Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 8 August 2025Main stream

Starmer kundër pushtimit të plotë të Gazës: Vendimi i qeverisë izraelite i gabuar, duhet armëpushim

8 August 2025 at 09:12

Kryeministri britanik Keir Starmer është shprehur kundër përshkallëzimit të situatës në Gaza, duke e quajtur vendimin e fundit të kryeministrit izraelit për pushtimin e plotë të Gazës, të gabuar.

Ai i kërkon qeverisë izraelite ta shqyrtojë edhe njëherë një vendim të tillë.

“Ky veprim nuk do të bëjë asgjë për t’i dhënë fund këtij konflikti ose për të ndihmuar në sigurimin e lirimit të pengjeve. Ai vetëm sa do të sjellë më shumë gjakderdhje. Çdo ditë kriza humanitare në Gaza përkeqësohet dhe pengjet e marra nga Hamasi mbahen në kushte të tmerrshme dhe çnjerëzore. Ajo që na duhet është një armëpushim, një rritje e ndihmës humanitare, lirimi i të gjithë pengjeve nga Hamasi dhe një zgjidhje e negociuar. Hamasi nuk mund të luajë asnjë rol në të ardhmen e Gazës dhe duhet të largohet, si dhe të çarmatoset”, ka thënë ai.

/abcnews.al/

I vuri flakën mbeturinave, zjarri përfshiu sipërfaqe toke e pemë frutore, arrestohet 47-vjeçari në Kavajë

8 August 2025 at 08:54

Policia e Kavajës ka vënë në pranga një 47-vjeçar si autor të dyshuar të zjarrit që përfshiu një sipërfaqe të madhe toke me pemë frutore, në fshatin Kryeluzaj, Kavajë.

Arrestimi i tij u bë pasi, duke djegur mbeturina në tokën e tij, zjarri i ka dalë jashtë kontrollit duke përfshirë një sipërfaqe të madhe toke dhe pemë frutore, në fshatin Kryeluzaj.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.

Autoritetet bëjnë apel që qytetarët të tregohen të kujdesshëm dhe të mos ndezin zjarr për djegien e mbeturinave apo të mbetjeve të prodhimeve bujqësore, si dhe për qytetarët të shmangin hedhjen e cigareve të ndezura pranë sipërfaqeve të pyllëzuara.

/abcnews.al/

“Ngërçi politik” në Kosovë/ Afati i fundit për vendimin e Kushtetueses për konstituimin e Kuvendit

8 August 2025 at 08:33

Gjykata Kushtetuese pritet të nxjerrë këtë të premte vendimin lidhur me ngërçin e krijuar në Kuvendin e Kosovës. Më 26 korrik ka përfunduar afati i vendosur nga Kushtetuesja për konstituimin e Kuvendit.

Pas kësaj, Gjykata vendosi një masë të përkohshme që nuk i lejoi deputetët të marrin asnjë veprim për konstituimin e Kuvendit për dy javë, deri më 8 gusht.

Për bllokadën në Kuvend në Kushtetuese janë dërguar tri kërkesa, një nga presidentja Vjosa Osmani, një nga Partia Demokratike e Kosovës dhe një nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Osmani këtë javë e ka tërhequr kërkesën, pasi gjykata për këtë çështje ka caktuar gjyqtar raportues Radomir Labanin. Sipas Osmanit, në bazë të informacioneve të institucioneve të sigurisë, gjyqtari serb përbën rrezik për rendin kushtetues të Kosovës.

Deputetët e zgjedhur në zgjedhjet e 9 shkurtit kanë dështuar të konstituojnë Kuvendin pavarësisht se janë mbajtur dhjetëra seanca.

Izraeli miraton planin për “marrjen nën kontroll” të Gazës

8 August 2025 at 08:17

Kabineti i sigurisë i Izraelit ka miratuar planin e propozuar nga kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, që ushtria “të marrë kontrollin” e Qytetit të Gazës.

Sipas planit për “mposhtjen” e Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – në Rripin e Gazës, ushtria izraelite do “të përgatitet të marrë kontrollin e Qytetit të Gazës, teksa njëkohësisht do të shpërndajë ndihma humanitare për popullatë civile jashtë zonave të luftimeve”, u tha në njoftimin e Zyrës së Netanyahut më 8 gusht.

Operacioni që IDF do të përgatisë ka të bëjë vetëm me Qytetin e Gazës; synimiështë evakuimi i të gjithë banorëve të qytetit në kampet qendrore të refugjatëve dhe zona të tjera deri më 7 tetor 2025.

Gati dy vjet pas nisjes së luftës në Gazë, Netanyahu po përballet me presion brenda shtetit dhe nga jashtë për të arritur një armëpushim në Gazë dhe për t’u tërhequr nga territori palestinez. Ai gjithashtu po përballet me presion që të lirohen pengjet që mbahen nga Hamasi.

Teksa mblodhi kabinetin e tij të sigurisë të enjten, Netanyahu tha se Izraeli planifikon që të marrë kontrollin e plotë të Gazës, por shtoi se nuk synon që të qeverisë me këtë territor.

Mijëra hotele në Evropë paralajmërojnë padi ndaj “Booking”

8 August 2025 at 07:52

Kompania digjitale “Booking.com” po përballet me një padi kolektive nga më shumë se 10,000 hotele evropiane, të cilat pretendojnë se gjiganti i rezervimeve ka përdorur ndikimin e tij për të shtrembëruar tregun në dëm të tyre gjatë periudhës 20-vjeçare.

Shoqata e Hoteleve, Restoranteve dhe Kafeneve në Evropë (Hotrec), e cila përfaqëson industrinë brenda Bashkimit Evropian dhe po ndërmerr hapat e lartcekur ligjor, ka zgjatur afatin deri më 29 gusht për pronarët e hoteleve që të bashkohen me padinë, për shkak të kërkesës së lartë.

Padia, që pritet të jetë një ndër më të mëdhatë ndonjëherë në sektorin evropian të hotelerisë, mbështetet po ashtu nga 30 shoqata kombëtare, përfshirë atë të Britanisë.

