Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 30 July 2025Main stream

Trump, tarifa dhe gjobë për Indinë/ Shkak blerja e armëve dhe energjisë nga Rusia

30 July 2025 at 19:11

Shtetet e Bashkuara do të vendosin një tarifë prej 25% për mallrat indiane dhe veç kësaj edhe një gjobë, që nuk dihet ende sa do të jetë, për blerjen e energjisë dhe armëve ruse.

Presidenti Donald Trump tha në “Truth Social” se masat do të hyjnë në fuqi nga 1 gushti, afati i fundit që ai ka vendosur për një marrëveshje tregtare. Edhe pse e cilësoi Indinë një vend mik, Trump tha se tarifat e saj janë ndër më të lartat në botë.

“Gjithashtu, ata gjithmonë kanë blerë shumicën dërrmuese të pajisjeve të tyre ushtarake nga Rusia dhe janë blerësi më i madh i energjisë së Rusisë, së bashku me Kinën, në një kohë kur të gjithë duan që Rusia të ndalojë vrasjet në Ukrainë”, shkroi Trump.

Vitin e kaluar, SHBA kishin një deficit tregtar prej 45.8 miliardë dollarësh me Indinë. Deri vonë, SHBA ishin partneri më i madh tregtar i Indisë, me tregtinë dypalëshe që arriti në 190 miliardë dollarë në vitin 2024.

Trump dhe kryeministri indian Narendra Modi kanë vendosur një objektiv për ta dyfishuar këtë shifër në 500 miliardë dollarë.

Për vite me radhë, Uashingtoni ka kërkuar akses më të madh në sektorin bujqësor të Indisë, duke e parë atë si një treg të madh të pashfrytëzuar. Por India e ka mbrojtur atë me forcë, duke përmendur sigurinë ushqimore, jetesën dhe interesat e miliona fermerëve të vegjël.

Në prill, Trump kishte njoftuar tarifa deri në 27% për mallrat indiane, të cilat më vonë u pezulluan. Kjo e premte është afati i fundit për Indinë dhe vendet e tjera që ose të arrijnë një marrëveshje tregtare ose të përballen me tarifa në rritje.

Deri tani Trump ka arritur marrëveshje me Bashkimin Europian, duke i vendosur tarifat në 15 % dhe me Japoninë, për të cilën tarifat janë po njëlloj.

/abcnews.al/

Përvëlohet Gadishulli Iberik, zjarre në Portugali dhe Spanjë, temperatura mbi 40 gradë

30 July 2025 at 19:06

Gadishulli Iberik është goditur nga zjarret dhe valë të nxehti që i kanë çuar temperaturat deri në 40 gradë Celsius.

Portugalia vijon betejën me flakët për disa ditë me radhë, teksa në terren janë angazhuar mbi 3 mijë forca zjarrfikëse, 1 mijë automjete dhe 26 helikopterë e dronë.

Zjarri në pjesën veriore të vendit, afër kufirit me Spanjën vijon që prej mbrëmjes së të shtunës dhe kërcënon fshatrat dhe zonën e mbrojtur natyrore te Geres.

Ndërkohë një zjarr tjetër në rajonin qendror u përhap shumë shpejt për shkak të erërave të forta dhe temperaturave të larta.

Ndërkohë që një pjesë e vendit përballet me zjarret, në kryeqytetin Lisbonë temperaturat arritën thuajse 40 gradë Celsius. Kjo bëri që banorët të drejtoheshin në plazhet apo pishinat më të afërta.  Megjithatë ata shprehën shqetësimin për temperaturat e larta, që janë bërë gjithnjë e më të zakonshme.

Në Spanjën fqinje spanjolle të emergjencës po përballen me disa zjarre, ndërsa temperaturat u rritën ndjeshëm në disa rajone të vendit.

Zjarret më shqetësuese janë në rajonin e Avilës, afërsisht një orë larg Madridit.

Pavarësisht se në vitin 2025 ka pasur më shumë zjarre aktive sesa në vitet e kaluara, sipërfaqja e djegur është në krahasim deri më tani dukshëm më e vogël.

