Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 5 August 2025Main stream

Rregullore e re për ndërtimet, masa të shtuara sigurie dhe monitorim në kantierë

TIRANË, 5 gusht/ATSH/ Në Fletoren Zyrtare është publikuar rregullorja e re që përcakton rregullat për organizimin dhe funksionimin e kantiereve të ndërtimit, pajisjen e tyre me mjete te monitorimit elektronik si dhe përcakton detyrimet e zhvilluesit, zbatuesit të punimeve, drejtuesit teknik dhe mbikëqyrësit, në kuadër të zbatimit të punimeve në përputhje me lejet e ndërtimit, si pas projektit të miratuar nga autoriteti përgjegjës për zhvillimin e territorit.

Sipas kësaj rregulloreje, një kantier konsiderohet i ngritur vetëm në momentin që është vendosur rrethimi përreth tij, janë instaluar sinjalistika përkatëse, kamerat e sigurisë dhe tabelat informuese për objektin dhe subjektin ndërtues.

Ndërtuesit janë të detyruar të vendosin të paktën katër kamera sigurie, nga një në secilin kënd të kantierit, si dhe një foto të projektit në pjesën ballore të tij.

Po ashtu, duhet të vendosen tabela që përmbajnë të dhëna të plota për objektin që do të ndërtohet, përfshirë lejen e ndërtimit, sipërfaqen, intensitetin, afatin e punimeve dhe një numër telefoni kontakti për komunikim të drejtpërdrejtë.

Rregullorja e re parashikon që Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit dhe Agjencia e Zhvillimit të Territorit të kenë akses të drejtpërdrejtë në kamerat e sigurisë të vendosura në kantier, në mënyrë që të mund të kontrollojnë nëse punimet po kryhen në përputhje me lejen e dhënë.

Gjithashtu, të gjitha mjetet që përdoren në kantier duhet të jenë të pajisura me pajisje GPS funksionale, në të cilat këto institucione do të kenë po ashtu akses të plotë për të ndjekur lëvizjen dhe përdorimin e tyre.

Zbatuesi i punimeve ka përgjegjësi të plotë për të siguruar që në kantier të jenë të pranishëm punëmarrës të pajisur me mjete mbrojtëse personale.

Duhet të sigurohet mbrojtje e detyrueshme përmes vendosjes së skelave të sigurta dhe daljeve të jashtme, si dhe mbrojtje ndaj goditjeve të mundshme nga rrymat elektrike për të gjitha pajisjet dhe mekanizmat që përdoren në ndërtim.

Përveç kësaj, kërkohet mirëmbajtje dhe kontroll i rregullt i makinerive gjatë gjithë kohës së zbatimit të projektit.

Në rastet kur këto masa mbrojtëse nuk garantojnë sigurinë e punëtorëve, drejtuesi teknik i kantierit është i detyruar të pezullojë punën deri në përmbushjen e kushteve të përcaktuara.

Çdo defekt i konstatuar në procesin e ndërtimit duhet të raportohet menjëherë nga mbikëqyrësi i punimeve te zbatuesi, së bashku me një afat të përcaktuar për korrigjimin e tij.

/a.f/

The post Rregullore e re për ndërtimet, masa të shtuara sigurie dhe monitorim në kantierë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

QKB: Subjektet e licencuara për formim profesional afat deri më 30 gusht për të përshtatur kriteret

TIRANË, 5 gusht/ATSH/ Qendra Kombëtare e Biznesit (QKB) njofton të gjitha subjektet me licenca aktive në fushën e formimit profesional (Kodi X.2.B) se, në zbatim të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 853, datë 17.07.2024, janë të detyruara të përshtatin kriteret e licencimit brenda datës 30 gusht 2025.

Sipas QKB-së, subjektet duhet të aplikojnë për ndryshimet përkatëse në mënyrë që të mbajnë të vlefshme licencën.

Në rast të mosaplikimit brenda afatit të përcaktuar, licenca do të revokohet automatikisht, sipas përcaktimeve ligjore në fuqi.

“Të gjitha subjektet, që disponojnë licencë për formim profesional, kanë detyrimin të aplikojnë për ndryshimet e nevojshme, në përputhje me kriteret e reja, me qëllim mbajtjen e licencës, brenda datës 30 gusht 2025, në të kundërt ajo do të revokohet”, thuhet në vendimin e qeverisë së dhjetorit 2024.