“Më shumë se 10,000 hotele janë bashkuar tashmë me këtë nismë pan-evropiane për të kërkuar kompensim për humbjet financiare të shkaktuara nga përdorimi i paligjshëm i klauzolave të ‘çmimit më të mirë’ nga Booking.com”, thuhet në një deklaratë të Hotrec.

Shoqata ka pretenduar se premtimi për çmimin më të mirë në “Booking.com” u imponua mbi hotelet përmes presionit të madh, duke i ndaluar ato të ofronin çmime më të ulëta në platforma të tjera, përfshirë faqet e tyre zyrtare, ka shkruar The Guardian.

Në këtë industri kanë bërë të ditur gjithashtu se platforma me bazë në Holandë e përdori këtë klauzolë për të parandaluar rezervimet që i quante “free-rider” – raste kur klientët përdorin “Booking.com” për të gjetur një hotel, por më pas rezervonin direkt me menaxhmentin, duke e anashkaluar platformën.

“Regjistrimet [për të marrë pjesë në nismën ligjore] po rriten në mënyrë të qëndrueshme, dhe reagimi deri tani tregon dëshirën e fortë të industrisë së hotelerisë për të kundërshtuar praktikat e padrejta në tregun digjital”, thuhet në reagimin e Hotrec.

“Mirror”: Shqipëria, destinacioni i duhur për pushime. Me klimë mesdhetare e peizazhe magjepsëse

8 August 2025 at 07:51

E bekuar me një klimë mesdhetare dhe temperatura të ngrohta që arrijnë deri në 30 gradë Celsius, Shqipëria është një parajsë për adhuruesit e diellit, shkruan Milo Boyd në një artikull të botuar në të përditshmen britanike “Mirror”.

Kompania ajrore “Wizz Air” ka lançuar një itinerar të ri, duke lidhur Britaninë e Madhe me destinacionin e ri evropian të lirë dhe me diell.

Shqipëria është quajtur “Maldivet e Evropës” falë brigjeve të saj të pacënuara me rërë të bardhë dhe ujërave të kristalta që zbukurojnë Rivierën e saj spektakolare.

Me një numër në rritje të pushuesve që zbulojnë rajonin – kjo perlë ende ofron vlera të jashtëzakonshme krahasuar me vendet e tjera evropiane.

Vizitorët mund të kënaqen me akomodime luksoze pa shtrënguar buxhetin e tyre, me apartamente buzë detit të disponueshme për vetëm 20 paund në natë.

Ushqimi është i shijshëm dhe një vakt i bollshëm me pije, zakonisht kushton rreth 15 paund.

Falë një mori videosh në TikTok që shfaqin ujërat e saj të kristalta dhe rërën e bardhë të pastër, Shqipëria është bërë një pikë e nxehtë për pushuesit që kërkojnë një përvojë të ngjashme me ato në Maldive.

E bekuar me një klimë mesdhetare dhe temperatura verore që arrijnë deri në 30 gradë Celsius, Shqipëria është një parajsë për adhuruesit e diellit.

Linja e re e “Wizz Air” lidh Aeroportin Gatwick të Londrës me Tiranën, kryeqytetin e Shqipërisë. Biletat më të lira kushtojnë vetëm 19,99 paund.

Nëse nuk jeni afër Aeroportin Gatwick të Londrës, atëherë “Ryanair” ofron gjithashtu fluturime për në Tiranë nga Birmingham, Bristol, Mançester, Edinburgu dhe Aeroporti Stansted i Londrës.

Shqipëria krenohet me koston e ulët të jetesës në Evropë, me dhoma hoteli në qendër të Tiranës që kushtojnë më pak se 30 paund, përfshirë mëngjesin.

Apartamentet buzë detit përgjatë bregdetit Adriatik janë edhe më të përballueshme.

Një tjetër rrugë e përballueshme për në bregdetin e shkëlqyer të Shqipërisë është të fluturosh për në Korfuz dhe pastaj të hipësh në një traget për afërsisht 15 paund në çdo drejtim.

Ju mund të ngrini një kamping në Dhërmi, dhe të eksploroni një plazh të ri çdo ditë. Një drekë e këndshme buzë detit në zonë do të kushtojë vetëm rreth 10 paund për person.

Ekspertja e udhëtimeve, Laura Hewson, e cila eksploroi Shqipërinë vjeshtën e kaluar, ndau përvojën e saj.

“Në atë kohë, se bashku me shoqen time, Farrell Modd po planifikonim të shkonim në Kroaci. Por, një nga miqtë tanë që kishte qenë në Shqipëri tha se duhej të shkonim me patjetër. Ai tha se ishte si Greqia dhe Kroacia, por më e lirë dhe shumë më e bukur pasi nuk kishte dyndje turistësh”, tha Laura Hewson.

Ajo shtoi se në Shqipëri, mund të përballonin një hotel me katër yje – me mëngjesin e përfshirë – me të njëjtin çmim që kishin paguar për qëndrimet në hostele në Itali dhe Spanjë.

Farrell Modd, zbuloi se rrjetet sociale kishin luajtur një rol në zgjedhjen e Shqipërisë si destinacionin e tyre – duke shtuar se ajo ishte mahnitur nga videot ku shfaqeshin peizazhe magjepsëse nga vendi.

“Pse Trump dhe Putin vendosën të takohen?”/ Analiza e CNN: Skenarët e mundshëm për fundin e luftës në Ukrainë!

8 August 2025 at 07:48

Bota po pret me padurim takimin e ardhshëm Donald Trump-Vladimir Putin.

CNN ka bërë një pasqyrë të zhvillimeve të fundit me fokus luftën në Ukrainë, duke analizuar edhe arsyet përse palët thanë “po” tani për një takim kokë më kokë, si dhe skenarët e mundshëm për përfundimin e luftës në Ukrainë.

Sipas rrjetit prestigjioz amerikan, Trump synon të shfrytëzojë fuqinë e personalitetit të tij për të arritur një marrëveshje, pasi ende duket se beson se Putin mund të bindet të ndalojë luftën pavarësisht qëndrimeve ekstreme që ka shprehur vazhdimisht.

