gjithë këtë me alarm gjithnjë në rritje. Në prill, pas një breshërie me raketa dhe dronë ruse mbi Ukrainë, Trump postoi online: “Nuk jam i kënaqur me sulmet ruse ndaj KIEVIT. Të panevojshme dhe në kohë shumë të keqe. Vladimir, NDALO!” 

Një kthesë

Tani Trump kritikon Putinin, jo Zelenskyn. Pas rreth gjashtë telefonatash me Putinin këtë vit, Trump duket se e ka ndryshuar mendimin për të. Këtë javë, ai tha hapur se nuk ishte i kënaqur me Putinin sepse po vriste ukrainas. “Na hidhen shumë budallallëqe nga Putini, nëse doni ta dini të vërtetën,” tha Trump. “Është shumë i sjellshëm me ne gjatë gjithë kohës, por në fund del se nuk ka asnjë vlerë.” 

Po të vinin nga ndonjë politikan tjetër në Washington, këto fjalë nuk do të ishin befasuese. Por që t’i thotë Trump tregon se sa shumë e ka larguar Putini Shtëpinë e Bardhë, dhe ndoshta e ka shpërdoruar mundësinë e tij për një paqe të negociuar.

Trump ka rifilluar dërgimin e armëve në Ukrainë pas një pezullimi të shkurtër nga Pentagoni. Republikanët e Senatit po shtyjnë një paketë të re sanksionesh kundër Rusisë. Trump po e shqyrton propozimin.

Ukraina është e lodhur nga lufta, por vullneti i saj për të luftuar mbetet i fortë, sidomos nëse Rusia vazhdon ofensivën. Ukraina po inovon në fushën e betejës, dhe dronët e saj po i shkaktojnë humbje të mëdha ushtrisë ruse. Premtimet për mbështetje nga Evropa dhe më shumë mbrojtje ajrore nga SHBA do ta bëjnë shumë të vështirë për Putinin të përfundojë luftën me forcë.

Përgatiti ©LAPSI.AL 

The post Tangoja Trump-Putin drejt katastrofës appeared first on Lapsi.al.

Nxirret nga uji makina e 23-vjeçarit të vrarë, Renis Dobra

By: user 8
10 July 2025 at 14:20

Nxirret nga ujërat e liqenit të Shkopetit në Mat, automjeti i 23-vjeçarit të vrarë, Renis Dobra.

Makina e viktimës është nxjerrë nga palombarët mesditën e sotme (10 Korrik) teksa drejt vendngjarjes shkuan edhe ekspertë të kriminalistikës. Kujtojmë që trupi i pajetë i 23-vjeçarit u gjet mëngjesin e së mërkurës (9 Korrik) pranë liqenit.

Në trupin e viktimës u vunë re plagë në trup dhe shenja të nxira në qafë. Nga ekspertiza rezultoi se Renis Dobra ishte mbytur dhe më pas ishte hedhur drejt liqenit së bashku me makinën.

Ndërkohë plagët e gjetura në trupin e viktimës, sipas ekspertizës, janë shkaktuar gjatë rënies së automjetit në humnerë.

Burime bëjnë me dije se ekspertiza mjeko-ligjore po kryhet nga një grup prej tre mjekësh, të cilët janë angazhuar për të përcaktuar me saktësi rrethanat e vdekjes.

Policia dhe prokuroria po vijojnë hetimet për të identifikuar autorët dhe motivin e krimit.

Mister mbetet telefoni i viktimës. Nuk dihet nëse është marrë nga autorët apo ndodhet në brendësi të makinës.

The post Nxirret nga uji makina e 23-vjeçarit të vrarë, Renis Dobra appeared first on Lapsi.al.

Vrau policin e “Shqiponja”-ve, prokuroria kërkon burg përjetë për Azgan Mërnicën

By: user 8
10 July 2025 at 14:14

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Fier ka kërkuar dënimin me burgim të përjetshëm për shtetasin Azgan Mërnica, i akuzuar për vrasjen e një punonjësi të Policisë së Shtetit në rrethana të rënduara, si dhe për mbajtje pa leje të armës së zjarrit dhe drejtim të automjetit në mënyrë të parregullt.

