Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Zëvendësimi i rrënjës së aortës duke kursyer valvulën aortale – Operacioni David

Teknika David: alternativë fiziologjike ndaj operacionit Bentall të modifikuar

 

Dr. Kushtrim Shala
Mjek specialist kardiokirurg
tel: +38348587588
e-mail: dr.kushtrimshala@gmail.com

Çfarë është Operacioni David?

Rrënja aortale është zona fillestare e aortës apo enës më të madhe të trupit që lidh aortën me barkushen (ventrikulin) e majtë, dhomën kryesore të pompimit të zemrës, dhe brendësi përmban valvulën aortale. Valvula aortale kontrollon rrjedhën e gjakut nga ventrikuli i majtë në aortë. Operacioni/procedura David, konsiston në rindërtimin rrënjës së sëmurë të aortës duke ruajtur valvulën aortale native të pacientit. Është një prej teknikave të zëvendësimit të rrënjës së aortës duke ruajtur valvulën aortale (VSRR), e njohur ndryshe edhe si teknika e reimplantimit. Gjatë operacionit David valvula aortale native reimplantohet brenda një tubi/grafti Dacron i madhësisë së përshtatshme me të cilin rivendoset gjeometria normale e rrënjës së aortës dhe përforcohet unaza apo anulusi aortal. Në rastet kur duhet të zëvendësohet rrënja e aortës pjesë e së cilës është edhe valvula aortale e cila në të shumtën e rasteve mund të jetë e shëndoshë, pra e padëmtuar rekomandohet që ajo të ruhet duke zëvendësuar vetëm rrënjën e aortës. Përparësia e këtij operimi është se riparimi i rrënjës së aortës dhe regurgitimit aortal që e shoqëron pa e zëvendësuar valvulën me një protezë (mekanike ose biologjike – operacioni Bentall i modifikuar) me çka shmanget përdorimi i antikoagulantëve gjatë gjithë jetës dhe ndërlikimet që lidhen me valvulat prostetike.

Cilët pacientë mund të jenë kandidat për operacionin David?

Pacientët me aneurizma të rrënjës së aortës: Pacientët me zgjerim ose fryrje të rrënjës së aortës janë në rrezik për çarje apo rupturë të aneurizmës.

Njerëzit me sëmundje gjenetike të indit lidhor: Njerëzit me sëmundje gjenetike të indit lidhor si sindroma Marfan, sindroma Loeys-Dietz ose sindroma Ehlers-Danlos janë në rrezik për zgjerim të rrënjës së aortës dhe diseksion të aortës.

Zgjerimi i rrënjës së aortës me insuficiencë të valvulës aortale: Me operacionin David, rrënja e aortës korrigjohet dhe valvula aortale ruhet, duke penguar rrjedhjen e gjakut prapa (insuficiencën aortale).

Pacientët që kanë pësuar diseksion apo çarje të rrënjës së aortës: Diseksioni i aortës është një çarje në murin e aortës që lejon që gjaku të rrjedhë midis shtresave të murit të aortës.

Pacientë më të rinj: me anatomi të përshtatshme të valvulës për të shmangur valvulën prostetike dhe antikoagulimin gjatë gjithë jetës,

Pacientët me valvula bikuspidale: mund të jenë kandidatë nëse cilësia dhe gjeometria e kuspiseve lejojnë riparim të qëndrueshëm – por anatomia bikuspidale kërkon gjykim të kujdesshëm dhe përvojë të kardiokirurgut.

Tek të gjitha patologjitë e mësipërme, valvula aortale e pacientit duhet të përmbushë kushtet e mëposhtme:

▪ Kuspiset/fletëzat valvulare të jenë strukturalisht të shëndosha.
▪ Valvula të jetë duke funksionuar siç duhet ose me insuficiencë sekondare si pasojë e dilatimit të anulusit e që mund të riparohet.
▪ Ka pak ose aspak depozita kalciumi (kalcifikim) në kuspise.
▪ Nuk ka stenozë valvulare.

Avantazhet e procedures David (teknika e reimplantimit) kundrejt operimit Bentall të Modifikuar

1. Ruajtja e fiziologjisë së valvulës native

Kuspiset native ruajnë dinamikën natyrale të rrjedhjes dhe shmangen e problemet e gradientit të valvulave prostetike. Kjo përkthehet në hemodinamikë të shkëlqyer.

2. Pa antikoagulim gjatë gjithë jetës

Shmang rreziqet e antikoagulimit (gjakderdhje, monitorim) të lidhura me valvulat mekanike – një avantazh i qartë për pacientët e rinj dhe aktivë. Kjo gjithashtu përmirëson cilësinë e jetës.

3. Rreziqe më të ulëta që lidhen me valvulat prostetike

Eliminon rreziqet e endokarditit të valvulës prostetike që lidhen drejtpërdrejt me fletëzat e valvulës së implantuar dhe degjenerimin strukturor të valvulës (në valvulat biologjike). Si çdo operim edhe operacion David ka rrezikun e vet të rioperimit, liria e përgjithshme nga ndërlikimet që lidhen me valvulën është më e favorshme.

4. Qëndrueshmëria më e lartë në pacientë të përzgjedhur

Në qendrat me përvojë, mbijetesa afatmesme dhe afatgjatë dhe liria nga ri-operimi janë të shkëlqyera krahasuar me operacionin Bentall në shumë seri; studimet tregojnë shkallë pak më të ulët të ri-operimit, Pashtu shkalla e mbijetesës dhe e eventeve që lidhen me valvulën mbeten të favorshme kur përzgjedhja dhe teknika janë optimale.

Si kryhet operacioni David?

Si edhe operimet tjera kardiake kryhet nën anestezion të përgjithshëm me sternotomi mediane apo ministernotomi. Mirëpo mund të bëhet dhe me qasje minimale invasive me prerje të vogël mes brinjëve nën sqetull. Me këtë metodë, sternumi mbetet i paprekur.

Aorta e zgjeruar hiqet së bashku me sinuset aortale, dhe arteriet koronare përgatiten duke prerë aortën në pikat e tyre të daljes. Valvulat aortale mbeten në vend.

Përgatitet një graft sintetik Dacron i përshtatshëm për gjerësinë e rrënjës së aortës me të cilin rindërtohet rrënja e aortës.

Valvulat aortale, së bashku me indet përreth, implantohen brenda graftit Dacron me qepje të vazhdueshme, poashtu komisurat fiksohen në graft.

Butonet koronare të shkëputura më parë qepen në vrimat e hapura në graftin Dacron dhe zëvendësimi i rrënjës aortale përfundon.

Pjesa distale e graftit Dacron apo rrënjës së re të aortës anastomozohet në indin aortik të paprekur ose përmes një grafti të dytë Dacron, dhe operacioni përfundon.

Procesi pas operacionit

Rehabilitimi postoperativ te pacientët me ndërhyrje kirurgjike në zemër dhe në aortë nuk dallon shumë. Pacientët zakonisht lirohen në shtëpi në ditën e 7 pas operimit. Me ndërhyrjen kirurgjikale tradicionale që përfshin një prerje të sternumit, shumica e pacientëve mund të kthehen në aktivitetet e tyre të përditshme brenda pak javësh. Megjithatë, shërimi i plotë mund të zgjasë 2-3 muaj. Me ndërhyrjen minimale invazive nën sqetull, pacientët mund të kthehen në aktivitetet e tyre të përditshme dhe të punojnë më shpejt sesa me ndërhyrjen kirurgjikale të hapur. Për më tepër, nuk ekziston nevoja për përdorim të përjetshëm të antikoagulantëve (hollues gjaku), duke minimizuar rrezikun e ndërlikimeve nga valvulat artificiale. Pacientët marrin aspirinë me dozë të ulët për 3-6 muaj pas operacionit.

Sa është e suksesshme ndërhyrja kirurgjike sipas Davidit?

Procedura David është një teknikë kirurgjikale e sigurt dhe efektive për trajtimin e problemeve të valvulës aortale dhe rrënjës së aortës. Ruajtja e valvulës aortale native të pacientit përmirëson cilësinë e jetës së pacientit pas operacionit dhe zvogëlon rrezikun e komplikacioneve afatgjata.

Ndërhyrja riparon me sukses rrënjën dhe valvulën e aortës në më shumë se 95% të rasteve.

Shkalla mbijetesës në ndërhyrjen kardiokirurgjike David është mbi 99 përqind në pacient të zgjedhur.

Në varësi të gjendjes së valvulës, ka të ngjarë që pacienti të mos ketë nevojë për një ndërhyrje tjetër kirurgjikale të valvulës së aortës. Shumica e pacientëve (92% deri në 98%) nuk do të kenë nevojë për një të tillë brenda 10 viteve nga operacioni.

Përafërsisht 95% e pacientëve me anatomi të valvulës aortale trikuspidale ose çrregullime të indit lidhës nuk kanë nevojë për përsëritje të kirurgjisë së valvulës aortale pas 10 vitesh dhe nuk përjetojnë pamjaftueshmëri të rëndë të valvulës aortale.

Sidoqoftë përpara se të marrin në konsideratë ndërhyrjen kirurgjikale, është e rëndësishme që pacientët të konsultohen me një kardiokirurg me përvojë në kirurgjinë zemrës dhe aortës dhe të marrin informacion të detajuar në lidhje me rreziqet dhe përfitimet e procedurës. /Telegrafi/

Referencat:
• 1.Arabkhani B, Klautz RJM, de Heer F, et al. A multicentre, propensity score matched analysis comparing a valve-sparing approach to valve replacement in aortic root aneurysm: Insight from the AVIATOR database. Eur J Cardiothorac Surg 2023;63:ezac514. 10.1093/ejcts/ezac514
• 2.Isselbacher EM, Preventza O, Hamilton Black J, 3rd, et al. 2022 ACC/AHA Guideline for the Diagnosis and Management of Aortic Disease: A Report of the American Heart Association/American College of Cardiology Joint Committee on Clinical Practice Guidelines. Circulation 2022;146:e334-482. 10.1161/CIR.0000000000001106
• 3.Mastrobuoni S, Govers PJ, Veen KM, Jahanyar J, van Saane S, Segreto A, Zanella L, de Kerchove L, Takkenberg JJM, Arabkhani B. Valve-sparing aortic root replacement using the reimplantation (David) technique: a systematic review and meta-analysis on survival and clinical outcome. Ann Cardiothorac Surg. 2023 May 31;12(3):149-158. doi: 10.21037/acs-2023-avs1-0038. PMID: 37304702; PMCID: PMC10248907.
• 4. Cardiac Surgery Operative technique 2nd edition 2012

The post Zëvendësimi i rrënjës së aortës duke kursyer valvulën aortale – Operacioni David appeared first on Telegrafi.

Dhimbjet e qafës dhe shpinës nga Enthesopathia: Shkaqet, simptomat dhe trajtimi

Nga inflamacioni tek ndryshimet degjenerative: Diagnostikimi, grupet e rrezikuara dhe qasjet terapeutike

 

Dr. Nexhmedin Duriqi, Specialist i Ortopedisë – Kirurg spinal
383 44 233 485; Nex68@yahoo.com; Dr.duriqi@gmail.com
Dr. Adnan Duriqi, Specializant i Ortopedisë
Adnanduriqi0@gmail.com

Shtylla kurrizore është struktura qendrore që mban trupin në ekuilibër dhe lejon lëvizje të lira në përditshmëri. Rajoni cervical dhe torakolumbal është një zonë kyçe për shpërndarjen e forcave biomekanike gjatë çdo aktiviteti fizik. Në këtë rajon, pikat ku tendinat, ligamentet dhe kapsulat artikulare fiksohen në kockë, luajnë një rol kritik në stabilitetin e shtyllës kurrizore.

Enthesopathia thoracolumbalis është një gjendje patologjike ku pësojnë ndryshime inflamatore ose degjenerative, shpesh si pasojë e mbingarkesës mekanike, mikrotraumave të përsëritura ose sëmundjeve sistemike si spondiloartropatitë. Ndërkohë që në dukje mund të duket si një problem “lokal”, pasojat e saj ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e jetës së pacientit, duke e kufizuar në aktivitetet e punës, sportit dhe madje edhe në lëvizjet më të thjeshta të përditshme.

Enthesopathia cervicalis përbënë një nga arsyet më të zakonshme të konsultimeve mjekësore dhe është një problem i shpeshtë që ndikon në cilësinë e jetës së shumë pacientëve. Ato mund të jenë pasojë e ndryshimeve inflamatore, degjenerative ose mekanike, të cilat ngjajnë dhe ndërlidhen shpesh me proceset patologjike që ndodhin edhe në rajonin torakolumbal.

Entezat janë struktura të përbëra nga fibra kolagjeni që kalojnë gradualisht në kockë, duke vepruar si ‘amortizatorë’ ndaj forcave të tërheqjes dhe kompresionit. Në enthesopatinë cervicale apo torakolumbale:

▪ Mikrotraumat e përsëritura çojnë në inflamacion lokal (enthesitis).
▪ Inflamacioni i vazhdueshëm mund të shkaktojë kalcifikim ose formim osteofitesh.
▪ Në sëmundjet inflamatore (p.sh., spondiloartropatitë), ky proces shoqërohet me reaksione autoimune që përshpejtojnë dëmtimin.
▪ Ndryshimet degjenerative lidhen me moshën, humbjen e elasticitetit dhe ngarkesën kronike mbi strukturat.

Ankesat e pacientëve

Pacientët me enthesopati torakolumbale shpesh paraqiten me një dhembje të thellë dhe të bezdisshme në rajonin torakolumbal, e cila rritet gjatë aktivitetit fizik dhe mund të bëhet aq e mprehtë sa të ndërpresë punën apo aktivitetet e përditshme. Ata e përshkruajnë ndjesinë si një ‘ngurtësi’ që i shoqëron sidomos në mëngjes, duke e bërë të vështirë ngritjen nga shtrati ose përkuljen për të kryer detyra të thjeshta. Lëvizjet si përkulja përpara, kthimi i trupit në anë apo ngritja e peshave shpesh shkaktojnë një përkeqësim të menjëhershëm të dhembjes, ndërsa qëndrimi për kohë të gjatë në një pozicion, qoftë ulur apo në këmbë, e intensifikon ndjesinë e parehatshme. Shpesh ata shfaqin lodhje të muskujve paravertebralë dhe ndjeshmëri të theksuar në prekje, gjë që i bën të shmangin lëvizjet spontane.

