Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 26 July 2025Main stream

Vengu: Vendoset nën kontroll zjarri në fshatin Markat në Konispol

TIRANË, 26 korrik /ATSH/ Zjarri në fshatin Markat në Konispol është vendosur nën kontroll, falë ndërhyrjes së shpejtë dhe të koordinuar të forcave në terren.

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu ndau sot pamje nga operacioni I shuarjes së zjarrit në këtë fshat, ku morën pjesë  2 automjete zjarrfikëse me 6 efektivë nga MZSH Konispol, 2 automjete me 12 efektivë nga BMEC dhe 1 helikopter i Forcave të Armatosura.

Vengu theksoi se falë reagimit të menjëhershëm, u shmang përhapja e flakëve në zona të banuara dhe me rëndësi bujqësore.

1 nga 5

/gj.m/

The post Vengu: Vendoset nën kontroll zjarri në fshatin Markat në Konispol appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama ndan pamje nga plazhi i Golemit

TIRANË, 26 korrik /ATSH/ Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga plazhi i Golemit.

Plazhi i Golemit, i ndodhur në zonën e Kavajës vetëm pak kilometra nga Durrësi dhe rreth 40 minuta nga Tirana, mbetet një nga destinacionet më të preferuara të pushuesve vendas dhe të huaj gjatë sezonit veror.

Me një vijë bregdetare të gjatë, rërë të artë, ujëra të pastër kristal dhe një peizazh që përputh natyrën me infrastrukturën turistike, Golemi është kthyer në një magnet për turizmin bregdetar shqiptar.

Vitet e fundit janë shtuar ndjeshëm hotelet, resortet, vilat dhe restorantet që ofrojnë shërbime cilësore dhe mikpritje tradicionale.

Së fundmi në këtë plazh mudn të shijohet edhe një eksperienca off-road në plazhin e Golemit.

Kjo iniciativë e veçantë ofron udhëtime nëpër shtigje të fshehura dhe terrene sfiduese, ku natyra e egër takon emocionin e aventurës.

Destinacioni është ideal për të zbuluar peizazhe të mrekullueshme dhe vende që rrallë shihen nga turistët e zakonshëm.

Turizmi off-road është një formë e turizmit aventurier që konsiston në udhëtime dhe eksplorime nëpër terrene të vështira, natyrore dhe jashtë rrugëve të asfaltuara, duke përdorur mjete të posaçme si fuoristrada (4×4), quad, motoçikleta etj.

/gj.m/

The post Rama ndan pamje nga plazhi i Golemit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Temperatura e larta, OST dhe OSHEE rrisin gatishmërinë për furnizimin me energji elektrike

TIRANË, 26 korrik /ATSH/ Strukturat e sektorit energjetik kanë rritur gatishmërinë në rang vendi, për të minimizuar problemet e furnizimit me energji, në kushtet e rritjes së temperaturave.

OST dhe OSSH, po ndërveprojnë ngushtësisht për të eliminuar sa më shpejtë pasojat që sjell rritja e konsumit dhe regjimi i sforcuar i funksionimit të pajisjeve elektrike.

Konkretisht, linja 110kV Elbasan – Kusath u stakua për shkak të dëmtimit të transformatorit të rrymës, problem që u zgjidh menjëherë nga grupet e OST, duke zëvendësuar në kohë rekord pajisjen.

Në Bistricë, nënstacioni 110/35kV pati problem me transformarorin, duke sjellë stakim të energjisë elektrike deri në 15 minuta për dy nënstacionet e Sarandës dhe atë të Gjirokastrës.

Brigadat e OST dhe OSSH morën masa të menjëhershme për zëvendesimin e pajisjes së dëmtuar në pronësi të Kurum, dhe rikthyen në funksion të plotë sistemin e transmetimit.

Po këto ditë, konkretisht dje, pati një zjarr tek transformatori i fuqisë 110/10kV, në nënstacionin e Ibes, Tiranë. Përmes skemës unazë iu dha energji elektrike brenda një kohe të shkurtër pjesës më të madhe të zonave të prekura.

Brigadat e OSSH dhe OST kanë punuar pa ndërprerje për rivënien në punë dhe zëvendësimin e pjesëve elektrike të dëmtuara në nënstacionin e Ibës. Ky nënstacion është kycur dhe rivendosur në regjim pune sot rreth orës 11.00 të ditës së shtunë.

Situatë që kërkonte kujdes të shtuar ishte edhe stakimi i rrjetit 400kV Zemblak-Kardia, për shkak të zjarrit që ra në pjesën greke, në afërsi të nënstacionit Kardia. Probleme pati edhe në linjën 150kV Bistricë – Mourtos. Problemet me dy linjat e transmetimit nuk sollën stakime për konsumatorët pasi u furnizuan nga linjat paralele.

Stafi i OST është në koordinim me OST greke për koordinimin e veprimeve të rikyҫjes së këtyre linjave. Në tërësi, falë masava të mara nga OSSH dhe OST, situata aktuale e furnizimit me energji elektrike paraqitet stabël.

