Rama: As 10 minuta nuk iu deshën gjykatësit Balliu t’i dalë kundër shtetit për pallatin totalisht pa leje
TIRANË, 20 gusht /ATSH/ Kryeministri Edi Rama reagoi sot ndaj vendimit të gjyqtarit Hazbi Balliu, i cili një pallat të ndërtuar pa leje dhe të konfiskuar e kaloi në favor të ndërtuesit të paligjshëm.
Rama u shpreh sot se, “as 10 minuta nuk i janë dashur gjykatësit Balliu që t’i dalë kundër shtetit dhe të marrë anën e paditësve që kanë bërë një pallat të tërë pa leje, i cili u konfiskua si i tillë e iu dha Agjencisë Shtetërore të Kadastrës”.
“Materialet që institucionet i vunë në dispozicion Balliut duan shumë më tepër se 9 minuta të lexohen, por natyrisht që gjykatësi as nuk i ka lexuar sepse i ka mjaftuar fakti që në godinën e vjetër të ASHK, e cila është bërë e pasigurtë nga tërmeti nuk ka pasur asnjë viktimë dhe kësisoj puna sipas tij mund të vazhdonte nën tavanët që binin, ndërsa pallatin pa leje shohim e bëjmë…”, shkroi Rama në një postim në rrjetet sociale.
Kryeministri Edi Rama reagoi edhe ditën e djeshme, pas zbardhjes së vendimit të arsyetuar, të cilin e konsideroi si skandaloz, ndërsa u shpreh se gjyqtari merr në mbrojtje palën përfaqësuese të një pallati të ndërtuar totalisht pa leje.
Kryeministri ndau edhe fotografi nga godina e vjetër e ASHK-së, e cila sipas tij, “për Balliun është një vend normal pune për sa kohë nuk ka viktima”.
Në arsyetimin e vendimit, Gjykata vlerëson se “ASHK ka funksionuar edhe pas vitit 2021 për 4 vite rresht në të njëjtën godinë dhe nuk ka prova që ky shërbim nuk mund të vazhdojë në kushtet ekzistuese”.
“Pavarësisht se punonjësit e ASHK-së mund të mos jenë në hapësira komode në ushtrimin e detyrave të tyre, kjo situatë nuk mund të vlerësohet se përbën cenim të rëndë të interesit publik që paralizon veprimtarinë e ASHK-së nëse pezullohet zbatimi i vendimit të datës 18 qershor 2025 të Komisionit të Objekteve të Konfiskuara. Sakaq, ASHK nuk është një institucion i ri, i sapokrijuar dhe mosakomodimi i menjëhershëm në objektin e konfiskuar të kërkuesit do ta cenonte menjëherë ushtrimin e funksioneve të tij në dhënien e shërbimit për publikun”, thuhet në vendimin e gjykatës.
/gj.m/r.e/j.p/
The post Rama: As 10 minuta nuk iu deshën gjykatësit Balliu t’i dalë kundër shtetit për pallatin totalisht pa leje appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.