Sa i përket udhëheqësit rus, CNN shkruan se ai po duket se po përpiqet të fitojë kohë pasi ka refuzuar tashmë ofertën e evropianëve, SHBA-së dhe Ukrainës për një armëpushim pa kushte në maj, duke ofruar në vend të kësaj dy pauza të njëanshme, të shkurtra dhe të parëndësishme.

Pesë skenarët që sipas CNN janë për përfundimin e luftës në Ukrainë.

1.Putini pranon armëpushim pa kushte?

Sipas CNN, është një skenar “shumë i pamundur” që Putini të jetë dakord për një armëpushim me vijat e frontit që mbeten siç janë. SHBA-ja, Evropa dhe Ukraina kishin bërë thirrje për një armëpushim të tillë në maj, nën kërcënimin e sanksioneve, dhe Rusia e hodhi poshtë atë. Trump u tërhoq nga sanksionet, duke preferuar bisedime të nivelit të ulët në Stamboll, të cilat nuk çuan askund.

Kremlini aktualisht po i shndërron fitimet graduale në vijat e frontit në avantazhe strategjike dhe nuk sheh asnjë arsye për ta ndaluar këtë përparim tani që po arrin kulmin. As kërcënimi i sanksioneve dytësore kundër Kinës dhe Indisë, të cilat duken rezistente ndaj presionit të SHBA-së, nuk do ta ndryshojë këtë llogaritje të menjëhershme ushtarake për pjesën tjetër të verës. Të paktën deri në tetor, Putini do të dëshirojë të luftojë sepse po fiton.

2. Pragmatizëm dhe më shumë bisedime

Bisedimet mund të rezultojnë në një marrëveshje për më shumë bisedime të tjera më vonë, të cilat do të vulosnin fitimet e Rusisë me ardhjen e dimrit, duke ngrirë ushtarakisht dhe fjalë për fjalë vijat e frontit rreth tetorit.

Putini mund të ketë pushtuar qytetet lindore të Pokrovsk, Kostyantynovka dhe Kupyansk deri atëherë, duke fituar kështu një pikëmbështetje të fortë për të kaluar dimrin dhe për t’u riorganizuar.

Rusia mund të luftojë përsëri në vitin 2026 ose të përdorë diplomacinë për t’i bërë fitimet e saj të përhershme. Putini gjithashtu mund të ngrejë çështjen e zgjedhjeve ukrainase të shtyra për shkak të luftës dhe për një kohë të shkurtër një temë e diskutimit të Trump për të sfiduar legjitimitetin e Zelenskyt dhe madje ta rrëzojë atë në favor të një kandidati më pro-rus.

3. Ukraina arrin disi të rezistojë për dy vitet e ardhshme?

Në këtë skenar, ndihma ushtarake e SHBA-së dhe Evropës për Ukrainën e ndihmon atë të minimizojë lëshimet në vijat e frontit në muajt e ardhshëm dhe e shtyn Putinin të kërkojë negociata, pasi ushtria e tij ka dështuar përsëri. Pokrovsk mund të bjerë dhe fortesa të tjera në Ukrainën lindore mund të kërcënohen, por Ukraina mund të shohë përparimin e Rusisë të ngadaltë, siç ka ndodhur në të kaluarën dhe Kremlini madje mund të ndiejë efektet e sanksioneve dhe një ekonomie të mbinxehur.

Fuqitë evropiane kanë hartuar tashmë plane për të vendosur “forca garantuese” në Ukrainë si pjesë e garancive të sigurisë.

Këto dhjetëra mijëra forca evropiane të NATO-s mund të stacionohen rreth Kievit dhe qyteteve të tjera të mëdha, duke ofruar ndihmë logjistike dhe informative për Ukrainën ndërsa ajo rindërtohet, duke krijuar një pengesë të mjaftueshme që Moska të vendosë t’i lërë vijat e frontit ashtu siç janë. Kjo është më e mira që Ukraina mund të shpresojë.

4. Fatkeqësi për Ukrainën dhe NATO-n

Putini mund t’i shohë saktë çarjet në unitetin perëndimor pas një samiti me Trumpin që do të përmirësojë marrëdhëniet SHBA-Rusi, por do ta lërë Ukrainën të kujdeset vetë.

Evropa mund të bëjë çmos për të mbështetur Kievin, por pa mbështetjen amerikane nuk do të jetë në gjendje të ndryshojë ekuilibrin. Putini mund të shohë që fitimet e vogla në Ukrainën lindore të shndërrohen në një disfatë të ngadaltë të forcave ukrainase në terrenin e sheshtë dhe të hapur midis Donbasit dhe qyteteve qendrore të Dnipros, Zaporizhias dhe kryeqytetit.

Mbrojtja ukrainase mund të jetë e dobët, dhe kriza e fuqisë punëtore ushtarake e Kievit mund të shndërrohet në një katastrofë politike kur Zelensky kërkon një mobilizim më të gjerë për të mbështetur mbrojtjen e vendit.

Siguria e Kievit duket përsëri në rrezik, ndërsa forcat e Putinit po përparojnë. Fuqitë evropiane po mendojnë se do të ishte më mirë të luftonin Rusinë në Ukrainë sesa më vonë në tokën e Bashkimit Evropian. Por udhëheqësve të Evropës në fund të fundit u mungon mandati politik për t’u angazhuar në një luftë për territor në Ukrainë ku Putini po përparon. NATO po dështon të ofrojë një përgjigje të unifikuar. Ky është makthi i Evropës, por është tashmë “fundi” i Ukrainës sovrane, shkruan CNN.