/abcnews.al/

Funerali i Ozzy Osbourne, mijëra fansa i bëjnë homazhe këngëtarit të ndjerë

30 July 2025 at 18:56

“Princi i errësirës”, Ozzy Osbourn u nderua nga mijëra fansa teksa makina që mbante arkëmortin e tij eci nëpër rrugët e Birmingham.

Shtëpia e Heavy Metal u mbush nga turmat që brohorisnin emrin e Osbourne dhe mbanin në duar pankarta lamtumire.

Makina e varrimit që mbante Osbourne, i cili vdiq të martën e kaluar në moshën 76 vjeç, eci Broad Street, rrugën kryesore të qytetit, drejt stolit të Black Sabbath, i cili u përurua në urën e kanalit Broad Street në vitin 2019.

Anëtarët e familjes ndoqën kortezhin, i cili shoqërohej nga një bandë frymore live. Fëmijët e yllit të muzikës heavy metal dhe bashkëshortja e tij Sharon Osbourne përshëndetën turmën mes lotëve për humbjen e të dshurit të tyre.

Që kur u njoftua vdekja e Osbourne, fansat kanë bërë pelegrinazhe në vende përreth Birminghamit, i cili gjatë dekadave ka fituar reputacionin e tij si vendlindja e heavy metali. Ndër bashkëmoshatarët e tij, Ozzy Osbourne ishte kumbari I kësaj rryme muzikore.

Politika e jashtme dhe integrimi/ Rexhepi: RMV, në bllokadë nga institucionet e BE, zgjedhjet e parakohshme mund të sjellin ndryshim

30 July 2025 at 17:37

Në një intervistë në emisionin “Balkan Update” në ABC News, Bajram Rexhepi foli edhe për politikën e jashtme në Maqedoninë e Veriut duke u ndalur edhe tek integrimi në BE.

Gjatë kësaj interviste, Rexhepi, u shpreh se aktualisht vendi ka një bllokadë totale sa i përket anëtarësimit dhe kjo për shkak të shumë faktorëve. Esenca sipas tij nuk është vetëm tek “debati për çështjen e emrit”, por edhe për faktin se qeveria aktuale ka një bllokadë nga të gjitha institucionet e BE, duke theksuar se ka indikacione shumë shqetësuese siç janë edhe komunikimet direkt me Kremlinin.

“Aktualisht kemi një bllokadë totale në procesin e anëtarësimit kjo për shkak të një ndryshimi kushtetues. Por esenca nuk është aty. Kjo qeveri ka një bllokadë nga të gjitha institucionet e BE , nuk kemi asnjë vizitë të një zyrtari të rëndësishëm. Më e rrezikshmja është fakti se kemi një zv. kryeministër që ka një linjë komunikimi direkt me Kremlini. Një zëvendëskryeministër që nuk e pranon Kosovës. Kemi thithje të fondeve nga Hungaria dhe shumë indikacione që janë shqetësuese, por gjykoj që zgjedhjet e parakohshme parlamentare do e ndalin këtë proces retrogradë”, tha më tej ai.

/abcnews.al/

“Partitë shqiptare, të margjinalizuara”, Rexhepi: Aktorë të papërfillshëm në vendimmarrje. Largimi i Taravarit, veprim i duhur

30 July 2025 at 17:30

Kandidati për komunën e Tetovë nga BDI, Bajram Rexhepi në një intervistë në emisionin “Balkan Update” në ABC News, foli për situatën politike në Maqedoninë e Veriut, rolin e partive shqiptare, ndërsa komentoi edhe largimin e Taravarit.

Arben Taravari, i larguar nga koalicioni VLEN dhe nga qeveria e Hristian Mickoskit, ka shpallur kandidatët e partisë së tij për zgjedhjet lokale.

Rexhepi, largimin e Taravarit e sheh si një veprim të duhur në momentin e duhur dhe një sinjal për skenën politike në Maqedoninë e Veriut dhe që sipas tij tregon që diçka në RMV nuk shkon.