/a.f/

The post QKB: Subjektet e licencuara për formim profesional afat deri më 30 gusht për të përshtatur kriteret appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Fier – Balluku me administratorët e rinj: Prioritet lirimi i hapësirave publike dhe shërbimi ndaj qytetarit


TIRANË, 5 gusht /ATSH/ Zëvendëskryeministrja dhe njëherazi ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, zhvilloi sot një takim me administratorët e rinj të njësive administrative në Fier, ku u diskutua për sfidat dhe prioritetet në shërbim të qytetarëve.

I pranishëm ishte edhe kreu i bashkisë së Fierit, Armando Subashi.

Në fjalën e saj, Balluku theksoi rëndësinë e reformimit të administratës lokale, duke nisur nga ata që janë në kontakt të përditshëm me qytetarët, administratorët e njësive.

“Fieri ka 13 njësi administrative dhe kreu i bashkisë ka zhvilluar një proces gjithëpërfshirës, duke i dhënë mundësi prurjeve të reja, por edhe duke mbështetur ata që kanë kryer me përkushtim detyrën, përmes rikonfirmimit të tyre”, u shpreh Balluku.

Ajo vuri në dukje se një nga prioritetet kryesore është lirimi i hapësirave publike, një problem që në Fier, theksoi Balluku, paraqitet më i menaxhueshëm krahasuar me qytete të tjera si Vlora apo Tirana.

“Kemi marrë ankesa nga qytetarët që lidhen me zaptimin e shesheve apo ndërtime që pengojnë aksesin e mjeteve të zjarrfikësve dhe emergjencave. Kjo duhet të jetë një nga prioritetet kryesore për çdo administrator. Edhe vet qytetarët po mbështesin gjithë këtë reformë të madhe për lirimin e hapësirave publike”, theksoi ajo.

Balluku theksoi gjithashtu nevojën për forcimin e administratës lokale, në mënyrë që t’u përgjigjet më mirë kërkesave të kohës dhe qytetarëve, veçanërisht atyre më të pambrojturve.

“Ka pasur abuzime me të moshuarit, të cilët për shkak të pamundësisë për të kryer vetë aplikimet, janë detyruar t’i drejtohen noterëve apo avokatëve, duke paguar për një shërbim që duhet ta merrnin falas në njësitë administrative. Kjo është e papranueshme”, vuri në dukje Balluku.

Balluku nënvizoi se mbështetja e fortë që qeveria shqiptare ka marrë në qarkun e Fierit, e bën këtë përgjegjësi edhe më të madhe.

“Qytetarët kanë treguar besim, dhe ne kemi detyrimin që t’u përgjigjemi me punë dhe përkushtim në çdo njësi e çdo zyrë”, shtoi Balluku.

/a.f/

The post Fier – Balluku me administratorët e rinj: Prioritet lirimi i hapësirave publike dhe shërbimi ndaj qytetarit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Administrata Tatimore: 15,77 miliardë lekë të mbledhura nga kontributet në korrik

Tiranë, 5 gusht /ATSH/ Administrata Tatimore ka vijuar me intensitet aksionin për mbledhjen e kontributeve shoqërore, në funksion të garantimit të pensioneve dinjitoze për qytetarët shqiptarë.

Sipas të dhënave zyrtare, gjatë muajit korrik 2025 janë mbledhur 15,77 miliardë lekë nga kontributet, duke shënuar një rritje prej 1,82 miliardë lekësh ose 13,09% më shumë krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2024.

Po ashtu, rezultati i arritur ka tejkaluar edhe pritshmëritë e planifikuara për këtë periudhë, me 1,34 miliardë lekë më shumë ose një rritje prej 9,32% ndaj planit të miratuar.

“Administrata Tatimore vlerëson angazhimin e sipërmarrësve që reaguan pozitivisht ndaj pagues indikative, si një masë që synon formalizimin dhe përmirësimin e skemës së sigurimeve shoqërore në vend. Kjo reflektim pozitiv është një hap i rëndësishëm drejt sigurimit të pensioneve të qëndrueshme dhe dinjitoze për të gjithë kontribuuesit”, bën të ditur DPT.

Autoritetet tatimore bëjnë me dije se aksioni për monitorimin e zbatimit të pagës indikative dhe mbledhjen e kontributeve do të vijojë në mënyrë të pandërprerë në bashkëpunim me institucionet përkatëse.

/a.f/

The post Administrata Tatimore: 15,77 miliardë lekë të mbledhura nga kontributet në korrik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gonxhja: Programi zviceran “VET by EHL”, rrugë e re për profesionistët e sektorit të turizmit


TIRANË, 5 gusht/ATSH/ Të rinjtë shqiptarë kanë mundësinë të ndjekin arsim profesional me standarde ndërkombëtare përmes programit “VET by EHL”, një iniciativë që realizohet në partneritet me shkollën prestigjioze zvicerane EHL (Ecole hôtelière de Lausanne).