5. Përsëritja e modelit sovjetik në Afganistan

Rusia mund të vazhdojë të bëjë gabime, duke sakrifikuar jetën e mijëra ushtarëve çdo javë për përfitime relativisht të vogla, dhe duke parë sanksionet të minojnë aleancën e saj me Kinën dhe të ardhurat e saj nga India. Rezervat financiare të fondit sovran të pasurisë së Moskës mund të shterohen dhe të ardhurat e saj mund të ulen. Mosmarrëveshjet midis elitës së Moskës mund të intensifikohen për mënyrën se si Kremlini ka refuzuar daljet diplomatike nga lufta që ka zgjedhur në favor të këmbënguljes ushtarake. Vëmendja e SHBA-së pas zgjedhjeve të mesit të mandatit do të kthehet në mosmarrëveshjet e saj tradicionale të politikës së jashtme me Moskën dhe mbështetësin e saj, Pekinin.

Në këtë skenar, Kremlini mund të gjendet në një pikë ku rezistenca e tij ndaj vështirësive ekonomike ruse bëhet toksike. Llogaritje të gabuara politike mbështetën pushtimin përfundimisht të pafrytshëm të Afganistanit nga sovjetikët . Momente të ngjashme të dobësisë së papritur të Kremlinit kanë ndodhur tashmë në luftën e Ukrainës, siç është kur i besuari i Putinit, Yevgeny Prigozhin, u përpoq një kryengritje jetëshkurtër me një marshim drejt Moskës.

Putini është i fortë në sipërfaqe, derisa të duket i dobët, dhe pastaj mund të ekspozohet si jashtëzakonisht i dobët. Kjo ka ndodhur më parë si në Rusinë Sovjetike ekspansioniste ashtu edhe në Putin. Problemi me këtë skenar është se ai mbetet shpresa më e mirë e strategëve perëndimorë, të cilët nuk mund të pranojnë as hyrjen e plotë të NATO-s në luftë për të ndihmuar Ukrainën të fitojë, as aftësinë e Kievit për ta shtyrë Moskën ushtarakisht.

“Asnjëra prej këtyre opsioneve nuk është e mirë për Ukrainën. “Vetëm njëra prej këtyre do të nënkuptonte disfatën e vërtetë të Rusisë si fuqi ushtarake dhe një kërcënim për sigurinë evropiane. Dhe asnjëra prej këtyre nuk mund të vinte nga takimi i Trump me Putinin pa u bërë Ukraina pjesë e ndonjë marrëveshjeje më vonë”, përfundon CNN në analizën e saj.

/abcnews.al/

Australia kundër pushtimit të Gazës: Zgjidhja me dy shtete rruga e vetme për një paqe të qëndrueshme

8 August 2025 at 07:31

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu është shprehur i vendosur për pushtimin e plotë të Gazës. Ministrja e Jashtme e Australisë Penny Wong, në deklaratë ka theksuar se “Australia i bën thirrje Izraelit të heqë dorë nga kjo pasi do të përkeqësonte katastrofën humanitare në Gaza”.

Sipas saj zhvendosja e përhershme me forcë ishte në shkelje të ligjit ndërkombëtar ndërsa bëri thirrje edhe për armëpushim.

“Një zgjidhje me dy shtete është e vetmja rrugë për të siguruar një paqe të qëndrueshme një shtet palestinez dhe një shtet i Izraelit, që jetojnë krah për krah në paqe dhe siguri brenda kufijve të njohur ndërkombëtarisht”, shtoi ajo.

Ministri i Mjedisit i Australisë, Murray Eatt, kishte shprehur më parë kritikat e tij, duke thënë se qeveria “kundërshtonte fuqimisht pushtimin e detyruar të Gazës”.

Parashikimi i motit, dita e premte me mot të kthjellët dhe temperatura të larta

8 August 2025 at 07:17

Territori shqiptar këtë të premte do të jetë nën ndikimin e kushteve atmosferike të qëndrueshme. Temperatura maksimale do të shënojë vlerën 39 gradë Celcius në qarkun e Beratit.

Moti parashikohet i kthjellët, ndërsa vranësirat të pakta kalimtare në jug në orët e mesditës.

Era do të fryjë me drejtim veriperëndim-verilindje, me shpejtësi mesatare 7m/s. Përgjatë vijës bregdetare dhe zonat luginore, era fiton shpejtësi 7-15 m/s. Valëzimi i detit pritet të jetë 1 deri në 3 ballë.

Horoskopi, zbuloni parashikimin e yjeve për shenjën tuaj

8 August 2025 at 07:00

DASHI
Kolegët e punës nuk duan t’ju ngarkojnë me më shumë peshë dhe përgjegjësi nga sa ju takon të merrni, por situata në të cilën ndodheni ju detyron të ndërmerrni disa nisma të reja. Sido që të shkojnë gjërat, duhet të mendoni vetëm për një rezultat sa më pozitiv.

DEMI
Jeni lodhur me gjërat rrotull jush, puna, monotonia jeta e përditshme. Është momenti të ndryshoni shumë gjëra rrotull jush. Kërkoni privatësi nga partneri, mbase është momenti për një çlodhje apo diçka të re, aftësitë nuk ju mungojnë.

BINJAKËT
Ditën e sotme do ua kushtoni totalisht të tjerëve. Do jeni personi i duhur në kohën e duhur, optimizmi dhe buzëqeshja ju ka bërë që të fitoni respektin e të gjithëve, ju shohin si një shpëtimtar në moment vështirësie.

GAFORRJA
Aftësitë tuaja janë më të mëdha sesa mendoni se do ju duhet për t’ia dalë asaj që i jeni përkushtuar. Kështu që keni mundësinë të mos sforcoheni shumë dhe të ruani energji për më vonë. Nuk keni për të bërë asgjë më shumë nga sa ju kërkohet.

LUANI
Mbase ka gjëra në jetë më të vështira sesa kaq, por situata aktuale ju ka bërë të plogësht dhe ta mendoni vetën si në buzë të greminës. Ju këshilloj të punoni fort, pa pritur që dikush tjetër të vijë të punojë në vendin tuaj. Qetësohuni dhe ushqeheni vetën se gjithçka do zgjidhet.

