Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

FOKUS – Pirja e pamjaftueshme e ujit shkakton reagim më të fortë ndaj stresit

LONDËR, 23 gusht /ATSH-AA/ – Një studim ka zbuluar se njerëzit që nuk pinë mjaftueshëm ujë çdo ditë mund të përjetojnë një reagim më të fortë biologjik ndaj stresit, raportoi transmetuesi irlandez RTE.

Studiuesit në Universitetin John Moores të Liverpoolit zbuluan se individët me konsum të ulët të lëngjeve çdo ditë lëshojnë nivele më të larta të kortizolit, hormonit kryesor të stresit në trup, kur i nënshtrohen situatave stresuese.

Studimi, i botuar në “Journal of Applied Physiology”, krahasoi dy grupe me nga 16 të rritur secili.

Një grup pinte zakonisht më pak se 1,5 litra ujë në ditë, ndërsa tjetri përmbushte udhëzimet e Autoritetit Evropian të Sigurisë Ushqimore prej rreth 2,5 litra për burrat dhe 2 litra për gratë.

Nivelet e hidratimit të pjesëmarrësve u gjurmuan gjatë një jave para se të merrnin pjesë në një test stresi që përfshinte një intervistë surprizë pune dhe një sfidë aritmetike mendore para një paneli.

Mostrat e pështymës të mbledhura para dhe pas testit treguan se nivelet e kortizolit u rritën ndjeshëm tek ata me konsum më të ulët të lëngjeve.

“Njerëzit që kanë një konsum të ulët ditor të lëngjeve, të cilët nuk i përmbushin rekomandimet, ka të ngjarë të jenë të hidratuar dobët”, tha Neil Walsh nga Shkolla e Shkencave të Sportit dhe Ushtrimeve të Universitetit.

“Por ajo që nuk dinim ishte nëse, kur i stresoni këta njerëz në kushte të kontrolluara, ata do të kenë një reagim më të madhe ndaj hormoneve të stresit. Nëse e dini që keni një afat të afërt ose një fjalim për të mbajtur, mbajtja e një shisheje uji afër mund të jetë një zakon i mirë me përfitime të mundshme për shëndetin tuaj afatgjatë”, shtoi Walsh./  /os/

The post FOKUS – Pirja e pamjaftueshme e ujit shkakton reagim më të fortë ndaj stresit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

OSLO – Norvegjia ndalon shitjen e pijeve energjike për fëmijët nën 16-vjeç

OSLO, 23 gusht /ATSH-AA/ – Qeveria norvegjeze ka bërë të ditur se vendi nga 1 janari do të ndalojë shitjen e pijeve energjike për fëmijët nën moshën 16-vjeç, duke përmendur shqetësimet në rritje për rreziqet shëndetësore të lidhura me konsumin e tepërt.

Ministri norvegjez i Shëndetësisë, Jan Christian Vestre, tha se vendimi ka për qëllim mbrojtjen e të rinjve.

“E dimë që konsumi i tepërt i pijeve energjike çon në shqetësim, probleme me gjumin dhe vështirësi në përqendrim. Mund të çojë gjithashtu në dëmtime të sistemit kardiovaskular dhe sistemit nervor qendror”, tha ai.

Qeveria e paraqiti propozimin për herë të parë në pranverë, duke e nxjerrë atë për konsultim. Drejtoria e Shëndetësisë mbështeti planin, ndërsa Shoqata Mjekësore Norvegjeze dhe Instituti Norvegjez i Shëndetit Publik kërkuan një kufi moshe më të rreptë prej 18-vjeç.

Kreu i bordit profesional të Shoqatës Mjekësore, Stale Onsgard Sagabraten, tha se është zhgënjyese që “qeveria zgjedh të injorojë këshillat e qarta profesionale dhe zgjedh një kufi moshe prej 16-vjeç”.

“Ne prisnim një politikë më ambicioze të shëndetit publik, në përputhje me parimin paraprak”, tha ai.

Ministri Vestre e mbrojti këtë veprim, duke theksuar se qeveria bëri një “vlerësim gjithëpërfshirës”.

“Ka argumente për vendosjen e kufirit të moshës në 18-vjeç. Por ne besojmë se shumë 16-vjeçar janë mjaftueshëm të pjekur për të bërë zgjedhje të informuara dhe të mira. Kjo është arsyeja pse e kemi vendosur kufirin në 16-vjeç”, tha ai.

Vendimi ka tërhequr kritika edhe nga industria e pijeve. Erlend Vagnild Fuglum, drejtor i Shoqatës Norvegjeze të Birrave dhe Pijeve, tha se masa ishte e panevojshme.

“Ne pajtohemi me Autoritetin Norvegjez të Sigurisë Ushqimore, i cili beson se një kufizim moshe nuk është as i nevojshëm dhe as proporcional”, tha Fuglum.

Ai argumentoi se qeveria duhet të kishte pritur për të parë ndikimin e një ndalimi të ri për marketingun e ushqimeve dhe pijeve të pashëndetshme për fëmijët, i cili mbulon edhe pijet energjike.   /os/

The post OSLO – Norvegjia ndalon shitjen e pijeve energjike për fëmijët nën 16-vjeç appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MISISIPI – Vdekjet e foshnjave alarmojnë autoritetet, shpallet gjendja e jashtëzakonshme

MISISIPI, 23 gusht /ATSH-AA/ – Departamenti i Shëndetësisë i Shtetit Misisipi ka shpallur një gjendje emergjente shëndetësore publike në përgjigje të rritjes së shkallës së vdekshmërisë së foshnjave në shtetin amerikan.

