Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 17 August 2025Main stream

“Do të merren masa ligjore” – Prishtina paralajmëron operatorët nga Podujeva për ndalesa te Xhamia e Llapit

17 August 2025 at 13:59

Komuna e Prishtinës ka reaguar pas raportimeve se disa operatorë nga Podujeva po anashkalojnë ndalesën në Stacionin e Autobusëve në kryeqytet, duke u kthyer në pikën e ndaljes te Xhamia e Llapit.

Në një njoftim për media, komuna ka theksuar se “mbetet plotësisht e përkushtuar në respektimin e marrëveshjes së arritur për qarkullimin e autobusëve ndërurbanë, përfshirë linjat që vijnë nga Podujeva”.

Marrëveshja, siç thuhet është arritur në bashkëpunim me Komunën e Podujevës, Ministrinë e Planifikimit të Mjedisit dhe Hapësinor, si dhe Shoqatën e Operatorëve të Transportit, prandaj nuk ka qenë njëanshme.

Lidhur me veprimet e operatorëve që po kthehen në ndalesën e vjetër, komuna i konsideron ato “shkelje të qarta të rregullave komunale dhe marrëveshjes së ndërsjellë”, duke shtuar se “veprime të tilla nuk do të lejohen”.

“Komuna do të ndërmarrë të gjitha masat ligjore dhe administrative të nevojshme për të siguruar që të gjithë autobusët ndërurbanë, pa përjashtim, të ndalojnë në Stacionin zyrtar të Autobusëve në Prishtinë për marrjen dhe lëshimin e udhëtarëve”, thuhet tutje në reagim.

Sipas komunës, ndalimet e paautorizuara brenda qendrës së qytetit “paraqesin rrezik për sigurinë në trafik, rendin publik dhe planifikimin urban të transportit”.

Po ashtu, Komuna e Prishtinës i ka kërkuar Ministrisë për Planifikim të Mjedisit dhe Hapësirës që të rishikojë dhe, në raste të shkeljeve, të revokojë të gjitha licencat e operatorëve që nuk respektojnë itinerarin dhe pikën fillestare të nisjes, e cila sipas tyre mbetet Stacioni i Autobusëve i Prishtinës.

Në fund të njoftimit, komuna shpreh gatishmërinë për dialog, por paralajmëron se do të veprojë me “vendosmëri për të mbrojtur interesat e qytetarëve dhe për të ruajtur rendin në transportin publik”.

Ndërkohë, theksohet se Komuna e Podujevës ende nuk ka dhënë përgjigje përfundimtare ndaj draftit të marrëveshjes së përbashkët. /Telegrafi/

The post “Do të merren masa ligjore” – Prishtina paralajmëron operatorët nga Podujeva për ndalesa te Xhamia e Llapit appeared first on Telegrafi.

​34 vatra zjarri në 24 orët e fundit në Shqipëri, i vjen ndihmë nga Emiratet e Bashkuara Arabe

17 August 2025 at 13:00

Gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 34 vatra zjarri në Shqipëri, nga të cilat 27 janë shuar, pesë janë aktive dhe dy po mbahen në monitorim.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Mbrojtjes, në operacionet për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 54 automjete zjarrfikëse dhe 690 forca operacionale, të mbështetura nga 110 trupa të Forcave të Armatosura me dy mjete zjarrfikëse. Gjithashtu u angazhuan dy helikopterë të Forcës Ajrore shqiptare dhe një helikopter nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

Vatrat aktive

Në fshatin Tërnovë, njësia administrative Zerqan, bashkia Bulqizë, ka vijuar puna për shuarjen e zjarrit të rënë në kurorë me pyje të dendura. Nga puna e forcave operacionale dhe mbështetja me ndërhyrje nga ajri, janë vënë nën kontroll disa vatra. Problematike ngelet një vatër në vendin e quajtur “Maja e Shkëmbit” dhe tjetra në drejtim të fshatit Valikardhë dhe Peladhi. Në operacion gjatë ditës u angazhuan 8 efektivë të MZSH të bashkisë Bulqizë, 8 forca bashkiake dhe 8 forca të Shërbimi Pyjor. Në mbështetje për përballimin e situatës u angazhuan edhe 30 trupa nga Forcat e Armatosura dhe helikopteri i Forcës Ajrore. Zjarri zhvillohet me intensitet mesatar dhe më së shumti brenda perimetrit të përshkuar ditë më parë, shkruan TCh.

Ka vijuar puna për shuarjen e zjarrit të rënë në fshatin Xeth, njësia administrative Blerim, bashkia Fushë Arrëz. Zjarri është zhvilluar me intensitet duke u përshkallëzuar në fshatrat Kulumri, Trun dhe Kunorë-Dardhë. Në operacion gjatë ditës u angazhuan 42 forca bashkiake, 2 automjete zjarrfikëse dhe 80 trupa nga FA si dhe 20 vullnetarë të cilët punuan deri në mbrëmje vonë. Në mbështetje të forcave në terren u krye ndërhyrje nga ajri nga 2 helikopterë të Forcës Ajrore. Gjatë natës raportohet se situata, e ndikuar edhe nga reshje e shiut që kanë përfshirë zonën, është vënë nën kontroll. Vatra e zjarrit gjatë natës u mbajt në monitorim.