VIRGJERESHA
Përqendrohuni dhe bëni zgjedhjen e duhur, por mos harroni se nuk mjafton vetëm të qenurit në krye që të jeni ju i përzgjedhuri, duhet edhe shumë punë. Jeni njeri shumë punëtor dhe e dashuroni punën tuaj. Është periudhë plot obligime për ju, projekte të reja do t’ju vijnë. Do të keni ngritje në detyrë dhe vlerësime nga të gjithë.

PESHORJA
Duke qenë se ju jeni njeri tepër pozitiv, i rregullt dhe i respektuar nga të tjerët, do ju japin një sërë detyrash. Siç duket nuk e dinë që ju jeni tepër impulsiv, nuk humbni shumë kohë me gjëra të kota. Tregojuni që nuk mund t’ju marrin nëpër këmbë.

AKREPI

Mos ndryshoni për të tjerët. Jeni njeri me këmbë në tokë, doni që në jetë të keni gjërat bazë. Qëndrueshmëria është një cilësi që ju karakterizon dhe e arrini gjithmonë atë që doni. Jeni pak egoistë, por ju pëlqen kështu përderisa kjo nuk dëmton të tjerët.

SHIGJETARI
Tregohuni të durueshëm në këtë çast kritik të jetës suaj. Dhimbja nuk është e lehtë, por ju jeni mbështetja e familjes suaj. Jo gjithmonë shkojnë gjërat siç i dëshirojmë, por fundi i ditës do të jetë më i qetë për të gjithë.

BRICJAPI
Jeni mjaft optimist në këtë periudhë dhe i gjithë ky optimizëm po ju shkon për mirë. Ndjeheni më aktiv dhe po realizoni disa punë kyçe mjaft me rëndësi. Një ndihmë mjaft të madhe ju jep edhe një i afërmi juaj, i cili shpeshherë ju inkurajon.

UJORI
Jeni bërë pak konfuz kohët e fundit si në punë, ashtu edhe në jetën personale. Por, duhet të tregoheni të vëmendshëm dhe të gatshëm, sepse situatat në të cilat ndodheni kërkojnë vëmendje maksimale. Nga mesi i pasdites do e ndjeni veten më të qetë.

PESHQIT
Shpesh jeni vënë në mbrojtje të disa njerëzve që kujdesen në veçanti, por kjo nuk ju ndalon të keni disa dyshime në lidhje me sjelljen e tyre. Mos u merakosni nëse ju gjykojnë, pasi edhe ata e kanë bërë këtë gjë. Mund ta shihni sjelljen e tyre në shumë këndvështrime.

Yesterday — 7 August 2025Main stream

Studimi: Patatet e skuqura rrisin rrezikut e diabetit të tipit 2

7 August 2025 at 14:46

Një studim i ri sugjeron që njerëzit që hanë tre racione patate të skuqura në javë kanë një rrezik më të lartë për të zhvilluar diabetin e tipit 2. Studiuesit zbuluan se ata që konsumojnë sasi të ngjashme patate të ziera, të pjekura ose pure patatesh nuk janë në rrezik të shtuar.

Një ekip ndërkombëtar studiuesish, përfshirë një ekspert nga Universiteti i Kembrixhit, donte të hetonte çdo lidhje midis konsumit të patateve dhe rrezikut të diabetit të tipit 2.

Studiuesit analizuan të dhëna nga studimet që monitoruan shëndetin e mbi 205 000 punonjësve të kujdesit shëndetësor në Shtetet e Bashkuara.

Studime të përsëritura mbi dietat e njerëzve u kryen gjatë gati katër dekadave. Dhe gjatë periudhave të ndjekjes së studimit, u dokumentuan afërsisht 22 000 raste të diabetit të tipit 2.

Takimi Trump-Putin së shpejti/ Zelensky: Europa duhet të jetë pjesë e bisedimeve për t’i dhënë fund luftës

7 August 2025 at 14:04

Presidenti i Ukrainës Volodymir Zelensky ka deklaruar se Europa duhet të jetë pjesë e bisedimeve që pritet të zhvillohen mes Rusisë dhe SHBA për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Zelensky ka zhvilluar një bisedë telefonike me kancelarin gjerman Friedrich Merz lidhur me zhvillimet e fundit.

Siç shkruan “The Guardian” të dy udhëheqësit janë të mendimit se lufta duhet të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur dhe me paqe dinjitoze.

Por gjithashtu Zelensky këmbëngul se “Europa duhet të jetë pjesëmarrësve në proceset përkatëse për përfundimin e luftës”.

“Ukraina nuk ka frikë nga takimet dhe pret të njëjtën qasje të guximshme nga pala ruse. Është koha t’i japim fund luftës”, ka thënë ai.

/abcnews.al/

Protesta kundër Speciales, disa emigrantë shpalosin flamurin e UÇK-së në Hagë

7 August 2025 at 13:46

Këtë të enjte në Prishtinë zhvillohet protesta kundër Gjykatës Speciale. Disa emigrantë kanë zhvilluar një aksion simbolik në Hagë, në ditën që do të mbahet protesta kundër Gjykatës Speciale në Prishtinë. Ata kanë shpalosur një flamur të UÇK-së pranë objektit ku ndodhet qendra e paraburgimit.

Protesta “kundër padrejtësisë”, e cila do të organizohet sot në ora 17:00, po merr përkrahje të gjerë. Në mbështetje të protestës së thirrur nga organizatat e dala nga lufta ka dalë opozita, shoqëria civile, komunitetet e bizneseve dhe mekanizmat e tjerë shoqëror.

/abcnews.al/

Greqi, tërmet me magnitudë 4.7 ballë në Mesinia

7 August 2025 at 13:26

Një tërmet me magnitudë 4.7 ballë të shkallës Rihter, u regjistrua mesditën e të enjtes në Messinia në veriperëndim të Kalamatës.

Sipas Institutit Gjeodinamik, epiqendra e tërmetit u regjistrua 11 kilometra në veriperëndim të Mesinës. Ndërsa thellësia ishte 23 kilometra.

Sipas raportimeve tërmeti u ndje në disa zona përreth.