Ai shtoi se do të ketë koalicione, ndërsa nënvizoi se shqiptarët “sulmohen” çdo ditë dhe se ballafaqohen me një politikë agresive ndaj shqiptarëve.

“Ajo që ndodh sot është një propagandë, pjesë nacionaliste maqedonase e kupton shtetin e Maqedonisë si një pronë etnike dhe partitë politike shqiptare fatkeqësisht janë vetëm aktorë të papërfillshëm”, tha ai.

Më tej nënvizoi se beson se zgjedhjet parlamentare mund të jetë në pranverën e ardhshme, duke lënë të nënkuptohet në këtë mënyrë për zgjedhje të parakohshme.

Po ashtu u ndal edhe te rrjeti i ri i gazit në Maqedoninë e Veriut, për të cilin tha se kanë punuar për të pasur një rrjet të gazit, megjithatë shtoi se nuk ka ende një operator që të mund të bëjë shpërndarjen.

“Ne kemi punuar shumë të ofrojmë gazin për çdo qytetar dhe pres që kjo qeveri të nisë sa më shpejt rrjetin e shpërndarjes që kjo të jetë e qasshme. Kjo ka qenë shumë e vështirë të sigurohet”, tha Rexhepi.

/abcnews.al/

Gara për Tetovën/ “Shqiptarët, provë para së vërtetës”, Rexhepi: Urbanistika, ekonomia dhe administrata tri shtyllat e programit tonë

30 July 2025 at 17:24

Partitë shqiptare kanë nisur zyrtarisht përgatitjet për zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut që do të mbahen në tetor të këtij viti.

Bajram Rexhepi kandidat për komunën Tetovë, nga BDI në një intervistë në emisionin “Balkan Update” në ABC News, foli për situatën politike në Maqedoninë e Veriut.

Gjatë intervistës, ai u shpreh se situata politike në Maqedoninë e Veriut nuk është e mire dhe se ka një politike agresive anti-shqiptare.

Programi siç tha Rexhepi fokusohet në tre shtylla kryesore që janë, plani urbanistik, zhvillimi ekonomik si edhe vëmendje ndaj administratës publike.

Më tej, nënvizoi se sondazhet kanë treguar se Bashkimi Demokratik deri më tani kryeson.

“Situata politike në RMV nuk është e zakonshme dhe këto zgjedhje nuk janë të zakonshme. Kemi disa parti që janë dis-harmoni totale, të përbuzura dhe të nëpërkëmbura. Do jetë njëlloj referendumi dhe do të përcaktojë nëse shqiptarët do të pajtohen me këtë situatë. Në kemi paralajmëruar se po ndodh një kthim i madh pas, në kuptimin e zhbërjes së të drejtave të shqiptarëve. Ne do të përgatisim një program shumë të qasshëm dhe të bazuar në 3 shtylla, që do jetë riplanifikimi komplet i Tetovës në çdo kuptim të fjalës, e dyta do të jetë zhvillimi ekonomik i Tetovës dhe do mundësohet që të ketë njerëz që do jenë në shërbim që t’i ndihmojnë investitorëve dhe e treta të bëjmë një administratë efektive, digjitale, dhe qytetarët të kenë qasje që të shohin se si harxhohen paratë e tyre”, tha ai.

/abcnews.al/

Aksident tragjik në Slloveni, të paktën 5 viktima

30 July 2025 at 16:56

Një aksident tragjik ka ndodhur në Slloveni. Të paktën pesë persona kanë humbur jetën ndërsa dy të tjera janë plagosur.

Një fugon është përplasur me një kamion. Si pasojë e aksidentit është krijuar edhe radhë e gjatë trafiku.

Sipas informacioneve paraprake shkak i aksidentit dyshohet të jetë bërë shpejtësia, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht shkaqet e aksidentit tragjik.

/abcnews.al/

Urbani përplaset me makinën, 6 të plagosur në Greqi

30 July 2025 at 16:28

Një aksident rrugor ka ndodhur në Greqi, në kryqëzimin e bulevardit Syggroi. Një urban është përplasur me një makinë. Mediat greke raportojnë për të paktën gjashtë të plagosur.

