Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Vazhdon aksioni për lirimin e hapësirave publike në Tiranë, nënkryetari Sulaj: Sipërfaqet publike do t’u kthehen qytetarëve, masa për zaptuesit

TIRANË, 7 gusht /ATSH/ Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Blendi Sulaj i shoqëruar nga drejtori i Policisë Bashkiake, Elona Lalaj dhe drejtori i Kontrollit të Territorit në IMT, Klajdi Meçi, inspektuan zonën e njësisë 9 në kryeqytetit për të parë ecurinë e aksionit për lirimin e hapësirave publike. Nënkryetari Sulaj tha se Bashkia e Tiranës është e angazhuar që të gjitha sipërfaqet publike të cilat janë zënë në kundërshtim me ligjin nga bizneset apo të tjerë, t’u rikthehen qytetarëve.

“Sot jemi në zonën e “Don Boskos”, në njësinë administrative nr. 9, ku vihet re që qytetarët kanë marrë masa, bizneset kanë marrë masa individualisht, për të larguar platformat që kanë zënë sipërfaqe publike, por ka edhe raste të tjera që janë pak me shumicë, që akoma nuk po e kuptojnë që kjo është një reformë që ka filluar dhe nuk ka për të mbaruar deri në largimin e platformave të fundit, që këto sipërfaqe publike t’u kthehen qytetarëve”, u shpreh Sulaj.

Gjatë inspektimit të një hapësire publike të shndërruar në parkim makinash, nënkryetari Sulaj tha se do merren masat e duhura për raste të tilla abuzive.

“Ky është një ndër qindra rastet abuzive që janë në Tiranë, por që në të gjithë sipërfaqen e madhe që është zënë vetëm nga ky tra këtu, për të përfituar disa dhe jo për të përfituar të gjithë qytetarët si një hapësirë publike. Mendoj që sot IMT, Policia Bashkiake, do marrin masat e duhura, që brenda kësaj jave të mos kemi më këtë tra dhe kjo sipërfaqe e madhe t’u kthehet në shërbim qytetarëve të Tiranës dhe njësisë 9.”

Nga ana e tij drejtori i Kontrollit të Territorit në IMT, Klajdi Meçi u shpreh: “Jemi në njësinë nr. 9, në zonën me densitetin më të lartë të ndërtimeve dhe me numrin më të lartë të sipërfaqes së zënë, të hapësirës publike. Nga ana jonë është bërë identifikimi, është njoftuar në afat, kemi lënë një afat një javor për çmontim vullnetar. Shumica e tyre nuk është përgjigjur pozitivisht, kështu që nga ana jonë do të fillojmë nga sot të marrim masa, nga procedura administrative që do shoqërohen me vendim gjobe dhe prishje”.

Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Blendi Sulaj në njësisë 9
1 nga 3

/e.i/

The post Vazhdon aksioni për lirimin e hapësirave publike në Tiranë, nënkryetari Sulaj: Sipërfaqet publike do t’u kthehen qytetarëve, masa për zaptuesit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shqipëria turistike, të huajt: Vend me bukuri natyrore, mikpritje dhe çmime të lira

TIRANË, 7 gusht /ATSH/ Në pikun e sezonit turistik për këtë vit, përpos pushuesve që zgjedhin bregdetin e jugut apo Adriatikun për plazhet me ujërat e kaltra dhe rërën e bardhë, ka shumë prej tyre që i qasen natyrës, artit dhe kulturës, duke zbuluar atraksione të ndryshme të Shqipërisë.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro përcolli sot në rrjetet sociale, mesazhet e turistëve të huaj që kanë vizituar kryeqytetin tonë, Tiranën, si edhe disa qytete të tjera si Shkodrën apo Gjirokastrën.

Ministrja Kumbaro, e përshkruan videon me mbishkrimin e “Shqipërisë turistike në sytë dhe fjalët e miqve”, ndërsa thotë se disa janë elementët që veçojnë turistët e huaj për vendin tonë, si mikpritjen si askund tjetër, si dhe bukuritë natyrore e kulturore.

“Turistët zbulojnë thesaret e transformimet e Shqipërisë me dëshirën për t’u rikthyer përsëri”, tha Kumbaro.

Ndërsa, një turist që ka vizituar kryeqytetin tonë thotë se i pëlqejnë njerëzit, mikpritja, moti i mrekullueshëm etj.

“Është shumë bukur, ka njerëz shumë të mirë dhe të bukur, miqësor, ushqimi shumë i shijshëm, natyrë e bukur, kohë e bukur”, u shpreh një tjetër.

Një tjetër turiste cilësoi se Shqipëria është një vend shumë i bukur, sepse ka miq që e kanë vizituar dy vite më parë dhe ishin shumë entuziastë për vendin tonë, por ajo tha se do të vizitojë edhe Beratin dhe Gjirokastrën.

“Shqipëria është shumë e bukur, malet janë të mrekullueshme, mendoj që ka edhe pak ndikim italian te kulinaria. Kemi ngrënë pica, pasta shumë të mira. Më pëlqejnë rrugët, janë të qeta, ka pemë kudo, vërtet shumë bukur”, vijoi një tjetër.

