TIRANË, 13 korrik/ATSH/ Ministri i Shtetit dhe drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla, zhvilloi një takim falënderues me komunitetin shqiptar në Athinë, në kuadër të një turneu pas fitores së thellë të PS në zgjedhjet e 11 majit 2025.
Gjatë ndalesës së tij në kryeqytetin grek, Balla u shpreh mirënjohës për mbështetjen e jashtëzakonshme që diaspora shqiptare në Greqi dhe në mbarë botën i dha Partisë Socialiste dhe Kryeministrit Edi Rama.
“Mirënjohje për të gjithë shqiptarët në çdo cep të Greqisë e në çdo anë të globit për mbështetjen e madhe më 11 maj për Edi Ramën dhe Partinë Socialiste,” shkroi Balla në një postim në rrjetet sociale nga Athina.
Duke vlerësuar kontributin e pakursyer të shqiptarëve në shoqërinë greke, Balla theksoi se sot ata përfaqësojnë një pjesë thelbësore të punës, ekonomisë, dijes, sportit dhe kulturës së Greqisë. Ai nënvizoi gjithashtu ndryshimin rrënjësor që ka ndodhur në vetëdijen dhe vetëbesimin e komunitetit shqiptar në këtë shtet fqinj.
“Ka mbaruar një herë e mirë koha kur hezitonin të thonin: ‘Jam nga Shqipëria’. Shqipëria ka qenë gjithnjë kryelartë për shqiptarët që jetojnë në Greqi, por sot edhe ata janë kryelartë për Shqipërinë.”
Takimi në Athinë është pjesë e një turi falënderimesh që Taulant Balla po zhvillon me përfaqësues të diasporës shqiptare në disa vende ku jeton një komunitet i madh dhe nga ku pjesëmarrja me votë ishte e madhe në zgjedhjet e fundit.
Balla ka theksuar se kjo mbështetje do të kthehet në përgjegjësi dhe angazhim të drejtpërdrejtë të qeverisë për të fuqizuar më tej lidhjen me diasporën dhe për t’u dhënë atyre zë në vendimmarrjen kombëtare.
Përmes një interviste, gazetarja Mola Luku tha se rihapja e kutive nuk solli asgjë dhe kjo pritet, por ajo që ishte interesante me hapjen e kutive, ishte në një farë mënyrë dallaveret ishin bërë brenda vetë partive.
Ajo shtoi se kishim një Parti Demokratike që doli më e humbur nga rezultati i 11 majit, pasi PD-ja mori 50 mandate që është pak për opozitën që kërkonte pushtetin.
Luku: Rihapja e kutive nuk solli asgjë dhe kjo pritet, por ajo që ishte interesante me hapjen e kutive, ishte në një farë mënyrë dallaveret ishin bërë brenda vetë partive. Kishim një PD që doli më e humbur nga rezultati i 11 majit. PD-ja mori 50 mandate që është pak për opozitën, teksa opozita në rinumërim tregoi se disa nga deputetët kanë vjedhur votat e njëri-tjetrit.
Po ashtu ka pasur vota të pavlefshme që janë cilësuar si të vlefshme. Ky rinumërim është bërë me kompetencë të KAS-it që kanë vlerësuar nëse votat janë të vlefshme apo jo, ndërsa në 11 maj ishin komisionerët e politikë.
Partia Demokratike vijon të mos e pranojë atë që mori nga zgjedhjet e 11 Majit. Tani i kërkon KQZ-së që t’i vërë në dispozicion pamjet filmike të të gjitha qendrave të votimit në vend të kërkuara prej saj në mënyrë të përsëritur dhe informacionin për kthimin e zarfeve të votave të diasporës, nëse janë bërë dorazi apo jashtë kanaleve të DHL-së. Kjo kërkesë që mban datën 4 korrik në protokoll…
Këtë të premte, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, doli në një konferencë për mediat, nga ku foli për zgjedhjet e 11 Majit.
Teksa i cilësoi zgjedhjet parlamentare si ‘farsë elektorale’, Berisha publikoi sot video të reja nga disa qendra votimi në Krujë, që sipas tij faktojnë manipulimin e votave.
Në videot e publikuara dhe të shpjeguara nga PD, vërehen votime familjare dhe patronazhistë që shoqërojnë zgjedhësit në kutinë e votimit.
“Votim familjar nën mbikëqyrjen e kamerës së qeverisë”, tha PD përmes videove të transmetuara.
Berisha: Tani, rikthehemi tek problemi themelor, shkatërrimtar për Shqipërinë dhe shqitparët. Farsa elektorale 11 maj, 2025.
Në themel te shkretimit të Shqipërisë, të përgjysmimit në 10 vite të popullatës së saj.
Në themel të rritjes së madhe të varfërisë në këtë vend. Në themel të dominimit total të Shqipërisë nga kartelet e drogës dhe krimi, qëndron mungesa e votës së lirë të shqiptarëve me një ndërthurje të këtyre faktorëve, ndaj dhe PD është e vendosur të paraqesë para shqiptarëve të gjithë farsën e shëmtuar që ndodhi më 11 maj, me besimin e plotë se, do të jetë një motiv i madh për ta për t’u ngritur dhe rivendosur me çdo çmim dhe me çdo kusht votën e lirë në Shqipëri, për t’u përballur me narkoshtetin.
Sot, këtu kemi video, nga një seri qendrash të Bashkisë së Krujës, ku ju do të shihni se si u votua në këtë bashki, ndërkohë që, policia politike e patronazhistëve kontrollonte në mënyrë anti-ligjore, anti-kushtetuese votën e qytetarëve, ose qytetarët votonin kolektivisht, ose votonin duke patur kamerat mbi kokë, në mënyrë që t’u lexohej vota. Kjo është fshehtësia e votës.
Këtë të enjte, pas rinumërimit në qarkun e Tiranës dhe Fierit, në orën 09:00, në Pallatin e Sportit “Farie Hoti”, pritet të nisë procesi edhe për kutitë e Durrësit.
