Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Dehumanizimi i Thethit dhe betonizimi si regjim

16 July 2025 at 16:35

“Betonizim” është fjala që, në zhargonin e përditshëm urban shqiptar, e tejkalon kuptimin e saj teknik. Nuk ka nevojë të ketë beton që të ndjesh ftohtësinë e një hapësire të ngurtësuar, të mbyllur, të mbytur nga mungesa e frymëmarrjes. Është një gjendje – dhe një fenomen – që prej vitesh sundon realitetin shqiptar, veçanërisht në Tiranë.

Në vitin 2016, betonieret e para hynë në kodrat e liqenit Artificial, të vetmin park të mirëfilltë publik të Tiranës. Qytetarët panë mjetet ndërtimore të zbrisnin në zemër të natyrës.

Bashkia e drejtuar nga Erion Veliaj e quajti ndërhyrjen “Park për fëmijë”, por shumë shpejt u bë e qartë se bashkë me lodrat vinin dhe strukturat e betonit. Refuzimi i alternativave më të buta nga ana e institucioneve, dhe përdorimi i policisë për të mbrojtur betonieren, ndezi protestën që zgjati tre muaj. Ishte pikërisht aty ku fjala “betonizim” mori kuptimin e saj të plotë politik dhe simbolik.

Më pas erdhi Teatri Kombëtar – një tjetër zonë publike, një tjetër rast i mbrojtjes së qytetit nga shkatërrimi, një tjetër betejë që zgjati 27 muaj dhe përfshiu të gjitha pushtetet.

Fundi? Shembja e teatrit nën mbikëqyrjen e 1500 policëve dhe forcave RENEA. Një akt simbolik i një shteti që përdor gjithë arsenalin e tij për të rrënuar kujtesën kolektive dhe hapësirën publike.

Sot, historia përsëritet në Theth. Brenda 7 ditësh, mbi 100 ndërtesa u shembën nga IKMT me një urdhër verbal të Kryeministrit. Asnjë dokument publik, asnjë vendim transparent, asnjë proces gjyqësor. Vetëm urdhra nga lart.

Shumë kanë folur për informalitetin, për mungesën e lejeve, për nevojën e “rregullimit” të territorit. Por ajo që po ndodh në Theth nuk është rregullim – është brutalitet shtetëror.

Vetë Kryeministri, vetëm një vit më parë, në qershor 2024, i kishte premtuar banorëve të Dukagjinit se ndërtimet pa leje do të trajtoheshin me mirëkuptim dhe se investimet në turizëm do të inkurajoheshin. Ministrja e Kulturës, me krenari e përmendi në Parlament rritjen e numrit të shtretërve turistikë në Theth si sukses të qeverisë.

Dhe sot? Të njëjtët njerëz, që ndërtuan mbi tokat e tyre të trashëguara, po shpallen zaptues. Ndërtesat – të cilat dje u përshëndetën – sot shkatërrohen me fadroma.

Në zemër të kësaj tragjedie është edhe një dramë më e thellë: ajo e pronësisë. Në Theth, si në shumë zona të Shqipërisë, njerëzit kanë lindur dhe jetuar për breza mbi tokë që nuk iu njihet zyrtarisht. Një shtet që nuk njeh të drejtën e trashëgimisë, por që kërkon leje dhe taksa nga qytetarë të cilëve nuk u ka kthyer ende asnjë dokument pronësie.

Ky është thelbi i një regjimi betonizues: që ndërton e shkatërron me të njëjtën lehtësi, që premton dhe harron, që përkëdhel dhe dhunon – gjithnjë sipas interesit të momentit.

Në fund, ajo që po ndodh në Theth nuk është thjesht betonizim fizik. Është një proces dehumanizimi. Është mënyra si shteti sheh qytetarin: si zaptues, si pengesë, si barrë. Dhe është pikërisht kjo që e bën betonin më të rrezikshëm se ç’duket: nuk është vetëm material – është mendësi, është politikë, është dhunë e sistematizuar.

Lexoni gjithashtu:

The post Dehumanizimi i Thethit dhe betonizimi si regjim appeared first on Citizens.al.

Aeroporti i Vlorës nën hetim nga SPAK

9 July 2025 at 17:40

Struktura e Posaçme Anti Korrupsion (SPAK) po heton koncesionin e Aeroportit të Vlorës. Informacioni u konfirmua nga regjistri i kërkesave për të drejtë informimi, publikuar në faqen e institucionit.

Më 20 qershor, SPAK rezulton të ketë administruar një kërkesë për informacion në lidhje me ekzistencën ose jo të një hetimi mbi kontratën koncesionare të Aeroportit të Vlorës dhe nëse po, në çfarë faze ndodhej ai.

Në përgjigjen zyrtare, referuar më 7 korrik, SPAK deklaron se “ka regjistruar procedim penal në lidhje me kontratën dhe ky procedim ndodhet në fazën e hetimeve paraprake”.

Hetimi po ndodh teksa aeroporti ka kryer testet e para të fluturimeve nën një valë të shtuar kontestimesh nga organizatat mjedisore për mënyrën se si u konceptua në një zonë të mbrojtur.

Më herët, ka pasur pretendime për mënyrën se si u dha ky koncesion duke nxitur dyshime për favorizime.

Në maj, teksa u kryen fluturimet testuese, Citizens.al përmblodhi pretendimet dhe historikun e kësaj çështjeje në artikullin:

Historia e projektit për Aeroportin e Vlorës

Aeroporti në Vlorë është ide e hershme e qeverisë Rama. Që në fillim ajo u shoqërua me dritëhije ndikimesh dhe favorizimesh politike.

Zyrtarisht për këtë ide u mësua në tetor 2017 kur ministria e Infrastrukturës shpalli fituesin e tenderit për studimin e fizibilitetit nga një studio arkitekture e lidhur ngushtë me projektet e urbanistike të qeverisë: kompaninë Seed Consulting, asokohe në pronësi të ortakëve të Atelier 4, vëllezërit Alban, Andi dhe Olsi Efthimi (Eftimi).

Pista e Aeroportit të Vlorës gjatë testimit, maj 2025/Facebook.

Në janar 2018, kryeministri Rama deklaroi se kishte marrë kërkesë zyrtare për ndërtimin e aeroportit dhe se ai do të niste brenda qershorit të atij viti. Deklarata u bë ende pa u publikuar studimi i fizibilitetit dhe pa u shpallur ndonjë procedurë tenderimi. 

Kërkesa në fjalë ishte nga konsorciumi turk i tre kompanive: “Cengiz Constr.” (Mehmet Cengiz), “Kalyon Constr.” (Ömer Faruk Kalyoncu) dhe “Kolin Constr.” (Celal Koloğlu) – të njohura për lidhjet e tyre të ngushta me Presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan.

Kjo kërkesë pasoi një vizitë të Ramës në Turqi, ku ai bëri të ditur se Erdoğan kishte premtuar ndihmë për krijimin e një kompanie ajrore shqiptare – Air Albania dhe se selia e saj do të ishte pikërisht Aeroporti i Vlorës. 

Megjithatë, në prill 2019, konsorciumi turk u tërhoq nga koncesioni pa shpjegime dhe ministria njoftoi hapjen e një gare tjetër. Më herët Komisioneri përgjegjës për zgjerimin në BE qe shprehur se do ta shqyrtonte nëse kishte pasur shkelje të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA) në rastin e kësaj ujdie.

Në shtator 2019, kryeministri njoftoi se projekti i ri ishte hartuar nga studioja Archea e arkitektit italian Marco Casamonti – edhe ky i lidhur ngushtë me projektet e urbanistike të qeverisë – dhe një ditë më pas, e prezantoi atë në qytetin e Vlorës.

Qeveria e dha përfundimisht me koncesion 35-vjeçar projektimin, ndërtimin dhe operimin e Aeroportit të Vlorës në dhjetor 2019.

Sipërmarrësit Behgjet Pacolli (Mabetex, Mabco Constructions) dhe Valon Ademi (2A Group) u shpallën fitues me një ofertë prej rreth 104 milionë eurosh. Në garë ishte dhe kompania e Aldi Çelit (AL-DE Corporation Ltd), por ajo u skualifikua pasi “nuk paraqiti ofertë”, argumentim që u kundërshtua nga përfaqësuesit e Çelit, të cilët ngritën pretendime për favorizime.

Në ofertën fituese të sipërmarrësve Pacolli dhe Ademi ishte edhe dyshja e sipërmarrësve turq Cuneyt dhe Huseyin Arslan (YDA Insaat Sanayi Ve Ticaret Anonim Sirketi) – të cilët njihen gjithashtu për afërsinë me Presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan pasi me urdhër të tij ata ndërtuan Spitalin Rajonal Memorial të Fierit – por që në shtator 2022 ata ia shitën kuotat (40%) Pacollit për vetëm 4,450 euro.

Punimet për aeroportin nisën me një ceremoni solemne më 28 nëntor 2021, pavarësisht se projekti nuk kishte marrë ende leje mjedisi dhe ndërtimi – zyrtarisht qe miratuar vetëm “Leja e zhvillimit” dhënë nga qeveria në nëntor të atij viti, leja e mjedisit u dha një muaj më vonë dhe ajo e ndërtimit pas 15 muajsh të tjerë, më 9 nëntor 2022.

Shqetësimet për ndikimet në mjedis

Aeroporti i Vlorës nisi të ndërtohej pranë fshatit Akërni në lagunën e Nartës – një zonë e mbrojtur dhe vendbanim për më shumë se 62 lloje shpendësh të listuar në Direktivën e Shpendëve të BE-së.

Organizatat mjedisore denoncuan se si projekti shkelte ligjet kombëtare dhe konventat ndërkombëtare teksa rrezikonte dëme të rënda në ekosistemin e zonës dhe në rrugët migratore të shpendëve.

Master-Plani i Aeroportit të Vlorës ku bie në sy zhvillimi masiv me ndërtime në zonën mes Hidrovorit dhe grykëderdhjes së Vjosës.

Qeveria mohoi shkeljet dhe në të gjitha rastet e mbrojti investimin duke u zotuar se ky aeroport është konform planit strategjik për zhvillimin e ekonomisë dhe turizmit, se ai do të jetë ndërkombëtar dhe se do të presë avionë të mëdhenj. 

Por mjedisorët druajnë se zhurmat e mëdha dhe fluturimet e avionëve të mëdhenj do të dëmtojnë shpendë të rrezikuar si pelikanët kaçurrelë. Për këtë Konventa e Bernës ka kërkuar disa herë ndalimin e punimeve dhe rishikimin e projektit.