Në mënyrë të ngjashme, pacientët me enthesopati në rajonin e qafës përjetojnë dhembje të vazhdueshme dhe ngurtësi që kufizon lëvizshmërinë e kokës dhe shpinës së sipërme. Këto dhembje shpesh intensifikohen gjatë aktiviteteve të përditshme si kthimi i kokës, qëndrimi në pozicione të tensionuara në punë me kompjuter, apo gjatë ngritjes së objekteve. Ngurtësia e mëngjesit është gjithashtu e zakonshme, duke e bërë fillimin e ditës sfidues. Në raste më të rënda, dhembja mund të përhapet drejt shpatullave dhe krahëve, duke sjellë ndjesi shpimi ose mpirje. Kjo gjendje ndikon dukshëm në cilësinë e jetës, duke vështirësuar kryerjen e detyrave të thjeshta dhe duke shkaktuar lodhje të përgjithshme. Në raste më të avancuara, dhembja nuk kufizohet vetëm në kohën e aktivitetit, por vazhdon edhe gjatë pushimit, duke ndikuar në cilësinë e gjumit dhe duke sjellë një ndjenjë ankthi e pasigurie për përkeqësimin e mëtejshëm të gjendjes.

Cilët persona janë më të atakuar nga enthesopathia cervicale dhe torakolumbale?

Enthesopathia cervicale dhe torakolumbale zakonisht prekin persona që ushtrojnë aktivitete me ngarkesa fizike të përsëritura, mbajnë pozicione të zgjatura statike, ose kanë lëvizje të përsëritura që stresojnë zonën e qafës dhe shpinës së mesme e të poshtme. Profesionet më të rrezikuara përfshijnë punonjësit e ndërtimit, stafin e kujdesit shëndetësor, shoferët që qëndrojnë shumë orë në pozicion ulur, punonjësit në sektorin e teknologjisë që përdorin kompjuter për periudha të gjata, si dhe sportistët që ushtrojnë aktivitete me lëvizje të përsëritura ose ngarkesa të mëdha në këto rajone. Gjithashtu, personat me obezitet, ata që kanë posture të dobët, dhe ata që kanë patologji të tjera muskulore ose kockore janë më të predispozuar për zhvillimin e enthesopathisë në zonat torakolumbale dhe cervicale.

Ekzaminimi fizik

Gjatë ekzaminimit shpesh vërehet qëndrimi i kujdesshëm të pacientit, i cili përpiqet të shmangë çdo lëvizje të papritur që mund t’i shkaktojë dhembje. Palpacioni mbi zonën cervicale apo torakolumbale zbulon pikë të ndjeshme, sidomos mbi vendet e fiksimit të ligamentit supraspinal dhe interspinal, ku pacienti shpesh reagon me një kontraksion të lehtë refleks për shkak të dhembjes. Lëvizjet e shtyllës janë shpesh të kufizuara, përkulja përpara, ekstensioni dhe rotacioni kryhen me ngadalë dhe shpesh me ndihmën e muskujve të tjerë për të kompensuar segmentin e prekur. Në disa raste, tensioni i muskujve paravertebralë është i dukshëm, si një mur mbrojtës që trupi ngre për të kufizuar lëvizjen e dhembshme. Vërehet gjithashtu se pacienti ruan një posturë të ndryshuar, herë me lehtësim të lordozës lumbale dhe herë me një tendencë për të mbajtur shpinën më të drejtë se normalisht, për të minimizuar shtrirjen e strukturave të dhembshme.

Diagnostika

Diagnoza e enthesopatisë cervicale dhe torakolumbale kërkon një vlerësim të kujdesshëm, ku përfshihen të dhënat e historisë klinike me gjetjet objektive dhe imazherike. Mjeku nis duke ndërtuar një tablo të plotë nga rrëfimi i pacientit, duke vlerësuar natyrën e dhembjes, kohëzgjatjen e saj, faktorët që e përkeqësojnë ose lehtësojnë, si dhe ndikimin që ka në jetën e përditshme. Më pas, ekzaminimi fizik konfirmon dyshimet klinike dhe orientohet drejt analizave të mëtejshme.

Radiografia e shtyllës cervicale apo torakolumbale shpesh është hapi i parë në hetim, duke zbuluar prani të osteofiteve, kalcifikime në zonat e entezave apo shenja të hershme të spondilozës. Nëse dyshohet për proces inflamator aktiv ose dëmtime të indeve, përdorimi i rezonancës magnetike (MRI) ofron një pamje të detajuar, ku mund të dallohet edemë, inflamacion ose ndryshime të hershme që radiografia nuk i kap. Në disa raste, ekografia muskuloskeletale shërben si një mjet i shpejtë dhe praktik, sidomos për të vlerësuar sipërfaqet e prekura ose për të udhëhequr injeksionet terapeutike.

Nëse ekziston dyshimi për një sëmundje inflamatore sistemike, kërkohen analiza laboratorike si ESR, CRP dhe testi HLA-B27, të cilat ndihmojnë në identifikimin e patologjive si spondiloartropatitë. Në këtë mënyrë, diagnostika nuk kufizohet vetëm në konstatimin e një lezioni lokal, por shikon të gjithë pacientin, duke u përpjekur të zbulojë jo vetëm pasojën, por edhe shkakun e saj.

Trajtimi

Menaxhimi i enthesopatisë cervicale dhe torakolumbale kërkon një qasje të kujdesshme dhe të individualizuar, sepse çdo pacient ka një histori, stil jete dhe pritshmëri të ndryshme. Qëllimi kryesor është lehtësimi i dhembjes, rikthimi i funksionit normal dhe parandalimi i përsëritjes së problemit.

Në shumicën e rasteve, trajtimi nis me masa konservative. Mjeku këshillon pushim relativ, duke shmangur ngarkesat e rënda dhe lëvizjet që provokojnë dhembjen, por pa e imobilizuar plotësisht pacientin. Përdorimi i medikamenteve antiinflamatore jo-steroidalë (NSAIDs) është një nga mjetet kryesore për të ulur inflamacionin dhe për të përmirësuar lëvizshmërinë. Nëse tensioni muskulor është i madh, mund të rekomandohen edhe relaksues muskulorë për një periudhë të shkurtër.

Kur masat e thjeshta nuk japin rezultat, mund të rekomandohet ndërhyrje më të avancuara, si injeksionet lokale me kortikosteroide për të qetësuar inflamacionin, ose përdorimin e PRP (plasma e pasur me trombocite) për të stimuluar rigjenerimin e indeve të dëmtuara. Në rastet kur shkaku është një sëmundje inflamatore sistemike, përfshihet trajtimi specifik me medikamente antireumatike ose biologjike.

Një pjesë thelbësore e trajtimit është edukimi i pacientit. Tregohen teknikat e duhura të qëndrimit, mënyrën korrekte të ngritjes së peshave, rëndësinë e mbajtjes së peshës trupore në kufijtë normalë dhe rolin e aktivitetit fizik të moderuar në parandalimin e dëmtimeve të reja. Trajtimi nuk përfundon me largimin e dhembjes akute, ai vazhdon me ndryshimin e zakoneve të përditshme, duke siguruar që shëndeti i shtyllës kurrizore të ruhet afatgjatë.

Përfundimi

Enthesopathia cervicalis dhe thoracolumbalis nuk është vetëm një term mjekësor, por një realitet i dhembshëm për shumë pacientë që e ndjejnë çdo ditë në trupin e tyre. Dhembjet në qafë dhe në zonën torakolumbale nuk janë thjesht dhembje muskulore; ato mund të jenë shenjë e patologjive të ndryshme që kërkojnë vëmendje të veçantë. Prandaj, një ekzaminim i saktë dhe i plotë, duke filluar nga kontrolli klinik deri te ekzaminimet radiologjike, është thelbësor për të identifikuar natyrën e dhembjes dhe për të vendosur trajtimin më të përshtatshëm. Kujdesi ndaj kësaj patologjie duhet të jetë gjithëpërfshirës, duke kombinuar njohuritë shkencore me ndjeshmërinë njerëzore, sepse mjekësia nuk ka të bëjë vetëm me shërimin e trupit, por edhe me rikthimin e jetës që dhembja ia ka marrë pacientit. /Telegrafi/

The post Dhimbjet e qafës dhe shpinës nga Enthesopathia: Shkaqet, simptomat dhe trajtimi appeared first on Telegrafi.

Kolonoskopia si metodë parandaluese e kancerit të zorrës së trashë

Një procedurë jetësisht e rëndësishme që zbulon, trajton dhe parandalon sëmundjet e zorrës së trashë – zbulimi i hershëm që mund t’ju shpëtojë jetën

Dr. Driton Shabani, MD,
Gastroenterohepatolog, PhD candidate
Tel. 044440890

Kolonoskopia është incizim me kamerë i zorrës së trashë. Kjo procedurë realizohet përmes një tubi fleksibil, i cili në pjesën fillestare ka të vendosur një kamerë.

Përmes kolonoskopisë ne mund të zbulojmë shumë sëmundje të zorrës së trashë; para së gjithash, ne mund ta zbulojmë, trajtojmë (në fazat e hershme) dhe parandalojmë kancerin e zorrës së trashë.

Kanceri kolorektal është shkaku i dytë më i zakonshëm i vdekjes nga kanceri në Shtetet e Bashkuara. Ekzaminimi i rregullt mund të zbulojë tumorin kolorektal kur ai është në fazat e hershme dhe nuk është përhapur, apo të parandalohet duke gjetur dhe hequr polipet, të cilat kanë shanse për t’u shndërruar në tumore.

Po ashtu, përmes kolonoskopisë mund të identifikojmë edhe:

▪ Inflamacionin (pezmatimin) e zorrës së trashë

▪ Divertikulozat – qeska të murit të zorrës së trashë, të cilat mund të infektohen apo të gjakosin dhe të paraqesin rrezik për organizmin, madje edhe vdekjeprurës

▪ Malformimet (angiektazitë) e enëve të gjakut të zorrës së trashë, të cilat janë shkaktarë të shpeshtë të gjakderdhjeve, sidomos te moshat e shtyera

▪ Hemorroidet e brendshme dhe të jashtme, etj.

Cilat simptoma dhe shenja tregojnë se duhet bërë menjëherë kolonoskopia

▪ Barkqitjet ujore apo me gjak – nëse janë përjashtuar shkaktarët infektivë apo barkqitja është kronike (më shumë se 3 javë)

▪ Kapsllëku – nëse perziston edhe përkundër përmirësimit të stilit të jetës, konsumimit të ushqimeve me fibra, aktivitetit fizik, eliminimit të barnave që shkaktojnë kapsllëkun, përjashtimit të problemit të gjëndrës tiroide, etj., atëherë duhet menjëherë të bëhet kolonoskopia

▪ Jashtëqitjet me gjak, sidomos kur pacienti mohon se ka problem me hemorroide, janë shenjë (red flag) që duhet patjetër dhe menjëherë të bëhet kolonoskopia

▪ Humbja e peshës dhe ndjenja e lodhjes pa ndonjë arsye janë shenja të shpeshta të malinjitetit të zorrës së trashë.

Nëse nuk keni simptoma, kur duhet të bëhet kolonoskopia?

Shoqata Amerikane e Kancerit (ACS) ka udhëzime për shqyrtimin e kancerit kolorektal dhe rekomandon që njerëzit me rrezik mesatar për kancer kolorektal të fillojnë shqyrtimin në moshën 45-vjeçare. Por, ata persona me rrezik të lartë, si dhe personat që kanë histori pozitive familjare (dmth. kanë apo kanë pasur ndonjë anëtar të familjes me kancer të zorrës së trashë), atëherë duhet të fillohet edhe më herët.

Në përditësimin më të fundit të udhëzimeve, Shoqata Amerikane e Kancerit (ACS) uli moshën nga 50 vjeç në 45 për shkak se numri i personave të prekur nga kjo sëmundje te njerëzit më të rinj se të 50-tat është në rritje.

Realizimi i kolonoskopisë duke filluar nga mosha 45 vjeç mund të ndihmojë në shpëtimin e më shumë jetëve. Depistimi duhet të bëhet deri në moshën 75-vjeçare, një herë në 10 vjet.

Si bëhet përgatitja

Tri ditë para ekzaminimit preferohet të konsumohet ushqim i lëngshëm me përmbajtje të ulët fibrash. Ndërsa 24 orë para incizimit – vetëm lëngje pa ngjyrë (ujë, lëng molle pa ngjyrë, etj.), si dhe një sasi e lëngut laksativ (të përshkruar nga mjeku juaj).

Sa zgjat procedura e kolonoskopisë

Kolonoskopia diagnostike zgjat deri në 30 minuta, ndërsa nëse është e nevojshme të hiqen polipet apo të merren biopsi, mund të zgjasë më shumë.

Përfundim

Nëse ju bëni screening kolonoskopie, ju mund të shpëtoni jetë! Një studim i bërë në Shtetet e Bashkuara tek veteranët, nga viti 1997–2010, zbuloi se kolonoskopia ka shoqëruar në rënie të mortalitetit nga kanceri kolorektal në 61%.

Polipet e zorrës së trashë, si dhe lezionet prekanceroze, mund të shoqërohen pa kurrfarë shenje laboratorike apo klinike, prandaj vetëm përmes kolonoskopisë ne mund t’i zbulojmë ato.

Të mendosh për shëndetin do të thotë që mbi moshën 45-vjeçare (te ata me rrezik të lartë apo anëtarë në familje me kancer të zorrës së trashë edhe më herët) të bëni një kolonoskopi. /Telegrafi/

The post Kolonoskopia si metodë parandaluese e kancerit të zorrës së trashë appeared first on Telegrafi.