Të dhënat nga viti 2024 tregojnë se shkalla e përgjithshme e vdekshmërisë së foshnjave në Misisipi është rritur në 9.7 vdekje për 1 lindje të gjalla, shifër më e lartë në më shumë se një dekadë.

Që nga vitit 2014, gjithsej 3.527 foshnje kanë vdekur para se të mbushin ditëlindjen e tyre të parë.

Zyrtari i Shëndetit të Shtetit, Dr. Dan Edney, tha se shumë familje të Misisipit po i humbasin foshnjat e tyre para ditëlindjes së tyre të parë.

“Çdo humbje e vetme e foshnjës përfaqëson një familje të shkatërruar, një komunitet të prekur dhe një të ardhme të shkurtuar”, tha Edney.

Sipas departamentit të shëndetësisë, vdekjet e foshnjave në Misisipi shkaktohen më shpesh nga keqformimet kongjenitale, lindja e parakohshme, pesha e ulët e lindjes dhe Sindroma e Vdekjes së Papritur të Foshnjave.   /os/

The post MISISIPI – Vdekjet e foshnjave alarmojnë autoritetet, shpallet gjendja e jashtëzakonshme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Johatsu: fenomeni japonez i njerëzve që zhduken vullnetarisht

TOKIO, 23 gusht /ATSH/ – Kush nuk ka ndjerë njëherë dëshirën për t’u “zhdukur pa asnjë gjurmë”?, shkruan gazeta italiane ”La stampa” duke nxjerrë në pah probleme të ndryshme  që miliona njerëz i përjetojnë … qofshin ato ekonomike apo sociale.

Një ditë e keqe, probleme që grumbullohen, ankthe që brejnë stomakun: mendimi për t’u arratisur nga gjithçka dhe nga të gjithë, qoftë edhe për një moment, është pothuajse universal.

Zakonisht, kriza kufizohet në një psherëtimë “mjaft, po heq dorë nga gjithçka”, e shqiptuar në një moment dëshpërimi, përpara se të kthehet në rutinën e zakonshme.

Por në Japoni, ky impuls nuk është vetëm një tekë kalimtare.

Në Japoni, dëshira për t’u zhdukur ka një emër specifik: ”johatsu”që fjalë për fjalë do të thotë “avullim”.

Këta janë njerëz që zgjedhin vullnetarisht të zhduken pa lënë gjurmë, duke braktisur shtëpinë, punën, familjen dhe miqtë, pa shpjegime ose paralajmërime.

Arsyet janë të ndryshme dhe shpesh të dhimbshme: probleme serioze financiare, dështime personale ose profesionale, skandale, episode të dhunës në familje ose thjesht pesha e padurueshme e pritjeve shoqërore.

Është teorizuar se kultura e ashpër e punës në Japoni, në kombinim me mungesën e mbështetjes familjare dhe komunitare, ka kontribuar në përhapjen e jōhatsu.

Për më tepër, lënia e një kompanie shihet si e turpshme në kulturën japoneze. Vetëvrasja, puna deri në vdekje (karoshi) dhe të bërit jōhatsu janë rrjedhimisht rezultate të mundshme.

Gjithashtu mund ta kursejë familjen nga kostot e larta që mund të shoqërohen me vetëvrasjen përshembull borxhet, tarifat e pastrimit dhe tarifat e ndryshme ekonomike.

Ky fenomen është shqetësuaes për Tokën e Diellit pasi fenomeni po shënon rritje, sidomos mes të rinjve. /os/

The post FOKUS – Johatsu: fenomeni japonez i njerëzve që zhduken vullnetarisht appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Kontrolli më i rreptë i tensionit të gjakut shpëton jetë dhe ul kostot

STAMBOLL, 23 gusht /ATSH-AA/ – Sipas një studimi të ri, objektivi për një kontroll më të rreptë të tensionit të gjakut mund të shpëtojë jetë dhe të kursejë para.

Studimi i kryer nga revista akademike ”Annals of Internal Medicine” zbuloi se mbajtja e tensionit sistolik nën 120 mm/Hg parandaloi më shumë sulme në zemër, goditje në tru dhe raste të insuficiencës kardiake krahasuar me nivelet më të larta, ndërkohë që mbeti efektive nga ana e kostos.

“Ky studim duhet t’u japë më shumë besim pacientëve me rrezik të lartë kardiovaskular dhe mjekëve të tyre që të synojnë një objektiv më intensiv për tensionin e gjakut”, tha autorja kryesore Karen Smith,, studiuese në spitalin Brigham and Women’s në Boston.

Smith theksoi se përfitimet mbeten të vlefshme edhe kur matjet e tensionit nuk janë të përsosura.

“Gjetjet tona sugjerojnë se objektivi intensiv, nën 120 mm/Hg, parandalon më shumë ngjarje kardiovaskulare dhe ofron vlerë të mirë”, shtoi ajo.