/abcnews.al/

Oferta turistike e Shqipërisë, do orientohet drejt vizitorëve elitarë/ 6.7 miliardë nga turizmi deri në 2030

7 August 2025 at 12:49

Turizmi pritet të jetë një ndër shtyllat kryesore ekonomike në Shqipëri edhe në vitet që vijnë. Në vlerësimet e institucioneve turizmi pritet që të sjellë në ekonominë shqiptare rreth 6.7 miliardë euro deri në vitin 2030.

Strategjia Kombëtare e Turizmit 2025-2030, që është dokumenti bazë për orientimin de zhvillimin e sektorit në 5 vitet e ardhshme parashikon që vendi të ketë mbi 477 mijë shtretër deri në 2030 me një rritje prej 76%.

Po ashtu qeveria parashikon që kontributi i dhënë në punësim nga ky sektor të jetë i konsiderueshëm .Planifikohet që  deri në vitin 2030 nga sektorët dhe nën sektorët e shërbimeve të punësohen mbi 73 mijë në 2030 përkundër 42 mijë punonjësve që ishin në turizëm në 2023.

Strategjia e turizmit përfshin masa stimuluese për më shumë investime, lehtësi në taksa, por edhe një fokus të  theksuar ndaj informalitetit në sektor, ndërsa të ardhurat nga taksa e fjetjes pritet të arrijë në 70.5 mln euro deri në 2030.

Strategjia Kombëtare e Turizmit projekton gjithashtu krijimin, dhe konsolidimin e produkteve turistike duke e ndarë vendin në 6 rajone turistike: Rajoni turistik i bregdetit të Adriatikut, rajoni turistik verior i brendshëm, rajoni turistik i Tiranës, rajoni qendror, rajoni turistik i bregdetit të Jonit si dhe rajoni turistik jugor i brendshëm.

Në pjesën e parë të vitit sipas të dhënave të INSTAT, Shqipëria ka pritur mbi 4.7 milionë turistë të huaj, një rritje me gati 4.8% se kundrejt periudhës janar-qershor të vitit të shkuar.

Vizitorët nga Europa mbajnë edhe peshën kryesore me numrin më të lartë të hyrjeve në vend, teksa vërehet edhe një rritje e turistëve nga Amerika, Azia Lindore e Jugore si dhe turistëve nga Lindja e Mesme.

/abcnews.al/

Gjirokastra tërheq nordikët/ 50 mijë turistë në korrik, risi holandezët dhe anglezët

7 August 2025 at 11:47

Gjirokastra po zgjon gjithnjë e më tepër kureshtjen e të huajve.  Vetëm gjatë korrikut qyteti i gurtë u vizitua nga më shumë se 50 mijë turistë. Risi këtë sezon është prania e anglezëve dhe holandezëve shumë prej të cilëve  e vizitojnë për herë të parë.

“Është hera e parë që vij në Shqipëri. Është fat që vendosem të vinim këtu. Ne kemi një libër me të gjitha shtetet e botës dhe Shqipëria renditet vendi i tretë në listën e librit. Pamë fotot e vendit tuaj dhe thamë; “Ky vend duket i bukur dhe duhet të shkojmë. Nuk është shumë larg nga Londra dhe jam e bindur që këtë vend do të dëshironin ta vizitonin të gjithë londinezet. Ky qytet është një magji e vërtetë. Kur të kthehemi do ti tregojmë miqve tanë se çfarë vendi mahnitës është ky, me peizazhe, ushqim fantastik, kulturë e histori të rralle”, ka thënë një turiste.

Arkitektura, kuzhina vendase dhe mikpritja ju kanë lënë mbresa.

“Është hera e parë që vij në Shqipëri, ndërsa në Gjirokastër është nata e dytë që po qëndrojmë. Jam shume i gëzuar dhe i kënaqur. Po kalojmë shkëlqyer. Na pëlqejnë njerëzit, ushqimi, kultura dhe mbi te gjitha arkitektura e këtij qyteti. Së bashku me familjen kemi vizituar fillimisht veriun e më pas kemi zbritur në jug duke eksploruar të gjithë Shqipërinë”, është shprehur një tjetër turist.

“Jam nga Holanda. Ky është një vend shume i bukur dhe me njerëz tepër të sjellshëm. Mendoj se mund të mësojmë diçka prej tyre sepse ne nuk jemi aq miqësore me turistët në krahasim me shqiptarët, kurse këtu ndjesh mjaft i mirëpritur”, shprehet një tjetër turiste.

Nga janari në korrik  qytetin e  UNESCO-S  e kanë vizituar me shumë se shumë se 150 mije turiste ose 35 % me shume krahasuar me të njëjtën periudhe të një viti me parë. Edhe për këtë vit numri me i lartë i turistëve vjen nga Spanja dhe Italia.

/abcnews.al/

Zjarri djeg sipërfaqe të konsiderueshme pyjore në Patos, zjarrfikësit ndërhyjnë për të shuar flakët

7 August 2025 at 09:38

Vijon të jetë ende aktiv zjarri që përfshiu një ditë më parë pyllin me pisha mes fshatrave Gjynaqare dhe Drenie.

Këtë të enjte në terren kanë mbërritur 25 forca të ushtrisë. Në total përfshirë edhe ekipet zjarrfikëse të Mallakastrës, Patosit dhe punonjës të emergjencave civile janë rreth 80 punonjës që janë të angazhuar për të shuar zjarrin.

Por për shkak të terrenit të thyer, zjarri po shuhet me pompa shpine. Ndërkohë sipërfaqja e prekur nga zjarri ka shkuar në 5 hektarë.

/abcnews.al/

Protestë në Prishtinë kundër gjykimit të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë

7 August 2025 at 08:46

Organizata e Veteranëve të Luftës do të mbajë sot me 7 gusht protestë gjithë popullore në Prishtinë kundër mbajtjes së padrejtë të ish-krerëve të UÇK-së në burgun e Hagës.

Në një konferencë për media të hënën, Hysni Gucati, kryetar i OVL UÇK, tha se protesta do të mbahet duke filluar nga ora 17:00.