Gjithashtu, një turist që ka zgjedhur të vizitojë Shkodrën këtë gusht, thotë se zgjodhi ta zbulojë vetë Shqipërinë, e sidomos Shkodrën duke parë liqenin dhe kalanë e qytetit.

“Nuk kemi qenë asnjëherë më parë këtu, por na pëlqen shumë. Është shumë më lirë se Spanja, Italia. Ka ushqim shumë të mirë, plazhe të bukura”, u shpreh një turist nga Gjermania.

“Jam këtu për të bërë hiking nga Valbona në Theth. Zgjodha Shqipërinë sepse kam disa miq nga Zelanda e Re që janë shpërngulur këtu dhe më thanë që është shumë bukur. Duket një zgjedhje shumë e mirë, është lirë, ka shtigje të bukura, shumëllojshmëri zgjedhjesh”, pohoi një tjetër turiste.

Ndërsa, në Gjirokastër një grup turistësh që kanë vizituar shtëpinë muze të Ismail Kadaresë, shprehen se janë të mahnitur nga puna që është bërë me objektet e koleksionit në këtë muze, ndërsa nga mënyra si është ruajtur tradita, kanë kuptuar se si kanë jetuar shqiptarët vite më parë, me ngrohje me oxhak në dimër, me një kuzhinë tradicionale, etj.

/e.i//a.f/

The post Shqipëria turistike, të huajt: Vend me bukuri natyrore, mikpritje dhe çmime të lira appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lëvizja e autobusëve në Tiranë, qytetarët mund ta ndjekin në kohë reale itinerarin

TIRANË, 7 gusht /ATSH/ Transporti publik në Tiranë po hyn në epokën digjitale, duke sjell lehtësira në menaxhimin e orareve, qëndrimin në stacion dhe njohjen me itineraret për të gjithë qytetarët.

Tashmë, qytetarët mund të ndjekin në kohë reale autobusët, duke parë gjithë linjën që ata përshkojnë nga nisja, qëndrimi në stacione, etj.

Ky hap i rëndësishëm në drejtim të modernizimit të transportit publik vjen si rezultat i bashkëpunimit mes atdalbania, GIZ Shqipëri, dhe Bashkisë së Tiranës, të cilët me mbështetjen e partnerëve të tyre, kanë arritur të integrojnë me sukses të dhënat GTFS-RT (General Transit Feed Specification në kohë reale) në sistemet digjitale të transportit publik.

Përdoruesit e transportit publik në Tiranë tani mund të shohin në kohë reale se ku ndodhen autobusët, të planifikojnë më mirë udhëtimin e tyre dhe të kenë informacion të saktë mbi kohën e mbërritjes së linjave. Madje, edhe Google Transit ka filluar të përdorë këto të dhëna, duke sjellë një përvojë më të lehtë dhe të qasshme për të gjithë ata që lëvizin në qytet.

Përveç përfitimeve për pasagjerët, këto të dhëna do të ndihmojnë gjithashtu në menaxhimin e cilësisë së shërbimit, duke lejuar analizimin dhe optimizimin e rrjeteve dhe orareve të autobusëve. Kjo do të thotë më pak pritje, më shumë efikasitet dhe një sistem transporti më i përshtatshëm për nevojat e qytetit.

Gjithashtu, po punohet për ta zgjeruar këtë teknologji edhe në qytete të tjera në mbarë vendin, me qëllim që transporti publik në Shqipëri të bëhet më inteligjent, më i aksesueshëm dhe më i qëndrueshëm.

/e.i//a.f/

The post Lëvizja e autobusëve në Tiranë, qytetarët mund ta ndjekin në kohë reale itinerarin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Manastirliu: UBT ofron nëntë programe të reja studimi, zgjedhja e parë për maturantët

TIRANË, 7 gusht /ATSH/ Universiteti Bujqësor i Tiranës ka një ofertë të re akademike të përafruar me programet e BOKU (University of Natural Resources and Life Sciences) të Vjenës falë marrëveshjes mes dy universiteteve.

UBT ka nisur tashmë një proces transformues, me standardet më të mira evropiane duke ofruar edhe nëntë programe akademike studimi për të gjithë maturantët që zgjedhin të studiojnë në UBT.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu u shpreh se “Universiteti Bujqësor i Tiranës është kthyer në zgjedhjen e parë për shumë maturantë që kërkojnë cilësi, perspektivë dhe mundësi konkrete për të ardhmen e tyre akademike dhe profesionale”.

“Me ofertën e re akademike që përfshin 9 programe studimi në bashkëpunim me Universitetin prestigjioz BOKU të Vjenës, UBT u ofron studentëve njohuri bashkëkohore, praktika evropiane dhe një diplomë me vlerë ndërkombëtare, e njohur brenda dhe jashtë vendit”, tha Manastirliu në një postim në rrjetet sociale.

Sipas Manastirliut, “ky model i ri studimi sjell në Shqipëri standardet më të larta të universiteteve prestigjioze evropiane dhe e pozicionon UBT-në si një qendër ekselence në rajon dhe më gjerë, ku arsimi lidhet ngushtë me zhvillimin, inovacionin dhe tregun e punës”.