Ngjarja e rëndë ndodhi më 13 maj 2024, në fshatin Baltëz, Njësia Administrative Dërmenas, Bashkia Fier. Sipas hetimeve, i pandehuri A.M., pas një debati të çastit për shkak të një manovre të rrezikshme në rrugë, qëlloi me armë zjarri në fytyrë dhe vrau në vend efektivin e Forcave Speciale “Shqiponja”, Novruz Cenalia, i cili ndodhej brenda mjetit të tij të shërbimit dhe ishte në uniformë.

Sipas provave të mbledhura, Mërnica kishte ndaluar makinën e tij, kishte zbritur me një çantë ku mbante armën, e kishte mbushur atë dhe më pas kishte hapur zjarr mbi viktimën. Ngjarja është cilësuar si një akt i rëndë kundër përfaqësuesit të ligjit, kryer me dashje dhe me armë të paligjshme.

Në diskutimet përfundimtare të mbajtura sot, Prokuroria kërkoi që Mërnica të dënohet si më poshtë:

-Burgim të përjetshëm për “Vrasjen e punonjësve të Policisë së Shtetit” (neni 79/b i Kodit Penal),

-7 vite burgim për “Mbajtjen pa leje të armëve të zjarrit dhe municionit” (neni 278),

-6 muaj burgim për “Drejtimin e automjetit në mënyrë të parregullt” (neni 291).

Në zbatim të nenit 55 të Kodit Penal, Prokuroria kërkoi bashkimin e dënimeve në një dënim të vetëm: burgim të përjetshëm. 

The post Vrau policin e “Shqiponja”-ve, prokuroria kërkon burg përjetë për Azgan Mërnicën appeared first on Lapsi.al.

Emergjencë vere/ Autostrada Tiranë-Durrës do të shtrohet, për tu prishur pas 1 viti

By: user 8
9 July 2025 at 19:26

Para një viti, Autoriteti Rrugor Shqiptar nisi punën për zgjerimin e autostradës Tiranë-Durrës nga dy korsi, në tre korsi plus një korsi emergjence, një projekt jetik për qarkullimin më të rëndësishëm rrugor në vend, që lidh kryeqytetin me portin më të madh dhe me pjesën më të madhe të turizmit bregdetar.

Për 5 kilometrat e parë, punimet kanë ecur me ritme të kënaqshme dhe punimet pritet të mbarojnë rreth 5 muaj para afatit, në dhjetor të këtij viti. Por, në vend që të vazhdohet gradualisht e me planifikim në të gjithë gjatësinë e autostradës, ARRSH ka vendosur të ndryshojë qasje dhe logjikë. Në mes të verës, në kulmin e sezonit turistik dhe të trafikut më të rënduar të vitit, institucioni ka shpallur një tender emergjent për riparimin asfaltik të segmentit Vorë-Ura e Dajlanit, rreth 20 kilometra gjatësi.

(Punimet për zgjerimin e 5 kilometrave të parë, nga ish-Shqiponja deri tek mbikalimi i Kasharit)

Tenderi, me një vlerë prej 77 milionë lekësh (rreth 770 mijë euro), nuk ka të bëjë me zgjerim apo zgjidhje afatgjatë, por thjesht me shtresime të reja asfalti, një ndërhyrje provizore në një segment ku vetë qeveria ka deklaruar se zgjerimi do të nisë pas një viti, sipas planit të bërë publik nga ministrja Belinda Balluku.

(Tenderi i shpallur në faqen e APP – Agjencia e Prokurimit Publik)

Pra, në vend që të ndërtohet një herë e mirë, me të njëjtën frymë si segmenti i parë, qeveria vendos të lëmojë rrugën ekzistuese, duke shkaktuar ndërkohë kaos të pashmangshëm në trafik në muajin gusht, muajin më të ngarkuar të vitit për autostradën Tiranë-Durrës. Kjo ndërhyrje kryhet me pretekstin e emergjencës (shiko përshkrimin e tenderit më lart). 

Kjo lëvizje ngre disa pyetje serioze: Pse bëhet një tender emergjent për një rrugë që pritet të prishet sërish pas një viti për zgjerim? A është kjo një mënyrë për të justifikuar fonde publike në projektime afatshkurtra? Dhe pse zgjidhet muaji gusht për të nisur punime që do të rëndojnë më tej mbi trafikun, në vend që të pritej fundi i sezonit?

