Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Vengu: Vendoset nën kontroll zjarri në fshatin Markat në Konispol

TIRANË, 26 korrik /ATSH/ Zjarri në fshatin Markat në Konispol është vendosur nën kontroll, falë ndërhyrjes së shpejtë dhe të koordinuar të forcave në terren.

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu ndau sot pamje nga operacioni I shuarjes së zjarrit në këtë fshat, ku morën pjesë  2 automjete zjarrfikëse me 6 efektivë nga MZSH Konispol, 2 automjete me 12 efektivë nga BMEC dhe 1 helikopter i Forcave të Armatosura.

Vengu theksoi se falë reagimit të menjëhershëm, u shmang përhapja e flakëve në zona të banuara dhe me rëndësi bujqësore.

1 nga 5

/gj.m/

The post Vengu: Vendoset nën kontroll zjarri në fshatin Markat në Konispol appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama ndan pamje nga plazhi i Golemit

TIRANË, 26 korrik /ATSH/ Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga plazhi i Golemit.

Plazhi i Golemit, i ndodhur në zonën e Kavajës vetëm pak kilometra nga Durrësi dhe rreth 40 minuta nga Tirana, mbetet një nga destinacionet më të preferuara të pushuesve vendas dhe të huaj gjatë sezonit veror.

Me një vijë bregdetare të gjatë, rërë të artë, ujëra të pastër kristal dhe një peizazh që përputh natyrën me infrastrukturën turistike, Golemi është kthyer në një magnet për turizmin bregdetar shqiptar.

Vitet e fundit janë shtuar ndjeshëm hotelet, resortet, vilat dhe restorantet që ofrojnë shërbime cilësore dhe mikpritje tradicionale.

Së fundmi në këtë plazh mudn të shijohet edhe një eksperienca off-road në plazhin e Golemit.

Kjo iniciativë e veçantë ofron udhëtime nëpër shtigje të fshehura dhe terrene sfiduese, ku natyra e egër takon emocionin e aventurës.

Destinacioni është ideal për të zbuluar peizazhe të mrekullueshme dhe vende që rrallë shihen nga turistët e zakonshëm.

Turizmi off-road është një formë e turizmit aventurier që konsiston në udhëtime dhe eksplorime nëpër terrene të vështira, natyrore dhe jashtë rrugëve të asfaltuara, duke përdorur mjete të posaçme si fuoristrada (4×4), quad, motoçikleta etj.

/gj.m/

The post Rama ndan pamje nga plazhi i Golemit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kumbaro: Shmanget rreziku për përhapjen e zjarrit drejt Fushëbardhës

TIRANË, 26 korrik/ATSH/ Ministrja e Turizmit dhe e Mjedisit, Mirela Kumbaro tha sot se, 24 orët e fundit kanë qenë të vështira për shkak të zjarrit në zonën mes Delvinës dhe Gjirokastrës.

Kumbaroi u shpreh se, temperaturat shumë të larta dhe terreni i thyer e bëjnë këtë një sfidë të vërtetë për forcat në terren.

“Përpjekjet për të frenuar përhapjen e flakëve kanë qenë të gjithanshme, me angazhim maksimal të zjarrfikësve dhe gjithë punonjësve të tjerë që janë bashkuar”, shkroi Kumbaro në një postim në rrjetet sociale.

Ministrja Kumbaro u ka shprehur mirënjohjen secilit që është aty për të mbrojtur natyrën dhe jetët njerëzore, ndërsa shtoi se, rreziku që zjarri të përhapej drejt Fushëbardhës është shmangur, por përpjekjet vijojnë në zonën e Skërficës për izolimin e vatrave të mbetura.

Kumbaro bëri thirrje që të tregohet kujdes i shtuar dhe të mos ndizet zjarr në ambiente të hapura, teksa shtoi se qytetarët duhet të lajmërojnë menjëherë për çdo vatër, sado e vogël të duket!

Nga aksioni për shuarjen e vatrave të zjarrit në zonën mes Delvinës dhe Gjirokastrës
1 nga 6

/e.i/ /gj.m/

The post Kumbaro: Shmanget rreziku për përhapjen e zjarrit drejt Fushëbardhës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

POLONI – Tusk paralajmëron për konflikt me Rusinë deri në vitin 2027

VARSHAVË, 26 korrik /ATSH-DPA/ – Evropa dhe Polonia duhet të jenë të përgatitura për një konflikt të mundshëm të madh me Rusinë deri në vitin 2027, tha sot kryeministri polak Donald Tusk.

Tusk tha se qeveria e tij do të shfrytëzonte maksimalisht dy vitet e ardhshme për të stabilizuar situatën në Poloni dhe për të garantuar sigurinë.

Kryeministri iu referua një vlerësimi të ngjashëm nga Komandanti i ri Suprem i NATO-s Alexus Grynkewich me të cilin kishte folur pak më parë.

Sipas këtij vlerësimi, Rusia dhe Kina mund të bëhen mjaftueshëm të forta deri në vitin 2027 për të kërkuar një përballje të koordinuar me NATO-n dhe SHBA-në.

Duke pasur parasysh luftën e Rusisë kundër Ukrainës, një sërë skenarësh të mundshëm po qarkullojnë midis ekspertëve ushtarakë perëndimorë rreth asaj se kur shtetet e tjera evropiane mund të përballen me agresion.

Viti 2027 është vlerësimi më i hershëm i përmendur deri më tani. Ministri gjerman i Mbrojtjes Boris Pistorius ka thënë se mund të jetë viti 2029.

Shtetet e BE-së po riarmatosen dhe synojnë të jenë në gjendje të zmbrapsin sulmin rus deri në vitin 2030.

Rusia gjithashtu po zgjeron forcat e saj të armatosura. Megjithatë, udhëheqja e Moskës i ka hedhur poshtë pretendimet për sulme ndaj territorit të NATO-s – duke i quajtur ato një absurditet.

Gazeta ruse “Komsomolskaya Pravda”, kohët e fundit e përmbysi narrativën, duke pretenduar se NATO po planifikon të sulmojë Rusinë në vitin 2027.

