Projekti EU4Youth, mbështetje të rinjve për integrimin në tregun e punës
TIRANË, 16 korrik/ATSH/ Komiteti Drejtues i projektit EU4Youth zhvilloi mbledhjen e dytë nën drejtimin e zëvendësministres së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Olta Manjani dhe përfaqësuesit të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Miha Pezelj.
Takimi mblodhi partnerët kryesorë për të diskutuar mbi progresin e pilotimit të Garancisë Rinore si edhe ecurinë në zbatimin e ‘EU4Youth’.
Garancia Rinore është programi më i rëndësishëm i BE për integrimin e të rinjve në tregun e punës.
Ky program ka për qëllim që çdo i ri apo e re në Shqipëri të marrë një ofertë cilësore për punësim, arsimim ose formim profesional brenda 4 muajve nga regjistrimi në Zyrat e Punës.
Rreth 2000 të rinj nga Tirana, Shkodra dhe Vlora janë mbështetur deri më tani me një ofertë për punë, shkollim apo trajnim, përmes skemës së Garancisë Rinore, zbatuar nga AKPA, me mbështetjen e projektit EU4Youth.
I financuar nga BE dhe i zbatuar nga UNDP dhe UNICEF Albania, projekti EU4Youth mbështet zbatimin e programit në tri bashki: Tiranë, Shkodër dhe Vlorë.
/k.s//r.e//a.f/
The post Projekti EU4Youth, mbështetje të rinjve për integrimin në tregun e punës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.