Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 15 July 2025Main stream

Rama ndan pamje nga mbrëmja në Berat: Shqipëria e bukur

TIRANË, 15 korrik/ATSH/ Qyteti i Beratit me historinë dhe arkitekturën e veçantë edhe këtë sezon turistik është i mbushur me vizitorë vendas e të huaj.

Kryeministri Edi Rama, në kuadër të rubrikës “Shqipëria e bukur”, ndau sot pamje nga mbrëmja në Berat.

Për turistët ndër atraksionet më të vizituara janë Kalaja, lagjet muzeale “Goricë” dhe “Mangalem”, si dhe Kanionet e Osumit, kantinat e qytetit, muzeu “Onufri”, ai Etnografik etj.

Arkitektura e rrallë e këtij qyteti dhe trashëgimia që mbart, e bëjnë atë vërtetë të rrallë dhe interesant për turistët e huaj.

Sipas shifrave të Drejtorisë së Turizmit dhe Aktiviteteve në bashkinë e Beratit, gjatë periudhës janar-maj 2025 qyteti ka pritur rreth 370 mijë turistë, një rritje e dukshme prej 15% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Berati u shpall zyrtarisht qytet-muze më 1961, me pasuri të konsiderueshme monumentesh dhe me vlera të larmishme, të cilat përbëjnë një dëshmi të trashëgimisë kulturore, historike e artistike, të jetës e të punës, të realizuara mjeshtërisht brez pas brezi nga banorët e tij. Nga zonifikimi dhe nga përcaktimi i kategorisë së monumenteve qyteti ndahet në tri zona: zona muze, zona e mbrojtur dhe zona e lirë.

Sot Berati trashëgon 210 objekte muzeale, nga të cilat 150 janë objekte në këmbë. Prej tyre 60 janë monumente të kategorisë së parë dhe të tjerat të kategorisë së dytë.

/k.s//r.e//a.f/

The post Rama ndan pamje nga mbrëmja në Berat: Shqipëria e bukur appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Sadushi: Reforma në Drejtësi ka shmangur ndikimin politik

TIRANË, 15 korrik/ATSH/ Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi tha sot se ndaj institucionit që drejton nuk ka presione politike.

Në një intervistë televizive, Sadushi theksoi se “presioni politik shmanget nga gjyqtari ose duhet të shmanget nga vetë gjyqtari dhe mundësia për t’iu shmangur ekziston. Sot ne kemi një sistem emërimi, promovimi dhe procedimi disiplinor që është i shkëputur nga politika dhe mjafton të evidentosh këtë dhe nuk ka arsye që gjyqtari të jetë nën presion”.

“Në aspektin ligjor dhe kushtetues, kjo çështje është e zgjidhur. Në aspektin personal pastaj varet nga gjithsecili”, u shpreh Sadushi.

Kreu i Gjykatës së Lartë vuri në dukje se “kategoria e magjistratëve kanë plotësisht të drejtë ose kanë detyrimin për të qenë sa më larg presionit dhe duhet të ndihen sa më larg presionit, sepse puna që ata bëjnë është e tillë që duhet të jenë larg presionit. Presioni do të jetë i vazhdueshëm, puna është si do ta përballosh ti këtë presion dhe mundësitë janë që çdokush mund ta përballojë këtë presion”.

“Presioni tek unë apo te kolegët e mi nuk është një presion që ndikon në vendimmarrje. Mjafton të shikoni dhe lexoni të gjitha vendimet e Gjykatës së Lartë për të kuptuar nëse ka presion apo nuk ka presion politik”, tha Sadushi.

Sadushi tha se “Reforma në Drejtësi ka sjellë një risi të atillë duke bërë që magjistratët t’i shmangen ndikimit politik”.

“Nëse do të fokusoheni në fusha të caktuara megjithëse mund të krijoni bindjen se ky presion mund të ekzistojë në performancë në vendimmarrje nuk evidentohet. Është vetë vendimi që tregon nëse kjo gjykatë ka qenë në presion apo jo. Personalisht mund të them se Reforma në Drejtësi ka sjellë një risi në drejtim të shmangies së ndikimit politik mbi gjyqësorin për të gjitha ato që unë thashë”, tha Sadushi.

/k.s//r.e//a.f/

The post Sadushi: Reforma në Drejtësi ka shmangur ndikimin politik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Arben Anamali u shpall “Dëshmor i Atdheut”, Vengu i dorëzon titullin familjes së kapitenit

TIRANË, 15 korrik/ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu i dorëzoi sot titullin “Dëshmor i Atdheut” familjes së kapitenit Arben Anamali, që humbi jetën disa ditë më parë teksa shpëtoi nga mbytja dy turistë të huaj në liqenin e Shkodrës.

Gjatë vizitës në familjen Anamali, ministri Vengu u shoqërua nga kryetari i bashkisë së Shkodrës, Benet Beci dhe prefektja Majlinda Angoni.

“Nderuam kujtimin e profesionistit të përkushtuar, mikut të dashur dhe prindit shembullor, që me aktin e tij fisnik u bashkua me heronjtë e pavdekshëm të Kombit. Sakrifica e Arbenit nuk është vetëm një shembull guximi, por një dëshmi e gjallë e shpirtit shqiptar që vendos jetën e tjetrit mbi të vetën prandaj nga sot ai rreshtohet mes “Dëshmorëve të Atdheut””, tha Vengu në një postim në rrjetet sociale.