Autoritetet bëjnë apel për mirëkuptim në zonat ku për arsye sigurie, për shkak të zjarreve, mund të jetë e nevojshme ndërprerja e përkohshme e energjisë.

/gj.m/

The post Temperatura e larta, OST dhe OSHEE rrisin gatishmërinë për furnizimin me energji elektrike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Osmani: Adem Demaçi ishte simboli i qëndresës

PRISHTINË, 26 korrik /ATSH/ Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar sot me respekt figuren e veprimtarit të çështjes kombëtare, Adem Demaçit, duke e cilësuar atë si simbolin e qëndresës, disidentin e pathyeshëm dhe zërin e të pambrojturve.

Presidentja Vjosa Osmani ka shkruar në Facebook se Adem Demaçi ishte simboli i qëndresës, disidenti i pathyeshëm, zëri i të pambrojturve, kritiku i pandalshëm dhe njeriu i lirë edhe kur ishte prapa grilave.

“Në vend të hakmarrjes, ai predikoi paqen. Në vend të urrejtjes, ai mbolli pajtimin. Në vend të frikës, ai fliste me guxim për të vërtetën. Ai sakrifikoi lirinë e tij individuale për lirinë kolektive të popullit të tij. Emri i tij do të jetojë sa vetë liria! Qoftë i përjetshëm kujtimi për Bacën Adem”, ka shkruar Osmani.

Sot, janë mbushur shtatë vjet që kur ndërroi jetë veprimtari i çështjes kombëtare, Adem Demaçi, i njohur si Mandela i Kosovës.

Me prejardhje nga fshati Lupq i Podujevës, Demaçi u lind më 26 shkurt 1936 në Prishtinë. Adem Demaçi ishte veprimtar për kauzën kombëtare në kohën e Jugosllavisë dhe luftonte për barazinë e Kosovës me republikat e tjera.

Për angazhimin e tij politik, Adem Demaçi vuajti 28 vjet me radhë në burgjet e Jugosllavisë. Pasi u lirua ai menjëherë vazhdoi aktivitetin e tij politik. Ai u quajt edhe Nelson Mandela i Evropës.

Adem Demaçi udhëhoqi Këshillin për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut (KMDLNJ) nga viti 1990 deri në vitin 1995. Në vitin 1991 u nderua nga Parlamenti Evropian me Çmimin Saharov. Gjatë periudhës 1998-1999, kur mbaheshin takimet në Rambouillet për të ardhmen e Kosovës, ai ishte zëdhënës politik i UÇK-së. Ishte njëkohësisht kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës (2005-2007). /Kosovapress/

The post Osmani: Adem Demaçi ishte simboli i qëndresës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dështon sërish konstituimi i Kuvendit në Kosovë, seanca mblidhet sërish në orën 22:00

PRISHTINË, 26 korrik /ATSH/ Ka dështuar sot edhe përpjekja e 53-të për konstitumin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës.

Propozimi për komisionin për të organizuar votimin e fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit mori vetëm 56 vota.

Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari tha se në kuadër të përpjekje të vazhdueshme për konstituimin e Kuvendit, vazhdon sonte në orën 22:00 tentativa e fundit para skadimit të afatit të Kushtetueses.

Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme ndaj seancave të Kuvendit, që nga e diela 27 korrik deri më 8 gusht.

Kujtojmë, Lëvizja Vetëvendosje, Guxo e Alternativa në seancat e deritanishme kanë dështuar të sigurojnë votat për kryetar të Kuvendit. /Kosovapress/

The post Dështon sërish konstituimi i Kuvendit në Kosovë, seanca mblidhet sërish në orën 22:00 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MM: Nesër pritet rrezik maksimal për zjarre në të gjitha qarqet e vendit

TIRANË, 25 korrik /ATSH/ Ministria e Mbrojtjes njoftoi sot se, në datën 26 korrik pritet rrezik maksimal për zjarre në të gjitha qarqet e vendit.

Sipas të dhënave të raportuara në Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, IGJEUM dhe Qendrën e Koordinimit të Emergjencave Civile të BE-së (ERCC), në datën 26 korrik pritet rrezik maksimal për zjarre në të gjitha qarqet e vendit, bën të ditur MM.

MM thekson se, Komiteti i Mbrojtjes Civile ka kërkuar nga të gjitha institucionet që të rrisin gatishmërinë dhe bashkëpunimin ndërinstitucional, ndërsa qytetarët i ftojmë të tregojnë kujdes të shtuar, të mos ndezin zjarre në hapësira të hapura dhe të raportojnë çdo rast të dyshimtë tek autoritetet.

/r.e/

The post MM: Nesër pritet rrezik maksimal për zjarre në të gjitha qarqet e vendit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Begaj viziton në QSUT komisar Agim Trocin që pësoi djegie nga zjarri në Delvinë

TIRANË, 25 korrik /ATSH/ Presidenti i Republikës, Bajram Begaj vizitoi mbrëmjen e sotme në urgjencën e QSUT-së shefin e Komisariatit të Delvinës, komisar Agim Troci, i cili pësoi djegie në bark, krah dhe këmbë gjatë përpjekjeve për të ndihmuar në shuarjen e një zjarri në zonën e Senicës, Delvinë.