Ndërkohë masterplani i botuar nga ministria gjatë garës zbuloi se funksioni i vërtetë i aeroportit do të jetë për të pritur flukset e turistëve që parashikohet t’i drejtohen zonës së lagunës, e cila prezantohet me ndryshime rrënjësore me ndërtime resortesh, mjedisesh sportive, agrikulture dhe një porti jahtesh.

Përmasat e mëdha të aeroportit të Vlorës marrin kuptim edhe nga projektet e tjera me zhvillime kolosale në dëm të mjedisit që parashikohen në zonat përreth si derdhja e Vjosës, Hidrovori, Zvërneci dhe Sazani, dy të fundit, të prezantuara bujshëm vitin e shkuar nga dhëndri i Presidentit amerikan, Donald Trump, Jared Kushner. Ky fitoi statusin e investitorit strategjik në janar 2025.

Në prill 2025, Bashkia e Mynihut njoftoi tërheqjen nga përfshirja e saj si këshilltare në projektin e Aeroportit të Vlorës, pas presionit të vazhdueshëm nga organizatat mjedisore. Komiteti Ekonomik përgjegjës për ekonominë e qytetit gjerman u distancua kështu nga ndikimi negativ mjedisor që paraqet projekti.

Lexoni gjithashtu:

The post Aeroporti i Vlorës nën hetim nga SPAK appeared first on Citizens.al.

Kushner dhe Sazani: Qeveria krijon kompani për zhvillimin e resortit luksoz

27 June 2025 at 15:32

Qeveria ka hapur kompaninë, e cila pritet të bëjë marrëveshje me Jared Kushner për të zhvilluar resort në Sazan. Projekti parashikon ta shndërrojë ishullin nga një ish-bazë ushtarake me site të mbrojtura në resort privat luksoz.

Korporata e Investimeve Shqiptare, (KIS) regjistroi në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB) kompaninë “Albanian State Development & Real Estate” (ASDRE). Ajo ka kapital 50 milionë lekë (rreth 500 mijë euro) dhe administor Julian Adilin, drejtor ligjor pranë KIS.

Ekstrakti tregon se ASDRE u themelua më 9 qershor, pra rreth 2 javë e gjysmë më parë.

ASDRE thuhet se do të planifikojë dhe zbatojë projekte ndërtimi në pronësi ose administrim shtetëror. Kjo lë të kuptohet se mund të menaxhojë dhe projekte dhe prona të tjera.

Qëllimi i saj thuhet të jetë menaxhimi dhe transparenca në përdorimin e pasurive publike.

Gjithashtu, si qëllim i ASDRE, ka dhe përfaqësimin e shtetit në partneritete strategjike. Këtu përmendet konkretisht resorti turistik “Ishulli i Sazanit”.

Këtë projekt e ka paraqitur si ofertë të pakërkuar “Affinity Partners” e përfaqësuar nga Jared Kushner, dhëndri i Donald Trump.

Në janar Kushner mori statusin “investitor strategjik”. Ai ka thënë se ideja i lindi pas një vizite turistike në Shqipëri gjatë vitit 2021.

Kushner e vizitoi Shqipërinë edhe në vitin 2023, ku u shoqërua personalisht edhe nga Kryeministri Rama. Pesë muaj më vonë, në dhjetor 2023, paraqiti zyrtarisht kërkesën për zhvillimin e Sazanit.

Por projekti u bë me dije vetëm në vitin 2024 kur Kushner foli për mediat amerikane.

Njësoj si atëherë, zhvillimi i radhës ndodh pas një vizite turistike të dhëndrit të Trump-it. Kjo nënkupton se vizitat e tij janë “vizita pune”.

Një fotografi e çiftit Kushner me Sazanin në sfond u botua të enjten nga kuzhinieri Aldo Mehmeti në Instagram.

Faksemile e postimit të kuzhinierit Aldo Mehmeti, i cili priti familjen Kushner këtë javë në Vlorë.

Resorti në Sazan do të zërë 8% të sipërfaqes së ishullit – 45 hektarë nga 562 e totalit. Investimi thuhet të jetë prej rreth 1.4 miliardë eurosh dhe zotohet të punësojë rreth 1 mijë persona gjatë ndërtimit dhe funksionimit.

Kritika për transparencën dhe ndikimin mjedisor

Projekti i Kushnerit ka shkaktuar reagime për mungesën e transparencës dhe rrezikun ndaj mjedisit. Fillimisht në vitin 2024, institucionet dhanë qëndrime kontradiktore për statusin juridik të Sazanit.

Ministria e Mbrojtjes e konsideroi pjesë të planit të vendosjes së Forcave të Armatosura. Ndërsa Ministria e Turizmit deklaroi se nuk kishte kërkesë për zhvillim të zonës.

Aktivistët mjedisorë theksuan se zona është pjesë e Parkut Kombëtar Detar Karaburun-Sazan. Ky park përfshin specie të rralla detare dhe është zonë e mbrojtur që nga viti 2010.

Por, qeveria ndryshoi ligjin për zonat e mbrojtura, duke lejuar zhvillime në këto territore. Në të njëjtën kohë, KKT mori kompetenca të zgjeruara si Këshill Kombëtar i Territorit dhe Ujit.

Parlamenti shtyu gjithashtu ligjin për investimet strategjike deri në vitin 2026. Të gjitha këto veprime ngrenë shqetësime për llogaridhënie dhe mbrojtjen e trashëgimisë natyrore.

Kushner ka deklaruar për mediat ndërkombëtare se nuk ka përfituar trajtim preferencial apo ekstraligjor. Megjithatë qasja e qeverisë shqiptare mbetet jotransparente, çka lë të kuptohet për të kundërtën.

Prej janarit, kur Kushneri mori statusin e investitorit, parashikohej që të zhvilloheshin negociata për mënyrën e investimit. Do të ishte me partneritet publik-privat, koncesion, apo mekanizëm tjetër.

Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA), i tha Citizens.al se “aktualisht palët janë në proces negocimi”. Deklarata u bë më 25 qershor, një ditë para se KIS të regjistronte ASDRE-n.

Nga ana tjetër institucionet nuk kanë bërë transparencë për propozimin e Kushner në Zvërnec.

Citizens.al iu drejtua për informacion edhe agjencive të planifikimit dhe zhvillimit të territorit (AZHT, AKPT) për propozimin, ku kërkoi të dinte nëse ka pasur aplikime për leje zhvillimi për zonën e Sazanit dhe Zvërnecit. Por deri në publikimin e këtij artikulli nuk pati përgjigje.

Lexo gjithashtu:

The post Kushner dhe Sazani: Qeveria krijon kompani për zhvillimin e resortit luksoz appeared first on Citizens.al.

“Edhe një herë, mos më harro!”

25 June 2025 at 17:10

Piramida e Tiranës u hap në vitin 1988, e ndërtuar në kujtim të ish-diktatorit shqiptar Enver Hoxha, për të qenë një muze i jetës së tij. Dikur më tha: “Mos më harro.”

Këto fjalë ishin shkruar me spraj mbi fasadën e saj prej mermeri të zbehtë si një lutje për mbijetesë. Piramida qëndroi dhe u rinovua, por një pjesë e magjisë së saj u zhduk gjatë këtij procesi.

Megjithatë, kjo lutje më vlon ende në kokë teksa ec nëpër rrugët e pjesës më të vjetër të qytetit, në lindje të qendrës moderne. Shumë prej vilave të braktisura osmane dhe të fillimshekullit të njëzetë duket sikur thonë të njëjtën gjë, duke i lutur kalimtarët të mos i harrojnë, të mos i lënë të shkatërrohen, të mos u hedhin beton në themelet e tyre.

Përtej rrethimeve të metalta gri, çatia e një vile osmane është flakur tej. Brendësia e saj ka dalë jashtë. Qeramika ende e ngjitur dhe e shtresuar njëra mbi tjetrën është shkatërruar.

Druri, qindra vjeçar, është ekspozuar ndaj elementeve natyrorë. Uji dhe barishtet mbushin një dhomë ndenjeje. Suvaja çahet dhe bie në tokë, e zhveshur nga lëkura e saj e brendshme. Dritaret prej druri varen në një fije metali dhe kalbëzimi përhapet. Graviteti e tërheq drejt tokës.

Tirana është një vend që mund t’i sjellë ndjesinë e mallit për shtëpinë edhe një qytetari që ka jetuar aty gjithë jetën. Zhvillimi i shpejtë dhe i furishëm e ka bërë qytetin të huaj. Një hapësirë ku dikur luanin fëmijët është zhdukur nën një kullë postmoderne; parku ku dikur ulesha, në siklet pranë burrave që luanin domino, është rrethuar si kantier ndërtimi.

Këto vende, janë viktima të bumit të ndërtimit në lartësi të Tiranës. Në vendin e një vile të vjetër, që mbante fantazmat e jetëve të kaluara, shkruhet: “jetesë luksoze që vjen së shpejti”. Shkëlqimi i një ëndrre që pak mund ta prekin.

Një numër tronditës vilash të vjetra tiranase janë humbur në këtë bum ndërtimi; disa prej tyre ishin monumente historike të mbrojtura. Këto vila mund të jenë rrënuar për shkak të pronësisë së paqartë pas komunizmit, ose ndoshta pronarët janë larguar jashtë vendit.

Shpesh familja që zotëron vilën pranon ndërtimin e ri në këmbim të disa apartamenteve në pallatin që do të ngrihet. Ka vende që përpiqen të rezistojnë, që përpiqen të përmbajnë lëvizjen lart të qytetit, por gjithmonë ndërpriten. Zëri i një pëllumbi në një oborr të vjetër mbivendoset me atë të një vinçi mekanik që lëviz nëpër qiell, lart e poshtë, djathtas e majtas dhe përsëri lart. Duke u kthyer herë pas here. Krahu i gjatë i “progresit”.

Kam shkruar më parë për nevojën që Shqipëria të ndërtojë mbi rrënjët e saj. Të mbështesë dhe vlerësojë atë që është vendase dhe të ndërtojë qytetet dhe vendbanimet e saj mbi këto vlera dhe këtë histori. Por Tirana është kthyer tashmë në një park lojërash për arkitektët e famshëm ndërkombëtarë.