Në total, janë 290 kuti që do të rihapen, ku do të përfshihet edhe vota e diasporës për këtë qark.
Në këtë qark, beteja është mes Aulon Kalasë dhe ish-prokurorit Arjan Ndoja. Ky i fundit fitoi me një diferencë prej 1047 votash.
Kalaja nuk u mbështet nga PD në betejën e tij për rinumërim, por u ndihmua nga Partia Lëvizja e Legalitetit, i cili ishte në koalicionin PD-ASHM.
Kalaja protestoi edhe dje para Pallatit të Sportit “Farie Hoti”, ku po rinumëroheshin kutitë e fundit të Fierit, duke kërkuar korrektësi nga KAS dhe rinumërim të plotë të kutive të votimeve për Durrësin.
Ai kërkoi gjithashtu edhe këqyrjen e pamjeve filmike, me pretendimin se i janë transferuar votat brenda partisë.
Pritet të shihet nëse me rinumërimin e këtyre kutive, Kalaja do të mund të rikuperojë votat e nevojshme për të përmbysur rezultatin e Ndojës.
Endri Shabani, drejtuesi i partisë “Nisma Thurje”, ka folur në Euronews Albania mbi rinumërimin e votave që po zhvillohet dita ditës në Tiranë, ndaj të cilave ka bërë një shpjegim nëse ka pasur apo vjedhje të tyre gjatë procesit.
Me një bindje të plotë, Shabani shton se “Nisma” ka pasur vëzhgues në çdo moment në qendrat e votimit, duke e bërë procesin sa më transparent.
“Nuk kemi pasur asnjëherë pretendimet që na janë vjedhur votat në kuti. Kur thonim që i kemi mbrojtur votat nga fillimi deri në fund, na akuzonin se nuk jemi opozitë mjaftueshëm sa Berisha. Po rinumërimi tregoi që çdo votë të cilën shqiptarët kanë hedhur tek kutia për koalicionin ‘Nisma Shqipëria Bëhet’, është numëruar, kjo edhe për shkak të organizimit nga KQZ por edhe sepse i kemi qëndruan mbi kokë. Nuk ka pasur asnjë votë, asnjë kuti apo qendër rinumërimi që nuk ka pasur vëzhgues të “Nismës” që rrinë aty 24 orë për ditë të tëra.
Nuk kisha pritshmëri që të ndryshonte rezultati. Pastaj ka edhe vota që mund të jenë rivlerësim. Që do të thotë, nga 17 mijë e ca vota që ka marrë “Nisma Shqipëria Bëhet”, janë hequr 44 vota. Kjo ka ndodhur sepse në fazën e parë, këto vota janë quajtur të vlefshme, kur është bërë rinumërimi ka pasur një rivlerësim ku mund të jenë quajtur të pavlefshme. Qartazi, asnjë votë që ka shkuar për “Nismën Shqipëria Bëhet” nuk është tjetërsuar, nuk ka guxuar njeri ta prekë. Këtu është modë të thuash mi vodhën votat”, tha Endri Shabani.
Anëtarja e kryesisë së Partisë Demokratike, Mimoza Hajdarmata, foli në lidhje me atë që e cilëson si një farsë elektorale gjatë zgjedhjeve të 11 majit.
Ajo deklaroi se qytetarët u përballën me presion, frikë dhe shantazhe nga partia në pushtet, sidomos në zonat e prekura nga tërmeti, si njësia 6 në Kombinat. Sipas saj, procesi zgjedhor u manipulua përmes abuzimit me fondet e rindërtimit dhe mosdorëzimit të çelësave të banesave si formë presioni për të ndikuar votën.
“Në fakt kjo që ndodhi nuk është se nuk ishte e paralajmëruar nga PD. Gjatë gjithë fushatës elektorale, ne, i gjithë ekipi, qoftë drejtuesit politik, qoftë kandidatët e listës së hapur apo listës së mbyllur, gjatë kontakteve që ne kemi pasur me qytetarët duke prezantuar programin, kemi takuar qytetarë të trembur, të frustruar, të kërcënuar për të mos qenë të lirë për të dhënë votën aty ku ata do donin. Unë për vete kam parasysh këtu edhe fushatën, pjesën time të angazhimit.
Rasti i Kombinatit, njësisë 6, është e prekur jo vetëm nga tërmeti, por edhe nga abuzimi i partisë-shtet me atë çfarë bëri me fondet gjoja të rindërtimit, e cila jo vetëm që u zvarrit dhe u abuzua, por arriti deri aty sa të ishte një ndër elementët kryesorë me të cilët qytetarët u shantazhuan gjatë kohës së fushatës. Qytetarët ishin të trembur se nëse do të merrnin pjesë në takimet tona, do të deklaroheshin apo do të shkonin të votonin si të dyshuar nga ana e partisë-shtet që do votonin për opozitën, në këmbim të mosdhënies së çelësave të hyrjeve të cilat atyre u takonin. Shumë janë paraqitur të trembur, duke thënë: ‘ne nuk dalim dot krah jush, sepse mund të mos na e japin atë çfarë na takon’. Ky ishte një element që ne e kemi prezantuar dhe e kemi bërë publik gjatë gjithë kohës.” – tha Hajdarmata.
Partia Socialiste fitoi bindshëm zgjedhjet e 11 majit. I ftuar në emisionin Kjo javë në News 24, deputeti i zgjedhur Ardit Bido dha arsyen kryesore se përse ishte ky rezultat në zgjedhje.
Ai tha se arsyeja kryesore pse PS fitoi zgjedhjet thellë ishte premtimi real i Partisë Socialiste për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian.
Sipas Bidos, negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian përfundojnë deri në vitin 2027 dhe integrimi i plotë i Shqipërisë në BE është i mundur deri në vitin 2030.