Analiza, e cila u bazua në të dhënat e sondazheve shëndetësore amerikane dhe në provën madhore SPRINT, vlerësoi se trajtimi me objektivin më të ulët kushtonte rreth 42 mijë dollarë për çdo vit jete të fituar, vetëm pak më shumë se objektivi nën 130 mm/Hg.

Megjithatë, Smith paralajmëroi se objektivat më të rreptë nuk janë të përshtatshëm për të gjithë pacientët.

“Duke marrë parasysh rrezikun shtesë të efekteve anësore nga medikamentet antihipertensive, trajtimi intensiv nuk do të jetë optimal për të gjithë. Pacientët dhe mjekët duhet të punojnë së bashku për të përcaktuar nivelin e duhur të trajtimit, bazuar në preferencat e pacientit”, tha ajo.   /os/

The post FOKUS – Kontrolli më i rreptë i tensionit të gjakut shpëton jetë dhe ul kostot appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GAZA -Të paktën 71 viktima në 24 orët e fundit, mes tyre edhe katër fëmijë

GAZA, 23 gusht /ATSH-ANSA/ – Zyrtarët mjekësorë në Spitalin e Kuvajtit në Gaza deklaruan se katër fëmijë u vranë dhe disa të tjerë u plagosën në një sulm ajror izraelit në orët e para të mëngjesit në jug të Khan Younis.

Sipas burimeve, viktimat u vranë nga zjarri izraelit ndërsa strehoheshin në tenda për palestinezët e zhvendosur.

Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë e Gazës raportoi se të paktën 71 persona janë vrarë nga sulmet izraelite në territorin palestinez në 24 orët e fundit. /os/

The post GAZA -Të paktën 71 viktima në 24 orët e fundit, mes tyre edhe katër fëmijë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ROME – Salvini kritikon Macronin për trupat në Ukrainë; Parisi thërret ambasadorin italian

PARIS, 23 gusht /ATSH-ANSA/ – Franca ka thirrur ambasadoren italiane në Paris, Emanuela D’Alessandro pas komenteve të zëvendëskryeministrit italian Matteo Salvini ndaj presidentit francez Emmanuel Macron, për mbështetjen e tij për dërgimin e trupave në Ukrainë.

“Vish helmetën, xhaketën, pushkën dhe shko në Ukrainë”, mësohet t’i ketë thënë Salvini-Macronit duke komentuar propozimin e Francës për të dërguar trupa atje.

Salvini kritikoi planet e Macron të cilat parashikojnë “ushtri evropiane, riarmatim evropian dhe borxhe të përbashkëta evropiane për të blerë raketa”.

Ky incidenti diplomatik detyroi Parisin të theksonte “se këto komente janë në kundërshtim me klimën e besimit dhe marrëdhëniet historike midis dy vendeve, si dhe zhvillimet e fundit dypalëshe që kanë nxjerrë në pah konvergjenca të forta, veçanërisht në lidhje me mbështetjen e tyre të palëkundur për Ukrainën”.

Vendimi dhe urgjenca e thirrjes së ambasadorit ka shumë të ngjarë të jenë ndikuar nga sulmet e zakonshme të zëvendëskryeministrit ndaj Macron, të cilin ai shpesh e quan publikisht një “nxitës lufte” dhe një “bombardues”. /os/

The post ROME – Salvini kritikon Macronin për trupat në Ukrainë; Parisi thërret ambasadorin italian appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Gjermania bën thirrje për më shumë ndihma për Rripin e Gazës

BERLIN, 22 gusht /ATSH-DPA/ – Ministrja gjermane e Zhvillimit, Reem Alabali Radovan, ka bërë thirrje për më shumë ndihma për të arritur në Rripin e Gazës, pasi një autoritet ndërkombëtar i sigurisë ushqimore shpalli zyrtarisht zi buke në një pjesë të territorit për herë të parë.

‘’Raporti i Klasifikimit të Fazës së Integruar të Sigurisë Ushqimore (IPC) i mbështetur nga OKB-ja tregon qartë situatën katastrofike në Gaza’’, theksoi Alabali Radovan.

“Gjithnjë e më shumë njerëz – veçanërisht fëmijë – po vdesin nga uria para syve tanë. Kjo nuk mund të vazhdojë. Zia është tërësisht e shkaktuar nga njeriu”, theksoi ajo.

Një zi buke shpallet zyrtarisht kur përmbushen tre kritere: Të paktën 20% e familjeve përballen me mungesa ekstreme ushqimore, të paktën 30% e fëmijëve vuajnë nga kequshqyerja akute dhe të paktën dy të rritur ose katër fëmijë për 10 000 banorë vdesin çdo ditë nga uria ose nga një kombinim i kequshqyerjes dhe sëmundjes.

Qasja në shpërndarjen e ndihmave është përmirësuar pak, por raporti i IPC tregon gjithashtu se kjo nuk është e mjaftueshme.

‘’Nevojitet një armëpushim i menjëhershëm dhe në të njëjtën kohë, Hamasi duhet t’i lirojë pengjet menjëherë dhe pa kushte”, shtoi Alabali Radovan.   /os/

 

The post FOKUS – Gjermania bën thirrje për më shumë ndihma për Rripin e Gazës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – UNRWA: Njerëzit do të qëndrojnë në Gaza sepse nuk kanë ku të shkojnë

MADRID, 22 gusht /ATSH-ANSA/ – Tashmë 16 000 njerëz janë larguar nga Gaza dhe më shumë do të vazhdojnë të largohen, ndërsa Izraeli e vështirëson situatën.