Lëkundje tërmeti regjistrohen në vend, epiqendra në Vorë, ja sa ishte magnituda

✇Albeu
By: M C

Lëkundje tërmeti janë regjistruar pak pas mesditës sot në kryeqytet.

Epiqendra e tërmetit me magnitudë 3 ballë raportohet se ishte 9 km në veri-perëndim të Vorës.

Ndërkohë thellësia fokale ishte 15 kilometra.

The post Lëkundje tërmeti regjistrohen në vend, epiqendra në Vorë, ja sa ishte magnituda appeared first on Albeu.com.

FSHF: Vijojnë punimet për tribunën e re qendrore në stadiumin e Vorës

TIRANË, 30 korrik /ATSH/ Federata Shqiptare e Futbollit bën me dije se punimet për ndërtimin e tribunës së re qendrore në stadiumin e qytetit të Vorës po vijojnë me ritme të larta.

Sipas FSHF-së, ndërhyrjet parashikojnë rikonstruksionin e dhomave të zhveshjes për lojtarët, ambientet për stafet teknike, si edhe hapësira të tjera funksionale, të domosdoshme për garantimin e standardeve bashkëkohore të funksionimit të impiantit.

“Aktualisht janë hedhur themelet e strukturës, ndërsa në ditët në vijim pritet të nisë faza e betonimit të plintave”, thuhet në njoftimin e FSHF-së.

Ky është një investim i përbashkët mes Federatës së Futbollit dhe Bashkisë Vorë që synon të transformojë plotësisht infrastrukturën e stadiumit dhe t’i japë një pamje të re dhe moderne në prag të edicionit të ri futbollistik.

/e.i/r.e/

The post FSHF: Vijojnë punimet për tribunën e re qendrore në stadiumin e Vorës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Në Vorë vijon prej orësh përballja me flakët, Hoxha: U evakuuan banorët, në terren 2 helikopterë

TIRANË, 27 korrik/ATSH/ Në Vorë prej orësh dhjetëra forca zjarrfikëse, punonjës të Emergjencave Civile vendore, Policisë së Shtetit dhe helikopterë të Forcave të Armatosura po përballen me flakët në një terren të thyer, duke mbrojtur banesat dhe pyjet.

Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha ishte pranë forcave operacionale në zonë ku në koordim mes tyre trupat e policisë, ushtrisë dhe emergjencave po punojnë për fikjen e zjarrit.

Hoxha u shpreh se flakët janë zjarrvënie e qëllimshme. Ato kanë nisur në Shijak dhe kanë marrë kodrat mes Vorës dhe Shijakut.

Hoxha informoi se 2 helikopterë po punojnë shumë fort për të marrë masa për shuarjen e menjëhershme te zjarrit.

Sipas tij, flakët kanë 24 orë që vazhdojnë dhe janë evakuuar të gjithë banorët.

Ministri garantoi se janë marrë të gjitha masat që së bashku, policia, ushtria dhe forcat e mbrojtjes civile të 3 bashkive Kamzë, Vorë dhe Tiranë të vendosin nën kontroll vatrën.

The post Në Vorë vijon prej orësh përballja me flakët, Hoxha: U evakuuan banorët, në terren 2 helikopterë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Spiropali në Vorë: Ndihmë falas për qytetarët në përdorimin e mbi 1200 shërbimeve online

TIRANË, 24 korrik/ATSH/ Qytetarëve në gjithë vendin po u ofrohet asistencë e përditshme pranë bashkive në përdorimin e aplikimeve të ndryshme elektronike të Platformës Qeveritare të Ndërveprimit e-Albania, që lidh institucionet, shmang radhët fizike dhe kursen kohë në marrjen e dokumenteve.

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali ishte sot në bashkinë e Vorës, ku vizitoi nga afër sportelet e vendosura në dispozicion të qytetarëve.

“Çdo ditë, 10–15 qytetarë drejtohen pranë bashkisë Vorë për ndihmë në përdorimin e mbi 1200 shërbimeve të ndryshme online. Fluksi rritet të hënave dhe të enjteve, gjatë ditëve të tregut, kur në qytet vijnë edhe banorë nga zonat përreth”, u shpreh Spiropali.

Kryetarja e Kuvendit informoi se mbështetja ofrohet falas, në tri zyra të posaçme, nga punonjës të trajnuar me profesionalizëm dhe përkushtim, për ta sjellë administratën më pranë qytetarit.

95% e shërbimeve publike të institucioneve qendrore janë tashmë të aksesueshme me një klikim të vetëm duke ofruar shërbime për mbi 3,3 milionë qytetarë dhe biznese.

/m.m/r.e/

The post Spiropali në Vorë: Ndihmë falas për qytetarët në përdorimin e mbi 1200 shërbimeve online appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dhimbjet në qafë dhe në shpinë – shkaqet, trajtimi, parandalimi

Kur dhimbjet në shpinë nuk zgjedhin moshë: Si t’i parandaloni

Dr. Nexhmedin Duriqi
Ortoped spinal
tel. +38344 233485
dr.duriqi@gmail.com, nex68@yahoo.com

Dhimbjet në qafë dhe në shpinë janë të gjitha ato dhembje që vijnë si pasojë e ndryshimeve funkcionale në muskuj, ngjitjet e muskujve në skajet e unazave, ndryshimet në disqet ndërunazore apo ato degjenerative të unazave të shtyllës kurrizore, duke prekur apo dëmtuar edhe nervat e atij regjioni.

Statistikat tregojnë se 90 për qind e njerëzve në botë kanë përjetuar dhimbje shpine në një moment të jetës së tyre.

Problemi me shpinën dhe shtyllën kurrizore i prek të gjithë njëlloj, si të rinjtë dhe të moshuarit, njerëzit e të gjitha profesioneve. Prandaj është shumë e rëndësishme që të zgjidhet në kohë dhe të mos lejohet përkeqësimi i mëtejshëm apo shkaktimi i mundshëm i dhimbjeve.

Profesionet që më së shpeshti janë të atakuar nga dhimbjet e qafës dhe të shpinës në përgjithësi janë:

Punëtorët e punëve të rënda fizike- bartja e një ngarkese të madhe, stomatologët, kirurgët, floktarët, punëtorët e zyrave (profesionet e lidhura me kompjuterin), muzikantët (pozicion i detyruar i trupit), shoferët profesionistë (ulje e tensionuar), amvisat, etj.

Dhimbja e shpinës ndikon ndjeshëm në cilësinë e jetës. Në rastin e dhimbjeve kronike dhe të përhershme, zhvillohet ankthi, depresioni dhe ndryshime tjera psikosomatike në karakterin e një personi.

Dhimbja e qafës dhe shpinës (dorsalgjia) mund të jetë akute ose kronike.

Dhimbja akute është shpesh e menjëhershme dhe nuk zgjat më shumë se disa ditë ose javë. Kryesisht shfaqet si pasojë e dëmtimit mekanik (shtrirje, ndjesi shpimi gjilpërash, rënie) ose artriti. Kjo dhimbje më së shpeshti përshkruhet si therëse, ose e lehtë dhe e moderuar. Lëvizshmëria zakonisht është e kufizuar dhe ngritja vetë shpesh parandalohet.

Dhimbja kronike e shpinës zgjat një kohë të gjatë (më shumë se tre muaj) dhe shfaqet gradualisht. Shkaqet janë të shumta dhe të ndryshme, të vështira për t’u përcaktuar, ndaj mendimi dhe vlerësimi i ekspertit është i nevojshëm. Kjo lloj dhimbjeje prek më së shumti jetën e përditshme dhe shpesh dëgjohet se njerëzit kanë “mësuar të jetojnë me të”.

Në varësi të vendit të shfaqjes së dhimbjes, dorsalgjia mund të ndahet në:

▪ Dhimbje në pjesën e sipërme të shpinës
▪ Dhimbje në pjesën e poshtme të shpinës
▪ Dhimbje në mes të shpinës
▪ Dhimbje shpine në anën e djathtë
▪ Dhimbje shpine në anën e majtë

Dhimbjet e pjesës së sipërme – qafës

Dhimbjet në qafë zakonisht paraqiten si dhimbja e kufizuar dhe ndonjëherë ajo përhapet në pjesë të tjera të trupit, mund të përhapet tek poshtë apo më së shpeshti në krah ose në duar si dhe dhimbje në mes të dy shpatullave. Zakonisht këto dhembje janë shumë të zakonshme me kufizim të lëvizjes së qafës, ndjenjë shpimi gjilpërash, djegieje dhe dobësie në duar, marramendje, nganjëherë ethe, pagjumësi e më vonë edhe depresion. Është e rëndësishme të kontaktoni një mjek, i cili do të marrë të gjitha masat e nevojshme për të eliminuar dhimbjen dhe shkakun e problemit. Lajmi i mirë është se secila nga këto dhimbje në pjesën e sipërme të shtyllës kurrizore, me përkushtim dhe respekt për terapinë e dhënë, mund të eliminohet brenda pak javësh.

Dhimbje në pjesën e poshtme të shpinës

Ky lloj shqetësimi ndihet në pjesën e poshtme të shpinës ose në regjonin e mesit. Mund të jenë të lokalizuara vetëm në fund të shpinës, por mund të përcillen në kofshë, njërën apo në të dy këmbët e shpesh edhe me probleme me urinim. Më shpesh ndodhin gjatë një ngritjeje të papritur të një peshe më të rëndë, shtrirjes së tepërt të muskujve, apo ndonjë lëvizje të pakontrolluar të trupit.

Dhimbjet e pakëndshme në qafë dhe pjesën e poshtme të shpinës mund të manifestohen edhe si pasojë e sëmundjeve të tjera (artrit, infeksione virale) ose për shkak të deformimeve të shtyllës kurrizore – Kifozat dhe Skoliozat.

Shkaqet më të shpeshta të dhimbjeve në qafë dhe shpinë

Shkaqet më të zakonshme të dorsalgjisë janë qëndrimi i dobët dhe deformimet e shtyllës kurrizore. Shkaku i dytë më i zakonshëm (fiziologjik) janë ndryshimet degjenerative në shtyllën kurrizore dhe veçanërisht në diskun, hernite diskale, pastaj ngushtimet e kanalit spinal – stenozat, tumoret, sindroma piriformis, infeksionet, tumori i shtyllës kurrizore, fibromialgjia, spondiliti ankilozant, koksidinia, gjendjet pas lëndimeve, pas aksidenteve në komunikacion apo në punë.

Çdo person pas moshës 40 vjeçare ka ndryshime në disqet ndërvertebrale, por jo domosdoshmërisht ato të jenë të dhimbshme apo problematike.

Pasojat e sëmundjes

Ndonjëherë dhimbja mund të shfaqet si një efekt anësor i një sëmundeje që në shikim të parë, ka pak të bëjë me shtyllën kurrizore. Gjithashtu, shkaku i kësaj dhimbje mund të jenë disa, mund të thuhet, situata të padëmshme. Kështu, dhimbja dhe ngurtësimi i qafës mund të shfaqen kur lani dhëmbët pas lavamanit, kur hekurosni rrobat, lani enët ose kur frenoni makinën papritur. Shumë shpesh shfaqen dhimbje rrezatuese kur teshtitni ose kolliteni. Dhimbje të tilla mund të jenë edhe pasojë e sëmundjeve më të rënda.

Stresi

Shpesh i nënvlerësuar, por aspak shkaku i padëmshëm i dorsalgjisë është stresi i përditshëm. Tensioni i vazhdueshëm dhe jeta nën stres ndikojnë negativisht në qëndrimin dhe muskujt, prandaj ndodh dhimbja. Obeziteti shkon paralelisht me stresin dhe gjithashtu ka pasoja të paparashikueshme për shtyllën kurrizore.

Pirja e duhanit

Edhe pse do të thuhej se nuk ka shumë lidhje me shpinën, duhanpirja ndikon edhe në shfaqjen dhe zhvillimin e dhimbjeve të shpinës. Pirja e duhanit zvogëlon rrjedhën e oksigjenit në trup dhe e bën më të vështirë që gjaku të arrijë në disk. Në këtë mënyrë përshpejtohen ndryshimet degjenerative. Pirja e duhanit përshpejton plakjen e të gjithë organizmit, duke përfshirë shtyllën kurrizore dhe disqet.

Mosha e vjetër sjell në mënyrë të pashmangshme dhimbje në dhe rreth shtyllës kurrizore ndryshimet osteoporotike ne unaza apo edhe semundjet e tjera degjenerative. Megjithatë, është e mundur të eliminohen shkaqet që kontribuojnë në zhvillimin më të shpejtë të ndryshimeve degjenerative, si dhe të lehtësohen dhimbjet në pleqëri. Ekzaminimet në kohë, si dhe zakonet e shëndetëshme të jetesës, mund ta parandalojnë këtë problem.

Trajtimi dhe terapitë në dhembjen e qafës dhe të mesit

Trajtimi i dhimbjes së shpinës përfshinë lehtësimin e problemit në nivel lokal ose eliminimin e shkakut. Trajtimi mund të kryhet në mënyrat e mëposhtme:

▪ Terapia mjekësore,
▪ Aplikimi i ushtrimeve dhe metodave që nuk përfshijnë barna,
▪ Ndërhyrje kirurgjike – operacione

Terapia me barna

Më shpesh i referohet analgjetikëve (paracetamol, barna antireumatike). Kjo lloj terapie mund të ketë efekte të menjëhershme, por zakonisht nuk është e kënaqshme. Përveç analgjezikëve, përdoren edhe kortikosteroide të injektuara në muskul apo edhe në rrënjët e nervave spinal. Kur bëhet fjalë për terapinë me ilaçe, reagimet më pozitive janë raportuar në të ashtuquajturat relaksues të muskujve. Ky grup barnash ka një efekt relaksues në muskuj, gjë që redukton presionin mbi nervat.