Kullat e reja të Tiranës shfaqin një lloj nacionalizmi të çuditshëm, “kitsch”. Godina me emrin “Downtown One” ka struktura të dala në fasadë që formojnë një hartë të çuditshme dhe të pixelizuar të Shqipërisë. Një tjetër ndërtesë është e veshur me ngjyrat kuq e zi të flamurit shqiptar, ndërsa forma e një tjetër godine pasqyron profilin e Skënderbeut, heroit kombëtar. Tingëllon qesharake, por është turpëruese.

Janë lloje idesh që mund t’i kesh pas disa gotash në një bar, ato që kritiku i arkitekturës Oliver Wainwright i quan “krijesa të karikaturizuara që duken sikur janë marrë nga thellësitë e një rafti në një dyqan shakash”. Ai nuk gabon në këtë vlerësim. Por përtej arkitekturës, apartamentet që po ndërtohen nuk adresojnë asnjë nga problemet reale të banimit në Shqipëri.

Çmimet gjithnjë në rritje për të blerë ose për të marrë me qira, kushtet e dobëta dhe të mbingarkuara të banimit për shumë njerëz në periferi, dhe cilësia e mjedisit përreth. Këto apartamente nuk bëjnë gjë tjetër veçse përfundojnë në portofole investimesh, si shumë apartamente të reja në qytete të mëdha anembanë botës (dhe shpesh si mjete për pastrim parash). Natën, dritat në këto ndërtesa janë të fikura. Askush nuk banon aty.

Çdo copë toke e rrafshuar dhe çdo copë dheu e gërryer pa dëshirë nga toka na thotë të mos e harrojmë. Kujtesa dhe rrëfimi janë fuqi të mëdha. Ato thonë: “Gjërat nuk kanë qenë gjithmonë kështu; nuk kanë pse të jenë kështu.” Kujto si çelnin dahlitë, imagjino jaseminët me qumësht që mbulonin murin, shiko dallëndyshet që fluturonin përherë nga këtu andej.

Qershitë ishin plot me fruta, frutat binin mbi kalldrëm dhe shtypeshin nën këmbë. Kujto kur hapej kanata para shëtitjes së mbrëmjes, kur dielli ishte gati të hynte sërish në shtëpi. Ndjej ngrohtësinë. Ndjej ngrohtësinë.

Jashtë në bulevard kalon një grup turistësh. Udhërrëfyesi u thotë në anglisht: “Shikoni, këtu do të ndërtohet një teatër krejt i ri!” dhe turistët murmurisin me miratim. Kthehem për t’u treguar historinë e vërtetë, sesi ndërtesat historike binjake të teatrit u shembën kundër vullnetit të qytetarëve, në orën 4 të mëngjesit, ditën e fundit të karantinës, por ata tashmë janë larguar.

Nëse historitë e vërteta nuk tregohen, atëherë narrativa zbutet nga qeveria dhe media. E vetmja histori që tregohet është ajo e progresit të pandalshëm dhe zhvillimit ekonomik. Jo shfrytëzimi i tokës që gërryhet dhe mbushet me beton, jo dhimbjet e strehimit që ndiejnë shumë qytetarë, dhe as paratë e mëdha që pastrohen dhe që nuk i sjellin asgjë popullit vendas.

Rezistenca qëndron në mos harrim. Të mos harruarit kurrë. Rezistenca qëndron në të ndenjurit me dhimbjen.

Kjo rezistencë lind në punën e studiuesve dhe gazetarëve që kanë hartuar vlerën historike dhe kulturore të vilave të humbura dhe çfarë është ndërtuar në vend të tyre. Kjo na mundëson të shohim qytetin siç ka qenë dikur. Të vazhdojmë të ecim nëpër rrugët e tij, duke imagjinuar dhe kujtuar ku rridhte lumi dikur, ku luanin fëmijët, ku shtigjet dhe rrugicat ishin formuar nga e ecura hap pas hapi.

Të dëgjosh zërat e lojtarëve të dominove dhe të ndjesh hijen e freskët të hardhive që vareshin sipër. Të kujtosh festën në oborr teksa nata afrohej dhe ndriçimi ngadalë shtohej. Burrat që vallëzonin dhe kërcenin me gjunjët lart vallen e Kukësit. Rakia që rridhte nga goja dhe zbrazej në fyt, duke ngrohur barkun dhe mendjen.

Ky është syri i mendjes që do të jetë rezistenca. Kjo kërkon ndjeshmëri ndaj së kaluarës, aftësi për të parë qytetin njëkohësisht përmes lentes së së tashmes dhe së dikurshmes, për të hartuar çfarë ka qenë qyteti.

Nën hotelin“ Tirana International” gjendet gjurma e një shtëpie të zhdukur nga komunistët. Fryma e njerëzve të saj është ende aty. Historitë ekzistojnë ende, por duhet të tregohen e ritregohen brez pas brezi.

Mendja harron vetëm kur pushon së kujtuari. Kjo është një formë aktive dhe shpresëplotë nostalgjie. Të vendosësh emocionin, dhe ndonjëherë edhe dhimbjen, në punë. Për të luftuar amnezinë që bllokon trurin dhe për të shqetësuar sigurinë e rreme të së tashmes.

Por kjo kërkon që qytetarët t’i përgjigjen thirrjes gjithnjë e më të fortë të qytetit: “Mos më harro.”

The post “Edhe një herë, mos më harro!” appeared first on Citizens.al.

“Bukë, zemër dhe beton”

18 June 2025 at 16:55

Në Tiranën që po ngrihet mbi rrënojat e kujtesës dhe interesit publik, u mbajt festivali “Bukë dhe Zemër” (Bread and Heart). Disa prej emrave më të mëdhenj të arkitekturës botërore zbritën në Tiranë, jo për të vënë në pikëpyetje betejën urbane që zhvillohet përditë mbi trupin e qytetit, por për t’i dhënë asaj një pamje më të pranueshme.

Nën shkëlqimin e “Book Building”, një ndërtesë ende e papërfunduar, që i ka bllokuar qytetarëve fushëpamjen e sahatit të qytetit zuri vend një paradoks i thellë midis diskursit etik të “star-arkitektëve” dhe shërbimit të tyre konformist ndaj një qeverie, që ka ngritur modelin e vet ekonomik mbi një vrull ndërtimesh të pakontrolluara e me burime të errëta financimi.

Të ftuarit ndërkombëtarë në këtë event, për të cilin paguhej deri në 360 euro për një biletë hyrëse, vinin me një reputacion të ngjizur mbi parime të qëndrueshmërisë ekonomike, respektit ndaj mjedisit, hapësirës dhe vlerave sociale. 

Alejandro Aravena, për shembull, është fitues i çmimit Pritzker – konsideruar si çmimi Nobel në arkitekturë – për projektet e rindërtimit me funksion strehimin social në Kili pas tërmetit shkatërrimtar të vitit 2010 ku humbën jetën mbi 500 persona. 

Por në Tiranë ai prezantohet si fitues i konkursit për “Tirana Society Towers”, një projekt “monstruoz” kullash 300 metra të larta pas Pallatit të Kulturës, në qendër, i konceptuar si qiellgërvishtësi i parë në një qytet që po mbytet nga betoni dhe ku asnjë verifikim publik nuk bëhet mbi origjinën e investimeve që financojnë këto kulla.

E njëjta gjë vlen për Stefano Boerin, autor i planit Tirana 2030, i cili për vite u promovua nga qeveria dhe Bashkia Tiranë si një zhvillim vizionar për kryeqytetin, me përparësi për transportin publik, hapësirat e gjelbra – i paharruar kujtimi i Pyllit Orbital, Unazës së Gjelbër të Tiranës dhe kufizimi i lartësisë në zonat historike.

Kryeministri Rama, drejtorja e AZHT Roka dhe arkitekti portugez Camilo Rebelo/Citizens.al

Vetë Boeri ka marrë përsipër ndërtime masive dhe të larta në zonën e ish-Bllokut dhe pas Presidencës, në shkelje të vetë parimeve për të cilat ai punoi dhe shpalli në planin e tij “Tirana 2030”. Në ditët e festivalit Boeri promovoi edhe librin e tij për “Pyllin vertikal”, një koncept që në Tiranë u aplikua vetëm te tarraca e Bashkisë Tiranë dhe te kulla 21-katëshe e “Gener 2” prapa Stadiumit Kombëtar.

Në përgjithësi, diskutimet në katin e parë të Book Building, në prani të Kryeministrit Edi Rama, ishin një përzierje fjalimesh entuziaste, lavdërimesh për “rilindjen arkitekturore” të Shqipërisë dhe paralajmërimesh utopike për një të ardhme që vjen nga qielli.

Arkitekti  Steven Hall, i cili ekspozoi për herë të parë kullën “Kastrati Tower” nga “Kastrati Group” – dy herë më masive se “Donwtown One”, e cila parashikohet të ngrihet përballë, krah Katedrales Katolike Shën Pali – foli me mbresa për një “kravatë speciale” që ia kishte dhuruar Rama.

Vetë Kryeministri, në deklaratën më të rëndësishme të eventit, ku si rallë herë lexoi një fjalim të parapërgatitur – si për të thënë, ky është një leksion i imi për ju, për arkitekturën botërore, për të cilin meritoj një “standing-ovation”, – pretendoi se “Shqipëria prodhon më shumë arkitekturë se e gjithë Europa së bashku”, një deklaratë që nuk mbështetet në asnjë statistikë, por që maskon realitetin e një zhvillimi urban të pakontrolluar, pa konsultime, pa transparencë dhe pa mekanizma të qartë që ndalojnë pastrimin e parave përmes ndërtimit.

Në të vërtetë, vetëm gjatë dekadës së fundit, sikurse Citizens.al ka treguar, në Tiranë janë shqyrtuar apo miratuar rreth 140 leje për kulla shumëkatëshe – një bum ndërtimi që ka ardhur jo si rezultat i një planifikimi të kujdesshëm urban, por si pasojë e një strategjie që favorizon një grusht sipërmarrësish, lidhjet e tyre politike dhe investimet me burime të dyshimta. 

Shumë prej projekteve të ekspozuara në katin e dytë dhe të tretë të “Book Building” nuk ishin miratuar ende zyrtarisht, por ishin aty si për të sinjalizuar përkushtimin e qeverisë ndaj këtij vizioni vertikal, ku betoni zë vendin e kujtesës historike, bregdetit dhe interesit publik.

Maketi i “Kastrati Tower” dhe paraqitja me vendndodhje sipas një modelimi në “Skyscrapercity”/Citizens.al

Ndërkohë, hapësirat publike ngushtohen, ndërtesat historike lihen nën hije, fshihen ose shemben, dhe qyteti humbet karakterin, zemrën, shpirtin e vet, për t’u zëvendësuar nga këto ndërtime masive që nuk pasqyrojnë as nevojat e banorëve, as historinë urbane, por vetëm interesat e ndërtuesve dhe natyrisht: vizionin e Kryeministrit.

