Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 13 July 2025Main stream

Rikonstruktohet shkolla “Gurrë e Madhe” në Klos, hap dyert në shtator me kushte moderne

TIRANË, 13 korrik/ATSH/ Shkolla 9-vjeçare “Gurrë e Madhe” në Klos do të mirëpresë nxënësit e saj në shtator me ambiente të reja.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu ndau në rrjetet sociale pamje se si është transformuar kjo shkollë.

“Nxënësit do të kenë klasa të reja, bibliotekë moderne, laboratorë bashkëkohorë dhe terrene sportive të standardeve të larta”, tha Manastriliu.

Ministrja Manastirliu theksoi se “ky investim i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit në bashkëpunim me bashkinë Klos garanton kushte dinjitoze dhe moderne jo vetëm për nxënësit, por për të gjithë komunitetin”.

Investimet në infrastrukturën arsimore mbeten prioritet i qeverisë për kushte më të mira për nxënësit dhe mësuesit.

1 nga 5

/k.s//a.f/

The post Rikonstruktohet shkolla “Gurrë e Madhe” në Klos, hap dyert në shtator me kushte moderne appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Bektashizmi thesar kombëtar për Shqipërinë, gjithçka për t’i mbajtur ata gjallë

TIRANË, 13 korrik/ATSH/ Kryeministri Edi Rama duke e cilësuar bektashizmin një thesar kombëtar për Shqipërinë theksoi se “është shumë e rëndësishme të bëhet gjithçka për t’i mbajtur ata gjallë sepse ndryshe ata do të përballen me zhdukjen”.

Në një intervistë për gazetarin dhe fotoreporterin britanik, Robert Hackman, që ka përgatitur një dokumentar për Bektashizmin në Shqipëri, Rama tha se “bektashizmi është një urdhër shumë i veçantë dhe një thesar kombëtar për ne. Ndryshe nga komunitetet e tjera që janë pjesë e konstelacioneve më të mëdha dhe qe mund të mbështeten në zinxhirë të gjatë solidariteti dhe ndihme për edukimin e klerikëve të rinj, apo për ndërtimin e infrastrukturës së tyre bektashinjtë janë zotë të fatit të tyre dhe nuk i përkasin asnjë konstelacioni tjetër”.

“Prandaj është shumë e rëndësishme të bëhet gjithçka për ti mbajtur ata gjallë  sepse ndryshe ata do të përballen me zhdukjen. Duke u dhënë atyre një status të veçantë jam i sigurt se do të ndihmojë që të krijojnë të ardhura më të mira dhe të kenë një vend që meritojnë përtej kufijve të vendit”, tha Rama.

Pyetjes se çfarë do të thotë një shtet i pavarur bektashi për popullin shqiptar dhe për Evropën, Rama iu përgjigj se “simbol i rëndësishëm edhe pse në përmasa modeste. Është vetëm një sipërfaqe e vogël toke, pak hektarë që ata tashmë e zotërojnë dhe kanë qendrën e tyre. Por për Shqipërinë është një pjesë shumë e çmuar e trashëgimisë kombëtare., ndërsa për komunitetin është një garanci që ai do të vazhdojë të ekzistojë pa u zhdukur”.

I pyetur se a do të ndihen komunitete e tjera fetare në Shqipëri të favorizuara apo të diskriminuara nga kjo iniciativë, Rama tha se “nuk ka asnjë arsye për këtë, Kjo nuk është një garë mes komuniteteve shqiptare ku dikush favorizohet e tjetri jo. Bektashinjtë janë një komunitet që mbështetet vetëm tek vetvetja, ndërsa myslimanët sunitë, ortodoksët dhe  katolikët i përkasin konstelacioneve shumë më të mëdha dhe kanë pika reference jashtë vendit si dhe shumë mundësi për të edukuar imamët apo priftërinjtë e rinj. Prandaj nuk shikoj arsye që ta të ndihen të trajtuar në mënyrë të pabarabartë”.

/k.s//a.f/

 

 

 

The post Rama: Bektashizmi thesar kombëtar për Shqipërinë, gjithçka për t’i mbajtur ata gjallë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mbi 95 mijë vizitorë zbuluan historinë, artizanatin dhe bukuritë e Krujës

TIRANË, 13 korrik/ATSH/ Kruja vijon të mbetet ndër qytetet më të vizituara, ku edhe në këto ditë të nxehta korriku rrugët e saj gumëzhijnë nga turistët vendas e të huaj, që  zbulojnë historinë, artizanatin dhe bukuritë e qytetit.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga vizita e turistëve në Krujë. “Rrugicat me turistë, traditë dhe histori të Pazarit të Krujës”, shkruan Rama.

Qendra Muzeore e Krujës, ku përfshihen Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, Muzeu Etnografik dhe Pazari karakteristik ka shënuar një rritje të numrit të turistëve nga janari deri tani, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Drejtori i Muzeut Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” dhe Muzeut Etnografik Krujë, Mehdi Hafizi tha për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se “mbi 95 mijë vizitorë është totali i vizitorëve në qendrën muzeore Krujë, ku 50% janë huaj”.

Sipas tij, numrin më të lartë të turistëve të huaj e përbëjnë vizitorët nga Polonia, Spanja, Azia, Franca etj”.

Kruja njihet për turizmin historik njëditor, por me shtimin e strukturave akomoduese turistët po qëndrojnë më gjatë në këtë qytet historik.

Pazari karakteristik i Krujës me rrugicat e ngushta me kalldrëm, ku ofrohen punime artizanale tradicionale është një ndër të preferuarit e turistëve. Por turistët nuk ikin nga Kruja pa vizituar edhe Muzeun Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” dhe Muzeun Etnografik Krujë.

1 nga 4

/k.s//a.f/

The post Mbi 95 mijë vizitorë zbuluan historinë, artizanatin dhe bukuritë e Krujës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Koçiu: Qendra Shëndetësore Verore në Gjirokastër, siguri dhe kujdes shëndetësor për çdo vizitor

TIRANË, 13 korrik/ATSH/ Gjirokastra po mirëpret çdo ditë e më shumë vizitorë, vendas dhe të huaj, që zgjedhin ta zbulojnë bukurinë e qytetit historik gjatë verës.