Por, ka njerëz që nuk duan të largohen sepse nuk kanë ku të shkojnë. Zona e sigurt, Al Mawasi, vazhdon të bombardohet.

Drejtoresha e Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët Palestinezë (UNRWA) në Spanjë, Raquel Martí, denoncoi situatën e dëshpëruar të civilëve, ndërsa kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu njoftoi ratifikimin e planit ushtarak për të marrë kontrollin e Gazës dhe nisjen e njëkohshme të negociatave për armëpushim.

Në deklaratat për radion ”Cadena Ser”, Martí shprehu skepticizmin e saj në lidhje me qëllimet e paqes të kryeministrit izraelit.

“Për muaj të tërë kemi dëgjuar Netanyahun të flasë për negociata paqeje dhe ai vazhdon të masakrojë gjithnjë e më shumë, me plane gjithnjë e më të ndërlikuara kundër popullsisë së Gazës”, vuri në dukje ajo.

Sipas drejtoreshës së agjencisë së OKB-së, ‘’popullsia përballet me një zgjedhje të pamundur pa alternative’’.

“Palestinezët zgjedhin të qëndrojnë në Gaza sepse, nëse nuk vdesin atje, do të vdesin kudo tjetër. Ata nuk kanë ku të shkojnë”, vërejti Raquel Marti, duke denoncuar kushtet katastrofike të civilëve./    /os/

The post FOKUS – UNRWA: Njerëzit do të qëndrojnë në Gaza sepse nuk kanë ku të shkojnë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GAZA – OKB shpall zyrtarisht zinë e bukës

GJENEVË, 22 gusht /ATSH-AFP/ – Organizata e Kombeve të Bashkuara zyrtarisht shpalli zi buke në Gaza, e para që goditi Lindjen e Mesme, pasi ekspertët e saj paralajmëruan se 500 000 njerëz ishin në një gjendje “katastrofike”.

”Zija në Gaza mund të ishte shmangur pa pengimin sistematik të Izraelit. Kjo zi buke do të na ndjekë dhe duhet të na ndjekë të gjithëve”, akuzoi kreu i zyrës së koordinimit humanitar të OKB-së, Tom Fletcher.

Kjo shkaktoi zemërimin e Izraelit, i cili denoncoi një njoftim të njëanshëm “të bazuar në gënjeshtrat e Hamasit” dhe se ”nuk ka zi buke në Gaza”.

Pas muajsh paralajmërimesh për zi buke në territorin e shkatërruar nga lufta, Klasifikimi i Fazës së Integruar të Sigurisë Ushqimore (IPC) i OKB-së me seli në Romë konfirmoi se ”një zi buke ishte duke u zhvilluar në qytetin e Gazës dhe pritej të përhapej në provincat Deir el-Balah dhe Khan Younis deri në fund të shtatorit”.

Qyteti i Gazës përfaqëson afërsisht 20% të Rripit të Gazës.

Sipas ekspertëve të OKB-së, më shumë se gjysmë milioni njerëz në Gaza po përballen me kushte “katastrofike”, niveli më i lartë i vështirësisë ushqimore në IPC, i karakterizuar nga uria dhe vdekja.

Sipas IPC, ky është përkeqësimi më serioz i situatës që kur filloi të analizojë Rripin e Gazës.

Sipas IPC-së, një zi buke ndodh kur janë të pranishëm tre faktorë: të paktën 20% e familjeve (një në pesë) përballen me mungesa ekstreme ushqimore, të paktën 30% e fëmijëve nën pesë vjeç (një në tre) vuajnë nga kequshqyerja akute dhe të paktën dy persona nga 10 000 vdesin nga uria çdo ditë./  /os/

The post GAZA – OKB shpall zyrtarisht zinë e bukës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Faqja e njohur turistike: Pse britanikët dynden drejt Durrësit për pushime?

DURRËS, 22 gusht /ATSH/ – Qyteti i Durrësit, i vendosur përgjatë bregdetit adriatik të Shqipërisë, është tashmë një destinacion kryesor për turistët britanikë që kërkojnë një alternativë të përballueshme përkundër qyteteve bregdetare tradicionale evropiane, shkruan filiali italian i faqes së njohur turistike travelandtourworld.com.

Ky qytet bregdetar ka fituar popullaritet falë çmimeve të tij të përballueshme, plazheve mahnitëse dhe përvojave të gjalla kulturore.

Me rezervime që janë rritur 224% krahasuar me vitin e kaluar, sipas të dhënave të ”Love Holidays”, Durrësi tashmë është në radarin e shumë udhëtarëve që kërkojnë një përzierje relaksimi dhe aventure pa shpenzuar shumë.

Ndryshe nga shumë destinacione të njohura plazhi, Durrësi u ofron vizitorëve një atmosferë më të qetë, ku ata mund të shijojnë të gjithë bukurinë e një bregdeti mesdhetar pa mbipopullime.

Qyteti kombinon historinë e lashtë, arkitekturën interesante dhe shërbimet e arritshme, duke e bërë atë një mundësi tërheqëse për një pushim të përballueshëm.