Në këtë kontekst, pjesëmarrja dhe entuziazmi i arkitektëve të mëdhenj ndërkombëtarë nuk mund të shihen si neutralë. Nëse këta profesionistë flasin për “arkitekturë me ndërgjegje” në vende të tjera, në Shqipëri po firmosin projekte që kontribuojnë në shkatërrimin urban dhe social, atëherë fjala “hipokrizi” është e paktë dhe e pashmangshme.

Nën këtë hipokrizi, mes të ftuarve ishte dhe arkitekti danez Bjarke Ingels (BIG), i cili nuk publikoi shumë kontekst nga eventi në rrjetet e tij sociale. Pavarësisht kësaj, askush nuk e harron në Shqipëri, që ai u kontraktua nga sipërmarrësi privat “Fusha shpk” për të dizejnuar, pa konkurs dhe pa garë, një ndërtesë publike: “Teatrin Kombëtar” dhe pas tij një kullë 33-katëshe.

Nëse ka një dilemë etike – sipas kritikut britanik Oliver Wainwright: “A duhet të punojnë arkitektët për regjime shtypëse?” – mund të themi se kjo nuk mbetet teori në kontekstin shqiptar. Në artikullin për The Guardian (2020), Wainwright kritikonte Ingelsin për bashkëpunime me regjime si ai i Jair Bolsonaros në Brazil (2019-2023) dhe Mohammed bin Salman në Arabinë Saudite, duke ironizuar stilin e tij si “TED-Talk për diktatorë”

Kjo qasje ilustrohet qartë në Tiranë. Ingels projektoi Teatrin e ri Kombëtar me shembje në mënyrë të dhunshme të godinës historike jashtë çdo procesi konkurrues apo konsensusi publik.

Projekti, i dhënë fillimisht përmes një ligji special, u shoqërua me akuza për favorizime politike dhe kafshim të hapësirës publike në interes ndërtimi kullash për privatin. Në këtë kontekst, angazhimi i BIG-ut në Tiranë nuk është thjesht një çështje estetike apo funksionale, por një akt me ngarkesë politike: një arkitekt që në vende evropiane – aq më shumë në Danimarkë – projekton me ndjeshmëri sociale, në Shqipëri bëhet palë në riformatimin autoritar të qytetit.

Siç paralajmëron kritiku tjetër britanik, Jeremy Till, Arkitektura nuk është neutrale: ajo ose e forcon pushtetin ekzistues, ose e sfidon atë”. Në rastin e Tiranës, BIG-u zgjodhi të ndërtojë për pushtetin, jo për qytetin.

Projekti i arkitektit Luca Dini “Colosseum 339″/Citizens.al

Kontrasti dhe shpërfillja e arkitekturës vendase

Për ata që patën mundësi ta ndiqnin nga afër festivalin “Bukë dhe Zemër”, aktiviteti nxori në pah kontrastin mes emrave të mëdhenj të arkitekturës ndërkombëtare dhe mungesës së dukshme të përfshirjes reale të komunitetit vendas të arkitektëve, urbanistëve dhe studiove të pavarura shqiptare.

Për një event të kësaj shkalle – që bashkoi 170 pjesëmarrës të huaj nga më shumë se 20 vende – pritej që të shërbente si një platformë ku zëri i arkitektëve shqiptarë jo vetëm të dëgjohej, por të vihej në qendër të vëmendjes.

Në vend të kësaj, festivali mbeti në thelb një vitrinë e “arkitekturës së importit”, ku projektet për Shqipërinë u artikuluan nga të huajt e përzgjedhur nga pushteti, ndërsa profesionistët vendas u reduktuan në role logjistike e teknike si ndihmës ose përmendje në fund të fletushkave apo ekspozitës promovuese.

Pjesëmarrja e kufizuar e arkitektëve shqiptarë në panelet e diskutimit – së paku të eventit publik të datës 6 qershor – ishte simptoma e qartë e qasjes që nuk njeh, nuk përkrah dhe nuk investon në potencialin vendas të arkitekturës.

Përveç Kryeministrit Rama dhe dy emrave që lidhen drejtpërdrejt me organizimin dhe institucionet publike – Falma Fshazi ish-drejtore e Qendrës për Hapje dhe Dialog (COD) dhe Sonila Abdalli, arkitekte, drejtuese dhe themeluese e Destil Creative Hub – nuk pati asnjë përfaqësim tjetër në fjalime, ligjërata apo diskutime nga studiues, arkitektë apo zëra të pavarur shqiptarë.

Mungesa ishte edhe më domethënëse nëse merret parasysh se aktiviteti nuk pati asnjë emër shqiptar nga Kosova, Maqedonia e Veriut apo Mali i Zi mes të ftuarve zyrtarë – paraqitur në webfaqe – ndonëse këto vende ndajnë realitete të ngjashme urbane dhe kulturore me Shqipërinë, dhe mund të kishin sjellë përvoja të vlefshme rajonale.

Stenda e “AYA” në aktivitetin Bread and Heart/Citizens.al

Ekspozitat në katet e sipërme të “Book Building” – që përmbanin projekte të më shumë se 60 studiove të njohura ndërkombëtare – u ndërtuan nga stafi i Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit, i studios 51N4E dhe iRI, në bashkëpunim me disa kompani ndërtimi dhe studio vendase. Këto të fundit, ishin përmendur në cep të broshurave më tepër “në rolin e asistentëve teknikë” sesa si aktorë të barabartë në procesin krijues.

Ngjashëm, stendat rreth Bashkisë Tiranë dhe “Book Building” ekspozonin emrat e disa prej kompanive shqiptare, por prania e tyre ishte më shumë si dëshmi e rolit prej zbatuesi të projekteve “të hartuara gjetkë”.

Jashtë kësaj fasade zyrtare, në një nga stendat më të vogla, por më domethënëse – të organizuar nga grupimi Albanian Youth Architects – opinioni ishte krejt ndryshe.

Në një mori fletushkash të vendosura për diskutim të hapur, arkitektët e rinj tërhoqën vëmendjen për mungesën e pjesëmarrjes vendase në vendimmarrjen urbane, për anashkalimin e traditës, mungesën e hapësirave të gjelbra dhe planifikimit gjithëpërfshirës.

“Arkitektura është shumë premtuese, por planifikimi urban është lënë pas dore,” thuhej në një prej fletëve, ndërsa në një tjetër theksohej se “korrupsioni i jep formë horizontit të qytetit”.

Në pyetjet e hapura për të ardhmen e qyteteve të Shqipërisë, komentet e pjesëmarrësve ishin shqetësuese: “Kaos”, “mungesë hapësirash publike”, “zhvillim që nuk merr parasysh njeriun”.

Kjo qasje kritike ndaj vizionit vertikal të Tiranës dhe rolit gjithnjë e më të kufizuar të arkitektëve vendas u ilustrua edhe me komente mbi projekte specifike.

Opinione të shprehura në stendën e AYA/Citizens.al

Për shembull, një i pranishëm e përshkruante projektin e kullës së Luca Dini-t si “i frikshëm”, ndërsa një tjetër sugjeronte vlerësimin dhe përfshirjen e elementëve tradicionale dhe ruajtjen e elementëve që dallojnë identitetin në ndërtimet e reja.

Për projektin “Downtown One” të “Kastrati Group”, një pjesëmarrës shënonte: “Lartësi mbresëlënëse, por mungon hapësira e vërtetë publike rreth objektit”. Ishte një reflektim i drejtpërdrejtë i problemit thelbësor: mungesës së një plani urban që vë në qendër qytetarin.

Në këtë panoramë, festivali “Bukë dhe Zemër” i ngjau më shumë një ekspozite të kontrolluar, ku arkitektura përdoret për të legjitimuar politikat e ndërtimit, sesa një forumi të hapur për ide, konkurrencë dhe përfshirje.

Kështu, festivali mund të ketë sjellë “bukë” për karrierat e disave dhe “zemër” për vizionet autoritare të qeverisë për transformimin e vrullshëm urban, por për qytetarët ai përforcoi një tjetër realitet: atë të një vendi që po shet shpirtin për një fasadë me shkëlqim, të financuar nga interesa të padeklaruara dhe të firmosura nga ata që, gjoja, do ta mbronin, ruanin, dhe zhvillonin në të mirë për publiken.

Lexoni gjithashtu:

The post “Bukë, zemër dhe beton” appeared first on Citizens.al.

Kamza nën pushtetin e betonit

16 June 2025 at 14:22

Autor: Ronald Qema | Citizens.al | Kamëz

Prej disa vitesh, Kamzës po i transformohet peisazhi urban. Procesi, që përngjan me atë që u ndoq në Tiranë, është shtrirë jo vetëm në boshtin kryesor të qytetit, por dhe në lagjet e brendshme. Një nga zonat që e përfaqëson më mirë këtë ndryshim thelbësor është fusha që rrethonte ish-kompleksin sportiv “Rinia” dhe shtrihej deri në rrugën kombëtare.

Këtë fushë e përdornim për vite me radhë – gjatë pandemisë dhe viteve më pas – bashkë me aktorë të “Grupit Ata”, ku zhvillonim provat dhe shfaqjet për komunitetin. Por pas vitit 2022, hapësira u rrethua dhe u kthye në një kantier të madh ndërtimi.

Pavarësisht se ishte tokë private, ajo kishte rëndësi publike për aktivitetin e gjallë që i shërbente komunitetit. Duke analizuar zonën, vlen të rikujtojmë se në hartat zyrtare, kjo njësi strukturore figuron si “KZ UB A2 14/257”, e rrethuar nga rrugët “Stockholm”, “Nënë Tereza”, “Teuta” dhe “OSBE”.

“Grupi Ata” në prova për shfaqje në një nga fushat rreth ish-kompleksit sportiv “Rinia”, Kamëz/Foto R.Qema.

Një pasdite në pallatet e reja: Zëri i banorëve

Në fushat pranë ish-kompleksit tashmë janë ngritur dy ndërtesa rezidenciale, secila 9-katëshe, ndërtuar nga kompania “Mëhillaj” sh.p.k. Godina e dytë – me lejen nr. 4595 – mori miratimin nga kryetari i Bashkisë, Rakip Suli, më 23 dhjetor 2022, katër muaj përpara miratimit të Planit të Detajuar Vendor.