Programi ofron formim profesional në fushën e hoteleri-turizmit, me mësim të zhvilluar në gjuhën angleze dhe me fokus në përgatitjen praktike, sipas modelit zviceran të arsimit dual.

Studentët pajisen me aftësi të kërkuara nga tregu i punës, duke përfituar mundësi të shumta punësimi brenda dhe jashtë vendit.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja bëri të ditur sot se të gjithë të interesuarit mund të regjistrohen dhe të bëhen pjesë e këtij programi që sjell një qasje moderne dhe të integruar në arsimin profesional në Shqipëri.

“Regjistrohu në arsim profesional në programin VET by EHL, në partneritet me shkollën zvicerane – EHL. Fito një profesion në hoteleri-turizëm me standarde ndërkombëtare, mësim në anglisht dhe plot mundësi punësimi”, theksoi ministri.

Mbi 60% e nxënësve të arsimit profesional punësohen në bankat e shkollave, qoftë gjatë vitit të tretë të studimeve apo brenda 6 muajve pas përfundimit të tyre, sipas të dhënave nga studimet dhe anketimet e realizuara nga Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive. Në degë të veçanta si hoteleri-turizmi, ky tregues arrin deri në 80%.

Për të mbështetur nxënësit, veçanërisht ata nga familjet me të ardhura të ulëta, ofrohen mbi 2500 bursa sociale deri në 7320 lekë në muaj.

Procesi i aplikimit për klasën e 10-të kryhet përmes “e-Albania”-s, ku çdo prind mund të aplikojë online dhe më pas merr përgjigjen nga shkolla.

Arsimi i mesëm profesional u ofron nxënësve mundësi kualifikimi dy, tre dhe katërvjeçar, dhe i përgatit ata për profesione specifike, nëpërmjet zhvillimit të aftësive praktike dhe njohurive të aplikueshme.

Arsimi i mesëm profesional u ofron të rinjve mundësi kualifikimi në nivelet II, III dhe IV të Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve, duke i përgatitur si punonjës të kualifikuar dhe teknikë të mesëm në fusha të ndryshme.

Aktualisht, sistemi publik i arsimit profesional përfshin 41 institucione (31 shkolla dhe 10 qendra formimi), që ofrojnë 26 drejtime dhe 93 profile studimi, nga të cilat 5 janë profile duale.

Ky sistem fokusohet në zhvillimin e aftësive praktike dhe profesionale, të përshtatura me kërkesat e tregut të punës, duke kontribuar në rritjen e punësimit dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

Pas përfundimit të studimeve, nxënësit pajisen me diplomë ose certifikatë profesionale, që u mundëson punësim të menjëhershëm ose vijimin e studimeve në nivele më të larta.

/a.f/

The post Gonxhja: Programi zviceran “VET by EHL”, rrugë e re për profesionistët e sektorit të turizmit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 4 August 2025Main stream

Tatimet zbardhin skemën e evazionit fiskal në Tiranë, 585 mijë euro të padeklaruara


TIRANË, 4 gusht/ATSH/ Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve (DPT) zbuloi një skemë evazioni fiskal në një subjekt në Tiranë.

Përmes një hetimi të thelluar dhe një kontrolli të specializuar nga Hetimi Tatimor, janë gjetur 585 mijë euro të padeklaruara, që ishin mbajtur jashtë sistemit tatimor për më shumë se një vit.

Hetimi u iniciua pas një denoncimi nga një qytetar, që dha informacion të vlefshëm për aktivitetin e dyshuar të subjektit.

“Pas verifikimeve të kryera, rezultoi se kishte një mospërputhje të madhe mes veprimtarisë reale të biznesit dhe deklaratave të tatimeve dhe taksave që ky subjekt kishte paraqitur në administratën tatimore”, bën të ditur DPT.

Ndërhyrja e taskforcës dhe inspektorëve të hetimit tatimor zbuloi shkelje të shumëfishta.

Gjatë hetimeve, është gjetur mall që nuk ishte regjistruar, si dhe janë evidentuar pesë punonjës të cilët nuk ishin të regjistruar në sistemin tatimor.