Çfarë e bën Durrësin unik?

Durrësi, qyteti i dytë më i madh i Shqipërisë, është i njohur për plazhin e tij të bukur, që shtrihet 6,5 kilometra me rërë. Me klimën e tij mesdhetare, ky qytet ofron kushte perfekte për dashamirësit e plazhit.

Bregu është i rrethuar nga gjire të izoluara dhe ujëra bruz, ideale për t’u çlodhur, notuar ose shijuar sporte të ndryshme ujore.

Për më tepër, qyteti ofron një shumëllojshmëri akomodimesh të përballueshme, nga hotelet buzë detit deri te resortet spa butik, duke e bërë atë një zgjedhje të shkëlqyer për ata që kërkojnë luks pa shpenzuar shumë.

Bregu bregdetar i qytetit është plot me bare, kafene dhe restorante, shumë prej të cilave ofrojnë pamje fantastike të detit.

”Cosmo-Restaurant”, i vendosur në skajin perëndimor të plazhit, është shumë i vlerësuar për gatimet e tij me ushqime deti, duke përfshirë karavidhe të freskëta, duke e bërë atë një vend që duhet vizituar patjetër nga adhuruesit e ushqimit.

Çmimet e përballueshme të ngrënies jashtë në Durrës janë një arsye tjetër për popullaritetin e tij në rritje, me birrë që kushton midis 2,05 dhe 2,40 stërlina dhe një gotë verë me çmim vetëm 1,73-3,03 stërlina.

Një përvojë e pasur historike

Ndërsa Durrësi është më i njohur për plazhet e tij, ai gjithashtu krenohet me një trashëgimi të pasur kulturore që tërheq adhuruesit e historisë.

Një nga monumentet kryesore të qytetit është Kalaja e Durrësit, e cila daton në shekullin V.

Vizitorët mund të eksplorojnë fortifikimet e lashta, duke përfshirë Kullën Veneciane, e cila u ndërtua në shekullin XV dhe ofron pamje panoramike të qytetit dhe bregdetit.

Një tjetër vend historik i rëndësishëm është Amfiteatri Romak i Perandorit Adrian, amfiteatri i dytë më i madh në Ballkan. I ndërtuar në fillim të shekullit II, ky amfiteatër dikur priste gara gladiatorësh dhe tubime të ndryshme.

Me kalimin e kohës, u ripërdor për rituale të krishtera dhe në vitet 1960, u rizbulua pas shekujsh të varrosjes nga tërmetet.

Hyrja në këtë vend historik magjepsës kushton rreth 2,60 stërlina duke e bërë atë një përvojë të arritshme dhe pasuruese për turistët.

Për ata që janë të interesuar në historinë fetare, Xhamia e Durrësit, e vendosur në qendër të qytetit, ia vlen të vizitohet.

E hapur fillimisht në vitin 1938, është një vend pune adhurimi dhe u ofron vizitorëve mundësinë për të vlerësuar arkitekturën islame shqiptare.

Hyrja në xhami është falas, por vizitorëve u këshillohet të vishen modestisht dhe të heqin këpucët para se të hyjnë.

Relaksimi dhe aktivitetet në plazhin e Durrsit

Plazhi i Durrësit ofron një gamë të gjerë aktivitetesh për vizitorët që kërkojnë të relaksohen ose të qëndrojnë aktivë.

Plazhi i gjatë është i pajisur mirë me shezlongje dhe çadra, të cilat mund të merren me qira për vetëm 4,33 stërlina deri në 21,63 stërlina në ditë.

Për ata që kërkojnë pak më shumë veprim, plazhi ofron gjithashtu sporte ujore emocionuese si jet ski dhe zhytje nënujore, perfekte për kërkuesit e aventurave.

Për një përvojë më të relaksuar, ”Hawaii Beach Club” është një zgjedhje ideale.

I vendosur në një skelë, klubi ofron kokteje dhe shezlongje të rehatshme, duke u lejuar vizitorëve të shijojnë pije me një pamje marramendëse të detit.

Pavarësisht nëse vizitorët zgjedhin të relaksohen ose të marrin pjesë në aktivitete me energji të lartë, plazhi i Durrësit përmbush një sërë preferencash, duke e bërë atë një vend ideal si për familjet ashtu edhe për udhëtarët solo.

Akomodim dhe restorante me çmime të përballueshme

Vizitorët e Durrësit do të zbulojnë se akomodimet në qytet janë shumë të përballueshme, veçanërisht kur krahasohen me destinacione të tjera evropiane të plazhit.

Për shembull, udhëtarët mund të rezervojnë një qëndrim në hotel ”Epidamn Boutique & Spa” për vetëm 69 stërlina për natë për dy të rritur.

Sipas ”Vacanze d’amore”, turistët mund të gjejnë edhe paketa shtatë-netëshe të minutës së fundit duke filluar nga 138 paund për person.

Skena kulinare e qytetit është një tjetër atraksion, me një shumëllojshmëri restorantesh që shërbejnë gatime lokale dhe ndërkombëtare. Ushqimi i shpejtë  është i bollshëm dhe i përballueshëm, me opsione të shijshme si byrek 40 centë.

Udhëtime ditore dhe atraksione pranë Durrësit

Përtej plazheve dhe vendeve historike, Durrësi ofron mundësi të shumta për ata që dëshirojnë të eksplorojnë më larg.