Kapiteni i një anijeje turistike në liqenin e Shkodrës, Arben Anamali u mbyt më 8 korrik  gjatë përpjekjes për të shpëtuar dy turistë që kishin rënë në ujë. Trupi i pajetë i kapiten Anamalit u gjet më 10 korrik në liqenin e Shkodrës.

Kapiteni Arben Anamali u shpall “Dëshmor i Atdheut”.

1 nga 3

/k.s//a.f//r.e/

The post Arben Anamali u shpall “Dëshmor i Atdheut”, Vengu i dorëzon titullin familjes së kapitenit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AKSK zgjeron rrjetin e operatorëve të infrastrukturës kritike dhe të rëndësishme të informacionit

TIRANË, 15 korrik /ATSH/ Në zbatim të ligjit “Për sigurinë kibernetike” dhe metodologjisë përkatëse, është miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave lista e përditësuar e operatorëve të infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme të informacionit.

Kjo infrastrukturë përfshin gjithsej 215 operatorë në nivel kombëtar, nga të cilët 133 të klasifikuar si infrastrukturë kritike dhe 82 si infrastrukturë e rëndësishme e informacionit.

Procesi i identifikimit është zhvilluar nga Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) përmes një metodologjie të strukturuar dhe gjithëpërfshirëse.

Sipas AKSK-së, ky proces ka përfshirë identifikimin e sektorëve dhe nënsektorëve me kritikalitet të lartë, konsultimin me autoritetet rregullatore përkatëse, shpërndarjen e pyetësorëve të vetëdeklarimit dhe analizën e të dhënave në përputhje me kriteret e përgjithshme dhe sektoriale.

Lista e përditësuar përfshin sektorë të ndryshëm si energjia, infrastruktura financiare, transporti, furnizimi me ujë të pijshëm, ofruesit e shërbimeve digjitale, arsimi, turizmi, media, etj.

Të gjithë këta operatorë bëhen pjesë e një strukture të qëndrueshme dhe të mbikëqyrur në vazhdimësi nga AKSK, që përfshin: akses në asistencë teknike dhe mbështetje metodologjike për ndërtimin e politikave të sigurisë; trajnime për rritjen e kapaciteteve të brendshme; detyrime ligjore për zbatimin e masave të sigurisë, raportimin e incidenteve, etj.

Përfshirja e operatorëve në këtë strukturë përfaqëson një përgjegjësi strategjike për të mbrojtur funksionet kyçe të shtetit dhe shoqërisë në një realitet gjithnjë e më të ndërlidhur digjitalisht, si dhe një detyrim ligjor në përputhje me kuadrin rregullator në fuqi.

/k.s//r.e//a.f/

The post AKSK zgjeron rrjetin e operatorëve të infrastrukturës kritike dhe të rëndësishme të informacionit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Inspektimet, Malaj: Garantim i sigurisë ushqimore për të gjithë konsumatorët

TIRANË, 15 korrik/ATSH/ Ministria e Financave dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve janë të angazhuara për të vijuar aksionin për formalizimin e të gjithë zinxhirit të furnizimit të produkteve ushqimore, bujqësore dhe blegtorale.

Ministri i Financave, Petrit Malaj ndau në rrjetet sociale pamje nga ky aksion, që sipas tij ka për qëllim garantimin e sigurisë ushqimore për të gjithë konsumatorët.

“Ministria e Financave, Administrata Tatimore dhe Ministria e Bujqësisë përmes kësaj nisme synon që prodhimi dhe tregtimi i produkteve të jetë plotësisht i kontrolluar, i sigurt dhe i  identifikuar qartë”, tha Malaj.

Kjo nismë sjell përfitime të konsiderueshme jo vetëm për konsumatorët, të cilët do të kenë siguri mbi origjinën dhe përbërjen e produkteve që konsumojnë, por edhe për vetë fermerët dhe prodhuesit që formalizohen.

Përmes këtij procesi ata fitojnë mundësinë për të përfituar mbështetje fiskale, duke përfshirë akses në subvencione, kredi dhe programe zhvillimi të dedikuara për sektorin.

Gjithashtu, formalizimi dhe certifikimi i produktit shqiptar rrit konkurrueshmërinë e tij si në tregun vendas, ashtu edhe në atë ndërkombëtar.

/k.s//a.f//r.e/

The post Inspektimet, Malaj: Garantim i sigurisë ushqimore për të gjithë konsumatorët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Besnik Baraj, Gëzim Hoxha e Stefan Çapaliku fitojnë titullin akademik

TIRANË, 15 korrik/ATSH/ Akademia e Shkencave të Shqipërisë mblodhi asamblenë e saj nën drejtimin e kryetarit Skënder Gjinushi, me praninë e kryesisë dhe të anëtarëve të Asamblesë.

Mbledhja kishte për qëllim zhvillimin e votimit për avancimin në titull të tre akademikëve të asociuar, votimin për një akademik në fushën e historisë, pranimin si anëtar nderi të një personaliteti të shquar në fushën e shkencës dhe zgjedhjen e një anëtari të ri të jashtëm të Akademisë.

