Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 14 August 2025Main stream

Bazë e re ajrore në Rinas, më shumë destinacione dhe vende pune

14 August 2025 at 16:50

TIRANË, 14 gusht/ATSH/ Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (TIA) shpalli sot zyrtarisht hapjen e bazës së re të kompanisë ajrore “Ryanair”, e cila pritet të nisë operimet në prill 2026.

Kjo bazë e re do të shënojë një tjetër hap të rëndësishëm në zhvillimin e infrastrukturës ajrore dhe turizmit në Shqipëri.

Në bazën e re do të stacionohen tre avionë Boeing 737-800, të cilët do të operojnë fluturime drejt 10 destinacioneve të reja: Birmingam (MB); Dublin (IR); Milano (IT); Maltë (MT); Napoli (IT); Peskara (IT); Poznan (PL); Trieste (IT); Torino (IT); Verona (IT).

Krahas destinacioneve të reja, “Ryanair” do të rrisë edhe frekuencat në linjat ekzistuese më të kërkuara, duke sjellë një rrjet total prej 33 destinacionesh në 13 shtete të ndryshme.

Ky zgjerim pritet të ndikojë ndjeshëm në zhvillimin ekonomik të vendit, me një rritje të pritshme të trafikut vjetor të pasagjerëve në 4 milionë dhe mbështetje për mbi 3 mijë vende pune në Shqipëri.

Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës është një nga aeroportet me rritjen më të shpejtë në rajon.

/r.e//a.f/

The post Bazë e re ajrore në Rinas, më shumë destinacione dhe vende pune appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gonxhja: Masa për të parandaluar dëmtimet në monumentet historike dhe kulturore

13 August 2025 at 23:19

TIRANË, 13 gushtATSH/ Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, reagoi sot lidhur me situatën alarmante të zjarreve që kanë përfshirë disa zona të vendit ditët e fundit, duke theksuar përkushtimin maksimal të institucioneve për të mbrojtur trashëgiminë kulturore kombëtare nga rreziku i flakëve.

Gonxhja bëri me dije se MEKI në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore dhe drejtoritë rajonale po ndjek në mënyrë të vazhdueshme zhvillimet në terren dhe ka marrë masa konkrete për të parandaluar dëmtimet në monumentet historike dhe kulturore.

Sipas tij, në qarqet Dibër dhe Shkodër, pavarësisht përhapjes së zjarreve në disa vatra, nuk janë raportuar dëmtime në objekte të trashëgimisë kulturore.

“Ndërhyrja e shpejtë e strukturave të zjarrfikësve dhe e ushtrisë ka bërë të mundur që monumente si Muzeu i Kastriotëve dhe Kështjella e Fletit të mbeten të paprekura dhe jashtë rrezikut”, tha ai.

Ndërsa në qarkun e Vlorës, ministry informoi se zjarret kanë prekur zonën pranë Manastirit të Shën Mërisë së Krimanovës në fshatin Piqeras, ku është dëmtuar vetëm bimësia në oborrin e pasëm të objektit, pa u cenuar struktura arkitektonike e Manastirit.

Ai vuri në dukje se situata më problematike është regjistruar në qarkun Gjirokastër, ku Kisha e Shën Ilias në fshatin Lekël, një monument kulture i kategorisë së dytë, ka pësuar dëmtime si pasojë e përhapjes së flakëve. Megjithatë, falë reagimit të menjëhershëm, pjesa më e madhe e kishës është shpëtuar dhe tashmë është në proces hartimi një projekt ndërhyrjeje për restaurim dhe rikuperim të dëmeve.

Ministri Gonxhja theksoi se të gjitha Drejtoritë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore kanë qenë në gatishmëri të plotë dhe kanë ndërmarrë masa parandaluese për të mbrojtur monumentet.
“Ato kanë krijuar breza sigurie përreth objekteve, kanë larguar vegjetacionin e thatë, kanë ngritur grupe kontakti me strukturat e zjarrfikësve dhe kanë bashkëpunuar ngushtë me autoritetet lokale, duke pajisur stafin me mjetet dhe materialet e nevojshme për përballimin e situatës në terren”, tha ai.

Gonxhja bëri thirrje për vigjilencë dhe përgjegjësi nga ana e qytetarëve, të shmangin ndezjen e zjarreve në natyrë apo gjatë pastrimit të parcelave dhe të raportojnë menjëherë çdo sinjal tymi apo flake që mund të vënë re.

/r.e//a.f/

The post Gonxhja: Masa për të parandaluar dëmtimet në monumentet historike dhe kulturore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 13 August 2025Main stream

Vengu: Forcat Komando, vendimtare për frenimin e zjarreve

13 August 2025 at 22:53


TIRANË, 13 gushtATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, bëri të ditur sot se Forcat Komando kanë qenë të angazhuara në vijën e parë të përpjekjes gjithëpërfshirëse për shuarjen e vatrave të zjarrit që kanë përfshirë territorin e vendit gjatë ditëve të fundit.

Të dislokuara në zona me rrezik të lartë dhe akses të kufizuar, efektivët e Komandove kanë ndërhyrë në pika kyçe për të ndalur përhapjen e flakëve, duke ndihmuar në menaxhimin e situatës në kushte ekstreme.

Sipas ministrit Vengu, ndërhyrjet e tyre kanë qenë vendimtare për të frenuar përhapjen e zjarreve në Dropull, Delvinë, Fushë-Arrëz, Tepelenë, Tiranë dhe Berat.