Në mesazhet e maturantëve që flasin në videon e përcjellë në rrjetet sociale, një prej tyre shprehet se gjatë viteve të studimit në gjimnazin “Ismail Qemali” ka studiuar me përkushtim dhe pasion për të ndërtuar të ardhmen e saj. Ajo thotë se do të vazhdoj studimet në Universitetin Bujqësor të Tiranës, pasi ky universitet e tërheq jo vetëm për cilësinë e mësimdhënies, stafin akademik, por edhe për mundësinë që ofron për të rinjtë, siç është diploma që njihet ndërkombëtarisht.

“Universiteti Bujqësor i Tiranës është vendi ku pasioni për natyrën, bujqësinë dhe zhvillimet rurale kthehet në mundësi reale. Sot, sfidat globale si ndryshimet klimatike apo siguria ushqimore na e bëjnë më të domosdoshme shkencën bujqësore”, shprehet një tjetër.

“Universiteti Bujqësor i Tiranës është kthyer në një kampus të vërtetë studentor në një ambient bashkëkohor me laboratorë modern dhe pjesë që lidhen me tregun e punës. Të gjitha këto e bëjnë këtë Universitet vendin e duhur për të nisur rrugëtimin tim profesional”, tha një tjetër.

Maturantja tjetër shprehet se pas marrëveshjes së UBT-së me universitetin BOKU të Vjenës, do të jetë një mundësi për diplomë evropiane, duke studiuar në Shqipëri.

“Përmes marrëveshjes me Universitetin Boku në Vjenë, studentët kanë mundësi të zgjerojnë njohuritë e tyre dhe të përfitojnë nga eksperiencat ndërkombëtare. Ne mund të studiojmë në Boku për disa cikle studimi dhe të na njihen kreditet nga UBT dhe kjo mundësi pozitive vjen vetëm nëse studion në UBT”, u shpreh një maturante tjetër.

/e.i//a.f/

The post Manastirliu: UBT ofron nëntë programe të reja studimi, zgjedhja e parë për maturantët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Sako: Shuhen pesë vatra zjarri në Durrës, strukturat në gatishmëri

TIRANË, 7 gusht /ATSH/ Kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako bën me dije se gjatë dy ditëve të fundit, ekipet zjarrfikëse kanë ndërhyrë duke shuar plotësisht disa vatra zjarri në zonat e Shetaj, Fllakë, Xhafzotaj, Sektor Rinia dhe Arapaj.

Sako tha se ekipet e zjarrfikëseve janë në gatishmëri të plotë për të përballuar çdo emergjencë, ndërsa u ka shprehur atyre mirënjohjen pasi u përballën me guxim e përkushtim me flakët dhe situata të tjera emergjente për të mbrojtur jetën, pronën dhe natyrën.

Kryetarja e bashkisë së qytetit bregdetar, u ka bërë sërish thirrje qytetarëve që në këtë periudhë me temperatura të larta të tregojnë kujdes maksimal dhe të mos ndezin zjarre në natyrë apo pranë zonave të pyllëzuara.

Gjithashtu, Sako kërkoi që të njoftohen menjëherë shërbimet zjarrfikëse në rast rreziku apo zjarri.

“Parandalimi është në dorën e të gjithëve”, tha Sako.

Ekipet zjarrfikëse në zonat e Shetaj, Fllakë, Xhafzotaj, Sektor Rinia dhe Arapaj
1 nga 9

/e.i//a.f/

The post Sako: Shuhen pesë vatra zjarri në Durrës, strukturat në gatishmëri appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama ndan pamje nga lirimi i hapësirave publike: Si mund të futet në bark i tërë trotuari deri tek bordura!?

TIRANË, 6 gusht /ATSH/ Puna për lirimin e hapësirave publike nga tavolinat dhe karriget që kanë zaptuar trotuaret dhe ambientet e dedikuara për komunitetin dhe qytetarët, vazhdon në të gjithë vendin.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje të një tjetër aksioni për lirimin e hapësirave publike, ndërsa shkruan: “Po si mund të futet në bark i tërë trotuari deri tek bordura! Vazhdojmë”.

Në videon e publikuar në rrjetet sociale, shfaqet një fadromë që shemb strukturën metalike të një subjekti privat i llojit, bar-kafene. Struktura metalike dhe ajo e xhamit, ku më parë ishin pozicionuar tavolina dhe karrige, tashmë janë shembur, duke i rikthyer qytetarëve dhe komunitetit plotësisht hapësirën e trotuarit.

Lirimi i hapësirave publike shihet si pjesë e vizionit të qeverisë “Rilindja Urbane 2.0”.

Në këtë kuadër, Rama ka paralajmëruar se po hartohet edhe Rregullorja Kombëtare në të cilën do të përcaktohen me ligj hapësirat që mund të shfrytëzojë biznesi.

Lirimi i hapësirave publike është i domosdoshëm për rritjen e cilësisë së shërbimeve, por edhe funksionalitetit të çdo biznesi dhe sipërmarrjeje në përputhje me standardet kombëtare të mikpritjes dhe shërbimit jo vetëm në zonat turistike, por në çdo cep të Shqipërisë.

Lirimi i hapësirave publike ka nisur në fillim të muajit korrik dhe do të vijojë të jetë në fokus të angazhimit të pushtetit vendor dhe qendror në mbrojtje të cilësisë së jetës në komunitet.