Përveç kësaj, Xhavit Jashari nga Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve, u shpreh se gjykimi i luftëtarëve të UÇK-së është i padrejtë dhe përbëhet nga një gjykatë që ata nuk e njohin.

Jashari theksoi se mënyra se në të cilën është ngritur Gjykata Speciale është dashur që të jetë inekzistente.

Nënkryetari i OVL-UÇK në konferencën për media që u mbajt dje tregoi se kush do të mbajë fjalim në këtë tubim.

“Folës të kësaj proteste do jene profesoresha universitare, zonja Nevenka edhe organizuesi i kësaj proteste, Hysni Gucati, pastaj do të jetë edhe një bashkëluftëtari joni, kryetari i BDI, Ali Ahmeti edhe një djalë dëshmori”, tha fillimisht ai.

Po ashtu Syla potencoi se janë ndërmarrë të gjitha hapat që protesta të ketë mbarëvajtje të rregullt.

“Në kuadër të organizimit të protestës të paralajmëruar nga kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së janë bërë të gjitha përgatitjet, kemi kërkuar lejen e Komunës së Prishtinës, është njoftuar Policia e Kosovës, është angazhuar ambulanca kemi bërë kërkesë të kemi një ambulantë nëse ka nevojë. I është dhënë mundësia kushdo që ka dëshirë me marrë pjesë në protestë me autobus. Kemi komunikuar me parkingun Prishtina, ka mbet vetëm nesër(sot) me fillu protesta”, tha Syla.

Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë prej nëntorit 2020. Gjykimi ndaj tyre nisi më 3 prill 2023.

Emisari amerikan për Misione të Posaçme, Richard Grenell ka shprehur përkrahje për ish-presidentin, Hashim Thaçi duke e cilësuar si të turpshëm faktin që ai po mbahet ende në paraburgim. Grenell e ka quajtur Hagën si një institucion i cili nuk funksionon. Përkrahje për protestë kanë shprehur figura të ndryshme politike në vend si dhe figura fetare me ndikim në Kosovë./KosovaPress.

Pas luftës 12-ditëshe, Irani rikthen politikanin veteran, Ali Larijani

7 August 2025 at 08:35

Në një kohë kur autoritetet iraniane po përballen me pasojat e konfliktit të qershorit me Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara, rikthimi i politikanit veteran, Ali Larijani, si sekretar i Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare të Iranit, përbën rikthim politik, i cili nuk ishte i papritur.

Pas përfundimit të luftës, 67-vjeçari theksoi se në ditën e parë të sulmeve izraelite, aparati i sigurisë iraniane e kishte kontaktuar dhe i kishte kërkuar dorëheqjen. Vitin e kaluar, Larijanit iu ndalua garimi për president.

Megjithatë, tani ai do të luajë rol qendror në formësimin e politikave pas bombardimeve izraelite dhe amerikane që vunë në pah dobësitë ushtarake të Iranit.

“Larijani u la mënjanë dhe u përjashtua, por kurrë nuk u hoq plotësisht nga skena politike”, tha analisti politik iranian me bazë në Londër, Babak Dorbeigi, për Radion Farda të Radios Evropa e Lirë (REL).

“Gjatë luftës 12-ditëshe ndodhën disa zhvillime të rëndësishme. Një çështje madhore, siç është theksuar nga zyrtarët dhe media, ishte llogaritja e gabuar e kapaciteteve mbrojtëse të Iranit”, shtoi ai.

Sulmet izraelite dhe amerikane goditën objekte të rëndësishme ushtarake dhe bërthamore, duke e turpëruar Teheranin, i cili u duk se nuk ishte në gjendje të mbrohej siç duhet.

Zyrtarët ofruan versione të ndryshme për shkallën e dëmit të pësuar, duke krijuar përshtypjen se në udhëheqjen iraniane mbretëron rrëmuja.

“Megjithatë, çështja më kritike – ajo që ka përparësi para të gjitha të tjerave – është të kuptuarit se, në kohë lufte, nuk mund të kërkosh mbështetje te udhëheqësi suprem [ajatollah Ali Khamenei]”, tha Dorbeigi.

“Mungesa e tij dhe mungesa e udhëheqjes në Iran zbuluan një boshllëk të madh në krye. E gjithë kjo tregon për një nevojë urgjente për ndryshim”, shtoi ai.

Në këtë kontekst, Larijani shihet si një figurë e besueshme, i cili është i aftë për të marrë “vendime të arsyeshme”.

Udhëheqja e Iranit nga bunkeri: Çfarë do të thotë për të ardhmen e shtetit?

I cilësuar si pragmatist, ai do të punojë ngushtë me presidentin iranian, Masud Pezeshkian, i cili kryeson organin e sigurisë dhe shpesh shihet si proreformist.

Por, vendimet e këtij organi duhet të miratohen nga Khamenei, gjithsesi.

“Përderisa Khamenei mbetet në krye të sistemit, nuk duhet pritur ndonjë ndryshim strategjik në politikë, vetëm rregullime taktike”, tha analisti iranian me bazë në Paris, Reza Alijani, për REL.

“Roli i Larijanit duket se është menaxhimi i krizës, që përfshin edhe menaxhimin e kompromiseve, pasi Khamenei asnjëherë nuk lejon që kompromiset t’i atribuohen drejtpërdrejt atij”, shtoi ai.

Larijani e ka mbajtur më parë këtë post, nga viti 2005 deri në vitin 2007, dhe më pas ka shërbyer si kryetar i Parlamentit iranian deri në vitin 2020. Në këtë rol, ai fitoi rëndësi ndërkombëtare duke mbështetur marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 me SHBA-në, Britaninë, Francën dhe Gjermaninë (të njohura si E3).

Administrata e parë e Trumpit u tërhoq nga ajo marrëveshje dhe SHBA ishte në proces negociatash me Teheranin kur filluan sulmet ajrore izraelite në qershor.