Në rastin më të mirë, kjo mund të jetë një shfaqje e stisur verore për të krijuar përshtypjen se po punohet pa pushim, në një kohë kur sezoni turistik dhe fluksi i trafikut do të duhej të kërkonte më shumë kujdes dhe planifikim. Por në rastin më të keq, kjo është një skemë klasike abuzimi: një tender i nxituar në mes të gushtit, për rishtrim asfalti në një segment që shumë shpejt mund të kthehet në kantier për zgjerim. Është asgjë më pak se vjedhje e hapur me leje të parave publike, në dëm të qytetarëve shqiptarë që paguajnë taksat për t’u shërbyer, jo për t’u mashtruar.

Përgatiti ©LAPSI.AL 

The post Emergjencë vere/ Autostrada Tiranë-Durrës do të shtrohet, për tu prishur pas 1 viti appeared first on Lapsi.al.

Vrasja e Renis Dobrës/ I riu u ndoq nga një makinë nga Burreli deri në Ulëz

By: user 8
9 July 2025 at 18:49

Detaje të reja janë zbardhur lidhur me ngjarjen që ka tronditur paraditen e sotme veriun. Trupi i 23-vjeçarit, Renis Dobra u gjet pranë liqenit të Shkopetit, ndërsa dyshohet se i riu është vrarë.

Sipas raportimeve, Dobra që po lëvizte i vetëm me makinë është ndjekur nga një tjetër automjet nga qyteti i Burrelit deri në Ulëz të Shkopetit. Lidhur me këtë grupi hetimor ka sekuestruar pamjet filmike të disa kamerash sigurie brenda qytetit të Burrelit, por në pjesën tjetër ku ka vijuar ndjekja mungojnë kamerat. Ka dyshime se i riu është rrëmbyer, dhunuar dhe më pas është hedhur bashkë më automjetin e tij pranë liqenit.

Siç u raportua më herët në trupin e viktimës janë konstatuar shenja të dukshme dhune, përfshirë mavijosje në zonën e fytit. Këto shenja përforcojnë dyshimet se i riu është mbytur fillimisht me litar dhe më pas është hedhur në zonën e Shkopetit, me qëllim për të fshehur krimin, por do të jetë autopsia e Mjekësisë Ligjore që do të përcaktojë shkaqet e vdekjes.

Hetimet janë përqendruar në dy pista kryesore. E para lidhet me një përplasje të mundshme për shkak të parcelave të kultivuara me kanabis dhe pista e dytë ka të bëjë me një konflikt të mundshëm për motive xhelozie apo lidhje sentimentale. Gjithashtu Dobra nuk ka precedentë të rëndë kriminalë dhe njihej vetëm për disa raste vjedhjesh.

The post Vrasja e Renis Dobrës/ I riu u ndoq nga një makinë nga Burreli deri në Ulëz appeared first on Lapsi.al.

Karlo Ancelotti dënohet me 1 vit burg për mashtrim tatimor

By: user 8
9 July 2025 at 18:26

Gjykata spanjolle të mërkurën dënoi trajnerin e Brazilit, Karlo Ancelotti, me një vit burg për mashtrim tatimor kur ai ishte trajner i Real Madridit në vitin 2014.

Gjithashtu, Gjykata e Madridit gjithashtu e gjobiti Ancelottin me 386,000 euro (452,187 dollarë).

Prokurorët spanjollë e akuzuan Ancelottin për mashtrim të shtetit me 1 milion euro (1 milion dollarë) në vitet 2014 dhe 2015. Prokurorët e shtetit kërkuan një dënim me burg deri në katër vjet e nëntë muaj për dy akuza për mashtrim tatimor.

Në mars të vitit 2024, ata e akuzuan Ancelottin se kishte përdorur kompani fiktive për të fshehur të ardhurat e tij të vërteta.

Trajneri italian është i fundit në një varg profilesh të mëdha të futbollit që përballen me goditje të tilla nga autoritetet spanjolle për shkak të taksave të papaguara, megjithëse deri më tani asnjë nuk është dërguar në burg.

The post Karlo Ancelotti dënohet me 1 vit burg për mashtrim tatimor appeared first on Lapsi.al.

Veliaj në burg, reagojnë avokatët e tij ndërkombëtarë

By: user 8
9 July 2025 at 17:26

Një ditë pas vendimit të Gjykatës së Lartë që la në fuqi masën “arrest me burg” për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, avokatët e tij ndërkombëtarë kanë reaguar ashpër, duke e cilësuar këtë veprim si një shkelje flagrante të të drejtave të njeriut dhe të një procesi të rregullt ligjor.