/e.i//a.f/

The post Rama ndan pamje nga lirimi i hapësirave publike: Si mund të futet në bark i tërë trotuari deri tek bordura!? appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Balla: Të shkaktosh zjarr duke rrezikuar jetën e banorëve, krim i rëndë dhe papërgjegjshmëri


TIRANË, 6 gusht /ATSH/ Ministri i Shtetit për marrëdhëniet me Kuvendin, Taulant Balla pohoi sot se ndezja e qëllimshme e zjarreve, qoftë edhe pa dashje duke hedhur një bisht cigareje është një krim i rëndë dhe papërgjegjshmëri e personave që kryejnë këto veprime.

Sipas Ballës, në një kohë kur lufta me vatrat e zjarrit në të gjithë vendin vazhdon ende, episode të tilla me ndezje zjarresh për pyje dhe kullota, mund të çojnë në situata edhe më të rënda duke rrezikuar jetën e banorëve apo banesat përreth.

Ministri Balla u shpreh se “akte të tilla, qoftë edhe kur ndodhin pa dashje, duhet të konsiderohen si një krim i rëndë”.

Situata e vatrave të zjarrit është në monitorim të përditshëm, përmes një koordinimi mes trupave të FA, ekipeve zjarrfikëse, dhe ekuipazhet vendase, si edhe nga vendet aleate nga ajri mbeten të angazhuara 24 orë.

/e.i//a.f/

The post Balla: Të shkaktosh zjarr duke rrezikuar jetën e banorëve, krim i rëndë dhe papërgjegjshmëri appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AKMC: 25 vatra zjarri të evidentuara, vetëm një aktive

TIRANË, 6 gusht /ATSH/ Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile bëri të ditur sot se, gjatë orëve të fundit janë evidentuar 25 vatra zjarri, ndër të cilat vetëm një mbetet aktive.

AKMC njoftn se në malin mbi fshatin Dhivër, bashkia Finiq, është aktivizuar një vatër zjarri në sipërfaqe pyjore në lartësi, si pasojë e një shkarkese nga rrufeja, dhe po mbahet nën kontroll nga MZSH lokale.

Ndërsa, vatrat e zjarrit të shuara janë:

Në fshatin Gryksh i Madh, bashkia Elbasan, ku në terren u angazhuan 5 mjete zjarrfikëse dhe rreth 70 forca nga të gjitha strukturat operacionale.

Në fshatin Dhorës, njësia administrative Qendër Skrapar.

Në fshatin Gurë-Lurë, Parkun Kombëtar Lurë, ku në terren u angazhuan rreth 60 forca.

Në fshatin Daullas, bashkia Fier, ku u angazhuan 4 mjete zjarrfikëse dhe rreth 55 forca nga strukturat operacionale.

Në fshatin Lusën, bashkia Kukës, ku u angazhuan rreth 30 forca.

Në fshatin Blinisht, bashkia Lezhë, ku në terren u dislokuan 3 mjete zjarrfikëse dhe rreth 20 forca operacaionale.

Në qytetin e Leskovikut, bashkia Kolonjë.

Në fshatin Grudë, bashkia Shkodër.

Në fshatin Rrjoll, bashkia Shkodër.

Në fshatin Ngjeqar, bashkia Roskovec.

AKMC cilëson në njoftim se “në terren u angazhuan 39 automjete zjarrfikëse dhe 375 forca operacionale”.

Gjithashtu, AKMC përsërit thirrjen drejtuar banorëve, që të tregohen të kujdesshëm, të shmangin ndezjen e zjarreve dhe të raportojnë në kohë vatrat.

/e.i//a.f/

The post AKMC: 25 vatra zjarri të evidentuara, vetëm një aktive appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shuhet vatra e zjarrit në Shkodër, tre mjete zjarrfikëse dhe 20 efektivë të angazhuar

TIRANË, 5 gusht /ATSH/ Kryetari i bashkisë së Shkodrës, Benet Beci bëri me dije mbrëmjen e sotme, se forcat zjarrfikëse kanë ndërhyrë për shuarjen e një vatre zjarri pranë ish-fushës së aviacionit, në njësinë administrative Rrethina.

Sipas Becit, në operacion u angazhuan 3 mjete zjarrfikëse dhe 20 efektivë, të cilët punuan për neutralizimin e flakëve që rrezikonin përhapjen për shkak të erës së fortë.

Në një postim në rrjetet sociale, Beci falënderoi efektivët për përkushtimin e treguar jo vetëm sonte, por në të gjitha ndërhyrjet e ditëve të fundit, në përballje me vatrat e zjarrit në territorin e bashkisë Shkodër.

Forcat zjarrfikëse kanë ndërhyrë për shuarjen e një vatre zjarri në Njësinë Administrative Rret...
1 nga 4

/e.i/r.e/

The post Shuhet vatra e zjarrit në Shkodër, tre mjete zjarrfikëse dhe 20 efektivë të angazhuar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Meloditë e Mesdheut”, mbrëmje muzikore në Amfiteatrin e Durrësit

TIRANË, 5 gusht /ATSH/ Sopranoja shqiptare me famë botërore, Inva Mula dhe instrumentistët e njohur Ekland Hasa në piano dhe Redi Hasa në violonçel, si edhe kori i fëmijëve “Okarina”, sollën sot një atmosferë magjike në skenën antike të Amfiteatrit të Durrësit përmes koncertit “Meloditë e Mesdheut”.

Kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako e cilësoi këtë aktivitet, si një koncert mbresëlënës dhe një udhëtim me meloditë më të bukura të Mesdheut, që përcolli emocione të forta dhe përjetime të rralla për qytetarët dhe turistët e shumtë.

“Një event i veçantë ku u takuan muzika, arti dhe historia e që do të mbetet gjatë në kujtesën e publikut”, tha Sako.

Koncerti kishte në program këngët e meloditë më të bukura të pellgut të Mesdheut.

Sopranoja Inva Mula erdhi me këtë koncert pas MIK Fest në Korçë, ku u zhvillua edicioni i tij i tetë.

/e.i//r.e/

The post “Meloditë e Mesdheut”, mbrëmje muzikore në Amfiteatrin e Durrësit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dredha: Pas shiut, rrugët e Vlorës në normalitet të plotë

TIRANË, 5 gusht /ATSH/ Reshjet e dendura të shiut përfshinë sot qytetin e Vlorës, duke shkaktuar përmbytje në disa rrugë, mes tyre edhe rruga “Albano dhe Romina”, ndërsa nën “pushtetin” e ujit është lagjja historike e Muradies.

Kryetari i bashkisë së qytetit bregdetar, Ermal Dredha reagoi sot në mbrëmje duke u shprehur se “pas reshjeve intensive të shiut, brenda më pak se dy orësh, rrugët e qytetit janë kthyer në normalitet të plotë, falë angazhimit të menjëhershëm të Ujësjellësit dhe të gjitha ekipeve të bashkisë”.

Ndërkohë, Dredha tha se vazhdon puna për pastrimin e të gjithë territorit.

Zonat më të prekura nga reshjet e shiut ishin në lagjen “Skelë” (afër kryqëzimit të madh), zonën pranë bibliotekës publike, përreth Kishës Ortodokse dhe sheshi “Albano & Romina”.

Në disa segmente rrugore, automjetet u bllokuan për shkak të prurjeve të mëdha të ujit, ndërsa shërbimet e emergjencës nisën punën për pastrimin e pusetave dhe rivendosjen e normalitetit në qarkullim.

Nga puna e punonjësve të bashkisë Vlorë për pastrimin e qytetit pas reshjeve të shiut
1 nga 15

/e.i//r.e/

The post Dredha: Pas shiut, rrugët e Vlorës në normalitet të plotë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Liqeni i Malit të Gramozit, Rama ndan pamjet

TIRANË, 5 gusht /ATSH/ Liqeni i malit të Gramozit në Kolonjë është një ndër destinacionet ideale turistike, për vizitorët vendas dhe turistët e huaj.

Përmes rubrikës “Beautiful Albania”, kryeministri Edi Rama publikoi sot një video të këtij liqeni.

Ky liqen, një “thesar” i fshehur i bukurive natyrore shqiptare gjendet në 2400 metra lartësi, ndërsa malet e larta dhe natyra përreth ofrojnë një panoramë të jashtëzakonshme.

Liqeni me origjinë akullnajore, sipërfaqe rreth 0,4 ha dhe formë elipsi, renditet në listën e atraksioneve më të kërkuara, sidomos në dimër kur reshjet e borës dhe temperaturat e ulta e shndërrojnë në një sipërfaqe të ngrirë mes bimësisë dhe pyjeve të shumta të zonës.

Të apasionuarit pas lartësive, ngjiten në këto territore të thyera për të ushtruar sportin e alpinizmit apo ecjeve malore, ndërsa liqeni vizitohet sipas itinerarit: qyteti i Ersekës – fshati Starje – liqeni i Gramozit.

/e.i//r.e/

The post Liqeni i Malit të Gramozit, Rama ndan pamjet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Reshje shiu në Vlorë, përmbytje në disa rrugë të qytetit

TIRANË, 5 gusht /ATSH/ Reshjet e dendura të shiut përfshinë sot qytetin e Vlorës, duke shkaktuar përmbytje në disa rrugë, mes tyre edhe rruga “Albano dhe Romina”, ndërsa nën “pushtetin” e ujit është lagjja historike e Muradies.

Sipas pamjeve nga mediet, niveli i ujit në rrugë është rritur ndjeshëm, duke penguar qarkullimin normal të automjeteve dhe këmbësorëve.

Zonat më të prekura përfshijnë: Lagjen “Skelë” (afër kryqëzimit të madh), zonën pranë bibliotekës publike, përreth Kishës Ortodokse dhe sheshi “Albano & Romina”.

Në disa segmente rrugore, automjetet janë bllokuar për shkak të prurjeve të mëdha të ujit, ndërsa shërbimet e emergjencës kanë nisur punën për pastrimin e pusetave dhe rivendosjen e normalitetit në qarkullim.

/e.i//r.e/

The post Reshje shiu në Vlorë, përmbytje në disa rrugë të qytetit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Eco Routes në Ujëvarën e Topojanit, projekt i BE-së për natyrë dhe turizëm të qëndrueshëm

TIRANË, 5 gusht /ATSH/ Projekti Eco Routes i Bashkimit Europian është një iniciativë që synon të promovojë transportin e qëndrueshëm, turizmin e gjelbër, dhe zhvillimin rajonal në përputhje me strategjinë e BE-së për tranzicionin e gjelbër dhe ruajtjen e biodiversitetit.