Pak jashtë qytetit, vizitorët mund të bëjnë një turne në Vreshtat Abaia, ku mund të shijojnë pesë verëra të ndryshme të prodhuara në vend.

Kantina gjithashtu ofron një turne me guidë në bodrumin e saj dhe një restorant, që shërben gatime lokale për të shoqëruar verërat.

Një turne me guidë fillon nga 17 stërlina për person, duke e bërë atë një zgjedhje të shkëlqyer për dashamirësit e verës.

Për ata që kërkojnë më shumë bukuri natyrore, Durrësi është i vendosur në mënyrë të përshtatshme pranë Tiranës, kryeqytetit të Shqipërisë, vetëm 40 minuta larg.

Shqipëria është e njohur për plazhet e saj të pastra, gjiret e izoluara dhe atraksionet e përballueshme.

Vendasit rekomandojnë të eksploroni disa nga vendet më pak të njohura të vendit, të tilla si Gjiri i Krorëzit dhe Gjiri i Dafinës, të cilat janë të arritshme vetëm me anije dhe ofrojnë një ‘’arratisje’’ nga turma.

Riviera Shqiptare, në jug, është gjithashtu një destinacion popullor, me plazhin e Ksamilit të përshkruar si një “plazh tropikal në Evropë”.

Për aktivitete më aventureske, vizitorët mund të ecin në Bjeshkët e Nemuna, të eksplorojnë vendet e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s si Berati dhe Gjirokastra, ose edhe të provojnë parashutizëm pranë bregdetit të Vlorës.

Shqipëria gjithashtu ofron aktivitete të përballueshme, të tilla si një vizitë në burimin e Syrit të Kaltër për vetëm 40 centë ose një turne në Kalanë e Gjirokastrës për rreth 3 paund.

Edhe skena e jetës së natës në Shqipëri është e lulëzuar, me Tiranën dhe Durrësin që ofrojnë një shumëllojshmëri baresh dhe klubesh.

Për një përvojë unike, vizitorët mund të shijojnë një pije në ”Sky Club”, i vendosur në një kullë rrotulluese që ofron pamje 360 ​​gradë të qytetit.

Në Durrës, muajt e verës sjellin mbrëmje të gjalla të mbushura me muzikë, vallëzim dhe argëtim, duke e bërë atë vendin ideal për t’u çlodhur pas një dite eksplorimi.

Pse Durrësi është destinacioni perfekt dhe i përballueshëm?

Me çmimet e tij të përballueshme, plazhet mahnitëse dhe trashëgiminë e pasur kulturore, Durrësi po bëhet një alternativë popullore ndaj destinacioneve të mbushura me njerëz të plazhit evropian.

Qyteti ofron diçka për çdo lloj udhëtari, qoftë duke kërkuar relaksim, aventurë apo eksplorim kulturor.

Për ata që kërkojnë të shijojnë pushime në plazh pa kostot e larta të destinacioneve më të njohura evropiane, Durrësi është zgjedhja ideale./  /os/gj.m/

The post Faqja e njohur turistike: Pse britanikët dynden drejt Durrësit për pushime? appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

TEL AVIV – Katz: Do ta shkatërrojmë Gazën nëse Hamasi nuk liron pengjet

TEL AVIV, 22 gusht /ATSH-ANSA/ – Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, është zotuar të shkatërrojë qytetin e Gazës nëse Hamasi nuk pranon të çarmatoset, të lirojë të gjithë pengjet e mbetura në territor dhe t’i japë fund luftës sipas kushteve të Izraelit.

“Së shpejti, portat e ferrit do të hapen mbi kokat e vrasësve dhe përdhunuesve të Hamasit në Gaza derisa të pranojnë kushtet e Izraelit për t’i dhënë fund luftës, kryesisht lirimin e të gjithë pengjeve dhe çarmatimin e tyre”, shkroi ministri në mediat sociale.

“Nëse nuk pranojnë, Gaza, kryeqyteti i Hamasit, do të bëhet Rafah dhe Beit Hanoun, të cilat tashmë janë rrafshuar”, shtoi ai./   /os/

 

The post TEL AVIV – Katz: Do ta shkatërrojmë Gazën nëse Hamasi nuk liron pengjet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KIEV – Zelensky: Turqia, Austria dhe Zvicra vende të mundshme takimi me Putinin

KIEV, 21 gusht /ATSH-AA/ – Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy përmendi Turqinë, Austrinë dhe Zvicrën si vende të mundshme për një takim ballë për ballë me presidentin rus, Vladimir Putin.

“Ne besojmë se është e drejtë dhe evropianët e theksuan këtë, që takimi të mbahet në Evropën neutrale. Sepse ka një luftë në Ukrainë dhe në kontinentin evropian. Unë thashë se jemi dakord. Në Zvicër, Austri jemi dakord”, tha Zelenskyy gjatë një bisede me gazetarët, sipas agjencisë së lajmeve “Interfax”.