Pavarësisht se ndaj Veliajt nuk është ngritur ende një akuzë konkrete, ai ndodhet prej pesë muajsh në paraburgim në IEVP Durrës, i izoluar dhe i privuar nga e drejta për të komunikuar me ekipin e tij ligjor ndërkombëtar.

Në deklaratën e tyre, firmat prestigjioze Kasowitz LLP dhe Mishcon de Reya paralajmërojnë ndjekje të mëtejshme në instancat ndërkombëtare, duke argumentuar se mbajtja në burg e kryebashkiakut pa një proces të rregullt dhe pa shqyrtuar masat alternative është në kundërshtim me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut.

Deklarata e plotë:

DEKLARATË E AVOKATËVE NDËRKOMBËTARË TË KRYETARIT TË BASHKISË SË TIRANËS, ERION VELIAJ, LIDHUR ME VENDIMIN E GJYKATËS SË LARTË

9 Korrik 2025, Tiranë: Dje, Gjykata e Lartë e Republikës së Shqipërisë vendosi që Erion Veliaj, kryetar i Bashkisë së Tiranës, do të qëndrojë në masën arrest me burg në IEVP Durrës, Shqipëri. Dëgjesa me dyer të mbyllura u mbajt në 8 Korrik 2025, në orën 12:00, pas shqyrtimit të dokumentave. Kryebashkiaku Veliaj hedh poshtë me vendosmëri çdo pretendim.

Pas rreth 5 muajsh qëndrimi në paraburgim dhe një hetimi thuajse dy vjeçar nga Prokuroria e Posaçme e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (“SPAK”), Kryebashkiakut Veliaj i mohohet ende aksesi me avokatët e tij ndërkombëtarë. Mbajtja në paraburgim e Z. Veliaj ka sjellë shumë shqetësime për familjen dhe miqtë e tij.

Burgosja pa akuzë e Z. Veliaj është miratuar më herët nga gjykatat pa kryer një vlerësim kuptimplotë nëse arrestimi i tij është i nevojshëm, proporcional apo i arsyeshëm, dhe pa vlerësimin e duhur të masave alternative ndaluese.

Daniel Fetterman, një ish prokuror federal në Shtetet e Bashkuara dhe partner i Kasowitz LLP, një nga firmat ndërkombëtare e cila së fundmi ka publikuar edhe një raport të përbashkët hetimor lidhur me burgosjen e paligjshme të Kryebashkiakut Veliaj, tha:

“Mbajtja në paraburgim e Kryebashkiakut Veliaj – pa akuzë dhe kur ka mundësi për masa më të qarta, proporcionale dhe të arsyeshme alternative ndalimi – është në kundërshtim me parimet e vendosura për një proces të rregullt ligjor, dhe në papajtueshmëri me sundimin e ligjit.”

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha: “Vendimi i sotëm i Gjykatës së Lartë është jashtëzakonisht zhgënjyes.

Sot, unë duhet të isha një hap më pranë kthimit në shtëpi, pranë familjes sime. Por, në vend të kësaj, ndodhem i burgosur dhe në izolim në IEVP Durrës, në pamundësi për t’u takuar me këshilluesit e mi ligjorë ndërkombëtarë apo për të pasur informacionin e nevojshëm për të mbrojtur veten.

Unë do të vijoj të ndjek të gjitha rrugët ligjore në mënyrë që t’i shërbej përsëri Tiranës”.

Ben Brandon, Partner, Mishcon de Reya shtoi:

“Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut (“ECHR”) i ndalon burgosjet arbitrare, dhe garanton që arrestimi duhet të jetë një masë e nevojshme, proporcionale dhe e arsyeshme. Ne po presim vendimin e plotë të Gjykatës së Lartë, por jemi duke marrë në konsideratë të gjitha masat e mundshme ligjore. Ne mbetemi jashtëzakonisht të shqetësuar që mbajtja në paraburgim e Kryebashkiakut Veliaj bie në kundërshtim me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut.”

Raporti i plotë për arrestimin e padrejtë të Kryebashkiakut Veliaj mund të gjendet këtu. Kasoëitz dhe Mishcon de Reya do të vazhdojnë të ndjekin fuqishëm të gjitha mjetet e mundshme ligjore ndërkombëtare në emër të Kryebashkiakut Veliaj.

The post Veliaj në burg, reagojnë avokatët e tij ndërkombëtarë appeared first on Lapsi.al.

❌
❌