Ka vijuar të jetë aktiv zjarri në fshatin Pezë Helmës, njësia administrative Pezë, bashkia Tiranë. Vatra e zjarrit është vazhdim i zjarrit të rënë në fshatin Damjan-Fortuzaj njësia administrative Vaqarr. Zjarri në mesditë ka marrë përmasa dhe ka dalë jashtë kontrollit. Për vënien nën kontroll kreu ndërhyrje nga ajri helikopteri i Emirateve të Bashkuara Arabe. Situata po mbahet në monitorim. Ditën e sotme raportohet se vatra e zjarrit ka intensitet të ulët.

Në fshatrat Kullollas, Kodovjat, Ermenj, njësia administrative Skënderbegas, bashkia Gramsh, ka vazhduar puna për shuarjen e zjarrit të rënë më datë 12.08.2025. Forcat operacionale, vijuan punën me vatrat e vogla, për të mos i lejuar përhapjen, ku mbetet aktive një vatër në Malin e Koshnicës, e cila po mbahet në monitorim nga punonjës të Shërbimit Pyjor dhe banorë të zonës. Gjatë ditës pati riaktivizim në fshatin Bletëz, e cila u normalizua nga ndërhyrja me 1 mjet zjarrfikës dhe 4 efektivë të MZSH. Gjithashtu në mesditë pati riaktivizim në fshatin Kullollas, ku rrezikohej një masiv me pisha. Në këtë vatër u angazhuan 2 automjete zjarrfikëse me 6 efektivë, të cilët arritën ta shuajnë atë. Situata në fshatrat e përshkuar nga zjarri po mbahet në monitorim.

Në vendin e quajtur “Teqeja e Dushkut”, njësia administrative Kukur, bashkia Gramsh, vatra e zjarrit vijon të jetë aktive. Gjatë ditës në zonë u angazhuan 2 automjete zjarrfikëse me 10 efektivë nga MZSH Gramsh, 2 fadroma të bashkisë me 4 forca bashkiake dhe 4 vullnetarë. Ka patur vështirësi për shuarjen e zjarrit për shkak të shtresave të humusit. Ditën e sotme raportohet se vatra e zjarrit është drejt izolimit.

Ka vijuar puna për shuarjen e zjarrit të rënë më datë 14.08.2025, në fshatin Rreja e Zezë (Velë), njësia administrative Rubik, bashkia Mirditë. Gjatë ditës në operacion u angazhuan 3 automjete zjarrfikëse me 7 efektivë nga MZSH Mirditë, 4 forca policore, 17 forca bashkiake, 7 forca Shërbimi Pyjor dhe 10 vullnetarë, të cilët kanë punuar për shuarjen e tij deri në mbrëmje. Nga puna e forcave, u arrit që vatra e zjarrit të izolohet totalisht dhe nga vlerësimi i bërë nuk paraqet rrezik për përhapje. Vatra po mbahet në monitorim nga forca të Shërbimit Pyjor.

Ka vijuar puna për shuarjen e zjarrit të rënë në Parkun Natyror Gërmenj, njësia administrative Leskovik, bashkia Kolonjë. Zjarri zhvillohej me intensitet midis piramidës 13 dhe 15, në kufi me Greqinë. Shpërthimet herë pas herë të municioneve luftarake të pranishme në zonë që nga lufta italo-greke, bënë që të ndërpritej operacioni. Në zonë u angazhuan 3 mjete zjarrfikëse me 13 efektivë nga MZSH Kolonjë, 6 forca policore, 17 forca bashkiake, 7 AdZM, 4 Shërbimi Pyjor dhe 4 forca vullnetare. Zjarri vazhdon aktiv në disa vatra. Sipas raportimeve ditën e sotme konstatohet se zjarri nuk ka përhapje dhe nuk vihen re riaktivizime.

Vatrat e shuara

* Val (Martanesh, Bulqizë), Kodër Qerre (Mat)

* Xeth (Blerim, Fushë Arrëz)

* Durishtë (Petrelë), Ferraj–Zall Herr–Brarë–Priskë e Vogël (Dajt), Gjipal (Zall Bastar), Vilë-Ballaj (Rrogozhinë)

* Kalanjas (Skrapar)

Forca nga të gjitha strukturat e emergjencave mbeten në terren për të monitoruar dhe përballuar çdo riaktivizim të mundshëm të zjarreve. /tch/

The post ​34 vatra zjarri në 24 orët e fundit në Shqipëri, i vjen ndihmë nga Emiratet e Bashkuara Arabe appeared first on Telegrafi.

Shkollat në prag të grevës, SBASHK vendos ultimatum për dialog me MASHTI-n

17 August 2025 at 12:46

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), në prag të fillimit të vitit të ri shkollor, ka paralajmëruar grevë dhe masa të tjera sindikale nëse deri më 20 shtator të këtij viti nuk fillon dialogu me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Ndër kërkesat kryesore të SBASHK-ut janë negocimi dhe nënshkrimi i kontratës së re kolektive, rritja e vlerës së koeficientit, si dhe zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për kompensimin e përvojës së punës, bashkë me çështje të tjera që lidhen me të drejtat dhe kushtet e punëtorëve të arsimit.