Zelenskyy foli gjithashtu për Turqinë si një vend të mundshëm për bisedime, duke deklaruar se është vend i NATO-s dhe “pjesë e Evropës”./   /os/

The post KIEV – Zelensky: Turqia, Austria dhe Zvicra vende të mundshme takimi me Putinin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BM – Londra pranon rrjedhjen e të dhënave për bashkëpunëtorët afganë

LONDËR, 21 gusht /ATSH-ANSA/ – Skandali i një rrjedhjeje të dhënash të ndjeshme po përhapet në Britaninë e Madhe, duke vënë mijëra ish-kontingjente perëndimore në Afganistan në rrezik serioz dhe duke i ekspozuar ata ndaj mundësisë së hakmarrjes nga talebanët.

Ministria britanike e Mbrojtjes (MOD) ka pranuar se 49 shkelje të të dhënave kanë ndodhur gjatë katër viteve të fundit në njësinë që trajton kërkesat për transferimin e afganëve në BM.

”Vetëm katër ishin më parë publike”, siç thekson BBC, duke zbuluar shkallën e rrjedhjes përmes një hetimi të Aktit të Lirisë së Informacionit.

Këto shkelje përfshinin një dokument që përmbante detajet e gati 19 000 njerëzve që iknin nga talebanët.

Së bashku me shkeljen e të dhënave, “plani sekret” që Londra u detyrua të zbatonte për të siguruar sigurinë e ish-bashkëpunëtorëve u zbulua së fundmi.

Rrjedhja, e informacionit përfshinte gjithashtu të dhëna të Ministrisë së Mbrojtjes në lidhje me personelin në shërbim dhe në pension në Forcat Speciale dhe Shërbimin e Inteligjencës të Madhërisë së Saj.

Skandali doli në dritë vetëm falë ndërhyrjes së Gjykatës së Lartë.

”Në fillim të gushtit, u njoftua se një drejtor i përgjithshëm në Ministrinë e Mbrojtjes, David Williams, do të jepte dorëheqjen këtë vjeshtë pas kësaj afere, shkalla e plotë e së cilës ishte ende e panjohur”, shkruan BBC./  /os/

The post BM – Londra pranon rrjedhjen e të dhënave për bashkëpunëtorët afganë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SOFT NEWS – Dekania e njerëzimit feston 116-vjetorin

HAMPSHIRE (Angli), 21 gusht /ATSH-AFP/ – Personi më i moshuar në botë apo siç njihet ndryshe dekan i njerëzimit, murgesha britanike Ethel Caterham mbushi sot 116 vjeçe, njoftoi azili ku jeton.

E lindur më 21 gusht 1909, në një fshat në Hampshire, Ethel Caterham u bë personi më i moshuar në botë në fillim të majit pas vdekjes së murgeshës braziliane Inah Canabarro Lucas në moshën 116-vjeçare.

Ajo jeton në një azil pleqsh në Surrey, një distrikt në jug të Londrës.

“Ethel ka zgjedhur përsëri të mos japë intervista duke preferuar ta kalojë ditën në qetësi me familjen e saj në mënyrë që ta shijojë atë “, tha një zëdhënës i azilit të pleqve.

Superqindvjeçarja dhe familja e saj janë mirënjohëse për të gjitha mesazhet e sjellshme dhe interesin e treguar.

Ethel Caterham është nënshtetasja e fundit gjallë e mbretit Edward VII, mbretërimi i të cilit përfundoi në vitin 1910.

Ajo është gjithashtu gruaja më e moshuar britanike e të gjitha kohërave.

Vitin e kaluar, ajo mori një letër nga mbreti Charles III duke e uruar për arritjen e këtij “momenti të jashtëzakonshëm historik”./ /os/

The post SOFT NEWS – Dekania e njerëzimit feston 116-vjetorin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Rusia intensifikon sulmet ajrore në Ukrainë, Kievi kundërpërgjigjet

KIEV, 21 gusht /ATSH-DPA/ – Rusia lëshoi një numër dronësh luftarakë dhe raketash në drejtim të qyteteve ukrainase pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme për paqe, raportoi sot ’’The Kyiv Independent’’.

Sipas shifrave ukrainase, forcat ajrore zbuluan 614 dronë si dhe raketa hipersonike dhe balistike.

Agjencia e lajmeve RBC Ukraine raportoi se shpërthime u dëgjuan në Kiev dhe në qytetin perëndimor ukrainas të Lvivit.

RBC Ukraine citoi guvernatorin ushtarak të Lvivit, Maksym Kozytskyi, të ketë thënë se mbrojtja ajrore ishte aktivizuar në rajon.

Një alarm ajror ishte lëshuar më parë në Kiev të mërkurën në mbrëmje dhe sulmet me dronë vazhduan atje gjatë natës, me sirena që thuhet se zgjatën gati tetë orë. Mbrojtja ajrore ishte gjithashtu aktive në qytet.

Raketat goditën Ukrainën perëndimore, përfshirë Mukaçevën pranë kufirit hungarez, ku u plagosën 15 persona.

Raportet e medias tregojnë se një fabrikë për komponentë elektronikë u godit, duke shkaktuar një zjarr të madh.

Në Lviv, një person u vra dhe tre të tjerë u plagosën, sipas kryetarit të bashkisë Andrii Sadovyi.

Ndërkohë, Ukraina kreu sulme gjatë natës në territorin rus duke përdorur dronë luftarakë. Ministria ruse e Mbrojtjes raportoi 49 dronë të kapur.