Njërën nga ditët e ‘Reel the Site’, BE bën me dije se është vizituar Ujëvara e Topojanit, aty ku natyra dhe turizmi i qëndrueshëm bashkohen falë projektit Eco Routes, të financuar nga Bashkimi Europian.

Sipas BE-së, konkurrentët eksploruan shtigjet e ecjes të zhvilluara për të lidhur njerëzit me natyrën dhe për të promovuar turizmin ndërkufitar.

“Pjesë e të njëjtit projekt është edhe Parku i Aventurave në Shishtavec, një hapësirë për të gjitha moshat që sjell aktivitete në natyrë dhe e bën zonën edhe më tërheqëse për vizitorët”, thuhet në njoftim.

Projekti Eco Routes synon të promovojë zhvillimin e qëndrueshëm dhe të rrisë vizitat e zonave Kukës dhe Rahovec, duke nxitur bashkëpunimin ndërkufitar dhe duke e kthyer këtë rajon në një destinacion për ekoturizëm.

Eco Routes është një rrjet rrugësh turistike ose trase ekologjike ku përdoren nga biçikleta, ecësit, ose transporti publik; lidhen zona natyrore, parqe kombëtare, monumente kulturore e vende të trashëgimisë; janë të zhvilluara në mënyrë të qëndrueshme, pa ndotje dhe me përfitim për komunitetet lokale dhe promovohet ekoturizmi, produkte vendase dhe bizneset e vogla.

Qëllimi i projektit është reduktimi i ndotjes nga transporti duke nxitur biçikletat dhe ecjen, zhvillimi i turizmit të qëndrueshëm në harmoni me natyrën dhe kulturën, ndërlidhja e rajoneve rurale me qytetet për të ndihmuar zhvillimin ekonomik lokal, ndërgjegjësimi për natyrën dhe trashëgiminë kulturore përmes udhëtimeve edukative dhe ekologjike, etj.

/e.i//r.e/

The post Eco Routes në Ujëvarën e Topojanit, projekt i BE-së për natyrë dhe turizëm të qëndrueshëm appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Festivali “Lumina”, atmosferë elektrizuese për adhuruesit e muzikës elektronike

TIRANË, 5 gusht /ATSH/ Festivali i muzikës elektronike “Lumina Electronic” solli ritëm dhe atmosferë për të gjithë adhuruesit e muzikës elektronike.

Aktiviteti dëshmoi edhe një herë se Korça është jo vetëm një qytet i kulturës dhe historisë, por edhe i rinisë dhe energjisë së jashtëzakonshme.

Kryebashkiaku i Korçës, Sotiraq Filo e konsideroi këtë edicion të dytë të festivalit “Lumina”, si të jashtëzakonshëm.

Filo u shpreh se për dy net me radhë, parku “Rinia” u mbush me ritme elektrizuese, energji pafund dhe qindra të rinj që festuan muzikën moderne në një atmosferë që vetëm “Lumina” di ta krijojë.

“Ky edicion e forcoi më tej identitetin e festivalit si një nga eventet më të rëndësishme verore në Korçë, duke tërhequr vizitorë dhe adhurues të muzikës elektronike nga e gjithë Shqipëria dhe rajoni”, tha Filo, në një postim në rrjetet sociale.

Të rinj vendas dhe turistë të huaj u entuziazmuan, në një atmosferë që vështirë të përshkruhet me fjalë.

Lumina Electronic Festival është tashmë një traditë që do të vazhdojë çdo vit, me synimin për të rritur edhe më shumë ndikimin kulturor dhe turistik të Korçës, si një destinacion festash bashkëkohore dhe përjetimesh unike.

/e.i//r.e/

The post Festivali “Lumina”, atmosferë elektrizuese për adhuruesit e muzikës elektronike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mbështetje fermerëve, Denaj: 50% grant për investime në sektorin bujqësor

TIRANË, 5 gusht /ATSH/ Fermerët shqiptarë që synojnë të investojnë në mbjellje të reja pemësh frutore, agrumesh, ullishtesh dhe vreshtash do të përfitojnë 50% grant nga Skema Kombëtare e Investimeve 2025, e cila është hapur për aplikime deri më 30 shtator.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj zhvilloi sot një takim me fermerë të qarkut të Beratit, me qëllim sqarimin e kritereve të aplikimit.

Ministrja Denaj u shpreh se “pjesëmarrësit patën mundësi të merrnin përgjigje të detajuara për çdo pyetje konkrete që kishin lidhur me aplikimin”.

Sipas Denajt, “Skema Kombëtare e Investimeve 2025 ofron 50% grant për investime në sektorin bujqësor dhe mund të kombinohet me Kredinë e Butë me normë interesi deri në 2% dhe Garancinë Sovrane me mbulim kolaterali deri në 70%”.

Aplikimet kryhen pranë zyrave qendrore të AZHBR-së, ndërsa skema përfshin gjithsej 9 masa mbështetëse për sektorin bujqësor.