Po ashtu, u sekuestrua një pajisje kompjuterike që ishte përdorur për fshehjen e të ardhurave gjatë periudhës 2024-2025. /j.p/

The post Tatimet zbardhin skemën e evazionit fiskal në Tiranë, 585 mijë euro të padeklaruara appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Grup pune për zgjidhjen e çështjes së vaditjes në Myzeqe

TIRANË, 4 gusht/ATSH/ Një grup pune i përbërë nga përfaqësues të institucioneve qeveritare, ekspertë dhe investitorë ka nisur punën për adresimin e sfidave që lidhen me menaxhimin e liqenit të Thanës, një burim tërësisht jetik për Myzeqenë.

Ky grup i drejtuar nga zëvendëskryeministrja Belinda Balluku dhe ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, ka si objektiv krijimin e një plani të detajuar për menaxhimin e ujërave dhe zgjidhjen e çështjes së vaditjes në këtë zonë të rëndësishme bujqësore.

“Liqeni i Thanës ka pasur një ndikim të madh në zhvillimin e bujqësisë në Myzeqe. Gjatë viteve të fundit, sipërfaqet e mbjella janë trefishuar, gjë që ka rritur ndjeshëm kërkesat për ujë. Po ashtu, operimi i dy prej HEC-eve më të rëndësishëm të kaskadës së Devollit, pjesë e gjerdanit energjitik të Shqipërisë, ka sjellë sfida të reja për menaxhimin e burimeve ujore, duke kërkuar një koordinim më të ngushtë ndërmjet sektorëve të energjisë dhe bujqësisë”, tha Balluku gjatë diskutimeve.

Takimi i zhvilluar synoi hartimin e një kalendari ndërhyrjesh që do të mundësojë menaxhimin më efikas të ujërave, si dhe mbështetje të qëndrueshme për sektorin e bujqësisë.

Pjesëmarrësit nënvizuan rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet të gjithë aktorëve të interesuar, për të siguruar një zhvillim të qëndrueshëm. /j.p/

The post Grup pune për zgjidhjen e çështjes së vaditjes në Myzeqe appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Skema Kombëtare e Investimeve, Denaj: 50% grant për ndërtimin e serrave diellore

TIRANË, 4 gusht/ATSH/ Në kuadër të Skemës Kombëtare të Investimeve 2025, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural (MBZHR) ofron financim të pjesshëm për ndërtimin e serrave diellore, një mundësi që mund të përfitohet nga fermerët që dëshirojnë të investojnë në prodhimin e perimeve, luleshtrydheve dhe rrushit të tavolinës.

Sipas kësaj skeme, fermerët mund të marrin një grant prej 50% për ndërtimin e serrave që shtrihen nga 0.2 ha deri në 2 ha, përfshirë gjithashtu edhe sistemet e ujitjes që janë të domosdoshme për kultivimin e këtyre kulturave.

Kjo mbështetje financiare është e strukturuar në mënyrë që të ndihmojë investimet e ndryshme të bujqësisë. Për serrat e prodhimit të perimeve, fermerët mund të përfitojnë deri në 15 milionë lekë për çdo hektar, ndërsa për serrat e prodhimit të rrushit të tavolinës mund të sigurojnë deri në 8 milionë lekë për hektar. Për serrat e prodhimit të luleshtrydheve, mbështetja arrin deri në 4 milionë lekë për hektar.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, theksoi se fermerët mund të përfitojnë këtë grant prej 50% në kombinim me mundësinë për të marrë një kredi të butë me një interes prej vetëm 2% dhe një garanci sovrane që mbulon deri në 70% të kolateralit të nevojshëm për këtë investim.

Kjo e bën financimin më të aksesueshëm dhe të mundshëm për fermerët, duke siguruar mbështetje të plotë për realizimin e projekteve të tyre.

Aplikimet për këtë skemë janë të hapura deri më 30 shtator.me dhe për të modernizuar sektorin bujqësor. Skema përfshin gjithsej 9 masa mbështetëse që synojnë të përmirësojnë produktivitetin dhe cilësinë e prodhimit në bujqësi. /j.p/

The post Skema Kombëtare e Investimeve, Denaj: 50% grant për ndërtimin e serrave diellore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Të ardhurat tatimore në korrik, rritje 17% ndaj një viti më parë

TIRANË, 2 gusht/ATSH/ Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve arkëtoi gjatë muajit korrik 2025 një shumë prej 39 miliardë lekësh në buxhetin e shtetit.

Ky rezultat përfaqëson një rritje të ndjeshme krahasuar me një vit më parë, me 5,6 miliardë lekë ose 17% më shumë se shifra faktike e korrikut 2024.

Krahasuar me planin e parashikuar për këtë muaj, të ardhurat janë 1,7 miliardë lekë më të larta, që përkthehet në një realizim 4,7% mbi objektivin e vendosur.