Rusia vazhdon të sulmojë Ukrainën çdo ditë, në kuadër të pushtimit në shkallë të plotë të nisur nga Kremlini në vitin 2022. //a.i/

The post POLONI – Tusk paralajmëron për konflikt me Rusinë deri në vitin 2027 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Avaria në linjën 110 kV në Shkodër, Beci: Rikthehet furnizimi me energji

TIRANË, 26 korrik/ATSH/ Kryetari i bashkisë Shkodër, Benet Beci njoftoi sot se, për shkak të temperaturave ekstreme, ka ndodhur një avari në linjën 110 kV të furnizimit me energji elektrike, e cila furnizon nënstacionet e qytetit të Shkodrës.

Beci u shpreh se, grupet e punës kanë bërë të mundur rikthimin e furnizimit me energji në nënstacionet dhe po monitorojnë në vijimësi situatën, me qëllim parandalimin e ndërprerjeve të mëtejshme në qytet.

Ndërkohë, kryebashkiaku i Shkodrës tha se, si pasojë e temperaturave të larta gjatë mesditës, është shfaqur një vatër zjarri në zonën e Oblikës, e cila po mbahet nën kontroll nga forcat zjarrfikëse, pavarësisht erës që favorizon përhapjen e flakëve.

Ekipet zjarrfikëse vijojnë të jenë në terren për menaxhimin e çdo situate dhe janë në koordinim të ngushtë me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile.

Grupet e punës së OSHE në Shkodë, si dhe aksioni për shuarjen e vatrave të zjarrit në Oblik
1 nga 4

/e.i/ /gj.m/

The post Avaria në linjën 110 kV në Shkodër, Beci: Rikthehet furnizimi me energji appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SOFT NEWS – Maçoku më i famshëm i Azisë, Obby me truprojë zyrtare

XHAKARTA, 26 korrik /ATSH/ – Obby Kertanegara, maçoku që endet në korridoret e rezidencës presidenciale indoneziane, është kafsha e parë shtëpiake që i akordohet një truproje, pasi qeveria ia ka caktuar enkas atë, shkruan lastampa.it.

Vendimi u konfirmua nga zëvendësministri i Shtetit, Juri Ardiantoro në një deklaratë e cila shkaktoi një debat të gjerë.

“Shteti duhet të mbrojë jo vetëm presidentin, por edhe pronën e tij”, deklaroi zëvendësministri, duke mbrojtur vendimin për t’i caktuar një truproje maçokut më të famshëm të Indonezisë.

Një vendim që, ndërsa ka provokuar reagime ironike dhe hutim, ka çimentuar gjithashtu pozicionin e maceve si një ikonë e vërtetë kombëtare.

Një prani e vazhdueshme në pallatin “Merdeka”.

Bobby u shfaq për herë të parë pranë pallatit “Merdeka” të Xhakartës në vitin 2017. Në atë kohë, ai ishte thjesht një maçok endacak, por u prit me dashuri nga stafi presidencial.

Që atëherë, maçoku ka fituar dashurnë e njerëzve duke qenë e pranishme në ngjarjet zyrtare dhe fotografitë institucionale.

Fama e tij arriti kulme të reja kur ai eci për herë të parë – me një qetësi të habitshme – së bashku me oficerët e policisë në tapetin blu të Ditës së Dashamirësve të Maceve, një ngjarje e organizuar për të festuar miqtë feline të vendit.

Aq shumë, saqë filloi të merrte pjesë në takimet presidenciale dhe të merrte dhurata nga të ftuarit e presidentit, përfshirë Bill Gates.

Përtej konceptit të “pronës”, vendimi për t’i dhënë atij një eskortë personale është simbolik dhe konkret: Bobby konsiderohet aq i rëndësishëm për presidentin, saqë ai ka vendosur ta mbrojë atë sikur të ishte anëtar i familjes së tij.

Presidenti është i divorcuar dhe ka një djalë, Didit Hediprasetyo, një stilist mode që jeton në Paris. Ky vendim pasqyron jo vetëm lidhjen e veçantë midis kafshës dhe institucionit presidencial, por edhe rëndësinë në rritje që u atribuohet kafshëve shtëpiake në kulturën publike./ /os/

 

The post SOFT NEWS – Maçoku më i famshëm i Azisë, Obby me truprojë zyrtare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Operacioni “Orologi”, policia ekzekuton 6 masa sigurie

TIRANË, 26 korrik/ATSH/ Policia e Shtetit bën me dije se është finalizuar operacioni “Orologi”, ndërsa janë ekzekutuar gjashtë masa sigurie.

Sipas Policisë, u sekuestruan armë, orë të shtrenjta, automjete luksoze e sende të tjera të vlefshme për hetimin.

Në kuadër të operacionit “OROLOGI”, nga Sektori për Hetimin e Grupeve Kriminale, në Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar, në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me strukturat e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, BKH-në dhe Drejtoritë Vendore të Policisë Tiranë, Durrës, Elbasan dhe Vlorë, u bë i mundur ekzekutimi i vendimit penal të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, për caktimin e masës së sigurisë me karakter personal shtrëngues “Arrest me burg”.

Policia njofton se shtetasit e ndaluar janë A. H., 42 vjeç, banues në Tiranë, E. N., 44 vjeç, banues në Tiranë, P. D., 53 vjeç, banues në Durrës, aktualisht ndodhet në ambientet e paraburgimit IEVP, Rruga “Jordan Misja”, Tiranë, K. H., 37 vjeç, banues në Tiranë, E. A. (alias E. D., alias A. D.), 39 vjeç, banues në Elbasan, aktualisht ndodhet në ambientet e paraburgimit IEVP, Rruga “Jordan Misja”, Tiranë, I. Ll., 39 vjeç, lindur dhe banues në Elbasan, ndërsa për shtetasin D. P. (alias D. B., alias E. S.), 38 vjeç, banues në Vlorë, nuk u bë e mundur ekzekutimi i masës së sigurisë, pasi nuk u gjet; u shpall në kërkim.

“Të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim, në formë të grupit të strukturuar kriminal, “Kryerja e veprave penale nga organizata ose grupi i strukturuar kriminal” dhe “Grupi i strukturuar kriminal”, thuhet në njoftim.