Nënkryetarja e SBASHK-ut, Vjollca Shala, ka thënë për KosovaPress, se nëse deri më 20 shtator nuk fillon dialogu me MASHT-in, sindikata do ta thërrasë këshillin drejtues për të shqyrtuar situatën dhe mund të ndërmarrë veprime sindikale, përfshirë edhe grevën.

“Kur flasim për çështjen e mësimdhënësve dhe çështjen e kërkesave të SBASHK-ut, ne më herët e kemi mbajtur një kongres të jashtëzakonshëm, kongresin e nëntë. Në kongres është marrë një vendim si organi më i lartë i SBASHK-ut që nëse deri më 20 shtator nuk fillon dialogu me Ministrinë e Arsimit, atëherë do të mblidhet këshilli drejtues si organ më i lartë i SBASHK-ut në mes të dy kongreseve dhe do ta analizojë gjendjen dhe pastaj mund të shkohet edhe me veprime sindikale duke mos përjashtuar edhe grevën”, thotë Shala.

Derisa përmend kërkesat kryesore të SBASHK-ut, Shala potencon se rritja e pagave për 55 euro është simbolike karshi ngritjes enorme të çmimeve.

“Kërkesat e SBASHK-ut janë… negocimi dhe nënshkrimi i kontratës së re kolektive. Po ashtu, është kërkesë edhe ngritja e vlerës së koeficientit. Tashmë veçse janë bërë dy vite që nuk është ngritur vlera e koeficientit në ligjin e pagave edhe përkundër rritjes së inflacionit. Kemi një rritje të rangimit të koeficientit që është një ngritje prej 55 eurove, që është shumë simbolike karshi ngritjes enorme të çmimeve të produkteve elementare për jetesë. Është edhe zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese ku nga korriku i vitit 2024 është dashur të zbatohet një vendim i tillë i Gjykatës Kushtetuese për përvojën e punës për 15 vitet e para, që është duke u paguar me 0.25 për qind e vendimi i gjykatës është që të paguhet 0.5 për qind”, potencon Shala.

Shala thekson se SBASHK-u ka dorëzuar një iniciativë legjislative qytetare për ndryshimin e ligjit të skemave pensionale të financuara nga shteti. Kjo iniciativë, siç thotë ajo, synon që vitet e punës së mësimdhënësve gjatë periudhës 1990–1999, të cilat aktualisht nuk llogariten si vite kontributdhënëse, të njihen si të tilla.

Po ashtu, Shala përmend kushtet e vështira të punës në shkollat e Kosovës, duke theksuar mungesën e dixhitalizimit në shumë prej tyre, ndryshe nga shtetet fqinje ku ky proces është përparuar më tej.

Nënkryetarja e SBASHK-ut, Vjollca Shala, thotë se që nga viti 2022 nuk kanë pasur takime të frytshme me Ministrinë e Arsimit dhe veçanërisht me ministren Nagavci.

“Me Ministrinë e Arsimit dhe në veçanti me ministren Nagavci që nga viti 2022 kemi pasur një takim kur ka qenë nënkryetari i sindikatës së mësuesve të SHBA-së, edhe atë një takim veç formal 15-minutësh, pa pasur mundësi t’i paraqesim kërkesat e punëtorëve të arsimit. Dhe kemi pasur një takim në ditën kur është mbajtur protesta… Përndryshe, për kërkesat që ne në vazhdimësi i bëjmë për t’u ulur dhe bashkëbiseduar me qëllim të zgjidhjes së problemeve dhe kërkesave që i kanë punëtorët e arsimit, ne nga viti 2022 nuk kemi pasur takim të tillë”, tregon Shala.

Ndër të tjera, Shala flet edhe për mënyrën e subvencionimit të librave shkollorë për nxënësit, për çka thotë se dy vitet e fundit nuk ka qenë e duhur. Ajo vlerëson se më efektive dhe më e lirë ka qenë mënyra kur librat siguroheshin paraprakisht për nxënësit.

“Është parë edhe në dy vitet e kaluara që nuk ka qenë mënyrë e duhur, ngase nxënësit ndoshta edhe me muaj të tërë nuk kanë qenë të pajisur me libra shkollorë. Shumë më e mirë ka qenë mënyra kur janë siguruar paraprakisht dhe ka qenë më e lirë… Ka pasur raste kur një subvencionim i tillë është bërë në familje, duke pasur parasysh që kemi edhe familje të varfëra, ndoshta familjet e tilla i kanë marrë ato të holla të cilat u kanë takuar për blerjen e librave për fëmijët e tyre. Por, një gjë e tillë, duke pasur mungesë ndoshta edhe të produkteve elementare për jetesë, apo mjete i kanë shpenzuar për jetesë. Ndërsa, nxënësi ka shkuar ndoshta edhe tërë vitin pa libra”, potencon Shala.

SBASHK-u ka zhvilluar protestën e fundit më 4 dhjetor 2024 duke kërkuar rritje të pagave dhe nënshkrimin e Kontratës Kolektive. /KP/

The post Shkollat në prag të grevës, SBASHK vendos ultimatum për dialog me MASHTI-n appeared first on Telegrafi.

Mbushte pishinën me ujë të vjedhur – KRU “Prishtina” shkyç konsumatorin për lidhje ilegale

17 August 2025 at 12:33

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka bërë të ditur se ka identifikuar një rast të keqpërdorimit të ujit, ku një konsumator kishte lidhje ilegale për mbushjen e një pishine duke anashkaluar matësin e ujit.