Terapia me ilaçe atribuohet rrallë dhe është më e zakonshme në dhimbjet akute të shpinës dhe shtyllës kurrizore.

Dhimbjet kronike kërkojnë qasje afatgjatë, edukim të pacientit, përfshirje dhe mbështetje nga familja dhe mjedisi.

Terapia fizikale

Kinezioterapia përfshin:

▪ Metoda Schroth (metoda më efektive në eliminimin e problemeve të shkaktuara nga skolioza)
▪ Metoda PNF (Qasje e individualizuar për zgjidhjen e problemeve, me theks në të gjithë organizmin dhe trupin, jo vetëm në nivel lokal)
▪ Teknika Maligan (Teknikë shumë efektive dhe e shpejtë për lehtësimin e dhimbjeve të kyçeve),
▪ Dorezë laser (teknikë efikase, e shpejtë dhe jo invazive)
▪ Tecar (Terapia e synuar me radiofrekuencë e kombinuar me masazh të indeve të buta. Kjo është forma më e fundit e termoterapisë)
▪ Traxioni, tërheqja vertebrale (metodë pa dhimbje dhe jo invazive që është më efektive në rastet e hernies së diskut, daljes së diskut, dëmtimit degjenerativ, uljes së lëvizshmërisë, dhimbjes së kyçeve etj.)
▪ Terapia me valë radiale (Eliminimi i dhimbjeve të kockave dhe muskujve; shumë efektive pas vetëm disa trajtimesh, që zgjat vetëm disa minuta)

Trajtimi kirurgjik zbatohet vetëm në situatat kur të gjitha metodat e tjera të trajtimit rezultojnë të pasuksesshme. Operacioni është i nevojshëm për ata që kanë privim, nuk ndjejnë ekstremitetet dhe në rastet e urinimit të pavullnetshëm dhe pamundësisë për të kontrolluar jashtëqitjen. Urgjencat dhe frakturat e rënda janë gjithashtu indikacione për kirurgji.

Parandalimi i dhimbjes së qafes dhe shpinës

Ashtu sikur me sëmundjet dhe problemet e tjera shëndetësore, në rastin e dhimbjes së shpinës, parandalimi është më i rëndësishmi. I referohet shtretërve, jastëkëve, karrigeve dhe mobiljeve të tjera të përshtatshme. Këpucët e rehatshme janë shumë të rëndësishme, me disa centimetra pjerrësi. Gjithmonë rekomandohet lënia e duhanit dhe aktiviteti fizik i moderuar, sidomos në këtë rast. Noti dhe ecja e shpejtë japin efektin më të madh. Gjithashtu, duhet të kujdeseni për peshën tuaj dhe të hani në mënyrë të moderuar dhe të shëndetshme. /Telegrafi/

The post Dhimbjet në qafë dhe në shpinë – shkaqet, trajtimi, parandalimi appeared first on Telegrafi.

Zgjebja – sëmundja infektive e lëkurës që kërkon kujdes të veçantë

Zgjebja (scabies) është një sëmundje ngjitëse e lëkurës, e shkaktuar nga një parazit mikroskopik që jeton dhe shumon brenda shtresave sipërfaqësore të saj. Ajo shfaqet në të gjitha grupmoshat dhe ka përhapje të shpejtë në kushte ku higjiena është e mangët dhe kushtet ekonomike janë të dobëta. Nëse nuk diagnostikohet dhe trajtohet në kohë, zgjebja mund të marrë një formë të zgjatur dhe kronike

Dr. Erëza Y. Durmishi,
PhD Candidate- Mjekësi Klinike

Si përhapet dhe kush rrezikohet nga zgjebja?

Zgjebja transmetohet përmes kontaktit të ngushtë fizik me një person të infektuar, por edhe përmes objekteve të ndotura, si rrobat, peshqirët dhe çarçafët. Rreziku i përhapjes është më i madh në mjedise kolektive si familjet, kopshtet e fëmijëve, shkollat, konviktet, ambientet e përbashkëta të ushtrisë apo institucioneve të kujdesit social.

Çfarë e shkakton zgjebën?

Shkaktari i saj është paraziti Sarcoptes scabiei var. hominis. Femra e këtij paraziti depërton në shtresën e jashtme të lëkurës (epidermë), ku krijon tunelesh mikroskopike dhe vendos 25–50 vezë. Pas vendosjes së vezëve, ajo ngordh. Gjatë një periudhe prej 2 deri në 3 javë, vezët zhvillohen në larva, të cilat arrijnë të rriten dhe të ripërhapin ciklin infektiv.

Cilat janë simptomat dhe shenjat klinike të zgjebes?

Shenja më e zakonshme dhe më shqetësuese është kruarja intensive, veçanërisht gjatë natës. Kjo ndodh si pasojë e reagimit të trupit ndaj lëvizjeve dhe pranisë së parazitëve dhe produkteve që ata lëshojnë në lëkurë.

Dallimet klinike mund të vërehen sipas moshës dhe gjinisë:

• Te meshkujt, shenjat zakonisht shfaqen rreth organeve gjenitale, në bark, rreth kërthizës, në duar dhe në hapësirat mes gishtërinjve.
• Te femrat, zonat më të prekura janë gjoksi, barku, ekstremitetet dhe po ashtu hapësirat ndërgishtore.
• Tek fëmijët e vegjël dhe foshnjat, ndryshimet në lëkurë mund të vërehen edhe në fytyrë, pëllëmbë dhe shputa – zona të cilat zakonisht nuk preken te të rriturit.

Manifestimet në lëkurë përfshijnë:

• Papula (noduse të vogla),
• Vezikula (flluska të mbushura me lëng),
• Gërvishtje të shumta,
• Herë pas here edhe bula apo urtikarie (skuqje të lëkurës me kruarje të fortë),
• Në raste të avancuara, mund të vërehen infeksione të dytësuara bakteriale (piodermi), me pustula (flluska të mbushura me qelb) dhe krusta (shtresa të forta të tharjes së qelbit).

Në disa pacientë mund të shfaqen noduj të qëndrueshëm (noduli scabiei), të cilët vazhdojnë të jenë prezentë edhe pas trajtimit dhe zhdukjes së parazitit, për shkak të reagimeve imune të lëkurës.

Noduli Scabiei i lokalizuar në ndërsqetull

Si bëhet dallimi nga sëmundje të tjera?

Zgjebja mund të ngatërrohet me shumë sëmundje të tjera të lëkurës që shkaktojnë kruarje. Për këtë arsye, diagnoza duhet të bëhet me kujdes dhe të diferencohet nga:

• Prurigo – një sëmundje me kruarje të vazhdueshme,
• Strophulus – alergji tek fëmijët që krijon flluska dhe kruarje,
• Folliculitis – infeksion i folikulave të qimeve.

Prandaj, konsultimi me mjekun familjar apo dermatologun është i domosdoshëm.

Trajtimi dhe kujdesi mjekësor

Trajtimi i përgjithshëm

Për të arritur rezultat efektiv, të gjithë anëtarët e familjes apo personat që kanë pasur kontakt me të sëmurin duhet të mjekohen njëkohësisht, edhe nëse nuk shfaqin simptoma. Kjo parandalon rikthimin e infeksionit nga persona të padiagnostikuar.

Gjithashtu, është e nevojshme që:

• Të dezinfektohen rrobat, çarçafët, batanijet dhe sendet personale me larje në ujë të nxehtë (minimumi 60°C),
• Të evitohen kontaktet e ngushta derisa trajtimi të përfundojë plotësisht,
• Në rast infeksionesh dytësore, mund të nevojitet trajtim me antibiotikë dhe medikamente qetësuese apo antihistaminike.

Trajtimi lokal

Aplikohet direkt në lëkurë dhe përfshin:

• Preparatet me bazë squfuri, që janë të sigurta edhe për fëmijët;
• Benzoat benzili dhe krotamiton, që përdoren për të vrarë parazitin dhe për të lehtësuar kruarjen;
• Pomada antipruritike për qetësimin e lëkurës;
• Në raste me infeksione sekondare, përdoren pomada me antibiotikë dhe kortikosteroide për të ulur inflamacionin;
• Nodujt që zgjasin më shumë se disa javë mund të trajtohen me injeksione kortikosteroide intralezionale ose në raste të veçanta, me fototerapi PUVA (kombinim i barnave dhe dritës UV).

Zgjebja norvegjeze – Scabies Norvegica

E njohur ndryshe si zgjebja krustoze, kjo formë është më e rrallë dhe më e rrezikshme. Ajo prek zakonisht persona me imunitet të dobësuar, pacientë me probleme neurologjike, psikike ose me aftësi të kufizuara. Në këtë formë, lëkura mbulohet nga shtresa të trasha dhe të ngurta me ngjyrë gri, të cilat janë të ngarkuara me mijëra parazitë.

Zonat më të zakonshme ku shfaqen lezione janë: koka, fytyra, zverku, bërrylat dhe gjunjët. Për shkak të ngarkesës së lartë me parazitë, zgjebja norvegjeze është jashtëzakonisht ngjitëse dhe kërkon masa të forta izolimi dhe kujdesi mjekësor.

Trajtimi përfshin:

• Heqjen e shtresave të trasha me pomada keratolitike (që zbusin lëkurën),
• Përdorimin e mjeteve antiskabioze për eliminimin e parazitëve,
• Kujdes të veçantë në menaxhimin e higjienës personale dhe mjedisore.

Apel për kujdes dhe ndërgjegjësim

Zgjebja nuk është një problem thjesht estetik apo i përkohshëm, nëse nuk trajtohet siç duhet, mund të përhapet shpejt dhe të sjellë komplikime. Ndaj, është e rëndësishme që çdo person që vëren kruarje të fortë të natës dhe ndryshime në lëkurë, të kërkojë këshillë mjekësore sa më shpejt. Zbatimi i trajtimit korrekt dhe masat higjieno-sanitare janë kyçe për menaxhimin e kësaj sëmundje. /Telegrafi/

The post Zgjebja – sëmundja infektive e lëkurës që kërkon kujdes të veçantë appeared first on Telegrafi.

Helmoi shqiptarët me ushqime të skaduara, Skifter Tagani pronar edhe i një kompanie tjetër

Një aktivitet i rëndë kriminal është zbuluar në fabrikën “Master AL” në Vorë, pronë e Skifter Taganit, i cili rezulton të jetë edhe pronar i kompanisë “ANTER SHPK”, e cila merret me prodhimin e biskotave dhe çokollatave. Hetimet tregojnë se Skifter Tagani grumbullonte ushqime të skaduara nga tregje të ndryshme në Tiranë, Elbasan, Durrës dhe […]

The post Helmoi shqiptarët me ushqime të skaduara, Skifter Tagani pronar edhe i një kompanie tjetër appeared first on BoldNews.al.

Banorët e Treshit pa linjë urbane: “Gjithë jetën në këmbë”

Autor: Franko Saliasi | Citizens.al | Tiranë

Tirana ka 16 linja urbane dhe mbi 300 autobusë, por për banorët e Treshit – një zonë periferike në Njësinë Administrative Nr. 11 – transporti publik mbetet luks i paarritshëm. Me një popullsi prej mbi 65 mijë banorësh, kjo zonë nuk ka qasje të drejtpërdrejtë në asnjë nga linjat ekzistuese.

Banorët kujtojnë për Citizens.al se dikur kanë pasur linjë autobusi, por pas vitit 2020 ajo u hoq.

“Na vunë një herë një autobus të vogël, linja e Bërxullit [njësi e Bashkisë Vorë]… as dy vjet nuk na e lanë,” thotë Xhelali, një nga banorët e zonës. “Pastaj ishte një autobus i linjës së Institutit [Bashkia Kamëz], që u fut te lagjja jonë, pak kohë e lanë edhe atë, para 4-5 vitesh.”

Për të arritur stacionin më të afërt, te Treshi, pranë shinave në rrethin ku bëhen bashkë rrugët “Lunxheri-Kastriotet”, atyre u duhet mbi gjysmë orë ecje, një sfidë që përkeqëson aksesin në arsim, punë e shërbime bazë.

Institucionet përgjegjëse – Bashkia Tiranë, Bashkia Vorë dhe ajo e Kamzës – bëjnë ping-pong me përgjegjësinë, ndërkohë që asnjë zgjidhje konkrete nuk është ofruar që prej ndërprerjes së linjës Kashar-Bërxullë në vitin 2023.

“[…] para pandemisë ka pasur linjë të transportit publik por jo e licencuar nga Bashkia Vorë.” tha kjo bashki për Citizens.al ndërsa nuk shpjegon arsyet se përse nuk u ofrohet një zgjidhje banorëve duke licencuar një kompani.

Qytetarë duke hipur në autobusin e linjës Kamëz-Qendër (Tiranë)/Shinat e Trenit tek Treshit, në kryeqytet.

Banorët flasin për një neglizhencë të thellë: “Janë tallur me ne në këto 30 vite, gjithë jetën në këmbë,” thekson Xhelali.

“Vijnë vetëm për vota,” shprehet e zhgënjyer Rita, një nënë e dy fëmijëve, të cilët ndjekin shkollën në Laprakë – mbi 3 kilometra larg – sepse zona nuk ka gjimnaz.

“E kanë harruar këtë lagjen tonë!” thekson më tej ajo.

Kjo mungesë e qasjes në transport përbën një problematikë serioze të barazisë sociale dhe urbanistike në Tiranë.

Dashnor Memaj, kryetar i Shoqatës së Transportit Urban, konfirmoi për Citizens.al se te zona e ashtuquajtur “Shinat e Trenit” te Treshi, kalojnë linjat “Institut-Qendër” dhe “Kamëz-Qendër”. Ndërkohë rreth 1.2 kilometra më tutje atyre u shërben linja “Vorë-Qendër” te qendra tregtare “Casa Italia”.