Presidenti vlerësoi aktin e guximshëm dhe përkushtimin e komisar Trocit dhe dha një mesazh ndërgjegjësues për qytetarët:

“Vlerësoj maksimalisht angazhimin e forcave zjarrfikëse, emergjencave civile, forcave të armatosura dhe pushtetit vendor në përballimin e kësaj situate të vështirë me temperatura shumë të larta.

Ftoj qytetarët të tregojnë kujdes dhe përgjegjësi – parandalimi fillon nga secili prej nesh. Bashkëpunimi dhe kontributi me këto struktura është thelbësor për sigurinë e jetës dhe të pronës.

Çdo akt zjarrvënieje është i dënueshëm dhe sjell pasoja të rënda për jetën dhe pasurinë”, u shpreh Begaj.

Presidenti Begaj theksoi se institucionet janë në gatishmëri të plotë dhe të pranishme në të gjitha zonat më problematike të vendit.

/r.e/

The post Begaj viziton në QSUT komisar Agim Trocin që pësoi djegie nga zjarri në Delvinë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 25 July 2025Main stream

Proda viziton në QSUT efektivin që pësoi djegie gjatë zjarrit në Delvinë

TIRANË, 25 korrik /ATSH/ Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, i shoqëruar nga drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, Elton Alushi, vizitoi në repartin e djegieve në QSUT shefin e Komisariatit të Policisë Delvinë, Komisar Agim Troci, i cili pësoi djegie të shumta gjatë përpjekjeve për të shpëtuar disa të moshuar që nuk dilnin dot nga zona e zjarrit në fshatin Vergo të Delvinës.

Proda është interesuar që në momentet e para për gjendjen e tij dhe ka ndjekur nga afër organizimin e transportimit me helikopter drejt Tiranës, menjëherë sapo është njoftuar për ngjarjen.

Gjatë vizitës, drejtori i përgjithshëm është interesuar pranë stafit mjekësor për gjendjen shëndetësore të Shefit të Komisariatit, duke i uruar atij shërim të shpejtë dhe e ka përgëzuar për aktin e tij të guximshëm dhe human.

Po ashtu, ai ka vlerësuar të gjithë punonjësit e Komisariatit të Policisë Delvinë që sot kanë rrezikuar jetën e tyre për të shpëtuar nga flakët shumë banorë pjesa më e madhe të moshuar, në fshatrat e Delvinës, si pasojë e një zjarri të madh të favorizuar nga era, që ka përfshirë shumë zona të banuara.

Nga QSUT, Proda theksoi se, “shefi i Komisariatit Agim Troci është shembulli më i mirë i përkushtimit dhe sakrificës që mishëron një oficer i Policisë së Shtetit. Ai veproi me guxim dhe ndjenjë të lartë përgjegjësie, për të mbrojtur jetën e të tjerëve. Dua të falënderoj të gjithë, përfshirë Nënkomisar Eridionin, i cili ka pësuar asfiksi dhe po merr ndihmë mjekësore në Spitalin e Delvinës, si dhe gjithë punonjësit e Komisariatit të Policisë Delvinë që, nën drejtimin e Komisar Trocit, me përkushtim dhe guxim, mbështetur dhe nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, kanë shpëtuar dhjetëra jetë qytetarësh, duke bërë të mundur evakuimin nga banesat e tyre deri jashtë zonës së rrezikut. Edhe disa punonjës të tjerë kanë pësuar. Ky akt është një shembull frymëzues i përkushtimit dhe humanizmit të efektivëve në krye të detyrës.”

Në zonën e përfshirë nga zjarri, në fshatrat Senicë, Vergo dhe Kopaçëz, vijon ndërhyrja intensive e shërbimeve të Zjarrfikëses, Emergjencës Civile, Policisë dhe Ushtrisë, për neutralizimin e vatrave dhe garantimin e sigurisë së banorëve.

Policia e Shtetit ndodhet aty, në krah të qytetarëve. Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, Elidon Çela, ndodhet në zonë për menaxhimin e situatës.

Policia e Shtetit apelon për kujdes të shtuar nga qytetarët, veçanërisht gjatë lëvizjes në zonat me bimësi të dendur dhe në ato të ekspozuara ndaj zjarreve. Çdo veprim i pakujdesshëm, si ndezja e zjarrit në natyrë, hedhja e cigareve apo djegia e mbeturinave, mund të sjellë pasoja të rënda për jetën dhe mjedisin.

Policia po bashkëpunon me banorët dhe gjithë instancat e tjera shtetërore për të identifikuar dhe vënë para përgjegjësisë ligjore autorët e zjarrvënieve në disa rrethe të vendit, ku në disa raste janë identifikuar dhe arrestuar në flagrancë.

/gj.m//r.e/

The post Proda viziton në QSUT efektivin që pësoi djegie gjatë zjarrit në Delvinë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Shqipëria e bukur”, Rama ndan foto nga plazhi i Zvërnecit

TIRANË, 25 korrik /ATSH/ Kryeministri Edi Rama ndau sot foto nga plazhi i Zvërnecit në Vlorë.