Policia edhe ambulanca mbërritën menjëherë në vendin e ngjarjes. Ndërsa të lënduarit janë transportuar në spital për të marrë trajtim mjekësor. Si pasojë e aksident është shkaktuar edhe vështirësi në lëvizje.

/abcnews.al/

Marrëveshja BE-SHBA, Macron: Nuk kemi përse t’i frikësohemi Trump, historia ende nuk ka mbaruar

30 July 2025 at 16:18

Presidenti francez Emmanuel Macron ka deklaruar se Bashkimi Europian nuk e ka shfrytëzuar fuqinë e tregut të tij të vetëm dhe se nuk ka ushtruar presion mjaftueshëm për të arritur një marrëveshje të mirë.

Më tej ai është shprehur s e SHBA duhet të jetë ajo që të ketë frikë nga BE.

Ndërsa lidhur me marrëveshjen e arritur BE –SHBA presidenti Macron nuk ka bërë një reagim kritik aq sa ishte ai i kryeministrit francez i cili e quajti marrëveshjen “si një ditë e zezë për Europën”. Më tej shtoi se ka ende kohë për të ndryshuar marrëveshjen.

“Historia nuk ka mbaruar dhe ne nuk do të ndalemi këtu”, ka thënë ai.

/abcnews.al/

GJKKO rrëzoi Berishën dhe Malltezin/ Idajet Beqiri: Me pasuritë e Saliut “mund të ndërtohen dhe dy Shqipëri të tjera”

29 July 2025 at 23:51

Ishte vendimi i gjyqtarit Erjon Çela i cili rrëzoi kërkesën e avokatit të ish-kryeministrit Sali Berishës dhe dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi për përjashtimin e trupës gjykuese të përbërë nga gjyqtarët Elsa Ulliri, Bib Ndreca dhe Rudina Palloj.

Të pandehur për dosjen “Partizani”, Berisha dhe Malltezi kërkuan që të mos gjykohen nga gjyqtarët e gjykatës së posaçme, pasi sipas tyre këto gjyqtare nuk garantojnë pavarësi dhe paanshmëri duke qenë se monitorohen apo përgjohen dhe mbikëqyren nga SPAK që është palë në këtë proces.

Avokati Idajet Beqiri në një intervistës në “Edicioni i Fundit” në ABC News, tha se ish-kryeministri Sali Berisha është një figurë politike që vetëm i ka shkaktuar dëm Shqipërisë dhe se sipas tij ka grabitur pasuritë e vendin. Siç shtoi më tej ai, nuk kanë punuar për interesat e shqiptarëve, por kanë menduar vetëm si të vjedhin popullin.

“Gjirin e Lalzit këta e kanë grabitur. Gjithë atë pasuri të madhe. Në Hamallaj ka Meta dhe Berisha. Në jugun e Shqipërisë kanë ndërhyrë me emra të tjerë. Vila në Holandë doli, në Itali doli, në Hungari ka dalë janë sekuestruar plot. Të gjitha këta do t’i shkojnë popullit. Ato që nuk kanë dalë janë 99 %. Është një punë që sa ka nisur. Aferat korruptive të tyre në mbi 30 vjet janë skandaloze. Kanë menduar vetëm si të vjedhin dhe grabisin. Kanë bërë një jetë përrallore me fëmijët e tyre”, tha ai.

/abcnews.al/

Humbën në zonën e LLogarasë, shpëtohen dy turistë italianë

29 July 2025 at 23:50

Dy turistë italianë që kishin humbur orientimin gjatë një ecjeje në natyrë në zonën malore pranë fshatit Ilias, janë shpëtuar nga ekipet e emergjencës dhe zjarrfikësit e Bashkisë së Himarës.

Autoritetet arritën t’i lokalizojnë dhe t’i shoqërojnë dy turistet në mënyrë të sigurt drejt strukturës ku po qëndronin, pa dëmtime dhe në gjendje të mirë shëndetësore

Himara mbetet një destinacion i bukur dhe i sigurt, por gjithmonë rekomandohet të tregohet kujdes i shtuar gjatë ecjeve në zona të thella natyrore dhe ndjekjen e shtigjeve të sinjalizuara.