“Po gjatë operacionit, janë realizuar kontrolle të shumta, nga të cilat janë sekuestruar:

3 armë zjarri të llojit pistoletë, 43470 euro, 5000 franga zvicerane, 3 automjete, përfshirë një Mercedes Benz AMG G63, një Volksëagen Golf 7a dhe një Volksëagen Sharan, 1 skaf luksoz i markës “Hull Ëorks Sarock 40”, prodhim i vitit 2025, i regjistruar në emër të një subjekti tregtar, 1 orë Rolex model 126613LN, 1 orë Richard Mille, model McLaren RM50-03/68, 16 aparate celularë, kryesisht të markave iPhone dhe Samsung, disa me karta SIM aktive, 19 karta bankare ndërkombëtare (Visa, Mastercard, American Express), të lëshuara në emër të personave nën hetim, dokumente bankare dhe transaksionesh financiare me llogari në Emiratet e Bashkuara, Gjermani, Itali dhe Panama, 1 dron, 8 hard disqe të markës Hikvision, me kapacitet 6TB secili dhe sende të tjera që i shërbejnë hetimit”, thekson Policia.

Materialet procedurale iu kaluan për ndjekje të mëtejshme, Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Tiranë.

Policia e Shtetit mbetet e angazhuar maksimalisht për të bashkëpunuar me agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit në luftën kundër krimit të organizuar.

/e.i/ /gj.m/

The post Operacioni “Orologi”, policia ekzekuton 6 masa sigurie appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Situata e zjarreve, Kingji ndjek në terren operacionet për shuarjen e vatrave

TIRANË, 26 korrik/ATSH/ Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjenerallejtënant Arben Kingji po ndjek në terren operacionet e shuarjes së zjarreve.

Sipas një njoftimi zyrtar nga Ministria e Mbrojtjes, vatrat e zjarrit janë në zonën e Shkopetit, majën e Kulmës në Kurbin, në Fang në Mirditë, në Zall-Gjoçaj në bashkinë Mat si dhe në Mbreshtan/Galinë në Berat.

“Dy avionë Canadair kroat dhe italian janë të angazhuara në operacionin për shuarjen e zjarrit në Shashicë, Maja e Kulmës, Rrëshen, Mirditë”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu, në Shpirag, 74 efektivë të FARSH dhe një helikopter po punojnë për shuarjen e flakëve.

Më herët, ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu bëri me dije se, 17 vatra zjarri janë aktive në disa qarqe të Shqipërisë.

Në një postim në rrjetet sociale, ministri Vengu tha se në terren janë angazhuar afërsisht 1000 forca, ushtarake dhe civile, të cilat po punojnë pa ndërprerje, nën koordinimin e Shefit të Shtabit të Forcave të Armatosura, Prefektëve dhe Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile.

“Nën koordinimin e AKMC po sigurojmë mbështetjen e mjeteve të Forcës Ajrore në disa zona si Delvinë, Konispol, Berat/Dimal dhe Bërzhitë, me 5 helikopterë të përfshirë në operacione në këto momente”, shkroi Vengu.

Ventu u shpreh se, “deri tani janë neutralizuar 9 vatra zjarri, të cilat po monitorohen nga afër për të parandaluar riaktivizimin”.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjenerallejtënant Arben Kingji ë terren për operacionet ...
1 nga 8

/e.i/ /gj.m/

The post Situata e zjarreve, Kingji ndjek në terren operacionet për shuarjen e vatrave appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Misteri 500-vjeçar i fshehur në veprën e Leonardo Da Vinçit ‘zbulohet më në fund’

Leonardo da Vinçi është piktori dhe dijetari i shquar që qëndron pas veprës ikonike Mona Lisa, por a e dinit se sa shumë gjeometria ndikoi në veprat e tij artistike?

Me siguri keni dëgjuar ose parë edhe vizatimin e tij tjetër të shquar të Njeriut Vitruvian, të krijuar rreth vitit 1490, dhe ilustrimi përfaqëson përmasat ideale njerëzore të da Vinçit me gjeometri siç përshkruhet nga arkitekti i lashtë romak Vitruvius.

Por për më shumë se 500 vjet, një gjë që e la botën e artit të hutuar ishin përmasat e caktuara që da Vinçi vizatoi për krahët dhe këmbët në imazh.

Megjithatë, një dentist nga Londra mendon se e ka zgjidhur misterin e mbajtur prej kohësh me studimin e botuar në Journal of Mathematics and the Arts.

Sipas Rory Mac Sweeney, përgjigjja mund të gjendet në ijët e Njeriut Vitruvian: një trekëndësh barabrinjës që ai mendon se mund të shpjegojë “një nga veprat më të analizuara, por edhe më të fshehta në historinë e artit”.

Siç u përmend më parë, vizatimi është frymëzuar nga Vitruvi, i cili besonte se trupi i përsosur i njeriut duhet të futet brenda një rrethi dhe një katrori.

Një katror është përdorur nga da Vinçi që i përshtatet ‘pozës kryqëzore’ të burrit me krahët dhe këmbët e shtrira, ndërsa pjesa e brendshme e rrethit është vendi ku krahët dhe këmbët janë të hapura.

Në të kaluarën, mendohej se përmasat e vizatimit bazoheshin në Teorinë e Raportit të Artë, por ky supozim popullor nuk ishte i vërtetë, pasi matjet nuk kanë kuptim.

Përgjigja ka qenë pikërisht para nesh, thotë Mac Sweeney, duke përshkruar se si ajo është “fshirë në sy të lirë”, sipas Science Alert .

“Nëse i hapni këmbët… dhe i ngrini duart mjaftueshëm sa gishtat e shtrirë të prekin vijën e majës së kokës… hapësira midis këmbëve do të jetë një trekëndësh barabrinjës”, shkroi da Vinçi në shënimet e tij për Njeriun Vitruvian.

Mac Sweeney ndoqi këtë, por pasi bëri llogaritjet në trekëndësh, zbuloi se kishte një raport prej rreth 1.64 me 1.65 të shkaktuar nga përhapja e këmbëve të burrit dhe lartësia e kërthizës së tij.

Kjo është afër raportit tetraedral (1.633), i përdorur për të gjetur mënyrën më të mirë për paketimin e sferave, i cili nuk u përcaktua zyrtarisht deri në vitin 1917.