Zvërneci është një nga destinacionet natyrore që tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë me bukuritë e tij unike.

Pas investimeve të fundit dhe ndërtimit të urës, turistë të shumtë zgjedhin të kalojnë në çdo stinë ditët me diell në ishullin e bukur, brenda Lagunës së Nartës.

Përveç bukurisë natyrore që Zvërneci ka, interes të veçantë paraqet për vizitorët Manastiri i Shën Mërisë, i cili ndodhet në ishullin e Zvërnecit dhe ku mund të shkohet me një urë të ngushtë këmbësorësh prej druri. Manastiri është një ndërtim tipik bizantin i ndërtuar në shek. X pas Krishtit. Ndërtimi i tij, historia, gojëdhënat e bëjnë këtë resurs tërheqës në çdo stinë të vitit.

/gj.m//r.e/

The post “Shqipëria e bukur”, Rama ndan foto nga plazhi i Zvërnecit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ARRSH ndërhyrje në urën e Milotit, ndërpritet qarkullimi

TIRANË, 25 korrik /ATSH/ Autoriteti Rrugor Shqiptar njoftoi sot se, ura auto-hekurudhore e Milotit, me një gjatësi prej 788 metrash, paraqet një rrezik serioz për qëndrueshmërinë dhe sigurinë e kalimit, si pasojë e dëmtimeve të konsiderueshme në themelet mbështetëse, erozionit të theksuar në bazament, për shkak të shfrytëzimit të pakontrolluar të zhavorrit të lumit, dhe gërryerjeve në të gjithë shtratin lumor.

Bazuar në ekspertizën teknike dhe duke marrë parasysh trafikun e rënduar, veçanërisht gjatë sezonit veror, ARRSH bën të ditur se, është marrë vendimi për mbylljen e plotë të urës dhe ndërprerjen e qarkullimit, deri në përfundim të projektndërhyrjes emergjente që po hartohet nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, në bashkëpunim me Universitetin Politeknik të Tiranës. Kjo ndërhyrje do të zbatohet menjëherë në ditët në vijim.

Ndërkohë, ndërtimi i urës krejtësisht të re është parashikuar nga ARRSH si pjesë e programit “100 Ura”, i cili realizohet me mbështetjen e Bankës Botërore.

Gjatë periudhës së ndërhyrjes, ARRSH rekomandon përdorimin e rrugëve alternative: Rruga kryesore Lezhë – Milot dhe Rruga e Kombit.

ARRSH thekson se, kjo ndërhyrje është thelbësore për të garantuar sigurinë e të gjithë komunitetit.

Duke u ndërgjegjësuar për vështirësitë dhe shqetësimet që mund të shkaktojë mbyllja e përkohshme e urës, ARRSH shton se, kjo masë është e domosdoshme për të shmangur rreziqe më të mëdha dhe për të siguruar një infrastrukturë të qëndrueshme dhe të sigurt në të ardhmen.

/gj.m//r.e/

The post ARRSH ndërhyrje në urën e Milotit, ndërpritet qarkullimi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ambasada e SHBA: 12 specialistë nga SPAK dhe Policia e Shtetit marrin pjesë në kursin e DASH

TIRANË, 25 korrik /ATSH/ Këtë javë, 12 specialistë nga SPAK dhe Policia e Shtetit morën pjesë në kursin “Praktikat më të Mira Mjekoligjore në Macintosh”, njoftoi sot Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri.

Trajnimi u zhvillua nga Zyra e Ndihmës për Antiterrorizmin të Departamentit të Shtetit përmes Zyrës Rajonale të Sigurisë së Ambasadës.

Specialistët mësuan hollësitë e sistemit operues Mac dhe praktikuan aftësi praktike për të gjetur dhe analizuar të dhëna kritike në mbështetje të hetimeve kibernetike.

Ekspertiza dhe udhëheqja amerikane në teknologji është thelbësore për mbrojtjen e Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve tanë nga kërcënimet kibernetike.

/gj.m//r.e/

The post Ambasada e SHBA: 12 specialistë nga SPAK dhe Policia e Shtetit marrin pjesë në kursin e DASH appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lirimi i plazheve publike në Kepin e Rodonit, Rama: Rikthejmë hapësirat publike për qytetarët dhe pushuesit

TIRANË, 25 korrik /ATSH/ Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga lirimi i plazheve publike në Kepin e Rodonit përgjatë bregdetit të Durrësit.

“Rikthejmë hapësirat publike për qytetarët dhe pushuesit, duke garantuar akses të barabartë dhe kushte dinjitoze për të gjithë”, shkroi Rama.

Prej datës 15 qershor ka nisur operacioni “Plazhe të pastra”, përmes të cilit Agjencia Kombëtare e Bregdetit mbështet 8 bashki bregdetare në pastrimin e plazheve, midis të cilave edhe Durrësin.

Nisur nga fakti se Durrësi ka një vijë bregdetare mjaft të gjatë këtë vit plazhet publike janë konceptuar të ndërprera me ato private, me qëllim që pushuesit të kenë mundësi t’i aksesojnë në segmente të ndryshme.