Ardit Bido, deputet i zgjedhur i PS në zgjedhjet e 11 majit: Integrimi në BE ishte ndër arsyet kryesore të besimit tepër të lartë të qytetarëve, që na votëbesuan. Nuk është një objektiv teorik dhe nuk është një objektiv, që është zbukurim politik. Është një objektiv real, në kohë i dukshëm. Brenda vitit 2027 përfundojnë negociatat me Bashkimin Europian. Është objektiv që është deklaruar edhe nga vetë BE-ja, edhe nga Komisioni Europian. Ishte arsye e rëndësishme, që qytetarët votuan për të pasur sot një shumicë qeverisëse, e cila do të jetë stabël, e madhe, që të çojë përpara reformat dhe legjislacionin e nevojshëm për t’u integruar në BE.
Integrimi në Bashkimin Europian është çështje mirëqenie, është çështje barazie. Është arritje madhore, nëse ne do të jemi pjesë e BE më 2030. Viti 2030 është një afat normal, pas mbylljes së negociatave deri në integrim të plotë të vendit në Bashkimin Europian.
Partia e Lirisë ka ngritur shqetësimin për rritjen e punësimeve në administratën publike.
Në një deklaratë për media, zv. Sekretarja e Përgjithshme e Partisë së Lirisë, Brunilda Haxhiu tha se punësimet janë bërë për të blerë votën përmes vendeve të punës, në vend që të shërbejnë për përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve.
‘Rritja e punësimeve në administratë publike tre muaj para zgjedhjeve është një krim i shëmtuar elektoral që vetëm SPAK nuk e sheh. Ky krim elektoral i konsumuar në funksion të blerjes së votave më 11 maj, siç denoncoi edhe kreu i misionit të vëzhguesve të Parlamentit Europian, Z.Gahler është jo vetëm një abuzim barbar i taksave të qytetarëve por edhe dëshmi e qartë për keqpërdorimin e administratës shtetërore për qëllime elektorale.
Në një kohë kur Shqipëria po përballet me një rënie dramatike të popullsisë, me mijëra të rinj që largohen çdo vit për mungesë të mundësive të barabarta dhe perspektivës për të ardhmen, qeveria zgjodhi të mbushë zyrat e shtetit me militantë e klientë politikë, jo për të përmirësuar shërbimin ndaj qytetarit, por për të blerë votën me vendin e punës. Përdorimi kriminal i administratës publike në fushatë dhe zgjedhje është fytyra me e qartë e kapjes së shtetit’, tha ajo.
Duke iu referuar të dhënave zyrtare të INSTAT, Haxhiu thekson se në tremujorin e parë të vitit 2025, punësimi në sektorin publik është rritur me 2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa krahasuar me vitin 2019, numri i të punësuarve në sektorin shtetëror është rritur me 7.3%.
‘Sipas INSTAT, në tremujorin e parë të vitit 2025, punësimi në sektorin publik është rritur me 2% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Por ajo që është edhe më alarmante është fakti se krahasuar me vitin 2019, numri i të punësuarve në sektorin shtetëror është rritur nga 172.900 në 185.400, një rritje prej 7.3% – në një kohë kur shumë shërbime ofrohen online dhe kur popullsia e vendit ka rënë ndjeshëm .
Kujt po i shërben kjo rritje? Popullit që ikën, apo partisë që kërkon të mbajë pushtetin me çdo kusht? Një administratë që rritet ndërsa popullsia bie është një paradoks tragjik. Kjo nuk është më qeverisje, por pushtet i bazuar mbi klientelizëm, jo meritokraci. Të punësuarit në administratë nuk janë votues të lirë, por viktima të presionit,kërcënimit dhe shantazhit. Ata detyrohen të marrin pjesë në takime elektorale, të sjellin vota apo të raportojnë mbështetës për partinë në pushtet. Kjo është një shkelje e të drejtës së votës dhe e parimeve të demokracisë funksionale’, tha ajo.
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë konferencës për shtyp u shpreh se PD nuk do të njohë rezultatet e zgjedhjeve të 11 Majit 2025. Lideri i opozitës i quajti zgjedhjet të paligjshme dhe të manipuluara. Gjithashtu Berisha prezantoi dokumente të 12 qendrave të votimit, të cilat sipas tij, nuk mund të pranohet si kutitë e vërteta, por si kutia të falsifikuara që janë përdorur për të deformuar vullnetin e qytetarëve.
“Këto ishin dokumentet e 12 qendrave të votimit, të cilat në asnjë lloj rrethane këto kuti nuk mund t pranohen si kutitë e vërteta të qendrave të votimit, por si kuti të ndërruara apo të ardhura nga selia e PS apo dhe vetë nga qendrat ilegale të patronazhistëve.
Këto të dhëna hedhin poshtë përfundimisht farsën elektorale të 11 Majit 2025 dhe pikërisht bazuar në këto të dhëna dhe qindra e mijëra të tjera që kemi paraqitur para jush, PD deklaron se këto zgjedhje janë të paligjshme.
Se këto zgjedhje janë një farsë e vërtetë elektorale, të cilat nuk shprehin vullnetin e shqiptarëve dhe nuk do njihen nga PD,” tha Berisha.
Gazetari dhe kandidati për deputet, Aulon Kalaja, ka rikthyer debatin për rinumërimin e votave, duke ngritur akuza për mungesë transparence dhe trajtim të pabarabartë të votave nga ana e institucioneve zgjedhore.
Gjatë një interviste në studion e Euroneës Albania, Kalaja u shpreh se procesi ka qenë i manipuluar dhe i qëllimshëm për të diskredituar kandidatët që kanë kërkuar rinumërimin.
“Kur kam parë votën time në numërimin e parë, tek numërimi i dytë më del që ia kanë dhënë një kandidati tjetër, pra më ka ikur një votë. Ose një votë që ka shkuar vetëm për subjektin politik, tek numërimi i dytë ka dalë që e ka marrë dhe një kandidat tjetër,” tha Kalaja.