Me rritjen e turizmit, shtohet edhe përgjegjësia për t’u kujdesur për shëndetin e tyre.

Qendra Shëndetësore Verore në Gjirokastër është në gatishmëri të plotë për të ofruar ndihmën e parë dhe këshilla shëndetësore për të gjithë ata që kanë nevojë.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu tha se “ekipet tona mjekësore janë aty 24/7 për çdo nevojë. Qendra Shëndetësore Verore në Gjirokastër është në funksion të plotë, ditë e natë, për të garantuar sigurinë dhe kujdesin shëndetësor për çdo vizitor”.

Almeda Kaluri, infermiere në këtë qendër shëndetësore verore tha se “është hera e parë që punoj në këtë qendër sikurse është hera e parë që kjo qendër është hapur në qytetin e Gjirokastrës kryesisht në zonën turistike dhe kalaja”.

“Këto ditë jemi hasur me raste të tilla si hipertension, pickime nga insektet dhe dehidratimi. Kemi dhënë ndihmën tonë të parë dhe patjetër këshillat që janë kryesorja. Këshillat tona për turistët sidomos për moshat e treta dhe gratë shtatzëna është të shmangin daljen në pikun e vapës dhe të konsumojnë sa më shumë lëngje”, tha Kaluri.

Gjatë sezonit turistik veror janë në funksion të plotë 36 qendra shëndetësore në të gjithë vendin, nga veriu në jug. Ato garantojnë shërbim mjekësor 24 orë në ditë, 7 ditë në javë, për të gjithë pushuesit, vendas apo të huaj.

1 nga 2

/k.s//a.f/

 

The post Koçiu: Qendra Shëndetësore Verore në Gjirokastër, siguri dhe kujdes shëndetësor për çdo vizitor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Spektakël delfinësh në bregdetin magjepsës të Himarës

TIRANË, 13 korrik/ATSH/ Në bregdetin e Himarës një grup delfinësh kanë dhuruar spektakël me lëvizjet e tyre.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale pamje nga ky moment i bukur në ujërat e detit Jon.

“Nga bregdeti magjepsës i Himarës, ku natyra dhuron edhe spektaklin e delfinëve”, shkruan Rama.

Delfinët duket se kanë mirëpritur praninë e pushuesve si dhe i kanë ururar mirëseardhjen duke ofruar një spektakël me kërcime në ujërat e detit Jon para turistëve që ishin duke lundruar me anije.

Nuk është hera e parë që delfinët dhurojnë spektakël në ujërat shqiptare.

Numri i delfinëve në ujërat e detit Jon dhe Adriatik është rritur ndjeshëm vitet e fundit, po ashtu janë vënë re edhe specie të tjera të rralla.

/k.s//a.f/

The post Rama: Spektakël delfinësh në bregdetin magjepsës të Himarës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Në rrugën e lashtë Egnatia, ku historia rilind dhe fshati frymon me turistë

TIRANË, 13 korrik/ATSH/ Në verën përvëluese të Elbasanit, ka një cep ku koha duket se ka ndalur për të treguar histori që pak i njohin dhe më pak i vizitojnë.

Një monument i lashtë, një rrugë romake dhe një fshat që bashkon antikitetin me mikpritjen, ky është Bradasheshi. Vetëm disa hapa më tutje, Shijoni, fshati i kumbullave dhe fiqve, i manastirit të Shën Joan Vladimirit, të kujton se ndonjëherë, udhëtimet më të bukura ndodhin aty ku nuk i pret.

Ad Quintum, një stacion romak që rilindi nga pluhuri i kohës

Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore ka përfunduar me sukses restaurimin e Stacionit Antik Ad Quintum, një nga ndalesat më të rëndësishme përgjatë rrugës romake Egnatia, arteria që dikur lidhte Durrësin me Bizantin, dhe përmes saj, Perëndimin me Lindjen.

I vendosur në fshatin Bradashesh, vetëm pak kilometra larg qytetit, Ad Quintumi ishte një vendpushim për udhëtarët dhe tregtarët e kohës së Perandorisë Romake. Sot, të ndalosh aty është si të prekësh një fragment të gjallë të historisë. Gurët e lashtë, rrënojat e pastruara, dhe forma arkitektonike e stacionit tregojnë një botë që ka ekzistuar shumë përpara nesh, dhe që ende ka diçka për të na mësuar.

Sipas specialistes së trashëgimisë kulturore, Albana Drenogllava, projekti ka pasur dy qëllime.

“Të ruajmë një monument të rrallë dhe t’i japim zonës një identitet të ri turistik. Kjo tashmë ka filluar të ndodhë.”

Shijoni, përballë historisë, në heshtje dhe dritë

Përballë stacionit, shtrihet fshati Shijon, një vend ku vera vjen me ngjyra frutash dhe zëra njerëzish të qeshur. Këtu kumbullat janë më të ëmbla, fiqtë të ngrohur nga dielli dhe banorët të gatshëm të tregojnë ndonjë histori.

“Kanë ardhur shumë të huaj këtë vit,” thotë një zonjë e moshuar te porta e shtëpisë së saj prej guri.

“Fotografojnë, pyesin, blejnë fiq, ndalojnë për ujë. Nuk jemi mësuar kështu”, shton ajo.

“Është si të zbulosh një botë të humbur,” shton një turist nga Holanda, duke u ndalur pranë rrënojave.

“Një bukuri e rrallë antike që nuk e ndesh shpesh. Dhe gjithçka këtu është autentike, nuk duket si atraksion i sajuar”, vë në dukje ai.

Ad Quintumi ka transformuar mënyrën se si Bradasheshi perceptohet nga të huajt, nga një emër që dikur lidhej me Metalurgjikun, sot është kthyer në fshatin që ruan historinë.