/r.e/

The post Të ardhurat tatimore në korrik, rritje 17% ndaj një viti më parë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Të ardhurat doganore rriten me 9,1% në korrik, shtohen importet e mallrave të akcizës

TIRANË, 2 gusht/ATSH/ Administrata Doganore mblodhi 23,2 miliardë lekë të ardhura në buxhet gjatë korrikut, çka përfaqëson një rritje prej 9,1%, në krahasim me korrikun e vitit të kaluar.

Referuar të dhënave zyrtare të Drejtorisë së Përgjithme të Doganave, rritja është nxitur veçanërisht nga volumi më i lartë i importeve të mallrave të akcizës, ku vërehet rritje e volumit të zhdoganuar të karburantit, cigareve, kafesë dhe birrës.

Konkretisht, gjatë këtij muaji janë importuar 5200 tonë më shumë karburant, 58 tonë më shumë cigare, 60 tonë më shumë kafe dhe 200 tonë më shumë birrë krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2024.

Në harkun kohor janar–korrik të këtij viti, të ardhurat e mbledhura nga doganat kanë arritur në 137 miliardë lekë, duke tejkaluar parashikimet dhe duke shënuar një rritje prej 4,3%, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Megjithëse kursi i këmbimit i euros dhe dollarit ka ndikuar negativisht duke shkaktuar një efekt ulës prej 5 miliardë lekësh, Administrata vlerëson se, në kushte të pandryshuara të kursit, të ardhurat do të kishin arritur vlerën e 142 miliardë lekëve.

Kjo do të përfaqësonte një realizim rreth 4% mbi planin dhe një rritje prej 8,2% në krahasim me vitin 2024.

Fokusi i Administratës gjatë këtyre shtatë muajve ka qenë pikërisht mbi mallrat e akcizës, të cilat kanë treguar një rritje të ndjeshme në krahasim me një vit më parë. Importet e karburantit janë shtuar me 50.000 tonë, cigaret me 154 tonë, kafja me 162 tonë dhe birra me 4700 tonë.

Këto rezultate dëshmojnë jo vetëm rritjen e konsumit dhe aktivitetit ekonomik, por edhe efektivitetin e masave të ndërmarra për përmirësimin e shërbimeve doganore, forcimin e kontrolleve dhe rritjen e transparencës e besimit të bizneseve ndaj institucionit.

Administrata Doganore thekson se do të vijojë me të njëjtin ritëm për të garantuar mbledhje të qëndrueshme të të ardhurave dhe lehtësim të ndershëm të tregtisë.

/r.e/

The post Të ardhurat doganore rriten me 9,1% në korrik, shtohen importet e mallrave të akcizës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kapet i armatosur në automjet, arrestohet 20-vjeçari në Bulqizë

TIRANË, 2 gusht /ATSH/ Policia e Bulqizës ka finalizuar operacionin e koduar “Krasta”, duke arrestuar një 20-vjeçar që qarkullonte me armë zjarri pa leje.

I riu, banues në fshatin Peshk, Martanesh, u ndalua në aksin rrugor Krastë–Bulqizë, teksa drejtonte një automjet tip “Benz” kamionçinë. Gjatë kontrollit, policia i gjeti një armë zjarri pistoletë “Zastava” me krehër dhe 10 fishekë.

Arma, municioni dhe automjeti u sekuestruan si prova materiale.

/r.e/

The post Kapet i armatosur në automjet, arrestohet 20-vjeçari në Bulqizë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rriten primet dhe kontratat për sigurimet motorike në gjashtëmujorin e parë

TIRANË, 2 gusht /ATSH/ Sektori i sigurimeve motorike në vend ka shënuar rritje të ndjeshme në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025, sipas të dhënave zyrtare.

Primet e sigurimit të detyrueshëm motorik për periudhën janar–maj 2025 kapën vlerën e rreth 7532 milionë lekëve, me një rritje prej 13,38% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sigurimi i detyrueshëm i automjeteve në Shqipëri (MTPL e brendshme) regjistroi në periudhën janar–qershor 2025 një rritje prej 13,39% në vëllimin e primeve të shkruara bruto. Kjo rritje shoqërohet edhe me 7,01% më shumë kontrata, krahasuar me janar–qershor 2024.

Sigurimi ndërkombëtar “Kartoni Jeshil” shënoi gjithashtu rritje të konsiderueshme gjatë kësaj periudhe. Vëllimi i primeve të shkruara bruto u rrit me 14,52%, ndërsa numri i kontratave u rrit me 11,23%, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Edhe sigurimi kufitar, i cili ofrohet për automjetet e huaja që hyjnë në territorin shqiptar, shënoi rritje. Primet e shkruara bruto u rritën me 5,50%, ndërsa numri i kontratave u rrit me 3,74%, krahasuar me janar–qershor 2024.