Sipas njoftimit zyrtar, gjatë një kontrolli nga inspektorët e kompanisë është vërtetuar se pishina po furnizohej me ujë jashtë sistemit të ligjshëm, duke dëmtuar kështu edhe kompaninë edhe konsumatorët e tjerë.

“Nga inspektorët është identifikuar mbushja e pishinës përmes një lidhjeje ilegale, jashtë ujëmatësit. Konsumatori është shkyçur dhe do të vazhdohet me procedurat tjera përkatëse”, thuhet në reagimin e KRU “Prishtina”.

Në përfundim të njoftimit, kompania e ka quajtur këtë veprim “turp”, duke kërkuar nga qytetarët që të raportojnë raste të tilla dhe të kontribuojnë në përdorimin e drejtë dhe të ndershëm të resurseve ujore. /Telegrafi/

The post Mbushte pishinën me ujë të vjedhur – KRU “Prishtina” shkyç konsumatorin për lidhje ilegale appeared first on Telegrafi.

Vrasja e 14-vjeçarit në Maliq, reagon familja e Martin Canit: Mbyllja e TikTok nuk ishte zgjidhje, duhen masa konkrete

17 August 2025 at 12:31

Pas vrasjes së një tjetër 14-vjeçari dy ditë më parë ën Maliq ka reaguar familja e Martyin Canit, 14-vjeçari i cili u vra me thikë po nga një bashkëmoshatar te shkolla “Fan Noli” në kryeqytet.

Në një deklaratë të shpërndarë për mediat, prindërit e Martin Canit shprehen se kjo tragjedi tregoi që mbyllja e TikTok nuk ishte zgjidhje, por vetëm një pretekst politik.

“Megjithë mbylljen e rrjetit social TikTok nga qeveria, një i mitur tjetër u vra nga një bashkëmoshatar në Maliq. Kjo tragjedi e re tregon qartë se mbyllja e TikTok nuk ishte zgjidhje, por vetëm një pretekst politik. Kush e ka radhën që të fajësohet tani për këtë krim të rëndë? Snapchat apo Instagram?”, thuhet në deklaratan e prindërve të Martinit, përcjell A2 CNN.

Ata kërkojnë nga qeveria masa konkrete për përmirësimin e sigurisë në shkolla për të parandaluar tragjedi të tilla. Sipas tyre 14-vjeçarë nuk u vranë nga rrjetet sociale por nga dështimi i sistemeve që duhet të mbrojnë jetën e fëmijëve.

“Ne kërkojmë që qeveria të ndërmarrë masa konkrete, jo thjesht reforma kozmetike për opinion publik. Kërkojmë veprime të dukshme dhe efektive për përmirësimin e sigurisë në shkolla, forcimin e bashkëpunimit me familjet, angazhimin e komunitetit dhe fuqizimin e sistemit shëndetësor. Vetëm me masa të tilla mund të parandalohen tragjedi të tjera dhe të shpëtohen jetë fëmijësh. Martini dhe Eraldi nuk u vranë prej rrjeteve sociale. Ata u vranë nga mungesa e sigurisë, nga papërgjegjësia institucionale dhe nga dështimi i sistemeve që duhet të mbrojnë jetën e fëmijëve. Mbyllja e një aplikacioni nuk e kthen mbrapsht realitetin dhe nuk zgjidh problemet”.

Ata i shprehin ngushëllimet familjes së të miturit në Maliq dhe apelojnë që tragjedi të tilla të mos përsëriten më.

“Në këtë moment dhimbjeje të madhe, shprehim ngushëllimet më të sinqerta për nënën dhe familjen e të miturit të vrarë në Maliq. E dimë se çfarë do të thotë të humbasësh dritën e jetës, dhe ndajmë me ta dhimbjen e pamasë. Zëri ynë bashkohet me të tyren në thirrjen për drejtësi dhe për masa të vërteta, që asnjë nënë tjetër të mos derdhë lot për fëmijën e saj”./a2cnn/

The post Vrasja e 14-vjeçarit në Maliq, reagon familja e Martin Canit: Mbyllja e TikTok nuk ishte zgjidhje, duhen masa konkrete appeared first on Telegrafi.

U mbajt “Fli Fest” në Podujevë, festivali i parë kushtuar flisë tradicionale

17 August 2025 at 12:19

Në kuadër të manifestimit “Ditët e Diasporës”, mbrëmë në sheshin “Katër Dëshmorët” në Podujevë është mbajtur edicioni i parë i festivalit “Fli Fest”, një ngjarje që synon të promovojë trashëgiminë kulturore dhe kulinarinë tradicionale shqiptare.

Festivali mblodhi pjesëmarrës nga Kosova, Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Lugina e Preshevës, të cilët prezantuan mënyra të ndryshme të përgatitjes së flisë, një ndër gatimet më autentike të kuzhinës shqiptare.

Ky bashkëdyzim kulturash dhe recetash e shndërroi Podujevën në një pikëtakim shijesh, duke përçuar mesazhin e unitetit dhe pasurisë kulturore mbarëkombëtare.