“Forcat Komando kanë ndihmuar Shqipërinë të marrë frymë në kulmin e përvëlimit, duke ndërprerë fronte të rrezikshme flakësh në disa prej zonave më të goditura”, deklaroi Vengu, duke vlerësuar vendosmërinë dhe profesionalizmin e trupave të angazhuara në operacionet e terrenit.

“Kur Atdheu thërret! Mirënjohje për ajkën e forcës sonë, për të cilët asnjë sfidë nuk është shumë e madhe dhe asnjë betejë shumë e vogël”, u shpreh ministri duke vlerësuar vendosmërinë dhe profesionalizmin e trupave të angazhuara në operacionet e terrenit.

/r.e//a.f/

The post Vengu: Forcat Komando, vendimtare për frenimin e zjarreve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zjarret, Hoxha: Janë stabilizuar 90% e vatrave, 12 të arrestuar sot

13 August 2025 at 20:38

TIRANË, 13 gushtATSH/ Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, bëri të ditur sot se gjatë ditëve të fundit janë arrestuar 12 persona për zjarrvënie të qëllimshme.

Në një deklaratë për mediet, ministri Hoxha tha se situata e zjarreve mbetet e rënduar, por është arritur të stabilizohen rreth 90% e vatrave falë angazhimit të strukturave të Policisë së Shtetit, Mbrojtjes Civile dhe forcave të tjera të operacionit në terren.

“Kemi përballuar një situatë me përmasa të mëdha zjarresh dhe reagimi i institucioneve ka qenë vendimtar për të mbajtur situatën nën kontroll”, u shpreh ai.

Ministri theksoi gjithashtu se hetimet për rastet e zjarrvënieve po vijojnë dhe se do të ketë ndëshkime për çdo person që ka vepruar në mënyrë të qëllimshme, duke rrezikuar jetën, pronën dhe mjedisin.

Sipas tij, numri total i të arrestuarve për këtë vepër penale ka shkuar në 40. Po ashtu, mbi 140 persona janë proceduar penalisht për shkaktim zjarresh në të gjithë vendin.

/a.f/

The post Zjarret, Hoxha: Janë stabilizuar 90% e vatrave, 12 të arrestuar sot appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gramsh, takim për koordinimin e masave ndaj zjarreve në njësinë Skënderbegas

13 August 2025 at 20:08

TIRANË, 13 gushtATSH/ Kryetari i bashkisë së Gramshit, Besian Ajazi zhvilloi sot pasdite një takim me përfaqësues të strukturave qendrore dhe lokale të emergjencave civile, me fokus koordinimin e planit të masave për përballimin e situatës së zjarreve në njësinë administrative Skënderbegas.

Në takim morën pjesë drejtori i përgjithshëm i Agjencisë së Mbrojtjes Civile, Haki Çako, prefekti i Qarkut Elbasan, Ilir Bejtja, gjenerali i Forcës Tokësore, Ilir Xhebexhia, si dhe përfaqësues nga strukturat përkatëse të sistemit të mbrojtjes civile.

Takimi kishte për qëllim përforcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe koordinimin efektiv të veprimeve për izolimin e plotë të flakëve dhe rikthimin e normalitetit në zonat e prekura nga zjarret.

Situata nga zjarret në zonën e Gramshit mbetet kritike, me disa vatra aktive që vijojnë të përhapen në territorin e bashkisë.

Në njësinë administrative Skënderbegas, zjarri i nisur në fshatin Kullollas është përhapur edhe në drejtim të fshatrave përreth, përfshirë zonën e Harunasit. Flakët po avancojnë në drejtim të fshatit Nartë, ku autoritetet kanë dhënë njoftim për evakuim, për shkak të rritjes së intensitetit të zjarrit dhe rrezikut ndaj banesave.

Të gjitha kapacitetet e emergjencës në qarkun e Elbasanit janë të përqendruara aktualisht në bashkinë Gramsh, ku janë angazhuar edhe dy helikopterë të EBA për ndërhyrje nga ajri. Ndërkohë, në terren po punojnë dy mjete zjarrfikëse në zonën e Nartës dhe tri të tjera mbi fshatin Skënderbegas.

Situatë problematike paraqitet edhe në njësinë administrative Kukur, ku vatra aktive zjarri vijojnë në fshatrat Mukaj dhe Sojnik, duke djegur sipërfaqe me shkurre dhe bimësi të ulët.

Forcat zjarrfikëse të Elbasanit dhe Gramshit, të mbështetura nga punonjës të bashkisë dhe banorë të zonës, janë në terren pranë fshatrave Snosëm dhe Sojnik për të frenuar përhapjen e flakëve.

Autoritetet vijojnë të mbajnë në gatishmëri strukturat operacionale dhe i bëjnë thirrje banorëve të ndjekin udhëzimet për sigurinë, duke raportuar menjëherë çdo vatër të re zjarri.

/a.f//r.e/

The post Gramsh, takim për koordinimin e masave ndaj zjarreve në njësinë Skënderbegas appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zjarret, Denaj: Autoritetet në terren për vlerësimin e dëmeve në bujqësi dhe blegtori

13 August 2025 at 18:15

TIRANË, 13 gushtATSH/ Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj bëri të ditur  sot se Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve (AKVMB) dhe Agjencitë Rajonale të Zhvillimit Bujqësor dhe Rural (AREB) janë të angazhuara në terren për të evidentuar dëmet e shkaktuara nga zjarret në të gjitha vatrat e përfshira.

Ministrja Denaj theksoi se këto ekipe po punojnë intensivisht për vlerësimin e humbjeve të shkaktuara tek fermerët, si në sektorin e bujqësisë, ashtu edhe në atë të blegtorisë.