Raporti lartësi-bazë i një forme piramidale mund të jetë 1.633 nëse katër sfera janë të lidhura sa më ngushtë të jetë e mundur – një parim i ngjashëm me parimin trekëndor të përdorur në stomatologji, siç mund të jetë vënë re nga Mac Sweeney.

Në këtë kontekst, kur shikohet një nofull njerëzore, raporti i trekëndëshit të Bonwill-it, i përdorur që nga viti 1864 dhe që është pozicionimi më i mirë për funksionin e nofullës, është gjithashtu 1.633.

Sipas Mac Sweeney, kjo nuk është rastësi, pasi ai beson se nofullat tona maksimizojnë efikasitetin mekanik duke u përputhur natyrshëm me gjeometritë tetraedrale.

A mund të përsëritet raporti tetraedral jo vetëm në nofullat tona?

Mac Sweeney mendon se ky është rasti, meqenëse “anatomia njerëzore ka evoluar sipas parimeve gjeometrike që qeverisin organizimin optimal hapësinor në të gjithë universin”.

“Të njëjtat marrëdhënie gjeometrike që shfaqen në strukturat optimale kristalore, arkitekturat biologjike dhe sistemet koordinative të Fuller-it duket se janë të koduara në përmasa njerëzore,” vazhdoi ai, “duke sugjeruar që Leonardo intuitoi të vërteta themelore rreth natyrës matematikore të vetë realitetit.”

Le të themi se Mac Sweeney ka të drejtë me gjetjet e tij (gjë që mbetet për t’u parë midis shkencëtarëve); kjo do të thotë që, ndërsa vizatonte Njeriun Vitruvian, da Vinçi mund të ketë hasur në një parim universal.

Kjo tregon vetëm se, mbi 500 vjet më vonë, ne ende po zbulojmë më shumë informacion rreth njërit prej vizatimeve më të njohura në botë.

Leonardo Da Vinci Facts Shorts

Sot feston ditëlindjen Mick Jagger

Gëzuar ditëlindjen Mick – vërtet nuk ka tjetër!!. Gëzuar për më shumë muzikë, më shumë lëvizje dhe më shumë ”kilometra në rrugëtimin tënd”, shkruan faqja rollingstones.com.

Mick Jagger lindi më 26 korrik 1943, në Dartford, Kent, Angli.

Ai është muzikanti britanik i njohur më së miri si këngëtari kryesor ekstravagant i Rolling Stones, një grup anglez rock, për të cilin ai bashkëshkroi shumicën e këngëve.

Ai gjithashtu ka publikuar një numër albumesh solo. Përveç punës së tij si muzikant, ai është shfaqur në filma dhe është bashkëthemeluar një kompani prodhimi filmash.

Jagger është i njohur për zërin e tij unik, lëvizjet e tij frenetike të vallëzimit dhe sjelljet skenike gjatë performancave live, si dhe për imazhin e tij kontravers kundër kulturës.

Revista e shquar amerikane e muzikës Rolling Stone në vitin 2011 e renditi Jagger si këngëtarin e katërt më të mirë të të gjitha kohërave në listën e saj të 10 këngëtarëve më të mirë. /atsh/ KultPlus.com

Helen Mirren, mbretëresha britanike e aktrimit mbush sot 80 vjeç!

Helen Mirren, mbretëresha britanike e aktrimit, feston sot ditëlindjen e saj të 80-të, sipas “Euronews”.

Gjatë karrierës së saj prej gjashtë dekadash, ajo zbukuroi skenat dhe ekranet tona me portretizimet e grave të fuqishme dhe komplekse, nga Kleopatra te Elizabeta II dhe Katerina e Madhe e Rusisë.

Mirren është gjithashtu e vetmja aktore që ka portretizuar të dyja Mbretëreshat Elizabeta në ekran.

Helen Mirren (lyena Lydia Mironov) lindi në Londër në vitin 1945, nga një baba me origjinë ruse dhe një nënë skoceze. Familja e saj zgjodhi te ndryshonte mbiemrin në Mirren në fillim të viteve 1950.

Ajo e filloi karrierën e saj në skenë, duke u bashkuar me Teatrin Kombëtar të të Rinjve të Britanisë së Madhe në moshën 18-vjeçare.

Atje, luajti rolin e Mbretëreshës së Egjiptit në tragjedinë “Antony and Cleopatra”, një rol që e riinterpretoi në vitin 1998 përballë Alan Rickman në Teatrin Kombëtar.

Një vit më vonë, Mirren iu bashkua kompanisë “Royal Shakespeare Company” ku qëndroi për 15 vjet.

Nga skena në ekran

Mirren fitoi rolin e saj të parë të madh në film në dramën komedi me regji të Michael Powell në vitin 1969, “The Age of Consent”.

Më vonë ajo u bë e njohur në rolet e saj si bashkëshortja e një perandori në dramën erotike të vitit 1979, “Caligula”;  e dashura e një gangsteri në filmin “The Long Good Friday” në 1980; dhe si Morgana le Fay në filmin fantazi “Excalibur”, në 1981.

Ajo fitoi nominimin e saj të parë për Çmim Oscar për rolin e saj si Mbretëresha Charlotte në filmin e vitit 1994, “The Madness of King George”.

Aktorja britanike u martua me regjisorin amerikan Taylor Hackford në vitin 1997, 22 vjet pasi u takuan në sheshxhirimin e dramës së tij “White Nights”.

Në fillim të viteve 2000, Helen Mirren arriti një famë globale.

Ajo pushtoi zemrat dhe mendjet e publikut me rolin e saj kryesor në serialin televiziv policor “Prime Suspect”.

Me suksesin erdhën gjithmonë e më shumë vlerësime. Ajo fitoi tre çmime “BAFTA TV” dhe dy çmime “Primetime Emmy” për rolin e saj në “Prime Suspect”.

Ajo u dekorua me titullin “Dame Commander” të Urdhrit të Perandorisë Britanike (DBE) nga Mbretëresha Elizabeth II në vitin 2003 për shërbimet e saj në filmat dramë.

Tre vjet më vonë, Mirren luajti rolin e monarkes më jetëgjatë të Britanisë së Madhe në dramën me regji të Stephen Frears, “The Queen”.

