Shira të dendur në Korenë e Jugut, shkaktojnë përmbytje masive, 4 viktima. Mbi një mijë të evakuuar
Shirat e rrëmbyeshëm i marrin jetën 4 personave ne Koren e Jugut. Mbi 4500 njerëz evakuohen nga përmbytjet. Pasojat nga përmbytjet janë të shumta.
Dhjetëra fluturime u anuluan dhe pati probleme me energjinë elektrike ne disa qytete.
Të paktën katër persona kanë humbur jetën dhe mbi 4500 të tjerë janë evakuuar për shkak të dy ditëve me shira të rrëmbyeshëm në Korenë e Jugut.
Mes viktimave është një person makina e të cilit u mbulua nga grumbuj dheu dhe betoni, pasi muri mbajtës i një mbikalimi u shemb gjatë reshjeve në jug të kryeqytetit Seul.
Ministria tha se tre persona të tjerë vdiqën në rajonet jugore të enjten. Një prej tyre u gjet në një makinë të zhytur në ujë, një tjetër në një përrua dhe një në një bodrum të përmbytur.
Zyrtarët e ministrisë thanë se po hetojnë ende nëse tre vdekjet ishin shkaktuar drejtpërdrejt nga reshjet e rrëmbyeshme.
Reshjet e dendura kanë përmbytur rrugë, kanë ndaluar shërbimet hekurudhore dhe kanë dëmtuar më shumë se 500 objekte në të gjithë vendin, teksa 46 fluturime janë anuluar. Një urë u shemb si pasojë e përmbytjeve, teksa në disa zona pati probleme edhe me energjinë elektrike.
Vendi është ende në alarm, pasi parashikohen reshje të tjera të dendura shiu deri më 19 korrik.