Plani i Detajuar Vendor për këtë territor u firmos po nga Suli më 25 prill 2023. Një shqyrtim i lejeve dhe dokumenteve të zhvillimit tregon se numri i kateve, koeficienti i shfrytëzimit të truallit dhe norma e gjelbërimit janë në limitet maksimale por në përputhje me planin.

Megjithatë, sapo banorët u zhvendosën në dy pallatet e reja, doli në pah një problematikë e rëndësishme: mungesa e vendparkimeve, hapësirave publike dhe infrastrukturës për një jetesë cilësore.

Për të kuptuar më shumë rreth shqetësimeve të banorëve, kalova një pasdite në zonë. Shefqet Dina, pronari i një ushqimoreje pranë një prej pallateve – me origjinë nga Hasi dhe ish-sipërmarrës në Divjakë – tregoi për ndryshimin mes jetës rurale dhe asaj urbane.

“Me aq lekë blen 3-4 makina,” tregon ai përballë pyetjes për çmimin e vend-parkimeve nëntokë (15–20,000 euro), shifër që ai thotë se është shumë e lartë.

Pamje e zonës para ndërtimeve/Citizens.al

Pikërisht vendparkimi duket problemi i parë. Nëntokë pallatet ofrojnë rreth 40 vende, shumë më pak se numri minimal i kërkuar nga Plani i Përgjithshëm Vendor i Kamzës – edhe për qëllim fitimi. Në Nenin 29 të këtij plani thuhet se minimalisht duhet “një vend parkimi për njësi banimi”.

Çmimi i qirasë për një vendparkim është i lartë, duke zënë deri 30 % të qirasë mujore të një apartamenti.

Fatos Demaj, një tjetër banor që jeton në Greqi dhe kthehet herë pas herë në banesën e tij me qera, tregon se parkimin e paguan muaj për muaj “vetëm për ato pak netë që kalon në Shqipëri”.

“Nuk kam kohë dhe nerva të shpenzoj gjysëm ore a më shumë për të gjetur vend parkimi,” thekson ai.

Kjo është gjendja e jetës urbane në lagjet e reja të Kamzës që vërvitet mes nevojës për infrastrukturë publike dhe shpërfilljes prej investimeve private.

Mes hapësirës pallateve, tre djem luanin me njëri tjetrin në një hapësirë që duket më shumë si në mes të një kantieri ndërtimi.

Pamje e zonës pas ndërtimeve/Citizens.al

“Imagjino po të kishim një fushë?!” ngriti si pyetje retorike njëri prej tyre pasi atyre u thashë se ekzistonte mundësia që për ta të ishte parashikuar diçka në projektin e zhvillimit.

Fëmijët që banojnë në këtë zonë bënë krahasimin me zonat e pa-urbanizuara dhe situatës aktuale që ata shohin në lagjen e tyre dhe shpresonin për një kënd lojërash apo fushë futbolli.

Projeksionet 3D të projektit në tabelën e punimeve tregojnë me vështirësi një park të vogël lojërash, por në realitet – pasi banorët u zhvendosën në hyrjet e reja – hapësira përreth mbeti e papunuar, me dhe të kuq e mbetje ndërtimi.

Nën lupën e Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH)

Proceset administrative të miratimit të këtyre godinve në këtë njjësi strukturore në Kamëz iu nënshtruan një auditimi nga KLSH. Kontrolli, i cili përpiloi një raport përfundimtar në prill 2024, tregoi për parregullsi:

  •  Mungesë të 334 m² parkim në raport me kërkesat minimale;
  • Distancë 13 metra ndërmjet godinave (nga 15 metra e lejuar);
  • Dokumentacion i paplotë për godinën në “Rruga Roma”;
  • Llogaritje të gabuar të “Taksa Ndikimit në Infrastrukturë” në nëntë raste;
  • Mos-konsultim me Operatorin e Sistemit të Transmetimit (OST) për ndryshime në linjat ekzistuese.

Pas këtij kontrolli dhe raporti, KLSH ka kërkuar procedime disiplinore për 34 punonjës, përfshirë nënkryetaren Migena Habibi dhe drejtorin e Drejtorisë së Planifikimit, Kontrollit dhe Zhvillimit të Territorit (PKZHT) Erlend Baballëku.

Zona mes pallateve në Kamëz/Foto R.Qema.

Bashkia Kamëz kundërshton pjesërisht gjetjet për distancën, duke argumentuar se gjithçka është brenda kufijve të VKM-së nr. 408 duke qënë se “objekti nuk rezulton të jetë ndërtuar me leje ndërtimi apo disponon certifikatë përdorimi”. Por kjo lë pasoja në përditshmërinë dhe jetën e qytetarëve në këtë zonë, të cilëve u privohet “e drejta për diell dhe qiell”.

Paralelisht KLSH ka konstatuar pasaktësi në llogaritjen e taksave të ndikimit në infrastrukturë, ku përveç projektit në rrugën “Roma”, kjo duket të ketë ndodhur edhe në tetë raste të tjera. KLSH thekson se kjo praktikë ka ndikuar negativisht në buxhetin e bashkisë.

Nevoja për llogaridhënie: Bashkia hesht

Për t’u njohur me reagimin e institucionit mbi raportin e KLSH-së, por edhe me qasjen e zhvillimit urban, iu drejtuam Bashkisë Kamëz.

Në hyrje, përballëm një atmosferë refuzuese ku një kërkesë për intervistë me drejtorin e PKZHT-së, kalon në disa hallka shqyrtimi për miratim nga përgjegjësja për komunikimin, te kryetari Suli.

“Ta diskutoj edhe me Kryetarin, se cilin do vendosë, për t’iu përgjigjur pyetjeve.[…] Unë do ia lë shënim dhe do të më telefonojë,” tha përgjegjësja e komunikimit.

Pas dy javësh pritje të një përgjigjeje miratimi ose jo, nuk erdhi asnjë përgjigje. E njëjta histori përsëritet nga i njëjti institucion që refuzoi kërkesën për një reagim të ngjashëm edhe në janar 2023.

Tiranizimi i Kamzës

Kamza po merr pamjen e një qyteti me simptomat urbane të Tiranës: mungesë hapësirash publike, rrjet trafiku të mbingarkuar, parkingje të pamjaftueshme, probleme me menaxhimin e mbetjeve dhe mungesë llogaridhënie.

Banderola e “Grupit Ata” kundër mënyrës së zhvillimit në Kamëz/Foto R.Qema.

Kjo pasqyron një model zhvillimi ku interesi privat merr përparësi mbi mirëqenien e komunitetit.

Aktivistët e qytetit e kanë kundërshtuar këtë zhvillim urban. Grupi Ata, gjatë Javës së Arkitekturës në vitin 2023, i priti vizitorët që vinin prej kryeqytetit në një tur në njësitë Bathore dhe Paksuqan me një banderolë ku shprehej kundërshtia ndaj ndërtimit të pakontrolluar në Kamëz dhe politikave urbane të diktuara prej pushtetarëve. 

Pa ndërhyrje urgjente institucionale, Kamza do mbetet një shembull i “tiranizmit” urban.

The post Kamza nën pushtetin e betonit appeared first on Citizens.al.

Harta e kullave: Si qeveria po rishkruan brutalisht Tiranën

12 June 2025 at 17:47

Xhafer Lila banon në një prej pallateve pas shkollës Emin Duraku në Tiranë. Ai dhe një grup banorësh po protestojnë prej muajsh, pasi mësuan se në hapësirën mes pallateve dhe oborrit të shkollës do të ndërtohet një kullë 16 katëshe.

Nuk e di si mund të lejohet një katrahurë e tillë, për më tepër ngjitur me një shkollë ku mësojnë me qindra nxënës, i zë dritën e syve fëmijëve”, thotë i revoltuar Xhaferi, i cili ka një lidhje të ngushtë me shkollën pasi është mësues.

Kulla që nxiti protestën e banorëve nuk është një rast i izoluar, por shembull konkret i një modeli zhvillimi që po përshkon të gjithë Tiranën

Citizens.al analizoi lejet e shqyrtuaranga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit (KKTU) dhe Komiteti i Investimeve Strategjike (AIDA)* në periudhën 2015-2025, duke zbuluar se ky organ kolegjial i ka hapur rrugën ndërtimit të të paktën 139 kullave në kryeqytet.

KKTU drejtohet nga Kryeministri Edi Rama, me fuqi të jashtëzakonshme ligjore, të cilën e ka përdorur rregullisht për të miratuar leje ndërtimi që thyejnë kriteret e planit urbanistik të qytetit.

Agjencia e Zhvillimit të Territorit (AZHT), e cila kryen rolin e sekretariatit mbi vendimet e KKTU-së, në jo pak raste ka dështuar të bëjë transparencë për zbardhjen e vendimeve për lejet zhvillimit dhe ndërtimit për kullat, duke bërë publike vetëm 65 nga 139 vendimet e shqyrtuara nga KKTU për objekte me lartësi nga 8 deri në 100 kate.

Janë plot 72 projekte që gjenden vetëm në rendin e ditës së mbledhjeve të KKT, për të cilat institucionet kanë injoruar detyrën për të informuar publikun nëse këto ndërtime do të realizohen, refuzohen apo ndryshohen.

Citizens.al i është drejtuar AZHT-së me disa kërkesa për informacion, duke kërkuar transparencë mbi vendimet e pa zbardhura. Agjencia u përgjigj zyrtarisht se vendimet gjenden në faqen e AZHT-së, bashkë me hartat e planvendosjes që tregojnë ku do të ndërtohen kullat.

Për të provuar se kjo është e pavërtetë, mjafton të shqyrtojmë një nga mbledhjet e fundit të KKTU-së, atë të datës 27 shkurt 2025, ku janë shqyrtuar 59 leje ndërtimi dhe zhvillimi, nga të cilat në faqen e AZHT-së janë zbardhur vetëm 9 , ndërsa 50 të tjerat mbeten jo-transparente, në shkelje të afatit ligjor prej 90- ditësh.  

Në një tjetër rast, AZHT-së iu deshën 8 muaj për të zbardhur vendimin e kullës 33-katëshe që po ndërtohet pas Teatrit Kombëtar.

“Kullat lartësohen, transparenca ulet”

Duke analizuar të dhënat e lejeve të publikuara në 15 vitet e fundit, Citizens.al ka krijuar një hartë të vendodhjes së kullave në kryeqytet. Të dhënat tregojnë një rritje progresive e lartësisë dhe intensiteit të ndërtimeve.