Portretizimi i sovranes në javët pas vdekjes së Princeshë Dianës i dha asaj një çmim Oscar si Aktorja më e Mirë.

Duke sfiduar stereotipet

Helen Mirren ka fituar reputacion për elegancën dhe egërsinë e saj. Shpesh e përshkruar si seks simbol në rininë e saj, ajo tha se kurrë nuk ia kishte vënë këtë emërtim vetes.

Vitet e fundit, ajo ka sfiduar stereotipet kundër grave të moshuara, duke u bërë imazhi i “L’Oréal” në moshën 69-vjeçare, në vitin 2014.

Mirren gjithashtu e ka përqafuar publikisht feminizmin.

Ajo luajti rolin e kryeministres izraelite, Golda Meir në filmin “Golda” në 2023; të shefes së krimit në serialin televiziv “Mobland”, madje edhe të terapistes së Kendrick Lamar në videoklipin e tij muzikor ‘Count Me Out’ në  2022. /atsh/ KultPlus.com

Sunny Hill Festival vazhdon bashkëpunimin me Trafikun Urban  

Sunny Hill Festival, një nga ngjarjet më të mëdha muzikore në rajon, do të vazhdojë edhe   këtë vit bashkëpunimin e suksesshëm me Trafikun Urban të Prishtinës, për të ofruar transport falas për të gjithë ndjekësit e festivalit. 

Të gjithë ata që do të jenë pjesë e këtij edicioni që nis më 1 gusht e përfundon me 3 gusht,  do të kenë mundësinë të udhëtojnë pa pagesë për në Festival. 

Nisja do të bëhet nga Stacioni i Trenit në Prishtinë drejt parkut të Festivali Sunny Hill, me linja të dedikuar veçmas për Festival. 

Autobusët do të operojnë çdo ditë nga ora 14:00 deri në 05:30 të mëngjesit. 

https://www.instagram.com/p/DMkmoMotrY0

Ky bashkëpunim tashmë është shndërruar në një traditë vjetore, që ka për qëllim të lehtësojë qarkullimin, të zvogëlojë fluksin e veturave dhe të ofrojë një përvojë më të këndshme dhe më mirë të organizuar për të gjithë ndjekësit. 

Këtë vit po ashtu kemi rrritur numrin e autobusave duke bashkëpunuar edhe me Kolegjin ABB, prej të cilëve në dispozicion për Festivalin do të jenë gjithësej 8 autobusë. 

Në të njëjtën kohë, kjo iniciativë kontribuon edhe në uljen e ndotjes së ajrit dhe promovon shfrytëzimin e transportit publik në përditshmëri e veçanërisht gjatë eventeve të mëdha kur fluksi i të interesuar edhe jashtëzakonisht i madh. 

Organizatorët e Festivalit Sunny Hill kanë thënë se bashkëpunimi tashmë i përvitshëm me Trafikun Urban është një shembull shumë i mirë i mbarëvajtjes së një procesi të përbashkët. 

Për më shumë informata rreth festivalit dhe orarit të autobusëve, vizitoni: www.sunnyhillfestival.com 

Arrestimi i Çlirim Doganit për vrasjen e Anesti Ramës, flasin banorët e fshatit

Arrestimi i Çlirim Doganit si bashkëpunëtor në vrasjen e Anesti Ramës disa ditë më parë, për banorët e fshatit Arapaj është një lajm i habitshëm dhe i pabesueshëm. Në një deklaratë për mediat disa prej tyre thonë se 55-vjeçari njihet si njeri me personalitet, i martuar me dy fëmijë dhe prej disa vitesh punonte si shofer i linjës urbane Fier dhe fshatra të zonës Sukë e Strumë.

Arrestimi i Çlirim Doganit për vrasjen e Anesti Ramës, flasin

Vajza e xhaxhait të Çlirimit, Manushe Dogani dhe banori Fatmir Çalamani pohojnë se e njihnin në fshat si njeri të mirë, punëtor e familjar.

“Çlirimin e njoh shumë mirë, është familjar, ka dy fëmijë. Vajzën e ka të martuar, djalin e ka pamartuar. Me bujqësi janë marrë ata. Për ngjarjen nuk jam në brendësi. Por nuk ma merr mendja kurrë që Çlirimi ta bëjë këtë gjë”, u shpreh Manushe Dogani.

“Është djalë i pastër, shumë punëtor dhe nuk ka pasur asnjë problem. Ai ka qenë shofer autobusi, është shumë i saktë, pa probleme. Nuk ma merr mendja që të përfshihet në këto”, u shpreh Fatmir Çalamani./e.t

Makina dhe ora luksoze, goditet rrjeti i trafikut të drogës

Policia e Shtetit ka njoftuar përfundimin e aksionit të koduar “OROLOGI”, i cili është zhvilluar në bashkëpunim mes strukturave të Drejtorisë së Policisë Kriminale, Forcës së Posaçme Operacionale, Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe drejtorive vendore në Tiranë, Durrës, Elbasan dhe Vlorë.

Në përfundim të hetimeve, me vendim të Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, janë ekzekutuar masat e sigurisë “arrest me burg” për gjashtë persona të dyshuar si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që merrej me trafik të lëndëve narkotike, shkruan A2.

Njoftimi i Policisë së Shtetit:

Finalizohet operacioni “OROLOGI”

Ekzekutohen 6 masa sigurie.

Sekuestrohen armë, orë të shtrenjta, automjete luksoze e sende të tjera të vlefshme për hetimin.

Në kuadër të operacionit “OROLOGI”, nga Sektori për Hetimin e Grupeve Kriminale, në Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar, në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me strukturat e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, BKH-në dhe Drejtoritë Vendore të Policisë Tiranë, Durrës, Elbasan dhe Vlorë, u bë i mundur ekzekutimi i vendimit penal të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, për caktimin e masës së sigurisë me karakter personal shtrëngues “Arrest me burg” për shtetasit:

A. H., 42 vjeç, banues në Tiranë.

E. N., 44 vjeç, banues në Tiranë.

P. D., 53 vjeç, banues në Durrës, aktualisht ndodhet në ambientet e paraburgimit IEVP, Rruga “Jordan Misja”, Tiranë.

K. H., 37 vjeç, banues në Tiranë.

E. A. (alias E. D., alias A. D.), 39 vjeç, banues në Elbasan, aktualisht ndodhet në ambientet e paraburgimit IEVP, Rruga “Jordan Misja”, Tiranë.