Ai shtoi se ka pasur trajtim të dyfishtë të votave të pavlefshme nga Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve , duke theksuar se për partitë politike është aplikuar një standard dhe për kandidatët një tjetër.
“Kush ua jep fuqinë atyre të quajnë votat e shqiptarëve të pavlefshme, kur vullneti politik i atij që ka zgjedhur është totalisht i qartë. Komisionerët e PS-së dhe të PD-së kanë vendosur me marrëveshje që kjo votë është e qartë. Kjo ka ndodhur me qëllimin të na diskriditojnë neve që kemi kërkuar rinumërimin. Dhe unë e denoncoj nga kjo studio të gjithë tentativën e KAS-it për të na baltosur neve që kemi kërkuar rinumërimin. Ne kemi kërkuar votat që na janë marrë”, tha Kalaja.
Gazetari pretendon se ka dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve video që dëshmojnë manipulime apo video të votave të dalë nga kutia, të cilat janë shpallur të pavlefshme nga KAS për arsye që i konsideron të pajustifikuara.
Ai ngriti gjithashtu shqetësimin për pabarazi teknike në procesin e votimit, duke theksuar se kutitë për partitë kanë qenë më të mëdha sesa ato për kandidatët
“Unë kam marrë ca vota me vete, sepse i kam videot e KQZ-së. Janë vota ku shihet një X tek emri im, që ka dalë nga kutia. Për KAS-in kjo është e pavlefshme, vetëm pse ka dalë pak jashtë kutisë së shënimit, por unë do ta ankimoj.
Ka edhe një diskriminim këtu pasi kutia e partisë ka qenë e madhe, ndërsa kutia e kandidatëve shumë e vogël. Nuk ka barazim të votës”, tha Kalaja.
Kandidati i Partisë Demokratike për deputet në qarkun Tiranë, Ilir Alimehmeti, ka ngritur akuza të forta lidhur me procesin e rinumërimit të votave të zgjedhjeve të 11 majit. Alimehmeti deklaroi se votat janë manipuluar që në ditën e zgjedhjeve dhe se rinumërimi nuk po shërben për të zbardhur të vërtetën, por për ta mbuluar atë.
Ai theksoi se KAS-KQZ duhet të shqyrtojë pamjet filmike të procesit të votimit dhe numërimit, të cilat sipas tij tregojnë qartë manipulime, por kjo kërkesë është rrëzuar si nga KAS ashtu edhe nga Kolegji Zgjedhor.
“Video me verbalin e parë të numërimit nuk korrespondon. Kërkesa ime ka qenë bazuar mbi këto video. Është hedhur poshtë nga KAS , i jemi drejtuar kolegjit zgjedhor, është hedhur poshtë nga kolegji zgjedhor. Më pas subjekti ka kërkuar çfarë ka kërkuar dhe është pranuar. Pastaj unë nuk jam pjesë e këtij procesi, unë mbështes procesin në numërim.
Nuk kam qenë fare i pranishëm të rinumërimi, sepse unë këtë proces e konsideroj rinumërim të diçkaje që është manipuluar në kuti, sepse te videot fillestare origjinale nuk tregojnë këto rezultate”
Alimehmeti akuzoi gjithashtu Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve se po i jep konotacione negative disa kandidatëve të opozitës, duke cenuar imazhin dhe kredibilitetin e tyre në publik.
“Për shkak të përdorimit të termave të gabuar që nuk mendoj se është e rastësishme, hiqen disa votave kandidatëve, disa njerëz, një pakicë voton te mbiemri, me vendim administrativ të KAS janë quajtur që këto vota duhet t’i hiqen kandidatit. Po këto nuk mund të quhen të shtuara, apo të pamerituara. Ky konotacion negativ bëhet qëllimisht për të bërë pis x kandidat dhe kjo është e vërteta”, tha ndër të tjera Alimehmeti.
Ilir Alimehmeti: Në radhë të parë kërkesa jonë ishte bazuar në videot që vetë KQZ bën në procesin e rinumërimit dhe jo tashmë te votat që ato kanë qenë, ti numëroji një herë, dy herë , 3 herë ato tashmë janë manipuluar.
Video me verbalin e parë të numërimit nuk korrespondon. Kërkesa ime ka qenë bazuar mbi këto video. Është hedhur poshtë nga KAS , i jemi drejtuar kolegjit zgjedhor, është hedhur poshtë nga kolegji zgjedhor. Më pas subjekti ka kërkuar çfarë ka kërkuar dhe është pranuar. Pastaj unë nuk jam pjesë e këtij procesi, unë mbështes procesin në numërim.
Nuk kam qenë fare i pranishëm të rinumërimi, sepse unë këtë proces e konsideroj rinumërim të diçkaje që është manipuluar në kuti, sepse te videot fillestare origjinale nuk tregojnë këto rezultate.
Arsyeja e dytë për shkak të përdorimit të termave të gabuar që nuk mendoj se është e rastësishme, hiqen disa votave kandidatëve, disa njerëz, një pakicë voton te mbiemri, me vendim administrativ të KAS janë quajtur që këto vota duhet t’i hiqen kandidatit. Po këto nuk mund të quhen të shtuara, apo të pamerituara. Ky konotacion negativ bëhet qëllimisht për të bërë pis x kandidat dhe kjo është e vërteta.
Analisti Fatos Lubonja komentoi në emisionin rinumërimin e votave pas zgjedhjeve të 11 majit, duke e cilësuar procesin si “shumë zhurmë për asgjë”.
Sipas tij, manipulimi zgjedhor është bërë përpara datës së zgjedhjeve, në kushtet e një partie-shtet që kontrollon çdo pushtet.
Lubonja theksoi se Shqipëria nuk ka arritur ende të ndërtojë një sistem zgjedhor të pakontestueshëm. Ai u shpreh se vendi po shkon drejt stabilizimit të një regjimi, që nuk lëshon pushtetin nëpërmjet zgjedhjeve.