Asambleja përmes një votimi ceremonial zgjodhi prof. Melisa Perry si anëtare nderi e Akademisë së Shkencave.

Në motivacionin e lexuar nga  Gjinushi u nënvizua profili i saj si një nga figurat më të shquara në shkencën e shëndetit publik në nivel global, me kontribute të rëndësishme në epidemiologji, toksikologji mjedisore dhe ndikimeve të ndotjes në shëndetin publik. Me angazhime të vazhdueshme në shkencën shqiptare, ajo ka qenë nismëtare e konferencës së parë mbi infodeminë dhe organizatore kryesore e Konferencës Ndërkombëtare për Shëndetin Publik dhe Mjedisin në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave.

Prof. dr. David Kalaj një personalitet i shquar në shkencën e matematikës u zgjodh anëtar i jashtëm i ASHSH-së. Ai është autor dhe bashkautor i 125 artikujve shkencorë, prej të cilëve 120 janë botuar në revista të indeksuara, si: Mathematische Annalen, Advances in Mathematics dhe Transactions of the AMS. Sipas Google Scholar-it, puna e tij është cituar rreth 1800 herë.

Ai ka bashkëpunuar me matematikanë të njohur ndërkombëtarë dhe ka marrë pjesë në mbi 40 konferenca shkencore. Prof. Kalaj ka përkthyer mbi 10 tekste shkollore nga gjuha malazeze në gjuhën shqipe.

Asambleja vlerësoi punën dhe rezultatet në kërkimin shkencor të tre akademikëve të asociuar, Besnik Baraj, Gëzim Hoxha, Stefan Çapaliku, që pas votimit morën titullin akademik.

Në fushën e historisë Asambleja zgjodhi prof. dr. Hamit Kabën si anëtar të ri të saj.

1 nga 5

/k.s//r.e//a.f/

The post Besnik Baraj, Gëzim Hoxha e Stefan Çapaliku fitojnë titullin akademik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vengu: Së shpejti qendër rajonale për emergjencat civile në Shkodër

TIRANË, 15 korrik /ATSH/ Në Bushat të Shkodrës së shpejti do të nisë puna për ndërtimin e një qendre rajonale për emergjencat civile.

Lajmi u bë i ditur nga ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu gjatë një takimi me kryetarin e bashkisë së Shkodrës, Benet Beci dhe prefekten e qarkut, Majlinda Angoni.

Në një postim në rrjetet sociale, Vengu tha se kjo qendër do të jetë e gatshme për t’iu përgjigjur nevojave të zonës.

“Në takim diskutuam nga afër për nevojën e investimeve në infrastrukturë, mjete dhe personel për përballimin e emergjencave civile në qarkun e Shkodrës”, theksoi Vengu.

Vengu tha se “Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile gjithnjë pranë bashkive për reagimin ndaj fatkeqësive natyrore, dhe rritjen e kapaciteteve në zonat ku turizmi gjithëvjetor kërkon një qasje të re”.

1 nga 3

/k.s//a.f//r.e/

The post Vengu: Së shpejti qendër rajonale për emergjencat civile në Shkodër appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gjirokastra 20 vjet në UNESCO, ekspozitë dhe koncert në kala

TIRANË, 15 korrik/ATSH/ Qyteti i gurtë i Gjirokastrës mbushi 20 vjet nga shpallja pasuri botërore e UNESCO-s, teksa mbetet një ndër më të vizituarit nga turistët vendas e të huaj.

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër organizoi sot, me këtë rast, një sërë aktivitetesh në kalanë e qytetit.

Pjesë e festimeve ishte çelja e një ekspozite fotografike, si dhe një koncert me këngë polifonike dhe valle tradicionale.

Turistë të shumtë që vizitonin kalanë iu bashkuan grupit të këngëve dhe valleve, pasi kishin dëshirë ti njihnin më shumë ato.

I konsideruar si një qytet që përbën dëshmi unike të traditës kulturore të jetës së zhvilluar në shekujt XIV-XV, në Gjirokastër veçohet tipi i shtëpisë së fortifikuar me çati me pllaka guri, në harmoni perfekte me peizazhin shkëmbor të territorit ku ajo ngrihet.

Qyteti ruan të paprekur skemën urbanistike, ku çdo shtëpi ka karakteristika të veçanta që lidhen me terrenin mbi të cilin është ndërtuar. Sipas kategorive të monumenteve kulturore, në qytet dallohen kalaja, pazari, ndërtimet e kultit dhe shtëpitë e banimit.

Kalaja, e ndërtuar në shekullin e XIII, përbën zanafillën e qytetit, ndërsa Pazari, i vendosur në qendër të qytetit, ruan mirë karakteristikat e një pazari tradicional, me ndërtesa të njëpasnjëshme me rrugica të shtruara me kalldrëme gurësh të zinj.