Ky është një hap i rëndësishëm drejt forcimit të bujqësisë shqiptare dhe përmirësimit të kapaciteteve prodhuese në përputhje me objektivat e Bujqësisë 2030.

/e.i//r.e/

The post Mbështetje fermerëve, Denaj: 50% grant për investime në sektorin bujqësor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Bashkia Vlorë, drejt përfundimit dy godina për strehimin e 75 familjeve në nevojë

TIRANË, 5 gusht /ATSH/ Bashkia e Vlorës është drejt përfundimit të dy objekteve banimi për shtresat në nevojë në qytetin bregdetar, të cilat do të strehojnë 75 familje.

Kryetari i bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha tha se “ndërtesat janë drejt përfundimit dhe shumë shpejt do të dorëzohen çelësat për familjet përfituese”.

Dredha, në një postim sot në rrjetet sociale, tha se u takua me drejtorin e përgjithshëm të Entit Kombëtar të Banesave, Besmir Hysa, në kuadër të strehimit social në qytetin bregdetar. Sipas Dredhës, në fokus të diskutimeve ishte vazhdimi i bashkëpunimit të mëtejshëm mes bashkisë dhe EKB-së, por edhe finalizimi i objekteve 3 dhe 4 në Vlorë, që garantojnë strehimin e 75 familjeve.

Ky investim përfaqëson një shembull konkret të angazhimit për të ofruar zgjidhje të prekshme në strehimin social, përmes një partneriteti të fortë me Entin Kombëtar të Banesave.

Gjatë takimit u evidentuan sfidat dhe prioritetet lokale në fushën e strehimit, ndërsa EKB rikonfirmoi gatishmërinë për të mbështetur bashkitë në zbatimin e projekteve që synojnë përmirësimin e kushteve të banimit për familjet në nevojë.

Ky takim vjen në kuadër të angazhimit të EKB për të forcuar bashkëpunimin me njësitë vendore dhe për të zhvilluar zbatimin e objektivave te Strehimit Social.

Kryetari i bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha takim me Drejtorin e Përgjithshëm të Entit Kombëta...
1 nga 5

/e.i//r.e/

The post Bashkia Vlorë, drejt përfundimit dy godina për strehimin e 75 familjeve në nevojë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Receta mjekësore e unifikuar, Urdhri i Mjekut: Parandalon ndikimet e kompanive farmaceutike

TIRANË, 4 gusht/ATSH/ Prej datës 1 gusht, receta mjekësore në formatin e ri unik ka hyrë në fuqi në të gjithë sistemin shëndetësor, publik dhe privat.

Sipas Presidentit të Urdhrit të Mjekut, Dritan Trepçe, receta e unifikuar parandalon influencat që mjekët mund të kenë nga kompani të caktuara farmaceutike në ekzekutimin e recetave.

“Mos harrojmë se nga koha e Covid është vënë re një lëshim recetash nga firmat farmaceutike, blloqet e recetave me emrat tregtar të ilaçeve, gjë që lind përshtypjen ose e një dyshimi të arsyeshëm për bashkëpunimin mjek-farmacist. Miratimi i këtij formati e shmang këtë lloj dyshimi dhe e vë në shina më të rregullta lëshimin e medikamenteve drejt farmacive dhe ekzekutimin e ilaçeve”, tha Trepçe në një intervistë televizive.

Sipas Trepçes, “farmacistët do penalizohen nëse do kapen në shkelje të këtij urdhri dhe këtij formati”.

Receta e re ka lehtësuar shumë daljet e të sëmurëve kronikë të cilëve tanimë procedura u thjeshtohet

“Me këtë lloj recete mjeku mund të lëshojë recetë për të sëmurët kronikë deri në 6 muaj pa detyrimin që ata të paraqiten”, shtoi Trepçe.

Farmacistët kanë edhe të drejtën e ekzekutimit të pjesshëm të recetës. Në rastet kur nuk i disponon të gjitha barnat e shkruara farmacisti do të duhet të shënojë ilaçet që i ka dhënë pacientëve, sasinë e marrë dhe datën duke e firmosur edhe vulosur.

Ky model i unifikuar i recetës mjekësore sjell më shumë siguri për pacientët dhe më pak burokraci për mjekët dhe farmacistët.

Formati i ri i recetës mjekësore ka edhe elementë të tjerë teknikë të rëndësishëm, si vendosja e emrit gjenerik të barit, tipi i recetës për pacientët me sëmundje akute apo kronike, si dhe vendosja e emrit dhe vulës së farmacistit.

Receta e re mjekësore e unifikuar shënon një hap të rëndësishëm për më shumë cilësi, siguri dhe lehtësi për pacientët dhe profesionistët e shëndetësisë.

/e.i/j.p/

The post Receta mjekësore e unifikuar, Urdhri i Mjekut: Parandalon ndikimet e kompanive farmaceutike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Koçiu: Spitali Rajonal i Vlorës, pikë kyçe sigurie për pushuesit

TIRANË, 4 gusht/ATSH/ Spitali Rajonal i Vlorës, me një ekip të përkushtuar mjekësh dhe infermierësh, ofron shërbim dhe kujdes mjekësor jo vetëm për qytetarët vlonjatë, por edhe për pushuesit vendas dhe turistët e huaj që zgjedhin këtë qytet për të kaluar pushimet verore.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu u shpreh se Vlora është vendi ku takohet historia me mikpritjen, ndërsa Spitali Rajonal i Vlorës është një pikë kyçe sigurie për pushuesit, në gatishmëri 24/7 për çdo rast urgjent, me një ekip të përkushtuar dhe shërbim cilësor.