Fatos Lubonja: Hapja e kutive më duket si shumë zhurmë për asgjë. Kjo, sepse manipulimi i zgjedhjeve është bërë para 11 majit. Kemi një lloj partie-shtet, që kontrollon gjithçka. Një parti që fiton në çdo zgjedhje më shumë vota, ka shpjegim që kontrolli i pushtetit nga PS është rritur. Nuk është sukses qeverisjeje, sepse ka pasur skandale plot në këto vite, e ky popull kaq idiot nuk është për të mos e ndëshkuar qeverisjen. Ka dy narrativa. Një narrativë është që probleme kemi, por hapa kemi bërë përpara. Narrativa tjetër është se nuk bëhet fjalë për ecje përpara, por për stabilizimin e një regjimi, që kontrollon gjithmonë e më shumë e më me ankth votat. Besoj se kjo e dyta është më e besueshme si narrativë.
Zgjedhjet vazhdojnë që kontestohen e Shqipëria nuk ka ndërtuar dot një sistem zgjedhor të pakontestueshëm dhe është një vend, që nuk kalon testin e demokracisë. Këtu është instaluar një regjim, që nuk e lëshon pushtetin me proces zgjedhor. Edhe opozita ka thënë se nuk ka zgjedhje të lira dhe pastaj thotë që do hyj në zgjedhje e do fitoj, edhe kjo është kontradiktore.
Ai bën thirrje për reflektim të thellë mbi rrezikun e normalizimit të krimit elektoral, duke e cilësuar atë si një nga aktet më të rënda që i bëhen demokracisë.
“Unë kam shumë informacione për vjedhjen e zgjedhjeve, por nuk mund t’i them të gjitha, pasi disa prej tyre nuk i kam të provuara,” deklaroi Klevis Balliu.
Ai shtoi se për të, pavarësisht përkatësisë politike të individëve të përfshirë, parimi i transparencës dhe ndëshkimit të shkelësve të ligjit duhet të jetë i padiskutueshëm.
Klevis Balliu: Unë kam shumë informacione për vjedhjen e zgjedhjeve, por nuk mund ti them të gjitha pasi disa prej tyre nuk i kam të provuara. Pavarësisht se kush është personi qoftë demokrat apo socialit që do kishte abuzuar me zgjedhjet unë do ti dilja në krah. Por duhet një fakt dhe një provë. Ka zero rëndësi nëse është edhe mik im Alimehmeti që mund të ketë abuzuar. Hajde denoncoje dhe do të mbështes. Në po flasim për prova që janë të pakundërshtueshme.
Shikoni sa lehtë po normalizohemi me krimin elektoral. Nuk ka krim më të madh ti bëjmë kombin sesa të normalizohemi me krimin elektoral.
Ekipet e numërimit të KQZ kanë rivlerësuar mbi 80% të kutive të Qarkut të Tiranës. Deri tani janë numëruar 1035 kuti votimi nga 1282 në total.
Nga procesi rezulton se PD-së i ishin shtuar padrejtësisht 567 vota, ndërsa PS-së 356 të tilla. Vota i ishin shtuar edhe Lëvizjes Bashkë, 57, koalicionit “Nisma-Shqipëria Bëhet” 38, Partisë Mundësia 39 apo dhe PSD-së 32.
Ndërsa koalicionit Euroatlantik në 11 maj i ishin mohuar 22 vota, të cilat pas rinumërimit i janë rikthyer në rezultatin përfundimtar. 6 vota iu rikthyen koalicionit Djathtas për Zhvillim.
Vota i ishin zbritur edhe partisë Aleanca Kombëtare Shqiptare, 7 të tilla, ndërsa Aleancës Demokracia e Re i ishin shtuar 11 vota më shumë.
Pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor që rrëzoi kërkesën e PD-së për pavlefshmërinë e zgjedhjeve, kryekomisioneri i KQZ-së Ilirjan Celibashi ka shpërndarë mandatet për 4 qarqet e para. 24 deputetët e parë në qarqet, Kukës, Lezhë, Gjirokastër dhe Korçë tashmë janë një hap më pranë Parlamentit. Në qarqet Lezhë dhe Kukës, Partia Demokratike ka rezultuar fituese ku ka përkatësisht 4 dhe 2 deputetë…
Ditën e sotme, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka bërë shpërndarjen zyrtare të mandateve të deputetëve për qarqet Kukës, Korçë, Lezhë dhe Gjirokastër, pas përfundimit të procesit zgjedhor të 11 majit.
Sipas ndarjes, Partia Socialiste në Kukës, ka fituar 1 mandat, në Korçë 6, në Lezhë 3 dhe Gjirokastër 3 mandate.
Ndërsa Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore, në Kukës ka fituar 2 mandate, në Korçë 4, në Lezhë 4 dhe Gjirokastër 1 mandat.
Më poshtë, është ndarja përfundimtare e mandateve dhe emrat e deputetëve të zgjedhur:
Në një deklaratë ish-kryeministri Sali Berisha ka akuzuar ashpër qeverinë shqiptare për manipulim masiv të zgjedhjeve të 11 majit, duke e cilësuar procesin si një farsë elektorale të dirigjuar nga një “parti-shtet”. Duke iu referuar raportit të delegacionit të Këshillit të Europës, Berisha theksoi se rekomandimet ndërkombëtare janë dërrmuese për legjitimitetin e zgjedhjeve, duke përfshirë kritika për përdorimin politik të institucioneve si SPAK dhe për abuzimin me votën e diasporës. Ai publikoi gjithashtu të dhëna mbi dhënien e mijëra lejeve të legalizimit në kundërshtim me Kodin Zgjedhor, të cilat, sipas tij, përfaqësojnë një formë të blerjes së votës nga qeveria në prag të zgjedhjeve.