“Në terren janë ekipet e AKVMB-së dhe AREB-ve, të angazhuara për vlerësimin e dëmeve në bujqësi dhe blegtori”, u shpreh ajo.

Gjithashtu, ministrja u bëri apel fermerëve që të ndjekin me përpikëri udhëzimet e autoriteteve në terren, për të shmangur çdo fatkeqësi të mundshme.

Ajo i ftoi ata të raportojnë menjëherë çdo vatër zjarri, në mënyrë që të ndërhyhet me shpejtësi dhe të minimizohen pasojat e shkaktuara.

/a.f//r.e/

The post Zjarret, Denaj: Autoritetet në terren për vlerësimin e dëmeve në bujqësi dhe blegtori appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mallra pa faturë, gjobitet kampingu në Kavajë

13 August 2025 at 18:13

TIRANË, 13 gusht/ATSH/ Pas një denoncimi të bërë publik në rrjetet sociale, Administrata Tatimore ka zbuluar një tjetër subjekt që ushtronte aktivitet në shkelje të ligjit.

Sipas njoftimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, një kamping në zonën e Kavajës u inspektua nga Taskforca, e cila verifikoi në vend se subjekti ushtronte aktivitet pa respektuar detyrimet ligjore.

Gjatë kontrollit u konstatua se nuk lëshoheshin fatura tatimore dhe se në ambientet e subjektit ndodheshin mallra pa dokumentacion të rregullt tatimor.

Ndaj subjektit u morën masa administrative, sipas parashikimeve ligjore.

Administrata Tatimore thekson se mbetet e përkushtuar në trajtimin me seriozitet të çdo denoncimi të ardhur nga qytetarët, duke synuar garantimin e një zbatimi të barabartë të ligjit për të gjithë subjektet ekonomike.

/r.e//a.f/

The post Mallra pa faturë, gjobitet kampingu në Kavajë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Point of View”, urë krijuese mes artistëve shqiptarë dhe austriakë

13 August 2025 at 17:51

TIRANË, 13 gushtATSH/ Projekti artistik “Point of View” u zhvillua si pjesë e shkëmbimit kulturor ndërmjet Shqipërisë dhe Austrisë, një nismë që synon të forcojë lidhjet artistike ndërkombëtare dhe të promovojë krijimtarinë bashkëkohore.

Organizuar nga platforma “Satellite Zone”, e njohur për mbështetjen e ndërveprimit ndërkulturor mes artistëve, ky projekt solli në vëmendje zëra të rinj dhe vizione origjinale nga skena artistike shqiptare.

Dy artistet shqiptare, Inda Sele dhe Kristanja Çene, ishin pjesë e kësaj nisme, duke prezantuar punët e tyre përmes një qasjeje personale dhe eksperimentale.

Veprat e tyre shpalosën perspektiva unike mbi realitetin, identitetin dhe përkatësinë kulturore, duke krijuar një hapësirë të hapur për dialog, reflektim dhe komunikim përmes artit.

“Point of View” nuk ishte vetëm një ekspozitë apo shfaqje, por një takim krijues që theksoi fuqinë e artit për të kapërcyer kufijtë gjeografikë dhe për të ndërtuar ura mes kulturave të ndryshme.

Projekti u mbështet nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI), si një dëshmi e angazhimit për nxitjen e bashkëpunimeve ndërkombëtare në fushën e artit bashkëkohor.

/r.e//a.f/

The post “Point of View”, urë krijuese mes artistëve shqiptarë dhe austriakë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kastriot Tusha dhe Ardian Trebicka ndezin skenën e Porto Palermo Festival

13 August 2025 at 17:06


TIRANË, 13 gushtATSH/ Një mbrëmje klasike në Porto Palermo Festival. Qielli mbi Kalanë e Ali Pashës u mbush me tinguj që preknin shpirtin.

Dy prej emrave më të mëdhenj të skenës së muzikës klasike shqiptare, Kastriot Tusha dhe Ardian Trebicka u bashkuan në një koncert, që ishte më shumë se një performancë, ishte një përjetim.

Serenata të ëmbla dhe perla të muzikës së kultivuar shqiptare u ndërthurën me sfondin magjik të detit dhe mureve shekullore të kalasë.

Çdo notë, çdo fjalë, çdo melodi dukej se ngjallej për të treguar histori dashurie, kujtimesh dhe ëndrrash të harruara.

1 nga 4

/a.f/r.e/

The post Kastriot Tusha dhe Ardian Trebicka ndezin skenën e Porto Palermo Festival appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Zjarret rrezikojnë banesat, evakuohen banorët në Spanesh dhe Kazie

12 August 2025 at 16:18

TIRANË, 12 gusht/ATSH/ Ministria e Mbrojtjes bën të ditur se në fshatrat Spanesh dhe Kazie, ekipet e emergjencës dhe Forcat e Armatosura po evakuojnë banorët nga banesat për shkak të përkeqësimit të situatës nga zjarret.

Sipas ministrisë, terreni është i vështirë dhe flakët po përhapen me shpejtësi, ndërsa po bëhen përpjekje maksimale për të garantuar sigurinë e jetës dhe pronës së qytetarëve.

Ministria e Mbrojtjes ka raportuar sot për disa vatra aktive në qarkun e Tiranës.
Vatër zjarri aktive është raportuar në vendin e quajtur “Mali i Bërzhitës”, fshati Ibë, ku po forcat operacionale vijojnë punën për shuarjen e tij.