Kur koha nuk ikën, por të fton ta prekësh

Nëse ecën ngadalë midis rrënojave, mund të dëgjosh diçka më shumë se cicërima. Është si një zë i vjetër që të fton të ndalesh, të kuptosh, të shohësh përreth. Kjo është ndjesia që të jep Ad Quintum, një stacion pushimi për të shkuarën që sot mund të jetë pikënisje për të ardhmen.

Në një verë kur shumë ikin në bregdet, Bradashesh-Shijon është një destinacion që të kujton se historia është këtu pranë, dhe pret vetëm që ta zbulojmë.

Nën drejtimin e kryetarit të bashkisë, Gledian Llatja, Elbasani ka nisur një politikë të re zhvillimi turistik, që synon të promovojë dhe lidhë atraksionet historike, kulturore dhe natyrore të rajonit.

“Ne po investojmë në infrastrukturë, sinjalistikë dhe promovim për të tërhequr turistë vendas e të huaj,” thekson Llatja në një nga deklaratat e tij të fundit.

Ai nënvizon rëndësinë e bashkëpunimit me komunitetet lokale, bizneseve dhe institucioneve kulturore për të krijuar një ofertë turistike të pasur dhe të qëndrueshme, ku fshatrat si Bradashesh dhe Shijon të jenë pjesë integrale e rrjetit turistik të Elbasanit.

Ndërsa Bradasheshi dhe Shijoni janë dy thesare që po marrin dritën e merituar, Elbasani ofron shumë më tepër për vizitorët, kalaja historike e qytetit, Gjinari, Funari, Busheku, Muzeu Etnografik, dhe zona të tjera të pasura me natyrë dhe kulturë.

Në këtë mozaik, secila pikë historike, çdo fshat dhe çdo rrugicë është një kapitull i vogël që pret të hapet. Dhe verë pas vere, më shumë njerëz po ndjekin këto gjurmë, duke u kthyer në zbulues të një Shqipërie të bukur dhe të shumëdimensionale.

/k.s//j.p//r.e/

The post Në rrugën e lashtë Egnatia, ku historia rilind dhe fshati frymon me turistë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Dhuka: 70% e legjislacionit të BE-së ka ndikim në nivel vendor ose zbatohet nga bashkitë

TIRANË, 11 korrik/ATSH/ Ministrja e Shtetit dhe Kryenegociatorja e Shqipërisë me Bashkimin Evropian, Majlinda Dhuka tha sot se “standardet që i hedhim në ligje duam t’i shohim të realizuara në terren. Në këtë kuptim dua ta thyej mendimin nëse ekziston një i tillë që roli i bashkive është periferik në rrugën drejt BE-së, pasi roli i bashkive është qendror në rrugën drejt BE-së”.

Në takimin me kryetarët e bashkive për performancën e pushtetit vendor në funksion të vizionit “Shqipëria 2030” në BE, ku ishte i pranishëm kryeministri Edi Rama, Dhuka tha se “Shqipëria në tre vite ka bërë një kapërcim të madh nga çelja e negociatave. Sot ne i kemi çelur ato për 24 fusha, përgatitja teknike dhe për 9 fushat e mbetura kanë përfunduar, presim diskutimet nga vendet anëtare dhe shpresojmë e besojmë që brenda vitit negociatat për 33 fushat të jenë çelur”.

Dhuka u shpreh se “besojmë se do të kemi progres të dukshëm deri në vjeshtë dhe kjo do të na japë çelësin për të filluar mbylljen e negociatave”.

“Objektivi është që do të trupëzojmë në të gjitha fushat në pjesën më të madhe përfundimisht standardet e BE-së në çdo fushë. Kjo ka ndodhur ndër vite, por tani i shterojmë përfundimisht”, tha Dhuka.

Kryenegociatorja Dhuka u shpreh se “70% e ligjeve të BE-së që po i përfundojmë janë me ndikim në nivelin vendor ose zbatohen në bashkitë qytetet dhe fshatrat që ju drejtoni. 23 nga 33 këto fusha, më shumë se 2/3 janë të lidhura drejtpërdrejtë me ju dhe rolin tuaj si në bashki edhe në territor. Për çdo bashki, fshat, që nga ekonomia, tek rritja, bujqësia, siguria ushqimore, transporti, mjedisi, tek shërbimet sociale në territor etj., janë fusha të cilat lidhen drejtpërdrejt me punën që ju bëni”.

“Më konkretisht, ne do punojmë bashkë së paku në 3 drejtime për këto fusha. Së pari, do punojmë për transformimin që do të vijë si rezultat i zbatimit të standardit të BE si në infrastrukturë, edhe tek bizneset. Së dyti, do të punojmë për eksportet. Tregu i BE-së është një treg me 450 milionë konsumatorë, është tregu më i madh, ku mund të futemi për të gjeneruar rritje në 5 deri 10 vitet që vijnë. Së treti, do të punojmë me fondet si mundësi për projektet tona që na jep BE”, nënvizoi Dhuka.

Më tej Dhuka u ndal tek transformimi në sektorë të ndryshëm.

“Po punojmë t’i bëjmë gati hartat e transformimit. Këto do të ndodhin si në nivelin e infarstrukturës publike, edhe në nivelin e bizneseve”, tha Dhuka.

/k.s//r.e//a.f/

The post Dhuka: 70% e legjislacionit të BE-së ka ndikim në nivel vendor ose zbatohet nga bashkitë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Koçiu: Drafti ligjor për Barazinë Gjinore, garanton të drejta të barabarta për gratë

TIRANË, 11 korrik/ATSH/ Drafti i ri ligjor për Barazinë Gjinore u miratua sot unanimisht nga Këshilli Kombëtar i Barazisë Gjinore.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, në një postim në rrjetet sociale tha se “ky ligj përfaqëson një hap të rëndësishëm në përafrimin e legjislacionit shqiptar me acquis të Bashkimit Europian”.

“Hartuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, në bashkëpunim me institucionet publike, shoqërinë civile dhe partnerët ndërkombëtarë, ligji reflekton standardet europiane për garantimin e të drejtave të barabarta dhe përfaqësimin e grave në çdo fushë vendimmarrëse”, theksoi Koçiu.