Fjalimi i plotë:
“Në Strasburg, raporti i delegacionit të Këshillit të Europës që observoi zgjedhjet, ndërhyrjet që u bënë, ishin një damkosje e re e madhe e farsës elektorale të 11 Majit. Rekomandimet e këtij raporti, siç theksova dje, janë asgjësuese. Në këto rekomandime janë ndarja e partisë nga shteti. Pra konfirmohet se në Shqipëri funksionon partia shtet dhe shteti elektoral. Rekomandohet reformimi i Skapit, duke konfirmuar në këtë mënyrë tezën se ai që quhet Spak, nuk është asgjë tjetër veçse një Skap i partisë, bashkautor në krimin e madh elektoral ndaj shqiptarëve. Zhvlerësohet në tërësi, apo thotë të analizohet, vota e diasporës, e cila siç e patë ju, është shtetëzuar.
Natyrisht ndërhyrjet brutale në procesin e farsës elektorale ishin të shumëllojta, por edhe njëherë, në çdo vend dhe në çdo shtet, një proces zgjedhor asgjësohet dhe shndërrohet në farsë elektorale kur partia bëhet shtet dhe shteti parti. Ky është kushti i të gjitha kushteve për të asgjësuar procesin e drejtë zgjedhor, për ta shndërruar atë në farsë. Ky është kushti më themelor. Në rastin konkret, sot do paraqes para jush abuzimin masiv me pushtetin ekzekutiv të agjencive të shtetit elektoral për të blerë vota në shkelje flagrante me ligjet e vendit dhe parimet ndërkombëtare të zgjedhjeve të drejta. Këtu jemi tek Fresku. Këta kriminelë elektoralë po ndajnë atyre certifikata pronësie, leje legalizimi.
Është vetëm pak ditë para fushatës elektorale. Publikisht! Natyrisht janë në mbrojtjen e plotë të Altin Troplinit dhe Skapit të partisë. Një kujtesë ligjore; neni 91 i Kodit Zgjedhor, pika 4 thotë, katër muaj para datës së zgjedhjeve, ndalohet propozimi, miratimi apo nxjerrja e akteve ligjore që parashikojnë dhënien e përfitimeve për kategori të caktuara të popullsisë si: rritje pagash e pensionesh, mbështetje ekonomike ose sociale, ulje apo heqje taksash, amnisti fiskale, dhënie pasurish apo shpërblimesh. Kjo tabelë paraqet totalin e legalizimeve pikërisht në harkun kohor të ndaluar me ligj.
Në harkun kohor të ndaluar me ligj, në qarqet e vendit u realizuan, në Berat 419 legalizime, në Dibër 123 legalizime, në Durrës 928 legalizime, në Fier 801 legalizime, Gjirokastra 98, Kukësi 124 legalizime, Tirana 1931 legalizime, Vlora 590 dhe Lezha 116. Në total janë dhënë 6 mijë legalizime. Imagjinoni këto, minimumi 3 gjer në 5 vota, se sa u blenë vetëm me lejet e legalizimit,” tha Berisha.
Këtë të martë në Kolegjin Zgjedhor shqyrtohen ankimet e PD-së për 4 qarqet e tjera, e cila kërkon shpalljen e rezultatit të 11 majit të pavlefshëm. Seanca për qarkun e Vlorës u shty më datë 26 qershor ora 08:30. Po shqyrtohet Berati dhe më pas do të vijohet me Dibrën dhe Shkodrën. Kolegji Zgjedhor ka certifikuar rezultatin në 4 qarqe, Lezhë, Kukës, Gjirokastër dhe Korçë, duke rrëzuar ankimin e PD.
Ka kaluar më shumë se një muaj nga zgjedhjet e 11 majit, dhe refuzimi për ta pranuar rezultatin është po aq i fortë sa ditët e para në selinë e Partisë Demokratike. Sali Berisha nuk ka reshtur së denoncuari dhe vazhdon të publikojë nga selia e PD-së pamje filmike që dokumentojnë – sipas tij – farsën elektorale që ndodhi në disa qendra votimi.
Disa nga filmimet tregojnë skena të denja për manualin e vjedhjes së votave, jo thjesht për manipulimin e qytetarëve përmes medias, apo ndonjë shkelje të sofistikuar. Shkurt dhe qartë, filmimet tregojnë qytetarë që lëvizin brenda qendrës së votimit me dy e më shumë fletë në duar, komisionerë që futin duart në kuti dhe kontrollojnë fletët e votimit apo rrethanat, kur votohet nën kontrollin e militantëve.
E vërteta është që në zonat urbane është e vështirë, thuajse e pamundur të shihen pamje si këto më poshtë, që Lapsi i ka mbledhur të gjitha bashkë. Kryesisht denoncimet vijnë nga zonat rurale atje ku të drejtat e qytetarëve zbehen dhe ku të fortët janë institucionet reale që diktojnë jetën e banorëve.
Fletë votimi në lokalin e fshatit Pekisht
Në fshatin Pekisht në Peqin, në lokalin e kryeplakut të fshatit Dervish Beqiri gjenden fletë votimi dhe materiale zgjedhore. Kandidati i PD-së së Elbasanit, Bledi Himçi telefonon policinë. Kur e pyet kryeplakun e fshatit se përse mban në lokalin e tij fletë votimi, ai thotë se ia ka sjellë kandidati i Partisë Socialiste, Saimir Hasalla.
Pas denoncimit, policia e Elbasanit tha se do të kryente verifikime por si për tallje, njoftoi se kishte gjetur një pushkë sportive në shtëpinë e Dervish Beqirit dhe po e procedonte për armëmbajtje pa leje të gjuetisë sportive.
PD pretendon se prokuroria e Elbasanit po tentonte ta manipulonte ngjarjen, pasi fletët e votimit ishin origjinale, ndërsa materialet zgjedhore ishin të vulosura.
Sinan Patozi, miku i Taulant Ballës me thasët me vota
Sinan Patozi është identifikuar nga Partia Demokratike si një militant i Partisë Socialiste me banim në Itali. Nuk dihet se si, por ky person nga mitingjet e Taulant Ballës me diasporën përfundoi si punonjës i DHL, duke ngarkuar thasët me zarfat e votave të emigrantëve shqiptarë në Itali.
