Porti i ri tregtar në Porto Romano, miratohen shpronësimet
TIRANË, 31 korrik/ATSH/ Qeveria vendosi sot shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Për zbatimin e projektit të portit të ri tregtar të integruar të Durrësit në Porto Romano”.
Shpronësimi bëhet në favor të Autoritetit Portual Durrës.
Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, për pasuritë e llojit “pyll”, “arë”, “truall” dhe “ndërtesë”, me një vlerë të përgjithshme prej 815 696 300.40 (tetëqind e pesëmbëdhjetë milionë e gjashtëqind e nëntëdhjetë e gjashtë mijë e treqind pikë dyzet) lekësh.
Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Autoritetit Portual Durrës.
Sipas vendimit, në momentin e ekzekutimit të procedurave për likuidim për çdo pasuri, objekt shpronësimi, që miratohen me anë të këtij vendimi, do të kërkohet dokumentacion pronësie i rifreskuar për secilin pronar, të konfirmuar nga institucioni kompetent, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, me qëllim verifikimin e kufizimeve përkatëse që mbartin kartelat e pasurive, në bazë të të cilave do të vlerësohet dhe do të bëhet procedura e ekzekutimit të këtij vendimi, si dhe në rast se prona është në proces gjyqësor, masa e shpërblimit ose e kompensimit do t’i vendoset në dispozicion personit që rezulton nga vendimi i formës së prerë të gjykatës.
Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Autoriteti Portual Durrës, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Durrës-Kavajë-Krujë, Drejtoria e Administrimit dhe e Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Durrës dhe Agjencia Shtetërore për Shpronësimin për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
The post Porti i ri tregtar në Porto Romano, miratohen shpronësimet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.