/k.s//r.e//a.f/

The post Gjirokastra 20 vjet në UNESCO, ekspozitë dhe koncert në kala appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Kalaja e Tiranës, udhëtim mes historisë e jetës urbane dhe përshtypjeve të vetë turistëve

TIRANË, 15 korrik/ATSH/ Kalaja e Tiranës vitet e fundit është kthyer në atraksionin më të vizituar nga turistët e huaj, të cilët kanë kuriozitet për historinë, traditën dhe kulturën e kryeqytetit, të trashëguar nëpër breza.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale përshtypjet e disa turistëve të huaj që kanë vizituar Kalanë e Tiranës.

“Kalaja e Tiranës, një udhëtim mes historisë dhe jetës urbane dhe përshtypjeve të vetë turistëve që janë pasqyra e Shqipërisë turistike”, shkruan Rama.

“Jemi francezë, po kënaqemi në Tiranë. Kemi mbërritur sot dhe jemi shumë të surprizuar nga Kalaja e Tiranës, pasi në Francë nuk kemi restorante nëpër kala. Ne i vizitojmë kalatë, por nuk ulemi për të ngrënë në to”, tha një turiste nga Franca.

Një turiste nga Kanadaja u shpreh se “këtu është shumë bukur, ka shumë energji dhe shumë gjëra për të bërë”.

Një tjetër turist tha se “jemi këtu prej një dite e gjysmë, një mik i yni na sugjeroi të vizitojmë kalanë e Tiranës. Në qoftë se vizitoni Tiranën duhet të vini në Kala. Atmosfera, ndjesitë këtu janë të mrekullueshme”.

“Jemi nga Belgjika dhe kjo është hera e parë në Shqipëri. Tirana është një qytet i bukur dhe mendoj se njerëzit janë shumë të dashur. Shikoj se turizmi është duke u zhvilluar. Ka shumë ndërtesa të reja. njerëzit janë shumë miqësorë dhe mikpritës”, tha një turiste.

Pas Pazarit të Ri dhe sheshit “Skënderbej”, Kalaja e Tiranës është një tjetër hapësirë për t’u vizituar në kryeqytet. Prej vitit 2019 Kalaja jo vetëm është zbuluar dhe kuruar, por ndodhet në një pikë të vizitueshme për qytetarët, si dhe turistët vendas e të huaj, duke e bërë kryeqytetin një dekor të larmishëm.

Ajo u është kthyer qytetarëve si një hapësirë ku ndërthuret e vjetra me modernen, për të shërbyer si një mjedis kulinarie për gatimet tradicionale shqiptare, por edhe si një zonë për zhvillimin e artizanatit, kulturës dhe artit.

/k.s//r.e//a.f/

The post Rama: Kalaja e Tiranës, udhëtim mes historisë e jetës urbane dhe përshtypjeve të vetë turistëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Asistencë falas për “e-Albania” pranë bashkive, Balluku: Avokatët dhe noterët që kërkojnë pagesë shkelin ligjin

TIRANË 15 korrik/ATSH/ Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku vizitoi nga afër sportelet në bashkinë e Lushnjës, ku tashmë ofrohet shërbimi për qytetarët që kanë nevojë për asistencë për aplikime të ndryshme në portalin e-Albania.

E shoqëruar nga kryetarja e bashkisë Lushnjë, Eriselda Sefa, ministrja Balluku tha se “kemi nisur një inspektim në të gjitha bashkitë për të parë se si ju tashmë keni filluar të jepni shërbimin e mbështetjes për të gjithë ata qytetarë, të cilët nuk arrijnë të aksesojnë e-Albania nga telefonat apo nga pajisjet e tjera elektronike të tyre”.

Balluku theksoi se “kemi identifikuar në treg përgjithësisht në disa nga zyrat e avokatëve dhe noterëve janë duke ofruar me pagesë ndihmën për e-Albania. Kjo platformë është një nga projektet që na bën krenarë ne si qeveri dhe është pjesë e të gjithë procesit të digjitalizimit të shërbimeve në Republikën e Shqipërisë. Është totalisht falas, e aksesueshme për të gjithë qytetarët që kanë kodin e tyre personal”.

Çdo zyrë avokatie apo noterie, vijoi Balluku, që merr para për këtë shërbim dhe që e ofron këtë si një shërbim të tyre është në shkelje totale të ligjit dhe ministri i Drejtësisë dhe gjithë skuadra e kësaj ministrie kanë marrë përsipër të venë rregull sa i përket këtij abuzimi.

“Ndërkohë që moshat e thyera, apo ata që mund të kenë pamundësi për sa i përket pajisjeve elektronike, duhet të mbështeten nga bashkitë”, shtoi ajo.

Balluku e vuri theksin edhe tek domosdoshmëria e një punonjësi në njësitë administrative, i cili, sipas saj, ndërkohë që kryen detyra të tjera mund të ndihmojë qytetarët sa i përket këtij shërbimi.

Kryebashkiakja Sefa tha se “e kemi afishuar njoftimin, në mënyrë që të gjithë qytetarët që vijnë pranë bashkisë për të marrë shërbime të tjera të shikojnë mundësinë që këtu ofrohet edhe shërbimi online i e-Albania”.