“Qëllimi i këtij festivali është të promovojë traditën tonë dhe njëkohësisht të nxisë turizmin lokal, duke e vendosur Podujevën në hartën e aktiviteteve kulturore dhe gastronomike të Kosovës,” u tha në njoftimin zyrtar të Komunës së Podujevës.

Në hapje të festivalit, të pranishmit i përshëndeti Drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, Vlora Humolli-Jashanica, e cila falënderoi grupet pjesëmarrëse për kontributin dhe bashkëpunimin në këtë iniciativë të re kulturore.

“Fli Fest” u prit me interes të madh nga qytetarët dhe vizitorët, duke dhënë sinjal pozitiv për edicionet e ardhshme të këtij festivali që tashmë është pozicionuar si pjesë e rëndësishme e kalendarit kulturor të Podujevës. /Telegrafi/

The post U mbajt “Fli Fest” në Podujevë, festivali i parë kushtuar flisë tradicionale appeared first on Telegrafi.

Zgjerohet sipërfaqja e zjarreve në Parkun e Gërmenjit, në terren 65 forca

17 August 2025 at 10:50

Situata e zjarrit në Parkun Natyror të Gërmenjit paraqitet disi më e qetë dhe nuk ka shumë vatra të reja të zjarrit, por sipërfaqja e prekur është zgjeruar më shumë.

Kjo është bërë e ditur nga autoritetet e qarkut të Korçës sipas të cilave, në terren sot janë rreth 65 forca të MZSH Kolonjë, drejtoria rajonale e Zonave të Mbrojtura, policia kufitare, shërbimi pyjor e vullnetarë.

Ato janë mbështetur edhe prej forcave të ushtrisë nga reparti i Drenovës, duke qenë se përhapja dje depërtoi në zonën e mbrojtur të pyllit dhe risku është i lartë.

“Besojmë që falë kësaj përpjekjeje sot situata të normalizohet, duke shpresuar që do të favorizohemi sot apo nesër edhe nga reshje shiu, sepse parashikimi i motit është i vranët”, njofton prefektura./a2cnn/

The post Zgjerohet sipërfaqja e zjarreve në Parkun e Gërmenjit, në terren 65 forca appeared first on Telegrafi.

Paraburgim për dy të arrestuarit në Mitrovicë për shitblerje të narkotikëve

17 August 2025 at 10:41

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka njoftuar se Gjykata Themelore në Mitrovicë ka aprovuar kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy të dyshuarve, E.S. dhe Sh.S., të cilët dyshohen për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope apo analoge në vazhdim dhe në bashkëkryerje”.

Në këtë rast, i mituri U.S., ndaj të cilit Departamenti për të Mitur kishte parashtruar kërkesë, është vënë nën masën e arrestit shtëpiak.

Prokuroria ka njoftuar se arrestimet janë kryer pas hetimeve të koordinuara me Policinë, përfshirë edhe zbatimin e masave të veçanta hetimore.

“Gjatë aksionit janë gjetur dhe sekuestruar vetura, substanca narkotike të llojit marihuanë dhe kokainë, si dhe para të dyshuara,” thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Në përputhje me aktakuzën, të dyshuarit dyshohet se kanë kryer veprën penale sipas nenit 267 paragrafi 2, lidhur me nenin 31 dhe 77 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë do të vazhdojë me procedurat ligjore në këtë rast. /Telegrafi/

The post Paraburgim për dy të arrestuarit në Mitrovicë për shitblerje të narkotikëve appeared first on Telegrafi.

Nga nesër, kthimi i autobusëve për Podujevë do të bëhet nga Xhamia e Llapit

17 August 2025 at 10:26

Shoqata e Transportit të Autobusëve në relacionin Prishtinë – Podujevë ka njoftuar se duke filluar nga e hëna, kthimi i autobusëve nga Prishtina për në Podujevë do të bëhet nga Xhamia e Llapit, ashtu siç ka qenë më parë.

Ky ndryshim sipas Shoqatës është bërë për shkak të mungesës së një stacioni të përshtatshëm, gjë që sipas tyre rrezikon sigurinë e udhëtarëve, përfshirë nxënësit dhe banorët e lagjes së Llapit.

“Ky ndryshim është i domosdoshëm, sepse mungesa e një stacioni të përshtatshëm rrezikon sigurinë e nxënësve të shkollave, të qytetarëve të Llapit, si dhe të gjithë udhëtarëve që udhëtojnë në relacionin Prishtinë – Podujevë. Po ashtu, përderisa orarin e kemi nga Xhamia e Llapit, ligji është në anën tonë dhe na mbron në këtë vendim,” thuhet në njoftimin e Shoqatës.

Kjo pikë kthimi do të vlejë jo vetëm për udhëtarët e linjës kryesore për Podujevë, por edhe për ata që udhëtojnë përmes fshatrave si Orllan, Shajkoc dhe Majac, pasi ndalesa për ta do të bëhet po ashtu te Xhamia e Llapit – njësoj si në të kaluarën.

Shoqata i bën thirrje udhëtarëve që të marrin parasysh këtë ndryshim dhe të planifikojnë udhëtimet e tyre në përputhje me vendimin e ri. /Telegrafi/

The post Nga nesër, kthimi i autobusëve për Podujevë do të bëhet nga Xhamia e Llapit appeared first on Telegrafi.