Në përgjithësi, 139 kullat (65 me vendime të zbardhura) kanë një lartësi mesatare prej 26 katesh. Gjysma e këtyre objekteve shkojnë me lartësi nga 24 (mediana) deri në 100 kate.

“Ajo që po ndodh është ‘kullëzim’ i qëndrës nën arsyetimin e rigjenerimit urban apo modernizimit,” thotë urbanistja Doriana Musai për Citizens. Ajo nënvizon se në asnjë kryeqytet europian nuk lejohet ndërtimi i 30-katëshëve pranë monumenteve të shek. XVIII–XIX.

Zonat më të prekura janë ato pranë Sahatit, ish-Teatrit Kombëtar, Bankës Kombëtare dhe stadiumit “Arena Kombëtare”, ku janë ndërtuar ose janë në proces projekte si “Eyes of Tirana”, “InterContinental Hotel Tirana”, “Mount Tirana”, “Book Building”, “Downtown One”, etj.

Në horizont, pas Operas, është shpallur projekti fitues për qiellgërvishtësin e parë që pritet të shkojë në 300 metra lartësi “Tirana Society Towers”.

Ekspertët argumentojnë se kjo është bërë e mundur përmes një përdorimi selektiv të Planit të Përgjithshëm Vendor (PPV) të kryeqytetit, që lejon “zonifikim të përzier” në shumë zona.

Zona e ish-Bllokut, është një shembull i qartë se si vendimet e KKTU-së kanë thyer kriteret e lartësisë dhe intensitetit të ndërtimit, të përcaktuara në planin urbanistik. Bashkia Tiranë parashikonte zhvillimin e zonës me godina nga 5 deri në 9 kate, ndërsa KKTU miratoi 12 lejet ndërtimi kullash me intensitet më të lartë.

Lartësia dominuese e ndërtimit në Tiranë ka ndryshuar sipas viteve, në periudhën 2000-2009, ndërtimi ishte kryesisht i kufizuar, me ndërtesa që rrallë e kalonin pragun e 10-kateve. Midis viteve 2010-2014, filloi të vërehej prirje drejt ndërtimeve më të larta, me objekte që shkonin deri në 15-kate, megjithatë me kufizime të qarta në zonat qendrore.

Ndryshimi i vërtetë ndodhi pas vitit 2015, kur Tirana përjetoi një “boom” kullash, me projekte që tejkalojnë 40-katet, duke përfshirë ndërtimet masive edhe në zona historike apo pranë monumenteve të mbrojtura.

KKTU: Më shumë fuqi, më pak kontroll dhe standarde      

Që nga ndryshimet ligjore të vitit 2014, Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT) është shndërruar në një instrument qendror të vendimmarrjes për zhvillimin urban në vend.

Ky organ ka marrë kompetenca të shtuara që kapërcejnë planifikimin urban tradicional dhe përfshijnë edhe administrimin e burimeve ujore – duke u emërtuar së fundmi si Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujërave (KKTU).

Sipas urbanistes Doriana Musai, përbërja aktuale e KKTU-së – e dominuar nga ministra dhe përfaqësues të qeverisë – ka zëvendësuar modelin më të balancuar që ekzistonte më parë, duke dobësuar ndjeshëm mekanizmat e transparencës dhe kontrollit.

Përmes pesë ndryshimeve në Ligjin 107/2014 dhe dhjetë vendimeve të Këshillit të Ministrave, ky institucion ka përqendruar në mënyrë të pazakontë vendimmarrjen për ndërtimet strategjike, shpesh duke anashkaluar pushtetin vendor dhe institucionet mbikëqyrëse.

Një shembull domethënës është projekti “Hora Vertikale” – një kullë 41-katëshe pranë Universitetit të Sporteve – e cila bie ndesh me Planin e Përgjithshëm Vendor (PPV), që lejon ndërtime deri në 9 kate.

Ndërtimi është planifikuar mbi një fushë sportive publike, ndërsa Bashkia e Tiranës ndryshoi destinacionin e tokës me një vendim të fundvitit 2023, duke hapur rrugën për këtë zhvillim. Ky model është kundërshtuar nga arkitektë, aktivistë dhe qytetarë, duke ngritur shqetësime edhe për raste të shpronësimeve të debatueshme që shoqërojnë projekte të ngjashme.

Musai vë në dukje gjithashtu përplasjen e praktikave aktuale me Ligjin për Trashëgiminë Kulturore (nr. 27/2018), i cili parashikon që çdo ndërhyrje pranë monumenteve të marrë vlerësim paraprak nga institucionet përkatëse. Në realitet, këto vlerësime shpesh merren “post-factum” – pasi projekti është miratuar politikisht – ose anashkalohen tërësisht përmes vendimeve të veçanta të KKT-së që e justifikojnë ndërtimin si “interes kombëtar”.

Ajo thekson se mungon një sistem funksional monitorimi për ndikimin vizual dhe estetik të kullave në hapësirat historike.


*Mes listës së kullave përfshihet edhe projekti “The Cliffs” – një propozim i pakërkuar që parashikon tre kulla 18-23-30-katëshe në truall publik pranë “Bulevardit të Ri”. Një rast atipik i kaluar nga AIDA dhe i papërmendur në rendet e ditës në mbledhjet e KKTU-së. Ai ka zënë vendin e projektit të grupit saudit Al Shiddi, që parashikonte gjithashtu një kullë të lartë. I paraqitur nga kompania Adriatic Resorts (me pronarë përfitues Steven Merrill Gallaway dhe Engjëll Pasha) “The Cliffs” mori statusin e investimit strategjik në vitin 2024 dhe aktualisht nuk ka asnjë informacion nëse ka leje zhvillimi apo leje ndërtimi të miratuar.

The post Harta e kullave: Si qeveria po rishkruan brutalisht Tiranën appeared first on Citizens.al.

Kulla që mbulon Zotin me beton

8 June 2025 at 00:46

Në një ditë që i përket kujtimit të sakrificës, në një shesh që i përket historisë, u lartësua një kullë që s’ka të bëjë as me Zotin, as me qytetin.

Më 6 qershor 2025, në Kurban Bajram, Edi Rama nuk flijoi një dash. Flijoi një tjetër copë Tirane. Me lavdi dhe spektaklin e ngjyrave të larmishme të tepihëve, inauguroi një nga kullat më të kontestuara të Tiranës.

E ngulur pas Sahatit dhe ngjitur me Xhaminë e Et’hem Beut, në zemër të zonës historike të qytetit, ajo kullë nuk është thjesht një ndërhyrje urbane.

Forma e saj pesëkëndëshe nuk është e rastësishme. Si vetë Pentagoni amerikan, simbol i komandës dhe i pushtetit absolut, kjo kullë ngrihet si një shenjë e arkitekturës që nuk strehon njerëz, por mbart një mesazh të koduar: një rit i ri flijimi, një ideologji e re.

Atje ku dikur sakrifikohej biri për një vizion hyjnor, sot sakrifikohet qyteti për një vizion personal.

Kjo kullë, që ka sfiduar ligjin dhe moralin, e ngritur mbi hirin e Bar Sahatit – e paralajmëruar dhe denoncuar pesë vjet më parë – është projektuar si një lavatriçe gjigande: një makineri betoni për riciklimin e parasë së zezë dhe larjen e mëkateve shtetërore me bojë estetike dhe forma arkitektonike.

Fjalimi i hapës i kryeministrit ishte një akt i mirëfilltë teatral. Me poezi, me metafora të ngarkuara me folklor, me përmendje të Abrahamit dhe “mendjeve të lira që nuk mbyten nga rregulloret”, ai nisi një spektakël ku arkitektura u shndërrua në alibi, dhe arti në pretekst për dominim, ku të vetmit spektator ishin mëkëmbësit e tij: Arkitektët.

Ai nuk ishte thjesht një fjalim, por një skenar për të legjitimuar një sistem. Një mashtrim i paketuar bukur për sytë e ushtrisë (siç i quajti vetë) prej 150 arkitektësh të huaj të ftuar, që si mëkëmbës të bindur duartrokitën – jo nga madhështia e idesë, por nga mirënjohja ndaj atij që u siguron çeqet dhe terrenin “më të lirë në Evropë” për të ndërtuar pa pyetur askënd: “në mënyrë të pabesueshme e lirë nga komforti i rregulloreve që nuk mbysin” (cit.).

Në emër të imagjinatës dhe ëndrrave arkitektonike, me investitorë të garantuar që s’kanë asnjë kërkesë përveçse të ndërtojnë shpejt, me vetëm një gjeneral idesh, dhe me projekte ku paguhen mbi 1 milion euro vetëm për dizajnin, Shqipëria u prezantua si vendi ku ëndrrat bëhen realitet – jo ëndrrat e qytetarëve, por të atyre që duan të pastrojnë para dhe të lyejnë krimin me ngjyrat e artit.

Si çdo lavatriçe që ka nevojë për aromatizues, edhe kjo lavatriçja e re urbane ka nevojë për arkitektë që të japin miratimin estetik. Ata u prezantuan si ushtri vizionarësh, por në thelb janë bashkëpunëtorë të një makinerie pushteti që përdor arkitekturën për të prodhuar amnezi kolektive.

Rama, i shndërruar nga piktor në arkitekt, nga kryeministër në “host-man”, ndoshta për disa minuta edhe e besoi atë që tha.

Por për të huajt që i vërtiten rrotull, fakti që kryebashkiaku i Tiranës është sot në burg për korrupsion, është thjesht një detaj – sa kohë që spektakli vazhdon, lejet vijojnë miratohen pa pengesa dhe çeqet 1 milion dollarësh plotësohen me përpikëri.

Për ne që jetojmë këtu, maketet, 3D-të dhe animacionet janë si tymi i djegies së plehrave – në pritje të inceneratorëve që nuk vijnë, dhe me sytë nga SPAK-u: kush e ka radhën pas Erionit?

Sepse ne e dimë, se pas atyre emrave dhe projekteve fshihen lejet e paligjshme, ndërhyrjet mbi monumente, mbi zonat historike, mbi zonat e mbrojtura, mbi malet dhe pyjet, bregdet, lumenj dhe liqene.

Pas shkëlqimit një ditor të “star-arkitektëve” fshihet dëbimi i njerëzve nga shtëpitë, dhe një ekonomi që mbijeton jo nga zhvillimi, por nga larja e parasë të bërë pis nga krimi dhe korrupsioni.