I. Ll., 39 vjeç, lindur dhe banues në Elbasan.

Ndërsa për shtetasin D. P. (alias D. B., alias E. S.), 38 vjeç, banues në Vlorë, nuk u bë e mundur ekzekutimi i masës së sigurisë, pasi nuk u gjet; u shpall në kërkim.

Të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim, në formë të grupit të strukturuar kriminal, “Kryerja e veprave penale nga organizata ose grupi i strukturuar kriminal” dhe “Grupi i strukturuar kriminal”.

Po gjatë operacionit, janë realizuar kontrolle të shumta, nga të cilat janë sekuestruar:

3 armë zjarri të llojit pistoletë, 43470 euro, 5000 franga zvicerane, 3 automjete, përfshirë një Mercedes Benz AMG G63, një Volkswagen Golf 7a dhe një Volkswagen Sharan, 1 skaf luksoz i markës “Hull Works Sarock 40”, prodhim i vitit 2025, i regjistruar në emër të një subjekti tregtar, 1 orë Rolex model 126613LN, 1 orë Richard Mille, model McLaren RM50-03/68, 16 aparate celularë, kryesisht të markave iPhone dhe Samsung, disa me karta SIM aktive, 19 karta bankare ndërkombëtare (Visa, Mastercard, American Express), të lëshuara në emër të personave nën hetim, dokumente bankare dhe transaksionesh financiare me llogari në Emiratet e Bashkuara, Gjermani, Itali dhe Panama, 1 dron, 8 hard disqe të markës Hikvision, me kapacitet 6TB secili dhe sende të tjera që i shërbejnë hetimit.

Materialet procedurale iu kaluan për ndjekje të mëtejshme, Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Tiranë.

Policia e Shtetit mbetet e angazhuar maksimalisht për të bashkëpunuar me agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit në luftën kundër krimit të organizuar./e.t

Risitë e Kodit Penal, burg për profilet false në Facebook dhe për parakalim të gabuar

Përdorimi i imazhit të një personi për të hapur një profil fals në rrjetet sociale do të konsiderohet si krim në Kodin e ri Penal të hartuar nga Ministria e Drejtësisë.

Sipas draftit, që pritet të hidhet në konsultim publik, kur ky profil fals në rrjete sociale i shkakton mbajtësit të imazhit gjendje ngacmimi, përndjekje ose poshtërim, autori dënohet me gjobë ose me burg deri në tre vjet.

Të tjera dispozita, të lidhura me zbatimin e gjerë të teknologjisë, që nuk janë në Kodin aktual, janë ato të përndjekjes dhe ngacmimeve online. Në draft parashikohen nga 2 deri në 6 vite burg për ata që ndërmarrin në mënyrë të vazhdueshme sjellje kërcënuese ndaj një personi përmes teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, të tillë që t’i bëjë ata të kenë frikë për sigurinë e tyre, apo që mbajnë nën mbikqyrje përmes teknologjisë një person, pa pëlqimin e tij.

Në të njëjtën frymë, në rastet e sulmit në botën online të një personi, duke i shkaktuar dëmtim psikologjik një personi, parashikohet dënim nga gjobë deri në tre vjet burg. Dënim me burg deri në 4 vjet rrezikojnë edhe ata që me pa të drejtë nisin çdo komunikim elektronik, me qëllim për të frikësuar, ngacmuar ose krijuar shqetësim emocional një personi tjetër.

Njëlloj edhe kur shpërndan foto të tij, apo të të afërmve, që e bën personin të neveritshëm apo degradues në opinionin publik.

Në risitë e Kodit të ri Penal është edhe detajimi i gamës së shkeljeve të rënda të rregullave të qarkullimit rrugor, duke i kategorizuar jo vetëm për pasojën e ardhur. Kështu, parashikohen dënime nga gjobë deri në 3 vjet burg për shoferët që bëjnë parakalim të gabuar, për ata që kalojnë limitin e shpjejtësisë, apo që futen në rrugë në kundërvajtje, duke vënë në rrezik jetë personash apo rrezikuar seriozisht aksidentet.

Sipas draftit, hetimi penal për secilën nga shkeljet do të fillojë vetëm në rastet kur më herët për autorin e shkeljes është marrë masë administrative për të njëjtën lloj shkeljeje. /e.t

Po shuante flakët që i rrezikonin shtëpinë, 42-vjeçari pëson djegie të rënda në trup!

Një tjetër person është lënduar nga flakët e Delvinës teksa ishte angazhuar në shuarjen e zjarreve që kanë përfshirë disa fshatra të zonës.

Apostol Zhupa 42 vjeç, ishte pjesë e grupit të banorëve që po përpiqeshin për të shuar zjarrin e rënë në fshatin e tyre. Ai ka marrë djegie të rënda kryesisht në zonën e gjoksit dhe në shpatulla. Zhupa është dërguar që prej mbrëmjes së djeshme në Spitalin e Sarandës, ndërsa më pas është dërguar drejt “QSUT” në Tiranë për ndihmë mjekësore të specializuar.

Kujtojmë që ditën e djeshme shefi i komisariatit të Delvinës, Agim Troci u dërgua drejt Spitalit të Traumës me helikopter pas djegieve që kishte marrë në trup teksa shpëtoi nga flakët të moshuar dhe fëmijë të rrezikuar nga flakët në Senicë./e.t

Edhe Greqia nën pushtetin e flakëve, urdhërohet evakuimi mijëra banorëve!

Situata e zjarreve mbetet kritike edhe në vendin fqinj, Greqi.

Flakët po përhapen në Atikë, Evia, Kythira dhe Mesinia, teksa autoritetet i janë drejtuar për ndihmë edhe Mekanizmit Europian të Mbrojtjes Civile për mbështetje me mjete ajrore dhe forca shtesë.

