AKSK zgjeron rrjetin e operatorëve të infrastrukturës kritike dhe të rëndësishme të informacionit
TIRANË, 15 korrik /ATSH/ Në zbatim të ligjit “Për sigurinë kibernetike” dhe metodologjisë përkatëse, është miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave lista e përditësuar e operatorëve të infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme të informacionit.
Kjo infrastrukturë përfshin gjithsej 215 operatorë në nivel kombëtar, nga të cilët 133 të klasifikuar si infrastrukturë kritike dhe 82 si infrastrukturë e rëndësishme e informacionit.
Procesi i identifikimit është zhvilluar nga Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) përmes një metodologjie të strukturuar dhe gjithëpërfshirëse.
Sipas AKSK-së, ky proces ka përfshirë identifikimin e sektorëve dhe nënsektorëve me kritikalitet të lartë, konsultimin me autoritetet rregullatore përkatëse, shpërndarjen e pyetësorëve të vetëdeklarimit dhe analizën e të dhënave në përputhje me kriteret e përgjithshme dhe sektoriale.
Lista e përditësuar përfshin sektorë të ndryshëm si energjia, infrastruktura financiare, transporti, furnizimi me ujë të pijshëm, ofruesit e shërbimeve digjitale, arsimi, turizmi, media, etj.
Të gjithë këta operatorë bëhen pjesë e një strukture të qëndrueshme dhe të mbikëqyrur në vazhdimësi nga AKSK, që përfshin: akses në asistencë teknike dhe mbështetje metodologjike për ndërtimin e politikave të sigurisë; trajnime për rritjen e kapaciteteve të brendshme; detyrime ligjore për zbatimin e masave të sigurisë, raportimin e incidenteve, etj.
Përfshirja e operatorëve në këtë strukturë përfaqëson një përgjegjësi strategjike për të mbrojtur funksionet kyçe të shtetit dhe shoqërisë në një realitet gjithnjë e më të ndërlidhur digjitalisht, si dhe një detyrim ligjor në përputhje me kuadrin rregullator në fuqi.
/k.s//r.e//a.f/
The post AKSK zgjeron rrjetin e operatorëve të infrastrukturës kritike dhe të rëndësishme të informacionit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.