TIRANË, 21 korrik/ATSH/ Kryeministri Edi Rama tha sot se “përpjekja jonë do të jetë që të ndërtojmë një frymë dhe një rend komunitar në të gjitha qytetet tona, në Tiranë, në Vlorë, në Durrës dhe kudo qoftë”.
Duke folur lidhur me zënien e një territori brenda një hapësire të një komuniteti me pretendimin se “është prona ime”, Rama tha se “kjo konsiderohet vepër penale. Pra, në rast se dikush me pretendimin se ka pronën e vet vendos një tra për të marrë para nga njerëzit që jetojnë aty, se është prona e vet në mes të pallateve, kjo është vepër penale”.
“Ashtu sikundër, çdolloj okupimi tjetër, çdolloj zënie tjetër e rrugës, çdolloj bllokimi që i shkaktohet njerëzve në jetën e tyre të përditshme, me idenë që kjo është prona ime, është vepër penale. Është diçka që e kemi konsultuar me të gjitha legjislacionet dhe nuk ndodh në një qytet me rend ligjor që dikush në emër të pronës së vet të bëjë çfarë të dojë, kur nuk është në pyll, por është në qytet, dhe nga ana tjetër kemi adresuar me ligjin e fundit për bashkëpronësinë një element shumë të rëndësishëm që prej kohësh nuk është adresuar dhe prandaj ka prodhuar dhe probleme, elementin e bashkëpronësisë së truallit përreth një godine”, nënvizoi Rama.
Pra, vijoi Kryeministri, nëse një grup pronarësh bëjnë marrëveshje me një ndërtues për të ndërtuar një pallat dhe ai pallat ndërtohet në një përqindje të atij territori që është prona, se nuk ndërtohet me vijën e pronës, por ndërtohet sipas logjikës së të gjithë bllokut të banimit, gjithçka tjetër që nuk përfshihet në trupin e pallatit nuk është më prona e pronarëve që ishin në fillim, kur bënë marrëveshjen, por njësoj siç janë shkallët e brendshme, siç është tarraca, siç është çdo mjedis i përbashkët është pronë e përbashkët, e të gjithëve.
“Dhe në këtë pikë lind nevoja që të marrë një masë ligjore për të prapakthyer të gjitha llojet e dokumenteve që rezultojnë në shkelje të këtij parimi dhe në shkelje të pronësisë së të gjithë këtyre komuniteteve. Nuk mundet dot dikush me një dokument të prodhuar më parë, të thotë ‘unë jam këtu dhe kam këtë lokalin bashkë me këtë çatinë’, ndërkohë që aty është në fakt në një pronë nga e cila e ka humbur të drejtën, se ndërkohë ka marrë të drejta të tjera nga pallati që është ndërtuar”, theksoi Rama.
Kryeministri Rama tha se “e fundit që kam në këtë pikë, është prona ka karakter individual, por ka dhe karakter social, kur është fjala në një hapësirë ku jeton shoqëria, nuk jeton Robinson Kruzo dhe për këtë arsye gjithë përpjekja jonë do të jetë që të ndërtojmë një frymë dhe një rend komunitar në të gjitha qytetet tona, në Tiranë, në Vlorë, në Durrës dhe kudo qoftë. Dhe të gjithë ata, të cilët do t’i bien ndesh, jo qeverisë, as bashkisë, ne jemi më dobëtit në këtë anë, por do t’i bien ndesh të drejtës së fortë dhe të patundshme të komunitetit dhe të familjeve që kanë vendosur të jetojnë në një pellg komunitar së bashku, – do të përballen me forcën më të ashpër të mundshme të ligjit dhe të shtetit”.
“E vërteta është që një pjesë jo e vogël, dhe mund të korrigjoni, e ka kuptuar dhe është përfshirë vetë në çmontimet e këtyre ngrehinave, një pjesë jo e vogël dhe i falënderoj. Patjetër, që ne nuk jemi këtu për ‘të fshirë’ nga dheu i Tiranës dhe i qyteteve të tjera biznesin, nuk jemi këtu për të dëmtuar askënd, nuk jemi këtu për ta kthyer Tiranën në Teheran. Ky është kryeqyteti i Mesdheut, ky vend është mesdhetar, qëndrimi i njerëzve jashtë, karriget, tavolinat janë gjëja më normale. Por jo në rrugën ku ecin njerëzit dhe ku ecin nënat me fëmijë, prandaj duhet të ketë një ndarje racionale të hapësirës së trotuarve, pjesa më e madhe e trotuarit është e këmbësorëve. Pjesa dërrmuese e hapësirave brenda pallateve është e komuniteteve. Nuk mund të ketë brenda pallateve, situata ku gjithë sheshi, siç ishte një rast i pabesueshëm, gjithë sheshi brenda pallateve ishte i mbuluar me çati, dhe njerëzit për të shkuar nëpër shtëpi hynin nëpër disa korridore midis lokaleve prej hekuri dhe prej xhami”, tha Rama.
/k.s//r.e/
The post Rama: Zënia e territorit brenda një hapësire të komunitetit, konsiderohet vepër penale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.