Kanalet ruse të Telegram përmendën sulme në rafinerinë ’’Novoshakhtinsk’’ në Rostov, duke shkaktuar një zjarr, mbyllje të përkohshme të një linje hekurudhore në Voronezh dhe pezullime afatshkurtra të aeroporteve në Volgograd dhe Kaluga për shkak të alarmeve për dronë.

Sulmet e fundit vijnë mes një shtytjeje të kohëve të fundit nga presidenti i SHBA-së Donald Trump për një zgjidhje për luftën në Ukrainë./ /os/

The post FOKUS – Rusia intensifikon sulmet ajrore në Ukrainë, Kievi kundërpërgjigjet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Vance: Evropa është përgjegjëse për pjesën më të madhe të sigurisë së Ukrainës

UASHINGTON, 21 gusht /ATSH-ANSA/ – Evropianët do të duhet të mbajnë mbi supe pjesën më të madhe të barrës së sigurimit të sigurisë për Ukrainën, deklaroi zëvendëspresidenti amerikan J.D. Vance.

”Evropa do të duhet të mbajë mbi supe pjesën e luanit”. Nuk mendoj se duhet edhe ne ta mbajmë mbi supe këtë barrë. Mendoj se duhet të ndihmojmë nëse është e nevojshme për të ndaluar luftën”, thekoi Vance.

”Mendoj se duhet të presim, dhe presidenti sigurisht pret që Evropa të luajë një rol udhëheqës. Cilado qoftë forma që merr, evropianët do të duhet të mbajnë mbi supe pjesën më të madhe të barrës”, shtoi ai./   /os/

The post SHBA – Vance: Evropa është përgjegjëse për pjesën më të madhe të sigurisë së Ukrainës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Vdes Frank Caprio, gjykatësi më i dashur i amerikanëve

NJU JORK, 21 gusht /ATSH-AdnKronos/ – Frank Caprio, një gjyqtar i njohur dhe yll televiziv në Shtetet e Bashkuara, ka vdekur në moshën 88-vjeçare.

Caprio, i cili luajti për shumë vite në serialin ”Caught in Providence”, vdiq nga kanceri në pankreas, me të cilin u diagnostikua vitin e kaluar.

Menjëherë pas ditëlindjes së tij të 87-të, gjyqtari iu nënshtrua trajtimit në fillim të vitit 2024.

Më 19 gusht, në një video të postuar në rrjetet sociale nga shtrati i tij në spital, Caprio njoftoi rishtrimin e tij për shkak të përkeqësimit të shëndetit.

Caprio, i zgjedhur në vitin 1985, u bë i famshëm për serialin “Caught in Providence”.

Në sallën e gjyqit, gjyqtari merrte rregullisht vendime të buta dhe humane në rastet që përfshinin njerëz në nevojë dhe veteranët e luftës./  /os/

The post SHBA – Vdes Frank Caprio, gjykatësi më i dashur i amerikanëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FUTBOLL – Salah shpallet Futbollisti i Vitit në BM

LONDER, 21 gusht /ATSH-AA/ – Futbollisti egjiptian i Liverpoolit, Mohamed Salah fitoi çmimin e Lojtarit të Vitit në Premierligë, që jepet nga Shoqata e Futbollistëve Profesionalë (PFA).

Sipas një deklarate nga PFA, 33-vjeçari Salah u vlerësua me çmimin, duke mposhtur shokun e skuadrës Alexis Mac Allister, kapitenin e Manchester Unitedit, Bruno Fernandes, Alexander Isak nga Newcastle United, Cole Palmer nga Chelsea dhe Declan Rice nga Arsenal.

Salah, i cili luajti rol kyç në fitimin e titullit të Liverpoolit sezonin e kaluar, u bë lojtari i parë që e fitoi këtë çmim tre herë.

Mesfushori 23-vjeçar i Aston Villas, Morgan Rogers, u shpall Futbollisti i Ri i Vitit.   /os/

The post FUTBOLL – Salah shpallet Futbollisti i Vitit në BM appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

TAJLANDË – Nadeen Ayoub palestinezja e parë në Miss Universe

BANGKOK, 20 gusht /ATSH-ANSA/ – Nadeen Ayoub do të jetë konkurrentja e parë që përfaqëson Palestinën në konkursin e bukurisë Miss Universe të planifikuar për në nëntor në Tajlandë.

“Jam e nderuar të njoftoj se, për herë të parë, Palestina do të përfaqësohet në Miss Universe”, tha modelja 27-vjeçare duke postuar një video në Instagram të saj të veshur me një veshje tradicionale palestineze.

“Ndërsa Palestina vuan, veçanërisht në Gaza, unë mbaj zërin e një populli që refuzon të heshtë. Unë përfaqësoj çdo grua dhe fëmijë palestinez, forcën e të cilëve bota duhet ta shohë. Ne jemi më shumë sesa vuajtja jonë: ne jemi qëndrueshmëria, shpresa dhe zemra e një atdheu që jeton përmes nesh”, shtoi ajo në postim.

Një studente psikologjie, ajo ka punuar për të rritur ndërgjegjësimin rreth rënies së shërbimeve të shëndetit mendor në Gaza dhe vështirësive me të cilat përballen fëmijët që rriten mes konfliktit./ /os/

The post TAJLANDË – Nadeen Ayoub palestinezja e parë në Miss Universe appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