Arkitektët vendas, trullosur nga poezia e Kryeministrit, ndoshta dolën nga salla të frymëzuar – me atë vetëkënaqësinë e rreme se “arkitektura transformon jo vetëm hapësirën, por edhe mendjet” ose ndoshta si ushtarë të bindur – janë rreshtuar krah për krah me të huajt, përpara udhëheqësit të tyre, të cilit i kanë dhënë pushtetin e Kryearkitektit.

Ata u bënë bashkë në ditën e kurbanit – jo për të ndërtuar qytete më të drejta, më të qëndrueshme, më njerëzore – por për të zbatuar një mision shumë më të thjeshtë: Të shpëlajnë mëkatin me stil dhe të legjitimojnë krimin me dizajn.

Andaj, kulla pentagonale ku u prezantua ky “vizion” nuk është një koincidencë formale, porse ajo mishëron formën gjeometrike të një rendi të ri – ku sakrifica nuk është më akt besimi, por një strategji propagande.

Aty futen paratë e pista, betoni i paligjshëm dhe iluzioni i progresit, për të dalë më pas të pastruar me ngjyrat e artit dhe bekimin e arkitektëve të ftuar.

Prandaj, ngritja e saj pranë Sahatit dhe Xhamisë nuk ishte një zgjedhje arkitektonike-urbane – por një ritual i përmbysur flijimi, sepse sot, në këtë qytet, nuk sakrifikohet më djali për vizionin – por sakrifikohet vetë qyteti, për ta bërë vizionin të paprekshëm.

The post Kulla që mbulon Zotin me beton appeared first on Citizens.al.

Banorët e Treshit pa linjë urbane: “Gjithë jetën në këmbë”

20 May 2025 at 16:52

Autor: Franko Saliasi | Citizens.al | Tiranë

Tirana ka 16 linja urbane dhe mbi 300 autobusë, por për banorët e Treshit – një zonë periferike në Njësinë Administrative Nr. 11 – transporti publik mbetet luks i paarritshëm. Me një popullsi prej mbi 65 mijë banorësh, kjo zonë nuk ka qasje të drejtpërdrejtë në asnjë nga linjat ekzistuese.

Banorët kujtojnë për Citizens.al se dikur kanë pasur linjë autobusi, por pas vitit 2020 ajo u hoq.

“Na vunë një herë një autobus të vogël, linja e Bërxullit [njësi e Bashkisë Vorë]… as dy vjet nuk na e lanë,” thotë Xhelali, një nga banorët e zonës. “Pastaj ishte një autobus i linjës së Institutit [Bashkia Kamëz], që u fut te lagjja jonë, pak kohë e lanë edhe atë, para 4-5 vitesh.”

Për të arritur stacionin më të afërt, te Treshi, pranë shinave në rrethin ku bëhen bashkë rrugët “Lunxheri-Kastriotet”, atyre u duhet mbi gjysmë orë ecje, një sfidë që përkeqëson aksesin në arsim, punë e shërbime bazë.

Institucionet përgjegjëse – Bashkia Tiranë, Bashkia Vorë dhe ajo e Kamzës – bëjnë ping-pong me përgjegjësinë, ndërkohë që asnjë zgjidhje konkrete nuk është ofruar që prej ndërprerjes së linjës Kashar-Bërxullë në vitin 2023.

“[…] para pandemisë ka pasur linjë të transportit publik por jo e licencuar nga Bashkia Vorë.” tha kjo bashki për Citizens.al ndërsa nuk shpjegon arsyet se përse nuk u ofrohet një zgjidhje banorëve duke licencuar një kompani.

Qytetarë duke hipur në autobusin e linjës Kamëz-Qendër (Tiranë)/Shinat e Trenit tek Treshit, në kryeqytet.

Banorët flasin për një neglizhencë të thellë: “Janë tallur me ne në këto 30 vite, gjithë jetën në këmbë,” thekson Xhelali.

“Vijnë vetëm për vota,” shprehet e zhgënjyer Rita, një nënë e dy fëmijëve, të cilët ndjekin shkollën në Laprakë – mbi 3 kilometra larg – sepse zona nuk ka gjimnaz.

“E kanë harruar këtë lagjen tonë!” thekson më tej ajo.

Kjo mungesë e qasjes në transport përbën një problematikë serioze të barazisë sociale dhe urbanistike në Tiranë.

Dashnor Memaj, kryetar i Shoqatës së Transportit Urban, konfirmoi për Citizens.al se te zona e ashtuquajtur “Shinat e Trenit” te Treshi, kalojnë linjat “Institut-Qendër” dhe “Kamëz-Qendër”. Ndërkohë rreth 1.2 kilometra më tutje atyre u shërben linja “Vorë-Qendër” te qendra tregtare “Casa Italia”.

“Dal me fëmijët, pasi kanë qejf të shkojnë te lodrat, por na zë frika,” thotë Silva, një tjetër banore, e cila tregon se i druhen faktit se fëmijët lodhen të dalin deri në rrugën kryesore, teksa taksitë kërkojnë 300-400 lekë vetëm për një rrugë.

“Fëmija im shkon në shkollë në këmbë, unë përditë në këmbë, nuk e di si nuk menduan njëherë për ne,” vijoi ajo.

Qytetarë duke ecur në këmbë dhe automjete në rrugën Princ Vidi, ku mungon një linjë e transportit publik.

Bashkia Vorë i tha Citizens.al se për zonën që mbulon “nuk ka pasur ankesa nga banorët për shtim linje të re”.

Citizens iu drejtua Bashkisë Kamëz, e cila tha se “zona te rruga ‘Princ Vidi’ rrugicat përreth, deri në Bërxullë, nuk janë pjesë e juridiksionit të saj”.

Kryetari i Shoqatës së Transportit Qytetas, Kostandin Foni, sugjeroi që për këtë çështje t’i drejtoheshim Drejtorisë së Transportit Publik pranë Bashkisë Tiranë, pasi ajo harton mbulimin me linjat urbane.

Bashkia Tiranë pranoi se për linjën “Kashar-Bërxullë” në periudhën 2018-2023 qe lidhur kontratë shërbimi me kompaninë “Denisi Trans”, por që pas përfundimit të kontratës nuk e ka rinovuar atë.

Njësoj si dy bashkitë e tjera, edhe Bashkia Tiranë nuk sqaroi nëse ka pasur ndonjë studim për këtë komunitet apo për përshtatjen e linjave të tjera për ta mbuluar dhe zonën e Treshit duke e lënë çështjen pa zgjidhje.

The post Banorët e Treshit pa linjë urbane: “Gjithë jetën në këmbë” appeared first on Citizens.al.

Qoshja për ATSH: Transporti publik në Tiranë, me korsi të shpejtësisë së lartë

TIRANË, 15 qershor /ATSH/ Rixhin Qoshja, këshilltar për transportin publik, GIZ Shqipëri, në një prononcim për ATSH-në tha se, “transporti publik në Tiranë, por dhe disa qytete të tjera të Shqipërisë, Elbasan apo Vlorë, po përjeton një transformim të qëndrueshëm”.

Qoshja bëri të ditur se, si fillim është realizuar një pyetësor mbi kënaqësinë e pasagjerëve apo mënyrën sesi e përdorin transportin publik, për të kuptuar mbi nevojat e tyre dhe kemi ndikuar sado pak me ekspertizën tonë, në bashkinë e Tiranës për t’i përmirësuar ato.

“Më kryesori ka qenë implementimi i skemës subvencionuese për operatorët çka ka sjellë rritjen e shërbimit. Në vitin 2024 rreth 66 milionë udhëtime janë realizuar në transportin publik, për 8 milionë e 700 km të kryera e nga operatorët”, tha Qoshja.

Sipas tij, portali i ankesave është një mjet efikas që i shërben përmirësimit të shërbimit të transportit urban për qytetarët.

Ai tha se një nga projektet madhore që do të implementohet në bashkinë e Tiranës, është për korsinë me shpejtësi të lartë për transportin publik që do të realizojë investime të mëdha në infrastrukturë por edhe në përdorimin e mjete green që sjellin komoditet të lartë për pasagjerët.

Investimet e realizuara deri tani kanë mundësuar një rrjet të rishikuar ti linjave të autobusëve, ndalesa dhe orare itinerari të përcaktuara qartë, ndërtimin e rrugëve për biçikleta si dhe ndërtimin e dy rrugëve speciale për shkollat e biçikletave (në liqenin artificial dhe ngjitur me stadiumin).

/gj.m/a.f/

The post Qoshja për ATSH: Transporti publik në Tiranë, me korsi të shpejtësisë së lartë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Bileta falas për transport publik në Prishtinë, vlen vetëm pas validimit të biletës ndërurbane

4 June 2025 at 14:35

Dy muaj më parë, Trafiku Urban kishte marrë vendim që të gjithë udhëtarët që vijnë nga qytetet e tjera të Kosovës dhe mbërrijnë në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë, të përfitojnë falas një biletë ditore për shfrytëzimin e transportit urban në Kryeqytet.

Sipas këtij vendimi, e drejta për të përfituar biletën falas vlen vetëm për udhëtarët që zbresin në Stacionin e Autobusëve. Megjithatë, kjo masë kishte ngjallur disa paqartësi tek qytetarët, të cilët kishin shprehur shqetësime nëse biletat e transportit urban janë të vlefshme menjëherë apo nëse duhet të bëhet ndonjë veprim shtesë për validimin e tyre.

Për këtë çështje, Telegrafi ka kontaktuar Trafikun Urban, nga ku është bërë e ditur se pas mbërritjes në stacion, udhëtarët duhet të paraqiten në sportelet përkatëse për të kryer validimin e biletës ndërurbane dhe për të marrë biletën falas për transportin urban.

“Të gjithë qytetarët që udhëtojnë nga komunat tjera drejt Prishtinës dhe zbresin në Stacionin e Autobusëve, kanë mundësinë të përfitojnë nga udhëtimi me Trafikun Urban dhe të gjithë operatorët e transportit publik në Komunën e Prishtinës, përmes një procedure të thjeshtë.

Pas mbërritjes në Stacionin e Autobusëve, udhëtarët duhet të paraqiten pranë sporteleve në stacion, ku bëhet validimi i biletës ndërurbane. Pas validimit, kjo biletë do të jetë e vlefshme për të gjitha linjat e transportit publik në Komunën e Prishtinës, brenda të njëjtës ditë”, thuhet ne përgjigjen e tyre.

Mes tjerash, ata theksojnë se ky  shërbim është ofruar me qëllim të lehtësimit të qasjes në transportin publik për të gjithë ata që vijnë në kryeqytet për punë, studime apo shërbime të tjera./Telegrafi/

 

 

The post Bileta falas për transport publik në Prishtinë, vlen vetëm pas validimit të biletës ndërurbane appeared first on Telegrafi.