Sipas Koçiut, “që nga 1 qershori, mbi 5,800 qytetarë kanë marrë ndihmë mjekësore, mes tyre edhe 360 turistë të huaj, të cilët kanë gjetur kujdes profesional dhe njerëzor. Kujdes shëndetësor në zemër të turizmit, për pushime të sigurta dhe pa shqetësime”, tha Koçiu në një postim në rrjetet sociale.

Një prej mjekeve të këtij spitali, pohon se në mesin e sezonit turistik janë paraqitur 2 600 pacientë, nga të cilët 200 pacientë të huaj, jo rezident në Shqipëri.

“Javën e fundit janë shtuar rastet e gastroenteriteve dhe rastet virale. Kemi edhe rastet e të sëmurëve kronikë, situata e të cilëve ka precipituar nga temperaturat e larta. Kemi një shtim të hospitalizimit të rasteve neurologjike, në patologji te të sëmurët kronikë dhe në infektiv”, u shpreh ajo.

Mjekja shtoi se ka një koordinim shumë të mirë me urgjencën lëvizëse 127 për raste e paraqitura të asfiksisë, djegieve, mbytjeve në det, traumave dhe aksidenteve.

“Javën e fundit të korrikut është shtuar numri i vizitave ditore,  numri i të cilave ka shkuar deri në 150, nga këto 50-60 raste kanë qenë gastroenterite, gjendje febrile, tonsilite akute të cilat paraqiten me diarre, temperaturë, dobësi trupore, raste që janë menaxhuar më së miri nga stafi i pranim urgjencës”, vijoi mjekja, ndërsa këshilloi qytetarët që të mos ekspozohen gjatë në temperatura të lart dhe të ndjekin një regjim ushqimor të mirë dhe të shëndetshëm.

/e.i/j.p/

The post Koçiu: Spitali Rajonal i Vlorës, pikë kyçe sigurie për pushuesit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Pediatria e Specialiteteve, mesazhet e prindërve: Shërbim në kohë dhe me profesionalizëm

TIRANË, 4 gusht/ATSH/ Spitali i Pediatrisë së Specialiteteve i organizuar në pese kate ofron shërbime në Nefrologji dhe Dializë Pediatrike, Shёrbimi i Laboratorit tё Gjenetikёs Klinike, Shërbimi i Onkohematologjisë, Shërbimi i Specialiteteve 2 për neuropsikiatri, gastroenterologji, endokrinologji dhe okulistikë, Shërbimi i Specialiteteve 1 Pneumo-alergologji, Shërbimi i Kirurgjisë Infantile, Njësia e Konsultave Pediatrike si dhe Njësia e Rehabilitimit Fizik (fizioterapia).

Një grup prindërish, të fëmijëve të shtruar në këtë pavion të QSUNT-së, ata shprehet se ndihen shumë të kënaqur nga shërbimi dhe kushtet në të cilat marrin shërbimin për të vegjlit e tyre.

“Kemi 10 vite që ndiqemi me doktoreshë Ornelën. Godina e re plotëson të gjitha kushtet dhe kriteret, duke filluar nga stafi mjekësor që më përgjigjen 24 orë sa herë fëmija ka problem, infermierët, kushtet higjieno sanitare janë fantastike. Gjendja e vajzës është përmirësuar, pasi mori ndihmën e parë në bazë të gjithë mjekimeve dhe analizave, vajza e ka marrë tashmë veten”, thotë një prej tyre.

Një tjetër prind, shprehet se është përballur me një staf të mirëpërgatitur, shërbim në kohë dhe me profesionalizëm.

“Nga janë gjendur pranë si mjekët, si infermierët, kushtet janë shumë më të mira nga çfarë mund ta imagjinonim kur u shtruam që ditën e parë. Jemi shumë të kënaqur, sidomos me mjekët dhe infermierët që u përkujdes shumë dhe djali e mori veten”, vijoi një tjetër prind.

Një tjetër prind thotë se e ndjek fëmijën me doktoreshë Ornela Xhankon, ndërsa thotë se është shumë i kënaqur me mjekët, infermierët dhe sanitarët e spitalit.

“Jam emigrante, vijë nga Italia dhe kam djalin që vuan nga insuficienca renale kronike. Kemi ardhur për një shërbim më të specializuar këtu dhe jemi shumë të kënaqur me gjithë doktorët, kushtet, mjekimet, higjienën, të gjitha”, tha ajo.

Spitali ka një kapacitet prej 140 shtretërish ku parashikohen rreth 35000 konsulta në vit, mbi 24500 ekzaminime të tjera specifike (eko, ct, grafi, timpanografi, spirometri, audiograme etj) dhe mbi 5000 ekzaminime laboratorike përmes konsultës ambulatore pediatrike.

/e.i/j.p/

The post Pediatria e Specialiteteve, mesazhet e prindërve: Shërbim në kohë dhe me profesionalizëm appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