Ndalimi i vizitave për Thaçin në Hagë vlerësohet si shkelje e Konventës Evropiane
PRISHTINË, 23 gusht/ATSH/Vendimi i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, për t’iu ndaluar njëmbëdhjetë personave vizitat te ish-presidenti ,Hashim Thaçi, i cili ndodhet në paraburgim, po cilësohet si shkelje e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe si një vendim i palogjikshëm.
Më 18 gusht 2025, gjyqtarja e procedurës paraprake, Marjorie Masselot mori këtë vendim i cili parashikonte ndalimin e vizitave për njëmbëdhjetë persona, mes tyre Artan Behrami, Blerim Shala, Ismail Syla, Vllaznim Kryeziu, Milaim Ahmetaj, Milaim Cakiqi, Avni Kastrati dhe katër të tjerë me emra të redaktuar.
Kufizimi i vizitave për Thaçin erdhi pas kërkesës së Zyrës së Prokurorit të Specializuar, e cila kishte kërkuar që ndalimi të vlente edhe për tre vëllezërit e Thaçit, por gjykata e refuzoi këtë kërkesë, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së kontaktit familjar, sidomos pas vdekjes së babait të tij.
Avokati i akredituar nga Gjykata Speciale, Artan Qerkini vlerëson se ky vendim i Speciales karshi ish-presidentit, Thaçi është shkelje e nenit 8 të Konventës Evropiane, i cili i garanton secilit njeri të drejtën për jetë private dhe familjare.
Për bindjen e tij, kërkesa e Zyrës së Prokurorit të Specializuar nga trupi gjykues është dashur të refuzohet në tërësi ngase nuk e plotëson testin e propercionalitetit.
Kërkesa e ZPS-së në pikën aktuale të gjykimit kur në shtator pritet të nis dëgjimi i dëshmitarëve nga ana e mbrojtjes po konsiderohet e palogjikshme.
Drejtori i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Behxhet Shala për KosovaPress, se Gjykata Speciale thuajse të gjitha kërkesat e ZPS-së i ka aprovuar, por jo edhe të mbrojtjes së të akuzuarve.
Ndalimi i njëmbëdhjetë personave për ta vizituar ish-presidentin, Haxhim Thaçi në Hagë është i papranueshëm edhe për bashkëluftëtarët e tij.
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati tha se është për keqardhje sjellja e Gjykatës Speciale karshi Thaçit.
Gjatë kësaj jave, Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, nuk ia lejuan ish-presidentit, Hashim Thaçit që ta apelojë vendimin për ndalimin e njëmbëdhjetë personave që ta vizitojnë atë në Hagë.
Në Qendrën e Paraburgimit në Hagë njëri nga udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi ndodhet që nga nëntori i vitit 2020.
Aktakuza ndaj Thaçit dhe të tjerëve është konfirmuar më 26 tetor 2020.
Në qytetin holandez më 15 shtator 2025, pritet të nis paraqitja e provave nga ana e mbrojtjes së ish-krerëve të UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
/Kosovapress/
The post Ndalimi i vizitave për Thaçin në Hagë vlerësohet si shkelje e Konventës Evropiane appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.