Ministrja Koçiu tha se ky është një moment domethënës në rrugën e pandalshme të Shqipërisë drejt familjes së madhe europiane, për një shoqëri më të drejtë dhe më gjithëpërfshirëse.

Draftligji i ri garanton, mbron dhe promovon arritjen e barazisë gjinore si vlerë themelore e zhvillimit demokratik të shoqërisë.

Ai rregullon çështjet themelore të barazisë gjinore në të gjitha fushat e jetës publike dhe private, për arritjen e barazisë gjinore dhe trajtimit të barabartë pavarësisht përkatësisë gjinore përmes mbrojtjes, mundësive të barabarta për ushtrimin e të drejtave, pjesëmarrjes dhe ndihmesës në zhvillimin e të gjitha fushave të jetës shoqërore.

/k.s//r.e/a.f/

The post Koçiu: Drafti ligjor për Barazinë Gjinore, garanton të drejta të barabarta për gratë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Hasani në Srebrenicë për përkujtimin e 30-vjetorit të gjenocidit

TIRANË, 11 korrik/ATSH/ Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani, mori pjesë sot në ceremoninë përkujtimore të 30-vjetorit të gjenocidit të Srebrenicës.

Në ceremoni morën pjesë krerë shtetesh, ministra të jashtëm dhe përfaqësues të lartë nga e gjithë bota.

Në Srebrenicë mbi 8,000 burra dhe djem boshnjakë u vranë nga forcat serbe në korrik 1995, në një zonë të shpallur të sigurt nga Kombet e Bashkuara.

Në maj 2024, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi një rezolutë që shpall 11 Korrikun si Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë.

Në kuadër të vizitës një ditore në Bosnjë dhe Hercegovinë, ministri Hasani zhvilloi takime me homologun e tij,  Elmedin Konaković, Ministër i Punëve të Jashtme të Bosnjë dhe Hercegovinës, si dhe me Amer Kapetanović, Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal.

Bisedimet u përqendruan në zhvillimet më të fundit në rajon dhe në avancimin e agjendës evropiane të Ballkanit Perëndimor.

/k.s//a.f/

The post Hasani në Srebrenicë për përkujtimin e 30-vjetorit të gjenocidit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Asnjë guriçkë pa leje nuk do të vendoset në Theth dhe ku ka zona të mbrojtura

TIRANË, 11 korrik/ATSH/ Kryeministri Edi Rama në takimin me kryetarët e bashkive për performancën e pushtetit vendor në funksion të vizionit Shqipëria 2030 në Bashkimin Evropian, u ndal edhe tek ndërtimet pa leje në zonat e mbrojtura.

“Në Theth i legalizuam të gjitha shtëpitë që ishin aty. Nuk kemi për të lënë asnjë guriçkë të vendoset pa leje në Theth dhe ku ka zona të mbrojtura do ta thellojmë këtë punë”, theksoi Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se “do të shtrëngojmë ligjin që të mos jetë më loja ‘macja me miun’, ne ik, prish, rrinë mbeturinat aty. Duhet të çojmë gjithë ato forca deri në majë të malit për të pastruar”.

Por, vijoi Rama, kur ta vënë gurin pa leje ta mendojnë mirë që nuk do e shohin më atë pikë ku e vunë gurin për 7 vjet.

“Deri atëherë logjika është kjo, nëse shtëpitë janë aty përpara shpalljes së zonave të mbrojtura nuk diskutohet që duhen legalizuar”, tha Rama.

/k.s//r.e//a.f/

The post Rama: Asnjë guriçkë pa leje nuk do të vendoset në Theth dhe ku ka zona të mbrojtura appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Turistët shijojnë freskinë e Syrit të Kaltër në Sarandë

TIRANË, 11 korrik/ATSH/ “Syri i kaltër” në Sarandë, i cilësuar si parajsa natyrore në zemër të Shqipërisë, vijon të tërheqë një numër të lartë turistësh, sidomos gjatë sezonit veror.

Ai ndodhet pranë fshatit Muzinë, pranë rrugës nacionale Delvinë-Gjirokastër, rreth 30 minuta larg nga Saranda.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga momentet që turistët kalojnë në këtë pikë turistike.

“Me freskinë që ofron Syri i Kaltër në Sarandë”, shkruan Rama.

Turistët ndalen në këtë pikë turistike, fotografojnë, shijojnë ujin e burimeve që rrjedhin, si dhe gatimet në dy lokalet turistike që ndodhen në park. Nuk mungojnë edhe të rinjtë guximtarë që hidhen në ujin e ftohtë të burimit për t’u larë.

“Syri i kaltër” është burimi më i madh dhe më i bukur i Shqipërisë, që gëzon statusin Monument Natyre. Thellësia e tij arrin deri në 45 metra. Ai është burim me ujëra të freskëta dhe të ëmbla, i rrethuar me bimësi të dendur dhe me gjelbërim të përhershëm.

Ai është një pasuri natyrore e Shqipërisë, i cili me vendimet e muajit janar 2022 ka marrë një status më të lartë mbrojtjeje, atë të Parkut Natyror, me një sipërfaqe të rritur në 293 hektarë, për të mbrojtur më mirë Monumentin e Natyrës me të njëjtin emër që mban brenda parkut.

Pamje nga Syri i Kaltër në Sarandë
1 nga 9
Syri i Kaltër, Sarandë
Syri i Kaltër, Sarandë
Syri i Kaltër, Sarandë
Syri i Kaltër, Sarandë
Syri i Kaltër, Sarandë
Syri i Kaltër, Sarandë
Syri i Kaltër, Sarandë
Syri i Kaltër, Sarandë
Syri i Kaltër, Sarandë

/k.s//r.e//a.f/

The post Turistët shijojnë freskinë e Syrit të Kaltër në Sarandë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Koçiu: 40 infermierë të rinj u bashkohen ekipeve shëndetësore në Tiranë


TIRANË, 11 korrik/ATSH/ Ekipeve shëndetësore në rajonin e Tiranës u janë shtuar 40 infermierë të rinj.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu në një postim në rrjetet sociale tha se “40 infermierë të rinj u janë bashkuar ekipeve shëndetësore në rajonin e Tiranës, nëpërmjet portalit “Infermierë për Shqipërinë” në një proces që garanton transparencë dhe meritokraci”.