/k.s//a.f//r.e/

The post Asistencë falas për “e-Albania” pranë bashkive, Balluku: Avokatët dhe noterët që kërkojnë pagesë shkelin ligjin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 14 July 2025Main stream

Shkarkohen 14 administratorë të njësive administrative dhe 2 nënkryetarë të bashkisë së Kukësit

TIRANË, 14 korrik/ATSH/ Kryetari i bashkisë Kukës, Albert Halilaj vendosi ditët e fundit shkarkimin nga detyra të 14 administratorë të njësive administrative dhe 2 nënkryetarëve të bashkisë.

Ky vendim erdhi pas analizës së punës për performancën e bashkisë Kukës për periudhën janar–qershor si dhe në kuadër të përmirësimit të punës dhe rritjes së nivelit të shërbimit ndaj qytetarëve.

“Puna do të vijojë me fokus në përmirësimin e treguesve të performancës në të gjithë sektorët ku janë evidentuar problematika, si dhe me vëmendje të shtuar ndaj cilësisë së shërbimeve për qytetarët”, thuhet në një postim në rrjetet sociale të bashkisë Kukës.

/k.s/j.p/

The post Shkarkohen 14 administratorë të njësive administrative dhe 2 nënkryetarë të bashkisë së Kukësit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Sekuestrohet “Lamborghini” i një 37-vjeçari nga Fieri, një vit më parë iu bllokuan 2 mln euro

TIRANË, 14 korrik/ATSH/  Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier në vijim të hetimeve në procedimin penal për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, sekuestroi automjetin tip ‘Lamborghini Urus Mansory’, të shtetasit Arbër Muça.

Në një njoftim për shtyp, Prokuroria e Fierit raportoi se “automjeti luksoz u sekuestrua me vendimin e datës 10 korrik 2025 dhe rezulton të jetë modifikuar nga fabrika Mansory dhe është sjellë në Shqipëri nga Dubai, duke u fshehur nëpërmjet personave të tretë”.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, shpreh angazhimin e plotë për vijimin e hetimeve të grupveprat që lidhen me pasurimin e paligjshëm nëpërmjet marrjes së masave për sekuestrimin dhe konfiskimin e tyre.

Sekuestrimi i makinës luksoze u krye një vit pas sekuestrimeve të mëparshme ndaj pasurive të luajtshme (automjete, bizhuteri dhe vlera monetare) dhe paluajtshme me vlerë rreth 2 milion euro të shtetasit A.M.

/k.s/j.p/

 

 

The post Sekuestrohet “Lamborghini” i një 37-vjeçari nga Fieri, një vit më parë iu bllokuan 2 mln euro appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tiranë, arrestohet 37-vjeçari pjesëtar i një organizate kriminale në Spanjë

TIRANË, 14 korrik/ATSH/ Policia Rrugore e Tiranës arrestoi një 37-vjeçar, pjesëtar i një organizate kriminale në Spanjë, i akuzuar për mashtrim me pasoja të rënda.

Gjatë monitorimit sistematik që kryhet në të gjitha akset e kryeqytetit, me pajisje bashkëkohore dhe shërbime të shtuara, shërbimet e Policisë Rrugore të Tiranës konstatuan shtetasin N. S., 37 vjeç, duke përdorur celularin, gjatë drejtimit të automjetit.

Nga verifikimet e kryera menjëherë pas ndalimit dhe shkëmbimit të informacionit me Interpol Tiranë rezultoi se 37-vjeçari ishte në kërkim për llogari të autoriteteve spanjolle.

Gjykata e Seu de Urgell i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Mashtrimi”, me pasoja të rënda, kryer në kuadër të organizatës kriminale.

Në përfundim të veprimeve procedurale, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 arrestuan provizorisht, në kuadër të operacionit “The Wanted”, shtetasin N. S., për ekstradimin e të cilit Interpol Tirana vijon bashkëpunimin me Interpol Madridin.

/k.s/j.p/

The post Tiranë, arrestohet 37-vjeçari pjesëtar i një organizate kriminale në Spanjë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Këshillimi i karrierës, Manastirliu: Mbi 16 mijë prindër të informuar për prirjet e fëmijëve

 

TIRANË, 14 korrik/ATSH/ Një vit pas vendosjes së rolit të ri të mësuesit koordinator të orientimit të karrierës në shkollat e arsimit parauniversitar, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, zhvilloi një takim me mësuesit koordinatorë, ku u ndanë përvoja, u vlerësuan arritjet dhe u diskutuan hapat e mëtejshëm për fuqizimin e këtij funksioni kyç.

Në fjalën e saj, ministrja Manastirliu theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë mes shkollës, familjes dhe aktorëve të tjerë për t’i orientuar fëmijët drejt zgjedhjeve të informuara për të ardhmen.

“Klasa është njësia bazë e shkollës, shkolla është njësia bazë e sistemit tonë arsimor dhe është e rëndësishme që politikat që orientohen nga lart, pra nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, bazuar në nevojat kombëtare dhe ato globale që sot janë për sa i përket tregut global të punës, por edhe përgatitjes së brezave të rinj për profesionet e së ardhmes, të mundet që të ndërthuren me atë që ne e kemi kaq shumë të vlefshme me identifikimin e prirjeve të talenteve të fëmijëve tanë, me promovimin e prirjeve dhe të talenteve të fëmijëve tanë. Ndaj kemi përfshirë për të parën herë rolin e mësuesit i cili koordinon të gjithë instrumentet dhe paketën e mbështetjes për orientimin e karrierës në shkollë”, theksoi Manastirliu.

