Shqipëria uron Francën për Ditën Kombëtare: Partneriteti ynë Strategjik vazhdon të forcohet
TIRANË, 14 korrik/ATSH/ Bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe Francës po rritet me projekte të reja në inovacion, turizëm dhe arsim, ndërkohë që partneriteti strategjik vazhdon të forcohet dhe të konkretizohet në fushën e mbrojtjes.
Ambasada e Shqipërisë në Francë ndau sot momente nga vizitat e nivelit të lartë, të cilat kulmuan me vizitën e dytë në Shqipëri të presidentit Emmanuel Macron.
“Franca feston këtë vit 14 Korrikun me moto kryesore reziliencën, angazhimin, unitetin dhe solidaritetin, por edhe duke përkujtuar 85-vjetorin e thirrjes së 18 Qershorit të gjeneralit De Gaulle. Me këtë rast, u shprehim miqve francezë urimet më të mira për unitet dhe prosperitet, teksa riafirmojmë lidhjet e thella dhe historike që bashkojnë Shqipërinë dhe Francën”, thuhet në njoftimin për shtyp të Ambasadës së Shqipërisë në Francë.
Në vitin 2025, marrëdhëniet mes dy vendeve njohën një hap tjetër të madh përpara me vizitën e dytë në Shqipëri të presidentit Emmanuel Macron, me vizitën e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme Igli Hasani në Paris dhe atë të ministrit francez për Evropën Benjamin Haddad në Tiranë.
“Mbështetur në angazhimin e përbashkët ndaj vlerave evropiane, bashkëpunimit dhe stabilitetit rajonal, bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe Francës po rritet me projekte të reja në inovacion, turizëm dhe arsim, ndërkohë që Partneriteti ynë Strategjik vazhdon të forcohet dhe të konkretizohet në fushën e mbrojtjes”, shprehet Ambasada shqiptare në Francë.
/m.m//r.e//a.f/
The post Shqipëria uron Francën për Ditën Kombëtare: Partneriteti ynë Strategjik vazhdon të forcohet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.