TIRANË, 15 korrik/ATSH/ Qyteti i Beratit me historinë dhe arkitekturën e veçantë edhe këtë sezon turistik është i mbushur me vizitorë vendas e të huaj.
Kryeministri Edi Rama, në kuadër të rubrikës “Shqipëria e bukur”, ndau sot pamje nga mbrëmja në Berat.
Për turistët ndër atraksionet më të vizituara janë Kalaja, lagjet muzeale “Goricë” dhe “Mangalem”, si dhe Kanionet e Osumit, kantinat e qytetit, muzeu “Onufri”, ai Etnografik etj.
Arkitektura e rrallë e këtij qyteti dhe trashëgimia që mbart, e bëjnë atë vërtetë të rrallë dhe interesant për turistët e huaj.
Sipas shifrave të Drejtorisë së Turizmit dhe Aktiviteteve në bashkinë e Beratit, gjatë periudhës janar-maj 2025 qyteti ka pritur rreth 370 mijë turistë, një rritje e dukshme prej 15% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Berati u shpall zyrtarisht qytet-muze më 1961, me pasuri të konsiderueshme monumentesh dhe me vlera të larmishme, të cilat përbëjnë një dëshmi të trashëgimisë kulturore, historike e artistike, të jetës e të punës, të realizuara mjeshtërisht brez pas brezi nga banorët e tij. Nga zonifikimi dhe nga përcaktimi i kategorisë së monumenteve qyteti ndahet në tri zona: zona muze, zona e mbrojtur dhe zona e lirë.
Sot Berati trashëgon 210 objekte muzeale, nga të cilat 150 janë objekte në këmbë. Prej tyre 60 janë monumente të kategorisë së parë dhe të tjerat të kategorisë së dytë.
/k.s//r.e//a.f/
The post Rama ndan pamje nga mbrëmja në Berat: Shqipëria e bukur appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.