Prezantohet drafti i Kodit të ri Penal, Manja: Përgjigje për format e reja të kriminalitetit, miratimi pas certifikimit në Bruksel
TIRANË, 25 korrik/ATSH/ Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja u shpreh sot se hartimi i një Kodi të ri Penal nuk është një ngjarje e zakonshme, por një moment i rrallë institucional që shënon jo vetëm rregullimin juridik të një epoke të re, por edhe pjekurinë demokratike të një shoqërie që ka nevojë përditësojë normat penale me zhvillimet shoqërore, kushtetuese dhe ndërkombëtare.
Në aktivitetin për prezantimin e draftit përfundimtar të Kodit të Ri Penal, ku të pranishëm ishin edhe kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni, Ministrja e Shtetit dhe Kryenegociatorja e Shqipërisë me Bashkimin Evropian, Majlinda Dhuka, aktorë kryesorë të sistemit të drejtësisë, partnerë ndërkombëtarë, universitete, shoqëri civile dhe media, ministri Manja tha se “ky moment shënon një hap të rëndësishëm drejt forcimit të shtetit të së drejtës në vend“.
“Ky draft, që sot hyn në fazën e konsultimit publik, është një dokument themelor për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të çdo qytetari “, tha Manja.
“Në një shtet të së drejtës, Kodi Penal është shtylla themelore e kontratës sonë sociale. Ai përkufizon qartë kufirin ndarës mes sjelljes së lejuar dhe asaj të dënueshme dhe është një instrument i drejtpërdrejtë në mbrojtjen e rendit kushtetues, të drejtave dhe sigurisë juridike të çdo individ”, tha ministri Manja.
Sipas ministrit të Drejtësië, ”Kodi Penal në fuqi u miratua në janar të vitit 1995 dhe hyri në fuqi në 1 qershor të po atij viti, në një kohë kur Shqipëria sapo kishte dalë nga një regjim totalitar dhe kishte nisur ndërtimin e një sistemi të ri drejtësie”.
”Ai përbënte një akt themelor modernizues, për të hequr dorë nga logjika penale e asaj kohe dhe për të përafruar legjislacionin me modelet penale të kohës. Kërkesa për të pasur një Kod Penal të ri nuk është çështje politike, por nevojë e një shteti dhe shoqërie që transformohet çdo ditë. Gjithashtu, është edhe nevojë e një dinamike të re kushtetuese institucionale dhe integruese që duhet reflektuar në Kodin e ri Penal”, vijoi ai.
Ministri Manja u shpreh se Kodi Penal që është në fuqi në momentin e miratimit në vitin 1995 kishte 285 nene dhe 550 paragrafe në strukturë. Sipas Manjës, pas 30 ndërhyrjesh të njëpasnjëshme në kohë të ndryshme, ai numëron rreth 327 nene dhe mbi 750 paragrafe, pra 40 nene dhe 200 paragrafë më shumë të ndryshuar në mënyrë të fragmentarizuar dhe pa koherencë sistemike.
”Kodi i ri Penal do duhet të ketë si bazë kushtetuese, Kushtetutën e vitit 1998, ndërsa kur u miratua në vitin 1995 baza ishte ligji për dispozitat kushtetuese të vitit 1991. Format e reja të kriminalitetit kërkojnë përgjigje të qarta dhe përshtatshme penale.
Reforma në drejtësi ka rikonfiguruar sistemin institucional duke bërë të domosdoshëm rishikimin e normës penale”, shtoi Manja.
Ministri i Drejtësisë u ndal edhe te procesi i integrimit të Shqipërisë në BE që kërkon një përafrim të plotë të Kodit penal me hakinë e BE-së, direktivat evropiane dhe jurisprudencën e pasur të Gjykatës së të Drejtave të Njeriut.
”Kodi aktual nuk i përgjigjet më sfidave të kohës dhe zbatimi paraqet vështirësi për prokutorët, avokatët dhe gjyqtarët. Rikonceptimi i Kodit ishte i domosdoshëm dhe i pashmangshëm. Puna për të pasur një draft pune penal të kryesuar nga prof. Arben Rakipi kishte filluar që në vitin 2019, por në shkurt të vitit 2023, ministri i Drejtësisë e ngarkoi këtë grup pune zyrtarisht për të hartuar Kodin e ri Penal, që nga sot do të jetë për konsultim publik”, pohoi Manja.
Ministri i Drejtësoi tha se ”ky draft nuk është produkt i Qeverisë apo Ministrisë së Drejtësisë, ndërsa MD ka pasur dhe do ketë deri në fund rol organizues dhe mbështetës. Autorësia intelektuale dhe përmbajtja teknike është në pronësi të grupit të punës në çdo fazë të konsultimit publik”.
Gjithashtu, drafti pritet të marrë vulën e certifikimit në Bruksel sipas Manjës, dhe pastaj qeveria do të vijojnë me procedurat e miratimit parlamentar me shumicë të cilësuar, sipas Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit.
Ministri Manja i bëri ftesë opozitës që të kontribuojë me ekspertizë të mirëfilltë dhe diskutime për Kodin e ri Penal, si një akt shtetëror të rëndësishëm për funksionimin e shtetit dhe drejtësisë në një vend që synon të bëhet pjesë e familjes evropiane deri në vitin 2030.
/e.i/
The post Prezantohet drafti i Kodit të ri Penal, Manja: Përgjigje për format e reja të kriminalitetit, miratimi pas certifikimit në Bruksel appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.