Ministrja Koçiu u uroi infermierëve të rinj suksese në këtë rrugëtim në shërbim të qytetarëve.

Gjithashtu Koçiu ka përcjellë edhe mesazhet e disa prej infermiereve fituese në portal.

Emina Hima, e cila ka përfunduar studimet në Fakultetin e Shkencave Mjekësore Teknike tha se “pas aplikimit tek portali erdha sot dhe zgjodha vendin e punës tek QSUT. Procesi në portal ishte transparent”.

Ola Mesiti tha se “kam aplikuar në portalin “Infermierët për Shqipërinë” sot sapo zgjodha vendin definitiv tek materniteti “Koço Gliozheni”. Operatori i Shërbimit të Kujdesit Shëndetësor ishte transparent dhe i drejtë për çdo infermier që ka ardhur këtu”.

“Sot bëra aplikimin në portal. Procesi ishte transparent dhe sot zgjodha vendin definitiv në Qendrën Shëndetësore të Specialiteteve Nr. 2”, tha Ersileda Kota.

Portali “Infermierë për Shqipërinë”, për punësimin e profesionistëve të shëndetësisë, është një prej mekanizmave që garanton transparencë në punësimet në shëndetësi.

Ky portal ofron mundësi reale punësimi për të gjithë infermierët që kanë përfunduar studimet e larta apo janë kualifikuar më tej në këtë fushë, për të kontribuar në shëndetin e komunitetit.

Procesi i testimit të kandidatëve në platformën “Infermierë për Shqipërinë” është transparent në të gjitha fazat e tij, që nga regjistrimi, testimi, procesi i ankimimit, deri në shpalljen e listës përfundimtare të fituesve dhe përzgjedhjes së vendeve të reja të punës me bazë merite, në bazë të pikëve të marra nga secili kandidat nga të gjitha fazat e konkurrimit.

/k.s//a.f//r.e/

The post Koçiu: 40 infermierë të rinj u bashkohen ekipeve shëndetësore në Tiranë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Kapiteni Arben Anamali nderohet me mirënjohjen më të lartë “Dëshmor i Atdheut”

TIRANË, 10 korrik/ATSH/ Kapiteni Arben Anamali shpallet “Dëshmor i Atdheut”.

Lajmi u bë i ditur nga kryeministri Edi Rama në një postim në rrjetet sociale ditën e sotme.

“Nderojmë me mirënjohjen më të lartë të Republikës, Kapiten Arben Anamalin, drejtuesin e anijes turistike të Bashkisë Shkodër që sakrifikoi jetën e tij për të shpëtuar jetën e dy turistëve në Liqenin e Shkodrës”, tha Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se kapiten Anamali do të mbetet i paharruar.

Kapiteni i një anijeje turistike në liqenin e Shkodrës, Arben Anamali është mbytur dy ditë më parë, gjatë përpjekjes për të shpëtuar dy turistë që kishin rënë në ujë. Trupi i pajetë i kapiten Anamalit u gjet sot në liqenin e Shkodrës, pas gati dy ditë kërkimesh.

/k.s//r.e//a.f/

The post Rama: Kapiteni Arben Anamali nderohet me mirënjohjen më të lartë “Dëshmor i Atdheut” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tiranë, vijon aksioni për lirimin e hapësirave publike

TIRANË, 10 korrik/ATSH/ Në kryeqytet trotuaret dhe rrugët po lirohen nga tavolinat, karriget apo tendat e vendosura nga bizneset pa leje.

Ditët e fundit, pas urdhrit të Kryeministrit Edi Rama për lirimin e hapësirave publike në të gjithë vendin, edhe në Tiranë po vijon aksioni për heqjen e këtyre objekteve, që cenonin sigurinë e këmbësorëve.

Kreu i qeverisë bëri të ditur dje se “tetë grupe arkitektësh janë shpërndarë në territor për të inventarizuar plagët urbane, që pas pastrimit kërkojnë shërim, duke u rikthyer me projekte të reja komunitare”.

Rama tha se 100 arkitektë të mirënjohur ndërkombëtarë do të kontribuojnë falas me projektidetë e tyre.

Gjithashtu ministra dhe deputetë të PS-së kanë dalë në terren për t’u njohur nga afër me problematikat që lidhen me hapësirat e përbashkëta dhe shërbimet publike.

Ky aksion po zhvillohet edhe në qytete të tjera të vendit, me synim për të garantuar akses në hapësirat publike për të gjithë qytetarët.

Agjencia Telegrafike Shqiptare sjell sot pamje nga puna për lirimin e hapësirave te zona pas Muzeut Historik Kombëtar, në kryeqytet.

Lirimi i hapësirave publike tek zona pas Muzeut Kombëtar, Foto: Florian Abazaj
1 nga 10
IKMT liron hapësirat publike në Tiranë
IKMT liron hapësirat publike në Tiranë
IKMT liron hapësirat publike në Tiranë
IKMT liron hapësirat publike në Tiranë
IKMT liron hapësirat publike në Tiranë
IKMT liron hapësirat publike në Tiranë
IKMT liron hapësirat publike në Tiranë
IKMT liron hapësirat publike në Tiranë
IKMT liron hapësirat publike në Tiranë
IKMT liron hapësirat publike në Tiranë

/k.s//a.f//r.e/

The post Tiranë, vijon aksioni për lirimin e hapësirave publike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Përfundon rikonstruksioni i rrugës “Benjamin Deliana” në Elbasan

TIRANË, 10 korrik/ATSH/ Rruga “Benjamin Deliana” në lagjen “28 Nëntori” në Elbasan  është tashmë e rikonstruktuar dhe ka marrë trajtën e një aksi funksional, që i shërben komunitetit lokal.