Rritjet e shënuara pasqyrojnë një interes më të madh të qytetarëve dhe bizneseve për të garantuar mbrojtje financiare nëpërmjet sigurimeve motorike.

/r.e/

The post Rriten primet dhe kontratat për sigurimet motorike në gjashtëmujorin e parë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rriten të ardhurat nga akciza, mbi 32 miliardë lekë në buxhet

TIRANË, 2 gusht /ATSH/ Të ardhurat nga akciza për periudhën janar – qershor të këtij viti arritën në 32,1 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 3,2 miliardë lekësh, ose 11,2% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.

Sipas statistikave zyrtare të Ministrisë së Financave, në raport me planin e parashikuar për këtë periudhë, të ardhurat janë realizuar në masën 4,8% më tepër, ose 1,5 miliardë lekë mbi pritshmëritë.

Sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, kjo rritje vjen si rezultat i shtimit të importeve të karburantit, cigareve, pijeve alkoolike dhe kafesë.

Gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit janë zhdoganuar 44 000 tonë karburant më shumë, 96 tonë cigare më shumë, 97 tonë kafe më shumë, si dhe 4770 tonë birrë më shumë, krahasuar me janar-qershor 2024.

Këto të dhëna konfirmojnë tendencën pozitive të të ardhurave doganore dhe ndikimin e rritjes së konsumit në mbledhjen e të ardhurave nga akciza.

/r.e/

The post Rriten të ardhurat nga akciza, mbi 32 miliardë lekë në buxhet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Pas restaurimit, Kisha e Shën Marisë rihapet për besimtarët dhe vizitorët

TIRANË, 2 gusht/ATSH/ Kisha e Shën Marisë në Mamurras, Kurbin, një ndër monumentet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore, është rikonstruktuar pas dëmtimeve që pësoi nga tërmeti i vitit 2019.

E ndërtuar rreth shekullit XI, kjo kishë bizantine lidhet me figura historike si Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe bashkëshortja e tij Donika, të cilët thuhet se e kanë frekuentuar për meshë dhe ceremoni fetare.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, bëri të ditur sot se falë partneritetit mes ministrisë, programit EU4Culture dhe agjencisë së Kombeve të Bashkuara UNOPS, objekti i kultit është rikthyer në gjendjen e tij autentike.

“Kisha e Shën Marisë në Mamurras, një perlë e trashëgimisë kulturore dhe historike të Kurbinit, ndërtuar rreth shekullit XI, e ku Gjergj Kastrioti e Donika thuhet e vizitonin për meshë apo kremtimin e ceremonive fetare. Pas dëmtimeve nga tërmeti i 2019-s, falë partneritetit të MEKI-it me EU4Culture dhe UNOPS, kjo kishë bizantine është rikthyer si simbol i historisë, harmonisë fetare dhe turizmit të qëndrueshëm”, u shpreh ministri Gonxhja.

Restaurimi i kësaj kishe është një hap i rëndësishëm në mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore shqiptare, duke e kthyer atë në një destinacion të vizitueshëm për vendas dhe të huaj njëkohësisht.

/r.e/

The post Pas restaurimit, Kisha e Shën Marisë rihapet për besimtarët dhe vizitorët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Transporti ajror rritje me 42,4% në mallra dhe 6% në pasagjerë në tremujorin e dytë

TIRANË, 1 gusht/ATSH/ Në tremujorin e dytë të këtij viti, sektori i transportit ajror ka shënuar një rritje të konsiderueshme.

Volumi i mallrave të transportuar, duke përfshirë postën, ka arritur në 798,6 tonë, me një rritje prej 42,4% krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2024.

Nga ky total, 67,5% përbëjnë mallrat e hyrë, ndërsa 32,5% janë mallra të dalë.

Në të njëjtën periudhë, numri i pasagjerëve që kanë udhëtuar me linja ajrore ka kaluar kufirin e 3 milionëve, duke shënuar një rritje prej 6% krahasuar me vitin e kaluar, krahasuar me 2.8 milionë pasagjerë që udhëtuan gjatë periudhës përkatëse të vitit të kaluar.

Për sa i përket tregtisë ajrore, volumi i mallrave të eksportuara dhe importuara arriti 583 tonë, duke u rritur me 2,3% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2024.

Mallrat e importuara me ajër përbëjnë një pjesë të vogël, vetëm 0,02% të totalit të mallrave të importuara, në vend.