Arrestime dhe konfiskime armësh në Graqanicë, Prishtinë dhe Barilevë

17 August 2025 at 10:25

Njësitë policore kanë ndërmarrë një sërë veprimesh gjatë 16 gushtit lidhur me armëmbajtje pa leje në zona të ndryshme të Kosovës, duke rezultuar me konfiskime armësh dhe arrestime.

Në fshatin Gushterica e Epërme, Graqanicë, rreth orës 08:30, është gjetur dhe konfiskuar një pushkë gjuetie në posedim të një mashkulli kosovar. Sipas raportit policor, i dyshuari nuk ka bashkëpunuar me autoritetet dhe dyshohet se ka probleme psikike, ndaj është dërguar për trajtim në repartin psikiatrik në Mitrovicë.

Më vonë rreth orës 21:45, në rrugën B në Prishtinë në një pikë kontrolli, është ndaluar një veturë me targa vendore, ku drejtuesi i saj, një mashkull kosovar ka pranuar se posedon armë.

Policia ka konfiskuar armën, e cila ka rezultuar pa municion. I dyshuari është intervistuar dhe rasti ka kaluar në procedurë të rregullt sipas vendimit të prokurorit.

Në fshatin Barilevë, rreth orës 22:35, është arrestuar një mashkull kosovar pasi dyshohet se ka shtënë me armë zjarri. Në vendngjarje janë sekuestruar një pistoletë me gaz dhe 16 gëzhoja. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt. /Telegrafi/

 

 

The post Arrestime dhe konfiskime armësh në Graqanicë, Prishtinë dhe Barilevë appeared first on Telegrafi.

Sekuestrohen cigare pa banderola dhe mbi 22 mijë euro në Gjilan

17 August 2025 at 08:58

Njësitë policore në Gjilan kanë ndaluar një mashkull kosovar, i cili dyshohet për tregti të ndaluar.

Gjatë kontrollit në automjetin e tij janë gjetur dhe konfiskuar cigare të llojeve të ndryshëm pa banderola si dhe një shumë prej 22,515 euro para të gatshme.

Sipas njoftimit me vendim të Prokurorit automjeti dhe mallrat iu janë dorëzuar Doganës për procedura të mëtejshme, ndërsa paratë janë sekuestruar deri në verifikimin e origjinës së tyre.

I dyshuari është liruar në procedurë të rregullt dhe ndaj tij do të ndiqen masat ligjore të nevojshme. /Telegrafi/

 

The post Sekuestrohen cigare pa banderola dhe mbi 22 mijë euro në Gjilan appeared first on Telegrafi.

Rrëmbehet një e mitur në Shaptej të Deçanit, shpëtohet nga qytetarët

17 August 2025 at 08:46

Një rrëmbim ka ndodhur mbrëmë në rrugën “Arben Hajdaraj” në fshatin Shaptej të Deçanit.

Njësitet policore janë njoftuar për rastin rreth orës 23:30, pas një informate për rrëmbim të një të miture me të meta mendore.

Sipas raportit policor, një person i panjohur ka rrëmbyer vajzën me veturë pranë shtëpisë së saj.

Ankuesi dhe një dëshmitar i rastit janë vënë në ndjekje të automjetit dhe kanë arritur ta ndalojnë atë, duke marrë viktimën dhe duke e dërguar të sigurtë në shtëpi.

I dyshuari është arratisur në drejtim të panjohur.

Policia ka gjetur dhe sekuestruar veturën e braktisur rreth 3 kilometra larg vendit të ngjarjes.

Viktima është dërguar për tretman mjekësor dhe sipas raportit nuk ka pësuar lëndime fizike, por ka pasur shqetësim emocional.

Rasti është duke u hetuar nga autoritetet policore. /Telegrafi/

 

The post Rrëmbehet një e mitur në Shaptej të Deçanit, shpëtohet nga qytetarët appeared first on Telegrafi.

Tri orë pritje në Merdar për të dalë nga Kosova, kolona arrin 2 kilometra

17 August 2025 at 08:38

Pika kufitare në Merdar vazhdon të jetë më e ngarkuara për dalje nga Kosova, me pritje që arrijnë deri në 200 minuta (rreth 3 orë e 30 minuta), ndërsa kolona e automjeteve në dalje është e gjatë rreth 2 kilometra.

Sipas të dhënave më të fundit nga Qendra Kombëtare për Menaxhimin e Kufirit, kjo situatë është pjesë e fluksit të zakonshëm të verës, kur shumë bashkatdhetarë nisen drejt vendeve ku jetojnë pas pushimeve në Kosovë.

Pritje të theksuara janë regjistruar edhe në pikën kufitare të Dheu i Bardhë, me një kohë pritjeje prej 60 minutash dhe një kolonë prej rreth 450 metrash për dalje nga Kosova.

Në pikat e tjera kufitare, situata është e qetë.

Në shumicën e tyre, koha e pritjes për hyrje dhe dalje është minimale mes 3 deri në 5 minuta, pa kolona të theksuara.

Përditësimet e fundit rreth fluksit në pikat kufitare mund ti gjeni KËTU. /Telegrafi/

The post Tri orë pritje në Merdar për të dalë nga Kosova, kolona arrin 2 kilometra appeared first on Telegrafi.