Ministrja Manastirliu bëri të ditur se këtë vit, përmes sistemit SMIP, janë dërguar mbi 16 mijë letra informuese për prindërit, në lidhje me prirjet dhe arritjet e fëmijëve, si pjesë e një procesi gjithëpërfshirës të orientimit në karrierë.

“Ne kemi mbi 300 mësues të cilët orientojnë nxënësit për të ardhmen në arsimin e lartë, në arsimin profesional apo tregun e punës, të kenë edhe më shumë mekanizma për të forcuar rolin e tyre dhe për të ndikuar në zgjedhjet inteligjente të nxënësve në bashkëpunim me prindërit. Roli juaj është një rol thelbësor dhe i rëndësishëm për identifikimin e prirjeve dhe talenteve të nxënësve tanë, që jo vetëm nis që në një moshë të hershme, por fillon dhe konsolidohet duke nisur që nga klasa e 6-të kur nxënësit janë nga mosha 11-12 vjeç”, theksoi Manastirliu.

Ministrja Manastirliu tha se “identifikimi i prirjeve dhe talenteve fillon me takimet në grup, me vizitat në institucione, me vizitat në biznese, me vetë profesionistët që vijnë në shkollë dhe flasin. Këtë vit, me përfundimin e vitit shkollor, janë më shumë se 16 mijë letra informuese që u kanë vajtur prindërve përmes sistemit SMIP nga mësuesit koordinatorë për orientimin e karrierës, mësuesit kujdestarë, të cilët kanë informuar prindërit për nxënësit, për prirjet e tyre, për talentet e shfaqura, për arritjet e tyre. Nëse ne duam një gjeneratë të përgatitur që i përgjigjet sfidave të shekullit 21, na duhet që në këtë mision për arsimin, mësuesit koordinatorë të orientimit të karrierës të marrin një rol edhe më të fuqishëm”.

Sipas të dhënave të këtij viti, është regjistruar një rritje prej 10% e interesit të nxënësve për arsimin profesional, duke dëshmuar efektivitetin e këtij roli të ri në sistemin arsimor.

Takimi shërbeu gjithashtu si një platformë reflektimi mbi sfidat dhe si një nxitje për mbështetje të mëtejshme për mësuesit koordinatorë, si hallka kyçe për ndërtimin e një sistemi arsimor të orientuar drejt së ardhmes.

/k.s/j.p/

The post Këshillimi i karrierës, Manastirliu: Mbi 16 mijë prindër të informuar për prirjet e fëmijëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ndezi zjarr me pasojë djegien e qindra pemëve të ullirit, arrestohet 41-vjeçari në Rrogozhinë

TIRANË, 14 korrik/ATSH/ Një shtetas 41-vjeçar nga Rrogozhina u arrestua nga Policia, pasi ndezi zjarr dhe për pasojë u dogjën qindra pemë ulliri, pemë frutore dhe 10 ha bimësi, si dhe u rrezikuan banesat përreth.

Shërbimet e Policisë, me marrjen e njoftimit se në lagjen e Shimve, bashkia Rrogozhinë, kishte rënë zjarr dhe ishte përhapur në një sipërfaqe të madhe, menjëherë kanë shkuar në zonën ku kishte rënë zjarri dhe vijuan punën për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Si rezultat i veprimeve të shpejta, pas disa minutash, është bërë i mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi për veprën penale “Shkatërrimi me zjarr i mjedisit pyjor”, i autorit të dyshuar, shtetasit I. R., 41 vjeç, banues në Rrogozhinë.
Nga veprimet hetimore rezultoi se ky shtetas ka qenë duke punuar në oborrin e një banese dhe ka ndezur zjarr aty, për djegien e mbeturinave. Si pasojë e erës së fortë, zjarri është përhapur shpejt duke djegur një sipërfaqe toke me bimësi rreth 10 ha, qindra pemë ulliri dhe pemë frutore, si dhe ka vënë në rrezik serioz përfshirjen nga flakët, të banesave përreth.
Ndërkohë, shërbimet zjarrfikëse, me ndihmën e shërbimeve të Policisë, pas disa orësh, bënë të mundur fikjen e zjarrit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Policia e Shtetit apelon për qytetarët që të mos shkaktojnë zjarr në asnjë rast, pasi do të përballen me ligjin.
/k.s/j.p/

The post Ndezi zjarr me pasojë djegien e qindra pemëve të ullirit, arrestohet 41-vjeçari në Rrogozhinë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Po punojmë për sistem të ri të furnizimit me naftë, kontroll efikas i çmimit

TIRANË, 14 korrik/ATSH/ Kryeministri Edi Rama gjatë një takimi për performancën lokale në funksion të vizionit “Shqipëria 2030” deklaroi se po punohet për një sistem të ri të furnizimit me naftë.