“Dal me fëmijët, pasi kanë qejf të shkojnë te lodrat, por na zë frika,” thotë Silva, një tjetër banore, e cila tregon se i druhen faktit se fëmijët lodhen të dalin deri në rrugën kryesore, teksa taksitë kërkojnë 300-400 lekë vetëm për një rrugë.

“Fëmija im shkon në shkollë në këmbë, unë përditë në këmbë, nuk e di si nuk menduan njëherë për ne,” vijoi ajo.

Qytetarë duke ecur në këmbë dhe automjete në rrugën Princ Vidi, ku mungon një linjë e transportit publik.

Bashkia Vorë i tha Citizens.al se për zonën që mbulon “nuk ka pasur ankesa nga banorët për shtim linje të re”.

Citizens iu drejtua Bashkisë Kamëz, e cila tha se “zona te rruga ‘Princ Vidi’ rrugicat përreth, deri në Bërxullë, nuk janë pjesë e juridiksionit të saj”.

Kryetari i Shoqatës së Transportit Qytetas, Kostandin Foni, sugjeroi që për këtë çështje t’i drejtoheshim Drejtorisë së Transportit Publik pranë Bashkisë Tiranë, pasi ajo harton mbulimin me linjat urbane.

Bashkia Tiranë pranoi se për linjën “Kashar-Bërxullë” në periudhën 2018-2023 qe lidhur kontratë shërbimi me kompaninë “Denisi Trans”, por që pas përfundimit të kontratës nuk e ka rinovuar atë.

Njësoj si dy bashkitë e tjera, edhe Bashkia Tiranë nuk sqaroi nëse ka pasur ndonjë studim për këtë komunitet apo për përshtatjen e linjave të tjera për ta mbuluar dhe zonën e Treshit duke e lënë çështjen pa zgjidhje.

The post Banorët e Treshit pa linjë urbane: “Gjithë jetën në këmbë” appeared first on Citizens.al.

Skandali në Vorë/ Ushqimet kishin skaduar në janar, u falsifikonin etiketat për t’u hedhur në treg, çfarë u sekuestrua

✇Albeu
By: V K

Këtë të shtunë, një magazinë ku falsifikoheshin etiketat e produkteve ushqimore të skaduara dhe më pas hidheshin sërish në treg, është zbuluar në Vorë nga Policia e Tiranës.

Administratori i magazinës, Florenc Domi, 38-vjeç dhe magazinieri Agim Domi, 58-vjeç, janë vënë në pranga, ndërsa ortaku dhe shoferi i magazinës po hetohen në gjendje të lirë.

Nga hetimet rezultoi se subjekti me aktivitet import-eksport dhe tregtim të produkteve industriale dhe ushqimore, grumbullonte produkte të skaduara si çokollata, fruta të thata, patatina, kroasan, kikirika nga tregje të ndryshme në Tiranë, Durrës e Elbasan.

Pasi u falsifikonte datat e skadencës i hidhte sërish në treg, pa dokumentacion tatimor.

Gjatë operacionit, u sekuestruan në cilësinë e prova materiale 716 koli dhe dhjetra kilogramë me mallra ushqimorë të përpunuara që kishin afatin e skadencës në janar dhe shkurt 2025 dhe afati i skadencës ishte falsifikuar me qëllim rihedhjen në treg.

Të arrestuarit akuzohen për veprat penale, shkelja e të drejtave të pronësisë industriale”, falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve”, fshehja e të ardhurave, mospagimi i taksave dhe tatimeve”, punësim i paligjshëm dhe importi, prodhimi, shitja, ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve.

The post Skandali në Vorë/ Ushqimet kishin skaduar në janar, u falsifikonin etiketat për t’u hedhur në treg, çfarë u sekuestrua appeared first on Albeu.com.

Skandal në Vorë/ Zbulohen ushqime të skaduara me etiketa false, arrestohen administratori dhe magazinieri, dy të tjerë në procedim (VIDEO+EMRAT)

✇Albeu
By: V K

Policia e Shtetit, ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Siguria Ushqimore”, i zhvilluar nga Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë nr. 7.

Në pranga kanë rënë administratori Florenc Domi dhe magazinieri i subjektit tregtar, Agim Domi.

Ndërkohë, u proceduan penalisht shtetasit S. T., 56-vjeç, ortaku i subjektit dhe A. D., 36-vjeç, shofer i magazinës.

Gjatë këtij operacioni, është zbuluar në zonën e Vorës një magazinë ku falsifikoheshin etiketat e produkteve ushqimore të skaduara, të cilat më pas riktheheshin në treg si të sigurta për konsum.

Në kuadër të këtij hetimi:

U arrestuan në flagrancë administratori i magazinës, F. D., 38 vjeç dhe magazinieri, A. D., 58 vjeç.

U proceduan penalisht ortaku i subjektit, S. T., 56 vjeç dhe shoferi, A. D., 36 vjeç.

Sipas Policisë, subjekti kishte aktivitet në fushën e import-eksportit dhe tregtimit të produkteve industriale dhe ushqimore. Ai grumbullonte mallra të skaduara nga tregjet në Tiranë, Durrës dhe Elbasan, i rietiketonte me data të rreme skadence dhe i hidhte sërish në treg, pa dokumentacion tatimor dhe në shkelje të rënda të sigurisë ushqimore.

Gjatë kontrolleve, u sekuestruan:

716 koli dhe dhjetëra kilogramë produkte ushqimore të përpunuara, të cilave u ishte falsifikuar afati i skadencës (produktet kishin skaduar që në janar dhe shkurt 2025).

Prokuroria e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka marrë në dorë materialet procedurale për vijimin e hetimeve për disa vepra penale, përfshirë:

“Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale”

“Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve”

“Fshehja e të ardhurave”

“Mospagimi i taksave dhe tatimeve”

“Punësim i paligjshëm”

“Importi, prodhimi, shitja, ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve”

Policia e Shtetit fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të ngjashëm në numrin pa pagesë 112 ose përmes aplikacionit Komisariati Dixhital, duke garantuar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm.

Njoftimi:

Finalizohet operacioni policor i koduar “Siguria Ushqimore”, i zhvilluar nga Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DPPSh, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë nr. 7.

Zbulohet në Vorë një magazinë ku falsifikoheshin etiketat e produkteve ushqimore të skaduara, të cilat më pas hidheshin sërish në treg.

Sekuestrohen sasi të mëdha mallrash ushqimore të përpunuara të skaduara në muajin janar dhe shkurt me etiketa skadence të falsifikuara.

Arrestohen në flagrancë administratori i magazinës dhe magazinieri. Procedohen penalisht ortaku dhe shoferi i magazinës.

Në kuadër të planit të masave për kontrollet në magazina, dyqane dhe supermarkete, me qëllim parandalimin e tregtimit të produkteve ushqimore të skaduara, u finalizua operacioni “Siguria Ushqimore”.

Si rezultat i operacionit u arrestuan në flagrancë shtetasit F. D., 38 vjeç, administrator i subjektit dhe A. D., 58 vjeç, magazinier.

U proceduan penalisht shtetasit S. T., 56 vjeç, ortaku i subjektit dhe A. D., 36 vjeç, shofer i magazinës.

Nga hetimet rezultoi se subjekti me aktivitet import-eksport dhe tregtim të produkteve industriale dhe ushqimore, grumbullonte produkte të skaduara nga tregje të ndryshme në Tiranë, Durrës e Elbasan, u falsifikonte datat e skadencës dhe i hidhte sërish në treg, pa dokumentacion tatimor.

Gjatë operacionit u sekuestruan në cilësinë e prova materiale 716 koli dhe dhera kilogramë me mallra ushqimorë të përpunuara që kishin afatin e skadencës në janar dhe shkurt 2025 dhe afati i skadencës ishte falsifikuar me qëllim rihedhjen në treg për shitje.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme për veprat penale “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale”, “Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve”, “Fshehja e të ardhurave”, “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”, “Punësim i paligjshëm” dhe “Importi, prodhimi, shitja, ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve”.

Policia e Shtetit fton qytetarët të denoncojnë çdo rast abuzimi me sigurinë ushqimore në numrin pa pagesë 112.

 

The post Skandal në Vorë/ Zbulohen ushqime të skaduara me etiketa false, arrestohen administratori dhe magazinieri, dy të tjerë në procedim (VIDEO+EMRAT) appeared first on Albeu.com.

Ndikimi i televizionit te fëmijët

Në dekadat e fundit, roli i televizionit dhe pajisjeve me ekran ka ndryshuar thelbësisht jetën e fëmijëve. Ato nuk janë më thjesht burime argëtimi, por janë bërë bashkudhëtarë të përditshmërisë, shpesh herë të pakontrolluar. Por çfarë ndikimi kanë realisht në shëndetin fizik, mendor dhe emocional të fëmijëve tanë?

Dr. Halit Mehmeti,
Pediatër
Tel. 044308026

Akademia Amerikane e Pediatrisë është shumë e qartë në këtë pikë: “Fëmijët më të vegjël se tetëmbëdhjetë deri njëzet e katër muaj nuk duhet të ekspozohen ndaj ekraneve digjitale, përveç video-bisedave” (cituar nga Udhëzuesi i Përdorimit të Mediave për Fëmijët e Vegjël, 2016).

Efektet negative të ekraneve

Zhvillimi gjuhësor dhe kognitiv vonohet

Një studim i publikuar në JAMA Pediatrics (Christakis et al., 2004) tregoi se për çdo orë televizion në ditë në moshën një deri tre vjeç, rritej rreziku për probleme me vëmendjen në moshën shtatë vjeç me dhjetë për qind. Fëmijët mësojnë gjuhën përmes bisedës së drejtpërdrejtë, kontaktit sy më sy, mimikës dhe tonit të zërit.

Televizioni është një mjet njëdrejtimësh – nuk i përgjigjet fëmijës, nuk ndërton dialog. Përmbajtja vizuale e televizorit është e shpejtë dhe shumë stimuluese, duke i bërë fëmijët më pas të jenë më pak të duruar dhe më të shpërqendruar në biseda reale dhe të ngadalta që janë të nevojshme për mësimin e gjuhës. Truri i një fëmije të vogël mëson më mirë përmes ndërveprimit të drejtpërdrejtë dhe lojës. Ekranet nuk e zëvendësojnë këtë formë mësimi.

Çrregullime të gjumit

Një meta-analizë e vitit dymijë e nëntëmbëdhjetë mbi gjashtëdhjetë e shtatë studime (Carter et al.) gjeti lidhje të forta mes ekspozimit ndaj ekraneve dhe kohës më të shkurtër të gjumit, cilësisë së dobët dhe vështirësive për të fjetur. Ekranet ndikojnë në prodhimin e melatoninës dhe mbingarkojnë sistemin nervor, duke e bërë më të vështirë gjumin cilësor.

Rritje e rrezikut për obezitet

Një studim i Qendrës Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (2021) mbi mbi trembëdhjetë mijë fëmijë tregoi se ata që shihnin televizor më shumë se dy orë në ditë kishin indeks të masës trupore më të lartë dhe nivele aktiviteti më të ulëta fizik. Televizori vonon orarin e gjumit, duke ndikuar në çrregullimin e metabolizmit.

Sipas Dr. Sandra G. Hassink nga Akademia Amerikane e Pediatrisë, televizioni ndikon në obezitet jo vetëm duke zëvendësuar lëvizjen, por edhe duke stimuluar konsum të tepruar ushqimesh përmes reklamave.

Shikimi i televizionit nuk është domosdoshmërisht i dëmshëm në vetvete, por ekspozimi i tepruar dhe pa kontroll i fëmijëve para ekranit krijon një mjedis që favorizon sjellje sedentare, ushqim jo të shëndetshëm dhe zakone afatgjata që çojnë në obezitet.

Sjellje agresive dhe desensibilizim emocional

Studimet e bëra nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë në Shtetet e Bashkuara tregojnë se ekspozimi i hershëm ndaj përmbajtjes së dhunshme në televizion rrit ndjeshmërinë ndaj dhunës dhe sjelljet agresive në fëmijëri dhe adoleshencë. Kjo përforcohet nga shkencëtari i njohur Dr. L. Rowell Huesmann nga Universiteti i Michiganit, i cili thotë: “Fëmijët nuk dinë ta ndajnë dhunën fiktive nga realiteti. Nëse ajo serviret si argëtim, e pranojnë si normë.”

Është e këshillueshme që të ketë kujdes në këtë pjesë, sepse shumë raste të tragjedive në shkolla ku fëmijët shkaktojnë dhunë ose vrasje janë të motivuara nga aktet e dhunshme në televizion ose rrjete sociale.

Performanca më e ulët akademike

Një analizë e The Lancet Child & Adolescent Health (2018) mbi katër mijë e pesëqind fëmijë zbuloi se ata që kalonin më shumë se dy orë para ekranit në ditë kishin rezultate më të dobëta në testet e kujtesës, gjuhës dhe zgjidhjes së problemeve.

Sipas Dr. Jeremy Walsh nga CHEO Research Institute në Kanada, “Shumë orë para ekranit zëvendësojnë aktivitetet që stimulojnë zhvillimin, si leximi apo loja.” Ky citat nënvizon një të vërtetë themelore: Ekranet nuk janë vetëm çfarë ofrojnë, por edhe çfarë zëvendësojnë. Çdo orë që një fëmijë kalon para televizorit apo tabletit, është një orë që nuk luan, nuk lexon, nuk ndërton fjalor, nuk mëson të bashkëveprojë dhe nuk zhvillon imagjinatën. Për fëmijën, zhvillimi ndodh në marrëdhënie, jo në pasivitet.

Rekomandime praktike për prindërit:

▪ Për fëmijët nga zero deri në dy vjeç, koha e lejuar para ekranit duhet të jetë zero minuta, përveç rasteve të video-bisedave, ndërsa fokusi duhet të jetë tek ndërveprimi i drejtpërdrejtë dhe loja.
▪ Për fëmijët nga dy deri në pesë vjeç, rekomandohet që koha para ekranit të mos e kalojë një orë në ditë, duke zgjedhur përmbajtje edukative dhe gjithmonë nën mbikëqyrjen e prindërve.
▪ Për fëmijët mbi gjashtë vjeç, koha para ekranit duhet të kufizohet maksimumi deri në dy orë në ditë, duke vendosur rregulla të qarta dhe duke shmangur përdorimin e ekranit para gjumit.