Njësi të ndryshme lokale dhe Policia i kanë bërë thirrje banorëve të zonave që cilësohen si problematike, që të evakuohen sa më shpejt nga dhjetëra vendbanime. Qytetarët po evakuohen nga Kryoneri në Atikë

Atmosfera në Atikë është mbytëse, teksa janë ndarë edhe pamje të ‘mbretërisë’ së tymit asfiksues që ka mbyluar qytetin dhe vatrave të fuqishme të zjarrit që përparojnë.

Erëra të forta po fryjnë në të katër zonat, duke e vështirësuar punën e Zjarrfikësve, forcave të ushtrisë dhe Emergjencave.

Autoritetet kishin njoftuar se sot rreziku i zjarrit në hartën e Mbrojtjes Civile ishte ekstrem për zonat ku shpërthyen vatrat, edhe për shkak të temperaturave, informon media greke.

Deri tani raportohen sipërfaqe të tëra të shkrumbuara me puje, pemë, kullotë e bimësi, shtëpi të djegura dhe të plagosur nga asfiksimi.

Një zjarr shpërtheu gjithashtu në bodrumin e Spitalit të Përgjithshëm “Agios Andreas” në Patra, por nuk u raportuan viktima. Zjarrfikësit kujdesen që në banesat ku ka rrezik të afrohet zjarri, të largojnë edhe bombolat e gazit, që të mos bëhen burim tragjedish pas shpërthimeve./e.t

Kodi i ri Penal apo kodi i ri banal?

Duke pare disa propozime “ ineresante” ne kete propozim u habita shum qe nuk e “ pasuruan” akoma me shum kete KOD me disa “ denime” te tjera alternative

Kur pashe qe ne KODIN E RI PENAL subjekti deri ne moshen 21 vjeçare do te quhej i mitur apo adoleshent mendoj qe propozuesit BANAL duhet ta “kishin” rritur akoma kete moshe dhe ta çonin deri ne 35-40 vjeç sepse keshtu rritej edhe numri i “ adoleshenteve” kriminel e ulej numri i te burgosurve per krime te “ lehta” si vrasje, grabitje me dhune, trafik lendesh narkotike, organizata kriminale etj

Por me kryesorja eshte qe do te nxiste punesimet ne sektore te veçante te administrates Shteterore sidomos ku ka tenderime te “ adoleshenteve” 25-40 vjeçar dhe askush nuk do arrestohej me per korrupsion apo favorizime ose shkelje e barazis ne tendera se te gjithe do te riedukoheshin si te “ mitur” nga 1-2 vjet ne shkolla riedukimi

Shum “interesant “mu duk dhe heqja e denimit te perjetshem sepse lirimi me “ kusht” i nje te denuari me burgim te perjetshem eshte praktikisht heqie e denimit me burgim te perjetshem sa koh qe te gjith te denuarit me kete mase qe nuk besoj qe jane me shum se sa 100 te denuar nga 5000-5500 te denuar qe ka Shqiperia do te dilnin me kusht duke paguar

Propozuesit BANAL te KODIT TE RI PENAL “duhet te heqin”patjeter si veper penale edhe shperdorimin e detyres, korrupsionin aktiv, korrupsionin pasiv, pastrimin e parave produkt te vepres penale, mitmarrjen, mitdhenien, ndikimin e paligjshem per te ushtruar influence favorizuese etj

Pastaj pasi ta miratojne kete KOD TE RI PENAL keta FUNDERRINA BANAL duhet te shkrijne edhe 12 Prokurorite rajonale me gjith Gjykata, Prokurorin dhe Gjykaten e Apelit, Gjykaten e Larte dhe te shkrijne e te fusin per riedukim te gjith “ adoleshentet” e SPAKUT dhe te GJKKO

Nuk ka sherbim me te madh qe qelbesirat qe hartuan ligjet per “ reformen” ne drejtesi qe pastaj kapen te gjitha pozicionet drejtuese te kesaj drejtesie qe ne fund te mandatit te tyre antikushtetues ne krye te ketyre institucioneve ,po i bejne me PAGES qelbesirave dhe krimit ordiner e te organizuar apo funderrinave te Shqiptareve qe jane neper burgje ose ne proçes hetimi e gjykimi

Ky eshte shkelmi i fundit dhe sherbimi i fundit qe zagaret e sorrosit ish felliqesirat e rregjimit komunist te viteve 1980-1990 po i japin drejtesis Shqiptare para se te largohen nga pozicionet e tyre drejtuese te “ zaptuara” si funderrina ne kundershtim te hapur me KUSHTETUTEN qe vemjet dhe spurdhjaket e politikes votuan nga frika si te tredhur me 140 vota ne vitin 2016

KY NUK ESHTE KOD PENAL POR DALJA NE SHESH E SHPIRTIT TE QELBUR E JURISTEVE BANAL QE JU SHERBEJNE SI QEN TE PSHURRUR KRIMIT TE ORGANIZUAR DHE ORDINER

SPAK zbardh detajet/ “Sky ECC” dhe “Hawala”, si funksiononte grupi i 6 tonëve kokainë

SPAK ndau detaje të hetimit të një grupi kriminal të trafikimit të 6 tonëve kokainë, me vlerë tregu 411 milionë euro nga Amerika Latine në Europë.

Për këtë hetim, Strutura e Posaçme siguroi urdhër-arreste për 7 persona, mes të cilëve edhe Plarent Dervishaj, i akuzuar për atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja dhe Erion Alibej, i penduar i drejtësisë në dosjen “Plumbi i artë”, shkruan A2.

Të dyve ju komunikua masa e arrestit në qeli, ndërsa Policia mundi të gjejë dhe arrestojë vëllezërit Artur dhe Klevis Hoxhosmani, Ermin Ndrejën e Ilir Lloshin, ndërsa i shtati është shpallur në kërkim. SPAK ka ngritur dyshime për përfshirjen e tyre në pesë episode të trafikut të kokainës në vitin 2020, ku janë sekuestruar 400 kg në Spanjë, 989 kg në Belgjikë, 250 në kanalin mes Francës dhe Mbretërisë së Bashkuar dhe dy ngarkesa me nga 2 mijë dhe 1484 kg në Holandë.