Ndërhyrja nga bashkia Elbasan ka përfunduar me shtresimin përfundimtar të asfaltit dhe sistemimin e infrastrukturës.

Kjo rrugicë, megjithëse me gjatësi të shkurtër, ka pasur rëndësi të veçantë për banorët, pasi lidh dy rrugë të tjera më të mëdha, “Mustafa Shashaj” dhe “Shyqyri Berisha” dhe i shërben drejtpërdrejt rreth 150 banorëve.

Për më shumë se 30 vite, rruga ka qenë e paasfaltuar, pavarësisht se kishte sistem kanalizimesh funksional.

Rikonstruksioni i saj u realizua pas një kërkese të kahershme të banorëve, si pjesë e programit të bashkisë Elbasan për përmirësimin e infrastrukturës në zonat informale, si në qytet, ashtu edhe në njësitë administrative rurale.

Kryetari i bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, thekson se “edhe një tjetër rrugë e paasfaltuar prej dekadash mori zgjidhje përfundimtare. Zona të tëra informale, si në qytet ashtu edhe në fshat, po i rikthejmë në standarde dinjitoze. Kjo është qasja jonë, të mos lëmë asnjë segment të lënë pas”.

Ai shtoi se investimet do të vijojnë në mënyrë të pandërprerë në të gjitha zonat informale të bashkisë, me qëllim që çdo lagje dhe komunitet të ketë infrastrukturën që meriton.

1 nga 5

/k.s//r.e//a.f/

The post Përfundon rikonstruksioni i rrugës “Benjamin Deliana” në Elbasan appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Liga e Arsimit të Lartë, Manastirliu: Ta kthejmë Shqipërinë në një destinacion akademik

TIRANË, 10 korrik/ATSH/ Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, mori pjesë sot në forumin e Ligës së Arsimit të Lartë “Gjon Durrahium”, ku theksoi vizionin e qeverisë për ta kthyer Shqipërinë në një destinacion akademik konkurrues në rajon dhe më gjerë.

Në fjalën e saj, Manastirliu theksoi se “në këtë forum të radhës të Ligës së Arsimit të Lartë, konstatoj se janë vendosur piketat për sa i përket një tjetër etape të zhvillimit të arsimit të lartë publik dhe jo publik edhe në raport me dimensionin që vetë liga po vendos në ekosistemin e arsimit të lartë në Shqipëri”.

“Ajo që sot ne po përjetojmë në ekosistemin e arsimit të lartë është zhvillimi me ritme të shpejta sa i përket dimensionit të ndërkombëtarizimit dhe profilizimit të universiteteve. Universitetet private janë pjesë e rëndësishme e arsimit të lartë. Ata luajnë një rol komplementar dhe ecim në një hap duke zhvilluar kështu standarde më të mira të arsimit, duke e bërë arsimin e lartë motor të zhvillimit të shoqërisë, motor të zhvillimit ekonomik, duke krijuar mundësinë që arsimi i lartë t’i përgjigjet sfidave të kohës, të krijojë dhe ndërtojë burime njerëzore të afta për t’iu përgjigjur tregut të punës jo vetëm atij kombëtar por edhe atij global”, tha Manastriliu.

Sot, vijoi ministrja, ne kemi universitete të huaja të cilat kanë hapur degët e tyre në Shqipëri, Kolegjin e Europës që finalizoi përpara pak ditësh dhe vitin e parë akademik në kampusin e Tiranës, ndërkohë që kemi hapur për herë të parë një universitet i cili është i modelit të ri, Universiteti i Studimeve në Distancë të Spanjës që ka hapur kampusin e tij në Gjirokastër.

Manastirliu u shpreh se “po punojmë fort për të pasur një tjetër universitet prestigjioz europian, Universitetin Compiegne të Francës që do të hapë kampusin e tij në Universitetin Politeknik të Tiranës”,

Më tej Manastirliu u ndal dhe te nxitja e kërkimit shkencor dhe inovacionit.

“Universitetet janë baza e kërkimit shkencor dhe si të tilla duhet që t’i shfrytëzojnë akoma më shumë potencialet edhe në aspektin e kërkimit shkencor se këto janë ato piketa që krijojnë standardin e lartë që duam për universitetet tona. Edhe universitetet jopublike kanë arritur të përthithin fonde nga Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit. Janë 50 projekte gjatë 2023–2025 që janë përthithur nga universitetet jopublike. Vetëm këtë vit kemi financuar më shumë se 180 projekte të kërkimit shkencor dhe inovacionit ku një pjesë e tyre janë dedikuar për hapjen e laboratorëve të rinj duke zhvilluar dhe mbështetur infrastrukturën e kërkimit shkencor”, theksoi Manastirliu.

Ministrja e vur theksin edhe te mbështetja  e qeverisë për zhvillimin e  kërkimit shkencor në universitetet tona.

“Me bërjen efektive të një tjetër instrumenti ligjor që është Ligji i Shkencës dhe Kërkimit Shkencor në Shqipëri,  ne jemi duke punuar për plotësimin e të gjithë akteve nënligjore që ky ligj të mbështesë jo vetëm universitetet por të mbështesë në tërësi institucionet, njësitë e kërkimit shkencor, të krijojmë qendrat e ekselencës, t’i mbështesim ata financiarisht, të motivojmë edhe më shumë bashkëpunimin jo vetëm ndëruniversitar por edhe ndërinstitucional, por dhe ato me biznesin dhe sidomos të qasemi projekteve të Bashkimit Europian në një mënyrë sa më efektive dhe të kemi mundësi që ne të përfitojmë sa më shumë, jo vetëm të transferimit të teknologjisë, por nga ana tjetër të zhvillojmë kapacitetet tona njerëzore”, nënvizoi ajo.

Sfida jonë e përbashkët, shtoi ministrja, lidhet me ndërkombëtarizimin dhe profilizimin, kur flasim për ndërkombëtarizimin ajo që ne nënkuptojmë është ta bëjmë arsimin tonë një arsim me standarde sa më të larta, të përfshira me standarde sa më të mira të Bashkimit Europian.