Mjeku i mirënjohur amerikan Dr. Michael Rich nga Shkolla Mjekësore e Harvardit thotë: “Prindërit nuk duhet të kenë frikë nga teknologjia, por duhet ta përdorin me mençuri, duke u bërë vetë shembull.” Në këtë rast është e rëndësishme që të inkurajoni fëmijët në aktivitete fizike, lojëra sociale, lexim dhe ndërveprim prind–fëmijë. Po ashtu, hartimi apo krijimi i një “plani familjar të përdorimit të mediave”, që përfshin rregulla për ekranin në shtëpi. /Telegrafi/

The post Ndikimi i televizionit te fëmijët appeared first on Telegrafi.

Lodhja nga nxehtësia, goditja termike dhe ndihma urgjente paraspitalore

Vera e shumëpritur sjell me vete destinacione joshëse pushimesh, dalje natën, shëtitje përgjatë lumit, not në pishina, lumenj, liqene, det etj. Por kjo stinë sjell një sërë problemesh të mundshme shëndetësore

Prof. ass.dr. Isuf Bajrami
Specialist i mjekësisë urgjente
Qendra e Mjekësisë Urgjente, Prishtinë

Temperatura është një gjendje patologjike për shkak të faktorëve të jashtëm dhe të brendshëm, e cila shkakton një ndryshim të sistemit të termorregullimit hipotalamik. Ajo çon në ngritje të temperaturës së trupit mbi vlerën e konsideruar normale, rreth 36.8°C.

Probleme të vogla të shkaktuara nga nxehtësia:

• Ënjtje e kyçit të këmbës
• Ngërçe, fascie
• Skuqje të shkaktuara nga nxehtësia (miliaria)

Probleme më serioze janë lodhja nga nxehtësia dhe goditja nga nxehtësia. Ato ndodhin në rrethanat e mëposhtme:

1. Goditja klasike e nxehtësisë pa mbingarkesë shkaktohet nga temperaturat e jashtme shumë të larta. Është më e zakonshme te të moshuarit në zonat me klimë shumë të nxehtë.

2. Goditja nga nxehtësia me sforcim shkaktohet nga prodhimi i tepërt i nxehtësisë. Ndodh te: sportistët, punëtorët fizikë, zjarrfikësit, ushtarët fillestarë, përdoruesit e saunës.

3. Medikamentet dhe barnat e ndryshme mund të predispozojnë për zhvillimin e sëmundjes nga nxehtësia. Përveç kësaj, njerëzit që marrin drogë (p.sh. kokainë, ekstazi, amfetaminë) dhe më pas kërcejnë fort mund të sëmuren nga sëmundja e nxehtësisë.

                                                Goditja nga nxehtësia, kategoritë me rrezik dhe simptomat

Vlerësimi

Siguroni vendin e ngjarjes dhe zbatoni masat e mbrojtjes personale. Vlerësoni ABCDE -vlerësoni nivelin e vetëdijes me Glasgow Coma Scale (GCS).

Është e rëndësishme të dyshohet për lodhje nga nxehtësia/goditje nga nxehtësia, të vlerësohet historia mjekësore, rrethanat dhe çrregullimet e vërejtura gjatë ekzaminimit fizik. Megjithatë, mund të jetë e rrezikshme të supozohet se kolapsi i sportistit është shkaktuar vetëm nga nxehtësia.

Shkaqe të tjera të mundshme, si diabeti ose problemet e zemrës, duhet të kontrollohen. Te lodhja nga nxehtësia, pacienti mund të ketë simptoma të ngjashme me gripin si:

• Dhimbje koke
• Të përziera
• Marramendje
• Të vjella
• Spazma

Temperatura e trupit mund të jetë e ngritur (zakonisht nën 41°C), rrahjet e zemrës do të rriten, frymëmarrja përshpejtohet, presioni i gjakut ulet dhe djersitja është e pranishme. Dallimi midis goditjes nga nxehtësia dhe lodhjes nga nxehtësia është se pacienti me goditje nga nxehtësia do të ketë simptoma neurologjike si:

• Çrregullim i vetëdijes
• Ataksi
• Konvulsione

Për më tepër, temperatura e trupit do të jetë gjithmonë e ngritur, rregullisht mbi 41°C. Djersitja nuk duhet të jetë e pranishme.

Vapa është rreziku kryesor jo vetëm për personat që vuajnë nga patologji kardiake. Në rast të humbjes së vetëdijes nevojitet trajtim mjekësor urgjent

Trajtimi

• Filloni të kujdeseni për ABCDE
• Jepni oksigjen (ngopja e synuar >94 %)
• Matni nivelin e glukozës në gjak
• Nëse pacienti është plotësisht i vetëdijshëm dhe pa shqetësime të sistemit nervor qendror (lodhje nga nxehtësia), ai mund të trajtohet me zëvendësim të lëngjeve orale; nëse është e mundur, të përdoret tretësirë izotonike për rehidrim.
• Në rastet e rënda hapni një linjë intravenoze dhe filloni rehidratimin me tretësirë fiziologjike.

Te individët e shëndetshëm me lodhje nga nxehtësia, zëvendësimi fillestar i lëngjeve duhet të administrohet përpara se shenjat vitale të bëhen patologjike.

– Nëse pacienti ka simptoma që tregojnë rraskapitje nga nxehtësia, atëherë duhet të jepet bolus prej 250 ml tretësirë fiziologjike.
– Vëllimet e mëdha të lëngjeve duhet të shmangen pasi ato mund të shkaktojnë edemë të trurit.
– Nëse nuk ka puls qendror ose periferik, atëherë kërkohen boluse prej 250 ml tretësirë fiziologjike, në sasi totale deri në 1 litër.

Kujdesi

Gjatë ekzaminimit të parë, është e nevojshme të hapet linja intravenoze (rruga intraoseale merret parasysh). Shenjat vitale duhet të rivlerësohen pas çdo bolusi të lëngjeve dhe para administrimit të mëtejshëm të lëngjeve.

• Monitoroni vazhdimisht ritmin e zemrës
• Zhvendoseni pacientin nga ambienti i nxehtë ose, nëse është e mundur, largoni shkakun
• Zhvendoseni pacientin në automjet me ajër të kondicionuar, nëse ka mundësi
• Matni temperaturën e trupit të pacientit; do të ishte më mirë të matej temperatura rektale (dhe temperatura e ambientit, nëse është e mundur)
• Hiqni rrobat
• Filloni ftohjen
• Largojeni pacientin nga ambienti i nxehtë
• Spërkateni pacientin me ujë të vakët dhe drejtojini ventilatorët për të fryrë ajrin në lëkurën e lagur.
MOS përdorni ujë të ftohtë sepse mund të shkaktojë vazokonstriksion dhe të reduktojë humbjen e nxehtësisë.
• Mund të vendosni akull në sqetull, qafë dhe ijë
• Vendosni peshqirë të lagur me ujë të ftohtë në faqe, pëllëmbë dhe shputa
• Filloni transportin urgjent të pacientit për në spital me kondicionerin ndezur ose me dritare të hapura
• Nëse pacienti është jashtëzakonisht i shqetësuar dhe i çorientuar, mund t’i jepet diazepam intravenoz (5-10 mg ngadalë intravenoz)
• Çdo gjë e vërejtur dhe e zbatuar duhet të regjistrohet në dokumentacionin mjekësor
• Njoftoni pranimin e urgjencës në spital për mbërritjen e pacientit, nëse është e nevojshme
• Vazhdoni trajtimin e pacientit gjatë rrugës për në spital.

Rekomandime

• Mbani barnat në temperaturë nën 25 °C ose në frigorifer (lexoni udhëzimet për ruajtjen e barit).
• Kërkoni këshillën e mjekut nëse keni sëmundje kronike ose jeni duke marrë medikamente të shumta.

Nëse ju ose të tjerët përreth jush nuk ndiheni mirë:

• Kërkoni ndihmë nëse keni marramendje, dobësi, lodhje, ankth ose jeni jashtëzakonisht të etur dhe keni dhimbje koke të fortë; shkoni në një vend më të freskët sa më shpejt të jetë e mundur dhe matni temperaturën.
• Pini ujë ose lëng frutash për t’u rehidratuar.
• Qetësohuni dhe shtrihuni në një dhomë të ftohur; nëse keni ngërçe të dhimbshme, më shpesh në këmbë, krahë ose bark, shpesh pas punës ose stërvitjes në mot shumë të nxehtë, pini lëngje që përmbajnë elektrolite dhe nëse ngërçet vazhdojnë për më shumë se një orë, kërkoni ndihmë mjekësore.
• Konsultohuni me mjekun në rast të ankesave të tjera ose nëse ankesat e përshkruara zgjasin më shumë.
• Nëse një anëtar i familjes suaj ka lëkurë të thatë, të nxehtë ose është në delir (duke folur në mënyrë jokoherente dhe i shqetësuar), ka konvulsione ose është pa ndjenja, telefononi menjëherë numrin 194, shërbimin e urgjencës mjekësore.

Derisa prisni për mjekun/shërbimet e urgjencës, vendoseni personin në një dhomë të freskët në pozicion horizontal, ngrini këmbët dhe ijet, hiqni rrobat dhe filloni ftohjen e jashtme – si p.sh. pako të ftohta në qafë, sqetull dhe ijë, me ventilator dhe spërkatje të lëkurës me ujë në 25-30°C.

• Matni temperaturën e trupit
• Ftoheni personin derisa temperatura e trupit të bjerë nën 38 °C.
• Mos jepni acid acetilsalicilik ose paracetamol.
• Vendosni personat pa ndjenja në pozicion të shtrirë.
• Ndiqni rekomandimet e institucioneve shëndetësore kombëtare dhe lokale gjatë gjithë kohës së vapës së fortë!

Komplikimet e goditjes nga nxehtësia janë:

• Respiratore – aspirim, bronkospazëm, edemë pulmonare jo kardiogjene, sindromë e shqetësimit respirator akut, pneumoni, infarkt pulmonar, hemorragji pulmonare
• Kardiake – dekompensim kardiak, infarkt akut i miokardit, çrregullime të ritmit
• Hipotension
• Konvulsione
• Rabdomiolizë
• Insuficiencë renale akute
• Dëmtim akut i mëlçisë
• Koagulopati intravaskulare e diseminuar (DIC)

Përmbledhje

• Lodhja dhe goditja e nxehtësisë ndodhin në temperatura të larta të jashtme, si pasojë e prodhimit të tepërt të nxehtësisë dhe gjatë marrjes së disa medikamenteve dhe barnave.
• Sa më tepër të ulet temperatura e mjedisit, aq më shumë zvogëlohet mundësia për goditje nga nxehtësia.
• Te sportistët nuk duhet gjykuar se bëhet fjalë për kolaps nga nxehtësia, por duhet kontrolluar shkaktarët e tjerë.
• Te lodhja nga nxehtësia, pacienti mund të ketë simptoma të ngjashme me gripin, siç janë dhimbja e kokës, mundimi, të vjellat, marramendja dhe ngërçet, por temperatura nuk do të thotë se është gjithmonë e ngritur.
• Te goditja termike, pacienti do të ketë simptoma neurologjike siç janë çrregullimet e vetëdijes, ataksia dhe konvulsionet, ndërsa temperatura trupore do të jetë e ngritur, zakonisht mbi 41°C.
• Në rast të lodhjes ose rraskapitjes nga nxehtësia dhe goditjes termike, pacienti duhet të transportohet me kujdes mjekësor nga ekipi i urgjencës për trajtim spitalor.

/Telegrafi/

The post Lodhja nga nxehtësia, goditja termike dhe ndihma urgjente paraspitalore appeared first on Telegrafi.

Asamblea e OSBE/ Denoncimi i Vokshit: Ditën e zgjedhjeve, u kërcënova me vajzën time

Deputetja e Partisë Demokratike, znj. Albana Vokshi, ka marrë pjesë ditën e sotme në punimet e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, që po zhvillohet në Porto të Portugalisë. Gjatë fjalës së saj para të pranishmëve, Vokshi dëshmoi mbi ndërhyrjen e krimit të organizuar në zgjedhjet e 11 majit në Shqipëri, duke e cilësuar Vorën si shembullin […]

The post Asamblea e OSBE/ Denoncimi i Vokshit: Ditën e zgjedhjeve, u kërcënova me vajzën time appeared first on BoldNews.al.

Pasojat e mbidozimit me rrezatim në Onkologji – Rreziqet e padukshme të terapisë së shpresës

Radioterapia është një nga shtyllat kryesore të trajtimit të kancerit, së bashku me kirurgjinë dhe kimioterapinë. Ajo përdor rrezatim jonizues për të shkatërruar qelizat kancerogjene ose për të frenuar rritjen e tyre. Megjithatë, si çdo trajtim mjekësor, edhe radioterapia duhet të administrohet me kujdes dhe saktësi të lartë.

Msc. Fesal Selimi, PhDc.
Ekspert i Fizikës Mjekësore & Ekspert për Mbrojtje nga Rrezatimi

Mbidozimi, pra ekspozimi aksidental ndaj një doze më të lartë se sa e planifikuar, përbën një rrezik serioz për pacientin dhe mund të çojë në pasoja të rënda.

Çfarë është mbidozimi në Radioterapi?

Mbidozimi ndodh kur pacienti merr një sasi më të madhe rrezatimi se sa ajo e paraparë nga plani i trajtimit. Kjo mund të ndodhë për shkak të gabimeve teknike, llogaritjeve të gabuara të dozës, defekteve të pajisjeve apo pozicionimit jo të mirë të pacientit gjatë trajtimit. Sipas studimeve të publikuara në International Journal of Radiation Oncology dhe Radiotherapy and Oncology, çdo devijim nga doza e planifikuar mund të çojë në rritje të efekteve toksike në organet përreth tumorit dhe tek vetë pacienti.