Në lartësitë dominuese të fshatit Damjan dhe Isufaj, zona Arbanë, njësia administrative Vaqarr, ka rënë një zjarr i përmasave të mëdha. Aktualisht, edhe pse terreni është i vështirë, po veprojnë 6 mjete dhe rreth 40 forca nga strukturat operacionale si dhe një avion Canadair kroat.

Në fshatin Ferraj dhe Zall-Herr, bashkia Tiranë, në zjarrin e përhapur në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra, po operojnë në automjete zjarrfikëse nga MZSH, por situata paraqitet e ndërlikuar dhe rrezikohen banesa. Forcave në terren u janë bashkuar 2 helikopterë Blackhawk të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Në kodrat e Selitës, bashkia Tiranë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Nuk ka akses për kalueshmëri mjetesh. Situata po monitorohet nga forcat bashkiake.

Në fshatin Stërbeg, bashkia Rrogozhinë, ku zjarri ka kaluar në fshatin Spanesh.
Në vendngjarje ndodhen forca dhe mjete nga MZSH Rrogozhinë të cilët po punojnë për shuarjen e zjarrit.

Në fshatin Hajdaraj, bashkia Kavajë, vatrat janë drejt shuarjes së plotë, ku forcat në terren janë mbështetur edhe nga ajri, me një avion, që po punon aktualisht për shuarjen e vatrës së fundit.

/j.p/

The post Zjarret rrezikojnë banesat, evakuohen banorët në Spanesh dhe Kazie appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

INSTAT: Shtesë natyrore pozitive e popullsisë, 48 lindje më shumë sesa vdekje

12 August 2025 at 16:05

TIRANË, 12 gusht/ATSH/ Gjatë tremujorit të dytë të vitit, shtesa natyrore e popullsisë rezultoi pozitive, me 48 lindje më shumë sesa vdekje.

Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti i Statistikave (INSTAT), në këtë periudhë u regjistruan gjithsej 4982 lindje, duke shënuar një rënie prej 7,4% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Po ashtu, numri i vdekjeve arriti në 4934, me një rënie prej 3,7%, krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2024.

Në nivel qarku, vetëm katër qarqe regjistruan shtesë natyrore pozitive të popullsisë, ndërsa tetë të tjerat kanë shtesë natyrore negative, duke treguar një shpërndarje të pabarabartë të dinamikës demografike në vend.

Qarku i Tiranës shënoi shtesën natyrore më të lartë, me 691 lindje më shumë sesa vdekje, ndërsa Korça është qarku me bilancin më negativ, ku u regjistruan 226 vdekje më shumë sesa lindje.

Lidhur me lindjet, vetëm një qark shënoi rritje krahasuar me tremujorin e dytë të vitit të kaluar, ndërkohë që njëmbëdhjetë qarqet e tjera shënuan rënie.

Tirana ka numrin më të lartë të lindjeve, me 1982 foshnja të lindura, ndërsa Gjirokastra qëndron në fund të listës me vetëm 74 lindje.

Kukësi është i vetmi qark që ka regjistruar rritje të lindjeve, me një përmirësim prej 6,5%, ndërsa Korça ka pësuar rënien më të madhe në përqindje, me një ulje të ndjeshme prej 26%.

Sa i përket vdekjeve, Kukësi është qarku me numrin më të ulët, me 119 vdekje, ndërkohë që Tirana ka numrin më të lartë me 1291 vdekje të regjistruara.

Gjirokastra shënoi rënien më të madhe në përqindje të vdekjeve, me 19,1% më pak, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa qarku i vetëm ku është shënuar rritje e vdekjeve ka qenë Berati, me një rritje prej 4,6%. /j.p/

1 nga 2

 

The post INSTAT: Shtesë natyrore pozitive e popullsisë, 48 lindje më shumë sesa vdekje appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Manastirliu inspekton investimin e ri në Universitetin e Sporteve: Standard i ri për studentët dhe sportistët elitarë

12 August 2025 at 14:16


TIRANË, 12 gusht/ATSH/ Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, inspektoi sot punimet për ndërtimin e pistës së atletikës dhe fushës së re të futbollit në Universitetin e Sporteve të Tiranës, një investim i rëndësishëm që po realizohet me mbështetjen e qeverisë shqiptare dhe Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.

Manastirliu bëri të ditur se ky projekt synon të vendosë një standard të ri në infrastrukturën sportive universitare, duke shërbyer jo vetëm për përmirësimin e kushteve të studimit dhe praktikës për studentët e Universitetit të Sporteve, por edhe për përgatitjen e sportistëve elitarë dhe për mbështetjen e komunitetit më të gjerë sportiv.

“Ky investim është ndër më të rëndësishmit që ne po bëjmë për Universitetin e Sporteve, i cili do t’u shërbejë jo vetëm studentëve të këtij universiteti, por gjithashtu do t’i shërbejë komunitetit dhe përgatitjes së sportistëve elitarë dhe brezave të rinj. Kjo është një fushë e cila po rikualifikohet tërësisht. Tashmë puna ka filluar dhe një pjesë e punimeve janë kryer si në fushën e futbollit, në pistën e atletikës, ashtu edhe në nëndisiplinat përkatëse”, tha Manastirliu.

Ajo vuri në dukje se puna është në fazë të avancuar dhe pritet që të përfundojë në fund të këtij viti për ti hapur rrugë investimeve të tjera në këtë universitet.