SPAK, gati dosjen për “Metat”/ Avokati: Tre vepra penale, 12 vjet burg

29 July 2025 at 23:43

Në një intervistë në “Edicionin e Fundit” në ABC News, u shpreh se çifti Meta-Kryemadhi ka shkaktuar dëme shumë të mëdha. Gjatë intervistës tha se Meta ka përfituar nga postet e tij dhe pasuritë e vendit i kanë shfrytëzuar dhe i kanë privatizuar. Ndërsa komentoi dosjen për “Metat”, avokati nënvizoi se kanë tre vepra penale të rënda dhe nisur nga kjo dënimet janë 12 vite burg për secilin prej tyre ndërsa shtoi se ka edhe një sërë kallëzimesh të tjera që mbeten për tu parë.

“Kanë tre vepra penale që janë të rënda. Këto vepra penale si korrupsioni pasiv, pastrimi i parave të pista, fshehja e të ardhurave, nuk janë më poshtë se 12 vite burg për çdonjërit nga këta. Po ju them se janë vetëm për këta sepse ka një sërë kallëzimesh të tjera. Pas dërgimit të çështjes në gjyq, pavarësisht se ka ikur me leje avokati i tij. Nuk dua ta fyej por ai nuk di nga ta nisë ta lexojë atë dosje. Çështja do shkojë te gjyqtari i seancës paraprake brenda muajit dhe ai gjyqtari afatin maksimal e ka një muaj dhe Ilir Meta me Monika Kryemadhi, por edhe me Fatimen do të përgjigjen”, tha ai.

/abcnews.al/

“Familje kriminale”/ Avokati: Çifti Meta, 27 afera korruptive. Nëna e Monikës pastronte paratë shtetërore

29 July 2025 at 23:42

Avokati Idajet Beqiri është shprehur tejet kritik ndaj ish-deputetes Monika Kryemadhi dhe Ilir Meta, ndërsa komentoi dosjen “Meta”. Lidhur me këtë çështje në SPAK është paraqitur këtë të martë Kryemadhi dhe nëna e saj Fatime Kryemadhi, për t’u njohur me akuzat e ngritura ndaj tyre në lidhje me dosjen cez dia dhe skandalin e lobimit të LSI në SHBA.

Gjatë intervistës në “Edicioni i Fundit” në ABC News, avokati u shpreh se pasuritë e Metës dhe të Kryemadhi, janë pasuri kriminale. Ndërsa nënvizoi se nëna e Kryemadhit ka bashkëpunuar në pastrimin e parave.

“Është një familje kriminale. Një familje që ka bashkëpunuar në aferat korruptive që ka bërë dhe ka fshehur të ardhurat duke përdorur njëri-tjetrin. Ka përdorur edhe nënë e vet. Kjo është maja e ajsbergut sepse të flasësh për aferat korruptive të tyre duhen ditë të tëra. Janë rreth 27 dosje të tilla si kjo që ka shkuar çështja tashmë më gjyq. SPAK ka çuar në gjyq si për CE/DIA, për lobimin në SHBA apo edhe për fshehje të të ardhurave dhe mos justifikimin e një numri shpenzimet të jashtëzakonshme luksi. Sidomos edhe për operacione estetike janë të rënda. Krimet më të mëdha të Metës, Kryemadhit, të kunatit të tij të vëllait të Kryemadhit. Të hetojë të gjitha makinat që ishin të vjedhur, si u legalizuan? Kush i mori paratë? Meta me kunatin e vet. Ndërsa nëna e Kryemadhit është bashkëpunëtore. Pastronte paratë. Ku i gjetën gjithë ato para që u bënë me pasuri. I pruri me vete nga Dibra? Jo ishin pasusi shtetërore, i mori Meta duke shfrytëzuar postin dhe i bëri private. I hodhi në emrin e vjehrrës së vet që u bë edhe e pasura më e madhe. Pra ajo është pjesë e krimit sepse pasuritë që kanë vënë nuk justifikohen me asnjë mjet”, tha ndër të tjera ai.