Pasojat klinike të mbidozimit

Pasojat akute dhe kronike të indeve – Mbidozimi mund të shkaktojë inflamacion të fortë në indet e ekspozuara (p.sh. mukozit, dermatit, nekrozë).

Efektet kronike përfshijnë fibroza, nekrozë dhe humbje të funksionit të organeve si mushkëritë, mëlçia apo sistemi nervor qendror.

Rritje e rrezikut për efekte sekondare – Sipas punimeve të botuara në Journal of Clinical Oncology, rrezatimi i tepërt mund të shkaktojë mutacione të tjera gjenetike, duke rritur rrezikun për zhvillimin e kancereve sekondare pas shumë vitesh.

Dëmtimi i strukturave të ndjeshme të organeve në rrezik (OARs) – Organet në rrezik (OARs), si kanali spinal, truri, zemra, syri, testiset, veshkat etj., janë shumë të ndjeshme ndaj rrezatimit.

Një mbidozim mbi dozën e toleruar të këtyre strukturave mund të shkaktojë pasoja të pakthyeshme si paralizë, çrregullime konjitive, insuficiencë renale, humbje të shikimit, anemi etj.

Ndikimi në cilësinë e jetës dhe mbijetesën – Komplikimet e shumta pas mbidozimit shpesh kërkojnë trajtime të reja, ndërhyrje kirurgjikale dhe hospitalizim të gjatë. Kjo e ul ndjeshëm cilësinë e jetës dhe, në raste të caktuara, shkakton vdekshmëri të parakohshme.

Në një analizë të publikuar në Radiotherapy and Oncology (2009), një mbidozim prej vetëm 10% mbi planin e parashikuar çoi në rritje të incidencës së nekrozës tek pacientët me tumore të trurit.

Në Francë, mbi 200 pacientë u prekën nga mbidozimi për shkak të një gabimi në softuerin e planifikimit të trajtimit. Rreth 10% prej tyre zhvilluan komplikime të rënda që kërkonin ndërhyrje kirurgjikale ose terapi paliative.

Shkaqet më të zakonshme të mbidozimit

▪ Gabime njerëzore në llogaritjen ose verifikimin e dozës
▪ Mungesa e protokolleve të standardizuara të QA (kontrollit të cilësisë)
▪ Kalibrimi i pasaktë i pajisjeve të radioterapisë
▪ Mungesa e stafit të trajnuar në fizikë mjekësore dhe dozimetrie

Rëndësia e Kontrollit të Cilësisë (QA)

Sipas udhëzimeve të IAEA dhe ESTRO, çdo njësi e radioterapisë duhet të zbatojë një sistem rigoroz të kontrollit të cilësisë që përfshin:

▪ Kalibrim periodik të linakëve
▪ Verifikimin dhe aprovimin e planeve nga Eksperti i Fizikës Mjekësore (MPE) dhe specialisti i Onkologjisë
▪ Auditime të brendshme dhe të jashtme të sistemit të trajtimit
▪ Trajnim të vazhdueshëm për stafin klinik dhe teknik

Përfundim

Mbidozimi i rrezatimit në onkologji nuk është vetëm një problem teknik – është një sfidë serioze klinike që prek drejtpërdrejt jetën dhe shëndetin e pacientëve. Përderisa radioterapia mbetet një nga armët më të fuqishme kundër kancerit, ajo kërkon një nivel të lartë preciziteti dhe bashkëpunimi ndërdisiplinor. Në këtë kontekst, roli i Ekspertit të Fizikës Mjekësore është jetik dhe i pazëvendësueshëm.

Eksperti i Fizikës Mjekësore është profesionisti kyç që siguron që çdo plan trajtimi të jetë i saktë, i optimizuar dhe i sigurt. Ai verifikon që pajisjet të jenë të kalibruara siç duhet, planifikon dozën e saktë që duhet dorëzuar në tumor dhe kontrollon mbrojtjen e organeve të ndjeshme. Pa praninë dhe përfshirjen e drejtpërdrejtë të Ekspertit të Fizikës Mjekësore, sistemi i radioterapisë humb një nga shtyllat themelore të kontrollit dhe sigurisë.

Çfarë ndodh kur ka mungesë të ekspertëve të Fizikës Mjekësore?

▪ Rritet rreziku për gabime dozimetrike, pasi mungon kontrolli i detajuar mbi planifikimin dhe llogaritjen e dozës.

▪ Mungon dozimetria e pajisjeve dhe e planeve të trajtimit, duke rritur ndjeshëm mundësinë e mbidozimit ose nën-dozimit të pacientëve.

▪ Nuk kryhen testet e kontrollit të cilësisë (QA) në mënyrë të rregullt, duke rrezikuar që pajisjet të funksionojnë jashtë parametrave të lejuar.

▪ Cenohet mbrojtja nga rrezatimi si për pacientët, ashtu edhe për stafin mjekësor, për shkak të mungesës së ekspertizës në matjen dhe analizën e rrezatimit të shpërndarë ose të rrjedhur.

Studimet nga agjenci ndërkombëtare si IAEA dhe IOMP theksojnë se mungesa e Ekspertëve të Fizikës Mjekësore të kualifikuar ka kontribuar në incidente të dokumentuara të mbidozimit me pasoja të rënda, përfshirë dëmtime të pakthyeshme të organeve vitale dhe madje edhe humbje jete.

Prandaj, mbrojtja e pacientit nuk është vetëm një përgjegjësi etike, por një obligim ligjor dhe profesional për çdo institucion që ofron trajtim onkologjik me rrezatim. Kjo kërkon:

▪ Avancimin e Ekspertit të Fizikës Mjekësore të licencuar dhe të trajnuar sipas standardeve të IAEA dhe EURATOM.

▪ Zbatimin e protokolleve të kontrollit të cilësisë në çdo hallkë të trajtimit.

▪ Investim në edukimin e vazhdueshëm të stafit dhe auditime të rregullta nga autoritetet shëndetësore.

▪ Ndërgjegjësim institucional dhe publik për rëndësinë jetike të Ekspertit të Fizikës Mjekësore në sistemin onkologjik.

“Pacienti që hyn në një kabinet të radioterapisë vjen me shpresën për shërim, jo për të rrezikuar jetën për shkak të neglizhencës sistemike. T’i ofrosh atij trajtim të sigurt dhe të kontrolluar është detyrë dhe nder – dhe Eksperti i Fizikës Mjekësore është ndër garantuesit kryesorë të kësaj sigurie.” /Telegrafi/

The post Pasojat e mbidozimit me rrezatim në Onkologji – Rreziqet e padukshme të terapisë së shpresës appeared first on Telegrafi.

Largohen nga parlamenti në shtator, 82 deputetë do marrin gjysmën e pagës për 3 vite

Edhe pse nuk do të jenë më pjesë e legjislaturës së re që nis në shtator, 82 deputetë do të vazhdojnë të marrin gjysmën e pagës mujore nga buxheti i shtetit për deri në tre vite, në bazë të legjislacionit aktual që rregullon statusin e funksionarëve të lartë publikë.

Ky përfitim bazohet në nenin 7 të ligjit për pensionet shtetërore suplementare, i cili në pjesën për pagesën kalimtare parashikon se pas largimit nga funksioni, një deputet përfiton dy paga mujore të plota dhe më pas 50% të pagës bruto referuese, për aq kohë sa ka ushtruar funksionin, por jo më shumë se tre vite.

Aktualisht, paga mujore bruto e një deputeti është 310 mijë lekë, çka do të thotë se secili nga ish-deputetët do të përfitojë 155 mijë lekë në muaj deri në vitin 2028.

Sipas përllogaritjeve, përfituesit janë të shpërndarë në këtë mënyrë:

45 deputetë të mazhorancës socialiste

34 deputetë të opozitës

3 deputetë të Partisë Socialdemokrate

Ky trajtim financiar konsiderohet si një mbështetje për ish-funksionarët publikë në periudhën pas largimit nga detyra, megjithatë ka ngjallur debat në opinionin publik për shkak të kostos së lartë për buxhetin e shtetit.

LEXONI GJITHASHTU:

The post Largohen nga parlamenti në shtator, 82 deputetë do marrin gjysmën e pagës për 3 vite appeared first on Euronews Albania.

A ka rrezikshmëri edhe nga dozat më të vogla të mundshme të rrezatimit?

Debati që po ndryshon politikat në SHBA!

 

PhD.C Besnik Saramati,
Fizikant Mjekësor në Klinikën e Onkologjisë
Kërkues shkencor i Fizikës Mjekësore dhe Edukimit
Asistent në Universitetin e Prishtinës

Rrezatimi jonizues është pjesë e jetës sonë moderne, në diagnostikën mjekësore, industrinë e energjisë, sigurinë ushqimore dhe madje edhe në natyrë. Por pyetja që mbetet e hapur për më shumë se një gjysmë shekulli është kjo: A ekziston një dozë minimale e sigurt nga rrezatimi jonizues? Apo çdo grimcë është një rrezik potencial për shëndetin?

Kjo dilemë qëndron në qendër të një debati të fortë shkencor dhe politik që po merr vrull në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe që mund të ketë ndikim global.

Çfarë është modeli LNT?

Modeli Linear No-Threshold (LNT) është baza mbi të cilën janë ndërtuar për dekada të tëra rregulloret e mbrojtjes nga rrezatimi në mjekësi, industri dhe mjedis. Ai pohon se çdo dozë, sado e vogël, rrit rrezikun për kancer apo dëmtime të tjera gjenetike, në mënyrë lineare, pa ndonjë “prag të sigurt”.

Ky model është përkrahur nga organizata të mëdha ndërkombëtare si:

▪ ICRP (International Commission on Radiological Protection),
▪ UNSCEAR (Komiteti i OKB-së për efektet e rrezatimit), dhe
▪ Akademia Kombëtare e Shkencave e SHBA (BEIR VII, 2006)

Çfarë po ndryshon në SHBA?

Në maj 2025, Presidenti Donald Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv që kërkon nga agjencitë amerikane (p.sh. NRC dhe EPA) të rishikojnë modelin LNT dhe të shqyrtojnë mundësinë e kalimit në një model “me prag”, sipas të cilit vetëm dozat mbi një nivel të caktuar janë të rrezikshme. Ky urdhër ka hyrë në fuqi, dhe agjencitë janë tani në proces të hartimit të rregulloreve të reja, proces që përfshin konsultime publike dhe analizë të të dhënave shkencore.

Çfarë thotë shkenca?

Të dhëna epidemiologjike

Studime të mëdha, përfshirë një meta-analizë të mbi 300,000 punonjësve bërthamorë në SHBA, Britani dhe Francë (publikuar nga NCI, tregojnë se edhe dozat nën 100 mSv lidhen me rritje të rrezikut për kancer, veçanërisht leucemi dhe kancer të mushkërive. Analiza tregoi se për çdo 100 mSv dozë, rreziku për leucemi rritet me 48%. Këto të dhëna përputhen me atë që është vërejtur edhe tek të mbijetuarit e bombave atomike në Hiroshima dhe Nagasaki, ku edhe ekspozimet 5-50 mSv kanë rezultuar me rritje të rrezikut për kancer.

Mekanizmat biologjikë

Dëmtimet në ADN ndodhin edhe nga doza minimale. Mekanizmi i efektit ‘bystander’ sugjeron se edhe qelizat jo të ekspozuara mund të pësojnë dëmtime për shkak të sinjaleve që marrin nga qelizat e prekura. Kjo mbështet idenë se nuk ka një prag absolutisht të sigurt, sepse dëmi mund të përhapet edhe përtej pikës së kontaktit me rrezatimin.

Po kundërshtarët e modelit LNT?

Disa shkencëtarë si Edward Calabrese (Universiteti i Massachusetts) argumentojnë se:

▪ Modeli LNT është tepër konservativ dhe krijon frikë të panevojshme,
▪ Ekzistojnë prova për hormezën – idea që dozat e ulëta mund të stimulojnë mekanizma mbrojtës në trup,
▪ Rregulloret shumë të rrepta mund të sjellin kosto ekonomike të larta dhe të pengojnë zhvillimin teknologjik.

Ka apo jo “prag sigurie”?

Raporte të mëdha shkencore, përfshirë një analizë të The Lancet (2021), konkludojnë se nuk ka prova të forta për ekzistencën e një pragu të sigurt. Rreziku rritet në mënyrë të qëndrueshme dhe lineare me dozën – edhe në nivelet më të ulëta. Prandaj, shumica e institucioneve ndërkombëtare të shëndetit publik vazhdojnë të rekomandojnë përdorimin e modelit LNT derisa të ketë prova më të forta në të kundërt.

Pse ka rëndësi ky debat?

Ky debat nuk është thjesht akademik. Ai prek vendime reale dhe të përditshme:

▪ A duhet të kufizohen skanimet mjekësore me rreze X?
▪ A janë të mbrojtur mjaftueshëm punonjësit e industrisë bërthamore?
▪ A duhet të investojmë më shumë në energjinë bërthamore, edhe nëse zvogëlojmë masat mbrojtëse?

Për të gjitha këto, vendimi për të braktisur ose jo modelin LNT do të ketë ndikime të thella në politikën shëndetësore, mjedisore dhe ekonomike në mbarë botën.

Përfundim

Modeli LNT nuk është i përkryer, por mbetet baza më e qëndrueshme dhe e sigurt për vendimmarrje në fushën e rrezatimit. Çdo ndryshim në këtë qasje duhet të bazohet në konsensus shkencor të gjerë dhe prova të forta, e jo vetëm në interesa ekonomike apo politike dhe jo vetëm. Në një fushë ku rreziku, edhe pse i vogël, mund të akumulohet me kalimin e kohës – kujdesi dhe parimi i mbrojtjes maksimale mbeten jetikë. /Telegrafi/

Referencat:
1. BEIR VII Report, National Academies Press (2006)
2. UNSCEAR Report (2021)
3. National Cancer Institute, INWORKS Study (2020)
4. Calabrese E.J., EMBO Reports (2004)
5. The Lancet Oncology, “Low-dose radiation and cancer risk” (2021)

The post A ka rrezikshmëri edhe nga dozat më të vogla të mundshme të rrezatimit? appeared first on Telegrafi.