PD shpërndau për mediat videot nga rrjetet sociale të Sinan Patozit, i cili ngarkon votat e emigrantëve shqiptarë, ndërsa në komente nuk ka ngurruar të mburret se “i mbush” vetë votat.
“Në dore e ke thesin o Sinan, shyqyr të erdhi rasti” i shkruan një nga miqtë e tij dhe Sinani me sinqeritet i përgjigjet “Ajo dihet, unë i plotësoj”. Për PD ky ishte një rast flagrant dhe nuk është rastësi që patronazhisti Sinan Patozi kalon nga mitingjet e Taulant Ballës në diasporë në transportin e thasëve me zarfave të emigrantëve.
“Ju e shikoni njeriun e Taulant Ballës, jo me një votues por me punonjës të DHL-së. Ju e patë personin, edhe në takim me Taulant Ballën edhe në foto dhe kjo dëshmon qartë për duart e zeza të Partisë së krimit brenda DHL-së. Këtu jemi brenda DHL-së, punonjës, jemi brenda” shprehej Berisha.
“Po bleni vota? Filmimi i shkurtër i tre personave
Screenshot
Një video tjetër që sipas PD tregon patronazhistët që shpërndajnë para është një filmim që zgjat pak sekonda, ku duken dy gra dhe një burrë që mbajnë në dorë disa letra dhe largohen nga dera e një shtëpie për të hipur në makinë. Gruaja që i filmon dëgjohet të thotë “Vazhdoni blini vota”, ndërsa një nga personat e filmuar i përgjigjet “Ne kemi punët tona”.
Gjatë konferencës me gazetarët në selinë e PD, Berisha u shpreh se filmimi është bërë në Babrru dhe tregon një ekip patronazhistësh që shpërndajnë para për vota, megjithëse nuk i identifikoi këta persona.
Dy pensionistët që ia kanë marrë kartat e identitetit
Dy pensionistë nga Shkodra, Ludovik dhe Marie Rrethi denoncojnë se si një punonjës i postës Besmir Lepi u kishte marrë kartat e identitetit një javë para zgjedhjeve, me pretekstin se do t’ia tërhiqte pensionin, por ende nuk ia kishte kthyer dokumentat. Të dy të moshuarit thonë se karta e identitetit u duhej për të votuar, por punonjësi i postës refuzonte t’ia kthente.
Denoncuesi: Kush jeni, si e keni emrin?
Qytetari: Lodovik …
Denoncuesi: Lodovik kush …
Qytetari: Lodovik Rrethi.
Denoncuesi: A doni me votu nesër…
Lodovik Rrethi: Po ishalla…
Denoncuesi: A keni kartë?
Lodovik Rrethi: Jo. E kam kartën por na e ka marrë ai mjeshtri…
Denoncuesi: Si e ka emrin …
Lodovik Rrethi: Besmiri … te posta.
Gentian Ndoj: Kartën tënde kush e ka marrë?
Lodovik Rrethi: Besmiri.
Gentian Ndoj: Besmiri … Pse nuk ta kthen kartën Besmiri…
Lodovik Rrethi: Nuk di gjë, puna e tij. Ai nuk i hedh lekët ai…
Gentian Ndoj: A të duhet karta ty…
Lodovik Rrethi: Më duhet nesër, kismet …
Gentian Ndoj: Pse të duhet karta…
Lodovik Rrethi: Me votu.
Gentian Ndoj: Sa kohë ka që ta ka marrë kartën?
Lodovik Rrethi: Ka 1 javë.
Qytetarja: Marie Rrethi.
Denoncuesi: Sa vjeç je?
Marie Rrethi: 78.
Denoncuesi: Pensionin a e ke marrë
Marie Rrethi: Jo.
Denoncuesi: A don me votu nesër?
Marie Rrethi: Po nesër, për Zotin do të mi bin se s’bën more, s’ka ka ja man. Unë atë ja du.
Denoncuesi: Ç’ka?
Marie Rrethi: Kartat i du në shtëpi.
Denoncuesi: Kush ua ka marrë kartat …
Marie Rrethi: Ky Besi na i ka marrë.
Denoncuesi: Ku punon ai.
Marie Rrethi: Don lek.
Denoncuesi: Çfarë lekësh?
Marie Rrethi: Lekët e pensionit…
Denoncuesi: Tash sa kohë ua ka marrë kartat.
Marie Rrethi: Ka tash 1 javë, tash ni javë po them unë se, kartat janë marrë ma tepër.
Denoncuesi: Pra, ai ua ka marrë kartat dhe nuk ua kthen.
Marie Rrethi: Nuk i kthen, për s’gjallë nuk i kthen.
Denoncuesi: A keni shku me ja kërku kartat?
Marie Rrethi: Ka shku Liku, i kam thënë Likut, çfarë është mor kështu, thotë. Duhet me ja çu Luisit, Luis Lazrit, për me i pru te shpia.
Denoncuesi: E çfarë i ka thënë ai për kartat.
Marie Rrethi: I ka thënë du me ja çu asaj. Mi jep mor mu, i ka thanë kartat. Jo jo i ka thënë, do ja çoj atje, se do i çoj dhe lekët. As ka pru lekë, as ka pru karta.
Denoncuesi: Pra, ju s’keni kartë?
Marie Rrethi: Jo në shtëpi. Jo, jo atje i ka, ai vetë i ka marrë. Hala vaki s’më ka bë kështu.
Karta identiteti të hedhura në Petrelë
Në filmimin e mësipërm, që u publikua në selinë e Partisë Demokratike janë 10 karta identiteti të flakura në rrugë. Berisha tha se filmimi është kryer në Petrelë, ndërsa kartat janë përdorur nga komisionerët e Partisë Socialiste për të mbushur kutitë e votimit, ose mund t’i jenë marrë votuesve të identifikuar të Pd-së për të mos i lejuar të votojnë në 11 Maj.
