Rama: Terminali i autobusëve në Sarandë, investim që përmirëson qarkullimin e mjeteve
TIRANË, 14 korrik/ATSH/ Punimet për ndërtimin e terminalit të ri të autobusëve në Sarandë po ecin me ritme të larta.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga kantieri i Stacionit të Autobusëve në Sarandë, një investim që do të përmirësojë ndjeshëm qarkullimin e mjeteve.
Ndërsa e cilësoi si “Qendrën e Mirëseardhjes”, Rama u shpreh se “terminali do të përmirësojë qarkullimin dhe mikpritjen në hyrje të qytetit”.
Terminali i ri i autobusëve garanton hapësira për parkim për makina, si dhe zona të dedikuara për autobusë, taksi dhe mjete elektrike.
Po ashtu ky terminal do të ketë edhe hapësira të posaçme për motorë e biçikleta, si dhe zyra shërbimi për vizitorët.
I vendosur në një strukturë me tre kate, terminali ka një sipërfaqe prej 3700 m² për çdo kat.
Terminali i autobusëve është shumë i rëndësishëm për Sarandën, pasi fluksi i turistëve dhe numri i autobusëve që hyjnë dhe dalin në Sarandë është shumë i madh, sidomos gjatë sezonit veror.
/m.m//r.e//a.f/
The post Rama: Terminali i autobusëve në Sarandë, investim që përmirëson qarkullimin e mjeteve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.