Po ashtu Bashkia ka pajisur të gjitha këto hapësira me sinjalistikën e duhur në terren.

Kepi i Rodonit është një tjetër perlë e Adriatikut që fton të gjithë pushuesit për të shijuar jo vetëm plazhin e mrekullueshëm, por edhe historinë që mbart ky vend.

Kepi i Rodonit ka formën e një trekëndëshi midis gjirit të Rodonit e atij të Lalëzit, formon një rrip toke në formë gadishulli që futet në brendësi të Detit Adriatik.

Ky xhevahir i natyrës është një vend jashtëzakonisht interesant mbi të gjitha për vendndodhjen e tij piktoreske: një kep shkëmbor që shtrihet drejt detit, formuar nga shkëmbinjtë e rrethuar me bimësi mesdhetare dhe lule aromatike.

Në këtë vend çdo vizitor gjen të ndërthurur më së miri historinë, me natyrën dhe detin. Në pjesën verilindore të Kepit ndodhet një ndër objektet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore, Kalaja e Skënderbeut.

/gj.m//r.e/

The post Lirimi i plazheve publike në Kepin e Rodonit, Rama: Rikthejmë hapësirat publike për qytetarët dhe pushuesit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MM: Vijon ndërhyrja për shuarjen e flakëve në zonën e fshatit Vergo në Delvinë

TIRANË, 25 korrik /ATSH/ Ministria e Mbrojtjes njoftoi sot se vijon ndërhyrja për shuarjen e flakëve në zonën e fshatit Vergo në Delvinë, një nga tre fshatrat e përfshirë nga zjarri në bashkinë Delvinë.

Në terren ndodhen katër mjete zjarrfikëse, 60 efektivë të Forcave të Armatosura dhe dy helikopterë “Cougar” që po punojnë për izolimin e flakëve dhe mbrojtjen e banesave.

Banorëve të fshatrave Vergo, Palavli dhe Kopaçëz u bëhet thirrje të ndjekin udhëzimet e emergjencave civile dhe të bashkëpunojnë me autoritetet lokale dhe forcat e sigurisë.

Gjithashtu 62 efektivë të Repartit Gjirokastër, pjesë e Regjimentit të Këmbësorisë së Jugut, Forca Tokësore, janë angazhuar në operacionet për emergjencat civile për shuarjen e zjarreve në fshatin Palavli, Bashkia Delvinë.

/gj.m//r.e/

The post MM: Vijon ndërhyrja për shuarjen e flakëve në zonën e fshatit Vergo në Delvinë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zâ Fest, një natë magjike në zemër të Shkodrës

TIRANË, 25 korrik /ATSH/ Edicioni i nëntë i Zâ Fest nisi midis artit, historisë dhe muzikës.

Zâ Fest është një festival që prej vitesh bashkon zërat më të veçantë të rajonit në një dialog të gjallë mes traditës dhe modernes.

Me mbështetjen e Bashkimit Evropian, për të nëntin vit radhazi, ky festival mbetet një shembull i diplomacisë kulturore, ku kultura bëhet ura që lidh komunitetet, nxit përfshirjen dhe forcon identitetin evropian të Shqipërisë.

Pikërisht në këtë frymë, një nga pikat kulmore të mbrëmjes së parë ishte hapja e ekspozitës “Me rrojt pa ik?” një koleksion nomad me 15 piktura nga artistë të rinj të rajonit adriatiko-jonian, që trajtojnë sfidat dhe ëndrrat e rinisë sot.

Një prej tyre, Ema Bregu nga Shqipëria, solli një qasje të guximshme mbi trashëgiminë kulturore shqiptare.

Pas një nate të mbushur me tregime, dokumentarë dhe muzikë, festa vazhdon.

Dy netë të bukura presin qytetarët sot dhe nesër në Kalanë e Shkodrës, me muzikë e atmosferë që vetëm Zâ Fest mund t’i sjellë.

Edhe kryeparlamentarja, Elisa Spiropali ftoi qytetarët që ta ndjekin këtë festival.

“Mos e humbisni Zâ Fest sot dhe nesër, në Kalanë e mrekullueshme të Shkodrës”, shkroi Spiropali në rrjetet sociale.

/gj.m//r.e/

The post Zâ Fest, një natë magjike në zemër të Shkodrës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SPAK dërgon për gjykim grupin e strukturuar kriminal për trafik armësh drejt Mbretërisë së Bashkuar

TIRANË, 25 korrik /ATSH/ Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përfundoi hetimet dhe ka dërguar pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kërkesën për gjykimin e procedimit penal Nr. 60/1 të vitit 2024, në ngarkim të:

Adulla Hoxhajt, i akuzuar për kryerjen e elementëve të veprave penale të “Trafikim i armëve dhe i municionit”, e mbetur në tentativë, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”; “Grup i strukturuar kriminal”, në formën e drejtimit; “Mbajtje pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” në banesë dhe në sasi të mëdha, të cilat i janë sekuestruar në banesë gjatë momentit të ekzekutimit të masës së sigurimit personal më datë 1.8.2024; “Prodhim, mbajtje, blerje apo shitje pa leje e armëve të ftohta”, e parashikuar nga neni 279/1 të Kodit Penal, të cilat i janë sekuestruar në banesë gjatë momentit të ekzekutimit të masës së sigurimit personal më datë 1.8.2024;