Po ashtu, ata dyshohen edhe për tre episode të trafikut të kanabisit në Itali dhe Spanjë. Sipas Strukturës së Posaçme, grupi kriminal kishte një organizim të sofistikuar. Droga nisej kryesisht nga Kolumbia dhe Ekuadori me kontenierë drejt porteve të mëdha europiane në Belgjikë e Holandë, por në disa raste edhe në Itali e Spanjë. Lënda narkotike maskohej në ngarkesa me paleta druri, në kuti me banane, apo në thasë me kokrra kakaoje si mall tregtar, duke shmangur kontrollin doganor.

Sipas prokurorëve të çështjes, Altin Dumani e Adnan Xholi, struktura organizative e këtij grupi kriminal, me shtrirje në disa kontinente dhe me 16 anëtarë të identifikuar deri tani, dëshmon nivelin e lartë të sofistikimit të grupeve kriminale shqiptare, aftësitë dhe shtrirjen e tyre në tregje kriminale ndërkombëtare. Grupi kishte hierarki dhe role të veçanta, ku drejtuesit që jetonin në vende të BE, Britaninë e Madhe apo Dubai, jo vetëm ideonin, financonin dhe garantonin operacionet e trafikut të drogës, por edhe mbanin kontaktet me lidhjet e tyre në porte, apo agjenci kontrolli në vende të ndryshme të BE.

Referuar hetimit, gjithçka mbahej nën kontroll përmes komunikimit në aplikacionin SKY ECC. Ndërsa për kryerjen e pagesave, grupi kishte shmangur sistemin bankar, duke përdorur sistemin informal “Hawala”.

Verifikimi i shumave bëhen përmes kartëmonedhave të koduara, ku ishin shënuar pseudonime, shumat e pagesave dhe datat specifike, që funksiononin si kod simbol për të garantuar tërheqjen e saktë të shumës.

Nga kontrollet e kryera gjatë arrestimit të të dyshuarve u sekuestruan 43 mijë euro, 5 mijë franga zviceriane, 3 automjete luksoze, njëmjet lundrues, një dron, disa hard disqe, si edhe dhjetra karta bankare. /e.t

Çfarë përmban pakoja ushtarake 652 milionë dollarëshe që SHBA do t’i shesë Ukrainës?

Pasi negociatat ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës, më 23 korrik, përfunduan pa ndonjë përparim të madh, Uashingtoni njoftoi se do t’i shesë Kievit një pako pajisjesh ushtarake në vlerë prej 322 milionë dollarësh.

Një ditë më pas, Departamenti amerikan i Shtetit bëri të ditur aprovimin e shitjes së një pakoje tjetër ushtarake për Ukrainën, që kushton 330 milionë dollarë.

Dy sisteme të armëve, të cilat Ukraina tashmë i përdor, do të përforcohen me pajisje dhe mbështetje shtesë në kuadër të shitjes së pakos së parë, sipas një komunikate për media nga Departamenti i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Raketa HAWK

Uashingtoni thotë se Ukraina do të mund të blejë “artikuj dhe shërbime të ndërlidhura të mbështetjes për sistemin raketor HAWK”, me vlerë prej 172 milionë dollarësh.

HAWK është akronim për Homing All The Way Killer, emër që i është dhënë raketës për shkak të aftësisë së saj për t’u drejtuar deri në momentin e goditjes.

Arma është krijuar në vitet ’50, për mbrojtje ndaj aeroplanëve të shpejtë luftarakë dhe ndaj disa raketave. Raketat HAWK ishin dislokuar përgjatë vijës bregdetare të Floridës, gjatë Krizës Kubane me Raketa, më 1962.

Sistemi HAWK është joefektiv përballë shumë prej raketave të shpejta dhe moderne, ndërsa ushtria e SHBA-së e ka zëvendësuar sistemin me raketa Patriot në vitet ’90. Por, kërcënimet aktuale ndaj qyteteve ukrainase, që përfshijnë dronët e ngadalshëm Shahed, të prodhimit iranian, i kanë dhënë HAWK-ut një rol të ri.

Versionet e sistemit që i janë dhënë më parë Ukrainës raportohet të kenë arritur sukses në pengimin e bombardimeve ruse. Ushtria ukrainase ka pohuar se një sistem i vetëm HAWK ka rrëzuar 40 dronë dhe 14 raketa.

Autoblinda Bradley

SHBA-ja thotë se Ukraina mund të blejë autoblinda Bradley, me vlerë prej 150 milionë dollarësh, bashkë me kapacitetet për mirëmbajtjen dhe riparimin e tyre, si dhe pajisje të ndërlidhura me to.

Kur nisi ndërtimi fillestar i kohës së Luftës së Ftohtë i atij që do të shndërrohej në autoblindën Bradley, qëllimi ishte të krijohej një mjet i blinduar transporti, i cili do të mund të bartte trupa nëpër një terren post-apokaliptik, pas një shkëmbimi bërthamor.

Sot, autoblindat Bradley, që kanë marrë emrin nga një gjeneral i Luftës së Dytë Botërore, shërbejnë kryesisht si “taksi të fushëbetejës”, për të transportuar trupa nëpër pothuajse çfarëdo terreni, duke i mbrojtur ato nga të shtënat dhe shpërthimet.

Pas transportimit të luftëtarëve, automjetet mund t’i mbulojnë ata me një top të fuqishëm 25-milimetërsh. Autoblindat Bradley munden, po ashtu, të pajisjen me raketa të afta për shkatërrimin e tankeve të armikut.

Bradleyt janë kritikuar për blindën e tyre relativisht të butë prej alumini, dhe për lartësinë e tyre, që i bën ato objektiva të dallueshme në terren të hapur.

Më shumë se 150 nga Bradleyt që i janë dërguar Ukrainës raportohet të jenë shkatërruar, braktisur apo kapur. Shtatëmbëdhjetë Bradley janë shkatërruar në një betejë në jug të Ukrainës, në qershorin e 2023-tës.

Përveç raketave HAWK dhe autoblindave Bradley, Ukraina do të mund të blejë edhe pajisje për riparimin dhe mirëmbajtjen e obusëve M109, dhe për mbështetjen e sistemeve të prodhimit amerikan për mbrojtje ajrore.

Uashingtoni thotë se shitja e armëve për Ukrainën “nuk do ta ndryshojë ekuilibrin bazik ushtarak në rajon”./REL

❌