Dështon sërish seanca për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, rrëzohet kandidatura e Muratit
PRISHTINË, 22 gusht/ATSH/ Deputetët e legjislaturës së nëntë kanë dështuar sërish sot për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Lëvizja Vetëvendosje propozoi për kryeparlamentar emrin e Hekuran Muratin
Deputetët e partive të tjera nuk dhanë mbështetje për kandidaturën e tij. Në votim morën pjesë 115 deputetë nga ku 57 deputetë votuan pro, 52 kundër dhe 6 deputetë abstenuan. Kjo ishte tentativa e 56.
Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese thotë se deputetët duhet të zgjedhin me votim të hapur kryeparlamentarin, si dhe një kandidat për kryeparlamentar mund të votohet vetëm deri në tre herë.
Konstituimi i Kuvendit të Kosovës po konsiderohet si urgjencë shtetërore edhe nga presidenca e cila përmes një përgjigjje për KosovaPress tha se Kosova duhet të ketë sa më parë institucionet në periudhën sfiduese globale dhe rajonale.
Presidenca e konsideron urgjencë shtetërore konstituimin sa më të shpejtë të institucioneve të dala nga vullneti i popullit. Në këtë periudhë të zhvillimeve dinamike në kontinent dhe sfidave globale që e prekin edhe rajonin tonë, krijimi sa më i shpejtë i institucioneve të reja në përputhje me procedurat e parapara në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese është jetik për stabilitetin, përfaqësimin demokratik dhe për adresimin e interesave të qytetarëve”, kanë thënë nga Presidenca për KosovaPress.
Kujtojmë që deri para aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi i Kosovës dështoi konstituimin në 54 tentativa.
Gjykata Kushtetuese e publikoi vendimin me 8 gusht, ndërsa si të plotë e publikoi të hënën e 18 gushtit.
/a.f/
The post Dështon sërish seanca për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, rrëzohet kandidatura e Muratit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.