Në këtë tremujor, transporti ajror është operuar nga 29 shoqëri ajrore, nga të cilat 28 janë të huaja dhe vetëm një është shoqëri shqiptare.

Hapësira ajrore shqiptare ka regjistruar 110.073 fluturime, ku 83,2% e tyre përbëhen nga mbikalimet.

1 nga 4

/a.f/

The post Transporti ajror rritje me 42,4% në mallra dhe 6% në pasagjerë në tremujorin e dytë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Botërori 2026, ambasada e SHBA: Aplikoni për vizë tani

TIRANË, 31 korrik/ATSH/ Kampionati Botëror i Futbollit FIFA 2026 do të jetë më i madhi deri më sot, me ndeshje që do të zhvillohen në 11 qytete të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe në Meksikë e Kanada.

Ambasada e SHBA-së në Tiranë ftoi sot qytetarët që dëshirojnë të ndjekin këto ndeshje të aplikojnë sa më shpejt për vizë amerikane.

“Ne nxisim të gjithë udhëtarët e huaj që kanë nevojë për vizë amerikane të aplikojnë tani,” thuhet në një postim të Ambasadës në rrjetet sociale.

/r.e/

The post Botërori 2026, ambasada e SHBA: Aplikoni për vizë tani appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Transporti detar në rritje, Durrësi kryeson për mallra, Saranda për pasagjerë

TIRANË, 31 korrik/ATSH/ Transporti detar shënoi rritje edhe gjatë tremujorit të dytë të këtij viti, si në volumin e mallrave të përpunuara ashtu edhe në numrin e pasagjerëve që kanë udhëtuar nëpërmjet porteve detare të vendit.

Aktualisht, në vend operojnë katër porte për transportin e mallrave: porti i Durrësit, i Vlorës, i Shëngjinit dhe porti i Limjonit në Sarandë.

Ndër to, porti i Durrësit mbetet nyja kryesore e trafikut tregtar detar, duke përpunuar 93,6% të totalit të mallrave të transportuar me det, ose 2063 mijë tonë mallra gjatë tremujorit të dytë të këtij viti. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ky port ka regjistruar një rritje prej 1,4% në volumin e mallrave.

Sa i përket strukturës së mallrave të transportuara, referuar raportit të publikuar nga Instituti i Statistikave (INSTAT), grupi i metaleve bazë dhe produkteve metalike të fabrikuara përbën 17% të mallrave të lëvizura përmes rrugëve detare, ndërsa koks dhe produktet e rafinuara të naftës zënë 16,9%. Mallrat me përbërje minerale jometalike përbëjnë 16,2% të totalit, ndërsa qymyri, linjiti, nafta bruto dhe gazi natyror përfaqësojnë 5% të volumit të përgjithshëm të transportuar.

Në të njëjtën periudhë është regjistruar edhe një rritje në qarkullimin e anijeve që hyjnë dhe dalin nga portet shqiptare. Gjatë tremujorit të dytë janë regjistruar gjithsej 276 anije, prej të cilave 253 ishin të huaja dhe vetëm 23 vendase. Të dhënat flasin për një rritje prej 10% të qarkullimit total të anijeve, ndërsa anijet e huaja janë shtuar me 16,1% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.

Edhe transporti i pasagjerëve ka pasur një dinamikë të lartë gjatë kësaj periudhe, veçanërisht për shkak të sezonit turistik. Lëvizja e pasagjerëve është kryer përmes porteve të Durrësit, Vlorës dhe Sarandës, ndërsa porti i Shëngjinit nuk ka pasur aktivitet pasagjerësh.

Numri total i udhëtarëve të regjistruar është për këtë periudhë arrin 330 630. Porti i Sarandës regjistroi edhe fluksin më të lartë, duke përpunuar 54% të pasagjerëve, i ndjekur nga porti i Durrësit me 40,3% dhe më pas ai i Vlorës me 5,7%.

1 nga 2

/r.e/

The post Transporti detar në rritje, Durrësi kryeson për mallra, Saranda për pasagjerë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AmCham publikon Indeksin e Biznesit, shqetësim gjetja e stafit të kualifikuar lokal dhe ekonomia informale

TIRANË, 31 korrik/ATSH/ Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri (AmCham) ka publikuar Indeksin e Biznesit duke sjellë perceptimin e anëtarëve të saj për indikatorët kryesorë të klimës së biznesit gjatë vitit 2024.

Indeksi prezanton një ulje të lehtë të vlerësimit, 46,47 në krahasim me 47,57 që ishte një vit më parë, duke prodhuar sërish një indeks që është nën nivelin e mesatares.