Bisedimet u ndërprenë papritur dhe nuk kanë rinisur. Teherani thotë se nuk mund t’i besojë Uashingtonit, ndërsa Shtëpia e Bardhë dyshon nëse ka ndonjë vlerë në vazhdimin e bisedimeve, duke pasur parasysh dëmin e shkaktuar në objektet bërthamore iraniane.

Pas konfliktit, Irani vazhdoi bisedimet me E3 dhe Bashkimin Evropian më 25 korrik.

Vendet e E3 paralajmëruan se, nëse nuk arrihet një marrëveshje bërthamore me Iranin deri në fund të gushtit, ato do t’i rikthejnë të gjitha sanksionet e OKB-së ndaj Iranit duke aktivizuar mekanizmin e marrëveshjes së vitit 2015.

Këshilltar i lartë për çështjet bërthamore

Para riemërimit të tij në Këshillin e Sigurisë, Larijani ishte tashmë këshilltari kryesor i Khameneit për çështjet bërthamore. Më 20 korrik, ai u takua me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, në Kremlin dhe “përcolli vlerësime për situatën e përshkallëzuar në Lindjen e Mesme dhe për programin bërthamor iranian”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Disa muaj para konfliktit me Izraelin dhe SHBA-në, Larijani kishte paralajmëruar në televizionin iranian se një sulm do ta bënte Iranin më të prirë për të zhvilluar armë bërthamore. Por, që nga sulmet, zyrtarët iranianë kanë shmangur përmendjen e kësaj çështjeje, duke theksuar në vend të kësaj se Irani do ta vazhdojë pasurimin e uraniumit. Është një dallim që fuqitë perëndimore nuk e pranojnë, pasi Irani ka pasuruar uraniumin në nivele shumë më të larta se sa kërkohen për një program bërthamor civil.

Emërimi i Larijanit ndodhi dy ditë pasi Irani njoftoi krijimin e një Këshilli të ri të Mbrojtjes, nën mbikëqyrjen e Këshillit të Sigurisë./REL/

Si po ndikon politika ekonomike e Trump? Ekspertët: Zhgënjyese në tregun e punës dhe pakënaqësi në industri

7 August 2025 at 08:33

Shifra zhgënjyese në tregun e punës dhe pakënaqësi në radhët e industrisë. Sinjalet paralajmëruese të alarmit për konjunkturën dhe ekonominë në SHBA po shtohen.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump që është në detyrë prej pak më shumë se gjysmë viti, gjeti një ekonomi të fortë amerikane me papunësi të ulët, rritje të fortë ekonomike dhe inflacion modest.

“Pavarësisht nga cili kënd e vështron ekonominë amerikane, mund të arrish vetëm në përfundimin se ajo është shumë e shëndetshme”, tha eksperti i tregjeve ekonomike Robert Rethfeld nga Wellenreiter-Invest në janar 2025. Po që atëherë shumë gjëra kanë ndryshuar në ekonominë amerikane dhe jo domosdoshmërisht gjithmonë për mirë.

Treg çuditërisht i dobët pune

Shifrat e fundit tregojnë për shembull për një treg çuditërisht të dobët pune në SHBA. Sipas raportit qeveritar të publikuar të premten e kaluar në muajin korrik u shtuan vetëm 73,000 vende të reja pune jashtë sektorit të bujqësisë.

Ekonomistë të anketuar kishin parashikuar një rritje prej 110,000 vendesh të reja pune. Në të njëjtën kohë numri i vendeve të punës që mendohej se do të krijoheshin në qershor ishte zhgënjyes – nga 147,000 që parashikoheshin u krijuan vetëm 14,000.

Sipas të dhënave të rishikuara edhe në maj ishin krijuar dukshëm më pak vende pune sesa pritej fillimisht. “Shifrat janë më të këqija se çdo parashikim”, tha Helen Given, investitorja kryesore në ofruesin e shërbimeve financiare Monex, në lidhje me të dhënat e tregut të punës. Çështja kryesore është rishikimi i parashikimeve që parashikojnë rënie muaj për muaj.

Reagimi i Trumpit ndaj të dhënave

Për shkak të të dhënave çuditërisht të dobëta Trump njoftoi të premten se do të shkarkojë drejtuesen e Zyrës së Statistikave të Punës, Erika McEntarfer. Ai e akuzoi atë për manipulim të shifrave të tregut të punës për qëllime politike. “Na duhen shifra të sakta për tregun e punës”, deklaroi Trump. Menjëherë pas kësaj ai shkroi pa dhënë asnjë provë, se të dhënat e tregut të punës ishin manipuluar.

Dobësia e dollarit votë mosbesimi?

Po ashtu ekspertët e shohin dobësinë aktuale të dollarit si votë mosbesimi ndaj politikave të Trumpit – megjithëse Trumpi me këtë mund të ketë arritur pikërisht atë që synonte. Zhvlerësimi i dollarit, i cili ka humbur në mënyrë të konsiderueshme në vlerë që nga fillimi i vitit, i ka bërë për SHBA-në eksportet më të lira dhe importet më të shtrenjta. Kjo ka lehtësuar deficitin tregtar të SHBA-së.

Në të njëjtën kohë zhvlerësimi i monedhës amerikane pasqyron gjithashtu frikën e investitorëve për pasojat e politikës së çrregullt doganore të Trumpit; shumë investitorë kanë tërhequr paratë e tyre nga SHBA-ja.

Politika doganore shkak për normat e larta të interesit

Prej disa muajsh si një nga arsyet pse Banka Qendore e SHBA-së (Fed) nuk i ka ulur normat e interesit përmendet edhe politika e çrregullt për tarifat doganore që ndjek Trumpi. Javën e kaluar Banka Qendrore e la përsëri normën bazë të interesit në nivelin prej 4.25 deri në 4.50 përqind.

Sipas drejtuesit të saj, Jerome Powell, Fed dëshiron të ketë më shumë qartësi se si politika tregtare e Trumpit, e karakterizuar nga rritja e tarifave doganore, po ndikon në gjendjen e përgjithshme konjukturore dhe ekonomike./DW/

❌
❌