“Ne mund t’ia dalim që në vitet që pasojnë ta kthejmë Shqipërinë në një destinacion akademik. Është e mundur sepse burimet dhe potencialet më të mira njerëzore i kemi këtu”, tha Manastirliu.

1 nga 5

/k.s//a.f/

The post Liga e Arsimit të Lartë, Manastirliu: Ta kthejmë Shqipërinë në një destinacion akademik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Spiropali vendos kurorë me lule në Monumentin e Ushtarit të Panjohur në Sofje

TIRANË, 10 korrik/ATSH/ Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali po zhvillon një vizitë zyrtare në Bullgari me ftesë të homologes, Nataliya Kiselova.

E shoqëruar nga kryeparlamentarja Kiselova, Sipiropali vendosi mëngjesin e sotëm një kurorë me lule në Monumentin e Ushtarit të Panjohur në Sofje, në nderim të të rënëve për lirinë e Bullgarisë.

Dje, në ditën e parë të vizitës Spiropali u prit në takim nga kryeministri Rossen Jeliazkov, ku theksoi se “Bullgaria është një partner ekonomik tradicional i Shqipërisë dhe mes vendeve tona ka mundësi të shumta bashkëpunimi në sektorë si infrastruktura, turizmi, energjia etj., të cilat ndihmojnë zhvillimin, ndërlidhjen, bashkëpunimin dhe integrimin e rajonit”.

Kryeministri Jeliazkov vlerësoi marrëdhëniet, partneritetin dhe miqësinë mes dy vendeve dhe rikonfirmoi mbështetjen e vendosur të Bullgarisë për anëtarësimin e Shqipërisë në  Bashkimin Europian dhe bashkëpunimin për paqen e sigurinë në rajon e më gjerë.

Kryetarja e Kuvendit, Spiropali po zhvillon një vizitë zyrtare në Bullgari
1 nga 6

/k.s//r.e//a.f/

The post Spiropali vendos kurorë me lule në Monumentin e Ushtarit të Panjohur në Sofje appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gjendet trupi i pajetë i kapitenit Arben Anamali

TIRANË, 10 korrik/ATSH/ Pas thuajse 48 orësh kërkimesh intensive u gjet sot trupi i pajetë i kapitenit të anijes turistike në Shkodër, Arben Anamali, i cili u hodh në ujë për të shpëtuar dy turistë.

Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër informoi sot se si rezultat i kontrolleve të pandërprera nga shërbimet e Policisë Kufitare, në bashkëpunim me palombarët e RENEA-s, ditën e sotme, është bërë e mundur gjetja dhe nxjerrja nga uji, e trupit të pajetë të kapitenit të anijes.

Prokuroria e Shkodrës vijon hetimet për dokumentimin e rrethanave të kësaj ngjarjeje.

Kapiteni i një anijeje turistike në liqenin e Shkodrës, Arben Anamali është mbytur dy ditë më parë, gjatë përpjekjes për të shpëtuar dy turistë që kishin rënë në ujë.

/k.s//r.e//a.f/

The post Gjendet trupi i pajetë i kapitenit Arben Anamali appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lirimi i hapësirave publike në Tiranë, Balla: Dëgjojmë qytetarët cep më cep

TIRANË, 10 korrik/ATSH/ Në Tiranë vijon aksioni për lirimin e hapësirave publike të zëna pa leje nga sipërmarrje që kanë vendosur tavolina, karrige, tenda apo elementë të tjerë që pengojnë qarkullimin e këmbësorëve në trotuare.

Pas urdhrit të Kryeministrit Edi Rama për lirimin e hapësirave publike në të gjithë vendin, edhe në Tiranë po hiqen tavolinat, karriget apo tendat nga trotuaret, të cilat cenonin sigurinë dhe ecjen e qytetarëve dhe këmbësorëve.

Deputeti i zgjedhur i PS në Tiranë Taulant Balla, njëherazi ministër i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, i shoqëruar dhe nga deputetja e zgjedhur në Tiranë e Partisë Socialiste Olta Xhaçka, u njohën nga afër me problematikat që lidhen me hapësirat e përbashkëta dhe shërbimet publike në njësinë nr. 2.

Balla u shpreh se “do të dëgjojmë qytetarët cep më cep, në respekt të plotë të 19 mandateve historike në Tiranë, e të cilat duhet t’i konsiderojmë një borxh të jashtëzakonshëm për t’u shlyer, në radhë të parë duke mos shkëputur lidhjet me komunitetet, po duke dëgjuar e punuar më shumë me njerëzit e zakonshëm dhe për njerëzit e zakonshëm”.

Balla tha se duhen bërë njoftimet që qytetarët të marrin masat për të hequr vetë objektet që kanë vendosur në hapësirat publike.

Ministri theksoi se procesi i lirimit të hapësirave publike do të vazhdojë pa ndërprerje, për të garantuar akses për të gjithë qytetarët.

Ai tha se “hapësirat publike mes pallateve janë pronë e përbashkët e banorëve dhe nuk mund të privatizohen nga askush, pavarësisht se kush ka qenë pronari i dikurshëm i tokës”.

Gjatë inspektimit, Balla denoncoi vendosjen e gardheve, ndarjen me xhama apo strukturat pa leje që kufizojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve, duke paralajmëruar prishjen e tyre.

Ai u ndal edhe te pastrimi dhe mirëmbajtja e këtyre hapësirave, duke kërkuar kujdes të shtuar nga institucionet përgjegjëse. “Hapësirat e përbashkëta duhet të jenë të pastra dhe të sigurta për të gjithë: për nënat me fëmijë, për fëmijët dhe për të moshuarit. Nuk mund të kthehen në vende grumbullimi mbeturinash apo të pengohen nga parkime pa rregull”, theksoi ai.

Në përfundim të inspektimit, Balla deklaroi se ky është vetëm fillimi i një procesi të gjatë që synon kthimin e hapësirave publike në shërbim të komunitetit.