Mjediset urbane rrisin ndjeshëm rrezikun e astmës

By: Ela
31 May 2025 at 17:31

Mjediset urbane të ndotura dhe të mbipopulluara mund të rrisin ndjeshëm rrezikun e një personi për të zhvilluar astmë, thotë një studim i ri. Qytetet më të pastra dhe të planifikuara më mirë mund të parandalonin 1 në çdo 10 raste astme, raportuan së fundmi studiuesit në revistën The Lancet Regional Health – Europe. Rezultatet tregojnë se ndotja e ajrit […]

The post Mjediset urbane rrisin ndjeshëm rrezikun e astmës appeared first on BoldNews.al.

Trafiku Urban njofton për devijim të përkohshëm të linjave 3C dhe 4 për shkak të punimeve rrugore

31 May 2025 at 12:54

Trafiku Urban ka njoftuar qytetarët se, për shkak të punimeve që po zhvillohen në rrugët “Enver Maloku” dhe “Hilmi Rakovica”, do të ketë devijim të përkohshëm të qarkullimit për linjat 3C dhe 4.

Sipas njoftimit, ky devijim do të jetë në fuqi sot dhe nesër, ndërsa autobusët e këtyre linjave do të kalojnë përkohësisht në drejtim të rrugës “Agim Ramadani”, në afërsi të Fakultetit Teknik, deri në përfundimin e punimeve.

Trafiku Urban kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për këtë ndryshim të përkohshëm./Telegrafi/

The post Trafiku Urban njofton për devijim të përkohshëm të linjave 3C dhe 4 për shkak të punimeve rrugore appeared first on Telegrafi.

Banorët e Krilevës kërkojnë zgjidhje për lidhje më të lehtë me Prishtinën

25 May 2025 at 21:54

Transporti publik në fshatrat e Gollakut të Prishtinës dhe Kamenicës, konkretisht në Gllogovicë dhe fshatin fqinj Krilevë do të lehtësohej sikur të organizohej një vendndalim i përbashkët për autobusë në mes dy fshatrave. Në këtë mënyrë do të shkurtohej rruga për 1.5 kilometra, të cilën rrugë duhet përshkuar banorët e këtyre anëve aktualisht.

Ramush Cakolli, banor i fshatit Krilevë, thotë se do ta falte edhe tokën e tij vetëm të realizohej stacioni i përbashkët për autobus. Kjo për faktin se banorët e këtij fshati të Kamenicës udhëtojnë 1.5 kilometër për të shkuar në stacionin e autobusit në fshatin fqinj Gllogovicë për të vazhduar rrugën për në Prishtinë.

“Zbresin, plaka, fëmijë…dimrit është vonë në ora tetë edhe këtu nuk është keq kudo që merret vendimi le të bashkohen për një lehtësi, për një bashkim, për një ardhmëri ma të sigurtë ma të saktë ma të respektueshme për gjeneratat që po na vijnë pas nesh”, tha Cakolli.

Dita – ditës po revitalizohet fshati, andaj lehtësimet në infrastrukturë do të ishin jetike për banorët.

“Nuk është edhe aq shumë e zorshme për me krye. Dy komunat me u bë bashkë edhe e lehtëson qarkullimin”, tha Vehbi Cakolli, banor i fshatit Krilevë.

Ramush Cakolli thotë se numri i qytetarëve të cilët po e shfrytëzojnë transportin publik po shtohet çdo ditë e më shumë.

Komuna e Prishtinës ka lëshuar një linjë të “Trafikut Urban” nga Prishtina deri në Gllogovicë, ndërsa komuna e Kamenicës ka njoftuar banorët e Krilevës se janë të gatshëm të arrijnë një marrëveshje, që autobusi që vjen deri në Gllogovicë, ta shfrytëzojë edhe territorin e Kamenicës, përkatësisht fshatin Krilevë.

The post Banorët e Krilevës kërkojnë zgjidhje për lidhje më të lehtë me Prishtinën appeared first on Telegrafi.

Beci: Asfaltohet rruga “Mehmet Xhelil Fishta”

TIRANË, 14 prill/ATSH/ Kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci ka përcjellë sot pamjet e projektit, tashmë të përfunduar për asfaltimin e rrugës “Mehmet Xhelil Fishta”. Sipas Becit, ky është një “tjetër investim i bashkisë Shkodër që synon të përmirësojë infrastrukturën për banorët e zonës”.

Asfaltimi i kësaj rruge është pjesë e projekteve të bashkisë Shkodër për rikualifikimin e zonave urbane, ndërsa më herët Beci është shprehur se janë një sërë investimesh publike në një vlerë të konsiderueshme prej rreth 50 milionë euro që po kryhen në qytet me financimin e qeverisë shqiptare e bashkisë Shkodër.

Në Shkodër po punohet në rrugën hyrëse dhe dublimin e rrugës së Bahçallëkut, parkun 19 hektarë tek Ura e Bunës, rikualifikimi urban i Zdrales, pastrimi i liqenit të cilat po krijojnë një ndikim surprizues jo vetëm për banorët e Shkodrës, por edhe për vizitorët e shumtë që i drejtohen kryeqendrës së veriut.

/a.f/

The post Beci: Asfaltohet rruga “Mehmet Xhelil Fishta” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Të gjithë udhëtarët që mbërrijnë në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë, përfitojnë falas biletën për transportin urban

1 April 2025 at 13:40

Trafiku Urban ka njoftuar që të gjithë udhëtarët që vijnë nga qytetet e tjera të Kosovës dhe mbërrijnë në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë, përfitojnë falas biletën gjithëditore për transportin urban në Kryeqytet.

Trafiku Urban thotë se ky vendim vlen vetëm për udhëtarët që zbresin në Stacionin e Autobusëve.

“Ju njoftojmë se, sipas vendimit të datës 17.03.2025 nga Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, të gjithë udhëtarët që vijnë nga qytetet e tjera të Kosovës dhe mbërrijnë në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë, përfitojnë falas biletën gjithëditore për transportin urban në Kryeqytet. Po e theksojmë për qartësi, ky vendim vlen vetëm për udhëtarët që zbresin në Stacionin e Autobusëve”, thuhet në njoftim.

Tutje thuhet se me biletën tuaj të transportit ndërurban, mund të udhëtoni në të gjitha linjat e transportit publik urban të Komunës së Prishtinës pa pagesë shtesë./Telegrafi/

 

The post Të gjithë udhëtarët që mbërrijnë në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë, përfitojnë falas biletën për transportin urban appeared first on Telegrafi.

Bashkia Shkodër vijon investimet, rikualifikim urban i bllokut të pallateve në rrugën “Vëllezërit Frashëri”

TIRANË, 6 mars /ATSH/ Bashkia e Shkodrës ka nisur një tjetër investim ditët e fundit.

Benet Beci, kryetari i kësaj bashkie ka ndarë sot në rrjetet sociale pamje nga puna për rikualifikimin urban të bllokut të pallateve në rrugën “Vëllezërit Frashëri” që, sipas tij, do të vendosë një standard të ri për përmirësimin e infrastrukturës në këtë zonë.

Beci bëri me dije se “ky investim përfshin rrjetin nëntokësor KUB dhe KUZ, rikualifikimin e sheshit të pallateve, ndriçimin dhe krijimin e hapësirave të gjelbra për komunitetin”.

1 nga 5

/a.f//r.e/

The post Bashkia Shkodër vijon investimet, rikualifikim urban i bllokut të pallateve në rrugën “Vëllezërit Frashëri” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Plas sherri në urbanet e Tiranës, grushte e shkelma mes pasagjerëve dhe fatorinos (VIDEO)

By: V K
4 March 2025 at 09:23

Një video e publikuar në rrjetin social TikTok, po bën xhiron e rrjetit, teksa në një nga autobusat e linjës së ‘Tiranës së Re’, është regjistruar një incident mes fatorinos dhe pasagjerëve.

Në video shfaqet fatorino duke u dhunuar nga pasagjerët, ku këta të fundit e godasin me shkelma edhe në momentin që ai është i rrëzuar, ndërsa edhe punonjësi i linjës së transportit publik i kundërpërgjigjet me grushte.

Ende nuk dihen shkaqet që çuan në përdorimin e dhunës, në një nga linjat më të mbingarkuara dhe më problematike.

Kujtojmë që kjo nuk është hera e parë, që dhuna është e pranishme në urbanët e kësaj linje.

 

The post Plas sherri në urbanet e Tiranës, grushte e shkelma mes pasagjerëve dhe fatorinos (VIDEO) appeared first on Albeu.com.

Shqiptarët po shpenzojnë më shumë se një orë çdo ditë të ngecur në trafik

By: Ela
2 March 2025 at 08:29

Arbri, nga Tirana, ka një kompjuter në bordin e makinës, i cili regjistron kohën dhe ka matur se çdo javë qëndron 25 deri në 30 orë në trafik për një total që është nën 100 km. Mesatarisht, ai shpenzon mbi dy orë në ditë në trafik, me zonën më të rënduar në qendër të Tiranës. […]

The post Shqiptarët po shpenzojnë më shumë se një orë çdo ditë të ngecur në trafik appeared first on BoldNews.al.

Merret vendimi për biletën vjetore të udhëtimit në Prishtinë për korporatat dhe institucionet me mbi 50 punonjës

26 February 2025 at 15:42

Kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama ka miratuar vendimin për biletën vjetore të udhëtimit në Prishtinë.

Në njoftimin e bërë për media thuhet se ky vendim ka për qëllim të lehtësojë qasjen në transportin publik dhe të përmirësojë lëvizshmërinë në kryeqytet.

Vendimin për caktimin e çmimit preferencial të biletës vjetore të udhëtimit përfshin: Korporatat dhe institucionet me mbi 50 punonjës; Të gjitha ndërmarrjet publike lokale të Kryeqytetit.

Tutje, theksohet se çmimi preferencial: 120 euro në vit për person.

Gjithashtu, bëhet e ditur se përdorim është i pakufizuar në të gjitha linjat urbane.

Vendimi hyn në fuqi menjëherë.

Për më shumë informacion, mund të lexoni vendimin në linkun në vazhdim, duke klikuar këtu. /Telegrafi/

The post Merret vendimi për biletën vjetore të udhëtimit në Prishtinë për korporatat dhe institucionet me mbi 50 punonjës appeared first on Telegrafi.

❌
❌