Votuesi del nga dhoma e fshehtë me dy fletë votimi
Filmimi më lart nuk ka nevojë për shumë sqarim. Në pak sekonda, shihet se si një votues del nga dhoma e fshehtë me dy fletë votimi në duar, një shkelje flagrante e ligjit.
Votuesi që lëviz gishtin me simbolikën e revoles
Video më lart është kryer në një qendër votimi dhe tregon dy persona duke biseduar me komisionerët. Njëri prej tyre ndërsa është duke folur, lëviz gishtin duke imituar shkrepjen e një pistolete. Për Sali Berishën, një filmim i tillë shërben si dëshmi për atmosferën e terrorit në të cilën u gjendën komisionerët e opozitës që kishin përballë bandat më të rrezikshme në vend.
Komisioneri kontrollon votuesin në dhomën e fshehtë
Kjo është qendra e votimit 2283, fshati Përparim në Peqin. Këtu duket se si një person nxjerr kartën e identitetit për t’u identifikuar, por pasi merr fletën e votimit, një prej komisionerëve çohet dhe e shoqëron për në dhomën e fshehtë derisa sheh votën e qytetarit. Sipas Berishës ky është rasti kur qytetari i ka marrë paratë për votën, ndaj e lejon komisionerin që ta verifikojë votën e tij.
Komisioneri nxjerr votën nga kutia
Ky është një moment tjetër në të njëjtën qendër votimi 2283, në fshatin Përparim në Peqin. Një prej komisionerëve kërkon të verifikojë një votë, ndaj e kap kutinë, e kthen përmbys, kap me gishta një votë, e nxjerr jashtë dhe sheh për kë është plotësuar.
“Tani qetësohet. U zbulua se si ka votuar personi për të cilin ai është porositur. I ka marrë paratë personi, prandaj do kontrollohet nëse i meritoi paratë apo jo” ishte shpjegimi që i dha Berisha.
Komisioneri shkon të kontrollojë votën e qytetares
Në videon më lart, nga e njëjta qendër votimi në fshatin Përparim të Peqinit, duket se komisionerët kanë pasur për detyrë të kontrollonin votën e personave të caktuar. Sapo një qytetare ka hyrë në qendrën e votimit, një prej komisionerëve është çuar në këmbë dhe e ka ndjekur pas për të verifikuar votën e saj.
Një person voton me 4 fletë votimi
Një person voton 4 herë në qendrën e votimit në Peqin. Madje për të mos u lodhur, komisionerët i afrojnë edhe një karrige në dhomën e fshehtë. Kjo hapësirë që supozohet të garantojë fshehtësinë e votës, mbushet nga disa persona të tjerë që vëzhgojnë, ndërsa personi mbush votat njëra pas tjetrës. Shikoni filmimin më lart.
Person me dy vota në duar
Në videon më lart duket një person që lejohet të mbushë dy fletë votimi. Ai lëviz qetësisht në qendrën e votimit dhe duket që komisionerët i japin dy fletë votimi, duke e lejuar t’i plotësojë që të dyja.
I riu nxjerr votën nga qendra e votimit, pretendimi i PD për “tren bullgar”
Filmimi i mësipërm ka provokuar debate të shumta, për pretendimin që ka shfaqur Partia Demokratike, sipas së cilës ky është fillimi i “trenit bullgar”, një mënyrë e Partisë Socialiste për të kontrolluar votën e qytetarëve. Në filmim shihet një djalë i ri që merr një fletë votimi të vulosur dhe ikën jashtë qendrës së votimit.
Sipas opozitës këtu nis edhe mekanizmi i quajtur “treni bullgar”. Fleta e votimit plotësohet jashtë dhe i jepet një qytetari që pranon të votojë një parti në këmbim të parave apo i shantazhuar.
Qytetari hyn në qendrën e votimit me fletën e plotësuar në xhep. Merr një fletë votimi të pastër dhe shkon në dhomën e fshehtë. Aty nxjerr nga xhepi fletën e plotësuar dhe mban fletën e pastër. Në kuti hedh fletën e plotësuar që e kishte marrë jashtë dhe dorëzon fletën e pastër.
Për ta nisur trenin duhet që një fletë votimi të nxirret jashtë nga qendra e numërimit me vulë dhe opozita thotë se kjo është pikërisht çfarë ka bërë personi në video.
Emigrantët votues të PD ankohen për sorollatjen para 11 Majit
Më lart janë dy intervista të emigrantëve shqiptarë në Greqi që ankohen për sorollatjen që iu bë me votat. Ata thonë se ishte e vështirë të merrje zarfin, pasi posta nuk kishte garantuar dërgesën dhe marrjen e zarfit me votën siç e përcakton ligji. Njëri prej tyre ankohet se zaraft u shpërndanë në disa pika bastesh dhe kazino, diçka e papranueshme për qytetarët e thjeshtë.
Komisionerë që mbikqyrin votues
Edhe këtë të hënë, Sali Berisha vazhdoi me denoncimin e videove, një përmbledhje të të cilave e shfaqi në selinë e PD, të njëjtën që Albana Vokshi ia kishte shfaqur eurodeputetëve në Komitetin e Stabilizim Asociimit në Bruksel.
“Kur e panë këtë video, ata i krahasuan zgjedhjet në Shqipëri me Zimbabven para 30 vitesh” u shpreh Berisha.
Denoncimet e opozitës përfshijnë një spekter më të gjerë parregullsish, ku bëjnë pjesë punësimet e militantëve, përdorimi i resurseve shtetërore për fushatën e 11 Majit, falja e gjobave para ditës së votimit, kapja e mediave, keqpërdorimi i prokurorëve si Altin Dumani për të burgosur liderët e opozitës etj.
Megjithatë filmimet e mësipërme tregojnë se përdhunimi ka shkuar akoma më thellë në ato zona ku nuk ka nevojë as për të kapur SPAK, as për media të paguara. Mjafton një stilolaps dhe kutitë mbushen me aq vota, sa të ketë nevojë partia./Lapsi.al