Temperatura të larta në Shqipëri

17 August 2025 at 08:24

Pjesa e parë e ditës në Shqipëri do të jetë me alternime kthjellimesh dhe kalime vranësirash, ku kthjellimet më të dukshme pritet të jenë në vijën bregdetare.

Parashikohet që pas mesdite vranësirat e shpeshta gradualisht do të shfaqen në të gjithë territorin, ku më të fokusuara do të jenë në zonat jugore dhe pjesërisht Qëndrore duke gjeneruar herë pas here rrebeshe të izoluara shiu.

Ndërsa mbrëmja dhe nata vonë do të sjellin mot të qëndrueshëm në vendin tonë.

Temperaturat e ajrit do të rriten në mëngjes, por ulen në mesditë duke luhatur vlerat ditore nga 13°C temperatura më e ulët deri në 37°C vlera më e lartë në rang vendi.

Era do të fryjë e lehtë, duke arritur shpejtësinë 35 km/h nga drejtimi kryesisht Perëndimor; kjo do të bëj që në brigjet detare të krijohet dallgëzim 2 ballë./abcnews/

The post Temperatura të larta në Shqipëri appeared first on Telegrafi.

Before yesterdayMain stream

Rënie e madhe e ujit në burimin e Drinit të Bardhë, KRU “Hidrodrini” ndërmerr masa për stabilizim e furnizimit në Pejë

14 August 2025 at 14:58

Për shkak të rënies së konsiderueshme të sasisë së ujit në burimin e Drinit të Bardhë, ekipet e KRU “Hidrodrini” në Pejë kanë ndërmarrë veprime të menjëhershme operative për izolimin dhe koncentrimin e burimit, me qëllim stabilizimin e furnizimit me ujë për konsumatorët.

Sipas zyrës për informim të KRU “Hidrodrini”, veprimet kanë dhënë rezultate pozitive, dhe nga mbrëmja e sotme pritet që efektet të jenë të dukshme për qytetarët.

Megjithatë, rënia e sasisë së ujit ka shkaktuar vështirësi në furnizim në disa lagje të qytetit, përfshirë B.T. ‘Xhemajl Kada’, ‘Kristali’, ‘Rrokaqielli’, një pjesë të B.T. ‘Haxhi Zeka’ si dhe rrugë të tjera dytësore.

KRU “Hidrodrini” apelon te qytetarët e rajonit që të përdorin ujin në mënyrë të kujdesshme dhe të racionalizuar, për të ndihmuar në shpërndarjen e drejtë dhe minimizimin e reduktimeve.

Situata e ngjashme paraqitet edhe në pjesë të tjera të Kosovës, ku po bëhen përpjekje të mëdha për të përballuar mungesat e ujit./Telegrafi/

The post Rënie e madhe e ujit në burimin e Drinit të Bardhë, KRU “Hidrodrini” ndërmerr masa për stabilizim e furnizimit në Pejë appeared first on Telegrafi.

Miratohet kalendari për vitin shkollor 2025-2026

14 August 2025 at 14:53

Ministria e Arsimit ka miratuar Udhëzimin Administrativ për kalendarin e vitit shkollor 2025-2026, i cili përcakton datat e fillimit dhe përfundimit të vitit shkollor në të gjitha institucionet publike dhe private.

Kështu kë bërë të ditur ministrja në detyrë, Arbërie Nagavci.

“Ky udhëzim përcakton datat e fillimit dhe përfundimit të vitit shkollor në të gjitha institucionet, duke përfshirë nivelet nga parashkollori deri te shkollat e mesme, si dhe pushimet dhe festat zyrtare, duke siguruar një kalendar të qartë dhe të strukturuar për nxënësit dhe mësimdhënësit”, ka shkruar Nagavci.

Ajo falënderoi grupin punues për përkushtimin.

“Faleminderit të gjithë anëtarëve të grupit punues, mësimdhënësve dhe përfaqësuesve të Drejtorive Komunale të Arsimit për punën e tyre të palodhur në hartimin e këtij kalendari gjithëpërfshirës”, u shpreh ministrja në detyrë.

Ministrja në detyrë gjithashtu shtoi se janë duke  bërë përgatitjet më të mira për t’ju siguruar një vit shkollor të suksesshëm, plot mundësi për mësim dhe zhvillim.

“Ju uroj një fillim të suksesshëm dhe një vit shkollor plot arritje e përvoja të reja”, ka shkruar Nagavci. /Telegrafi/

The post Miratohet kalendari për vitin shkollor 2025-2026 appeared first on Telegrafi.

Dragidella ishte larguar nga LVV në korrik të vitit 2024

14 August 2025 at 14:41

Një prej zërave më aktivë të Lëvizjes Vetëvendosje në Klinë, Lulzim Dragidella, njoftoi sot publikisht dorëheqjen e tij nga kjo parti, duke e cilësuar atë si “vendimin më të vështirë” në karrierën e tij politike.

Ai kritikoi mungesën e demokracisë së brendshme, mungesën e transparencës dhe përjashtimin e zërave kritikë brenda strukturës partiake.