Komunikimi në shërbimin urgjent mjekësor

Komunikimi: Le të jetë i thjeshtë, le të jetë human, le të jetë i shkurtër dhe theksi le të jetë tek dëgjimi. (Keith Nichols, 2003)

 

Prof. Ass. Isuf Bajrami
Specialist i Mjekësisë Urgjente
Qendra e Mjekësisë Urgjente – Prishtinë

Skena e përditshme në repartin e urgjencës: pacientët të rreshtuar para pultit të triazhës, ekipi urgjent duke transportuar pacientë me karroca, fëmijë që qajnë, familjarë të shqetësuar.

Në qendër të gjithë këtij dinamizmi ndodhet mjeku ose infermierja e triazhës, që duhet të zotërojë aftësinë për të komunikuar në mënyrë efektive me familjarët, ekipin e urgjencës, mjekët dhe infermierët e tjerë.

Vendimmarrja dhe vlerësimi profesional bazohen mbi informacionin e marrë në kohë reale dhe të përpunuar përmes një komunikimi funksional.

Kur ndodhin probleme në procesin e komunikimit, në pah del aftësia e profesionistit të triazhës për të mbledhur informatat thelbësore pavarësisht pengesave.

Është e domosdoshme që ai/ajo të jetë i vetëdijshëm për faktorët që pengojnë komunikimin dhe të minimizojë ndikimin e tyre në vendimmarrje.

Për shembull, si duhet vepruar kur komunikimi verbal është i pamundur – si në rastin e një pacienti pa vetëdije?

Çfarë është një mjek ose infermieri/e e triazhit telefonik

Komunikimi efikas është baza për mbledhjen e informatave të sakta dhe me këtë edhe zbatimin e saktë të vlerësimit.

Në këto raste, me rëndësi është të kemi shkathtësi për vlerësimin e gjendjes fizike të pacientit, pasi metoda primare e triazhës atëherë bëhet mbledhëse e informatave të cilat mund të ndihmojnë rreth identifikimit të faktorëve fiziologjikë dhe me këtë përcaktimin e urgjencës.

Mbani mend se edhe komunikimi përmes personit të tretë, si anëtarit të familjes, kujdestarit ose përkthyesit, mund të ndikojë në procesin e vlerësimit.

Në këto raste, komunikimi gjithashtu mund të jetë i vështirë, pasi porosia është dërguar përmes personit të tretë vetëm nga pamja e tyre e ngjarjeve, e kjo mund të jetë edhe një pengesë potenciale.

Komunikimi është proces i dërgimit dhe pranimit të porosive mes personave brenda një harku dinamik. Çdo person është përgjegjës si dërgues, ashtu edhe si pranues i mesazhit.

Ekzistojnë shumë pyetje të rëndësishme lidhur me pacientin, mjekun ose infermierin e triazhës në rrethana të cilat mund të ndikojnë në kompleksitetin e procesit.

Literatura për komunikim shpesh i emërton këta faktorë “zhurmues”: zhurmë e jashtme fizike, zhurmë e brendshme ose fiziologjike, zhurmë semantike ose interpretuese.

Një prej çështjeve më të rëndësishme për shqyrtim është se pacienti mund të ketë pengesa në plotësimin e obligimeve të tij si dërgues dhe pranues i komunikimit, për arsye të “zhurmës”, e cila është e pandashme prej triazhës. Kjo nënkupton se mjeku ose infermierja-i më së shpeshti bart përgjegjësinë e njohjes dhe detektimit të faktorëve që ndikojnë në komunikim, edhe për vete edhe për pacientin.

Aftësia e mjekut ose infermierës së triazhës të qëndrojë e qetë dhe të realizojë komunikim efektiv brenda atij ambienti është bazamenti për vendimmarrje. Triazha në shërbimet emergjente funksionon non-stop, 24/7

Faktorët që ndikojnë në procesin e komunikimit gjatë triazhës

Sa më mirë që mjeku ose infermierja/i të kuptojë faktorët që ndikojnë në efikasitetin e komunikimit, kjo ndikon në komunikimin më të mirë dhe në kvalitetin e informatave të grumbulluara.

Faktorët në të cilët duhet pasur kujdes

• Ambienti fizik: pengesat si plastika e padepërtueshme, pultet, mungesa e privatësisë, zhurmat alarmuese dhe lëvizja e njerëzve nëpër hapësirë mund të ndikojnë në procesin e komunikimit gjatë triazhës.
• Mjeku ose infermierja e triazhës duhet të përpiqet të komunikojë me pacientin, përkundër pengesave, duke ruajtur privatësinë dhe besimin.
• Kufizimi kohor: vlerësimi dhe marrja e vendimeve për kategoritë e triazhës nuk guxojnë të zgjasin më tepër se 2–5 minuta.
• Përdorimi i gjuhës: përdorimi i zhargonit, qoftë mjekësor apo të rrugës, mund të rezultojë me moskuptim, në nivel të njëjtë sikur dy njerëz flasin në gjuhë të ndryshme.
• Sjellja joverbale: gjuha e trupit, pamja e fytyrës, toni i pacientit dhe i infermieres së triazhës janë njësoj të rëndësishëm në aspektin e komunikimit.
• Dallimet kulturore: përfshijnë dallimet në moshë, gjini, nacionalitet, gjuhë, fe, status shoqëror-ekonomik dhe në pritjen e kohëzgjatjes së jetës.
• Natyra e problemeve shëndetësore: problemet shëndetësore që janë shumë të ndjeshme, varfërojnë ose krijojnë pengesa mund të ndikojnë në mënyrën se si ato informata jepen, si nga ana e pacientit, ashtu edhe nga mjeku ose infermierja/i e triazhës.
• Anashkalimi i termineve kyçe dhe përdorimi i termineve jo adekuate (eufemizmave) mund të rezultojë me mesazhe të shtrembëruara që dërgohen dhe pranohen.
• Paramendimet në pritje: pacientët vijnë në Repartin e Urgjencës Mjekësore (RUM) me pritje të caktuara.
• Në këto pritje ndikojnë qasjet ndaj urgjencës që lidhen me problemet shëndetësore dhe përvojat paraprake që lidhen me shëndetin.
• Të gjitha këto pritje, në një moment të caktuar, mund të jenë jo reale.
• Njohja e ambientit të triazhës nga ana e infermieres së triazhës, njohja e pacientit, sjelljes së tij dhe qasja e personelit tjetër mjekësor në shërbim mund të kenë ndikim pozitiv ose negativ.
• Edhe pse këto ndikime mund të ndihmojnë në njohjen e simptomave të hershme, ato mund të çojnë potencialisht në paramendime dhe paragjykime jo adekuate.
• Ndjenjat: pacientët, mjeku dhe infermierja reagojnë në mënyra dhe intensitet të ndryshëm ndaj stresit dhe nervozizmit.
• Këto reakcione mund të ndikojnë në aftësinë e personit për të ofruar informata dhe për t’u përgjigjur saktë në pyetje.

Dhënia e informatave

Pacienti dhe personi shoqërues duhet të jenë të informuar për:

• procesin e triazhës
• veprimet me pacientin në RUM
• mjekimin potencial
• protokolet e caktuara të RUM

Procesi i triazhës

Pacienti në përcjellje duhet të jetë i informuar për procesin e triazhës. Kjo përfshin informimin e kuptueshëm për procesin, kategoritë e triazhës dhe bazën mbi të cilën bëhet kategorizimi.

Pacientit duhet t’i sqarohet se, në varësi të kategorisë, pritet kohë e caktuar. Shkaqet e pritjes së gjatë për kontroll mjekësor gjithashtu duhet të sqarohen pacientit dhe përcjellësit, p.sh. ardhja e një pacienti me rrezik të funksioneve vitale në shërbimin urgjent paraspitalor.

Triazha me telefon mund të zbatohet derisa arrin ekipi i urgjencës në vendndodhje

Veprimet me pacientin në repartin e urgjencës mjekësore (RUM)

Pacienti dhe përcjellësi duhet të marrin informata për atë që mund të ndodhë gjatë qëndrimit në repart, p.sh.:

“Infermierja do t’ju thërrasë dhe do t’ju vendosë në krevat, do t’ju masë shtypjen e gjakut, temperaturën dhe sipas nevojës do të bëjë EKG. Më pas, do t’ju lidhë në monitor deri në ekzaminimin mjekësor.”

Mjekimi potencial

Pacienti dhe shoqëruesi duhet të informohen për mjekimin potencial, p.sh.: “Ekziston mundësia që ta keni thyer dorën. Ndoshta thyerja duhet të rivendoset, prandaj, ju lutemi, mos hani apo pini asgjë më, pasi që mund të jetë e nevojshme të jeni esëll. Mjeku do t’ju njoftojë për hapat e mëtejshëm.”

Protokollet e caktuara në repartin e urgjencës mjekësore

Pacienti dhe shoqëruesi duhet të jenë të njoftuar me rregullat e repartit. Gjatë ekzaminimit të pacientit, shoqëruesi mund të marrë pjesë sipas kërkesës së vet; gjithashtu mund të qëndrojë pranë pacientit gjatë observimit dhe të jetë me të gjatë përcjelljes në repart.

Koha e pritjes – çka nuk duhet të thuhet?

Ekzistojnë pyetje të shpeshta që pacientët dhe shoqëruesit parashtrojnë gjatë triazhës, dhe përgjigjja e mjekut apo infermierit të triazhës ka ndikim të madh në cilësinë e komunikimit:

“Sa duhet të presim?” Nëse i thuhet pacientit “duhet të prisni një ose dy orë”, kjo dëmton procesin e triazhës.
Më e përshtatshme është të thuhet: “Kjo varet nga natyra e ankesave tuaja. Si mund t’ju ndihmoj?”

Nëse pacienti është triazhur dhe ndodhet në pritje, është me rëndësi që të kuptohet arsyeja e pyetjes: a janë përkeqësuar ankesat? Në këtë rast, ndoshta është e nevojshme ri-triazhimi.

Komunikimi i dobët çon në kujdes të dobët

Sipas OBSH-së, komunikimi cilësor është një nga pesë aftësitë kyçe për një jetë të shëndetshme dhe të lumtur. Aftësitë e komunikimit janë parakusht për punë cilësore në shëndetësi.

Sëmundja ndikon në çdo person dhe i shton ndjenjën e dobësisë. Çdo gjest ose fjalë e punonjësit shëndetësor ka efekt terapeutik për pacientin.

Komunikimi i mirë ndërmjet punonjësit shëndetësor dhe pacientit është baza e trajtimit të suksesshëm. Sigurisht, nuk mjafton “një fjalë e mirë i shëron të gjitha”, por është thelbësore të transmetohen saktë informatat mbi gjendjen dhe trajtimin shëndetësor.

Është e gabuar të supozohet se të gjithë dinë të dëgjojnë. Duhet kaluar më shumë kohë duke dëgjuar sesa duke folur ose shkruar.

Kontakti i parë duhet të jetë i ngrohtë, miqësor, profesional dhe i menjëhershëm. Është e domosdoshme të flitet në një gjuhë të thjeshtë dhe të kuptueshme, pa shumë terma profesionalë dhe nëse përdoren, secili duhet të shpjegohet me kujdes. Kjo ndihmon që pacienti të ndihet i kuptuar dhe i dëgjuar, çka forcon marrëdhënien e besimit dhe ndjenjën e sigurisë.

Rekomandime për komunikim më të mirë me pacientët

• Drejtojuni pacientit me emër (zonjë, zotëri, por kurrë: gjyshe, gjysh, nënë, baba, teze, hallë…) – kjo respekton individualitetin e tyre.
• Prezantoni veten me emër dhe rolin tuaj profesional.
• Ndihmoni pacientin të orientohet duke i treguar për rrjedhën e trajtimit.
• Përdorni gjuhë të thjeshtë për të ulur frikën dhe për të përmirësuar kuptueshmërinë.
• Jepni informacione për mundësinë e mbështetjes psikologjike nëse është e nevojshme.
• Edhe në mungesë të psikologut, theksojeni se pacienti nuk ka pse të përballet me gjithçka vetëm – ofroni alternativa për ndihmë.

Situata me komunikim problematik

Shpesh, sjelljet problematike në komunikim reflektojnë nevoja njerëzore të paplotësuara. Të kuptuarit e sfondit të sjelljes problematike dhe ndjeshmërisë emocionale që e shoqëron, i ndihmon mjekut apo infermierit të triazhës të merret me shkakun dhe jo me simptomën e sjelljes.

Zhvillimi i strategjive për të interpretuar shpejt sinjalet e sjelljes mund të zvogëlojë pasojat negative që komunikimi problematik mund të ketë në procesin e triazhës.

Përmbledhje

• Aftësia për të udhëhequr procesin e komunikimit ndikon drejtpërdrejt në sjelljen dhe reagimin e pacientit.
• Komunikimi është proces i dyanshëm – verbal dhe joverbal.
• Sa më i mirë komunikimi, aq më e mirë dhe më e saktë është triazha.
• Asnjëherë mos nënvlerësoni ndikimin e faktorëve të jashtëm.
• Qëndroni të qetë.
• Dëgjoni me vëmendje, shpjegoni qartë dhe sigurohuni se jeni kuptuar.
• Mbani nën kontroll reagimet tuaja emocionale.
• Njihni veçoritë e grupeve të ndryshme të pacientëve.
• Ngrohtësia dhe empatia janë terapi më vete.
• Komunikimi është aftësi që mësohet gjatë gjithë jetës.

/Telegrafi/

The post Komunikimi në shërbimin urgjent mjekësor appeared first on Telegrafi.

❌