Dëshmi…me kushte/ Ghislaine Mawell kërkon imunitet të plotë për të folur para Kongresit

29 July 2025 at 23:35

Ghislaine Maxwell është ofruar të dëshmojë para kongresit amerikan, por duke vendosur si një nga kushtet më të rëndësishme, garantimin e imunitetit ndaj saj.

Avokatët e bashkëpunëtores dhe partneres së Jeffrey Epstein, i dërguan një letër Kryetarit të Mbikëqyrjes së Dhomës së Përfaqësuesve, James Comer, i cili e ka thirrur Maxwell për të dëshmuar muajin e ardhshëm.

Në kushtet që parashtrohen në letër, veç imunitetit është edhe kushti që ajo të mos merret në pyetje në burgun ku po vuan dënimin e po ashtu që Maxëell t’i shohë paraprakisht pyetjet të cilave do u përgjigjet.

Gjithashtu dëshmia duhet të jepet pasi Gjykata Supreme të marrë një vendim për apelimin e dënimit të saj, gjë që nuk ka gjasa të ndodhë të paktën deri në tetor, kur gjykatësit rifillojnë punën pas pushimit të verës.

Një zëdhënëse e Komitetit Mbikëqyrës hodhi poshtë idenë e dhënies së imunitetit të Maxwell, duke thënë se as nuk do të shqyrtohet.

Nëse Maxwell do të arrinte të siguronte imunitet, ajo do të kishte mbrojtje të plotë nga ndjekja penale për çdo krim që lidhet me dëshminë që ajo jep. Kjo do të thotë se ajo nuk mund të akuzohet për ato krime, edhe nëse ka prova të tjera të përfshirjes së saj.

Maxwell është dënuar me 20 vite burg për bashkëpunim me Jeffrey Epstein, duke rekrutuar vajza të mitura dhe duke e ndihmuar atë t’i abuzonte. Ndërkohë ish-financieri vrau veten në një burg në vitin 2019, në pritje të gjyqit ndaj tij.

Yesterday — 29 July 2025Main stream

Përdorimi i IA në rritje/ Sondazhet: Të rinjtë amerikanë, ndër përdoruesit me aktivë

29 July 2025 at 22:57

Inteligjenca Artificiale është bërë një personazh i rëndësishëm në përditshmërinë e shumë njerëzve, shpesh duke zëvendësuar edhe ndërveprimin në jetën reale.

Sipas një sondazhi të “Associated Press” në bashkëpunim me NORC, shumica e të rriturve në SHBA përdorin inteligjencën artificiale për të kërkuar informacion, por më pak po e përdorin atë për punë, hartimin e email-eve ose blerje.

Ndërkohë më të rinjtë kanë më shumë gjasa ta përdorin inteligjencën artificiale për shkëmbim idesh dhe detyra të ndryshme.

Sipas sondazhit 60% e amerikanëve në përgjithësi dhe 74% e atyre nën 30 vjeç – përdorin inteligjencën artificiale për të gjetur informacion të paktën një pjesë të kohës.

Vetëm rreth 4 në 10 amerikanë thonë se kanë përdorur IA për detyra pune ose për të marrë ide, një shenjë se premtimet e industrisë së teknologjisë për asistentë virtual shumë produktivë nuk kanë prekur shumicën e jetesës pas viteve të promovimit dhe investimeve.

Në të njëjtën kohë, përdorimi më i gjerë i IA nga amerikanët e rinj tregon se kjo mund të ndryshojë.

Ekziston një ndarje veçanërisht e madhe moshore në idetë e stuhishme; Rreth 6 në 10 të rritur nën moshën 30 vjeç kanë përdorur IA për të krijuar ide, krahasuar me vetëm 2 në 10 të atyre të moshës 60 vjeç e lart.

Nga tetë opsionet e ofruara në pyetjet e sondazhit, kërkimi i informacionit është mënyra më e zakonshme që amerikanët kanë bashkëvepruar me IA. Ndërkohë përdorimi i IA për shoqëri është më i zakonshëm për të rinjtë, edhe pse nuk është mjaft i përhapur.

