TEL AVIV – Familjet e pengjeve izraelite lundrojnë drejt Gazës me mesazhe shprese
TEL AVIV, 7 gusht /ATSH-DPA/ – Të afërmit e pengjeve izraelite të mbajtura në Rripin e Gazës u nisën me një anije nga qyteti bregdetar i Ashkelonit për të dërguar mesazhe mbështetjeje për të dashurit e tyre dhe për të rritur ndërgjegjësimin për gjendjen e tyre të vështirë.
”50 janë pengjet që mbahen ende robër në Rripin e Gazës”, shkroi Forumi i Pengjeve dhe Familjeve të Zhdukura në X.
Të afërmit do të udhëtojnë për rreth dy orë deri në një pikë pranë territorit të izoluar palestinez, raportoi portali izraelit i lajmeve ”Ynet”.
Prej andej, ata synojnë t’u dërgojnë mesazhe shprese familjeve të tyre.
Videot e fundit të publikuara nga organizata ekstremiste palestineze Hamas, që përshkruajnë dy pengje të dobësuara, kanë rritur shqetësimet për shëndetin e tyre dhe kanë intensifikuar thirrjet për t’i dhënë fund luftës.
Gjatë largimit të tyre, anëtarët e forumit kritikuan planin e udhëheqjes izraelite për të marrë plotësisht kontrollin e Rripit të Gazës, duke thënë se kjo do të rrezikonte jetën e pengjeve.
Plani mund të miratohet të enjten në mbrëmje./ /os/
The post TEL AVIV – Familjet e pengjeve izraelite lundrojnë drejt Gazës me mesazhe shprese appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.