“Deri në nëntor përfundon ky projekt dhe vitin e ardhshëm vijojmë investimet për të krijuar mundësinë që të gjitha disiplinat të kenë standardet më të mira në funksion të aspekteve didaktike, akademike por edhe atyre praktike dhe me kërkimin shkencor që po e mbështesim përmes Agjencisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit”, u shpreh  Manastirliu.

Ky investim, përveç përfitimeve të drejtpërdrejta për qindra studentë që studiojnë në këtë universitet, do të ndikojë gjithashtu në zhvillimin e kërkimit shkencor në fushën e sportit, përmes mbështetjes që MAS po ofron nëpërmjet Agjencisë së Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit.

Manastirliu nënvizoi gjithashtu se investime të tilla, të shoqëruara me partneritete të reja, do të forcojnë ekselencën akademike, praktikën profesionale dhe do të kthejnë Universitetin e Sporteve në një qendër model për zhvillimin e sportit në vend. /j.p/

The post Manastirliu inspekton investimin e ri në Universitetin e Sporteve: Standard i ri për studentët dhe sportistët elitarë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Denaj: Mbështetje deri në 7,5 milionë lekë për agropërpunimin

12 August 2025 at 14:04


TIRANË, 12 gusht/ATSH/ Fermerët dhe sipërmarrësit shqiptarë në fushën e agropërpunimit kanë mundësi të përfitojnë mbështetje financiare për investime në teknologji moderne për përpunimin, seleksionimin, paketimin dhe etiketimin e perimeve, frutave, rrushit dhe verës, ullirit dhe vajit të ullirit.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj bëri të ditur sot se në kuadër të Skemës Kombëtare të Investimeve 2025, ofrohet një grant prej 50% të vlerës totale të faturave tatimore për çdo subjekt, me një kufi maksimal prej 7,5 milionë lekësh.

“Ky grant synon të nxisë instalimin e linjave moderne dhe automatizimin e proceseve të punës, duke rritur kapacitetin prodhues dhe përmirësuar standardet e cilësisë, me qëllim shtimin e vlerës së produkteve shqiptare si në tregun vendas ashtu edhe në atë ndërkombëtar”, tha ministrja Denaj.

Përveç grantit, shtoi ministrja Denaj, përfituesit kanë mundësi të kombinojnë mbështetjen me Kredinë e Butë, e cila ofrohet me interes vetëm 2%, dhe përfitojnë gjithashtu garanci sovrane deri në 70% të kolateralit, duke mundësuar kështu financimin e plotë të investimit.

Aplikimet për këtë mbështetje duhet të dorëzohen pranë zyrave qendrore të AZHBR deri më 30 shtator. Skema përfshin gjithsej nëntë masa mbështetëse për investime në sektorin bujqësor. /j.p/

The post Denaj: Mbështetje deri në 7,5 milionë lekë për agropërpunimin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Certifikatë për Shërbime të Dalluara për Inspektorin Klajdi Mustaj, Proda: Profesionalizëm dhe vendosmëri për të shpëtuar tre bashkëqytetarë

12 August 2025 at 12:56


TIRANË, 12 gusht/ATSH/ Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Ilir Proda i dorëzoi inspektor Klajdi Mustaj, Certifikatën për Shërbime të Dalluara.

Në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit u zhvillua ceremonia për dorëzimin e certifikatës së akorduar nga Drejtori i Përgjithshëm, punonjësit të Policisë Klajdi Mustaj. Në ceremoni morën pjesë drejtues të lartë të Policisë së Shtetit dhe të DVP Vlorë, ku punonjësi i Policisë është i komanduar për sezonin turistik, si dhe eprorë dhe kolegë të tij.

Gjatë fjalës së tij, Drejtori i Përgjithshëm ka vlerësuar aktin e guximshëm të punonjësit të Policisë, akt që mishëron më së miri misionin e Policisë së Shtetit, të jemi aty ku qytetarët kanë më shumë nevojë për ne.

“Veprimi i Inspektorit Klajdi Mustaj, i cili ndërhyri me profesionalizëm dhe vendosmëri për të shpëtuar tre bashkëqytetarë të përfshirë në një aksident rrugor, është një shembull frymëzues për çdo efektiv policie. Guximi, reagimi i shpejtë dhe zemra e madhe që tregoi, janë vlerat që ne duam të shohim te çdo punonjës i Policisë së Shtetit. Në emrin tim dhe të gjithë trupës sonë policore, i shpreh mirënjohjen më të thellë dhe e përgëzoj për këtë akt të lartë human, për t’u dhënë ndihmën e parë, në kushte të vështira, tre shtetasve që u përfshinë në një aksident rrugor. 15-vjeçari që Klajdi mori në duar mes tymit dhe flakëve, për ta shpëtuar, fatkeqësisht humbi jetën në spital, kështu që gjej rastin t’i shpreh familjes, ngushëllimet e mia të sinqerta”, tha Proda.

Proda bëri të ditur se si Klajdi, do të nderohet çdo punonjës policie që do të demonstrojë këto vlera të larta njerëzore dhe përgjegjshmëri ndaj detyrës. “Çdo punonjës policie që do ta përmbushë me dinjitet, ndershmëri, përkushtim, sakrificë dhe humanizëm detyrën, ka mbështetjen time të plotë”, shtoi ai.

Më tej, punonjësi i Policisë Klajdi Mustaj ka falënderuar Drejtorin e Përgjithshëm, për vlerësimin dhe mbështetjen, dhe ka theksuar se ka bërë detyrën dhe do vijojë ta bëjë sa herë t’i jepet rasti, duke uruar që të tilla raste të mos ndodhin më. Ai ka apeluar për drejtuesit e automjeteve, që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor dhe të mbrojnë jetën.

