Toshiyuki Mimaki sot është 83-vjeç, por ishte vetëm një fëmijë kur vendi i tij përjetoi bombardimin atomik.
Tashmë në moshë të thyer dhe me fjalë të pakta, por ndërsa flet për këtë ngjarje që ka lënë pasoja të mëdha, mosha e tij duket se humbet me fuqinë e historive të tij.
Ai është një i mbijetuar i bombës atomike të Hiroshimës, një avokat i përjetshëm për çarmatimin bërthamor dhe, që nga viti i kaluar, fitues i Çmimit Nobel për Paqen.3:38
Por tani në 80-vjetorin e bombardimit, ai vjen me më shumë sesa thjesht kujtime ai ka një mesazh të fortë.
“Tani është epoka më e rrezikshme,” thotë ai, duke shtuar: “Rusia mund ta përdorë një armë bërthamore, Koreja e Veriut mund ta përdorë, Kina mund ta përdorë atë dhe presidenti Trump? Nuk po shohim ndryshim”.
“Thirrja jonë”,- siç thekson ai ka qenë një botë pa luftë.
“Ne kemi bërë thirrje e apel për një botë pa luftë apo armë bërthamore, por ata nuk po dëgjojnë”.
Mimaki tregon se ishte tre vjeç kur SHBA-të hodhën një bombë atomike në qytetin e Hiroshimës, shkruan skynews.
‘Nuk dëgjova asnjë zë’
Ishte hera e parë që një armë bërthamore ishte përdorur në luftë dhe mbahet mend si një nga ngjarjet më të tmerrshme në historinë e konfliktit.
Është vlerësuar se ka vrarë mbi 70,000 njerëz në vend, një në çdo pesë banorë, duke lëshuar një nxehtësi tokësore prej rreth 4,000 gradë Celsius, duke shkrirë gjithçka në rrugën e saj dhe duke rrafshuar dy të tretat e qytetit.
Histori të tmerrshme përhapeshin ngadalë, për kufoma të nxirë dhe lëkurë që varej nga viktimat si lecka.
“Ajo që më kujtohet është se atë ditë po luaja jashtë dhe pati një shkëndijë”, kujton Mimaki.
“Ishim 17 km larg hipoqendrës. Nuk dëgjova asnjë shpërthim, nuk dëgjova asnjë zhurmë, por mendova se ishte vetëtima.”
“Pastaj erdhi pasditja dhe njerëzit filluan të dilnin me shumicë. Disa me flokë të çrregullt, rroba të grisura, disa me këpucë, disa pa këpucë dhe duke kërkuar ujë.”

‘Qyteti nuk ishte më aty’, tregon ai.
Shkatërrimi ishte shumë i madh.
‘Njerëzit ende vuajnë’
Tre ditë më vonë, SHBA-të do të hidhnin një tjetër bombë atomike në qytetin e Nagasakit, duke sjellë një dorëzim pa kushte të Japonisë dhe fundin e Luftës së Dytë Botërore.
Deri në fund të vitit 1945, numri i të vdekurve nga të dy qytetet do të ishte rritur në rreth 210,000 dhe deri më sot nuk dihet saktësisht se sa njerëz humbën jetën në vitet në vijim nga kanceri dhe efektet e tjera anësore.
“Po ndodh ende, edhe tani. Njerëzit ende vuajnë nga rrezatimi, janë në spital”, thotë ai.
Tragjikisht, shumë nga ata që u përfshinë në bombë jetuan me stigmën për pjesën më të madhe të jetës së tyre. Keqkuptimet rreth ndikimit të rrezatimit nënkuptonin se ata shpesh shmangeshin dhe refuzoheshin për punë ose si partnerë në martesë.
Prandaj, shumë prej tyre u përpoqën ta fshihnin statusin e tyre si Hibakusha (një person i prekur nga bombat atomike) dhe tani, në moshë të shtyrë, po e kanë të vështirë të kërkojnë mbështetjen financiare që u takon.
Dhe pastaj janë plagët e mëdha psikologjike dhe problemet e shëndetit mendor që do të zgjasin gjatë gjithë jetës.
Shumë Hibakusha zgjodhën të mos flisnin kurrë për atë që panë atë ditë dhe të jetonin me fajin që mbijetuan.
Mimaki, ai rrëfen një histori se si ai dhe një vajzë tjetër e re afërsisht në moshën e tij u sëmurën me atë që ai tani beson se ishte helmim nga rrezatimi.
«Ajo vdiq, dhe unë mbijetova», thotë ai me një psherëtimë të rëndë dhe tendosje në sy.
Më pas ai ia ka kushtuar jetën e tij avokimit dhe është bashkëkryetar i një grupi të mbijetuarish të bombës atomike të quajtur Nihon Hidankyo. Anëtarëve të këtij grupi iu dha Çmimi Nobel për Paqen në vitin 2024.
“Pse këtyre qënieve të quajtura njerëz u pëlqen kaq shumë lufta?”
“Vazhdojmë ta themi, vazhdojmë t’ua themi, por nuk po ndodh asgjë ndryshe, për 80 vjet askush nuk ka dëgjuar. Ne jemi Hibakusha, mesazhi im është që nuk duhet ta krijojmë më kurrë Hibakusha-n.”
/abcnews.al/