Almir Gjidiajt, i akuzuar për kryerjen e elementëve të veprave penale të “Trafikim i armëve dhe i municionit”, mbetur në tentativë kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”; “Grup i strukturuar kriminal”, në formën e drejtimit;

Admir Tutajt, i akuzuar për kryerjen e elementëve të veprave penale të “Trafikim i armëve dhe i municionit”, mbetur në tentativë kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale ose grup i strukturuar kriminal”; “Grup i strukturuar kriminal”, në formën e pjesëmarrjes;

Alban Gjidiajt, i akuzuar për kryerjen e elementëve të veprave penale të “Trafikim i armëve dhe i municionit”, mbetur në tentativë kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”; “Grup i strukturuar kriminal”, në formën e pjesëmarrjes;

Rifat Avdiajt, i akuzuar për kryerjen e elementëve të veprave penale të “Trafikim i armëve dhe i municionit”, mbetur në tentativë kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”; “Grup i strukturuar kriminal”, në formën e pjesëmarrjes;

Bojken Turtullit, i akuzuar për kryerjen e elementëve të veprave penale të “Trafikim i armëve dhe i municionit”, mbetur në tentativë kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”; “Grup i strukturuar kriminal”, në formën e pjesëmarrjes, parashikuar nga neni 333/a/2 i Kodit Penal.

Për kryerjen e veprimeve hetimore është bashkëpunuar ngushtësisht me autoritetet e drejtësisë britanike, Policinë e Shtetit dhe Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH).

Nga aktet e administruara për këtë procedimi penal, ka rezultuar se më datë 10.4.2023, gjatë procesit të skanimit të një mjeti tip furgon me targa britanike, KS 15 MZN janë konstatuar anomali dhe është vendosur të bëhet kontrolli fizik i tij, pranë pikës së kontrollit.

Prej këtij kontrolli rezultoi se, në brendësi të një tavoline druri që ndodhej në këtë furgon u gjet e fshehur një sasi prej 8 armësh zjarri të llojit pistoleta, 4 krehëra pistoletë dhe 201 copë fishekë të kalibrit 9 mm.

Duke iu referuar zbulimit të sasisë së armëve dhe municionit luftarak të sekuestruar, me destinacion përfundimtar, Mbretërinë e Bashkuar, si dhe mënyrës se si organizatorët kanë siguruar dhe fshirë numrat e serisë në 6 prej armëve të zjarrit, është vlerësuar se ato nuk do të përdoreshin për vetëmbrojtje.

Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera për këtë procedim penal, është identifikuar fillimisht vetëm njëri prej personave të implikuar në kryerjen e kësaj vepre penale dhe më datë 15.6.2023, është bërë identifikimi i shtetasit, Franko Gjalpi. Në përfundim të hetimeve, dosja në ngarkim të tij është dërguar për gjykim dhe me vendimin Nr. 67, date 6.11.2024, ky i pandehur është deklaruar fajtor nga Gjykata e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, vendim i cili është lënë në fuqi dhe nga Gjykata e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin Nr. 8, datë 11.3.2025.

Organizatorët kishin gjetur një ambient të përshtatshëm dhe specialistë të fushës së mobilierisë në periferi të Tiranës, të cilët do të mundësonin fshehjen e armëve në brendësi të produkteve të drurit (për të mos u kapur nga kontrolli i strukturave të policisë dhe doganës). Ata kishin siguruar personat që do të bënin zhvendosjen e “porosive” tek kompania e transportit në Tiranë, përdorimin e gjeneraliteteve të rreme si nga dorëzuesit e porosive tek kompania e transportit, ashtu edhe nga pritësit e tyre në Mbretërinë e Bashkuar.

Po ashtu, vënia në dispozicion e mjetit të transportit dhe të komunikimit, si dhe shpërblimet respektive për çdo transport që kryej, kemi vlerësuar se numri i personave të përfshirë në këtë veprimtari kriminale është më i lartë se dy, duke konkluduar se ndodhemi para kryerjes së veprës penale objekt hetimi, jo në kuadër të bashkëpunimit të thjeshtë, por në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal.

Nga tërësia e hetimeve të kryera është bërë e mundur të identifikohen bashkëpunëtorët e tjerë të të pandehurit Franko Gjalpi, të përfshirë në këtë veprimtari të paligjshme kriminale,  më konkretisht i të pandehurve: Adulla Hoxhaj, Rifat Avdiaj, Admir Tutaj, Almir Gjidiaj, Alban Gjidiaj dhe Bojken Turtulli, të cilët kanë pasur role të përcaktuara qartë në organizimin, drejtimin dhe financimin e këtij grupi të strukturuar kriminal, me qëllim trafikimin e sigurt të armëve të zjarrit dhe municionit luftarak në Mbretërinë e Bashkuar.