“Jemi duke punuar intensivisht me Ministrinë e Energjisë dhe Infrastrukturës për një sistem të ri të furnizimit të naftës, është një domosdoshmëri dhe një mundësi për të kaluar edhe tek furnizimi i naftës me një komponent të ri të shtetit si protagonist në realizmin e kontratave dhe furnizimin me naftë”, tha Rama.

Kryeministri Rama theksoi se ” kemi shumë besim që kjo do të sjellë një kontroll shumë efikas qoftë mbi çmimin dhe mbi gjithë sistemin e qarkullimit të naftës”.

Rama foli gjithashtu edhe për qasjen ndaj pronës.

“Ka ardhur koha që të kalojmë në një rol të ri të shtetit, të qeverisë në ekonomi të prodhojmë sukses duke u bërë palë, pjesë dhe për këtë arsye po të shikoni kemi ndryshuar gjithë qasjen ndaj pronës në tërësi dhe kemi vendosur shtetin në rolin e pronarit që nuk lëshon prona por merr pjesën e vet për llogari të qytetarëve”, tha Rama.

Duke u ndalur edhe tek furnizimi i barnave Rama tha se “po punojmë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale me çështjen e barnave për furnizimin e të gjithë sistemit qoftë atij publik qoftë atij privat me barna dhe përsëri me shtetin si palë, si protagonist”.

/k.s/j.p/

The post Rama: Po punojmë për sistem të ri të furnizimit me naftë, kontroll efikas i çmimit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Operator kombëtar për furnizimin me ujë dhe menaxhimin e mbetjeve

TIRANË, 14 korrik/ATSH/ Kryeministri Edi Rama në takimin me deputetët e qarkut të Tiranës u ndal edhe tek disa problematika në bashkinë e Tiranës, ku theksoi domosdoshmërinë e krijimit të operatorit të shpërndarjes së ujit.

“Këto problematika lidhen me administrimin e një qyteti që rritet përditë ku ka një ngarkesë shumë të madhe të nevojave që shtohen përditë si pastrimi, hapësirat publike , furnizimi me ujë dhe shërbimet e tjera”, theksoi Rama.

Kryeministri Rama bëri të ditur se “kemi ngritur grupet e punës për të ndihmuar bashkinë me një formë të brendshëm organizative dhe me një reformë tërësore të shërbimeve”.

“Këto do të diskutohen më tutje nga pjesëtarët e grupeve të punës në vijim me strukturat e bashkisë, por dua të vë theksin tek çështjet e shërbimit me ujë ku përfundimisht jemi të sigurt që duhet të kalojmë në një fazë tjetër dhe duhet të krijojmë Operatorin e Shpërndarjes së Ujit njësoj si Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike”, nënvizoi Rama.

Kreu i qeverisë vuri në dukje se “na duhet një ndërmarrje kombëtare e ujit dhe një korporatë e re, e cila të adresojë problemin e investimeve,  të adresojë problemin e të gjitha marrëdhënieve me donatorë dhe me institucionet financiare në të gjithë Shqipërinë dhe të adresojë problemin e fragmentarizimit të burimeve dhe menaxhimit që pas 30 e kusur vitesh është e kotë që të presim të sjellë rezultate të dëshiruar edhe pse ka përmirësime nga bashkimi i operatorëve në territore të ndryshme që janë të dukshme, por janë të pamjaftueshme dhe nuk mund të rrimë të presim”.

“Qoftë për ujin edhe për trajtimin e e mbetjeve do të duhet të kalojmë në nivel kombëtar dhe do të duhet të krijojmë sinergji me ndërmarrje, në korporata ndërkombëtare të nivelit më të lartë në një fazë të caktuar. Kjo do të na ndihmojë për një mijë e një arsye të çojmë në një nivel tjetër qoftë shërbimin me furnizimin me ujë qoftë investimet dhe patjetër edhe transparencën në të gjitha këto procese ku ka shumë aktorë, fragmentarizim dhe shumë humbje të të gjitha natyrave”, tha Rama.

Më tej Rama tha se “kemi në sistemin e trajtimit të mbetjeve një hartë që sot është shumë më ndryshe nga ajo që ishte, kur s’kishte fare trajtim mbetjesh, por që duhet të konsolidohet dhe të bëhet një sistem i trajtimit të mbetjeve në nivel kombëtar”.

“Po ashtu jemi duke punuar intensivisht me Ministrinë e Energjisë dhe Infrastrukturës për një sistem të ri të furnizimit të naftës është një domosdoshmëri dhe një mundësi për të kaluar edhe tek furnizimi i naftës me një komponent të ri të shtetit si protagonist në realizmin e kontratave dhe furnizimin me naftë gjë që kemi shumë besim që do të sjellë një kontroll shumë efikas qoftë mbi çmimin dhe mbi gjithë sistemin e qarkullimit të naftës”, tha Rama.

/k.s/j.p/

The post Rama: Operator kombëtar për furnizimin me ujë dhe menaxhimin e mbetjeve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kroçera “Silver Whisper” me 383 turistë mbërrin në portin e Vlorës

TIRANË, 14 korrik/ATSH/ Në Portin e  Vlorës mbërriti sot kroçera “Silver Whisper”.

Kapiteneria e Portit të Vlorës bëri të ditur për ATSH-në se “kroçera ka në bord 383 turistë  me kombësi të ndryshme, si SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Australia, Kanadaja, etj”.