“Ky vlerësim nuk është vetëm një motivim personal, por edhe një mesazh inkurajues që tregon se puna, përkushtimi dhe ndershmëria vlerësohen, dhe do të mbetet për mua një nxitje për të vazhduar të jap më të mirën në shërbim të qytetarëve dhe të vendit. Mbështetja juaj ndaj çdo punonjësi policie që përmbush me ndershmëri, përkushtim, sakrificë dhe humanizëm detyrën në shërbim të qytetarëve dhe atdheut, është më shumë se një certifikatë apo vlerë monetare, është një tregues i qartë që puna e sakrifica vlerësohen. Ndjej shumë keqardhje që 15-vjeçari, të cilin u përpoqa me gjithë zemër ta shpëtoja, humbi jetën në spital. Shpirti i tij u prehtë në paqe! Sot, kam një mesazh për të gjithë përdoruesit e rrugës, jeta është thesari ynë, mbrojeni atë duke zbatuar ligjshmërinë”, u shpreh Inspektori Mustaj. /j.p/

The post Certifikatë për Shërbime të Dalluara për Inspektorin Klajdi Mustaj, Proda: Profesionalizëm dhe vendosmëri për të shpëtuar tre bashkëqytetarë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Hapësira ime publike”, mbi 3 mijë denoncime nga qytetarët

12 August 2025 at 12:42

TIRANË, 12 gusht/ATSH/ Vetëm pak ditë pas prezantimit nga Kryeministri Edi Rama të aplikacionit më të ri digjital për denoncimin e zënieve të paligjshme të hapësirave publike, qytetarët kanë reaguar në mënyrë të menjëhershme, duke raportuar mbi 3 mijë raste.

Sipas Agjencisë për Media dhe Informim, institucionet përkatëse do të verifikojnë çdo raportim individualisht, me qëllim lirimin e çdo hapësire publike të zaptuar në mënyrë të jashtëligjshme.

Përmes portalit “Hapësira ime publike” qytetarët do të kenë mundësi që të denoncojnë rastet e zënies së trotuareve, ndërtimet pa leje apo shkelje të lejes, zaptime anës rrugëve kombëtare, parkingje private të paligjshme apo shkelje të tjera në dëm të pronës publike.

Ky aplikacion vjen si pjesë e një nisme më të gjerë të qeverisë për mbrojtjen e interesit publik dhe rritjen e transparencës e pjesëmarrjes qytetare në administrimin e hapësirës urbane. /j.p/

The post “Hapësira ime publike”, mbi 3 mijë denoncime nga qytetarët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Denaj fton të rinjtë të zgjedhin shkollën profesionale Kamzë

12 August 2025 at 10:20


TIRANË, 12 gusht/ATSH/ Promovimi i arsimit dhe formimit profesional si një zgjedhje e qëndrueshme për të rinjtë, mbetet një nga prioritetet kryesore të qeverisë shqiptare. Kjo politikë synon përgatitjen e brezave të rinj për tregun e punës, përmes përmirësimit të vazhdueshëm të standardeve në shkollat profesionale në të gjithë vendin.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural po punon gjithashtu për të nxitur të rinjtë të ndjekin shkollat e mesme profesionale me profil bujqësor, me qëllim forcimin e këtij sektori jetik për zhvillimin ekonomik të vendit.

Për të arritur këtë objektiv, MBZHR po ndërmerr një sërë hapash konkretë si promovimi efektiv i arsimit profesional, përmirësimi i kurrikulave dhe infrastrukturës mësimore, ofrimi i mundësive tërheqëse për nxënësit dhe bashkëpunimi i ngushtë me industrinë dhe komunitetin lokal.

Ministrja Anila Denaj i ftoi sot të rinjtë të zgjedhin Shkollën Profesionale Kamzë ku ofrohen programe studimi në agrobiznes dhe bujqësi, si një mundësi për të dhënë kontribut konkret në zhvillimin e këtij sektori në përputhje me strategjinë “Bujqësia 2030”.

Shkolla “Kamzë” ofron gjithashtu programe të ndryshme në fushat e hoteleri-turizmit, teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (TIK), shërbimeve teknike dhe transportit, shërbimeve sociale dhe shëndetësore, si dhe elektronikës, duke ofruar një gamë të gjerë mundësish për nxënësit.

Procesi i aplikimit për klasën e 10-të kryhet përmes “e-Albania”-s, ku çdo prind mund të aplikojë online dhe më pas merr përgjigjen nga shkolla.

Edhe pse arsimi profesional shpesh është parë si një alternativë e dytë nga prindërit dhe vetë të rinjtë, realiteti i tregut të punës tregon të kundërtën. Sot, kërkesa për punonjës të kualifikuar është e lartë.

Bizneset po kërkojnë vazhdimisht staf të specializuar, sidomos në sektorët e turizmit, bujqësisë dhe teknologjisë.

Statistikat tregojnë se mbi 60% e nxënësve të arsimit profesional punësohen që gjatë vitit të dytë apo të tretë të shkollës, çka e bën këtë formim një rrugë të sigurt drejt një karriere të suksesshme. /j.p/

The post Denaj fton të rinjtë të zgjedhin shkollën profesionale Kamzë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kuadër i ri ligjor për bashkimet dhe ndarjet ndërkufitare të shoqërive tregtare Shqipëri-BE

11 August 2025 at 15:42

TIRANË, 11 gusht/ATSH/ Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ka nxjerrë për konsultim publik projektligjin “Për shndërrimin, bashkimin dhe ndarjen ndërkufitare të shoqërive tregtare”.