Hetimet e kryera, kanë evidentuar një grup të strukturuar kriminal, i ndarë në dy nëngrupe që vepronin përkatësisht në Shqipëri dhe Mbretërinë e Bashkuar dhe është arritur identifikimi i anëtarëve dhe përgjegjësisë së tyre.

  1. Grupi kriminal në Shqipëri

Drejtues: Adulla Hoxhaj

Pjesëmarrës: Rifat Hoxhaj, Bojken Turtulli, Franko Gjalpi

2. Grupi kriminal në Mbretërinë e Bashkuar

Drejtues: Almir Gjidiaj.

Pjesëmarrës: Admir Tutaj dhe Alban Gjidiaj

Nga analizimi i të gjitha fakteve dhe rrethanave ka rezultuar e provuar se i pandehuri, Adulla Hoxhaj është drejtues i nëngrupit, i cili  ka vepruar në territorin e Republikës së Shqipërisë. Ai ka koordinuar veprimet me anëtarët e tjerë të grupit në Shqipëri dhe Mbretërinë e Bashkuar. Ndërsa, të pandehurit: Bojken Turtulli dhe Rifat Avdija, si dhe bashkëipandehuri Franko Gjalpi, kanë luajtur rolin e ndihmësit në këtë aktivitet të paligjshëm kriminal.

Gjithashtu, ka rezultuar e provuar se i pandehuri tjetër Almir Gjidiaj, është drejtues i nëngrupit, i cili  ka vepruar në Mbretërinë e Bashkuar. Ai ka koordinuar veprimet e anëtarëve të tjerë të grupit në Mbretërinë e Bashkuar dhe Shqipëri. I pandehuri Admir Tutaj, është njëri prej pritësve të porosive në Mbretërinë e Bashkuar si edhe person i besuar i të pandehurit tjetër Alban Gjidiaj, të cilët kanë patur rolin e ndihmësve në këtë veprimtari të paligjshme kriminale.

Si rezultat i kontrolleve të ushtruara në Shqipëri, më datat 10.4.2023 në P.K.K Port Durrës, dhe 16.06.2023 në Tiranë, janë sekuestruar sendet e mëposhtme:

6 (gjashtë) armë zjarri të llojit pistoletë, marka “GLOCK”, me numra të fshirë me mbishkrim “Glock Austria 9 x 19”.

1 (një) armë zjarri të llojit pistoletë, marka “HERSTAL”, me numër 1534 P.

1 (një) armë zjarri të llojit pistoletë, marka “BROËNING”, me numër 2205.

4 (katër) krehra pistolete ngjyrë e zezë

201 (dyqind e një) copë fishekë kalibër 9 mm.

1 650 (njëmijë e gjashtë qind e pesëdhjetë) euro

31 700 (tridhjetë e një mijë e shtatëqind) lekë

8 (tetë) aparate telefonash celularë etj.

Si rezultat i kontrolleve të ushtruara në Shqipëri, më datë 1.8.2024, kryesisht në banesën e të pandehurit Adulla Hoxhaj, si dhe në banesat e të pandehurve të tjerë, janë sekuestruar sendet e mëposhtme:

24 armë zjarri pistoletë

1 automatik kallashnikov

pjesë të ndryshme të armëve të zjarrit (gjilpëra, susta, shul, qyt etj.,)

49 krehra (karikator) të llojeve të ndryshme,

2 thika

409 fishekë të kalibrit të ndryshëm,

1 palë pranga

10 pajisje speciale optike dhe lazeri

4 automjete

1 motor

1 palë veshje ushtarake

1 helmetë e forcave speciale

4 aparate celularë

2 laptop

1 njësi qendrore

290 euro

13,000 lekë

kartë Sim Vala (kosovare).

Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar falenderon autoritetet e drejtësisë britanike, Atasheun e Sigurisë së Brendshme të Ambasadës Britanike në Shqipëri si dhe agjencitë ligjzbatuese shqiptare, të cilët na kanë mbështetur dhe ndihmuar.

/gj.m//r.e/

The post SPAK dërgon për gjykim grupin e strukturuar kriminal për trafik armësh drejt Mbretërisë së Bashkuar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Sot dita më e nxehtë e këtij sezoni veror, Koçiu: Ndiqni këshillat e mjekëve

TIRANË, 25 korrik /ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu u bëri thirrje sot qytetarëve që të kenë kujdes nga temperaturat e larta që kanë përfshirë vendin tonë.

Në një postim në rrjetet sociale, Koçiu thotë se, “sot shënohet dita më e nxehtë e këtij sezoni veror, me temperatura mbi normën dhe rrezik të shtuar për shëndetin”.

“Ndiqni këshillat e mjekëve dhe për çdo nevojë, drejtohuni te mjeku i familjes apo qendra shëndetësore më e afërt”, është thirrja e Koçiut.

Në këto ditë me temperaturë ekstreme qytetarët duhet të pinë shumë ujë, të qëndrojnë në ambiente të freskëta, të shmangin diellin në orët e pikut.

Gjithashtu fëmijët, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike duhet të bëjnë kujdes.

Edhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik u bëri sot thirrje qytetarëve që të kenë kujdes nga temperaturat e larta që kanë përfshirë vendin tonë.