Ai u bëri apel qytetarëve të mbajnë pastër ambientet ku jetojnë, si dhe u shpreh pro gjobitjes së atyre që nuk zbatojnë ligjin.

Ndërsa Xhaçka tha se “në të gjithë njësinë do të futemi në lagje për të parë problematikat që kanë qytetarët në raport me hapësirat dhe investimet më prioritare në ambientet ku ata jetojnë”.

Në disa qytete të vendit po zhvillohet një aksion i gjerë për lirimin e hapësirave publike të zaptuara në mënyrë të paligjshme.

1 nga 3

/k.s//a.f//r.e/

The post Lirimi i hapësirave publike në Tiranë, Balla: Dëgjojmë qytetarët cep më cep appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tryeza mbi sfidat dhe reformimin e RTSH, gazetarë dhe politikëbërës dakordësi për projektin e ri

TIRANË, 9 korrik/ATSH/ Radio Televizioni Shqiptar zhvilloi sot një tryezë diskutimi me drejtues dhe përfaqësues të Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Edukimit Publik dhe Autoritetit të Mediave Audiovizive, ekspertë të medies, përfaqësues të shoqërisë civile, si dhe të organizatave vendase e të huaja.

Qëllimi kryesor ishte diskutimi i sfidave aktuale me të cilat përballet televizioni publik dhe ndërtimi i një vizioni të qartë për të ardhmen.

Drejtoresha e përgjithshme e televizionit publik shqiptar, Eni Vasili, u ndal tek gjendja ku ndodhet sot RTSH-ja, duke theksuar nevojën e një ndryshimi që do të mbështetet tek projekti i ri, që në qendër ka vendosjen e identitetit të RTSH-së.

Një ndër pikat e vizionit për reformimin, sipas Vasilit, është rritja e pagave për punonjësit e televizionit publik.

“Stafi i RTSH-së duhet të trajtohet me më shumë dinjitet, kushte pune të përmirësuara dhe trajtim më të mirë financiar. Ndërkohë RTSH-ja duhet të rikthehet në rolin e saj historik si një shkollë mediatike që formon dhe përgatit brezat e rinj”, tha Vasili.

Vasili tha se “çdo kanal i RTSH-së duhet të ketë profil tematik të mirëpërcaktuar, për të garantuar qartësi për publikun dhe për të rritur ndikimin në segmentet përkatëse të audiencës. Në përputhje me praktikat më të mira europiane për mediet publike, nevojitet që strukturimi për RTSH-në të ndjekë modelin ‘2 plus 7’: dy kanale bazë të përgjithshme, pra, RTSH 1 dhe RTSH 2, dhe 7 kanale tematike me funksione të qarta, ku çdo kanal të ketë identitet dhe strukturë programore të dedikuar”.

“Një programacion i bazuar në formate që kanë në fokus informacionin e përditshëm dhe temat aktuale, nga e hëna në të premte, do të reflektojë më mirë standardet e kërkuara. RTSH-ja duhet të orientohet drejt formateve që forcojnë ndërveprimin me publikun dhe të përfshijnë në programacion zëra nga të gjitha shtresat sociale, komunitetet etnike dhe fetare, në funksion të një medieje publike për të gjithë, duke mos lënë mënjanë argëtimin dhe zbavitjen nëpërmjet patentave të suksesshme ndërkombëtare”, deklaroi Vasili.

Nevojën për një reformë të qëndrueshme e nënvizoi edhe kryetari i Këshillit Drejtues të RTSH-së, Fatjon Hoxhalli.

Sipas tij, RTSH-ja ka nevojë urgjente për një formulë të re financimi. Në të njëjtën linjë u shpreh edhe nënkryetari i Këshillit Drejtues, Petrit Beci, i cili më parë e ka drejtuar RTSH-në.

Në një klimë pozitive bashkëpunimi mes mazhorancës dhe opozitës, kryetarja dhe nënkryetarja e komisionit të medies, Ina Zhupa dhe Evis Kushi, shprehën njëzëri dakordësinë në mbështetje të projektit të frymës së re në RTSH.

Kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive, Armela Krasniqi shprehu gatishmërinë për çdo lloj bashkëpunimi që RTSH mund të ketë nevojë, në mënyrë që të forcojë rolin dhe efektivitetin e saj, si një media e qenësishme në tregun audioviziv shqiptar.

“Marrëdhënia ligjore AMA-RTSH është e përcaktuar në ligjin organik të AMA-s. Në funksion të kompetencave të Autoritetit, një nga detyrat kryesore tonat është edhe monitorimi dhe zbatimi i kontratës midis dy institucioneve. Aktualisht ne jemi në fazën e ndryshimeve ligjore, përafrimin e mëtejshëm me aktet dhe legjislacionin europian, prandaj çdo nevojë a propozim për bashkëpunim nga ana e RTSH-së, qoftë edhe mbështetje për ndryshime të mëtejshme ligjore, janë të mirëpritur në AMA”, tha Krasniqi.

Krasniqi u shpreh se “mbetemi në komunikim të vazhdueshëm për të përmirësuar më tej bashkëpunimin institucional dhe mbështetjen për përmbushjen e vizionit të drejtuesve të rinj për të ardhmen”.

Në tryezë ishin të pranishëm edhe ekspertë dhe figura të njohura gazetarisë televizive, të cilët e kanë nisur karrierën në RTSH dhe mbeten sot thellësisht të ndjeshëm ndaj problematikave të këtij institucioni.

Kjo konferencë gjithëpërfshirëse, që u shënjua me nota dhe mesazhe konstruktive, është një hap i rëndësishëm drejt një bashkëpunimi më të gjerë dhe pozitiv për të adresuar sfidat e RTSH-së dhe për të ndërtuar një të ardhme më të qëndrueshme për medien publike shqiptare.

Tryezë dialogu e organizuar nga RTSH, mbi sfidat aktuale të institucionit dhe vizionin për të a...
1 nga 14

/k.s//r.e//a.f/

The post Tryeza mbi sfidat dhe reformimin e RTSH, gazetarë dhe politikëbërës dakordësi për projektin e ri appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