Ky projektligj synon krijimin e një kuadri të plotë ligjor që rregullon kushtet dhe procedurat për shndërrimet, bashkimet dhe ndarjet ndërkufitare ndërmjet shoqërive tregtare shqiptare dhe atyre të vendeve të Bashkimit Evropian.

Përcaktimi i rregullave të unifikuara ka për qëllim sigurimin e transparencës, sigurisë juridike dhe trajtimit të barabartë për të gjitha subjektet e përfshira në këto operacione.

Një objektiv kyç është përafrimi i legjislacionit shqiptar me standardet e BE-së, konkretisht transpozimi i Direktivës (BE) 2019/2121 që ndryshon Direktivën (BE) 2017/1132 për këto operacione, duke siguruar një mjedis ligjor të qëndrueshëm dhe të parashikueshëm për ndërmarrjet dhe investitorët.

Po ashtu, projektligji synon mbrojtjen e interesave të aksionarëve, kreditorëve dhe punëmarrësve të shoqërive të përfshira, përmes mekanizmave mbrojtës si e drejta e aksionarëve të pakicës për t’u tërhequr me kompensim të drejtë, garantimin e të drejtave të kreditorëve dhe përfshirjen e punëmarrësve në procesin e vendimmarrjes.

Ky ligj pritet të kontribuojë në përmirësimin e klimës së biznesit në Shqipëri, rritjen e besimit të investitorëve të huaj dhe integrimin e vendit në tregun e përbashkët evropian, duke rritur konkurrueshmërinë e ekonomisë shqiptare.

Procesi i verifikimit të ligjshmërisë dhe certifikimit paraprak për bashkimet ndërkufitare është disi më i ndërlikuar, pasi përfshin autoritetet e disa vendeve.

Projektligji përcakton që për shoqërinë shqiptare pjesëmarrëse, noteri i autorizuar (si autoritet kompetent) mbledh dhe kontrollon dokumentacionin e secilës shoqëri shqiptare në bashkim, sigurohet që të gjitha të drejtat e aksionarëve, punonjësve e kreditorëve janë respektuar, dhe në fund lëshon certifikatën e parabashkimit për shoqërinë shqiptare.

Kjo certifikatë konfirmon se faza përgatitore e bashkimit është e ligjshme në Shqipëri.
Në mënyrë të ngjashme, autoritetet përkatëse në shtetin tjetër pjesëmarrës (mund të jenë noterë, gjykata apo regjistrat tregtarë atje) lëshojnë certifikatat e tyre për shoqëritë e huaja pjesëmarrëse.

Më pas, autoriteti i vendit të shoqërisë që rezulton (p.sh. nëse shoqëria pas bashkimit do të ketë selinë në Shqipëri, autoriteti është sërish noteri/QKB-ja jonë; nëse do të jetë jashtë, autoriteti përkatës atje) kontrollon certifikatat e parabashkimit të të gjitha shoqërive pjesëmarrëse dhe aktin e bashkimit (marrëveshjen e nënshkruar).

Kur shoqëria e re/pasardhëse është shqiptare, noteri shqiptar pasi verifikon certifikatat e lëshuara nga autoritetet e huaja dhe përmbushjen e procedurave të themelimit të shoqërisë së re (kur ka një të tillë), përgatit aktin përfundimtar noterial të bashkimit dhe njofton QKB-në të regjistrojë bashkimin. Kur shoqëria pasuese është jashtë, atëherë autoriteti i huaj kryen këto veprime përfundimtare dhe QKB-ja, mbi bazën e njoftimit nga autoriteti i huaj, çregjistron shoqërinë shqiptare që u bashkua.

Projektligji parashikon gjithashtu skenarë të veçantë, si bashkimin e shoqërisë mëmë me një shoqëri bijë dhe përfaqësimin e punëmarrësve në organet e shoqërisë pasuese, në përputhje me legjislacionin evropian për përfshirjen e punonjësve në shoqëritë evropiane.

/a.f/

The post Kuadër i ri ligjor për bashkimet dhe ndarjet ndërkufitare të shoqërive tregtare Shqipëri-BE appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Malaj dhe Gazheli në skanerin e Portit të Durrësit, reduktim i ndjeshëm i kohës së pritjes për operatorët ekonomikë

11 August 2025 at 14:40


TIRANË, 11 gusht/ATSH/ Ministri i Financave, Petrit Malaj së bashku me drejtorin e përgjithshëm të Doganave, Genti Gazheli, zhvilluan një vizitë inspektuese pranë skanerit të Portit të Durrësit, ku gjatë tre muajve të fundit, falë masave të marra është shënuar një ulje e ndjeshme e numrit të skanimeve.

Ky zhvillim ka sjellë lehtësim të dukshëm të procesit për operatorët ekonomikë dhe është mirëpritur nga shoqëritë e transportit, të cilat kanë vlerësuar reduktimin e kohës së pritjes dhe trajtimin më efikas të fluksit.

Drejtor i Përgjithshëm i “S2 Albania”, Agron Jaku bëri të ditur se masat shtesë e kanë lehtësuar dhe përshpejtuar procesin e transportit si për turizmin, ashtu edhe për mjetet e tjera.

“Aktualisht kemi rreth 200 skanime në ditë dhe i gjithë procesi, nga hyrja në dalje, zgjat vetëm 3 minuta”, theksoi ai.

Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Genti Gazheli, vuri në dukje se rritja e volumeve të mallrave ka sjellë edhe rritje të ritmit të zhdoganimeve.

“Në çdo vit, Porti i Durrësit përpunon rreth 15% të volumit total të import–eksporteve, duke qenë pika më e rëndësishme kufitare në këtë drejtim. Kemi arritur të ulim kohën e përpunimit dhe qëndrimit në port, si dhe të reduktojmë me mbi 10% kohën e skanimit për subjektet që e përdorin si pikë hyrëse dhe dalëse”, tha ai.

Nga ana e tij, ministri i Financave, Petrit Malaj, nënvizoi se këto masa të domosdoshme shkojnë drejt modernizimit të administratës doganore dhe përputhjes së proceseve të punës me standardet e Bashkimit Europian.

“Një doganë e shpejtë, transparente dhe e besueshme është thelbësore për të arritur objektivat tona dhe për t’u afruar më shpejt me standardet e BE-së”, shtoi Malaj.

Ky përmirësim është rezultat i marrëveshjes së firmosur në muajin prill, e cila garanton një qasje të koordinuar mes Doganës dhe Policisë së Shtetit, me kontrolle të targetuara vetëm mbi bazën e riskut.

Në kuadër të këtij bashkëpunimi, po punohet për të reduktuar edhe më tej numrin e skanimeve, duke siguruar balancën e duhur mes sigurisë dhe lehtësive për biznesin.

1 nga 4

/a.f/

The post Malaj dhe Gazheli në skanerin e Portit të Durrësit, reduktim i ndjeshëm i kohës së pritjes për operatorët ekonomikë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Balluku: OST dhe OSSH në terren për garantimin e furnizimit me energji në zonat e prekura nga zjarret

10 August 2025 at 22:24

TIRANË, 10 gusht/ ATSH/ Strukturat e grupeve të emergjencës së Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST) dhe Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSSH) janë në gatishmëri të plotë dhe po punojnë intensivisht në terren për të garantuar furnizimin me energji elektrike në zonat e prekura nga zjarret.

Zëvendëskryeministrja dhe njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, bëri të ditur sot se ekipet e specializuara janë angazhuar maksimalisht për të ndjekur nga afër situatën dhe për të ndërhyrë aty ku nevojitet, sidomos në ato zona ku për shkak të flakëve është rrezikuar infrastruktura energjetike.

“Kemi ndërhyrë për të zgjidhur problemet në rrjet në zonat e Bistricës, Livadhjas dhe Konispolit, ku prania e zjarreve ka ndikuar në funksionimin normal të linjave të transmetimit”, tha Balluku.

Sipas saj, vëmendje e shtuar po i kushtohet veçanërisht objekteve dhe linjave 110/35 kV, të cilat për shkak të afërsisë me vatrat e zjarrit, kërkojnë ndërhyrje të kujdesshme dhe të koordinuar nga ekipet e elektricistëve në terren.

“Gatishmëria është rritur edhe në pjesë të tjera të vendit, si në Çorovodë dhe Ballaj (Divjakë), ku ekipet tona janë të vendosura dhe të përgatitura për të reaguar në çdo moment”, shtoi Balluku.

Ndërkohë që strukturat e zjarrfikësve vijojnë përpjekjet për shuarjen e zjarreve në disa zona të vendit, elektricistët e OSSH dhe OST ndodhen në gatishmëri të plotë për të ndërhyrë sa më shpejtë në rikthimin e energjisë elektrike pasi qetësohet situata me zjarret.

/r.e/

The post Balluku: OST dhe OSSH në terren për garantimin e furnizimit me energji në zonat e prekura nga zjarret appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Bllokohet të hënën përkohësisht aksi Vlorë-Orikum, IKMT kryen një shpërthim të kontrolluar

10 August 2025 at 20:49

TIRANË, 10 gusht/ATSH/ Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) njofton se nesër, më datë 11 gusht 2025, në orën 07:30 të mëngjesit, do të kryhet demolimi me shpërthim të kontrolluar i një objekti trekatësh, ndodhur pranë aksit rrugor Vlorë – Orikum.

Sipas IKMT-së, objekti në fjalë është ndërtim pa leje dhe ndërhyrja vjen në kuadër të zbatimit të ligjit dhe çlirimit të hapësirave publike.

Aksioni do të zhvillohet në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes, Forcat Xheniere të Ushtrisë, Policinë e Shtetit dhe institucionet e tjera përgjegjëse.

Për realizimin e operacionit janë kryer përgatitjet teknike, si hapja e 410 furnelave, shtrirja e 1100 metrave linearë fitil detonant, si dhe vendosja e 32 kilogramëve lëndë plasëse.

Për të garantuar sigurinë dhe për të minimizuar ndikimet në zonën përreth, shpërthimi do të kryhet herët në mëngjes.

Si masë paraprake do të bllokohet përkohësisht aksi rrugor Vlorë – Orikum, si dhe do të ndërpritet përkohësisht furnizimi me energji elektrike, 15 minuta përpara shpërthimit.

Gjithashtu, do të jenë të pranishme mjetet zjarrfikëse, ambulanca dhe personeli përkatës për të menaxhuar çdo situatë emergjente. Të gjithë pronarët e objekteve pranë perimetrit të sigurisë janë njoftuar dhe informuar për masat mbrojtëse që duhet të ndërmarrin.

/r.e/

The post Bllokohet të hënën përkohësisht aksi Vlorë-Orikum, IKMT kryen një shpërthim të kontrolluar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