“Gjatë viteve të fundit, një element themelor që e bëri këtë lëvizje të fuqishme – demokracia e brendshme – është zbehur deri në zhdukje. Sot vendimmarrja ndodh kryesisht në rrethe të ngushta, larg syve dhe mendimeve të shumicës së anëtarëve. Mendimet e ndryshme, që dikur pasuronin debatin, sot shpesh trajtohen si rrezik për unitetin, në vend që të shihen si forcë e tij. Në terren, sidomos në zona si Klina, kam parë një braktisje të angazhimit real me qytetarët. Struktura lokale shpesh lihet pas dore, njerëzit që japin kohën dhe mundin e tyre injorohen, ndërsa kontributet e sinqerta nuk vlerësohen. Kam parë shokë dhe kolegë që janë zhgënjyer deri në heshtje, sepse zëri i tyre nuk gjen hapësirë”, thotë ai.

Megjithatë, dokumenti i siguruar nga Dukagjini tregon se Dragidella kishte dhënë dorëheqje kohë më parë.

Në letrën e datës 23 korrik 2024, të adresuar për kryetaren e Qendrës së LVV-së në Klinë, Teuta Mulaj, Dragidella deklaron dorëheqjen e parevokueshme nga pozita e nënkryetarit të kësaj qendre, duke përmendur arsye personale.

“Për arsye personale jap dorëheqje të parevokueshme nga pozita e nënkryetarit të Qendrës në Klinë”, thuhet në dokumentin e nënshkruar nga ai./RTVD/

The post Dragidella ishte larguar nga LVV në korrik të vitit 2024 appeared first on Telegrafi.

I dyshuari për krime lufte del para Gjykatës Themelore në Prishtinë

14 August 2025 at 08:59

I dyshuari për “Krime lufte kundër popullsisë civile”, me inicialet R.M sot ka dalë sot para Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Ai u arrestua ditë më parë në Prishtinë nga Policia e Kosovës.

Ai dyshohet për pjesëmarrje në masakrimin e 34 civilëve shqiptarë në fshatin Burim të Malishevës, më 1999.

“R.M., dyshohet se gjatë luftës në Kosovë, në periudhën 29-31 mars 1999, në bashkëkryerje me pjesëtarë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marrë pjesë në masakrën e 34 civilëve shqiptarë në fshatin Burim, Komuna e Malishevës”, tha Prokuroria më herët, ndërsa theksoi se gjatë fazës së hetimeve janë siguruar prova materiale, përfshirë dëshmi të dëshmitarëve okularë dhe të mbijetuarve.

Seanca mbahet e mbyllur për media./KP/

The post I dyshuari për krime lufte del para Gjykatës Themelore në Prishtinë appeared first on Telegrafi.

Zjarri në Skënderbegas të Gramshit, shtohen forcat në terren për të vënë nën kontroll situatën

14 August 2025 at 08:53

Skënderbegas i Gramshit po përballet me një situatë të vështirë zjarri, ku çdo minutë është me rëndësi.

Për t’u ardhur në ndihmë emergjencave lokale dhe Forcave të Armatosura të dislokuara në zonë, janë angazhuar edhe zjarrfikës nga Korça dhe Pusteci.

Kështu ka bërë të ditur ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu përmes një postimi në Facebook.

Vengu tha se zjarrfikësit po punojnë për të mbyllur përfundimisht një front të rrezikshëm të zjarrit dhe për të eliminuar çdo mundësi të riaktivizimit të flakëve.

“Në Skënderbegas të Gramshit, çdo minutë ka rëndësi. Në ndihmë të emergjencave lokale dhe Forcave të Armatosura në zonë, janë dislokuar edhe zjarrfikës nga Korça dhe Pusteci , për të mbyllur përfundimisht një front të vështirë dhe për të eliminuar çdo mundësi riaktivizimi të zjarrit”, ka shkruar Vengu. /Telegrafi/

 

The post Zjarri në Skënderbegas të Gramshit, shtohen forcat në terren për të vënë nën kontroll situatën appeared first on Telegrafi.

Policia në Ferizaj sekuestron dy armë – një rast dhunë në familje, tjetri gjuajtje në ajër

14 August 2025 at 08:46

Policia e Kosovës në Ferizaj gjatë të mërkurës ka ndërhyrë në dy raste ku ka sekuestruar dy armë zjarri.

Sipas njoftimit në ora 11:00 një grua ka raportuar se ishte sulmuar fizikisht dhe kërcënuar nga bashkëshorti i saj mashkull, kosovar, i moshës 43 vjeç.

Nga i dyshuari është  konfiskuar një pushkë gjysmëautomatike dhe 9 fishekë. Me vendim të prokurorit të shtetit, pas intervistimit nga policia është ndaluar për 48 orë.

Ndërsa në ora 22:30 gjatë një ahengu familjar në Ferizaj, i dyshuari mashkull, kosovar, i moshës 61 vjeç, kishte shtënë disa herë në ajër me armë zjarri.

Në këtë rast është konfiskuar një armë dhe 6 gëzhoja. Pas intervistimit nga policia, me vendim të prokurorit të shtetit është liruar në procedurë të rregullt.

Në të dy rastet janë iniciuar veprat penale për “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, dhe “Lëndim i lehtë trupor “, ndërsa në rastin e dytë edhe për “Përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm”. /Telegrafi/

 

 

 

 

The post Policia në Ferizaj sekuestron dy armë – një rast dhunë në familje, tjetri gjuajtje në ajër appeared first on Telegrafi.

❌
❌