Anija kroçerë është nisur nga porti i Barit-Itali dhe do të qëndrojë në portin e Vlorës deri në orën 23:00 dhe më pas do të ketë destinacion portin e Galipolit – Itali.

Çdo vit vjen duke u shtuar numri i kroçerave që vizitojnë portin e Vlorës. Fluksi i vizitorëve me kroçera lidhet me plazhet e kristalta të detit Jon dhe trashëgiminë e pasur kulturore të Shqipërisë.

1 nga 4

/k.s/j.p/

The post Kroçera “Silver Whisper” me 383 turistë mbërrin në portin e Vlorës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Policia e Shtetit vlerësohet sërish për masat në Giro d’Italia dhe Turin Çiklistik të Shqipërisë

TIRANË, 13 korrik/ATSH/ Pas vlerësimit të parë nga RCS Sport & Events, organizatorja ndërkombëtare e Giro d’Italia, Policia e Shtetit ka marrë një tjetër vlerësim të rëndësishëm për angazhimin e saj maksimal dhe profesionalizmin në garantimin e sigurisë gjatë dy eventeve të mëdha sportive: Giro d’Italia dhe Turi i 82-të Çiklistik i Shqipërisë.

Presidenti i Federatës Shqiptare të Çiklizmit, Skënder Anxhaku, me porosi të Presidentit të Unionit Europian të Çiklizmit (UEC), Enrico Della Casa, dhe Presidentit të Unionit Ndërkombëtar të Çiklizmit (UCI), David Lappartient, i dhuroi Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, kaskën e një prej çiklistëve të ekipit Movistar që mori pjesë në Giro d’Italia, si shenjë simbolike mirënjohjeje për punën dhe kontributin e Policisë Shqiptare.

Takimi u zhvillua në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ku u theksua roli i jashtëzakonshëm i strukturave policore në mbarëvajtjen e të dy garave.

Presidenti i Federatës së Çiklizmit, Skënder Anxhaku, tha se “ndihem mirë për vlerësimet që janë bërë nga Federata Botërore, si për Giro d’Italia, ashtu edhe për xhiron e Shqipërisë. Një nga komisarët më të rëndësishëm të gjithë gjykimeve që ka bërë në Evropë dhe në Ballkan, më ka thënë dy fjalë në Vlorë që më janë ngulitur në kokë. Kur erdha, tha, për në Shqipëri, më kishin folur jashtëzakonisht, në kuptimin që ky shtet ka probleme, por në organizimin e Policisë së Shtetit është një nga policitë që mund të merren shembull në Ballkan dhe në Evropë. Më e rëndësishmja ishte që nuk pati asnjë rrëzim. Ky është një lloj sporti që ka shumë probleme, me rrezik, dhe u mbyll Giro d’Italia në mënyrë të shkëlqyer.  Kemi sjellë një kaskë të Giro d’Italia, të një prej çiklistëve të ekipit Movistar, në emër të Presidentit të UCI-së, si një dhuratë për Policinë Shqiptare”.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, theksoi se “e kam thënë edhe më parë: ta shikoje garën, ishte spektakolare, por të shërbeje për të marrë masat e sigurisë që gara të zhvillohej, ishte akoma edhe më spektakolare. Falënderoj për vlerësimin Federatën e Çiklizmit. Është një nder i veçantë dhe siguroj që Policia e Shtetit është e gatshme të ofrojë shërbime sigurie për çdo lloj aktiviteti sportiv në vend, jo vetëm për çiklizmin”.

Në përfundim të takimit,  Anxhaku i ka dorëzuar zyrtarisht Drejtorit të Përgjithshëm kaskën e çiklistit të ekipit Movistar që mori pjesë në Giro d’Italia, si shenjë vlerësimi në emër të drejtuesve të UEC dhe UCI.

/k.s/

The post Policia e Shtetit vlerësohet sërish për masat në Giro d’Italia dhe Turin Çiklistik të Shqipërisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MEPJ: 30 vite në Këshillin e Evropës, kapitull kyç në rrugëtimin demokratik të Shqipërisë

TIRANË, 13 korrik/ATSH/ Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme tha sot se “30 vite të Shqipërisë në Këshillin e Evropës shënojnë një kapitull kyç në rrugëtimin tonë demokratik”.
Në një postim në rrjetet sociale, MEPJ theksoi se “që prej anëtarësimit më 13 korrik 1995, Shqipëria ka bërë përparim të qëndrueshëm në forcimin e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit, vlera thelbësore që mishërojnë si Këshillin e Evropës, ashtu edhe rrugëtimin tonë evropian”.
“Në këtë përvjetor reflektojmë me krenari mbi progresin e deritanishëm dhe riafirmojmë përkushtimin e palëkundur të Shqipërisë ndaj këtyre parimeve të përbashkëta. Në një Evropë që ndryshon, Shqipëria mbetet një zë i vendosur për lirinë, drejtësinë dhe qëndrueshmërinë demokratike”, tha MEPJ.
/k.s//a.f/

The post MEPJ: 30 vite në Këshillin e Evropës, kapitull kyç në rrugëtimin demokratik të Shqipërisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