Gjatë 12 vjetëve të organizimit nga Dhoma Amerikane të këtij pyetësori mbi klimën e biznesit, vlerësimi i anëtarëve ka qenë gjithnjë nën nivelin e 50%, duke demonstruar një shqetësim të vazhdueshëm për disa parametra themelorë të klimës.

“Tregues si gjetja e stafit të kualifikuar lokal, monopoli dhe konkurrenca e padrejtë, ekonomia informale, burokracia qeveritare dhe niveli i përgjithshëm i taksave, vazhdojnë të kenë një vlerësim të ulët nga anëtarët”, bën të ditur AmCham.

Sipas AmCham, këto indikatorë pasqyrojnë çështje mbi të cilat Dhoma Amerikane përmes Komiteteve, ka punuar me të gjitha strukturat shtetërore qeveritare dhe parlamentare për të sjellë ndryshime të cilat jo thjesht ndihmojnë biznesin e saj anëtar, por mbi të gjitha krijojnë një perceptim pozitiv të mënyrës se si bëhet biznes në Shqipëri, duke rritur interesin e investitorëve të huaj.

/r.e/

The post AmCham publikon Indeksin e Biznesit, shqetësim gjetja e stafit të kualifikuar lokal dhe ekonomia informale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Aksioni për lirimin e hapësirave publike vijon në Elbasan, Rama: Së shpejti konsultime për rregulloren kombëtare

TIRANË, 31 korrik/ATSH/ Elbasani i është bashkuar qyteteve të tjera të vendit, ku ka nisur zbatimi i aksionit për lirimin e hapësirave publike.

Kryeministri Edi Rama përcolli sot foto nga ndërhyrjet në qytetin e Elbasanit, ku objekte të vendosura në mënyrë të paligjshme po pastrohen për t’i kthyer hapësirat e zëna në shërbim të qytetarëve.

Rama bëri të ditur se shumë shpejt do të nisë edhe një fazë tjetër, ajo e konsultimit me komunitetet dhe sipërmarrësit e vegjël për të hartuar “Projektrregulloren kombëtare të hapësirës publike”, një dokument që pritet të shërbejë si standard për trajtimin e hapësirës së përbashkët në të gjitha bashkitë e vendit.

“Edhe Elbasani po rimerr frymë. Së shpejti do të konsultohet me komunitetet dhe sipërmarrësit e vegjël “Projektregullorja kombëtare e hapësirës publike””, theksoi Rama.

Aksioni për lirimin e hapësirave publike është intensifikuar prej disa javësh në zona të ndryshme të vendit dhe po shoqërohet me mbështetje të strukturave të rendit dhe inspektoriateve, me qëllim vendosjen e rregullit, barazisë dhe aksesit të lirë për të gjithë qytetarët në mjediset e përbashkëta urbane.

/r.e/

The post Aksioni për lirimin e hapësirave publike vijon në Elbasan, Rama: Së shpejti konsultime për rregulloren kombëtare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Segmenti strategjik Elbasan-Librazhd, pjesë e Korridorit 8, Rama: Puna po avancon ndjeshëm


TIRANË, 30 korrik/ATSH/ Në rrugën e re Elbasan-Librazhd, një nga kantieret më të rëndësishme të Korridorit 8, puna po avancon ndjeshëm në asfaltim, ndërtimin e urave dhe realizimin e veprave të tjera inxhinierike.

Kryeministri Edi Rama përcolli sot pamje nga kantieri i punës, teksa e cilësoi atë një segment strategjik të Korridorit 8.

“Segmenti strategjik Elbasan–Librazhd, pjesë e Korridorit 8, është një nga projektet më të rëndësishme të infrastrukturës rrugore në Shqipëri, ku puna po avancon ndjeshëm në asfaltim, ura dhe veprat inxhinierike”, deklaroi Rama.

Rruga e re Elbasan-Librazhd përfshin dy tunele me gjatësi 1,1 km, të cilët do të lidhin Elbasanin me Librazhdin.

Investimi është në fazën e pestë të realizimit dhe pritet të përfundojë në fund të këtij viti. Pjesë e këtij projekti janë edhe dy ura që do të lidhen direkt me tunelet.

Rruga e re Elbasan-Librazhd do të shndërrohet në një arterie të rëndësishme për qarkullimin dhe do të çlirojë potencialin ekonomik dhe turistik të këtyre zonave.

/r.e/

The post Segmenti strategjik Elbasan-Librazhd, pjesë e Korridorit 8, Rama: Puna po avancon ndjeshëm appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