/abcnews.al/

Virusi i Nilit perëndimor/ Pesë viktima në Itali. 28 të infektuar në rajonin e Latines

29 July 2025 at 22:29

Të paktën 5 persona kanë humbur jetën nga virusi i Nilit Perëndimor në Itali këtë vit. Në rajonin e Kampanjës, me kryeqytet Napolin, një burrë 80-vjeçar me sëmundje humbi jetën ditën e hënë.

Pak kohë më parë, u njoftua gjithashtu se në fund të javës së kaluar, një burrë 74-vjeçar që vuante nga dështimi i veshkave dhe ishte infektuar me virusin, humbi jetën, gjithashtu në një spital të Napolit.

Javën e kaluar, tre persona të tjerë vdiqën nga ndërlikimet e shkaktuara nga virusi në zonën më të gjerë të Latinës dhe në qytetin e Novarës, pranë Torinos.

Mjekët italianë theksojnë se në shumicën e rasteve, kushdo që është i infektuar me virusin, i cili transmetohet nga mushkonjat, mbetet asimptomatik ose kalon simptomat e ngjashme me gripin brenda pak ditësh, pa pasur nevojë të shtrohet në spital.

Megjithatë, tek të moshuarit me sëmundje dhe sistem imunitar të dobësuar, ekziston një shans më i madh për probleme më serioze, duke filluar me ndërlikime serioze në sistemin neurologjik.

Krahasuar me vitin e kaluar, numri i përgjithshëm i rasteve deri më tani nuk është rritur. Ajo që ka ndryshuar është regjistrimi i përqindjes më të madhe të rasteve, deri më tani janë 28 në rajonin e Latinës, ku ka fusha të gjera me zona bujqësore dhe, deri një shekull më parë, malaria ishte veçanërisht e përhapur.

/abcnews.al/

“Numërimi mbrapsh nisi”, Trump i kujton ultimatumin Putin: Ke 10 ditë kohë

29 July 2025 at 22:05

Duke filluar nga data 29 korrik, Vladimir Putin ka 10 ditë kohë për të arritur një armëpushim me Ukrainën, ndryshe Rusia do të të përballet me sanksione.

Presidenti amerikan Donald Trump u tha gazetarëve në avionin e tij Air Force One teksa kthehej nga Skocia, se duke filluar nga e marta, hyn në fuqi afati që ai i vendosi homologut rus.

Trump tha se Shtetet e Bashkuara do të vendosin tarifa dhe sanksione të tjera ndaj Rusisë nëse marrëveshja e armëpushimit nuk arrihet. Kreu i Shtëpisë së Bardhë tha se nuk e di ndikimin që tarifat mund të kenë ndaj Rusisë dhe se Putin ndoshta do ta vazhdojë luftën, por ky vendim do të përballet me pasoja.

Ditën e hënë gjatë një takimi me kryeministrin britanik Keir Starmer, presidenti amerikan vendosi një afat të ri ndaj liderit rus, duke kërcënuar me sanksione të reja nëse Moska nuk ndërmerr hapa për të ulur tensionet.

Afati i ri ishte 10 deri në 12 ditë, ndryshe nga ai prej 50 ditësh që kishte vendosur rreth dy javë më parë.

Sipas medias amerikane Bloomberg, masat që po shqyrtohen përfshijnë sanksione dytësore që do të godisnin jo vetëm Rusinë, por edhe vendet e treta që vazhdojnë të blejnë produkte ruse, siç është nafta.

Qëndrimi i Trump ndaj Vladimir Putin ka ndryshuar tërësisht javët e fundit. në fillim të mandatit të tij të dytë në Shtëpinë e Bardhë, Trump kishte thënë vazhdimisht se kreu i Kremlinit dëshiron t’i japë fund luftës, por Ukraina po bëhet pengesë. Së fundmi presidenti amerikan ka deklaruar të kundërtën, duke e kritikuar ashpër Vladimir Putin.

❌
❌