Në një postim në rrjetet sociale, ISHP theksoi se temperaturat e larta nuk janë vetëm bezdisëse, por edhe të rrezikshme për shëndetin.

Sipas ISHP-së, kur nxehtësia është e fortë dhe zgjat në kohë, rritet rreziku për: Dehidratim, rëndim të sëmundjeve kronike (tension i lartë, zemra, diabeti, etj.), infeksione dhe intoksikacione nga ushqimi – sidomos kur nuk ruhet në temperatura të sigurta, goditje nga i nxehti, ngërçe muskulare dhe dhimbje, të fikët, skuqje të lëkurës, ënjtje.

ISHP këshillon qytetarët dhe grupet e riskut si të moshuarit, fëmijët apo personat me sëmundje kronike që të mbrohen duke pirë më shpesh ujë, të qëndrojnë në vende të freskëta, të ruajnë ushqimet në frigorifer, si edhe të shmangin ekspozimin në diell gjatë orëve të pikut (11:00 – 18:00).

/r.e/

The post Sot dita më e nxehtë e këtij sezoni veror, Koçiu: Ndiqni këshillat e mjekëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Spanja, mbështetje për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE

TIRANË, 25 korrik /ATSH/ Zëvendësministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Megi Fino u takua me sekretarin e shtetit për Bashkimin Evropian në Spanjë, Fernando Sampedro.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme njoftoi sot se, të dy palët patën një diskutim të frytshëm mbi forcimin e bashkëpunimit mes vendeve tona.

Gjithashtu në takim u riafirmua mbështetja e Spanjës për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

/gj.m//r.e/

The post Spanja, mbështetje për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Ambasadori gjerman viziton DHL: Kontribut profesional në realizimin e zgjedhjeve të diasporës

TIRANË, 24 korrik /ATSH/ Ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, Karl Bergner vizitoi sot kompaninë DHL dhe u njoh nga afër me aktivitetet e ofruesit gjerman të shërbimeve logjistike në Shqipëri, njoftoi sot ambasada gjermane në Tiranë.

Ai u shpreh i impresionuar nga performanca e ekipit të përgatitur të DHL-së në Shqipëri.

Bergner falënderoi veçanërisht DHL-në për kontributin e rëndësishëm dhe profesional në realizimin e zgjedhjeve të diasporës me porosi të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

DHL është një nga ofruesit kryesorë globalë të shërbimeve logjistike dhe operon në mbi 220 vende dhe territore, duke dërguar rreth 1,8 miliardë dërgesa çdo ditë.

/gj.m/j.p/

The post Ambasadori gjerman viziton DHL: Kontribut profesional në realizimin e zgjedhjeve të diasporës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kavajë, lirohen disa hapësira në rrugë të përshtatura për qëllime fitimi

TIRANË, 24 korrik /ATSH/ Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake, në zbatim të planit operacional “Plazhi i lirë”, kanë ushtruar kontrolle në territorin e Kavajës.

Nga kontrollet u konstatuan disa hapësira në rrugë, të cilat ishin përshtatur për ambiente me qëllim përfitimin, pa leje nga organet kompetente.

Qytetarët që i kishin zënë këto hapësira, i liruan ato, me mirëkuptim.

Drejtoria Vendore e Policisë Durrës do të vijojë kontrollet për të ndaluar çdo shkelje që cenon hapësirat publike dhe sigurinë e pushuesve.

1 nga 4

/gj.m/j.p/

The post Kavajë, lirohen disa hapësira në rrugë të përshtatura për qëllime fitimi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Në 11 maj, u blenë vota me 450 leje ndërtimi

TIRANË, 24 korrik /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot në një konferencë për shtyp se, “degradimi i zgjedhjeve në farsë elektorale më 11 maj ishte një nga aktet më të shëmtuara, më kriminale, më antikushtetuese”.

Sipas tij, kryeministri Edi Rama përdori të gjithë fuqinë ekzekutive për të ndikuar në të gjitha mënyrat për denatyrimin, shkatërrimin, shndërrimin në farsë të procesit zgjedhor.

Berisha u shpreh se Edi Rama bleu vota me 450 leje për bandat e narkotrafikut në periudhën që këto ndaloheshin me ligj.

“Nga prilli 2024 deri në maj 2025 janë dhënë mbi 1 mijë leje ndërtimi. 450 prej tyre gjatë periudhës zgjedhore. Këtu nuk përfshihen mijëra e mijëra leje të dhëna për shtesa, rikonstruksione, etj, në mbarë Shqipërinë nga bashkitë e vendit”, u shpreh Berisha.

Berisha u ndal në disa raste, ku sipas tij, janë dhënë leje të tilla.

Sipas tij, në qoftë se bëhet analiza e 450 lejeve të firmosura nga Edi Rama, ato bëjnë tonelata droge dhe të paktën 10 milionë metër katrorë ndërtime dhe territore përreth.

“Ato bëjnë pra, de facto narkotizimin e plotë të ekonomisë shqiptare”, u shpreh Berisha.

/gj.m/j.p/

The post Berisha: Në 11 maj, u blenë vota me 450 leje ndërtimi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